
Ka kohë që nëpër qarqe të ndryshme të shoqërisë sonë, duke filluar nga ato politike, shkencore e deri te qytetari i rëndomtë, po diskutohet çështja e inkuadrimit ose jo e mësimit të fesë në sistemin tonë arsimor. Dilemat lidhur me këtë çështje shtrihen nga ato pastër shekullaristelaiciste, të cilat janë kategorikisht kundër mësimit të fesë sepse ajo edhe më shumë do ta zgjeruaka kanalin e ndarjes etnike dhe fetare, do ta politizuaka e keqpërdoruaka të drejtën e përkatësisë fetare, do ta indoktrinuaka pjesën më vitale të shoqërisë , e deri te ato religjiocentrike apo pragmatiko-funksionaliste të cilat e mbrojnë idenë se asnjë shoqëri nuk mund të ekzistojë pa rini të shëndoshë, kurse rruga drejt krijimit të individëve të shëndoshë ndër të tjera kalon edhe përmes njoftimit të njerëzve me vlerat shpirtërore, transcendentale, d.m.th. me paradigmat fetare.
Në këtë artikull do të mundohemi të japim një shikim tonin lidhur me këtë problematikë me qëllim që të kontribuojmë në gjetjen e zgjidhjes më pragmatike për shoqërinë tonë.
Krizologjia globale dhe kthimi i homo religiosus-it
Një numër i madh i teoricienëve të njohur botërorë flasin për krizën në të cilën gjendet njerëzimi sot, për fazën e shoqërisë së dehumanizuar, për kohën kur kemi gjithçka ndërkohë që e kërkojmë njeriun, kur po jetojmë një krizë aksiologjike dhe ekzistenciale, kur tipologjia e njeriut është ajo e anonimusit në metropolet apo megalopoliset, flasin për anominë si një sëmundje ngjitëse etj.
Problemet me të cilat jetonte njeriu i shoqërisë tradicionale nuk ishin të karakterit të fshatit global, të high tech society, të periudhës së mbisundimit të kapitalit e të teknologjisë. Njeriu i së sotmes ndodhet në një situatë shumë të mjerë, ka gjithçka mirëpo nuk e ka atë që do t’ia jape kënaqësinë e vërtetë, thënë sipas diskursit të Erich Frommit “ai ka mirëpo nuk është, nuk
ekziston”. Humanizmi, renesanca dhe pozitivizmi shkencor premtuan përparim material dhe ai është arritur, mirëpo marrë në përgjithësi parashtrohet pyetja nëse njeriu jeton në një botë më të qytetëruar, në një fazë më pozitive apo në epokën e tragjedive, në epokën e dehierarkizimit të vlerave, në epokën e skajshmërive e të leviathanit? Për të jetuar si qenie njeriu ka nevojë për ushqim, jo vetëm material porse edhe shpirtëror. Nëse pa bukë e kripë vdes trupi, pa vlera shpirtërore e metafizike vdes shpirti, kurse pa shpirt trupi është një nihil (hiç). Njeriu nuk është vetëm qenie materiale, porse edhe shpirtërore, ai ka nevojë të jetë në afërsi me zërin e celestiales e jo vetëm të terestriales.
Njeriu i nënqiellit tonë, madje edhe një pjesë e madhe e botës, më shumë se pesë dekada jetoi me mitin e shpëtimit materialist, me mitin e shoqërisë utopike kur njeriu vërtet do të jetë katarzuar nga prangat e eksploatimit, kur do ta përjetojë vetërealizimin, kur do të jetë mbi gjithçka, i lirë, i pasur, zot i fatit të vet. Fundi i mileniumit të kaluar shënoi edhe fundin e një epoke të errët, fundin e një sistemi që qëndronte në këmbë të qelqta, i cili ishte realist vetëm për nga ajo që po e përjetonim e jo edhe për nga paradigma që e shtynte atë. Fundi i viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar dhe fillimi i shek. XXI shënojnë një epokë të re të njerëzimit në përgjithësi e të shoqërisë sonë në veçanti, epokë e tranzicionit (jo vetëm socio-ekonomik), epokë e kthimit të njeriut kah “molla e ndaluar”, kah feja e shpirtërorja, epokë e kthimit në skenë të së shenjtës. Studime të ndryshme sociologjike të realizuara në të katër anët e botës tregojnë se pas një periudhe të gjatë të ndarjes e veçimit të njeriut pason një saeculum acquarius (shekull i shpirtërores), një shekull i Vox Dei-t, kur njerëzit fillojnë ta ndërtojnë identitetin e tyre edhe në bazë të vlerave fetare. Izmat dhe ideologjitë e shekullit të kaluar, modernizmi me perspektivën e tij antinome nuk arritën ta kënaqin antroposin ndaj dhe ai është në kërkim të së vërtetës, të cilën e gjen te vlerat shpirtërore. Kjo mund të vërehet edhe nga interesimi i madh ndaj disiplinave shpirtërore të Lindjes për vetëkontroll si joga, hinduizmi, budizmi etj., faltoret dhe ithtarët e të cilave për çdo ditë sa vijnë e shtohen sidomos në botën perëndimore . Revivalizmi fetar vërehet edhe te fetë e mëdha botërore, si në Islam dhe Krishterim. Në lutjen e së premtes së parë të muslimanëve në shtetin formalisht të vetëm ateist, pra në Shqipëri morën pjesë disa dhjetëra mijë besimtarë. Papa u prit me plot gjallëri në Kubë në vitin 1998 edhe atë nga ana e liderit “legjendar” Kastro. Këto janë vetëm disa sekuenca nga kthimi i çuditshëm por real i fesë, një trend që e vërteton thënien se njeriu është “pashërueshëm fetar”, se përparimi shkencor nuk mund ta zhdukë fenë. Lidhur me këtë sociologu i njohur Shushnjiq do të thotë se “shkenca mund ta zhdukë fenë po aq sa abrogimi i pronës private mund ta zhdukë egoizmin e njeriut” . Si një reflektim i këtij revivalizmi fetar është edhe çështja e mësimit të fesë, e edukimit të gjeneratave me të gjitha segmentet e jetës shoqërore, ndër të tjera edhe me kulturën fetare, me këtë vizion dhe kod të njerëzores i cili do t'i kishte pasuruar kurikulumet me një përmbajtje të re që e kemi në jetë por jo edhe në librat tanë, me të cilën përmbajtje ndeshemi në të gjitha fazat dhe aspektet e jetës por të cilën mundohemi ta shpërfillim. Nëse mendojmë pak do të shohim se edhe emrat tanë janë me simbolikë fetare. Sikur të mos ishte kështu atëherë një maqedonas fëmijën e vet do ta kishte pagëzuar me emër muslimani dhe një shqiptar musliman të vetin do ta kishte pagëzuar me një
emër krishteri. Këtë nuk e bëjnë as edhe qytetarët me prirje më ateiste e më agnostike, të cilët
sidoqoftë orientohen sipas një harte. Kjo ndodh kështu edhe në një plan më të gjerë. Vetëm paramendoni disa vende apo struktura që janë shekullariste, mirëpo që më në fund identifikohen me krishterim ose me rrënjë krishtere (p.sh. Bashkimi Evropian).
Mësimi fetar: pro et contra!
Shoqëria jonë është duke kaluar përmes një faze shumë kritike, fazë ndryshimesh të mundimshme të cilave nuk u shihet dot fundi. Tranzicioni me vete na solli një ritëm të ri të sendeve, një botëkuptim të ri, një koncept të ri të jetës, më shumë liri në të gjitha poret e jetës, tregti të lirë, mediume të lira, individë të lirë etj. Ndodhemi në një situatë kur secili duhet ta marrë përsipër përgjegjësinë për vetveten, shumë më të madhe sesa në të kaluarën, kur shoqëritë ishin më tradicionale dhe shumë më imune ndaj dukurive negative si narkomania, alkoolizmi, tregtia e mallit të bardhë, kriminaliteti i organizuar etj. Pikërisht në këtë periudhë të trazuar regjistrohen sjellje devijuese te popullata e re e cila po ndeshet me probleme të identitetit individual po edhe të atij kolektiv. Rastet mbërrijnë edhe në aso skajshmëri saqë edhe në viset rurale të vendit, që llogariten si mjediset më konservatore, flitet për dilerë droge, pornografi me fëmijë, vetëvrasje etj. Nëpër qytete skenat e fytyrave anomike kanë filluar tanimë të na preokupojnë të gjithëve. Të gjithë ankohen për problemet që i përjetojnë me fëmijët, adoleshentët. Prindërit flasin për mosdëgjim, për rini kryengritëse, mësuesit së këndejmi për “fëmijët e mobilizuar” të cilët s’e kanë dert diskursin e ligjëruesve, për të cilët tema shumë më interesante janë ato të “seve.com”, bastoret, kullosat (kokain..), skenat e natës etj. sesa librat dhe leximi. Vetëm paramendoni rastet kur fëmijë të moshës nën 10 vjeçe të fqinjëve kryejnë vetëvrasje, me të cilat edhe vetë Durkheimi do të ishte tmerruar e do të kishte mbetur pa tekst, për vrasësit e përgjakshëm serikë nëpër shkollat e vendeve të largëta, për pretendimet për afirmim me seks të parakohshëm e me armë, për vrasësit “e rinj” të taksistëve etj. 5 Këto ditë në njërën prej gazetave tona shpërthyen disa të dhëna zyrtare sipas të cilave këtë vit 42.4 % të veprave kriminale janë kryer nga ana e fëmijëve . Psikologët dhe sociologët duke e komentuar patologjizimin e përditshëm të popullatës së fazës së pubertetit i alarmojnë të gjitha organet e sistemit që t’i marrin masat përkatëse para se të bëhet vonë. Kundërkultura sikur po na bëhet modus vivendi (stil jete). Teologët, moralistët si mjet për daljen nga ky galimatias (absurditet) e vënë në dukje futjen e mësimit fetar, të etikës si lëndë të domosdoshme apo fakultative në të gjitha instancat e arsimit tonë.
Parashtrohet pyetja se si feja apo etika si “gjendje e dytë agregate e fesë”, do të ndihmonte në
eliminimin e pamjes dhe atmosferës negative, për mënjanimin e defetizmit në lidhje me personalitetin e së sotmes?
Sipas Meredith McGuire feja paraqet njërin ndër faktorët më të fuqishëm, më thellë të ndjeshëm e më me ndikim të shoqërisë njerëzore. Ajo ka ndikim mbi familjen, mbi bashkësitë, mbi jetën politike dhe ekonomike . Feja është një agjent shumë i fuqishëm socializues, ajo i ndihmon njeriut të njoftohet me vetveten e me të tjerët, ajo është një kod jete, udhërrëfyese, logos omnitemporal, dizajnues me vlerë, profilizues i personalitetit konstruktiv dhe të përgjegjshëm, i personalitetit që vetëkontrollohet, i cili reflekton dashuri, respekt, mëshirë, solidaritet, tolerancë, harmoni...ndaj vetvetes dhe ndaj të tjerëve. Ajo e mëson njeriun se përgjegjësia ndaj një insekti të vogël nuk është më e vogël se përgjegjësia ndaj një qenieje njerëzore.
Sigurisht që për këtë ekziston edhe antiteza, sipas së cilës feja është shkaktare e luftërave të përgjakshme, e mungesës së stabilitetit të sotëm global. Përgjigjja është: Në të vërtetë nuk është feja per se ajo e cila i motivon ndarjet, vrasjet, aktet gjenocide...porse keqinterpretimi i kësaj dukurie apo numeni. Çarçafët shërbejnë për mbulimin e krevateve, mirëpo disa persona po vetëvriten me to. Sigurisht që fajin nuk duhet kërkuar te çarçafi, porse tek ai i cili e keqpërdor atë.
Në parim feja është pacifiste, ajo promovon paqen me botën e brendshme (vetveten) dhe me atë të jashtme (të tjerët), ajo kërkon qetësi dhe rend, ashtu siç janë rregulluar sendet nga i Urti, Demiurgu. Me vite të tëra fëmijëve tanë ua mësojmë mbrojtjen dhe sigurinë e vendit nga armiqtë e jashtëm që janë të dukshëm, e nuk i mësojmë se si të mbrohen e ruhen nga rrymat satanike që ndodhen brendapërbrenda njeriut dhe që për çdo ditë shkatërrojnë nga diçka nga universi i tij i brendshëm, i cili është i lidhur ngushtë me atë të jashtmin ku ne e shfaqim tërë energjinë, si atë pozitive ashtu edhe atë negative. Nuk mund të ndërtojmë një personalitet vetëm me të dhëna (data) lëndore, me memorizimin e diturive e kuptimeve utilitare, pa mos filluar me pyetjet fillestare: Kush jam unë? Nga vij, ku shkoj dhe ç’është raison d’etre (qëllimi i ekzistimit tim)?
Sigurisht që filozofia si shkencë mbi shkencat dhe feja si një disiplinë shpirtërore mund të bashkëpunojnë në drejtim të vendosjes (ngulitjes) së “shenjave të rrugës” (Sejjid Kutb). Nëse
këto shenja nuk njihen dhe nuk respektohen, atëherë do të kemi një luftë të vërtetë për ekzistencë ku më të fortit do t’i gëlltisin më të dobëtit, vërtet një situatë kaotike. Në këtë drejtim nuk do të mund të na ndihmojnë as edhe ligjet më eksperte. Organet shtetërore, ligjet dhe kushtetuta do të jenë funksionale, sipas J. J. Rousseau-së, vetëm atëherë kur të gjejnë vend në zemrat e qytetarëve, d.m.th. kur ana formale e ligjeve të kalojë në vetidentifikimin shpirtëror me veprimtarinë pozitive.
Kultura fetare e implementuar në sistemin arsimor do të na ndihmojë në njohjen e ndërsjellë të entiteteve dhe etniteteve, do të na ndihmojë në ndërtimin e një shoqërie multikulturore, ku gjërat nuk do t’i shikojmë përmes idola specus (idhujve tanë të shpellës), porse në mënyrë multidimensionale. Si do të ndërtojmë një shoqëri të relaksuar e të qëndrueshme kur ne nuk i njohim kodet elementare të tjetrit, kur jetojmë në dy bota monoforme, kur shqiptarët shumë pak ose aspak nuk dinë për festat e maqedonasve që sipas ligjit të ri do të festohen zyrtarisht, si “Sveti vodici” (Epifania e shenjtë), “Veliki petok” (E premtja e madhe), kurse maqedonasit nuk dine thuajse asgjë për bajramin e kurbanit, për bajramin e ramazanit, për namazin etj. Fjala e urtë e një kolosi të njerëzimit thotë se “njeriu është armik i asaj që nuk e njeh!”. Lënda e re mësimore do të mund të quhet mësim fetar, histori e fesë, kulturë fetare, etikë, etikë dhe religjion etj. Nuk është shumë me rëndësi forma sesa thelbi i kësaj lënde, të cilën do të duhej ta ligjëronin personat me arsimim përkatës.
Përmbyllje
Vetëm shoqëritë që dinë t’u përgjigjen nevojave elementare të njeriut dhe kërkesave të kohës
mund të llogarisin se janë in, se i pret një e ardhme e ndritur. Në disa shtete të SHBA-ve teoria e evolucionit është zëvendësuar me teorinë e intelligent design, teorinë e krijimit, me të cilën rrënohen disa tabu shkencore dhe në programet shkollore bëhen korrigjime. Para ca kohësh legjislacioni gjerman ka sjellë vendimin sipas të cilit lënda mësimore e etikës do të jetë obligative për të gjithë nxënësit, kurse mësimi fetar vetëm për ata që do të kenë dëshirë për diç të tillë. Në Austri shteti qëndron ngulshëm pas edukimit fetar të qytetarëve të saj. Atje nuk ka paragjykime intelektualësh të tipit të këtyre tanëve që thonë: “si do ta prek unë të njëjtin ditar me të cilin më parë ka punuar hoxha ose prifti”. Shembujt e shoqërive që nuk frikohen se mësimi fetar mund ta rrënojë karakterin shekullar të shtetit mund të shtohen si nga fqinjësia jonë ashtu edhe nga më larg. Njëri ndër sociologët më të njohur botëror sot Peter L. Berger thotë se feja është një element konsumimi në supermarketin e shoqërisë pluraliste . Pse të mos u lejojmë fëmijëve tanë dhe prindërve të mos shërbehen në këtë supermarket?
Bibliografia
BERGER, Peter L., “A Market Model for the Analysis of Ecumenicity”, në Social Research, 30, 1963.
ČENGIĆ, Ermin, “Vjeronauka u školama”, BH-Dani, nr. 190.
Fakti, 18 dhjetor 2006.
KAUFMANN, Eric, “Breeding for God”, Prospect Magazine, nr. 128, dhjetor 2006.
KRASNIQI, Milazim, Suksesi i garantuar, Zëri Ynë, Prishtinë, 2006.
McGUIRE, Meredith, Religion: The Social Context, fifth edition, Wadsworth Thomson Learning, Belmont (USA), 2002.
ПАЈАЗИТИ, Али, “Младите и религијата”, Përmbledhje punimesh, viti 1, nr. 1, Fakulteti i
Shkencave Islame, Shkup, 2002.
SHUSHNJIQ, Gjuro, Fuqia dhe pafuqia e shkencës në kritikën e religjionit, Penda, Prizren,
2000.
TRT International, 13 prill 2005.
Nga maqedonishtja:
mr. Rejhan Neziri