
Shkrimi i lartpërmendur i Z. Halil Matoshi, tundi edhe një herë memorien time, në të cilën vlojnë edhe më tutje shkrimet dhe ligjëratat tona që i kemi shkruar dhe mbajtur nëpër Kosovë, vite me radhë, dhe në të cilat vazhdimisht kemi potencuar nevojën e ri-shkrimit të shumë faqeve të historisë sonë, të pastrimit të saj nga stërmadhimit e panevojshme, të tepruara dhe aspak të dobishme për ne. Sikur që konsiderojmë të gabueshme thirrjen e ri-shkrimit të tërësishëm të historisë, të gabueshme konsiderojmë gjithashtu qëndrimin “kryeneç” mbi atë se çdo gjë që është shkruar është e vërtetë.
Në këtë qasje tonën, nuk pretendojmë se i takojmë “familjes” së historianëve. Por unë gjithashtu, me gjithë admirimin e thellë që ushqej ndaj gjithë asaj që është historike, them sot e tërë ditën se edhe ne “jo-historianët” kemi të drejtën tonë të nënvizojmë gabimet jo vetëm të historisë, por edhe të atyre që e shkruajnë ate.
Dikur, në një libër të shejtë pata lexuar se armiqtë e fesë, duke dashur që t’ia marrin fytyrën në “ditën e pazarit” profetit të asaj kohe, iu paskan drejtuar me tri pyetje. Thuhet se ato pyetje, i paskan huazuar nga kundërshtarët e mëhershëm dhe të cilët edhe ata paskan refuzuar profetin e tyre. Pyetja e parë kishte pas qenë rreth asaj se qka në realitet është shpirti, e dyta kush ka qenë Dhulkarnejni dhe e treta kur paska jetuar Bilkiza, mbretëresha e dikurshme e Jemenit!
Analitikët e historisë, më vonë këto tri pyetje i klasifikojnë në dy kategori shkencore; pyetja e parë kishte të bënte me metafizikën, zemrën e religjionit, ndërsa dy të fundit për historinë, trungun e saj. Si rrjedhojë, analitikët e religjionit paskan ardhur në përfundim se edhe feja sikur edhe shumë institucione tjera relevante të shoqërisë, historinë megjithatë e konsiderojnë shkencë shumë të rëndësishme, nëse jo më të rëndësishme se sa vet metafizikën.
Disa shkencëtarë historinë e konsiderojnë jetëpërshkrim të njerëzve dhe popujve të mëdhenjë. Sipas tyre pra, vetëm të mëdhenjtë zënë vend nëpër faqet e historisë. Edhe pse ky koncept në shiqim të parë sado që duket është i vërtetë dhe i pranuar, në realitet ai është po aq edhe i rrezikshëm, sidomos për të “vegjlit”; qofshin ata njerëz apo popuj. I rrezikshëm është pikërisht për ata njerëz dhe për ata popuj të cilët megjithatë pas vete nuk lanë ndonjë gjë për shkak të së cilës do hyjnë në histori. Dhe, “lufta” mes analitikëve të historisë dhe historianëve fillon pikërisht këtu. Historianët, meqë ndjenjë se janë të thirrur të mbushin me diçka faqet e librave, ngase për këtë arsye edhe quhen historian, ata, në mungesë të “të mëdhenjve”, do të detyrohen që vet të krijojnë emra dhe ngjarje dhe me ta të mbushin faqet e historisë.
Historia nuk krijohet, por as shkruhet duke ndejtur këmbëkryq nëpër oda. Ajo nuk shkruhet as duke treguar trimërinë nëpërmes toneve që lëshojnë telat e qiftelijave dhe sharkijave të rapsodëve të popullit. Historia gjithashtu nuk mbrohet me sharje dhe shpifje me pretekstin se janë duke mbrojtur ate. Fletet e historisë janë më të madhërishme atëherë kur, posi ushtari që bartë flamurin mbi supet e tija. Nëse qëndron në vend, flamuri mbyllet, nuk duket i gjallë, por nëse ushtari ec përpara, ai hapet, duket më mirë dhe ashtu gjallëron zemrat e atyre që janë duke e shikuar.
Historia më së miri shkruhet dhe si e tillë do të jetë pishtarë i së ardhmes, nëse historiani, posi bleta punëtore shetitë bibliotekat, jo vetëm të vendit, por edhe të botës, për të parë dhe për të marrë nektarin e së kaluarës që të jetë mjaltë e së tashmes dhe ilaq për ardhmëri. Historianët e Kosovës kanë ende shumë punë për të bërë. Ata duhet ti rreken punës, t’i përvjelin krahët dhe duke hulumtuar dokumentet, të qesin në pahë gjithë ate që është shtrydhur nëpër kohë.
Duke dashur ti qasem problemit të historisë sonë mjaftë të cunguar, i nxitur nga “Shteti i Dështuar” por edhe nga shumë “dështime tjera”, anipse me plot respekt për të gjihë ata që mirren me historinë, them se edhe nëse nuk kam lexuar librin e tanishëm të “historisë së klasës së pestë” për të cilin flet Matoshi, unë kam lexuar shumë libra të tjerë të historisë, të shkruara edhe atëhere kur unë isha nxënës, edhe me vonë kur historinë e lexoja me ëndje dhe nga kërshëria për ta njohur vetveten dhe te tjerët, por edhe tash kur dua të dijë dhe të analizoj shkaqet të cilat ndikojnë në ramjen dhe ngritjen e popujve përgjatë historisë.
Mendoj se kam të drejtë kur them se historia jonë nuk duhet të jetë koleksion i të thënave dhe të bërave, por parasëgjithash duhet të jetë leksion për çka duhet të themi dhe çka duhet të bëjmë edhe në të ardhmen.
Nëse jo direkt, nëse jo në formë të këshillave, atëherë, duke spjeguar dhe analizuar të kaluarën, lexuesve t’u ipet mundësia, t’u përgaditet aftësia që e ardhmja e tyre të jetë më e ndritshme se e kaluara.
Më kujtohet shumë mirë, atëherë, kur librin e historisë e lexonim ngase e kishim edhe lëndë mësimore, kënaqeshim kur neve autori i librit e fill pas tij mësuesi na rrëfenin ndoshta më mirë se në romanet e Zagorjes apo Kapiten Mikut, se ilirët ishin bosët e Ballkanit, ndersa ne jemi stërnipërit e tyre, kemi qenë më të fortit, më të mirët e ndoshta edhe më të menqurit. Na shkruhej se si ne pastaj kemi qenë të pathyeshëm kundër Osmanlinjëve.
Na thuhej edhe ajo se ne kemi qenë ata që ndalëm turrin e ushtrisë serbe për dalje në Korfuz, pastaj ne, me “strategjinë dhe gjenialitetet” tona ushtarake u kemi thyer brinjët italianëve dhe gjermanëve, bile bile ashtu na thonin se ne, Gjermanisë Naziste i kemi shkaktuar dëme dhe humbje me tepër se sa vet Bashkimi Sovjetik në vitin 1943. Aplauzet nëpër klasa të shkollave shumë herë i ngjanin aplauzeve nëpër kinematë e asaj kohe. Sa shume na pëlqente edhe historia e Boro-Ramizit, bile një herë, pikërisht për “bororamizin” pata pyetur edhe gjyshën time, se si është e mundur që nje shqiptar e një shka, megjithatë te jenë vëllezër?! Ndërsa ajo, me mençurinë e një plake shqiptare të urtë më patë thënë se ajo nuk mund të dinte historinë më mirë nga arsimtari i historisë! Nuk janë të padijshëm ata që thonë se ne, rrallë herë kemi shkruar historinë tonë.
Nuk janë të padijshëm, gjithashtu as ata që thonë se edhe nëse kemi shkruar diqka për historinë tonë, ate, humë herë ate e kemi për qejfin e të tjerëve. Sot, është koha ti kthehemi vetvetes, edhe nëse ende jemi “te vegjël”, edhe nëse ende përveq që qajme derte, flasim për derte, kemi ende derte, ne edhe më tutje jemi dert për të tjerët.
Historia, përveq tjerave, ka edhe dimensionin e saj psikologjik. Ajo, në një formë apo tjetrën domosdo ndikon personalitetin e njeriut. Ajo, shumë herë ka aftësinë të orientoj masat në drejtime të caktuara. Nga ky kontest, historianët mund t’i arsyetojmë për “xhirimin e filmave” nëpër faqet e historisë.
Nëse këta “filma” kanë karakterin e sforcimit të patriotizmit tek masat, “gabimi” i tillë disi mund te tejkalohet.
Por, në asnjë rast tjetër nuk mund të pranohen qasjet sipas tekeve të kujdo qofshin ato. Historia, para së gjithash është shkencë, si rrjedhojë historiani duhet të jetë shkenctarë. E shkenca ka ligjet dhe kriteret e veta e posaqërisht ka etikën e vet.
Historianët tanë, nuk kanë të drejtë që historinë ta konsiderojnë pronë vetëm të tyre. Ata me krenari duhet të pranojnë se janë shërbëtorë të saj dhe të popullit, më tepër se kushdo qoftë tjetër. Ata, duhet ti shërbejnë kësaj shkence, të punojnë për te, ndërsa qëllim final ta kenë shërbimin ndaj masave. Historianët, kur flasin dhe kur mbrojnë historinë, në asnjë moment nuk duhet ndjehen të paprekshëm, të pagabuar, ndërsa kritikat ndaj tyre ti marrin personale. Ata, pike së pari duhet të mësojnë nga vet historia, sepse ajo është e gjerë, ka zemër të madhe dhe përfshinë “çka ka në qiej dhe në tokë”.
(Autori është doktor në Filozofi Analitike dhe Master në Logjikë, jeton dhe vepron në Dubai)