
Megjithatë, nuk shoh ndonjë arsye pse Schmitt-i duhet mbajtur si fjala e fundit e “shkencës” historiografike; meqë tema e Skënderbeut është shumë e njohur, dokumentet janë ato që janë dhe interpretimet e reja, shpesh, bien ndesh me të vjetrat, por nuk është se i zhvlerësojnë vetvetiu; dhe më në fund, historinë mund ta quajmë vërtet “shkencë” për t’ua nderuar punën historianëve, por do të bënim mirë ta quanim dije, për ta dalluar nga shkenca si, gjeologjia ose biologjia evolucionare, që merren edhe ato me objekte të shtrira në diakroni.
Ardian Klosi, që është vetë studiues i kompletuar, përveçse përkthyes, është për t’u përshëndetur që e përkthen Schmitt-in në shqipe, por nuk më duket se ka të drejtë, kur nevojën për dukshmëri më të madhe të interpretimeve të reja në lëmin e historisë së Skënderbeut, e mbështet nëpërmjet përqasjeve me versionin e kësaj historie që u ofrohet nxënësve të shkollave shqiptare; sepse në shkolla, veçanërisht në ato të ciklit të ulët, fëmijëve historia u jepet në trajtë rrëfenjash koherente, jo analizash kritike, postmoderne ose revizioniste.
Ç’vlerë edukative ka, bie fjala, t’u thuash fëmijëve se Skënderbeu e hodhi Krujën në dorë me ferman të rremë? Si mund t’u flasësh fëmijëve për katastrofën e Beratit, duke e përshkruar si zotim të mirëfilltë vasalësh? Këtu nuk dua të vë në diskutim saktësinë e interpretimeve të Schmitt-it, por vetëm të kujtoj se historia në shkolla mësohet edhe me një pikësynim etik, prandaj autorët e teksteve shkollore mund t’i qortojmë për profkat kombëtariste me të cilat ndonjëherë engledisen, por jo pse nuk marrin parasysh rezultatet e kërkimeve të fundit në fushat përkatëse, ose të hapjes së dosjeve të Mesjetës.
Më në fund, vetë miti i Skënderbeut është bërë tashmë pjesë e historisë së Skënderbeut; në kuptimin që edhe revizionimi i kësaj historie, i nisur nga autorë të motivuar shkencërisht e me kredenciale të kulluara si Schmitt-i, nuk mund të kryhet veçse duke u filtruar nëpërmjet mitit. Përndryshe, askush nuk do ta kuptojë se pse duhet të çajmë kryet, ne shqiptarët sot ose fëmijët tanë, me një vasal kryeneç të herë Sulltanit e herë Mbretërve të Napolit, që u motivokësh nga arsye të hakmarrjes ose të ambicjes për pushtet. E kam fjalën që vetë arsyeja pse Skënderbeu studiohet sot në shkollat e Shqipërisë ka të bëjë drejtpërdrejt me mitin e tij, të krijuar nga Rilindasit, jo me ndonjë vijueshmëri historike të mirëfilltë midis Arbërisë së shekullit XV dhe provincave osmane të banuara nga shqiptarët në gjysmën e dytë të shekullit XIX. Atëherë, si mund ta çmontojmë kështu, kaq haptazi, këtë hero sado mitik, pa ia cenuar vendin qendror në kodet etike të qytetarisë kombëtare?
Më tej, po sikur nesër të dalë një koleg i Schmitt-it, njëlloj i nderuar, që të rrëmojë në arkivat sekrete të jeniçerëve dhe të zbulojë dokumente autentike që e nxjerrin Gjergjin homoseksual, çka do të shpjegonte edhe misterin e martesës së tij të vonë ose marrëdhëniet enigmatike, bie fjala, me Moisi Golemin? Vallë duhet të vrapojmë e ta përfshijmë këtë informacion në tekstet shkollore? Unë them se jo; sepse një histori e mbështetur në riprodhimin rigoroz të “fakteve” historike nuk do të kishte kurrfarë kuptimi. Qëndrimi më i matur që mund të mbahet me studimet dhe interpretimet e reja në këtë lëmë, besoj unë, është t’u lëmë kohë të precipitojnë dhe të fermentohen, derisa të bëhen pjesë e trashëgimisë, si të thuash, kulturore; me fjalë të tjera, të presim derisa të bëhen edhe ato vetë histori.
Është mirë që kemi mundësi ta lexojmë Schmitt-in në shqipe; krahas veprës së historianëve të tjerë që janë marrë me Skënderbeun, madje edhe tani së fundi, si monografia e drejtpeshuar e Kristo Frashërit. Nuk është mirë, përkundrazi, që thyerjen e miteve në nivelin akademik ta ngatërrojmë me të mësuarit e historisë në shkollë, i cili u bindet kërkesave dhe kritereve të tjera, prandaj nuk mund të ndahet nga miti ose riorkestrimi i fakteve për t’i akorduar ose harmonizuar mes tyre. Të mos harrojmë që kjo histori e Shqipërisë, sado e restauruar dhe e përpunuar, është pjesë e misionit të shkollës për t’u dhënë fëmijëve një identitet qytetar modern, nëpërmjet referimeve diakronike të domosdoshme. Unë kujtoj, sado paradoksale të tingëllojë kjo, se e vetmja mënyrë që akademia t’i shkoqitë me urtësi mitet kombëtariste totalitare të trashëguara nga Rilindja dhe periudha komuniste, është që të lihet ta bëjë këtë në pavarësi të plotë nga shkolla, kultura popullore, simbolet kombëtare dhe përdorimi i rrëfenjave historike si instrumente të edukimit etik dhe qytetar të shtetasve.