
1. Hyrje
Sulmet mbi interesat amerikane në SHBA dhe në pjesë të tjera të botës, pastaj sulmet mbi interesat e aleatëve amerikanë sikurse në Spanjë në vitin 2004, dhe vende tjera, gjatë viteve të fundit, hapi polemika dhe diskutime akademike e politike rreth çështjes së përkufizimit dhe perceptimit të terrorizmit. Këtë temë e trajtuan RTV-të e ndryshme botërore dhe lokale, për të u shkrua nëpër gazeta, revy e revista dhe u shkruan libra të tëra, kryesisht nga autorët perëndimorë[2], por edhe nga ndonjë muslimanë[3]. Në pjesën më të madhe të këtyre veprave Islami dhe muslimanët vendosen në shtyllën e turpit, si fe dhe popull terrorist. Të paktë janë autorët perëndimorë që shkruajnë nga pozicionet neutrale.[4] Shumica e autorëve perëndimorë fare nuk e njohin frymën e mësimit islam, respektivisht ata e njohin islamin por e shfrytëzojnë klimën e përshtatshme politike për t’i dhënë goditje të re muslimanëve, goditje psikologjike e pastaj ekonomike, politike, kulturore, industriale e edhe ushtarake, duke përdorë shprehje militante si kryqëzatë e re, bosht i së keqes etj.. Fakti se më 11 nëntor 1918, kur përfundoi Lufta e Parë Botërore nuk ka ekzistuar asnjë vend apo popull i pavarur muslimanë[5] dhe se kjo gjendje ka vazhduar në forma tjera edhe deri sot, pra nën kolonializmin evroperëndimor, fletë mjaft për klimën ekzistuese dhe për burimet potenciale të terrorizimit. Meqë termi terrorizëm është i vonshëm dhe në përdorim hyn pas Revolucionit francez më 1789, doktrina e hershme islame këtë term nuk e njeh. Për këtë arsye, do të përpiqemi që me metodë reverzibile dhe me metoda të kombinuara, të japim shenjë në indikatorët e terrorizimit në mësimet joislame dhe islame. Jemi të vetëdijshëm se në këtë shkrim nuk mund të hyjmë në analizimin e hollësishëm të problemit dhe se disa çështje fare nuk do të preken, as nuk do të gjejnë përgjigje.[6] Kjo mbetet të bëhet në studime të specializuara.
2. Fillet e terrorizmit
Edhe pse fjala terrorizëm kuptimin e vet e merr nga francezët, në fund të shekullit XVIII, Dejvid Rapupert si grupime të para terroriste përmend Zealotët (hebraikët të cilët kundërshtonin pushtetin bizantinas) në Palestinë, Fedainët e Hasan Sabbahut (muslimanë) dhe Tagotë, duke shtuar se këto grupime kanë qenë edhe më destruktive se sa grupimet terroriste aktuale.[7] B. Luis mendon se në historinë islame pararendës të terrorizmit modern janë fidajinët (nga kundërshtarët e tyre të quajtur asasinë, nga fjala arabishte hashishijjeh – përdorues të hashishit), të cilët vepruan nga shekulli XI-XIII. Si shprehje fjala fedajin hyri sërish në përdorim gjatë luftës së II botërore në Iran e Siri. Mirëpo, deri sa për asasinët / fedajinët e dikurshëm është thënë se janë larg mësimeve autentike islame, për trashëgimtarët e tyre në kohën tonë kjo nuk mund të thuhet.[8] Në anën tjetër, autori turk Harun Jahja mendon se rrënjët e terrorizmit janë në botëkuptimin materialist të botës, i cili vetëm gjatë shekullit XIX-XXI ka ‘prodhuar’ ideologji dhe sisteme vandaliste, shkatërruese sikur racizmi, fashizmi, komunizmi dhe pikëpamje tjera barbare dhe konfliktuoze. Zgjidhja e këtij problemi qëndron, ndër të tjera, në: - Refuzimin e arsimimit darvinisto-materialist, i cili paraqet burimin parësor të terrorit dhe: - Arsimimin e rinisë sipas programit shkencor në pajtim me të vërtetat shkencore dhe me arsimimin edukativ e fetar.[9] 3. Domethëniet e fjalës terrorizëm Fjala terror është me prejardhje latine që do të thotë: tmerr, frikë dhe drojë, qeverisje me frikësim, dhunë politike, që hyri në përdorim menjëherë pas revolucionit francez më 1789-1794.[10] Pas kësaj kohe, fjala terrorizëm hynë edhe në vendet tjera të botës. Në të drejtën ndërkombëtare ky nocion përdoret në Konferencën mbi ndërkombëtarizimin e të drejtës penale të organizuar në vitin 1930 në Bruksel të Belgjikës[11], për t’u tradicionalizuar gjithnjë e më tepër në fjalorin juridik dhe politik etj. Varësisht nga këndi i përdorimit dhe eksplorimit të fjalës, kemi edhe përkufizime të shumta. Kështu, një analitikë perëndimor terrorizmin e përkufizon si “përdorimi i forcës mbi caqet e rastit, rastet civile, me qëllim të frikësimit dhe provokimit të frikës së përgjithshme te njerëzit, e me qëllim të sendërtimit të disa caqeve politike.”[12] Një përkufizim tjetër pohon se “Terrorizimi paraqet kërcënimin, dhunën dhe veprimet, luftën e dhunshme, synimi i së cilës në fazën e parë është nxitja e frikës”[13], kurse një tjetër pohon se “Terrori është krim kundër njerëzimit. … Terrori në vetvete nuk është vetëm një krim; në të përfshihen pesë krime të tjera. Një terrorist kryen krim kundër Krijuesit, kundër njerëzimit, kundër individëve të vacantë ndaj të cilëve është adresuar terrori, kundër vetvetes dhe kundër komunitetit pjesëtar i të cilit është.”[14] Organizata e Kombeve të Bashkuara problemin e terrorizmit e ka trajtuar vetëm në vitin 1972, kur formoi një Komitet të veçantë për çështjet e terrorizmit, i cili gjatë viteve vijuese e shqyrtoi problemin e terrrorizmit, përkufizimin, motivet, caqet etj. Ky Komitet më 1979 dha një raport, duke mos ofruar ndonjë përkufizim konkret të terrorizmit. Këshilli i përgjithshëm i KB gjatë viteve të 70-ta të shekullit XX, nëpërmjet komiteteve të ndryshme, nuk specifikon kuptimet e terrorizmit, por megjithatë bën dallimin ndërmjet terrorizmit dhe aktiviteteve të caktuara në planin e sendërtimit të të drejtave në vetëvendosje mbi fatin e vet. As deri në vitin 1989 OKB-a nuk arriti koncensus rreth definimit të terrorizmit.[15] Edhe vendet islame e kanë përkufizuar terrorizmin. Konventa e Organizatës së Konferencës Islamike mbi terrorizmin pohon: “Me terrorizëm nënkuptohet çdo vepër e dhunshme apo kërcënuese e cila, pa marrë parasysh synimet dhe motivet e kryesve të tij, paraqet plan kriminal të individit apo grupit, me synim të nxitjes së frikës dhe kërcënimit ndaj njerëzve, dëmtimi, rrezikimi i jetërave, nderit, lirisë, sigurisë dhe të të drejtave ose kërcënimit me dëmtimin e mjedisit, të të mirave dhe pasurisë së përgjithshme dhe private të njerëzve, me qëllim të frikësimit, përvetësimit, rrezikimit të disa prej resurseve nacionale apo infrastrukturave ndërkombëtare, ose kërcënimi i stabilitetit, integritetit territorial, unitetit politik ose suverenitetit të shteteve të pavarura.”[16] Ndonëse komitetet e caktuara të OKB-së, e kanë konsideruar legale luftën çlirimtare të atyre popujve të cilët janë okupuar nga agresioni i shteteve të tjera, viteve të fundit po vërehet qartë se si vija e ndarjes së kësaj lufte, luftës çlirimtare dhe terrorizmit dal nga dal po humbet. Kjo është për shkak se fuqitë e mëdha botërore kanë standarde të ndryshme, varësisht nga interesat e tyre politike dhe ekonomike.[17] Këtë e thekson qartë edhe Paul Findley, amerikan, autor i disa veprave dhe aktivist i të drejtave të njeriut: “Këto standarde të dyfishta ushqejnë stereotipin më të përhapur dhe më të turpshëm për Islamin. Është fjala për stereotipin që i lidh muslimanët me terrorizmin. … jam i ndërgjegjshëm se përhapja e stereotipeve dhe imazheve të rreme u shërben interesave të ngushtë fanatikë.” [18]
4. Islami dhe terrorizmi
Fjala terrorizëm nga Franca kaloi edhe në gjuhët dhe vendet tjera, e madje edhe në gjuhën arabe. Kështu në gjuhën arabe kemi disa shprehje për të përcaktuar dukurinë e terrorizmit: ihrab, fetk, guluv etj. Fjala irhab (إرْهاب) domethënë frikësim, tmerrim, kërcënim, dhunë politike dhe nuk e gjejmë në literaturën islame përveç kohëve të fundit. Në Kur’an dhe Sunnet e hasim fjalën tarhib, e cila do të thotë nxitje e frikës dhe ka karakter prevencioni.[19] Në Kur’an thuhet: “Dhe kundër tyre përgatitni sa të mundeni forcë e kuaj për betejë, që t’i tmerroni me këtë armiqët e Allahut dhe të tuajit edhe të tjerët. …”. (El-Enfal, 60). Pra, frikësojini armiqtë tuaj me forcën mbrojtëse në mënyrë që ata mos të marrin guxim t’ju sulmojnë juve. Sipas kësaj, termi tahrib nuk mund të identifikohet me terrorizmin. Edhe shprehjet tjera si fetk, guluv dhe muharib janë shprehje që refuzohen tërësisht. Fetk فتكٌ- - në gjuhën arabe përcakton mbytjen nga prita, mbytjen neveritëse[20], e kjo është vepra e papranueshme nga aspekti islam. Në Kur’an nuk gjejmë ndalesë shprehimore të kësaj dukurie, por këtë e gjejmë në Sunnet të Pejgamberit a.s., që në përkthim të përfolur do të ishte: “Besimi nuk lejon dhunën, besimtari nuk mbyt në prit.”[21] Në një transmetim tjetër të Pejgamberit a.s. theksohet se fetk është një prej shenjave të Fundit të kohës (ahiri zemanit). Ai thotë: “Kur isha në Mi’raxh, pashë diçka dhe pyeta: Ç’është kjo? M’u tha: “Këto janë shenjat e Fundit të kohës.” Kam pyetur se kur do të ndodh kjo?”, në çka ka marrë përgjigje: “Fundi i kohës do të bëhet atëherë kur dija dhe dituria nuk do të dominojnë në shoqëri … dhe kur injorantëve t’i krijohet mundësia e veprimit dhe kur të rritet numri i vrasjeve nga prita.” Sikur që mund të përfundohet nga përvoja e Muhammedit a.s. dhe e shokëve të tij, Islami nuk e pranon kurrsesi fetkun, terrorin, vrasjen nga prita. Fjala guluv – غُلُوٌّ - mund të konsiderohet sinonim i fjalës fetk. Në Fjalorin El-Munxhid guluv ka këto domethënie: gënjim, mashtrim, dinakëri, mbytje e befasishme, terror, terrorizim.”[22] Në fjalorin e Larosit guluv domethënë: mashtrim, dinakëri dhe vrasje e papritur.”[23] Në fjalorin e T. Muftiqit fjala guluv domethënë: tejkalim, teprim, stërmadhim, atak, etj. [24] Mund të përfundohet se fjala guluv deri diku ka përmbajtjen e terrorit, kurse kjo dukuri ndalohet me Islam. Kemi edhe fjalën muharib, e cila do të thotë frikësim të hapur të njerëzve me armë me qëllim të nxitjes së rrëmujës dhe prishjes së rendit. Në përkufizimin e këtij nocioni përdoret fjala nas (njerëzit), qoftë muslimanë apo jomuslimanë, dhe nëse dikush e përdorë këtë lloj frikësimi të muslimanëve apo jomuslimanëve, konsiderohet muharib.[25] Kuptimi i fjalës muharib, si sinonim i el-mufsid fi al-ard (ai që bën rrëmujë të Tokë), ka përputhshmëri me nocionin terror. Në bazë të kësaj, terroristi është muharib, kurse Kur’ani është qartë e përkufizon dënimin për këtë vepër: "Merita e atyre të cilët bëjnë luftë kundër Allahut dhe të dërguarit e Tij dhe që bëjnë çrregullime në tokë, është: të vriten ose të gozhdohen, ose t’u priten duart dhe këmbët tërthorazi, ose të përzihen prej andej. Ajo është poshtërim në këtë botë, kurse në botën tjetër i pret dënim i madh." (El-Ma’ideh, 33). [26] Është e qartë se Islami kundërshton ashpër dhe përcakton dënime të rrepta për format e ndryshme të dhunës dhe nuk mund të flitet për Islamin si sponzorues të dhunës. Pohimet e tilla nga qarqe të caktuara janë qëllimkëqija dhe me prapavijë fetare dhe politike.
5. Islami është fe e paqës dhe sigurisë e jo fe e dhunës dhe vrazhdësisë
Islami do të thotë paqë, siguri, vendosje të paqës dhe afërsisë ndërmjet njerëzve. Në Kur’an paqja, qetësia përmenden në mbi 100 raste, kurse lufta përmendet vetëm në disa ajete, që do të thotë se paqja është rregull, kurse lufta përjashtim. Nga ana tjetër, Pejgamberët e Zotit, në praktikimin e misionit të tyre pejgamberik përdorin metodat e përshtatshme në pajtim me natyrën njerëzore, sikur që Kur’ani thekson fjalët e Allahut xh. sh.: “Thirr në rrugën e Krijuesit tend me urtësi dhe këshillime të mira dhe diskuto me ata në mënyrë më të mire!...”. (En-Nahl, 125). Madje, kjo metodë praktikohet edhe me rastin e dhunuesve, kriminelëve të rëndë, sikurse janë Faraoni dhe Nemrudi te Musai dhe Ibrahimi a.s.[27] prandaj, konstatohet se Islami përdorë parimin dhe bazën se Islami bazohet në paqë, dhe se në misionin e tij përdorë metoda të ndryshme paqësore e jo menjëherë metoda të dhunshme. Forma e dhunshme, një aspekt i xhihadit, është masa e fundit që e rekomandon Islami. Por, edhe kjo formë e xhihadit, dallon themelësisht nga terrori dhe terrorizmi. Juristët islamë po ashtu dallojnë xhihadin parësor, ofansivë dhe xhihadin mbrojtës, defansiv. Gjatë historisë islame kemi të dy këto forma të xhihadit.[28] Islami afirmon parimin se siguria është një nga parimet themelore të jetës njerëzore dhe faktor i domosdoshëm në zhvillimin dhe përparimin e jetës në përgjithësi. Vetë Qabja është vend i sigurisë: “Dhe tempullin e Qabes e bëmë vendtubim dhe vend të sigurt për njerëzit. …”. (El-Bekaretu, 125). Islami këtë siguri e kërkon edhe për çdo shtëpi dhe komunitet dhe është në kundërshtim të rreptë me ata që e thejnë sigurinë në shoqëri, bëjnë dhunë dhe krijojnë përçarje. Për këtë arsye, në islam dhe shoqërinë muslimane, nuk ka vend për terror dhe terrorizëm. Edhe jomuslimanët, sikurse Inajat I. Lalani, theksojnë se “historianët kanë vënë re, në mënyrë sporadike, por me një rregullsi të mahnitshme, se, në përgjithësi, sunduesit muslimanë kanë qenë më të informuar dhe u kanë siguruar subjekteve jomuslimane një mbrojtje më të madhe ndaj diskriminimit dhe shtypjes se, për shembull, pushtuesit e krishterë deri në fillim të shekullit XVIII.” [29]
6. Islami është fe e nderit, fisnikërisë, virtyteve të shpirtit njerëzor dhe drejtësisë
Allahu e krijoi njeriun, e begatoi me fisnikëri, nder dhe dinjitet dhe e ngriti në pozitë të përfaqësuesit të Tij në tokë, mbi të gjitha qeniet tjera. Për këtë arsye, krahas të tjerave që u theksuan, Islami është fe e humanitetit në kuptim të plotë të fjalës. Në Islam njeriu është në qendër të vëmendjes dhe asnjë fe, doktrinë apo filozofi nuk e respekton njeriun më shumë. Nga ky shkak, askujt nuk i lejohet ta përdhosë shenjtërinë e gjakut dhe të jestës së njeriut. Islami pengon njerëzit të synojnë mbytjen e tjetrit dhe pengon edhe të gjitha rrugët që shpiejnë deri aty. Po ashtu, Kur’ani vlerëson se mbytja e një njeriu ka vlerën e mbytjes së tërë njerëzisë, për të parandaluar çfarëdo përpjekjeje: “… nëse dikush mbyt dikë, i cili nuk ka mbytur askë, ose nuk ka bërë në tokë turbullira – sikur ka mbytur tërë njerëzinë …”. (El-Maideh, 32). Drejtësia dhe sjellja e drejtë është cilësi hyjnore e baraspeshës kozmike në të cilën bazohet, ekziston dhe vazhdon bota dhe jeta. Zoti është i drejtë dhe islami është i drejtë dhe drejtësi. Kur’ani pohon se drejtësinë duhet ta pranojmë si ideal moral.[30] Zoti iu urdhëron njerëzve të bëhet të drejtë njëri ndaj tjetrit: “Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.” (En-Nahl, 90); dhe që duke gjykuar ndërmjet dy njerëzve të bëhen të drejtë: “Allahu ju urdhëron që t’u jepni amanetin të zotëve të tyre dhe kur të gjykoni, ju urdhëron të gjykoni me të drejtë mes njerëzve. Sa e mirë është kjo që ju këshillon. Allahu, dëgjon dhe sheh si veproni” (En-Nisa, 58); sepse Ai i don ata që gjykojnë drejtë: “Ne u caktuam atyre në te kundërmasat ndëshkuese: njeriu për njeriun, syri për syrin, hunda për hundën, veshi për veshin, dhëmbi për dhëmbin, por edhe plagët kanë kundrmasë…. ” (El-Maideh, 45). Në rrafshin shoqëror të jetës së njeriut drejtësia paraqitet si parim nga i cili nuk heqet dorë, si interes dhe synim i lartë. Andaj, besimtarët miratojnë drejtësinë madje edhe kur ajo është kundër tyre, kundër prindërve të tyre, familjeve dhe farefisit të tyre pa marrë parasysh në statusin e tyre ekonomik, social apo politik. Heqja dorë nga drejtësia bëhet vetëm në rastet përjashtuese dhe atëherë ajo konsiderohet si virtyt më i lartë: “Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju, e nëse duroni pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë”. (En-Nahl, 126). Drejtësia në shoqëri paraqitet në disa relacione: relacioni i njeriut ndaj njerëzve të tjerë - individëve; relacioni i njeriut ndaj Bashkësisë, të Bashkësisë ndaj individit, të Bashkësisë ndaj bashkësisë, të njeriut ndaj natyrës etj. [31] Kur muslimanët lidhin kontratë me njerëzit e feve tjera, ata duhet t’i përmbushin angazhimet e tyre deri në fund dhe të jenë të sinqertë ndaj tyre, sepse është kërkesë e drejtësisë.[32]
7. Përfundim
Islami dhe terrorizmi janë dy antipode, dy koncepte të kundërta për nga natyra e tyre e brendshme dhe e jashtme. Kjo mund të provohet si nga burimet Islame, Kur’ani dhe Suneti, ashtu edhe nga historia muslimane e frymëzuar me Islam. Rastet që në historinë muslimane përmbajnë elemente dhune, terrori e jopaqeje, nuk janë islame dhe nuk bartin shenjën e Islamit, por momente të dobëta, përdhosëse për Islamin nga muslimanë të caktuar. Me porosinë se “në islamin e vërtetë terrorizmi nuk ekziston” [33] autori turk Fethullah Gylen ishte i qartë se Islami dhe terrorizmi nuk mund të vehen në një balancë. Islami afirmon parimet e paqës, sigurisë, drejtësisë dhe të vlerave njerëzore. Çastet e liga të muslimanëve janë perceptim i gabueshëm i burimeve islame, apo vlerësim i gabueshëm i rrethanave historike, sociologjike, kur muslimanët nga padrejtësia ndaj tyre fillojnë të bëjnë padrejtësi ndaj të tjerëve. Mirëpo, këto veprime të këtyre komuniteteve të caktuara kurrë nuk janë aprovuar nga dijetarët muslimanë dhe populli muslimanë dhe paraqesin vetëm një episodë jo të suksesshme. Analisti amerikan P. Findley pohon se “ndër të tre fetë monoteiste, historianët mund të zbulojnë se historia e tolerances fetare së muslimanëve është më pak e njollosur nga të tjerat.” [34] Mirëpo, kemi edhe faktin kur dijetarë e politikanë jomuslimanë ndërrojnë tezat dhe në vend që të merren me shkaqet e dhunës, merren me pasojat dhe në këtë mënyrë manipulojnë me masat e tyre dhe me opinionin botëror[35] dhe eksploatojnë sinqeritetin e tyre për nevoja politike, ekonomike, kulturore, fetare etj.[36] Të këtillët, për t’i arsyetuar shtypjet dhe eksploatimet e vendeve muslimane, çdo vetëdijësim dhe rezistencë të muslimanëve kundër synimeve të tyre, pastaj mësimet islame dhe muslimanët përpiqen t’i paraqesin si burim dhe frymëzim të terrorizmit, por edhe rendin botëror të bazuar në shtetet nacionale duan ta fragmentarizojnë në emër të megaterrorizmit, për të krijuar përshtypje se rendi botëror aktual nuk është në gjendje të vazhdojë jetën pa bashkime të reja politike, të afta për administrime globale, sipas modelit të imponuar amerikan, dhe me këtë t’i japin arsyetim angazhimit politiko-ushtarak të tyre.[37] Për këtë arsye, para atyre që e dojnë të vërtetën shtrojmë se burimet dhe frymëzimin e terrorizmit duhet kërkuar në padrejtësitë fetare, politike, ekonomike, sociale, kulturore ndaj muslimanëve, e jo në dëshirën e muslimanëve që të jetojnë të pavarur, sovranë dhe të barabartë me popujt dhe vendet tjera në këtë Tokë, për të gjithë e jo vetëm për njerëz dhe komunitete të caktuara, të “zgjedhur nga lartë”.[38] Fillimi i mileniumit të tretë duhet të sjellë atmosferë më të favorshme për marrëdhëniet ndërfetare dhe ndëretnike në botë dhe veçanërisht në SHBA. Mendohet se intoleranca antimuslimane aktuale më e fuqishme është në Amerikë dhe origjinën e ka në Amerikë.[39] Andaj edhe këtu, pikërisht në Amerikë duhet filluar me ndryshime. Botës perëndimore në veçanti, por edhe botës muslimane duhet bërë të ditur se:
1. Duhet përkrahur dhe ndihmuar zhvillimin e vlerave të mirëfillta islame, i cili paraqet fenë e dashurisë, miqësisë dhe vëllezërisë. Mësimet islame i kundërvihen vazhdimisht dhunës mes njerëzve dhe dhunës ndërmjet njerëzve dhe botës ku jeton, të prezantuar në idenë e Allahut të vetëm, i cili i vetmi meriton nënshtrimin dhe shërbimin absolut. Shekullarizimi i vendeve muslimane dhe imponimi i vlerave perëndimore me çdo kusht do të arrijë efekte negative;
2. Burimi i terrorit dhe terrorizmit është në injorancë dhe fanatizëm, kurse rrugëdalja nga kjo gjendje është edukimi dhe arsimimi. Nëse SHBA-të sinqerisht duan ta luftojnë terrorizimin, atëherë një përqindje e vogël e mjeteve të shpenzuara për luftë do të arrinte efekte shumë pozitive;
3. Nëse SHBA-të dhe aleatët e saj duan paqë, e jo terrorizëm, atëherë pjesëmarrja në punë sikur edhe në fitim duhet të jetë afërsisht e njëjtë si për jomuslimanët ashtu edhe për muslimanët. Gjendja e tanishme ku territorialisht vetëm 5 %, e me banorë edhe më pak, të vendeve muslimane bëjnë pjesë në vende të zhvilluara duhet të ndryshojë.
4. Perëndimi duhet të largohet nga klithma eskatologjike paliane “Çdo gjë duhet të shkojë nën kokën e Krishtit!” (Ef.,1 ,19), për të sendërtuar në histori ëndërrat biblike, pa pyetur çmimin e këtij angazhimi.
5. Terrorizimi duhet të komentohet dhe nxirret nga burimet e veta të mirëfillta shoqërore dhe historike, nga situata në të cilën gjendet njerëzia bashkëkohore. Kurse kjo botë është botë e teknologjisë agresive, në të cilën bazohet çdo gjë që sot në botë domethënë forcë, pushtet dhe influencë. Nga këto raporte krijohet, lind frustrimi dhe reaksioni dhe ajo që pason. 6. Kundër ideologjive të shumta ateistiko-materialiste perëndimore dhe lindore duhet përgatitur programe afatgjate edukativo-arsimore dhe kulturore autoktone. Tendencat për një reformim të islamit të tipit evroperëndimor apo për një evroislamizëm janë dështim që në start. [40]
7. Sistemet informative elektronike dhe të shkruara jomuslimane dhe muslimane duhet të angazhojnë profesionalistë muslimanë në paraqitjen e drejtë të islamit, si në emisione informative, ashtu edhe në ato dokumentare e shkencore.
8. Amerika, por edhe shtetet evropiane e të tjera, përkundër përqindjes së konsiderueshme të muslimanëve në shtetet e tyre, nuk kanë ndërmarrë asgjë që muslimanët të angazhohen në aparatin shtetëror në nivele dhe forma të ndryshme, si ligjvënës apo ekzekutiv, edhe si përfaqësues të muslimanëve por edhe si interpretues dhe demonstrues të islamit.
9. Muslimanët duhet ta identifikojnë veten dhe Islamin në publik e të kërkojnë mënyra për t’u paraqitur jomuslimanëve të vërtetën mbi besimin e tyre. Kjo do të bëhej nëpërmjet reagimeve dhe korrigjimeve dhe duke prezantuar pikëpamjet afirmative, të pranuara nga të gjithë. Këtë duhet bërë në çdo rast e jo vetëm pas incidenteve të ndryshme. Shembulli i mire i muslimanëve të identifikuar si muslimanë do të ndikojë pozitivisht. Një shembull tipik është që meshkujt të ndekin rregullat islame, kurse femrat muslimane të veshen sipas rregullave islame. [41]
10. Muslimanët duhet ta mbrojnë fenë islame fuqishëm dhe haptazi nga muslimanët e pandërgjegjshëm. T’i theksojnë keqinterpretimet dhe keqkonceptimet. Nëse ndodh që muslimanë të caktuar të bëjnë ndonjë veprim vandalist, muslimanët tjerë duhet ta ngrejnë zërin kundër tyre, ta gjykojnë dhe qortojnë rastin. Sepse, heshtja e muslimanëve me këtë rast do të komentohet nga jomuslimanët si miratim i vandalizmit.[42] Të gjithë duhet ta kuptojmë se imazhet e shtrembëruara mbi islamin dhe muslimanët paraqesin një sfidë komplekse, të cilat kërkojnë angazhim këmbëngulës të të gjithëve, e sidomos të shoqërisë amerikane dhe evropiane. Gjendja aktuale antiislame në evroperëndim është një sëmundje globale e bazuar në ligje të sëmura dhe e udhëhequr nga paniku dhe histeria, ndërsa e motivuar për interesa sunduese dhe ekonomike.
Literatura:
1. Abdulkerim Zejdan, Individi dhe shteti në sheriatin islam, Prizren, 2000.
2. Abdurrahman Hasan Hanbekete El-Mejdani, El-Ahlak’ul-islamijjetu we ususuha, pjesa I, botimi VI, Damask, 1423 h./2003.
3. Bernard Lewis, Kulture u konfliktu, Sarajevë, 2002. 4. Bernard Luis, Kriza islama – Sveti rat i svetovni terror, Beograd, 2004.
5. Dituria islame – revistë mujore islame, nr. 174-175/2005, Prishtinë.
6. Dzevad Hodzic, Uvod u islamsku etiku, Sarajevë, 1999.
7. El-Kur’an në përkthimin shqip.
8. Ergyn Çapan, Një vështrim islam mbi terrorin dhe sulmet vetëvrasëse, Tiranë, 2004.
9. F. W. Engdahl, Stoljece rata, Zagreb, 2000.
10. Grup autorësh, Ka carstvu dobra ili apokalipsi, Beograd, 2003.
11. Grup autorësh, Senka Rima nad Vasingtonom, Beograd, 2002.
12. Harun Yahya, Islam proklinje terror, Sarajevë, 2003.
13. http://www.ibn-sina.net/zv/znakovi_tekst.asp?tekst_id=226&broj_id=14.
14. http://www.novihorizonti,com/test/tekst/asp?ArtikallD=1259.
15. Ibn Kethir, Hafiz, Kazivanja o vjerovjesnicima, Zenicë, 1420/1999.
16. Islamski fundamentalizam – sta je to?, sarajevë, 1990.
17. M. M. Sharif, Historija islamske filozofije, I, Zagreb, 1988.
18. Milan Vujaklija, Leksikon stranih reci i izraza, Beograd, 1980.
19. Muhamed Filipovic, Islam i terror, Sarajevë, 1423 h./2002.
20. Mustafa Spahic, Zemlja bez rodnog lista, Sarajevë, 2001.
21. Noam Čomski, 11 Septembar, Beograd, 2002.
22. Pajazit Nushi, Fjalor i psikologjisë, Prishtinë, 1987.
23. Paul Findley, Mjaft me heshtje, pa vend botimi, 2004.
24. Ricard Folk, Veliki teroristicki rat, Beograd, 2003.
25. Rohi Baalbaki, Al-Mawrid - Kamus Arabij – inklizij, botimi XV, Bejrut, 2001.
26. S. H. Nasr, Srce islama, Sarajevë, 2002.
27. Tewfik Muftic, Arapsko-srpskohrvatski jezik, I-II, Sarajevë, 1973.
28. Tijeri Mesan, 11 septembar 2001- velika prevara, Beograd, 2002.
29. Znakovi vremena – Revistë, Sarajevë, nr 18-19/ 2003.
--------------------------------------------------------------------------------
[1] S. H. Nasr, Srce islama, Sarajevë, 2002, fq. 413. [2] Noam Čomski, 11 Septembar, Beograd, 2002; Tijeri Mesan, 11 septembar 2001- velika prevara, Beograd, 2002; Ricard Folk, Veliki teroristicki rat, Beograd, 2003; Grup autorësh, Senka Rima nad Vasingtonom, Beograd, 2002; Grup autorësh, ka carstvu dobra ili apokalipsi, Beograd, 2003; Bernard Lewis etj. [3] S. H. Nasr. Srce islama, Sarajevë, 2002; Muhamed Filipovic, Islam i terror, 1423 h./ 2002; Harun Yahya, Islam proklinje terror, Sarajevë, 2003; Ergyn Çapan, Një vështrim islam mbi terrorin dhe sulmet vetëvrasëse, Tiranë, 2004 etj. [4] Në këtë grup bëjnë pjesë Noam Çomski amerikan, Tijeri Mesan fracez, Riçard Folk amerikan, Edward Saidi amerikan etj. Edward Said, orientalist i njohur botëror, i bën një kritik të rreptë Bernard Lewisit, po ashtu orientalist, për shkak të shkrimeve të tij tendencioze kundër muslimanëve pas 11 Shtatorit 2001. Shih: Bernard Lewis, Kulture u konfliktu, Sarajevë, 2002, sidomos faqet: 109-121. [5] Mustafa Spahic, Zemlja bez rodnog lista, Sarajevë, 2001, fq. 15. [6] Për analizë më të hollësishme rreth terrorit dheterrorizmit rekomandoj leximin e veprës së shkëlqyeshme të: Akademik Muhamed Filipovic, Islam i terror, Sarajevë, 2002. [7] Sipas: http://www.ibn-sina.net/zv/znakovi_tekst.asp?tekst_id=226&broj_id=14, ose: Znakovi vremena - Broj 18-19, zima-prolj. 2003. [8] Shih një koment jo të balansuar të B. Luisit: Bernard Luis, Kriza islama – Sveti rat i svetovni terror, Beograd, 2004, fq. 139-141. Në tekstet e B. Luisit dhe tekste të ngjashme reagoi ashpër Edward W. Said, i cili Luisin e quajti pseudoshkencëtar dhe pohoi se fajtor i gjendjes aktuale është “koncepti actual amerikan i gatishmërisë luftarake” dhe se ky koncept “do ta përcaktojë llojin e islamit të cilin amerika e dëshiron.” Sipas: Bernard Luis, Kriza islama, shtojca, op. cit., fq. 112. [9] Sipas: Harun Yahya, Islam proiklinje terror, Sarajevë, 2003, fq. 119-141. [10] Milan Vujaklija, Leksikon stranih reci i izraza, Beograd, 1980, fq. 909. Krahaso edhe: Pajazit Nushi, Fjalor i psikologjisë, Prishtinë, 1987, fq. 299. [11] Sipas: http://www.ibn-sina.net/zv/znakovi_tekst.asp?tekst_id=226&broj_id=14, ose: Znakovi vremena - Broj 18-19, zima-prolj. 2003. [12] Hasan Bashir, Terrorism and Solutions, Faslnameh Aftab, No. 13, February 2002, p. 80, sipas: http://www.ibn-sina.net/zv/znakovi_tekst.asp?tekst_id=226&broj_id=14, ose: Znakovi vremena - Broj 18-19, zima-prolj. 2003. [13] David, C., Rapoport, Terrorism: Encyclopedia of Government and Politics, Volume 2, London, Rutledge, 1992, p. 1063, sipas: : http://www.ibn-sina.net/zv/znakovi_tekst.asp?tekst_id=226&broj_id=14, ose: Znakovi vremena - Broj 18-19, zima-prolj. 2003. [14] Bekir Karliga, në: Ergyn Çapan, Një vështrim islam mbi terrorin dhe sulmet vetëvrasëse, Tiranë, 2004, fq. 47. [15] http://www.ibn-sina.net/zv/znakovi_tekst.asp?tekst_id=226&broj_id=14, ose: Znakovi vremena - Broj 18-19, zima-prolj. 2003. [16] http://www.ibn-sina.net/zv/znakovi_tekst.asp?tekst_id=226&broj_id=14, ose: Znakovi vremena - Broj 18-19, zima-prolj. 2003. [17] Do ta theksojmë një thënie e cila indirekt shpjegon interesat botërore: Këshilltari i zonjës Theçër, lordi Tebbit për gazetarë deklaroi: “Mastrihti u bë me qëllim që të vendoset nën kontroll rreziku që transporterët gjermanë sërish të mos nisen të lëvizin nëpër Evrope.” F. W. Engdahl, Stoljece rata, Zagreb, 2000, fq. 361. Po ashtu, qeveria anlgeze qëndronte pas lëvizjes çeçene, moralisht dhe materialisht, me qëllim të dobësimit të Rusisë dhe kontrollimit të fushave dhe rrugëve të naftës. F. W. Engdahl, op. cit., fq. 360. Vashingtoni më 1980 në fshehtësi e nxiti Irakun ta sulmojë Iranin, kurse më vonë aleanca anglo-amerikane përgatiti planin për të gjetur pretekst ta sulmojnë Irakun. Po ashtu, më 27 korrik 1990, deputetja amerikane në Bagdad, Aprill Gaspie, u takua me sadamin dhe pohoi se SHBA nuk do të deklarohem kundër okupimit të Kuvaitit nga ana e Irakut. Pas një jave, Iraku e okupoi Kuvaitin. Mirëpo, SHBA e Anglia nuk e mbajtën fjalën, filluan përgatitjet psikologjike të masës nëpërmjet mediumeve dhe sulmi kundër Irakut në gusht të vitit 1990. Shih: F. W. Engdahl, op. cit., fq. 343 e tutje. [18] Paul Findley, Mjaft me heshtje, pa vend botimi, 2004, fq. 57. Është me interes që lexuesi t’u referohet faqeve 51-73 të këtij libri. [19] Tewfik Muftic, Arapsko-srpskohrvatski jezik, I, Sarajevë, 1973, fq. 1308 e tutje; Krhs.: Rohi Baalbaki, në fjalorine tij arabisht – anglisht shprehjen Irhab e përkufizon si: terror, terrorism, terrorization, terrifying, scaring, frightening, intimidation, në: Al-Mawrid - Kamus Arabij – inklizij, botimi XV, Bejrut, 2001, fq. 77. Për të shprehur skajshmëritë në islam kemi edhe shprehje tjera: tenettu’, tetarruf, inbi’as, mutesheddidun islamijjun, selefijjeh, usulijjeh islamijjeh etj. mirëpo, asnjë nga këto shprehje nuk e përmbajnë kuptimin e fjalës terrorizëm. Shih: Islamski fundamentalizam – sta je to?, Sarajevë, 1990, fq. 25-43. [20] Tewfik Muftic, II, op. cit., fq. 2551. [21]http://www.ibn-sina.net/zv/znakovi_tekst.asp?tekst_id=226&broj_id=14. [22]Munxhid,sipas:http://www.ibn-sina.net/zv/znakovi_tekst.asp?tekst_id=226&broj_id=14 [23]Laros,sipas:http://www.ibn-sina.net/zv/znakovi_tekst.asp?tekst_id=226&broj_id=14 [24] Tewfik Muftic, op. cit., fq. 2507. [25] Ka mendime se kjo vlen vetëm për Daru’l-islam (në vendin ku shumica janë muslimanë). [26] Gjyqtari i sheriatit, varësisht nga rrethanat, mund të zgjedh se çfarë vendimi do të marrë, ajetin e sipërm apo ajetin 217 të sures El-Bekare, ku fitneja përmendet si vepër më e rëndë se mbytja. Abdulkerim Zejdan, Individi dhe shteti në sheriatin islam, Prizren, 1421 h./2000. [27] Hafiz Ibn Kethir, Kazivanja o vjerovjesnicima, Zenicë, 1420/1999. [28] Inajat I. Lalani e shkruan dhuna në islam nuk është institucionale, por përjashtim, dhe konstaton se “asnjëherë udhëheqësit muslimanë nuk kanë ushtruar një dhunë në përmasa të tilla si ajo e agonisë së tmerrshme të vdekjes në turrën e druve dhe përvlimit në vaj që është ushtruar ndaj jobesimtarëve në Lindjen e mesme gjatë Kryqëzatave. …”. Paul Findley, op. cit., fq. 225. [29] Paul Findley, op. cit., fq. 224. [30] Shih: Abdurrahman Hasan Hanbekete El-Mejdani, El-Ahlak’ul-islamijjetu we ususuha, pjesa I, botimi VI, Damask, 1423 h./2003, fq. 622-644. [31] Shih: Dzevad Hodzic, Uvod u islamsku etiku, op. cit., fq. 107-108. Drejtësia kërkon nga njerëzit të jenë të sinqertë në fjalë dhe vepra (Ali Imran, 17), që t’i përmbahen kontratave që kontraktuara dhe t’i përmbushin të gjitha detyrimet (El-Bekare, 177, El-Mu’minun, 8). [32] Shih: M. M. Sharif, Historija islamske filozofije, I, Zagreb, 1988, fq. 182-183. Shih El-Kur’an, Et-Tewbe, 4 dhe 7. [33] Ergyn Çapan, Një vështrim islam mbi terrorin dhe sulmet vetëvrasëse, Tiranë, 2004, fq. 11. [34] Paul Findley, op. cit., fq. 223. [35] Riçard Folk, një nga teoricientët më të njohur botëror, pohon se politika amerikane është “diktaturë brutale” për pengimin e pavarësisë nacionale… Ričard Folk, Veliki teroristicki rat, Beograd, 2003, fq. 15. [36] 11 Shatori për amerikanët paraqet pretekst për “zgjerim jashtëterritorial pa presedan që ta ruajë sigurinë e saj” por në asnjë aspect nuk është funksional në aspect të transformimeve të organizuara të rendit botëror, sipas nevojave dhe dëshirave të popujve botërorë. Gjerësisht: Ričard Folk, op. cit., fq. 263 e tutje. [37] Ričard Folk, op. cit., fq. 268 – 270. [38] Analistë të ndryshëm luftën e Bushit junior, e shohin si destruktive dhe e barazojnë me Sadam Huseinin. Sipas: Grup autorësh, Ka carstvu dobra ili apokalipsi, Beograd, 2003, fq. 102 e tutje. Noam Comski, 11 septembar, Beograd, 2002, fq. 19-23. [39] Paul Findely, op. cit., fq. 225-226. [40] Shih: Harun Yahya, Islam proklinje teror, Sarajevë, 2003, fq. 143-145. S. H. Nasr, Srce islama, op. cit., fq. 410; Muhamed Filipovic, Islam i terror, Sarajevë, 1423 h./2002, fq. 17 dhe 141-142; Cheryl Banard, Amerikanët reformojnë Islamin, në: Dituria islame – revistë islame, nr. 174-175/2005, Prishtinë, fq. 33-34; http://www.novihorizonti,com/test/tekst/asp?ArtikallD=1259. [41] Paul Findely, op. cit., fq. 229. [42] Paul Findely, op. cit., fq. 235. Vërejtjet do të kishin kuptim kur muslimanët me të vërtetë mbajnë përgjegjësinë. Kjo do të thotë, jo sipas kritereve të një qeverie të caktuar.