Dialogu ndërfetar si imperativ kohe

1. Hyrje



Hedhja e një shikimi më të thellë në doktrinat e feve të mëdha qiellore, judaizmit, kristianizmit dhe religjioneve të tjera, do të vë në pah fundamentin, rrënjën e tyre të përbashkët, nga e cila, ata, më pastaj, degëzohen në forma dhe trajta brenda shoqërisë njerëzore. Kjo sidomos vërehet nëse e krahasojmë judaizmin, kristianizmin dhe islamin. Ky unitet transcendental i feve, të cilën filozofët e quajnë si filozofi të shpalljes (philosophia perennis), kurse mistikët muslimanë si tesavvuf (sufizëm), kaherë i ka bërë kurreshtarë shumë intelektualë të drejtimeve të ndryshme, e natyrisht edhe vetë muslimanët.



2. Islami si model

Allahu i madhëruar së pari e përcaktoi fenë e Tij dhe pastaj, sipas saj, e përshtati krijimin e Ademit (njeriut), i cili këtë fe do ta manifestojë në botën ekzistenciale (alem’ush-shehadeh):

“Përqëndro tërë veten tënde sinqerisht në fenë (të vetmen dhe gjithnjë të vërtetë), i larguar prej çdo gënjeshtre, në pajtim me prirjen natyrore të cilën Allahu e mbjelli te njeriu, duke mos lejuar që ndonjë ndryshim ta prishë atë që Allahu e krijuar ashtu; kjo është feja e drejtë por shumica e njerëzve këtë nuk e dinë.” (Er-Rrum, 30).[1]

Ekziston një fe, e cila është model, sipas së cilës është trajtësuar njeriu, dhe e cila nga këtu është fe burimore, natyrore e njeriut. Me ketë fe çdo njeri lindet sikur me prirjen e tij të lindur, por nga familja dhe mjedisi i tij varet se sa do ta manifestojë korrektësisht në jetën e tij të mëvonshme.

Pasi që krijues, autor i kësaj feje universale është Allahu, është e qartë se kjo është feja të cilën Ai e pranon dhe me të cilën Ai është i kënaqur:

“Feja e pranueshme tek Allahu është Islami ...”. (Ali Imran, 19);
“E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurresi nuk i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.” (Ali Imran, 85).
Islami është feja e Allahut sipas së cilës është krijuar njeriu dhe i cili është gravuar në natyrën e njeriut. Mirëpo, a do të jetojë kështu, varet prej njeriut, sipas hadithit të Muhammedit a.s.:
“Kul-lu mevludin juledu ale’l-fitreti. Fe ebevahu juhevvidanihi ev junessiranihi ev jumexhxhisanihi”, që në përkthim do të thotë:
“Çdo fëmijë lind në fenë e pastër, natyrore (fitreh), kurse prindërit pastaj e edukojnë si hebraik, kristian apo zjarradhurues.”



3. Esenca dhe forma e fundamentit të përbashkët monoteist

Kur’ani nuk e mohon prejardhjen e pastër e hyjnore të Tevratit dhe Inxhilit dhe në këtë muslimanët nuk duhet të dyshojnë. Muslimanët kanë vërejtje në manifestimet historike të këtyre feve që i kanë pasur në historinë e qytetërimit njerëzor.

Islami si fe natyrore e njeriut ka një esencë të pandryshueshme dhe disa forma konkrete historike në të cilat është paraqitur. Forma e islamit që sot e praktikojnë muslimanët është forma përfundimtare dhe e përmbyllur e islamit si fe natyrore e njeriut.

Thelbi i islamit përbëhet nga dy elemente themelore dhe të amshueshme:

1. Tevhidi – monoteizmit të pastër;
2. Dorëzimit dhe nënshtrimit të plotë, të sinqrtë dhe të pakusht kundrejt Allahut;
që nënkuptojnë:

1. Të besohet Një, i Vetmi Allah, që Atij mos t’ia konsiderojmë askend, asgjë dhe në asnjë mënyrë të barabartë, sepse përveç Atij, çdo gjë është krijesë e Tij.
2. Fetë ekzistuese, që sot njihen si judaizmi dhe kristianizmi, në thelbin e tyre, në rrënjët e tyre, nën shtresimet historike njerëzore, kanë formën e vjetër të islamit si fe natyrore e njeriut. Ndërsa fetë tjera, që sot po ashtu ekzistojnë, e që janë rezultat i imagjinatës, rezonit dhe filozofisë së pastër njerëzore, nuk kanë fundament hyjnor dhe nuk posedojnë parime të fesë burimore.



4. Në vend të përmbylljes


Baza e të gjitha feve të mirëfillta është një, e përbashkët, e cila përbëhet nga dy elemente esenciale të islamit si fe natyrore të njeriut: 1. Monoteizmi i pakompromis dhe i saktë, dhe; 2. Dorëzimi dhe nënshtrimi i pakusht i krijesave kundrejt Allahut të madhëruar.

Dallimet ndërmjet të gjitha feve burojnë po ashtu nga dy faktorë: 1. Për shkak të formave diversitive historike të feve, dhe; 2. Për shkak të intervencionizmit njerëzor në shpalljen e Krijuesit.

Element i përbashkët dhe cilësor për afrimin e ndërsjellë të këtyre feve është:

“Thuaju: O Pasues të librit, ejani te një fjalë që është e njëjtë mes nesh dhe mes jush: Të mos adhurojmë, pos Allahut, të mos ia bëjmë Atij asnjë send shok, të mos konsiderojmë njëri-tjetrin zotër pos Allahut! E në qoftë se ata refuzojnë, ju thoni: Dëshmoni pra, se ne jemi muslimanë).” (Ali Imran, 64).

Kërkesa e Allahut që afrimi ndërmjet feve të ndryshme të bëhet në bazë të të vërtetës monoteiste, është fundamentale, sepse monoteizmi është element që e posedojnë të gjitha fetë e mirëfillta, të shpallura, që nënkupton sinqeritetin ndaj Allahut dhe sinqeritetin në raportet e ndërsjella ndërmjet feve. Nën këto kushte nuk duhet të ketë pengesa për koekzistencë, paqë, mirëkuptim dhe tolerancë:

“Ne edhe ty (Muhammed) ta zbritëm (Kur’anin) e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshme dhe garantues i tyre. Gjyko, pra, mes tyre me atë që Allahu e zbriti, e mos pëlqe epshet e tyre e të largohet nga e vërteta që të erdhi. Për secilin prej jush, Ne caktuam ligj e program. Sikur të donte Allahu, do t’ju bënte një popull, por deshi t’ju sproojë në atë që iu dha juve, andaj ju përpiquni për punë të mira. Kthimi i të gjithë juve është te Allahu, e ai do t’ju njoftojë me atë që kundërshtoheni.” (El-Maideh, 48).

Duke u nisur nga pozita e vet në botë dhe nga kërkesta urdhëruese të Kur’anit, muslimanët duhet të jenë të gatshëm për dialog metahistorik dhe historik me të tjerët dhe për njohje reciproke. Pa këtë element, dialogu do të kishte vlera të pjesërishme dhe gjithnjë do të ishte burim latent i moskuptimeve të ndërsjella.[2]


--------------------------------------------------------------------------------

[1] Përkthimi sipas: Muhammed Asad, Poruka Kur’ana, Sarajevë, 1425 h./2004, fq. 617.

[2] Është dëshpëruese se si sillen krerët katolikë në Kosovë, madje edhe ditëve të fundit. Ata s’qajnë kokën për mirëkuptim e tolerancë ndërfetare. Fjalët e tyre janë helm dhe i shërbejnë një lufte ndërfetare e ndërqytetare. Ata pa kurrfarë skrupulli gënjejnë, falsifikojnë dhe vajtojnë për “Nënë Serbinë” që nuk e kanë nën kulmin e njëjtë. Këta edhe nuk bëjnë tjetër por vazhdojnë rrugën e Pjetër Bogdanit, i cili në bashkëpunim me serbët dhe të tjerët përpiqet t’i konvertojë (lexo: zhdukë) shqiptarët muslimanë, kurse Kosovën ta quajë Serbi.

Megjithë dëshpërimin tim, e çmoj sinqeritetin (sic!) e tyre dhe guximin (sic!) e krerëve katolikë që e shprehin atë që e ndiejnë në shpirt: urrejtjen patologjike ndaj muslimanëve. Ju lumtë! Keni të drejtë, sepse kështu ka vepruar edhe Pjetër Bogdani: Ka gëzuar lirinë e plotë të veprimit brenda shtetit islam osman dhe ka luftuar me mish e shpirt kundër tyre.

Në vazhdim do të japim shkëputje nga fjalët e tyre që i deklaruan në Komitetin e Kongresit Amerikan, në maj të vitit 2005 (të cilat i solli edhe Mexhid Uvejsi):

1. Imzot Mark Sopi, Ipeshkv i Kishës Katolike në Kosovë tha:
"Të nderuar zotërinj kongresmenë! Shqiptarët katolikë të Kosovës e pranuan krishterimin prej Shën Palit dhe nxënësve të tij. Katolikë kanë qenë edhe myslimanët e Kosovës, por gjatë sundimit otoman-turk me kohë zgjatje prej pesë shekujsh, gradualisht kaluan në islam. Shumë prej tyre sot kanë nostalgjin për fenë e të parëve, krishterimin, dhe nuk është një çështje e vështirë prapë të kthehen në të, sepse sot kemi këso raste të tilla të konvertimit dhe ky fenomen po rritet dita-ditës. Duhet t'u ndihmohet në këtë ndërgjegjësim fetar…".

2. Dr. Don Lush Gjergji, Famulltar dhe Vikar Gjeneral i Kishës Katolike në Kosovë, tha: "Tek ne shqiptarët në Kosovë historikisht dhe aktualisht, kryesisht, kemi dy fe, krishterimin dhe islamizmin. Krishtërimi ndër shqiptarë, për rrethana më tepër politike, shoqërore dhe kulturore, se sa fetare, u nda në dy kisha motra, Kisha katolike dhe Kisha ortodokse, tani ka edhe disa bashkësi protestante. Islamizmi po ashtu ka dy degë apo drejtime: myslimane dhe bektashiane. Sot, çdo shqiptar për ta kuptuar vetveten, historinë, traditën, kulturën, gjuhën, letërsinë e vjetër, por edhe atë evropiane dhe botërore, doemos takohet me faktin e krishterë. Kjo na bën "të dalluar" për mire nga të tjerët, që edhe vëllezërit tanë të islamizuar, së bashku me ne, të jemi prokristianë, proevropianë, proamerikanë, sepse gjeografikisht, historikisht, kulturalisht, me shekuj edhe fetarisht jemi të krishterë…"

3. Dr. Don Shan Zefi, Kancelar Ipeshkvnor e Kryetar i Gjyqit Kishtar, tha:

"Me invazionin e pushtimit turk të provincave shqiptare në shek. XV, popullata e krishterë (katolike) pësoi tragjedinë më të errët në historinë e saj fetare e kombëtare, që ka lënë pasoja të thella apo labile për krishterim: imponimin e islamizimit të dhunshëm…Dhe së fundi mund të thuhet se Kisha Katolike te shqiptarët në Kosovë e kishte vazhdimësinë e saj historike, ndërsa Kisha Ortodokse Serbe dhunshëm vendoset nga Serbia në Kosovë, pikërisht siç nguliten më vonë edhe turqit me xhamitë e tyre, që së bashku me serbët, rrënuan e përvetësuan kishat e hershme shqiptare…". Sipas: Gazeta e përditshme Bota Sot, Prishtinë, 30 maj 2005, fq. 5 dhe 8, dhe 1 qershor 2005, fq. 8. Për këtë shkroi edhe Mexhit Uvejsi

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme