
Me arkitektin austriak, me pare të serbit, në zemër të tokës shqiptare, ishte ngritur ajo ndërtesë, që të përjetësonte triumfin dhe fuqinë e pasardhësve të car Llazarit. Ata ishin kthyer si hakmarrës, për humbjen që u ishte shkaktuar nga osmanët (e jo nga shqiptarët e shkretë) në vitin 1389 dhe kishin vulosur triumfin e vet gjakatar edhe me këtë godinë në zemër të Prishtinës. Nuk e di a e kanë bërë inaugurimin e saj me pogaqe e me kripë, sikundër bëjnë serbët në raste festash, por e di se ai truall është ujitur me gjakun e mijëra shqiptarëve, të cilët të vetmin faj e kanë pasur që kanë jetuar në shtëpitë e veta dhe në kokë kanë mbajtur plisa të bardhë. Por gjaku nuk bëhet ujë, thotë një fjalë. Prandaj, edhe nuk qe e thënë që ajo godinë dhe Kosova vetë të mbetej ashtu si e patën menduar pasardhësit e Llazarit. Erdhi një kohë kur ajo ndërtesë mori emrin “Skenderbeg”. Për entuziazmin e asaj kohe, e mbaj mend një detaj nga rrëfimi i Namanit, një prishtinasi të vjetër, rahmet pastë. Ai më ka treguar se në “ditët e Shipnisë”, gjatë një mitingu patriotik në platonë e “Skenderbegut”, kur kishte ardhur Mustafa Kruja, një burrë tërë kohën ulëriste “ Shkupi yni!”, “Shkupi yni!” E veçanta e atij burri ishte se i kishte të dyja duart të gjymta dhe nuk arrinte të duartrokiste, meqë i kishte shuplakat të kthyera mbrapshtë. Por, ai nga entuziazmi patriotik, u mëshonte duarve së prapthi dhe bërtiste “Shkupi yni!’, “Shkupi yni!”, me një zë që ngrihej mbi të gjitha buçimat dhe ulërimat e tjera patriotike të asaj dite. Me dhjetëra herë Namani ma ka treguar këtë ngjarje dhe asnjëherë nuk ka harruar të tregojë konkretisht si i përplaste duart ai burri sakat dhe se si zëri i tij ishte më i thekshmi dhe më i larti në gjithë turmën. (Zoti na ka njoftuar se zëri më i keq është zëri i gomarit.) As Namani dhe askush tjetër nuk e di emrin e atij njeriu të përvëluar nga marazi patriotik për Shkupin, edhe pse ai atë ditë kishte qenë violina e parë e mitingut atdhetar, që kërkonte Shkupin t’i bashkohej “Shqipërisë mëmë”. Pra, “Shqipërisë mëmë”, e cila vetë ishte futur në përqafimin epshor të Italisë fashiste. Afërmendësh, iluzionin e tij dhe të mijëra të tjerëve, në krye me Mustafa Krujën, do ta ketë përlarë kasaphana e re që u shfaq në të mbaruar të Luftës së Dytë Botërore. Ëndrrat shqiptaromëdha të kohës së Luftës së Dytë Botërore, u shkallmuan tërësisht, kur serbët u kthyen sërish si hakmarrës dhe e shëndërruan vendin sërish në një kasaphanë. Namani më ka treguar se si menjëherë pas “çlirimit”, patrullat partizane hynin nëpër shtëpitë shqiptare dhe merrnin burrat e i fusnin në burgun e improvizuar, në ndërtesën ku më vonë do të ngrihej “Rilindja”. Por pa i mbajtur gjatë aty, i shpienin në Tauk Bahqe, dhe i pushkatonin. Vendi ku i pushkatonin këta shqiptarë fatmjerë, quhej Strelishte (as sot nuk ka emër shqip për atë vend, falë Zotit.) Kur kishte shkuar te burgu për t’i dërguar ca ushqime axhës së vet, Zeqirit, të cilin e kishin arrestuar një ditë më parë, policët i kishin thënë Namanit t’i kthente gjërat në shtëpi, sepse Zeqirit nuk i duheshin më. Sot e atë ditë nuk janë gjetur eshtrat e tij. Sipas asaj që kam arritur ta kuptojë nga rrëfimet e gjata të Namanit, shumica e të pushkatuarve, kanë qenë të zgjedhur si “nacionalistë shqiptarë”, si puna e atyre demostruesve të zjarrtë që kërkonin Shkupin t’i bashkohej Shqipërisë Etnike, në përqafimin epshor të Italisë fashiste. Por, kishin triumfuar komunistët dhe e kishin bërë shkrumb edhe tokën nën këmbë, e jo vetëm nacionalistët gjaknxehtë. E tëra ishte bërë në emër të proletariatit botëror. Edhe të proletarëve shqiptarë, në krye me shokun Enver Hoxha.
Për hir të kësaj historie të bujshme paradoksesh, besoj se tubimi në njëqind vjetorin e lindjes së Enver Hoxhës, është dashtë të mbahej në ndërtesën e ish Hotelit “Union”, e jo në Sallën e Kuqe, ndonëse emri i kësaj të fundit i përshtatet atij aktiviteti të zjarrtë të enveristëve kosovarë. Po të mbahej tubimi për Enverin në atë godinë ose para saj, ashtu do të ishin të gjithë në të njëjtin vend, në faqet e një historie plot paradokse. Me sa kam dëgjuar, një kohë ajo godinë ka qenë pak edhe shtëpi publike. Ndërsa, mua më mbetet peng vetëm pse nuk arritën edhe një grupim artistësh të futeshin brenda asaj ndërtese dhe aty të miklonin muz(t)at e tyre. Promovimi i pseudovlerave të tyre do t’ia vente kapakun kësaj historie paradoksesh, në godinën dhe rreth godinës së ish hotel Unionit. E tëra ka nevojë për një kapak hermetik, që të mos kutërbon më shumë. Atëherë do të arrihej ajo që thonë se ka thënë Shaban Polluxha: “Ma m.. nuk bahet”.
P.S.
Megjithatë, nuk ëshë faji i godinës së ish hotel Unionit, që një pjesë e madhe e historisë sonë të vjetër e të re, i përngjet pamjes së pasme të dhisë, me bishtin përpjetë e me hallatet përfushë. Në të vërtetë, vetë ndërtesa e ish hotel Unionit i përgjet kësaj pjese të shënuar të historisë sonë.
13 tetor 20008