Time of the Comet

Në botën e artit shqiptarë ditëve të fundit ndodhi një gjë, që duhej të ishte shumë e bukur: u shfaq premiera e filmit “Time of the Comet”. Për ta shijuar këtë ngjarje artistike shkova në Tetovë që ta shoh filmin, por ngaqë dihet se atje nuk ka kinema, filmi projektohej në Pallatin e Kulturës. Mungesa e një kinemaje në qytetin universitar ishte evidente ngaqë ajo vërehej edhe në sjelljet e vizitorëve tetovarë.
U fikën dritat, filloi projektimi, nisi muzika e filmit dhe momentet e para të linin përshtypje se megjithatë do të jetë një film i mirë. Nga ana teknike, produksioni, postproduksioni, montazhi, fotografia e filmit ishin tejet serioze dhe në nivel të duhur. Gjithashtu edhe kostumografia është për t’u komplimentuar, ndërsa kuadrot e bukura të natyrës që ishin zgjedhur për t’u filmuar ta shtonin shpresën se filmi do të jetë vërtet në nivel dhe kjo i plotësonte kriteret e filmit modern. Në mënyrë të veçantë për t’u dalluar ishte muzika e filmit, e kompiluar nga Nexhat Mujovi-Virusi, muzikë kjo e cila ishte e përshtatur jashtëzakonisht mirë ndaj natyrës së filmit.
Megjithatë, përskaj anës teknike që është shumë me rëndësi dhe që e ndihmon filmin të kompletohet dhe të duket sa më bukur, sa më serioz dhe në nivel sa më të lartë, gjëja më e rëndësishme në çdo film është ngjarja kryesore që ndodh në të. E kjo është detyra kryesore e regjisorit, i cili duhet që një ngjarje, në këtë rast veprën e Ismail Kadaresë “Viti i mbrapshtë”, ta rrëfejë nëpërmjet aktorëve në mënyrë sa më të mirë e më të denjë.
Në këtë aspekt filmi në fjalë është një dështim i madh. Gjëja e vetme që vërehet deri sa e ndiqni filmin dhe ndërkohë mundoheni ta kuptoni ngjarjen dhe porosinë e tij është tendenca e regjisorit që të shfaq një grup personazhesh sa më të këqij, të egër, destrktiv, të mbrapshtë, tradhtarë të kombit etj, etj. Nëse me një fjalë do të kërkohej të vlerësohet ky film, atëherë ai është mjaft TENDENCIOZ. Tendenca në ngjarje është shfaqja e grupit të Kus Babait (interpretuar mjaft mirë nga Çun Lajçi) dhe grupet e ngjashme me të si grup njerëzish që duan kthimin e Sulltanit. Për të arritur te qëllimi, autori, respektivisht regjisori, krijojnë një grup djelmoshash të ri në rolin kryesor, të cilët kinse duan të luftojnë pa pasur asnjë ide pse, ku dhe për kë duhet luftuar.
Tema e identitetit kombëtar të shqiptarëve që ishte njëkohësisht pika e thyerjes së shtizave nëpërmjet shtypit mes Ismail Kadaresë dhe Rexhep Qosjes është pasqyruar mjaft mirë edhe në këtë film. Por, sikur të jetë bërë me porosi. Në fakt është prezantuar vetëm njëra anë e medaljonit, ajo e Ismail Kadaresë i cili pretendon se ne shqiptarët i takojmë civilizimit perëndimorë me gjitha nishanet e tij, duke përfshirë këtu edhe vlerat fetare. Sipas tij, ne shqiptarët kemi qenë të krishterë prej se ekzistojmë si komb, por kanë ardhur osmanlinjtë dhe na kanë konvertuar në myslimanë, andaj tash përsëri duhet t’i kthehemi “fesë së baballarëve tanë”, sikur të ishte ajo punë që mund të rregullohet me ndonjë akt shtetëror juridik. Kadareja e ka shumë të qartë se ajo punë nuk bëhet ashtu, andaj ai, bashkë me pasuesit dhe bashkëmendimtarët e tij të shumtë, si duket e kanë krijuar një strategji tjetër, atë të imponimit të mendimit të tyre nëpër media elektronike dhe të shtypit, në mënyrë sa më masive, deri sa kanë arritur të xhirojnë edhe film me buxhet mjaft të majmë. Në publicitetin e madh që u krijua rreth këtij filmi mund të bindemi që nga momenti i fillimit të xhirimit të kuadrove të para filmike, ngase televizionet me ndikim më të madh në gjithë Ballkanin, e sidomos ato shqiptare, e përcillnin çdo lëvizje të ekipit filmik.
Nëse shikuesi nuk është i njohur me qëndrimin e Ismail Kadaresë dhe të bashkëmendimtarit të tij, regjisorit Fatmir Koçi, në lidhje me identitetin kombëtar shqiptar, nuk mund ta vërejë këtë tendencë të tyre që ata kanë arritur ta hedhin në shiritin filmik, por parashtrohet pyetja se çka mund të vërejë një shikues i cili nuk është i informuar për këtë tendencë?
- Filmi mund të rrëfehet me një fjali jo fort të ngarkuar me ngjarje. Nisen disa djelmosha të luftojnë për princ Vidin, gjatë rrugës takojnë një njeri i cili e dërgon dhunshëm vajzën e vet në manastir. Shestani (në rolin kryesor) dashurohet në Anjezën (vajzën që bëhet murgeshë pa dëshirën e saj). Djelmoshat nuk luftojnë me askënd, por vetëm arrijnë të takohen me princin dhe t’ia shfaqin gatishmërinë e tyre për të luftuar për të. Me t’u kthyer nga shtëpia, Shestani e takon Anjezën dhe në fund filmi mbaron me martesën e tyre.
Sekuencat tjera që duken se nuk kanë funksion në ngjarjen kryesore, janë anësore dhe askund nuk ndërlidhen me temën, përpos me tendencën e lartpërmendur të autorit dhe të regjisorit. P.sh. udhëheqësi i grupit mysliman Kus Baba rrëfehet në film se ka kërkuar nga princ Vidi që, nëse dëshiron të mbetet në Shqipëri dhe të udhëheqë me këtë shtet, duhet t’i nënshtrohet synetimit. Madje kjo gjë bëhet çështje në film, gjë që fare nuk korrespondon me ngjarjen primare, pos që shfaq vullgaritetin dhe joserizitetin e grupeve myslimane që kërkojnë kthimin e sulltanit, ndërsa grupi i tillë prezantohen me njerëz që dëfrehen, dehen, plaçkisin, dhunojnë e udhëheqësi Kus Babai prezantohet si homoseksual.
Ndërkohë grupi i Shestanit takohet edhe me një grup luftëtarësh maqedonas, që në film shfaqen si shumë trima dhe përfaqësues të shtetit të madh të Maqedonisë. Nuk e di prej nga e ka marrë guximin regjisori që, përveç artit, të shtrembërojnë edhe historinë, kur dihet mjaft mirë se cilat kanë qenë rrethanat në vitin 1914 në Maqedoni (viti kur zhvillohet ngjarja në film). Ngase ky grup i “trimave maqedonas” e fyen muzikën tradicionale shqiptare, duke u thënë atyre se ajo muzikë që ata e interpretojnë është muzikë e njëjtë me të muzikën e tyre, vetëm se shqiptarët nuk dinë ta interpretojnë si ata.
Moment tjetër që tërheq vëmendjen është skena kur hoxha i një fshati kërkon të varroset i gjallë për t’u flijuar dhe kërkon nga bashkëfshatarët e tij të krishterë që edhe nga ata dikush të flijohet duke u kryqëzuar, ashtu që ai që do të mbijetojë deri të nesërmen (varësisht a është myslimani ose i krishteri) në atë vend të ndërtohet xhami ose kishë. Kjo skenë gjithashtu nuk ndërlidhet me asgjë në ngjarjen kryesore, përpos me tendencën që myslimanët të tregohen sa më të çmendur.
Pastaj, rastësisht deri sa hoxha në fjalë kërkon nga të krishterët të flijohen, rastësisht aty kalojnë murgeshat, rastësisht Anjeza vendos të kryqëzohet, rastësisht aty kalon edhe Shestani, e shpëton Anjezën, e dërgon në shtëpi dhe martohet me të, kështu që përsëri krejt rastësisht pa ndonjë rrjedhshmëri të ngjarjes mbaron filmi tendencioz i dyshes Kadare-Koçi.
Më kujtohet momenti kur mbaroi projektimi i filmit: nervoza më mbuloi çdo emocion tjetër. Shkova në kinema (lexo: Pallat të kulturës) të konsumoj pak art, e dola nga aty i bombarduar me tendenca dashakeqëse. Aty kishte gjithçka nga pak, por art nuk kishte hiç.
Më erdhi shumë keq për artin që kishte përjetuar një përdhunim aq të vrazhdë dhe për shiritin e harxhuar shtatë milimetrash.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme