Përmes këtyre fjalëve që presidenti amerikan Barack Obama tha gjatë samitit SHBA-BE, në Pragë, ai mbështeti anëtarësimin e Turqisë në BE dhe shprehu vizionin e tij se si duhet të ndërtohen raportet mes botës islame dhe asaj perëndimore. Parisi e Berlini janë shprehur kundër qëndrimit të Obamas rreth Turqisë. Presidenti i Francës Nicolas Sarkozy ka thënë se shtetet e BE-së janë ato që duhet të vendosin se cilat vende duhet të pranohen e cilat jo në BE. Ai është shprehur se gjithnjë ka qenë dhe është kundër hyrjes së Turqisë në BE. Turqia është vend i madh - ka thënë ai - aleat i Evropës dhe SHBA-së, por ajo duhet të mbetet vetëm një partner i privilegjuar. Gjermania dhe Franca i kanë ofruar Turqisë privilegje të caktuara, në këmbim të heqjes dorë nga ana e saj për anëtarësimin në BE, gjë që është refuzuar nga pala turke.
Turqia disa herë ka tërhequr vërejtjen se nëse BE nuk e pranon atë për shkak të të qenit të saj shtet musliman atëherë BE-ja mund të shndërrohej në një klub shtetesh të krishtera, gjë të cilën evropianët e kanë mohuar disa herë dhe që bie ndesh me vetë frymën e BE-së. Ndryshimi fetar mes Turqisë dhe vendeve evropiane nuk duhet të shkojë deri aty sa të bëhet pengesë për anëtarësimin e saj. Sepse edhe pse brenda BE-së ka diversitet fetar, gjuhësor dhe kulturor, ai ia ka dalë të formojë një shoqëri kompakte, sikurse është shprehur më herët ministri i jashtëm i Turqisë, Ali Babaxhan. Prandaj, anëtarësimi i Turqisë në BE nuk do ta rrezikonte Unionin Evropian, përkundrazi do ta begatonte dhe do t'i mundësonte atij që të ishte përfaqësues i vërtetë në arenën ndërkombëtare. Me këtë Turqia do të shndërrohej në një urë lidhëse mes perëndimit dhe botës islame. Refuzimin e anëtarësimit të Turqisë nga disa vendeve evropiane, analistët turkë dhe arabë e interpretojnë si një racizëm kulturor dhe jogaDtishmëri të një pjese të evropianëve për të pasur në gjirin e saj një shtet të madh me popullsi muslimane.
Kjo vlerësohet se do të ishte kundër idealeve të Mustafa Qemajlit, themeluesit të Turqisë moderne, i cili u mundua të formonte një shtet alla evropiançe, që do ta kishte vendin e tij në Evropë. Në anën tjetër, është i madh numri i muslimanëve në botën arabe dhe më gjerë, të cilët kërkojnë që Turqia t'i kthehet botës islame. Nëse Turqia do të hynte në BE do të ishte nga shtetet më të fuqishme të saj, por edhe nëse i kthehet botës islame ajo do të ishte lider i saj!...
Në rastin e parë do të normalizoheshin raportet mes muslimanëve dhe të krishterëve, kësisoj, muslimanët në Evropë do të ndiheshin më komod. Ndërsa në rastin e dytë, Evropa do të shihej si një si bllok i shteteve të krishtera dhe përball saj do të formohej blloku i shteteve muslimane që do të çonte në ndarjen e botës sipas linjave fetare...
Turqia një aleat kyç
Presidenti Barack Obama, pas arritjes së tij të parë në një vend me shumicë muslimane, ka deklaruar në parlamentin e Turqisë se, Shtetet e Bashkuara nuk ka qenë dhe nuk janë në luftë me Islamin dhe se partneriteti i Amerikës me botën islame është i domosdoshëm në luftën kundër terrorizmit: "Shtetet e Bashkuara nuk janë dhe nuk do të jenë kurrë në luftë me fenë islame. Në fakt, partneriteti ynë me botën muslimane është kritik, jo vetëm për t'iu kundërvënë ideologjive që mbjellin dhunë dhe që kundërshtohen nga njerëzit e të gjitha besimeve fetare, por edhe për të shtuar shanset për të gjithë."
Ai, gjithashtu, ka thënë se Amerika dëshiron një angazhim më të gjerë me muslimanët, duke u mbështetur në interesat dhe respektin e përbashkët. Presidenti Obama më herët kishte lavdëruar Turqinë si një aleat kyç dhe si pjesë e rëndësishme e Evropës. Këtë vizion ai e konfirmoi pas arritjes së tij në Turqi, duke bërë thirrje për të ndihmuar në ngritjen e urave mes botës muslimane dhe asaj perëndimore: "Ky është një vend që, siç është thënë shpesh, ndodhet në kryqëzimin mes Lindjes dhe Perëndimit. Është një vend që mbart një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur, por që gjithashtu përfaqëson një përzierje traditash të lashta me një shtet që respekton demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe përpiqet për një ekonomi moderne. Është një anëtar i NATO-s dhe gjithashtu është një vend me shumicë muslimane dhe, si rezultat, ka njohuri për të gjitha sfidat strategjike rajonale me të cilat përballemi!"
Pas takimit me homologun turk, Abdullah Gul, Obama theksoi rëndësinë strategjike të Turqisë, jo vetëm për SHBA-në, por për tërë botën: "Është ky një vend, që shpesh ka shërbyer si urë në rrugët midis Lindjes dhe Perëndimit. Një vend me vlera të jashtëzakonshme kulturore. Një vend, që përfaqëson traditë të shkëlqyeshme të shtetit modern, që respekton demokracinë, sundimin e ligjit dhe që synon përparimin modern ekonomik."
Në ditën e dytë dhe të fundit të vizitës së tij në Turqi, gjatë një fjalimi përpara studentëve në Stamboll, Obama ka deklaruar angazhimin e tij për një kapitull të ri në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe botës muslimane. Ai ka thënë se zgjedhja e tij e ka rritur besimin e amerikanëve, se ndryshimet janë të mundshme dhe se kjo është një mundësi e re për të përmirësuar imazhin e SHBA-së në botë. "Mendoj se njerëzit, ka thënë ai, u nxitën të zgjidhnin dikë si unë, që ka jetuar një pjesë të kohës përtej oqeanit, që ka muslimanë në familjen e tij, pasi besojnë se mund të ndërtoj ura me pjesët e tjera të botës."
Obama është takuar me liderë fetarë dhe bashkë me kryeministrin turk, Rexhep Taip Erdogan, kanë vizituar Xhaminë Aja Sofia dhe Xhaminë e Kaltër. Në Xhaminë e Kaltër myftiu i Stambollit, duke i folur për xhaminë, i kishte treguar emrat e katër halifëve që janë të shkruar në muret e saj. Kur i kishte përmendur emrin e hazreti Husejnit, nipit të Muhammedit a.s., ai kishte buzëqeshur...
Imazhi i Amerikës është dëmtuar në sytë e muslimanëve për shkak të politikës agresive të neo-konservatorëve ndaj Irakut dhe Afganistanit. Ndërrimi i politikës amerikane ndaj botës islame, përveç fjalëve, ka nevojë edhe për vepra konkrete. Një tregues i fuqishëm në këtë drejtim do të ishte që SHBA-ja të tregohet e vendosur, sikurse shpreson bota islame, dhe të bëjë presion mbi Izraelin që ta pranojë shtetin e Palestinës në kufijtë para luftës së vitit 1967.