Ecejake nëpër realitetin tonë!

Sado të përpiqesh të ndryshosh diçka për mirë, në çdo lloj mënyre, në fund mëson se është e pamundur..., realiteti që jetojmë është një oqean i tërë dhe ti je një njeri i mirë që me një lugë në dorë heq 'ujë' në këtë oqean! Çdo ditë me lugën tënde heq një dhe çdo ditë vëren se asgjë nuk ka ndryshuar nga niveli i ujit në oqean. Duam-s'duam ky është realiteti, ai islam dhe ai joislam...
Muslimanët sot janë në një fazë tranzicioni dhe përgjumjeje që po zgjat pamasë... Sot muslimanët vuajnë mungesën e liderëve, të personave me të cilët krenohen për nivelin e tyre arsimor dhe intelektual. Sot muslimanët vuajnë mungesën e arsimimit, të zellit për punë, të maturisë dhe edukimit të duhur. Me gjysmë zëri e them, por muslimanët sot vuajnë nga shumë gjëra...
Duke u përpjekur që të jem aktual dhe ta kuptoj qartë realitetin, vërej se muslimanët (në përgjithësi) nuk lexojnë, madje as edhe një libër në 1-3 muaj. Vërej se, ata harxhojnë shumë kohë pas internetit, TV-së, kafeneve, duke shikuar gjëra të ndryshme (të pakta janë të dobishmet), në këtë mënyrë muslimanët janë shkëputur shumë nga libri, leximi dhe hulumtimi...
Duke bërë ecejake pa doreza në realitetin tonë, vëren se një shumicë e madhe e muslimanëve janë dobët ekonomikisht, kjo nuk vjen vetëm si pasojë se ata nuk duan të përlyhen me 'haramin' dhe si pasojë e mundësive të pakta për punë, por ngaqë synimet e tyre janë të ulëta, jo të larta...
Më rastisi një herë të dëgjoj bisedën e disa të rinjve në një xhami të qytetit e, aty dëgjova pretendimin e tyre të ulët. Bisedonin për çështje arsimi, shkolle, etj., dhe asnjëri prej tyre nuk ishte i regjistruar në një fakultet, por disa ranë dakord që të ndjekin një kurs 3-6 mujor për hidraulik...
Zoti i Madhërishëm u ka dhënë këtyre të rinjve trup të rregullt dhe të shëndoshë, u ka dhënë shumë të mira, por këta nuk i shfrytëzojnë për qëllime të larta! Mjaftohen me pak, objektivi i tyre është shumë i dobët; asgjë nuk u mungon, por janë edukuar që të jenë të qeverisur dhe jo qeverisës, janë edukuar që të kënaqen me pak, gjithmonë t'jenë të përulur...
Fatkeqësisht ky është një realitet i muslimanëve në trevat shqiptare (dhe kudo në botë)... Janë shumë të paktë, numërohen me gishtat e dorës ata muslimanë të zotë, të mirë arsimuar që drejtojnë, që janë profesorë, doktorë, etj., etj... Por paradoksi më i madh është se, edhe këta që i kemi nuk po dimë t'i shfrytëzojmë e t'i respektojmë, madje shkojmë deri aty sa shfaqim edhe xhelozi ndaj tyre!
Një rast i tillë është vënë re edhe në një forum (yahoo-group) , ku disa vëllezër të nderuar hodhën baltë mbi figurën dhe personalitetin e një poeti të mirëfilltë, që na prezanton ne denjësisht në 'botën jo islame' dhe për të cilin kanë respekt të gjitha trevat shqiptare, për vlerat që ai mbart e për potencialin intelektual që disponon... Mirëpo, kjo ndodh me ne!...
Ne sot nuk kemi një institucion që të na përfaqësojë denjësisht, por kemi institucione 'pufkash', ku shpeshherë na skuqet fytyra për ato që punojnë!
Sot muslimanët diskriminohen, përdhunohen psikologjikisht e moralisht, dhe askush nga këta nuk bëzanë!... Jo vetëm kaq, por kanë mësuar edhe masën e gjerë të popullit që të pajtohet me fatin dhe të jenë miratues të mirë në heshtje, ashtu siç e do adeti... Ne vuajmë dhe vazhdojmë të vuajmë!
Edhe kuadrot e rinj që po përgatiten, si teologë apo hoxhallarë, kanë shumë probleme me arsimin, me zhvillimin, me balancimin e fesë dhe rregullave të saj-me jetën 'moderne' që jetojmë sot, për të reflektuar dhe mbajtur qëndrim të mirëfilltë islam ndaj këtij realiteti!.. .
Shumë nga këta, pasi kryejnë fakultetin e teologjisë islame, fillojnë e bëjnë kasaphanë: 'S'bën kjo e s'bën ajo; Xhehenem këtu, Xhehenem aty!...' I frikësojnë njerëzit, në vend që t'i zbusin me butësi e mirësi; nuk bëjnë 'thirrjen' si detyrë e secilit, por 'frikësimin me zjarr', si detyrë e askujt...
E gjithë kjo ndodh sepse mungon edukimi i plotë, njohuritë edhe në shkencat e tjera, edhe në gjuhë të huaj, etj.; kështu që ata mbesin të mangët dhe janë të paaftë për t'u përballur me realitetin dhe për ta sfiduar atë!
Nga ana tjetër kemi muslimanë të cilët janë të aftë në fusha të ndryshme, mirëpo nuk kanë asgjë të përbashkët me Islamin, përveç emrit të tyre.... Këta njerëz në vend që ta ndihmojnë Islamin, e dëmtojnë atë me bëmat e tyre..., sepse identifikohen, gjoja si muslimanë! Pra mungon 'e mesmja', ekuilibri mesatar. Njerëz që dinë t'i japin hakun edhe fesë, edhe jetës që jetojmë (!), pa cenuar të drejtën e asnjërës!
Mungon bashkëpunimi i plotë dhe i arsyeshëm i të gjitha dikastereve, në mënyrë që të kemi progres në çdo gjë. Njerëzit nuk mund të qëndrojnë sot të lidhur me xhaminë, vetëm me namazin. Pra, nuk duhet të jetë namazi i vetmi, i cili mban besimtarët e lidhur me xhaminë..., por duhet të jenë edhe një sërë gjërash të tjera, si: Ligjërata të ndryshme (të shkurtra, por të shpeshta), aktivitete të ndryshme me xhematin (besimtarët), biseda në grup, etj. Këto sot nuk qëndrojnë në masë të gjerë, sot ka shumë 'varfëri' në xhamitë tona. Kjo 'varfëri' e tepruar, sjell ftohjen e besimtarëve (sidomos e të rinjve), sjell dobësimin dhe degradimin e imanit të tyre; si rrjedhojë e kësaj, në fund vjen edhe largimi nga xhamia dhe dalja në rrugë!...
Duhet të kemi të qartë se, nëse këtyre të rinjve nuk ua zëmë kohën me aktivitete të hajrit dhe të dobishme, nëse këta nuk i mbajmë afër, qarqe të ndryshme janë gati t'ua zënë kohën dhe t'i gllabërojnë nëpërmjet ofertës së tyre për dëfrim, por që realisht është ofertë për degjenerim.. .
Duam-s'duam ne, kjo gjendje është prezente ne mesin tonë, më qëlloi një natë Ramazani të kaloj pranë një bilardoje, brenda së cilës shikova një djalosh i cili para pak muajsh kishte qenë në xhami edhe më i devotshëm se vetë hoxha!... Ezani po thirrej dhe ai, as që donte t'ia dinte për të..., mjekrën që dikur e kishte pasur në fytyrë si ibadet, tashmë e kishte zëvendësuar me flokët e gjata, të kapura bishtalec sipas modës!
Në këtë kontekst, sa e sa djem dhe vajza të rinj kanë qenë te devotshëm e të përkushtuar në xhami e jashtë saj me jetën islame, mirëpo tani ata janë rrugëve dhe s'iu bie më ndër mend se ekziston xhamia...
Rrëshqitja dhe devijimi, nuk është krejtësisht si pasojë e tyre (!), por është edhe si pasojë e të ndenjurit larg dhe mos krijimit të një ambienti tërheqës, brenda në xhami. Devijimi i tyre është si pasojë e mbingarkimit me obligime fetare që ato i kanë vënë vetes. Rrëshqitja e tyre ka ardhur edhe si pasojë e injorancës së tyre, kësisoj ata tashmë e kanë gjetur argëtimin në dyert e diskove, bilardove, klubeve të natës, euro-lotove, etj., etj.; mirëpo a nuk është turp një gjë e tillë?! A nuk është turp që këta njerëz, ti si prijës fetar, i kishe në dorë e ndërsa sot janë në dorën e horrllëkut?.. .
Xhamitë dhe prijësit fetarë duhet të kenë një strategji të mirëfilltë dhe shumë teknike, në mënyrë që të jenë tërësisht në shërbim të xhematit me çdo gjë që i nevojitet atij dhe ta mbajë të lidhur atë me shtëpinë e Zotit!...
Koha që jetojmë sot e kërkon një gjë të tillë, askush s'duhet të ketë kurajën e të thotë se namazet dhe një ligjëratë në javë (nëse bëhet ndonjëherë, sepse kryesisht janë në përgjumje) janë të mjaftueshme. .. S'po hyjmë pastaj tek tematikat e ligjëratave që trajtohen, ato janë një kapitull e problem më vete; sot të rinjve muslimanë i janë paraqitur kurthe dhe sfida të rrezikshme në çdo hap që hedhin dhe është vënë në rrezik të qenurit musliman, ndërsa ligjëratat mbahen për 'marrjen e avdesit mbi meste', kur bën e kur s'bën, sa ditë të mbahen mestet veshur e të tjera si këto...
Në xhamia të ndryshme të fshatrave, shpesh herë ndodh që të mos falet namazi i xhumasë, sepse nuk ka se kush të prijë në namaz e të mbajë hutben... Në një kohë kur, në një xhami të qytetit, apo kudo tjetër, mblidhen sëbashku për t'u falur si xhemat 4-5 hoxhallarë. Xhamitë mbyllen se s'ka kush t'i drejtojë si imam..., por edhe ato imamë që janë, e mbajnë xhaminë me një rrogë mujore prej 80 eurosh, apo me 100 mijë lekë të vjetra, mirëpo a mbahet familja me këtë shumë parash?!
Pra problemi ynë është vetvetja jonë! Sepse ne nuk dimë të ekzistojmë, të punojmë me strategji. Ne edhe ato mundësi që i kemi, edhe ato i prishim kot së koti... Në vend që të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, ne ndahemi në emër të 'bidatcizmit' , 'hanefizmit' dhe 'selefizmit' !...
Më bëri përshtypje një deklaratë që u bë nga disa hoxhallarë shqiptarë (rreth 62 vetë), e cila u përhap në forma të ndryshme, yahoo-grupe, website dhe emailie, në të cilën hoxhallarët tanë zotoheshin që: 'Të mos bashkëpunonin me shiitët, në as edhe një mënyrë!'
Ndoshta me të drejtë pyes: Problemi i muslimanëve shqiptarë sot janë shiitët e Iranit dhe ato 10-20 shiitë që janë në Shqipëri, që në fund të fundit thonë 'Zoti ynë është All-llahu'; apo problemi i muslimanëve shqiptarë sot janë ata që përpiqen natë e ditë ta shkatërrojnë Islamin, që thonë se 'Zoti ynë s'është All-llahu', por është 'X-si' dhe 'Y-i'. A janë sot problem 10 shiitë, apo ato organe që po ndalojnë nënat, gratë dhe motrat tona të mbajnë mbulesë në universitete, institucione shtetërore, etj? A janë problem 10 shiitë, apo janë problem për ne ato që po gllabërojnë (si pasojë e heshtjes dhe e injorancës sonë) pronat e vakëfit islam, të cilat i lanë me gjak paraardhësit tanë...? A janë problem 10 shiitë, apo të tjerët që po mbushin sheshet publike me buste dhe emërtime të njerëzve 'publikë' (por që realisht janë të pompuar) që janë përfaqësues të tyre dhe të përkatësisë
së tyre fetare; kush është problem?!... A s'janë problem ato që po përpiqen të na kthejnë në të pa fé, apo janë problem 10 shiitë që në fund thonë: 'Unë jam musliman!'.
Pra problemi është tek ne, tek vetvetja jonë, tek unë dhe tek ti! Sepse unë dhe ti, nuk jemi në rregull, sepse unë dhe ti nuk kthjellohemi, por vazhdojmë me atë idiotësinë tonë të hedhim baltë dhe të poshtërojmë vetveten...
Njerëz të ndryshëm me misionet 'impossibile' që kanë mbi shpinë, gjoja të ruajnë Islamin, po i bëjnë dëm atij! Në vend që të punojnë me strategji dhe urtësi për mbrojtjen e muslimanëve, të interesave të tyre dhe për lartësimin e dinit të pastër islam, përballë fëlliqësirave që po përpiqen ta poshtërojnë e ta përdhosin, ata njerëz të mirë po dëmtojnë muslimanët dhe vetveten...
Të gjithë këto, të gjithë intelektualët muslimanë, të gjithë hoxhallarët, sikur të bashkoheshin në formimin dhe hartimin e një reviste, gazete, apo organi shtypi të mirëfilltë, do të ishte mjaft mirë; sepse ne sot vuajmë mungesën e një organi të tillë që shpërndahet në të gjitha trevat shqiptare, e që të krenohemi me të, për cilësinë dhe për mesazhin që ajo përçon...
Sot nuk kemi një organ shtypi të mirëfilltë, kemi shumë gazeta dhe revista me mijëra probleme drejtshkrimi, me shkrime dhe dizajn krejtësisht amator, e kjo ndodh sepse mungon organizimi, preokupimi dhe iniciativa për ta bërë një gjë të tillë, sepse muslimanët duan të merren me njëri-tjetrin dhe me shiitët si problem, sepse institucionet që janë përgjegjëse për këtë, duan të merren me pallavra e jo me punë serioze...
Vazhdojmë të jemi në fazë tranzicioni dhe amatorllëku.. . Në shumë adresa të ndryshme në internet, në website të ndryshme, etj., shohim shumë 'shkrimtarë' dhe 'publicistë' të rinj muslimanë që shkruajnë për islamin, me dhjetëra shkrime të botuara çdo javë, por që realisht janë prodhim nga fizkultura e tastierës së kompjuterit e jo nga truri, talenti, përvoja dhe intuita...
Botimi i këtyre shkrimeve dhe mungesa e një organi të mirëfilltë që t'i redaktojë këto e më pas t'i botojë, përbën problem. Shkrimet botohen në faqe të ndryshme të internetit, ku pas pak vitesh ndoshta këto faqe s'do të ekzistojnë më, nga një problem i mundshëm elektronik (ndërsa bibliotekat ekzistojnë sa të jetë jeta, nëse do Zoti, sepse janë krijuar për një qëllim të tillë), kësisoj edhe këto shkrime të ndryshme do të treten dhe të humbasin si shkuma e detit...
Pra, ne sot kemi shumë probleme, kemi shumë sfida të reja dhe të vjetra me të cilat përballemi çdo ditë, e të gjitha këto vijnë si pasojë e mosfunksionimit mirëfilltazi të bashkësive islame në trojet islame, si pasojë e kontradiktës që ne në mënyrë të vazhdueshme kemi me veten, si pasojë e dobësimit të imanit tonë dhe si pasojë e injorancës intelektuale që disponojmë...

Si mund të dilet nga kjo gjendje?

Nga kjo gjendje mund të dilet duke besuar në aftësitë tona, duke mos u pajtuar me realitetin e hidhur, por duke tentuar që ta ndryshojmë atë me punë dhe përpjekje, me aq sa kemi mundësi, por e rëndësishme është që të mos pajtohemi me 'të hidhurën'!
Nga kjo situatë mund të dalim atëherë kur ta kuptojmë tamam islamin si fe, kulturë dhe qytetërim. Kur fati i muslimanëve të jetë fati ynë, kur problemet dhe hallet e tyre të shndërrohen në problemet dhe hallet tona, thënë ndryshe, të jetojmë me to...
Duke u arsimuar mirë, lexuar shumë dhe punuar për t'u ngritur në aspektin intelektual, atëherë kemi investuar për mirë dhe, është një ogur i mirë për të ndryshuar realitetin e gjendjen tonë në të cilën jemi kanosur.
Të paturit e idealeve, objektivave dhe qëllimeve të larta, për të arritur nesër më shumë se sot, do të thotë se ti je në rrugë të mbarë dhe shumë shpejt e ardhmja do të jetë e ytja si musliman i mirë...
Ne muslimanët e kohës së sotme jemi si puna e një shitësi, i cili shet diamante buzë rrugës, mirëpo këto diamante bëhen me pluhur, ndoten... Ai (shitësi) as nuk i pastron, as nuk i bën një vitrinë. Kështu që këto diamante nuk kanë vlerë, po përse?! Sepse shitësi nuk ia di vlerën diamanteve!. .. Kështu është edhe shembulli ynë me diamantet që disponojmë, nuk ia dimë vlerën dhe nuk dimë t'i shfrytëzojmë.. .
Përfundimisht nga kjo situatë mund të dilet duke i thënë njëri-tjetrit: 'Ti je vëllai im dhe unë jam vëllai yt' dhe, duke iu rikthyer traditës profetike dhe fjalës së All-llahut të Madhëruar, sepse All-llahu i Plotfuqishëm me Kur'anin lartëson dhe poshtëron popuj...
Në një hadith madhështor për Kur'anin, Muhamedi (a.s) thotë:
'Do të ndodhin sprova e bela! Mirëpo, cila është rrugëdalja?
Libri i Zotit... Në të është lajmi i atyre që ishin para jush. Ai e ndan drejt dhe nuk bën shaka...
Kush e lë Kur'anin nga frika e ndonjë tirani, Zoti e këput në mes!
Kush kërkon drejtim diku tjetër, Zoti e humbet! Ai është litari i fortë i Zotit, është fjala e urtë, është rruga e drejtë.
Me të nuk përzihen qejfet, nuk ngatërrohet gjuha, nuk ngopen dijetarët. Ai nuk vjetrohet edhe kur lexohet shumë, nuk i mbarojnë çuditë...
Kush flet me të, thotë të vërtetën.
Kush gjykon me të, gjykon drejtë.
Kush punon me të shpërblehet.
Kush fton tek ai, ka ftuar për në rrugën e drejtë!...'([ 1])
Zoti na e ndriçoftë mendjen, na dhashtë urtësi, dituri e kurajë për të reaguar! Ai e përmirësoftë gjendjen tonë, duke u bërë ne sebep për përmirësim! Amin!

Shkodër, më 25. 09. 2008

Mirsad SYLJA

P.S. Lexues i nderuar!

Në këtë shkrim nuk kisha si qëllim që të ngjalli ndjenja pesimizmi dhe të të demoralizoj ty, por kisha si qëllim ta theksoj problemin, në mënyrë që ndaj tij të merren masa për përmirësim e rregullim! Pesimizmi është vesi më i shëmtuar, ngase ekziston edhe e bardha, edhe e zeza; andaj ky shkrim nuk duhet të shihet si ngjallës i kësaj ndjenje!
Shkrimi është i bazuar mbi 'të përgjithshmen' dhe 'shumicën', nuk është bazuar dhe nuk bën fjalë për një pakicë të vogël e cila mund të bëjë përjashtim. Gjërat, fenomenet, ngjarjet, veprimet, etj., janë shikuar në aspektin e përgjithshëm.
Në shkrim jam tërësisht realist, kjo ka rëndësi për mua; çdokujt i është dhënë përgjigjja që, sipas meje, e meriton... Nuk është qasja ime që të nënçmoj kënd apo të demaskoj personalitetin e kujt, por për hir të realitetit dhe reflektimit mbi këtë realitet, janë përmendur fenomene dhe ngjarje te ndryshme...
___________________
([1]) Transmeton Imam Aliu.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme