
I’xhazi është ndër karakteristikat më të rëndësishme të Kur’anit dhe sipas dijetarit Musa Shahin Lashin, i’xhazi është unikat për Kur’anin, pasi që as hadithi kudsij as hadithi nuk karakterizohen me këtë veçori.[1]
Kuptimet e shprehjes i’xhaz sikur edhe të shprehjes që është ngushtë e lidhur me të, tehaddi, edhe në veprat islame, edhe të atyre orientaliste, janë hulumtuar dhe studiuar me kujdes dhe hollësisht. Edhe leksikografët janë angazhuar lidhur me këtë. Kështu, fjalori arabisht-boshnjakisht jep kuptimet: “Shkoquri (të thënët e qartë), elokuencë, gojëtari, pamundësia e të imituarit (të Kur’anit).” Deri sa derivati tjetër “mu’xhizet’un” domethënë “çudi, habi”. Kurse vetë folja “a’xheze – ju’xhizu” do të thotë: “të jesh i dobët, të jesh i paaftë, të mos mundesh, të mos jesh në gjendje.” [2] Hans Wehr pohon se fjala i’xhaz do të thotë “pamundësia e imitimit, natyra e shkëlqyeshme, e mahnitshme e (Kur’anit).” [3] Kurse Mustafa S. er-Rifai për i’xhazin pohon se ai njëkohësisht përcakton dy çështje: mungesën e fuqisë njerëzore që të merrë guxim njeriu që të ofrojë mu’xhize, çudi, dhe vazhdimësia e kësaj mungese gjatë shekujve.[4]
Shprehja tehaddi përcakton provokimin, nxitjen që të ofrohet, të jepet diç i ngjashëm me Kur’anin,[5] dhe përgjithësisht është në harmoni të plotë me kuptimet e shprehjes ‘mu’xhize’. Në aspektin terminologjik ka kuptimin e dukurisë, fenomenit të mbinatyrshëm që u shpallet të dërguarve të All-llahut me qëllim të dëshmimit të misionit të pejgamberisë së tyre e te disa edhe të vërtetësisë së librave të shpallura nga All-llahu
.
I’XHAZI DHE TEHADDI NËPËR KOHË
1. Nga librat hyjnorë, e sidomos nga Kur’ani mësojmë se mu’xhizet kanë ekzistuar prej Ademit alejhisselam[6], e deri te Muhammedi alejhisselam.[7] Mirëpo, duhet vërejtur se mu’xhizet e pejgamberëve të hershëm kanë qenë të natyrës ndijore, perceptuese, fizike (hissijjjetun), me afat të shkurtër veprimi kohësisht dhe hapsinërisht dhe nuk kanë pasur qëllim parësor të nxisin në garim, por ta manifestojnë fuqinë e Zotit të madhërueshëm,[8] kryesisht të drejtuara veshit apo syrit të recipientit.[9] Për shembull, zjarri, i cili nuk e dogji Ibrahimin a. s.[10], ndarja e detit me shkop nga ana e Musait a. s.[11], ringjallja dhe shërimi tek Isai a. s.[12] kanë qenë mu’xhize një kohë të kufizuar, që më vonë ta pranojnë gjendjen e mëparshme.[13]
Mirëpo, mu’xhizet e Muhammedit a. s., përveç karakteristikës ndijore, konkrete, materiale, posedojnë edhe karakterin, natyrën racionale, ideore, logjike (aklijjetun), e cila madje edhe është pikëpamja parësore dhe thelbësore e Shpalljes së fundit, kurse Muhammedi a. s. ishte “i dërguari i parë të cilin ia dërgoi All-llahu mbarë njerëzisë, e jo vetëm popullit dhe vendit të caktuar. Për këtë arsye All-llahu ka dëshiruar që mu’xhizja e Muhammedit a. s. të jetë njerëzore, e arsyeshme, por njëkohësisht që njerëzit nuk mund të bëjnë diç të ngjashëm me Kur’anin apo t’ia kapërcejnë atij. Ky pra është Kur’ani, mu’xhizja më e madhe të cilën ndonjëherë All-llahu ia dërgoi njerëzisë”[14], e njëkohësisht edhe libri, porosia, instruksioni dhe mënyra universale e fundit për organizmin e jetës, dhuratë nga All-llahu.
Shpallja e Kur’anit Muhammedit a. s. në Mekke e pastaj edhe në Medine dhe vende tjera hasi në reagime të dyfishta te bashkëkohasit e tij: duke e pranuar si shpallje qiellore apo duke e refuzuar si ‘sihrun ju’theru’ (magji që transmetohet, El-Mudeththir, 24), ‘sihrun mustemirr-rrun’ (një magji në vazhdimësi, El-Kamer, 2), ‘ifkun ifterahu’ (gënjeshtër e madhe që e shpif ai, El-Furkan, 4).
Në këto vërejtje Kur’ani është përgjigjur me provokim epokal dhe suksesiv:
“Thuaj: ‘Sikur të bashkoheshin tërë xhindët dhe njerëzit të bënin një Kur’an, sikur ky, nuk do të mund të bënin sikur ky, edhe pse i ndihmojnë njëri tjetrit.” (El-Isra, 88).
“Ose po thonë: ‘Ai po trillon!’ Thuaj: ‘po formuloni ju dhjetë kaptina të ngjashme me të (Kur’anin), të trilluara, dhe thirrni në ndihmë cilin të doni, në vend të All-llahut, nëse e flisni të vërtetën!” (Hud, 13).
“Dhe nëse dyshoni në atë çka i kemi shpallur robit tonë, bëne ju një kaptinë të ngjashme si ai (Kur’ani), madje thirrni edhe dëshmitarët tuaj, përveç All-llahut, nëse flisni të vërtetën. Po nëse nuk e bëni, dhe nuk mund ta bëni, atëherë ruajuni zjarrit të përgatitur për mosbesimtarët, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët.” (El-Bekaretu, 23-24).
2. Qasja ndaj shprehjeve i’xhaz dhe tehaddi historikisht ka evoluuar, por megjithatë vlera kryesore ka mbetur. Orientalisti i njohur, G. E. von Grunebaum, në shkrimin e tij mbi ‘I’xhazin’ në The Encyclopaedia of Islam vë në spikamë evoluimin historik të këtyre shprehjeve, duke pohuar se “shprehja i’xhaz nga gjysma e dytë e shekullit të tretë / nëntë bëhet term teknik për pamundësinë e imitimit apo për unikatësinë e Kur’anit sipas përmbajtjes dhe formës. Përkufizimet e shumta deskriptive të fjalës i’xhaz pas shekullit IV / X nuk dëftojnë dallime qenësore.”[15]
Në veprat teologjike rëndom do të gjejmë pohimet se i’xhazi i Kur’anit dhe tehaddi i Kur’anit janë konfirmimi më i madh i pejgamberisë së Muhammedit a. s. Këtë e mbështesin në përsosurinë e Kur’anit në krahasim me poezinë apo prozën, me të cilën vetëm në shikim të parë kanë ngjashmëri. Kur’ani këtë e demanton:
“Innehu le kawlu resulin kerim. Ma huwe bi kawli sha’irin kalilen ma tu’minun. We la bi kawli kahinin; kalilen ma tedhdhekkerun. Tenzilun min rabbi’l-alemin.” (El-Hakkatu, 40 - 43).
“Ai është njëmend fjalë e shpallur e Pejgamberit fisnik. Dhe nuk është fjalë e ndonjë poeti, por ju pak kush besoni! Dhe as fjalë të ndonjë magjistari, por ju pak mendoni! Është shpallur nga Zoti i botave.” (El-Hakkatu, 40 - 43).
Fjalët kur’anore mohojnë ngjashmërinë e Shpalljes me poezinë (sezh’, prozë e rimuar), e cila është prodhim i aktivitetit të frymës njerëzore. Konfirmimi se Kur’ani nuk është fjalë e ndonjë poeti as as fjalë e ndonjë magjistari ndihmon që të folurit e Kur’anit të kuptohet si diskurs i Shpalljes që kapërcen poezinë, sepse të folurit e Zotit është i pakrahasueshëm.[16] Të gjitha diskutimet lidhur me ngjashmëritë e Kur’anit me poezinë janë abuzuese, të gabueshme dhe politeiste.[17]
G. E. von Grunebaum me të drejtë vëren se analizat që i bëhen Kur’anit dallojnë nga analizat që i bëhen Biblës nga filologët perëndimorë. Në këtë ka ndikuar i’xhazi i Kur’anit, sepse autorët muslimanë e kanë të qartë se nuk mund të kritikohet një tekst që e kapërcen, ngadhënjen, ngazëllen njeriun. Po ashtu, dëgjuesit dhe pranuesit e parë të Kur’anit nuk e pranuan Kur’anin për shkak të rimës së Kur’anit, por për shkak të koncepcioneve dhe porosive që sjellë ai, nuk e pranuan Kur’anin për shkak të metrikës së tij në suret e shkurtëra, por për shkak të të vërtetave të thella që ruan Kur’ani në gjuhë të madhe.[18] Kjo edhe nga arsyeja sepse ‘të vërtetat e magjistarëve’ me shekuj nuk ndryshuan jetën dhe mendjen e njerëzve, kurse të vërtetat kur’anore për një kohë të shkurtër thyen inferioritetin shumëshekullorë të arabëve dhe popujve tjerë për t’u bërë vravashkë për mileniume deri në Ditën e fundit. Shembujt që i lexojmë në literaturë burimore dëshmojnë fuqinë universale të Kur’anit në ndryshimin e koncepcioneve dhe perceptimeve njerëzore apo manifestimin e pafuqisë dhe paaftësisë para Kur’anit apo pjesëve të tij të caktuara, që manifeston magjepsje, fanitje, magji të vërtetë dhe poezi të pashpjegueshme[19] në mosbesimin e Velid ibn Mugires[20] dhe besimin e Umer ibn Hattabit.[21]
I’XHAZI NDËR SHKENCËTARËT
Analiza e literaturës islame mbi Kur’anin vë në pah dy qasje në raport me i’xhazin e Kur’anit:
a) Qasja klasike . - Mufesirët / komentuesit klasikë muslimanë i’xhazin e Kur’anit para së gjithash e kërkonin në stilin e tij, në figurat stilistike që i përdorë, në shkurtësinë dhe vetueshmërinë e rrëfimeve të tij të cilat, sikur bubullima shkretinore janë vulosëse, të fuqishme, mbi lexuesit bëjnë ndikim të thellë.
Orientalisti tashmë i cituar, von Grunebaum, pohon se pikëpamja ortodokse i’xhazin e Kur’anit e sheh në ‘unikatësinë e pangadhënjyeshme’ të Kur’anit në kompozicionin e shkëlqyeshëm dhe në shkallën e lartë të elokuencës’, në përsosurinë që njerëzia nuk mund ta imitojë.[22]
Fakti që provokimi kur’anor (tehaddi) kurrë nuk ka marrë përgjigje meritore, as gjatë kohës së Muhammedit a. s.[23], as më vonë[24], bëri që fenomeni i manifestimit të pamundësisë njerëzore që ta imitojë Librin e shenjtë apo një pjesë të tij në përmbajtje apo formë të emërtohet me termin i’xhaz. Kjo ndodhi vetëm në shekullin III h./ IX gr., duke marrë kuptimin teknik në kuptim të pakrahasueshmërisë mbinatyrore të Kur’anit.[25] Kishte edhe autorë që i’xhazin nuk e identifikonin ekskluzivisht me epërsinë unikate stilistike të Kur’anit kundrejt shkrimeve të tjera, duke e zgjeruar kuptimin e tij, por ky mendim mbeti në pakicë.[26]
El-Bakil-lani në veprën e tij “I’xhaz’ul-Kur’an” pajtohet me unikatësinë retorike të Kur’anit dhe me stilin e tij të shkëlqyeshëm, por shton se i’xhazi shtrihet edhe në njoftimin e tij mbi çështjet eskatologjike, mbi faktin se Muhammedi a. s. ka qenë ummij (analfabet) dhe mbi nadhmin.[27]
Kontribut të konsiderueshëm dhe ndoshta të pakapërcyeshëm deri tash kanë dhënë edhe El-Xhurxhani me Delail’ul-Kur’an[28], Ez-Zamahsheri me El-Keshshaf[29], Ez-Zerkeshi me El-Burhan, dhe Es-Sujuti me El-Itkan, me vërejtjen se dy të fundit nuk kanë sjellë diç kreative në këtë fushë, por kanë ndihmuar që kjo fushë të zhvillohet dhe degëzohet në: ilm’ul-meani, ilm’ul-bejan dhe ilm’ul-bedi’.[30]
b) Qasja bashkëkohore, moderniste . – Mufesirët / komentuesit bashkëkohorë modernistë, nën ndikimin e komentimit shkencor të Kur’anit, i’xhazin e Kur’anit e shohin në anticipimin e zbulimeve shkencore, në atë që quhet pajtueshmëria ndërmjet kozmologjisë kur’anore dhe kozmologjive të pranuara aktuale dhe pajtueshmërive të disa rrëfimeve kur’anore (p. sh. mbi trupin e faraonit[31]) dhe disa zbulimeve bashkëkohore shkencore.[32]
Disa të tjerë, si Reshad Halifa, i’xhazin e Kur’anit e shohin në hulumtimet kompjuterike të Kur’anit. Ky mendon se i’xhazi është në sistemin konzistent kodues matematikor të tekstit të Kur’anit, të bazuar në numrin 19. Ai mendon se ky sistem është dëshmi e mrekullisë kur’anore.[33]
Për ekzegjetët modernë të Kur’anit pajtueshmëria e ajeteve të Kur’anit dhe të shkencës është dëshmi bindëse për vërtetësinë e shpalljes së Muhammedit a. s., sepse ato janë pohuar para katërmbëdhjetë shekujsh dhe vetëm tash po vërtetohen nga shkencat përkatëse.[34]
Ata pohojnë se pikëpamja shkencore e i’xhazit, i cili manifestohet në anticipimin e shumë të vërtetave mbi Kozmosin, jetën dhe njeriun, është më i madh se i’xhazi gjuhësor, sepse i’xhazin gjuhësor e kupton një numër i vogël njerëzish, kurse këtë pikëpamje e kuptojnë thuajse të gjithë: fazat eonike të krijimit të Kozmosit, lëvizjes së trupave qiellorë, pluralitetin e botave, dritën e Diellit, spermatozoidin, vijat e holla të majeve të gishtave, atomi, etj.[35]
Muhammed Abduhu nuk elaboron gjerësisht i’xhazin, por ndalet në faktin se Kur’ani është çudi e papërsëritur si dëshmi e pejgamberisë së Muhammedit a. s.[36]
Mirëpo, në qasjen moderne të i’xhazit kemi dallime në interpretim. Kështu për shembull, Sejjid Kutubi dallon tri veçori të jashtëzakonshme të Kur’anit:
a) Legjislacioni korrekt për çdo kohë (teshri’un salihun li kul-li zemanin);
b) Njoftimi për eskatologjinë (ihbaru an’il-gajbi);
c) Dituri kozmologjike mbi krijimin e gjithësisë (ulum’ul-kewnijjeti fi halk’il-kewni).[37]
Sipas shkencëtarit tjetër të Kur’anit Halefullah Ahmed, i’xhazi i Kur’anit është në porositë e rrëfimeve të tij e jo parësisht në vërtetësinë e këtyre rrëfimeve.[38]
Pas shumë analizave e përsiatjeve Musa Shahin Lashin dëshmitë më ekspresive për i’xhazin në Kur’an i sheh si vijon:
a) I’xhazi i Kur’anit përbëhet në rrëfimet mbi:
- Të panjohurat që kanë ndodhur në të kaluarën janë rrëfimet mbi pejgamberët e hershëm, mbi faraonin, pastaj krijimi i Ademit a. s., rrëfimi mbi popujt e kaluar, mbi rebelimin e popujve kundrejt pejgamberëve dhe dënimet ndaj tyre etj.
- Të panjohurat në të tashmen janë rrëfimet mbi njeriun në përmbrendësen e nënës (“Ne e kemi krijuar njeriun nga palca e tokës. Pastaj e bëjmë pikë fare në një vend të sigurt.”) (El-Mu’minun, 12-13).
- Të panjohurat që do të ndodhin në të ardhmen, siç është rasti me njoftimin se Bizantinët megjithatë do të ngadhënjehen pas disa viteve kundër armiqëve të tyre Persianëve. (“Bizantinët u mundën. Në tokën më të afërt, por ata, pas humbjes së tyre, do të ngadhënjejnë.”) (Err-Rrum, 1-3).[39]
b) I’xhazi i kur’ani zë fill në rregullimin e Kur’anit, sistemin, rendin dhe në të pazakonshmen në të folurit e arabëve. Kur’ani është elokuent, i qartë, ndikon fuqishëm te degjuesit dhe është e pamundur praktikisht të imitohet.[40]
Sipas shkencëtarit Subhi Salih figurat stilistike në Kur’an konsiderohen si dominuese në i’xhazin kur’anor. Ai dallon katër lloje figurash stilistike më ekspresive në Kur’an:
Krahasimi – teshbih’ul-Kur’ani;
Metafora – istiaret’ul-Kur’ani;
Metafora në kuptim të ngushtë – mexhaz’ul-Kur’an;
Metonimia – kinajet’ul-Kur’ani.[41]
Po ashtu, Subhi Salih preokupohet edhe me “pamundësinë dhe pafuqinë e imitimit të Kur’anit në tonalitetin dhe melodinë e tij” (El-I’xhazu fi nagm’il-Kur’ani), duke konfirmuar se muzikaliteti i Kur’anit është ngushtë i lidhur me tematikën e trajtuar. Kështu për shembull, sure të caktuara mbajnë emrin e pejgamberit të caktuar, apo sure të caktuara trajtojnë çështje të caktuara dhe ekuivalent kësaj është edhe tonaliteti i sureve apo ajeteve kur’anore.[42]
Është i pakalueshëm edhe dijetari i madh egjiptian i shekullit XX, Muhammed Ebu Zehreh, i cili i’xhazin e Kur’anit nuk e sheh vetëm në gjuhën e tij, në dimensionin e tij formal apo në përmbajtjen e tij, por edhe në dispozitat, shqyrtimet, argumentimin, ndikimin e tij e të tjera.[43]
Dijetari tjetër modernist tashmë i cekur, Abdulkerim El-Hatib në studimet e tij të i’xhazit, të emërtuara si ‘perceptim i ri’ i tij pohon se ekzistojnë katër pikëpamje të i’xhazit:
1. Kur’ani fletë për të vërtetën absolute (es-sidk’ul-mutlak), duke trajtuar të gjitha reaslitetet universale, religjioze dhe të kësaj bote dhe ua prezenton njerëzisë thelbin e tyre;
2. Toni autoritativ i Kur’anit për shkak të prejardhjes së tij të lartësuar;
3. Kompozicioni dhe stili superior i Kur’anit në prezentimin e formës më të mirë dhe më të përsosur;
4. Shpirtërorja kur’anore (ruhanijjeh), duke përcjellë urdhërin, dispozitën, gjykimin, vullnetin e Zotit.[44]
Edhe autori bashkëkohor Muhammed Ali Es-Sabuni i kushton rëndësi i’xhazit të Kur’anit. Ai mendon se i’xhazi mund të klasifikohet në dhjetë fusha kryesore, disa prej të cilave po i theksojmë në vazhdim:
Rregullimi i shkëlqyeshëm i Kur’anit;
Legjislatura plotësisht e përsosur dhe precize;
Njoftimet mbi të panjohurën;
Pajtueshmëria me shkencat moderne kozmologjike;
Përmbushja e të gjitha gjerave që i ka parapa Kur’ani;
Përfshirja e diturive dhe njohurive etj.
Shumë autorë dhe studime bashkëkohore ndjekin Ali Sabunin.[45]
Mbase më larg prej autorëve bashkëkohorë në analizimin e i’xhazit të Kur’anit ka shkuar Ahmed Izuddin Abdullah Halefullah, i cili në studimin e tij të vëllimshëm dhe mjaft interesant “El-Kur’an jetehadda” (Kur’ani thërret në garim) i’xhazin e shtron nga shumë kënde dhe nga shumë pikëpamje.[46]
Në studimet moderne perëndimore, që nuk janë të pakta, zhvillimet kanë shkuar jo në pikëpamje të estetikës dhe retorikës, por kryesisht në pikëpamje të perspektivës historike të zhvillimit të teologjisë islame, ose të përvojës dialektike të shoqërisë muslimane në zhvillim. Sipas pohimeve të tyre, dogma e i’xhazit të Kur’anit më tepër është zhvilluar si apologji e statusit kanonik të Kur’anit në bashkësinë muslimane se sa si dëshmi e pejgamberisë së Muhammedit a. s.[47] Të rrallë janë ata që i kanë kushtuar rëndësi stilit dhe estetikës kur’anore, ku bën pjesë von Grunebaum, Arthur J. Arrbery e Pickthall. Orientalisti A. J. Arberry Kur’anin e përshkruan si: “ajo simfoni e papërsëritur”, “po ata zëra që njeriun e shpiejnë në lotë dhe ekstazë”.[48]
Mirëpo, trendet më të reja në perëndim, por edhe ndër muslimanët shkojnë në studimin e Kur’anit per se dhe si tekst letrar, për të kuptuarit e thellë të islamit si religjion. Edhe Muhammed Arkun insiston në metodologji dhe qasje tjetërfare, duke shkuar më tej filologjisë, duke transcenduar kriticizmin historik të orientalizmit dhe tradicionalizmin e dijetarëve muslimanë, duke insistuar që gjuha religjioze kur’anore duhet të trajtohet tjetërfare nga gjuhët tjera, me ndihmë të qasjeve moderne semantike dhe strukturaliste në dritën e disiplinave antropologjike dhe socio-kulturore.[49]
PËRFUNDIM
Çështja e i’xhazit të Kur’anit është ndër problemet thelbësore në konceptimin dhe në perceptimin e Kur’anit në tërësi dhe të Islamit si fe në pikëpamjen shpirtërore dhe materiale, vertikale dhe horizontale.
Kur’ani është i jashtëzakonshëm, i veçant dhe tjetërfare nga çdo gjë njerëzore për shkak se Burimi i tij është tjetërfare nga çdo burim njerëzor apo tjetër të shprehjes artistike, prandaj edhe puna në hulumtimet, përsiatjet dhe studimet e Kur’anit nuk kanë përfunduar, siç nuk do të përfundojë i’xhazi i Kur’anit deri në Ditën e fundit.
Trashëgimia e shkruar mbi dhe rreth i’xhazit dhe tehaddisë së Kur’anit gjatë historisë, në kooperim me hulumtimet dhe studimet moderne muslimane, por edhe me ato perëndimore, çështjen e i’xhazit të Kur’anit mund ta shpiejnë përpara në aspekt të të kuptuarit shumështresorë, i cili do t’i shërbejë funskionit të tij në të kuptuarit e kuptimeve dhe dimensioneve polisemike të Kur’anit dhe në të kuptuarit më të drejtë dhe më të plotë të vetë fesë islame.
Literatura:
1. Abduhu, Muhammed, Risalet’ut-tevhid, Sarajevë, 1989.
2. Beltz, Walter, Mitologija Kur’ana – Ceznja za rajem, Zagreb, 1982.
3. Bucaille, Maurice, Biblija, Kur’an i nauka, botimi II i plotësuar, Sarajevë, 2001, fq. _.
4. Deedat, Ahmed, Kur’an najsavrsenija Mu’dziza, botimi III, Sarajevë, 1983.
5. El-Mewdudi, Muhammedi a. s. dhe Kur’ani i shenjtë, Prizren, 1409 h./1989.
6. Hafizovic, Resid, O nacelima islamske vjere, Sarajevë, 1996.
7. Halefullah, Ahmed izuddin Abdullah, El-Kur’an jetehadda, botimi I, Kairo, 1397 h. / 1977.
8. Hejkel, Muhammed Husejn, Hajatu Muhammed, botimi XIV, Kairo, 1977.
9. Ibn Hisam, Poslanikov zivotopis, Sarajevë, 1998.
10. Karic, Enes, Hermeneutika Kur’ana, Zagreb, 1990.
11. Karic, Enes, Kur’ans u savremenom dobu, I-I, Sarajevë,
12. Karic, Enes, Semantika Kur’ana, Sarajevë, 1998.
13. Karic, Enes, Tefsir – Uvod u tefsirske znanosti, Sarajevë, 1995.
14. Kutub, Sejjid, Et-Tasvir’ul-feni fi’l-Kur’an, botimi V, Bejrut, 1399 h./1979.
15. Kutub, Sejjid, Ilustrimi artistik në Kur’an, Shkup, 1996/1416 h.
16. Latic, Dzemaluddin, Stil kur’anskog izraza, Sarajevë, 2001.
17. Mahmud, Mustafa, Kur’an, savremeni pokusaj razumijevanja, Sarajevë, 1981.
18. Mehdiu, Feti, Kur’ani kryevepër – Tekste të zgjedhura, Prishtinë, 1992.
19. Mlivo, Mustafa, Kur’an ispred nauke i civilizacije, Sarajevë, 2001.
20. Muftic, Teufik, Arapsko srpskohrvatski rjecnik, I- II, Sarajevë, 1973.
21. Muftic, Teufik, Klasicna arapska stilistika, Sarajevë, 1995.
22. Nasr. Seyyed Nasr, Srce islama, Sarajevë, 2002.
23. Nasr, Sejjid Husejn, Vodic mladom muslimanu, Sarajevë, 1998.
24. Nebi, Malik Ibn, Kur’anski fenomen, Sarajevë, 1986.
25. Ridvam Fet’hi, El-Islamu vel’-Insan’ul-me’asiri, Kairo, 1975.
26. Esh-Sha’ravi, Muhammed El-Mutevelij, Mu’xhizet’ul-Kur’an, I, Kairo,1981.
27. Tabbareh, Afif Abdulfettah, Ruhu’d-dini’l-islamijj, botimi IX, bejrut, 1972.
28. Yahya, Harun, Kur’anske mu’dzize, Sarajevë, 2001.
29. Welch, Alford, T., Al-Kur’an, Sarajevë, 1986.
30. Zehreh, Muhammed Ebu, El-Kur’an – Mu’xhizet’ul-kubra, Kairo, (-).
Referencat
1. Musa Shahin Lashin, El-Leali’ul-hisan fi ulum’il-Kur’an, Bejda, 1968, fq. 9-10, sipas: Enes Karic, Tefsir –Uvod u tefsirske znanosti, Sarajevë, 1995, fq. 242.
2. Tevfik Muftic, Arapsko-srpskohrvatski rjecnik, pjesa II, botimi I, Sarajevë, 1973, fq. 2171-2173.
Shih kuptimet tjera: Dzemaludin Latic, Stil kur’anskog izraza, Sarajevë, 2001, fq. 43.
3. “Iniminitability, qondrous nature (of the Koran)” në: Hans Wehr, A dictionary of Modern Wrriten Arabic, Bejrut – London, 1980, fq. 592, ssipas: Enes Karic, Tefsir, op. cit., fq. 242.
4. Sipas: The Encyclopaedia of Islam, New Edition, Leiden, 1981, III, fq. 1018, në: Enes Karic, Tefsir, op. cit., fq. 243.
5. Ndër shumë vepra me titull të afërm kemi edhe: Ahmed Izuddin Abdullah Halefullah, El-Kur’an jetehadda, botimi I, Kairo, 1397 h. / 1977.
6. “All-llahu ia mësoi Ademit të gjithë emrat” (El-Kur’an, El-Bekaretu, 31).
7. Mu’xhizja më e madhe e Muhammedit a. s. ishte Kur’ani i urtë.
8. Muhammed Mutevelij esh-Sha’ravi, Mu’xhizet’ul-Kur’an, I, Kairo,1981, fq. 2-22;
Muhammed Ebu Zehreh, El-Kur’an – mu’xhizet’ul-kubra, Kairo, (-), fq. 9- 17.
9. Musa Shahin Lashin, El-Leali’ul-hisan fi ulum’il-Kur’an, op. cit., fq. 243, sipas: Enes Karic, Tefsir, op. cit., fq. 246.
10. “Ne i tham zjarrit: ‘O zjarr bëhu i ftohtë, shpëtim për Ibrahimin.” (El-Enbija, 69).
11. “Kurse ne i komunikuam Musaut: ‘Lëshoje shkopin tënd!’ dhe ai menjëherë i përfshiu të gjitha ato gënjeshtra.” (El-A’raf, 117).
“Ne e frymëzuam Musanë t’i bjerë me shkopin e tij detit, ai u shpërnda dhe çdo anë u bë si mal i madh.” (Esh-Shuara, 63).
12. “… Po ju sjell një argument nga Zoti juaj: do t’ju bëj diçka nga argjili në formë të zogut dhe do t’i fryj, e ai do të bëhet zog i vërtetë me vullnetin e All-llahut. Do t’i shëroj edhe të verbëtit që kanë lindur ashtu …”. (Alu Imran, 49).
13. Seyyed Hossein Nasr, Srce islama, Sarajevë, 2002, fq. 45.
14. Muhammed Husejn Hejkel, Hajatu Muhammed, botimi XIV, Kairo, 1977, fq. 73; El-Mewdudi, Muhammedi a. s. dhe Kur’ani i shenjtë, Prizren, 1409 h./1989, fq. 75.
15. Sipas: The Encyclopaedia of Islam, op. cit., III, fq. 1018.
16. Shkencëtari i madh dhe kontraverz egjiptian, Taha Husejn, kështu e përshkruan Kur’anin dhe poezinë e prozën: “Kur’ani nuk është prozë sikur që nuk është as poezi. Ai është Kur’an dhe nuk mund të emërtohet me emër tjetër përveç kësaj. S’është poezi, e kjo është e qartë, dhe nuk është i kufizuar me normat e poezisë. S’është prozë, sepse ajo është e normuar me rregulla të veçanta … ato janë rregulla të tilla të cilat e lidhin disa prej tyre me skajin e ajetit e disa me notat e veçanta muzikore.”: (-), Hadith’sh-shi’ri we’n-nethri, fq. 25, cituar sipas: Afif Abdulfettah Tabbareh, Ruhu’d-dini’l-islamijj, bot. IX, Bejrut, 1972, fq. 33.
17. A. T. Welch pohon se “karakteristika specifike e stilit kur’anor është e tillë se Kur’ani në tërësi është ose në prozën e rimuar ose në prozën asonante …”. Shih: A. T. Welch, Al-Kur’an, Sarajevë, 1986, fq. 108 (108 – 115).
18. Sipas: The Encyclopaedia of Islam, III, op. cit., fq. 1019.
19. Sejjid Kutub, Et-Tasfir’ul-fenni fi’l-Kur’an, botimi V, Bejrut, 1979, fq, 9.
20. Ibn Hisham, Poslanikov zivotopis, Sarajevë, 1998, fq. 50 - 51: “Për Zotin, në fjalët e tij me të vërtetë ka një ëmbëlsirë të mahnitshme. … Çkado të thoni, do të shihet se nuk është ajo! Megjithatë, do të jetë më së miri që për të të pohohet se është magjistar, se fletë magji me të cilat i ndanë njeriun prej njeriut, burrin prej gruas, njeriun prej familjes së tij.”
21. “Kur e kam dëgjuar leximin e Kur’anit, embëlsira shpirtërore e përqafoi zemrën time, qajta sikur fëmijë dhe menjëherë e pranova islamin.” S. Kutub, Et-Tasfir’ul-fenni fi’l-Kur’an, op. cit., fq. 22. Krhs.: Ibn Hisham, op. cit., fq. 65 – 67.
22. Enes Karic, Tefsir, op. cit., fq. 244 dhe 245.
23. Musejleme Kedhabi gjatë kohës së Muhammedit a. s. provoi të shkruaj diç më të mirë se Kur’ani dhe ndër të tjera shkroi disa vargje, të cilat jo që nuk mund të krahasohen me Kur’anin kuptimisht, strukturalisht por nuk mund të krahasohen as në çështjen ku arabët ishin më të ngriturit, në poezi, rimë, duke rrënuar të gjitha rregullat që deri atëherë i njohte poezia arabe. Ja vargjet e Musejleme Kedhabit, të cituara sipas: Fet’hi Ridvan, El-Islamu vel’-Insan’ul-me’asiri, Kairo, 1975, fq. 213.
El-Filu me’l-filu > Elefanti! Ç’është (ky) elefanti?
Ve ma edrake me’l-filu > Dhe ç’di ti për elefantin?
Lehu dhenbun vebil-un > Ai e ka bishtin e rëndë (trashë)
We hurtumun tavil-un > Dhe foçkën e gjatë!”
24. Shih: Issa J. Boullata, Retoricka interpretacija Qur’ana: I’jaz i srodne teme, sipas: Enes. Karic, Semantika Kur’ana, Sarajevë, 1998, fq. 493.
25. Issa J. Boullata, op. cit., fq. 494.
26. Issa J. Boullata, op. cit., fq. 494-495.
Abdulkerim El-Hattab në disa shkrime të tij në vitet e gjashtëdhjeta, pos aspekteve gjuhësore thekson se efektet psikologjike bëjnë pjesë në i’xhazin kur’anor, jo nga ekspozeu i tij figurativ, por nga totaliteti i unikatësisë së tij retorike. Sipas: Ibid., fq. 497.
27. Dz. Latic, op. cit., fq, 59-60. Gjerësisht: Ibid., fq. 57-64.
28. Ibid., fq. 68-71.
29. Ibid., fq. 72-73.
30. Shih: Issa J. Boullata, op. cit., fq. 499-501. Për zhvillimin historik dhe teorik të kësaj shkence lexo: Teufik Muftic, Klasicna arapska stilistika, Sarajevë, 1995; dhe: Dzemaludin Latic, op. cit.
31. Maurice Bucaille, Biblija, Kur’an i nauka, botimi II i plotësuar, Sarajevë, 2001, fq. 330-333.
32. Mustafa Mlivo, Kur’an ispred nauke & civilizacije, Bugojno, 2001/1422, dhe Harun Yahya, Kur’anske mu’dzize, Sarajevë, 2001.
33. Rashad Khalifa, Qur’an: Visual presentation of the Miracle, (Tuscon, 1982), apo: Ahmed Deedat, Kur’an najsavrsenija mu’dziza, botimi III, Sarajevë, 1983. Ekziston edhe përkthimi shqip. Shih rreth i’xhazit statistiko-linguistik (siç e quan Xh. Llatiq): Dz. Latic, op. cit., fq. 91-95.
34. J. J. G. Jansen, The Interpretation of the Koran in Modern Egypt, Leiden, 1980, fq. 52, sipas: Enes Karic, Tefsir, op. cit., fq. 246.
Edhe Harun Jahja, autor i shkrimeve popullarizuese, po ashtu, pohon se në “kur’an, i shpallur para 1400 vitesh, gjenden fakte të caktuara shkencore deri te të cilat kemi mundur të vijmë vetëm me teknologjinë bashkëkohore të shekullit të njëzet. Shih: Harun Yahya, Kur’anske mu’dzize, op. cit., fq. 9; Krhs.: Mustafa Mahmud, El-Kur’an – muhaveletin li fehmin asrijjin, Kairo, (-).
35. El-Kur’an: Es-Sexhdeh, 4; El-Enbija, 33; Et-Talak, 12; el-Mulk, 3; Er-Rra’d, 2 etj. Shih: Dz. Latic, op. cit., fq. 88-91.
[36] Muhammed Abduhu, Risalet’ut-tevhid, Sarajevë, 1989, fq. 139 – 144.
36. Sejjid Kutub, Et-Tasvir’ul-fenni fi’l-Kur’an, Bejrut, 1979, fq. 16 apo në përkthimin shqip: Ilustrimi artistik në Kur’an, Shkup, 1996/1416 h., fq. 22.
S. Kutbi mendon se ‘ilustrimi artistik’ në Kur’an nuk është dekor stilistik, por metodë e konstituuar, karakteristikë përfshirëse, varianti i përdorur në ngjyrë, lëvizje, zë dhe ton, suaza e angazhuar harmonike dhe renditja artistike, e cila i jep fotografi efektive syve, veshëve dhe ndjenjave, sikur edhe imagjinimit, zemrës dhe mendjes. Ibid., fq. 35, 196-204, 194-195.
37. Sipas: Enes Karic, Tefsir, op. cit., fq. 246.
38. Sipas: Enes Karic, Tefsir, op. cit., fq. 247.
39. Sipas: Enes Karic, Tefsir, op. cit., fq. 248.
Frithjof Shuon pohon: “Një poet arab ka pohuar se mund të shkruaj libër që do t’ia kalojë Kur’anit, duke e kontestuar përsosurinë e tij madje edhe nga pikëpamja e stilit. Mendimi i tillë, i cili është qartë në kundërshti me tezën tradicionale të islamit mund të shpjegohet me paudhëzimin në faktin që përsosuria e librit të shenjtë nuk çmohet a priori në bazë të vlerave të tij letrare; ka shumë tekste me porosi shëirtërore në të cilat qartësia logjike është e pandashme od hsprehja e fuqishme ose përsosurisë së shprehjes e megjithatë për këtë shkak nuk kanë karakter të shenjtërisë. Me fjalë të tjera, Shkrimet e shenjta nuk janë të shenjta për shkak të tematikës që e trajtojnë ose mënyrës në të cilën përpunohen por për shkak të nivelit të frymëzimit, d.m.th. për shkak të prejardhjes hyjnore; kjo është ajo që përcakton përmbajtjen e librit e jo e kundërta. Sikur edhe Bibla, Kur’ani mundet, për mbi Zotin, të fletë mbi shumë gjera të tjera; ai fletë për djallin, luftën e shenjtë, ligjet mbi trashëgiminë e të tjera e që gjatë kësaj nuk humb asgjë nga shenjtëria e tij, deri sa veprat tjera mund të preokupohen me Zotin dhe gjera të laertësuara e që për këtë arsye, megjithatë, nuk janë Fjalë e Zotit.
Për mendimin ortodoks islam Kur’ani nuk është vetëm Fjalë e Zotit e pakrijuar, d.m.th. e amshueshme – e pakrijuar ndonëse shprehet nëpërmjet elementeve të krijuara sikur që janë fjalët, tonet dhe shkronjat - por është edhe shembull par excellence i përsosurisë gjuhësore. Mirëpo, e kundruar nga jashtë, ky libër kuptohet / përveç çerekut të fundit e cila është lartë poetike ndonëse nuk është poezi / sikur përmbledhje të thënieve dhe rrëfimeve pak a shumë të palidhura; …”. (Frithjof Schuon (Isa Nuruddin), Kur’an, në: Enes Karic, Kur’an u savremenom dobu, I, Sarajevë, 1997, fq. 643 – 644.
40. Shih gjerësisht: Subhi Salih, Mebahithu fi ulum’il-Kur’an, botimi V, Bejrut, 1968, fq. 322 – 329. Krhs.: Malik Ibn Nebi, Kur’anski fenomen, Sarajevë, 1986, fq. 208-211.
41. Subhi Salih, op. cit., fq. 334 – 340 dhe suret kur’anore: El-Kijametu, 22-25; Et-Tekviru, 15–18; Kaf, 19; El-Hakkatu, 29 etj.
42. Muhammed Ebu Zehreh, El-Kur’an – mu’xhizet’ul-kubra, op. cit., fq. 67. Shih: Dz. Latic, op. cit., fq. 84-87.
43. Abdulkerim El-Hatib, I’xhaz’ul-Kur’an, pjesa II, botimi II, Bejrut, 1975, fq. 193- 250, sipas: Issa J. Boullata, op. cit., fq. 505-506.
44. Muhammed Ali es-Sabuni, Et-Tibjan fi ulum’il-Kur’an, Mekke, 1390 h., sipas: Enes Karic, Tefsir, op. cit., fq. 250; Krhs,: Issa J. Boullata, op. cit., fq. 495-497.
Autori Fet’hi Ridvan nuk dallon shumë nga autorët e tjerë në klasifikimin e i’xhazit të Kur’anit:
- Stili dhe struktura e Kur’anit;
- Retorika, elokuenca e Kur’anit;
- Çështjet eskatologjike në Kur’an;
- Jokundërthënshmëria në Kur’an;
- Shkencat fetare dhe juridike në Kur’an;
- Pamundësia e kohës në abrogimin e çkado qoftë në Kur’an dhe;
- Saktësia e çështjeve të cilat kanë qenë të panjohura për njerëzit në Kur’an. Shih: Fet’hi Ridvan, El-Islamu ve’l-insan’ul-me’asir, Kairo, 1975, fq. 215 (gjerësisht fq. 203 – 252).
45. Ahmed Izuddin Abdullah Halefullah, El-Kur’an jetehadda, botimi I, Kairo, 1397 h. / 1977, faqe 736. Vepra e tij meriton një kujdes të veçant me çka mendojnë përkthimin e saj së paku pjesërisht, ato kaptina që janë më pak të njohura ndër ne.
46. Sipas: Issa J. Boullata, op. cit., fq. 509.
47. Në: Issa J. Boullata, op. cit., fq. 510.
48. Muhammed Arkun, Lectures du Coran, Paris, 1962. Në boshnjakishte: Kako citati Kur’an, në: Enes Karic, Kur’an u savremenom dobu, I, Sarajevë, 1997, fq. 515 – 542. Në gjuhën shqipe: Feti Mehdiu, Kur’ani kryevepër – Tekste të zgjedhura, Prishtinë, 1992, fq. 127 -160.
Janë tejet interesante përsiatjet e teologut boshnjak R. Hafizoviq rreth Kur’anit në dritën e sophia perennis dhe religio perennis. Resid Hafizovic, O nacelima islamske vjere, Zenica, 1996, fq. 95-150.