OFENSIVA ANEKSIONISTE E SERBISË “EUROPIANE”

Rreziku i ndarjes së pjesës veriore të Kosovës, shtatë muaj pas shpalljes së pavarësisë dhe pranimit të kësaj pavarësie nga dyzetegjashtë shtete të botës, në vend se të zvogëlohej, ka ardhur duke u rritur. Tërë procesin dezintegrues, që filloi me shkatërrimin e pikave doganore në veri, me pushtimin e gjykatave në Mitrovicë dhe me mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe e me konstituimin e pushteteve paralele në komunat e Kosovës, e sublimoi në mënyrë elokuenti presidenti serb, Boris Tadiqi, në aktivitetet e tij në Njy Jork. Gjendjen e fituar me dhunë në terren, atë të ndarjes faktike të Kosovës, ai e shprehu realisht kur deklaroi se “të gjitha opcionet janë legjitime dhe më të mira se ajo sipas të cilës njëra palë i fiton të gjitha, ndërsa pala tjetër i humb të gjitha.” Edhe pse logjika e tij në këtë kontekst është ajo e ndarjes së presë, e jo e mbrojtjes së “legalitetit dhe parimeve të së drejtës ndërkombëtare”, prapë se prapë, ajo logjikë ka filluar të funksionojë. E bashkuar me projekt-rezolutën serbe, e cila kërkon nga Gjykata e Drejtësisë që të deklarohet lidhur me legalitetin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, që është futur në rendin e ditës së Asamblesë së Përgjithshme, ideja e ndarjes së Kosovës, ka rrezik që të bëhet pjesë e pazareve lidhur me veriun e vendit. Në një variant të mundshëm, Serbisë mund t’i ofrohet që të jetë “partner qeverisës” sikundër po kërkon presidenti serb, si kundërvlerë e tërheqjes ose e dështimit të projekt-rezolutës. Ky rrezik bëhete dhe më I madh kur dihets e komuniteti ndërkombëtar e veçmas Bashkimi Europian, është jashtëzakonisht i kompleksuar në raport me Serbinë. Serbisë i afrohen lloj lloj aranzhmanesh integruese, edhe pse ajo nuk e ka realizuar qoftë dhe një kusht minimal, sikundër është dorëzimi i Ratko Mlladiqit dhe i Goran Haxhiqit në Tribunalin e Hagës. Edhe pse Serbia e kundërshton me arrogancë të paparë vendosjen e EULEX-it në Kosovë, Bashkimi Europian sillet me inferioritet ndaj kësaj arrogance poshtëruese të qeverisë së Beogradit. Me një kësi inferioriteti në raport me Serbinë, nuk është jashtë mundësive teorike që Bashkimi Europian të jetë i gatshëm të merr në konsiderim edhe kërkesat e reja të Serbisë, sikundër është ajo që Serbia të jetë “partner qeverisës” në Kosovë, së paku deri sa të zgjidhet kontesti në Gjykatën e Drejtësisë. Vizita e zëvendëskryemistrit të Serbisë, Bozhidar Gjeliqit dhe e ministrit Goran Bogdanoviqit në Graçanicë dhe në Mitrovicë, ku e vazhduan fushatën e shpjegimit të “planit për integrimin e Serbisë në Baskimin Europian”, është breda atij “partneriteti qeverisës” në Kosovë. Ministrat e Serbisë vijnë e bëjnë fushata në Kosovë njësoj sikundër i bëjnë ato në Aranxhelovc ose në Qupri, dhe askush nuk ua prishë terezinë. Për ta kuptuar se sa thellë janë futur ata në qeverisjen e Kosovës, mund të bëjmë një paralele: a është e mundur që ministrat e qeverisë së Kosoëvs të shkojnë në Preshevë e në Bujanoc dhe t’u shpjegojnë shqiptarëve të atjeshëm “planin e integrimit të Kosoëvs në Bashkimin Europian”? Deri sot kjo gjë nuk është provuar. Por, Serbia e ka një rrethanë të favorshme edhe për faktin se disa shtete të Bashkimit Europian, veçmas Qiproja, Spanja, Sllovakia, Rumania, (dhe presidenti i Polonisë), janë të zëshëm kundër pavarësisë së Kosovës, së paku po aq sa edhe Bjellorusia e Llukashenkos, Libia e Gadafait e Venezuelea e Çavezit. Presioni i tyre ndaj pavarësisë së Kosovës, përditë e më shumë po e inkurajon arrogancën e qeverisë së Beogradit. Prandaj, me një Bashkim Europian inferior ndaj Serbisë e të përçarë në vetvete, rreziku për realizimin e pretendimeve aneksioniste serbe është real.
Nga ana tjetër, me një Bashkim Europian të këtillë, inferior, jounik e të pavendosur, edhe nëse vendoset EULEXI në tërë territorin e vendit, nuk ka gjasa të ketë efektivitet në integrimin e serbëve. Në esencë, EULEXI është i dizajnuar që të jetë një mbikëqyrës mbi politikat e qeverisë së Prishtinës, e jo që të ndihmojë rikthimin e sovranitetit dhe të integritetit territorial të Kosovës. Pra, edhe me kushtin që EULEXI të jetë plotësisht efikas në terren, ai nuk ka as mandat e as kapacitete që të pengojë pretendimet aneksioniste të Serbisë. Këtë mandate, në fakt, nuk e ka askush. Madje as KFOR nuk është i mandatuar që të ndikojë ndaj politikave dezintegruese serbe, me kusht që ato të jenë “paqësore’. Mbajtja e zgjedhjeve lokale serbe dhe konstituimi e funksionalizimi i “kuvendeve komunale’ç ëshë provë e qartë se edhe KFOR-i rri mënjanë në këso procesesh politike të realizuara me “mjete paqësore’.
Rrjedhimisht, barra kryesore e përpjekeve për riintegrimin e pjesës veriore të Kosovës, duhet të bjerë mbi vetë qeverinë e Prishtinës. Këtë fjalë qeveritarët e Prishtinës, nuk kanë dëshirë ta dëgjojnë, por ky është realiteti kokëfortë. Deklaratat se po harmonizohen politikat me “miqtë tanë”, janë dëgjuar tash tetë muaj, pas pavarësimit të vendit, por, rezultate nuk ka pasur. “Miqtë tanë” pa dyshim që nuk janë pa përpjekje, por ato janë të kalkuluara nga mungesa e vullnetit për t’i shkuar punës deri në fund, (Bashkimi Europian) po edhe nga mungesa e mundësive për të ndikuar më shumë mbi Beogradin dhe miqtë e Beogradit, (SHBA). Është evidente se as SHBA nuk kanë kapacitete e mundësi që t’ia ndërrojnë mendjen Rusisë lidhur me Kosovën. Deri tash, SHBA nuk ka pasur fuqi që t’ia ndërrojë mendjen madje as Malit të Zi e Maqedonisë, e lëre më Qipros. Pra, ata që e kujtojnë SHBA-në si supermen, kanë pasur në këta tetë muaj rastin të binden se edhe ajo i ka fuqitë të limituara dhe se ndikimi i saj te disa shtete nuk ecën fare.
Por, në disa raste, nuk është e qartë as vendosmëria e SHBA për ta ingegruar Kosovën në proceset rajonale. Fjala vjen, tash është lancuar nga Uashingtoni zyrtar ideja që të ftohen në Kartën e Adriatikut Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi, por nuk është përmendur Kosova. Sigurisht, kjo shmangie e Kosovës bëhet për të mos e irituar pjesën serbe në BeH dhe në Mal të Zi. Por, qëndrimi është joparimor, meqë Kosova tash është shtet i pavarur e sovran dhe fati i saj integrues nuk do të duhej të varej nga humori i keq i fqinjve.
Sille nga ta sillësh, është e qartë se pjesën e punës që duhet ta bëjë qeveria dhe populli i Kosovës, u takon vetëm atyre. Atëherë çfarë mund të bëjë qeveria dhe populli i Kosovës, për të parandaluar ndarjen fatkeqe të vendit? E para, qeveria dhe populli i Kosovës do të duhej të jenë tërësisht të angazhuar për kthimin e serbëve të zhvendosur në shtëpitë e veta, duke eliminuar pasojat e uzurpimti të pronave të tyre. Fatura e uzurpimit të pronave dhe e pengimit të lirisë së lëvizjes në vitet e kaluara, tash ka rrezik që t’i faturohet tërë vendit, me arsyetimin e kërkesave për ndarje. Prandaj, për ta penguar këtë skenar, duhet të bëhet shumë më tepër në këtë aspekt.
E dyta, integrimi i institucioneve arsimore, kulturore të serbëve do të duhej të jetë në krye të prioriteteve të qeverisë dhe të pushteteve komunale. KY integrim mund të bëhet edhe me veprime simbolike. Fjala vjen, pse të mos ftohen për të dhënë një shfaqje ose për ta hapur një ekspozitë në Prishtinë, artistët serbë që veprojnë në pjesën veriore të Kosovës? Nga ofertat e këtilla do të kishte vetëm favore psikologjie e politike, edhe nëse ato refuzohen në fillim. Në këtë kontekst, do të duhej të promovohej një lëvizje kulturore integruese në Kosovë, e cila do të gjallëronte edhe artin dhe kulturën shqiptare e të komuniteteve të tjera. Arti mund të thyejë barrierat psikologjike në mes komuniteteve dhe në fakt mund të jetë prijatar në procesin e komunikimit në realitetet e reja. Ndoshta edhe një javë e filmit, nga trashëgimia e dikurshme e përbashkët, në ish shtetin shumetnik, mund të ofrohet si projekt i përbashkët, paralelisht në të dyja anët e MItrovicës së ndarë.
E treta, duhet të gjenden rrugë alternative të qarkulimit në të dyja anët e Mitrovicës e të minimizohet Ura e Ibrit, e cila është bërë simbol i ndarjes dhe e tillë do të mbetet edhe për një kohë të gjatë. Koncentrimi i qarkullimit dhe i komunikimit vetëm në atë urës dhe përmes asaj ure, e ka legjitimuar psikologjikisht ndarjen. Thjesht ajo do të duhej të konservohej e të zëvendësohej me pika të tjera të qarkulimit.
Në kontekstin e letargjisë politike kosovare, idetë e këtilla mund të duken edhe naïve, Por nga dikund duhet të fillohet. Rasti i Gjeorgjisë dëshmoi se nëse synohet riintegrimi me dhunë, gjendja bëhet edhe më keq se sa që është. Prandaj, duhet të kërkohen zgjidhje të buta, qoftë dhe me projekte e iniciativa kulturore.
Por, në kushtet e radikalizimit të qëndrimit të Qeverisë së Beogradit ndaj Kosovës, edhe si rezultat i letargjisë ettëmujore të qeverisë së Kosoëvs, vërtet është e zorshme të bëhet diçka racionale, sepse ky radikalizim i qëndrimit serb, veçmas ai që ka të bëjë me opcionin e ndarjes së Kosovës, ka një lidhje të tërthortë edhe me zhvillimet m Gjeorgji. Serbia në këtë rast llogaritë që të realizojë një skenar aneksimi, të ngjashëm me atë të Rusisë, por të realizuar me “mjete paqësore.”, e me “mjete juridike” e jo me tanke. Minimumi është se nëse projekt-rezoluta serbe miratohet në Asamblenë e Përgjithshme, atëherë do të legalizohet “partneriteti qeverisës” i Serbisë, së paku deri sa të jipet verdikti nga Gjykata. E kjo do të thotë se verdikti i Gjykatës do të mund të përmbajë termat e gjendjes faktike në terren, ku të “dyja palët kanë përdorur mjete jolegale”. Dhe ky do të ishte në të vërtetë vendimi për ndarjen definitive të Kosovës me “mjete juridike”, që aq për zemër i ka kohët e fundit presidenti i Serbisë. I plotësuar nga integrimi i parakohshëm dhe i pakushtëzuar i Serbisë në Bashkimin Europian, e me një Kosovë të izoluar e të varfëruar, pretendimi i serbëve të Kosovës që t’i bashkangjiten Serbisë “europiane’, do të dukej edhe më legjitim. Dhe Bashkimi Europian i kompleksuar në raport me Serbinë, “europianizimin” e saj duket të jetë i gatshëm ta paguajë jo vetëm me paratë e taksapaguesve europianë, por edhe me një pjesë të territorit të Kosovës.

26 shtator 2008

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme