Liga Arabe dha sqarime të tjera rreth një plani që ishte ofruar nga Arabia Saudite dhe që ishte adaptuar nga Samiti i Ligës Arabe në vitin 2002 në Bejrut. Që nga ajo kohë Izraeli e ka hedhur poshtë planin, por pasi ai u adaptua sërish nga Samiti i Riadit, Ehud Olmert tha se plani përmban pika pozitive dhe se mund të shërbejë si bazë për bisedime.
Sipas këtij plani, palestinezët do ta njihnin të drejtën për ekzistencë të Izraelit, kurse arabët do të bënin paqe me shtetin e Izraelit. Ndërkaq, Izraeli si shkëmbim do të duhej të eliminonte kolonët dhe bazat izraelite si në Jordanin Perëndimor, ashtu edhe në Lartësitë Golan të Sirisë, duke i kthyer tokat e marra dhe duke u kthyer në kufijtë para luftës së qershorit të vitit 1967. Sipas këtij dokumenti do të njihej formimi i shtetit të Palestinës që do të kishte sovranit të plotë në Rripin Perëndimor dhe në Gazë, me kryeqytet Jerusalemin Lindor. Izraeli kërkon që të ruajë kolonët e tij në Rripin Perëndimor. Plani parasheh zgjidhjen e problemit të afro 4 milionë refugjatëve palestinezë sipas rezolutës 194 të OKB-së, por Izraeli refuzon që atyre t’u njihet e drejta për t'u kthyer në shtëpitë e veta!
Analistët vlerësojnë se Xhorxh Bush ka ndjekur një politikë tejet katastrofale në Lindjen e Mesme. Me përkrahjen e pa rezervë të Izraelit në konfliktin me palestinezët dhe me Hizbullahin dhe pushtimin e Irakut nga ana e saj, SHBA-ja kanë krijuar një imazh tejet negativ në Lindjen e Afërme.
Nga dobësimi i këtij pushteti amerikan më së shumti ka përfituar Irani, që është bërë aktor i pakapërcyeshëm i lojës në Lindjen e Mesme. E gjithë kjo ka bërë që qeveritë arabe, aleate të ngushta të SHBA-së të vihen në pozita të pavolitshme para popujve të tyre.
Me forcimin e Iranit bie në sy fakti se Arabia Saudite po merr gjithnjë e më shumë një rol të rëndësishëm ndërmjetësues në konfliktin e Lindjes së Mesme. Kjo edhe për faktin që të largohet ndikimi iranian në qeverinë palestineze, i cili është njëri nga donatorët më të mëdhenj të saj.
Në lidhje me planin saudit për konfliktin izreaelito-palestin ez që e miratoi Liga Arabe gjatë Samitit të mbajtur në Riad, Izraeli është treguar i hapur për bisedime me shtetet arabe, me gjithë kundërshtitë që ka për propozimet e tyre.
Plani i ofruar vlerësohet se nuk mund të injorohet aq lehtë nga Olmert për disa arsye, prej të cilave do të veçoja faktin se për herë të parë numri i çifutëve që largohen është më i madh se i atyre që shkojnë në Izrael. Vetëm gjatë luftës me Hizbullahin, një e treta e popullatës së Izraelit ishte e detyruar që ta kalonte pjesën më të madhe të kohës në strehimore dhe në bodrume. Po sikur të zhvillohej një luftë ndërmjet arabëve dhe çifutëve ku do të përfundonin ata?!
Shumë çifutë thonë se Izraeli mund ta mposhtë shumë herë botën arabe dhe ajo përsëri nuk do të zhduket, kurse sipas tyre, nëse vetëm një herë bota arabe e mposht Izraelin, ai do të zhdukej nga faqja e dheut njëherë e përgjithmonë. Prandaj kohëve të fundit në mesin e popullsisë izraelite janë shtuar zërat që duan paqe më fqinjët arabë. Dëshmi për këtë është edhe fjalimi që kancelarja Merkel mbajti (gjatë muajit maj 2007) në një universitet çifut në Jerusalem, që ishte ndërprerë shpesh nga duartrokitjet edhe pse ajo veç të tjerash kishte thënë: "Përse të mos bëhet realitet, në një ditë jo aq të largët, vizioni i ekzistencës së dy shteteve përbri njëri-tjetrit, Izraelit dhe Palestinës?”
Kancelarja gjermane gjatë takimit që pati me Olmertin dhe Mahmud Abasin, u mundua t’i japë "një shtysë të re" procesit të paqes në Lindjen e Mesme. Në konferencën e përbashkët për shtyp me zonjën Merkel, kryeministri çifut ndër të tjerash tha:
"Unë ftoj të gjithë liderët e vendeve arabe në një takim, natyrisht edhe mbretin saudit të cilin e konsideroj si një burrështetas shumë të rëndësishëm, që të arrijmë një marrëveshje. Qëllimi i një takimi të tillë do të ishte që të gjithë të prezantojnë idetë e tyre. Kjo është një çështje që ia vlen që të angazhohesh për të".
Nuk kaloi shumë dhe Olmert tha se nuk mendonte për të gjithë liderët arabë, por vetëm për presidentët dhe kryeministrat e moderuar të vendeve arabe. Ai në fillim tha se do t’i ftonte vetë ata liderë në takim, por më pas ndërroi mendje dhe tha se do të merrte pjesë në takim, nëse ai takim do të thirrej dhe do të drejtohej nga mbreti i Arabisë Saudite.
Kjo s’është për t’u habitur sepse dihet se mbreti saudit Abdullah mbetet i varur nga SHBA edhe përkundër distancimeve të tij të kohëpaskohshme që tregon karshi SHBA-së. Një gjë e këtillë ngjau gjatë Samitit të Ligës Arabe në Riad, kur ai foli me një gjuhë të ashpër në lidhje me pushtimin amerikan të Irakut. Pas atij fjalimi qeveria amerikane kërkoi sqarim nga ambasadori saudit në Uashington. Megjithatë, Arabia Saudite për SHBA-në konsiderohet një nga aleatët më të ngushtë dhe më strategjik arab për të.
Në konferencën që do të organizohej nga Arabia Saudite, sipas Olmertit, është e qartë se nuk do të merrte pjesë Libia, Hamasi dhe Siria. Sa i përket Sirisë, Olmert është treguar i gatshëm që të fillojë bisedimet veçmas me të rreth Lartësive të Golanit, por sirianët kërkojnë që çështja e Golanit të mos ndahet nga bisedimet palestinezo- izraelite.
Në një konferencë të mundshme mund të pritet një takim i të ashtuquajturit kuarteti arab për Lindjen e Mesme ku bëjnë pjesë Arabia Saudite, Egjipti, Jordania dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, që konsiderohen shtete të moderuara dhe aleate të SHBA-së. Në atë takim do të mund të merrte pjesë edhe presidenti i palestinezëve Mahmud Abaz. Ky proces që ka mbetur në vend prej kohësh do të mbikëqyrej nga kuarteti i përbërë nga SHBA, Rusia, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë takimit me Olmertin, e cila jo vetëm si kancelare e Gjermanisë por edhe në cilësinë e kryetares së presidencës së Bashkimit Evropian, u shpreh se si e sheh të ardhmen e rajonit: "Unë besoj në vizionin e një zgjidhje me dy shtete: me Izraelin, ekzistenca e të cilit do të garantohej përgjithmonë dhe banorët e tij do të mund të jetonin të lirë dhe pa frikë nga dhuna dhe nga sulmet në fqinjësi, dhe me një shtet palestinez, me kufij të njohur nga të dyja palët".
Gjatë vizitës në Ramallah, në takimin me presidentin palestinez Mahmud Abas, Merkel theksoi se të gjithë pjesëtarët e qeverisë palestineze duhet të përmbushin kërkesat e kuartetit për Lindjen e Mesme, pra njohjen e Izraelit dhe heqjen dorë nga dhuna. Hamasi është treguar i gatshëm që të lidhë armëpushim me Izraelin, por ka refuzuar çfarëdo mundësie për ta njohur një herë e përgjithmonë Izraelin.
Shtetet arabe shpresojnë të marrin më shumë mbështetje nga SHBA dhe BE për këtë, por për shkak të zgjedhjeve presidenciale në Amerikë vlerësohet se bisedimet me siguri do të mund të zhvilloheshin pas presidencës së Bushit.
Shënim:
Ky shkrim është shkruar në muajin maj 2007, por vazhdon të jetë aktual.
Të enjten më datë 20 nëntor 2008 islamonline bën me dije se Autoriteti Palestinez ka botuar tekstin e Ofertës Arabe që njihet si Oferta e Riadit në disa gazeta izraelite, evropiane dhe amerikane me qëllim që të ketë ndikim tek masat e gjëra izraelite, amerikane dhe evropiane.