Kriza morale e njeriut bashkëkohor dhe edukata islame

Ndërsa tashmë, kur e kemi kaluar shekullin e XX dhe jemi në fillim të shekullit XXI, prej nga pakuptimësia, pesimizmi, anarkia morale që krijon vetëm breza të frustruar, të degjeneruar, të kompleksuar, që rrënojnë individin dhe shoqërinë.[3] Statistikat pohojnë se Suedia, Japonia, SHBA-të dhe shtetet tjera perëndimore me standard dhe progres materialo-teknik më të lartë, por edhe me shfrenim dhe rënie shpirtërore morale më të lartë, paraqesin vendet me përqindje më të lartë të suicidalitetit (vetëmbytjeve / vetëvrasjeve).[4]

Shkaku i kësaj gjendjeje është ndikimi i kuazi-ideologjive dhe kuazi-lirive që po ofrohen dhe infiltrohen në thellësinë e shpirtit të njeriut dhe shpesh shpie në dehumanizimin e personalitetit, humbjen e vlerave etike, mungesën e kritereve normale për vlerësim objektiv të njëmendësisë etj.

Nga ana tjetër, tëhuajësimi i njeriut nga vetvetja, tëhuajësimi nga vlerat e veta autentike, tëhuajësimi nga Zoti e të tjera, e privon njeriun nga baraspesha shpirtërore dhe mundësia e perceptimit dhe qëndrimit korrekt të lirisë autentike vetjake.

Mohimi dhe përjashtimi i Zotit nga jeta individuale dhe shoqërore doemos bartësin e këtij mohimi dhe përjashtimi do ta shpie në kundërthënëshmëri, absurd dhe pakuptimësi, sepse qenia njerëzore, edhe pa dëshirën e saj, natyrisht e kërkon Krijuesin e saj, Zotin. Prandaj, për edukimin si proces të formimit të personalitetit të atij që edukohet me të gjitha kualitetet fizike, intelektuale, estetike dhe të punës me synim të përgatitjes së tij të shërbejë për të mirën e shoqërisë dhe të vetvetes ka kuptim të flitet vetëm nga aspekti i fesë. Kurse edukimi edhe është pikërisht ajo kategori në të cilën manifestohet baraspesha e materiales dhe shpirtërores te njeriu dhe rreth njeriut, në të cilën zë fill stabiliteti i individit, i familjes, i bashkësisë e edhe civilizimit dhe në të cilën liria njerëzore nuk është sprovë, por dhuratë e Zotit. Natyrisht, ky është qëndrim jo nga aspekti materialist, ku deformohet personaliteti i të edukuarit duke e përjashtuar nga ai si qenie bivalente komponentën e tij shpirtërore, por nga aspekti shpirtëror, i fesë, i cili duke e konsideruar kompleksivitetin e qenies njerëzore dhe prejardhjen e tij që bazohet në Fjalën e Zotit, zhvillon dhe kultivon te njeriu i ri pikërisht ato vlera që njeriu i bartë si shenjë parazanafillore të Krijuesit të tij.[5]


Burimet themelore të edukimit islam: Kur’ani dhe Hadithi

Kur’ani dhe Hadithi janë dy burimet themelore për edukimin e njeriut. Ata mësojnë në principet, metodat dhe mjetet themelore të edukimit, duke theksuar funksionin edukativ si një ndër kategoritë thelbësore të shoqërisë njerëzore, kategoritë mbi të cilat zë fill stabiliteti dhe ekzistimi i një bashkësie.

Çdo fëmijë me lindjen e tij ka predispozicionet për besim të drejtë. Është detyrë e edukatorit që me veprimin e tij edukues njeriun ta shpie në jetë në pastërtinë e vet natyrore[6], në rrugën e virtyteve, nderit dhe përkryeshmërisë natyrore, në të cilën udhëzon Kur’ani dhe Hadithi.

All-llahu i madhëruar thotë:

“O ju që besuat, ruane veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. …” (Et-Tahrim. 6).[7]

Kushti i parë që fëmija ta fitojë një edukatë të mirë është shtëpia prindërore. Në te lindet, fiton përvojat e para, bindjet, shprehitë e mirësjelljes, të cilat shkallërisht transformohen në nevojat e tij mentale dhe fizike dhe përbëjnë bazamentin e personalitetit të tij të ardhshëm.

Në hadithet e Muhammedit a. s. gjejmë mënyrë të hollësishme se çfarë duhet të jetë familja muslimane. Edukimi i tij duhet të jetë në bazën fetare, ku do të përfshihen devotshmëria, sinqeriteti ndaj All-llahut, t’i ruhen mëkateve dhe të sendërtojnë detyrimet fetare. Madje, edhe kriter për përzgjedhjen e të fejuarve është edukimi[8], që nëpërmjet anëtarëve të ndershëm, besnikë dhe përparimtarë të ndërtojnë familje, bashkësi dhe shoqëri të shëndoshë. Për këtë qëllim Muhammedi a. s. urdhëron prindërit t’i mësojnë fëmijët e tyre me besim, shkrim-lexim, not, kalërim, shkathtësi luftarake dhe përdorimin e armëve dhe t’i ushqejnë me ushqim hallall. Kur’ani kërkon që fëmija të ushqehet me gjithithje deri në dy vite, sepse ai është i pazëvendësueshëm. Muhammedi a. s. thotë:

“Kush ushqehet 40 ditë me ushqim hallall, All-llahu e ndriçon zemrën e tij me dritë dhe e bën atë burim të urtësisë si në mendim ashtu edhe në vepra."[9]



Disa nga faktorët e edukimit të drejtë


El-Gazaliu, dijetari i njohur musliman, faktin se dija, urtësia, dashuria dhe butësia linden nga ushqimi hallall e shpjegon si vijon:

“Ushqimi hallall e pastron zemrën, e ndriçon atë dhe e aftëson për pranimin e njohjes: çdo gjë tjetër është e pavlerë në krahasim me edukimin islam. Çdo gjë që e ka njeriu në këtë botë mund t’ia merrë djalli, t’ia djegë zjarri, t’ia vjedh vjedhësi, por edukimi i mirë dhe dituria është pasuri e amshueshme që na mbijeton në këtë botë, e sipas saj përcaktohet fati i përhershëm në botën tjetër.” [10]

Rol të veçantë në edukim ka shembulli vetjak i prindërve. Fëmijët miratojnë thuajse çdo gjë që e shohin te prindërit apo te rrethi me të cilët komunikojnë. Muhammedi a. s. duke i këshilluar prindërit ka thënë:

“Prindi nuk mund t’i lë trashëgim më të mirë, më të çmueshëm dhe më të vlefshëm fëmijës së tij se edukim të mirë.”

“Kush ka vajzë dhe e edukon, e ushqen dhe shpenzon në mënyrën më të mirë në të pasurinë që i ka dhënë All-llahu, ajo për të do të jetë krahë i djathtë dhe i majtë ndaj zjarrit drejt xhennetit.”

“Fëmija është fryt i zemrës, një nga lulet aromatike të xhennetit.”[11]

Omeri r. a., halif tejet racional dhe largpamës në veprime, në ankesën e një prindi se i biri është i padëgjueshëm ndaj tij, reagoi rreptë, duke e fajësuar prindin se nuk i ka plotësuar obligimet e tij ndaj fëmijës. Çdo prind do të jetë përgjegjës individualisht për edukimin e fëmijës dhe çdo mosukses nuk do të mund ta arsyetojë me mungesë kohe, me padije, i zënë me tregti, me pleqëri, me rini.

Obligimi i prindërve për edukim të mirë ndaj fëmijëve është tredimensional:

1. Obligim prindëror ndaj fëmijëve për shkak të ardhmërisë së tyre më të lumtur e më të mirë;

2. Obligim prindëror ndaj vetvetes për shkak të përgjegjësisë vetjake për pasardhësit e tyre;

3. Obligim prindëror ndaj bashkësisë, sepse fëmijët tonë në të ardhmen janë anëtarë aktivë të bashkësisë shoqërore, kreatorë dhe organizatorë të jetës së saj.[12]

Atmosfera në të cilën edukohet fëmija dhe fryma e edukimit duhet t’i shmanget pesimizmit, disponimit të errët dhe skajshmërive dhe duhet zhvilluar e kultivuar vlerat dhe virtytet me vlerë të përhershme. Ndërrimi i brezave është faktorë me rëndësi për edukim të drejtë dhe joharmonizimi i tyre sjellë shpeshherë rritjen e jazit dhe dezorientimin dhe lajthitjen e rinisë. Andaj zhvillimi i ndjenjës së përgjegjësisë te brezi i ri është me rëndësi esenciale. Vorbullat e jetës që do t’i paraqiten njeriut të ri në forma të ndryshme (nëpërmjet sportit, modës, muzikës, mediumeve të shkruara, elektronike, teatrit, programeve shkollore laiciste dhe antitradicionale, literaturës përgjithësisht dhe shumë formave të tjera, nuk do ta befasojnë njeriun e ri. Njeriu i ri do të jetë i armatosur me kundërarmët përkatëse dhe efikase – moralin e tij të fuqishëm kur’anoro-sunnetik, islam.



Pasojat e edukimit jo të drejtë

Të gjitha rreziqet që i paraqiten njeriut gjatë jetës kryesisht kanë një emërtues, e ai është epshi, instinkti i shfrenuar, degjenerimi moral. Nëse ai e infekton individin, do të infektohet tërë bashkësia. Për këtë arsye, edukimi duhet orientuar para së gjithash drejt administrimit të epsheve. Epshi duhet t’i nënshtrohet arsyes, e kjo do të bëhet nëse njeriu ndjek udhëzimin e All-llahut. Nëse epshi i shmanget arsyes, ai do të bëhet i vrazhdë, mizor, do ta humbë baraspeshën e vlerave njerëzore dhe do ta degradojë njeriun[13]. Jemi dëshmitarë të realitetit se dominimi i epsheve çon në mëkate, krime të shumta. Në këtë rrafsh avanson prostitucioni dhe kurvëria me të gjitha pasojat e tyre mbi individin, familjen, bashkësinë dhe shoqërinë.[14]

All-llahu i lartësuar thotë:

“Dhe mos iu afroni imoralitetit (zinasë), sepse vërtet ai është vepër e shëmtuar dhe është një rrugë shumë e keqe.” (El-Isra’, 32).

Për t’i parë ilustrativisht pasojat e mosaplikimit të këtij ajeti kur’anor do ta përkthejmë një citat të autorit të madh boshnjak, Munir Gavrankapetanoviq, i cili tërë jetën ia kushtoi idealeve të islamit:

“Sikur varret e shumta të flisnin mbi të keqen e kurvërisë dhe mbi sëmundjet që i sollën vdekje kurvarëve, do të ishte histori i dëshpërueshme mbi tragjedinë e shumë njerëzve të rinjë të cilët kanë mundur të kenë jetë të lumtur sikur mos të vepronin këto të këqija. Kjo histori do të ishte një akuzë dhe gjykim i rëndë i kurvërisë si një ndër mëkatet dhe të këqijat më të rënda të gjinisë njerëzore. Sikur të mund të tuboheshin dhe të dëgjoheshin psherëtimat dhe klithmat e atyre të cilët fizikisht dhe shpirtërisht kanë vuajtur për shkak të dhëmbjeve dhe tmerreve që ua kanë shkaktuar sida, sifilisi, gonoreja dhe sëmundjet tjera venerike, do të ishte kjo psherëtima e të përvuajturëve që vetë e provokuan fatkeqësinë e vet. Sikur fëmijët e pafajshëm të verbuar nga gonoreja, apo fëmijët të gjykuar me vdekje për shkak të posedimit të virusit HIV pozotiv nga nënat e infektuara, apo fëmijët me sëmudnje të rëndë dhe të degjenenuar nga sifilisi, të mund ta ngrisnin zërin, do të ishte ky zë i akuzave të tmerrshme, ehoja e të cilëve do të jehonte në horizontet kozmike. Sikur fëmijët e mbytur në mënyrën më të llahtarshme, pa mëshirë të zhdukur në barkët e nënave, të mund të pyeteshin përse me këta të pafajshëm është vepruar aq vrazhdësisht, do të tronditej çdo zemër dhe shpirt njerëzor. …”.[15]

Nëse hulumtojmë fatin e fëmijëve të lindur nga marrëdhëniet seksuale jashtëligjore / jashtëmartesore, përgjigjen do ta gjejmë lehtë në realitetin e hidhur te fëmijët që pa pa fajin e tyre u gjenden në vorbullin e marrëzive të të rriturve, në absurdin e filozofisë moderniste dhe postmoderniste perëndimore të aktualitetit tonë, me moton: seks i lirë, dashuri paramartesore, institucioni i familjes institucion i demoduar e të tjera, duke u endur rrugëve, apo duke i vendosur në shtëpitë për ri/edukim, nëpër burgje, pa kujdes dhe pa ardhmëri, duke kërkuar kuptimin e jetës së tyre me anë të veprimeve të tyre kriminale.

Për këtë arsye, besimi dhe kurvëria nuk mund të jenë të pranishme njëkohësisht te njeriu.

Muhammedi a. s. qartë e ka përkufizuar gjendjen e kurvërisë me hadithet vijuese:

“Kurvani deri sa bën kurvëri nuk është besimtar.”[16]

“Ruajuni nga kurvëria, sepse kurvëria sjellë katër pakëndshmëri: shmang bukurinë dhe dritën nga fytyra, pengon dhe ndërpren nafakën, nxit urrejtjen e të Mëshirshmit dhe është shkaktar i vuajtjes së përhershme në zjarrin e xhehennemit.”[17]

“Kur All-llahu dëshiron ta shkatërrojë një vend, lejon të paraqitet kurvëria dhe pamorali në atë vend.”[18]

“Kur të përhapet kurvëria, do të shumëzohet numri i robërve.”

“Kurrë nuk është paraqitur kurvëria në një popull e që nuk janë paraqitur sëmundjet nga të cilat stërgjyshërit e tyre nuk kanë vuajtur.”

“Kur të paraqitet homoseksualiteti Allahu ia privon mëshirën atij populli. Dhe nuk është me rëndësi se në çfarë fatkeqëaie do të pësojë.”

“Lezbeizmi bën pjesë në prostitucion.” [19]

Këto hadithe domosdo nxisin në mendime dhe në gjetjen e përgjigjjeve për gjendjen tonë të paraluftës dhe të pasluftës. SIDA / AIDS-i, sëmundje e importuar nga Amerika me të madhe po përhapet edhe te ne, pikërisht për shkak të amoralit dhe shfrenisë në shoqëri. Kjo gjendje largon nga mëshira e Zotit dhe çon në fatkeqësi dhe pësim.

Anarkia morale dhe prostitucioni në veçanti plotësisht e rrënon natyrën e njeriut, personalitetin e tij dhe shoqërinë. Shtetet me kuazi-liri seksuale kanë probleme të mëdha me moshën e pjekur që nuk e ruajnë martesën dhe me rininë që nuk hyn në martesë. Shtetet me zhvillim të lartë industrial kanë probleme të theksuara me natalitetin në vendet e tyre, d.m.th. me produktivitetin e popullit, por edhe me problemin tjetër se në këto vende impotenca seksuale te të rinjtë është rritur drastikisht.

Vlen të theksohet edhe çështja terminologjike e ‘lirisë seksuale’, e cila fetarisht, moralisht, juridikisht dhe filozofikisht është e paqëndrueshme! Nuk mund të quhet ‘liri’ diç që nuk pajtohet me vetë natyrën njerëzore, ‘liri’ diç që i robëron epsheve, pasionevc e instinkteve negative. Kjo ‘liri’ është ‘varshmëri jomorale dhe shfrenuese’. Njeriu plotësisht i lirë është ai që drejton me epshet e veta dhe vepron në pajtim me natyrën dhe rregullat që i ka caktuar Krijuesi i madhëruar:

“Thuaj: ‘Zoti im i ndaloi vetëm të këqijat e turpshme, le të jenë të hapta apo të fshehta, ndaloi mëkatin, ndaloi shtypjen e tjetrit pa të drejtë. …” (El-A’raf, 33).

“Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më pastër për ta … Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, të ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme ….” (En-Nur, 30-31). Etj.

Sot në Evroperëndim kemi të shtrirë seksin grupor dhe heterogjen. Ka humbur çdo ndjenjë e pastërtisë morale. Personat e këtillë humbin çdo ndjenjë të besnikërisë martesore dhe jetës së virtytshme. Për të tillët jeta martesore pas një kohe bëhet monotone dhe e bezdisshme. Çdo rast i ri për të paraqet sprovë të re para se cilës lëshojnë pe, u jepen emocioneve të egra. Të tillët nuk mund të hyjnë në martesë, e nëse hyjnë e prishin shumë shpejtë, sepse aty nuk qëndron as minimumi i dinjitetit njerëzor.

Nëse edhe qëndron martesa e tillë, çfarë edukimi do të ketë fëmija nga prindërit e tillë, si do të zhvillohet në atmosferën e raporteve jonatyrore dhe jo të shëndosha njerëzore, si të ndërtojë dinjitetin e vet kur para syve të tij, nga më të dashurit e tij, shkelet dhe thyhet ai dinjitet në mënyrat më të vrazhda.



Përfundim


Edukimi islam kërkon nga prindërit që fëmijëve të tyre t’ua tregojnë rrugën e Kur’anit dhe Hadithit lidhur me ndërtimin e besimit, moralit dhe mirësjelljes në qenien njerëzore dhe me rrugën e ruajtjes nga amorali dhe skajshmëritë tjera. Bota perëndimore përkundër përparimit të madh material, parakushteve teknike-teknologjike që njeriu aktual më shumë t’i përkushtohet ndërtimit të tij moral e shpirtëror, megjithatë ka ra në krizë morale të përmasave të mëdha. Kjo lajthitje e madhe fetare e morale tregon se njeriu është larg udhëzimit hyjnor, përkatësisht po anashkalon dhe zhlerëson udhëzimin hyjnor në procesin e edukimit.

Kapërcimi i kësaj gjendjeje kërkon që edukimi fetar të kthehet te individi, në familje, në shkolla të të gjitha niveleve dhe në institucionet tjera. Po ashtu, edukimi nuk nënkupton vetëm mësimin teorik, por edhe aplikimin e tij. Arsimimi dhe edukimi duhet të ecin bashkë me individin dhe bashkësinë. Ngecja e njërit apo i tjetrit segment shpie ose në ateizëm ose në misticizëm.

Islami është rrugë e mesme dhe ndjek mesin. Skajshmëritë i dënon dhe gjykon si të pasuksesshme.

Literatura:
1. Grup autorësh, Duhovnost i mentalno zdravlje, Sarajevë, 2002.
2. Lari, Sayid Mujtaba Rukni Musawi, Islam i zapadna civilizacija, Sarajevë, 1998.
3. Izetbegoviq, Ali, Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, botimi I, Prizren, 1990.

4. Esh-Shafi’ij, Ebu Tahir Muhammed ibn Ja’kub El-Fejruz Abadi, El-Kur’an’ul-kerim ve bihamishihi Tenvir’ul-mikbasi min tefsiri ibn Abbasi, botimi I, Bejrut, Lubnan, 1409 h./1988, fq. 560-561.
5. Imam Neveviu, Rijad’us-salihin, botimi I, Shkup, 1416/1995.
6. Hasan Çengiq, Temat islame, Shkup, 1413/1993.
7. Ibrahim Amini, Etika bashkëshortore, Tetovë, 2000.
8. Alija Izetbegoviq, Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Prizren, 1992.
9. Dragos Kalajic, Smak sveta, Beograd, 1979.
10. Izbor poslanikovih hadisa, përgatiti Jakup Memic, Sarajevë, 1985.
11. Tejsiru ’l-mesir ila ehadithi ’l-Xhami’i ’s-sagir, Përgatiti Salih Indzic, Travnik, 2001.


--------------------------------------------------------------------------------
[1] Punimi nuk pretendon të trajtojë hollësitë, as të përgjigjet në çështje fikhore, por synon vetëm t’i fokusojë disa probleme lidhur me këtë temë që meriton trajtim më serioz si në cilësi ashtu edhe në vëllim.
[2] Sipas: Hasan Spahic, Islamski odgoj i moralna kriza savremenog covjeka, në: Grup autorësh, Duhovnost i mentalno zdravlje, Sarajevë, 2002, fq. 228.
[3] Shih: Sayid Mujtaba Rukni Musawi Lari, Islam i zapadna civilizacija, Sarajevë, 1998, fq. 8-10.
[4] Bindjet religjioze, pastaj traditat religjioze dhe tiparet socio-kulturore kanë ndikim edhe në pengimin e shpeshtësisë së suiciditetit, d.m.th. ndikon në ndryshimin e shkallës dhe në seriozitetin e mortalitetit suicidal. Këtë e dëshmon shkalla e lartë e suiciditetit, pastaj e perverzioneve dhe të degjenerimeve të tjera në vendet e zhvilluara industriale në Evropë, Japoni dhe SHBA. Krahaso: Alija Izetbegoviq, Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, Prizren, 1992. Dragos Kalajic, Smak sveta, Beograd, 1979.
“Sipas të dhënave policore nga viti 1976, në Gjermaninë Perëndimore kanë ndodhur 10.000 vetëvrasje, mbi 6000 meshkuj dhe 7000 femra kanë tentuar vetëvrasje pa sukses, sipas: Sayid Mujtaba Rukni Musawi Lari, Islam i zapadna civilizacija, Sarajevë, 1998, fq. 36.
Në “The Spirit of Man” faqe 32 lexojmë: “Çdo 25 minuta në Amerikë ndodh ndonjë krim i madh, kurse çdo 24 minuta ndodh vrasje me paramendim, pesë atake mbi pasurinë, 30 sulme të mëdha dhe 3000 vjedhje më të vogla. Sipas: Sayid Mujtaba Rukni Musawi Lari, op. cit.,, fq. 36.
[5] Shih observime të shkëlqyeshme për këto aspekte në: Alija Izetbegoviq, op. cit.
[6] “Kul-lu mevludin juledu ale’l-fitreti. Fe ebevahu juhevvidanihi ev junessiranihi ev jumexhxhisanihi”, që në përkthim do të thotë: “Çdo fëmijë lind në fenë e pastyër, natyrore, e prindërit pastaj e edukojnë si hebraik, kristian apo zjarradhurues.” (Jakup Memic, Izbor poslanikovih hadisa, numri i hadithit 1193, Sarajevë, 1985, fq. 276.
[7] Ibn Abbasi, njëri prej komentatorëve më kompetent të Kur’anit lidhur me këtë ajet pohon: “Bëhuni të dëgjueshëm ndaj All-llahut të madhëruar, ruajuni dhe kini kujdes që mos t’i theni rregullat ndaj Tij. Porositni anëtarët tuaj në Kur’an që All-llahu t’ju ruaj nga zjarri.” Shih: El-Kur’an’ul-kerim ve bihamishihi Tenvir’ul-mikbasi min tefsiri ibn Abbasi nga Ebu Tahir Muhammed ibn Ja’kub El-Fejruz Abadi Esh-Shafi’ij, botimi I, Bejrut, Lubnan, 1409 h./1988, fq. 560-561.
Krhs.: Prijevod Kur’ana sa tefsirom i komentarom na bosanskom jeziku, Munchen, botimi I, 2001, vëllimi V, fq. 2461.
[8] Muhammedi a. s. ka thënë: “Femrën e martojnë katër gjera: pasuria, prejardhja, bukuria dhe feja e vërtetë. Përpiqu ta marrësh atë që ka fe – do t’i kesh të gjitha.” (Nga Ebu Hurejreh, Sahihu i Buhariut dhe Muslimit … sipas: Tejsir’ul-mesiri ila ehadithi’l-Xhami’is-sagiri i përgatitur prej Salih Indzic, numri i hadithit 685, Travnik, 2001, fq. 238.
Muhammedi a. s., po ashtu ka thënë: “Mos i merrni femrat për shkak të bukurisë, sepse, bukuria mund t’i shkatërrojë, ato mos i merrni për shkak të pasurisë, sepse, pasuria mund t’i bëjë të shfrenuara. Merrni ato për shkak të devotshmërisë, sepse, kështu do të kini bashkëshorte të edukuara mirë e të besueshme.”
Gjerësisht shih për këtë temë: Hasan Çengiq, Temat islame, Shkup, 1413/1993, fq.145 - 157; Ibrahim Amini, Etika bashkëshortore, Tetovë, 2000.
[9] Sipas: Hasan Spahic, op. cit., fq. 230.
Xh. Rrumi pohon:
“Ushqimi është farë fryti i së cilës është mendimi,
Çfarë fare është mbjellur i tillë do t’i mugullojë edhe fryti,
Nëse mbillet farë haram, hahet ushqimi haram,
Mendimet e fëmijës së tillë do të jenë të dëmshme, të pasinqerta, jo të ndershme,
Nëse hanë ushqimin hallall, do të ketë mendime të pastërta..” (Sipas: Hasan Spahic, op. cit., fq. 230).
[10] Sipas: Hasan Spahic, op. cit.,, fq. 230.
[11] Tri tekstet e sipërme citohen sipas: Hasan Spahic, op. cit., fq. 230.
[12] Shih: Hasan Spahic, op. cit., fq. 231.
[13] “…Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, …” El-A’raf, 179)
[14] Industrializimi i egër i Evropës dhe i nevojave të saj të ‘pangopura’ ndikuan që familja ta humb rolin e vet në bashkësi. L. Tolstoj, shkrimtari i madh rus, këtë krizë e përshkruan: “Një nga shkaqet kryesore për shkallë të lartë të shkurorëzimeve është liria e femrës të vendosë për shkurorëzim, duke e pasur parasysh natyrën e saj të ndieshme dhe eksplozive …”, Sipas: Sayid Mujtaba Rukni Musawi Lari, op. cit., fq. 54.
[15] Sipas: Hasan Spahic, op. cit., fq. 233.
[16] “Kush jepet pas kurvërisë (dhe këmbëngul në te) i ngjanë idhujtarit.” (El-Mukimu ale’z-zina ke abidi vethenin), sipas: Jakup Memic, op. cit., numri i hadithit 1496, fq. 336.
[17] Sipas Taberaniut, nga Ibn Abbasi, Jakup Memic, op. cit., numri i hadithit 596, fq. 133.
[18] “Idha erada’ll-Llahu bikarjetin helaken edhhere fihim’uz-zina”. Sipas: Jakup Memic, op. cit., numri i hadithit 246, fq. 60.
[19] “Es-Sihaku bejne’n-nisai zinen bejnehunne” (Taberaniu), Jakup Memic, op. cit., numri i hadithit 912, fq. 212.

Për shkak se hadithet janë të njohura, nuk u përpoqëm t’i sigurojmë burimet e tyre. Ato hadithe që nuk shënojnë ndonjë burim, janë cituar sipas: Hasan Spahic, op. cit.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme