MBI VARRIN E MUHAMMEDIT a.s.

Haxhi Husein Gjozo


MBI VARRIN E MUHAMMEDIT a.s.


Po qëndroj para varrit Tënd. E di, ke qenë njeri dhe ke vdekur. Unë nuk po të lutem, as nuk po të adhuroj. Ti më ke mësuar ashtu. Ashtu për ty thotë edhe Kur'ani, të cilin ua ke komunikuar njerëzve.
Por, megjithatë, ndjej se po qëndroj para kolosit të mendimit njerzor, po qëndroj para madhërisë së jashtëzakonshme, e cila ka krijuar histori, i ka dhënë kontribut të madh e të pavlerësueshëm zhvillimit të gjinisë njerzore. Po qëndroj para viganit të shpirtit, ideja e të cilit ende po jeton, e aftë që edhe një herë edhe shumëherë t'i ndihmojë njeriut në mënyrë që në të të fitojë ajo njerëzore dhe ajo humane dhe në mënyrë që njeriu vërtet të bëhet njeri, çka edhe ka qenë qëllimi i shpalljes në të gjitha shfaqjet e veta, e pastaj edhe qëllimi i pejgamberëve të Zotit.
Po qëndroj para Teje, jo për shkak që të të lus, që me ndërmjetësimin tënd, me ndihmen e ndonjë çudibërje, muslimanët të çlirohen prej fatkeqësive, të cilat i mundojnë. E di, e ashtu edhe ti ke mësuar, me besnikëri duke i shpjeguar mësimet e Kur'anit, se jeta i ka ligjet e veta dhe se domosdo zhvillohet sipas atyre ligjeve. Ato ligje, në të vërtetë, paraqesin dhe janë manifestim i vullnetit të Zotit. As ti nuk je mbështetur në çudi as që ndonjëherë je shërbyer me to. Ke besuar në punë, angazhim, luftë dhe flijim. Kurrë nuk ke pritur që nga qielli të të vjen diç e gatshme, sikur që disa sot, t'i quajmë, pasues tuaj, e presin Mehdiun dhe zbritjen e sërishme të Isait a.s. që me ndonjë çudi t'i shpëtojë muslimanët. Kur'ani të ka mësuar t'ju thua atyre që presin çudi, se ti nuk je kurrfarë çudibërës dhe se në aktivitetet tua nuk ke kaluar prej kufijve të mundësive njerëzore. Çudia jote më e madhe dhe fshehtësia e suksesit tënd është Kur'ani, të cilin e ke mësuar dhe jetësuar. Në këtë qëndrojnë fshehtësitë e sukseseve të të gjithë atyre të cilët e kanë ndjekur rrugën tande.
I frymëzuar me fuqinë e frymës tënde, praninë dhe aftësinë e së cilës këtu, në këtë vend të shenjtë, fuqishëm po e ndiej, më së thelli po e përjetoj madhërinë e veprës tënde dhe mësimit tënd. Por, njëkohësisht, o pejgamber i dashur, po përjetoj edhe diç, po e përjetoj edhe tërë peshën e tragjedisë së kësaj bote. I vetëdijshëm për vendin ku gjendem dhe faktin se pikërisht këtu në këtë vend, ideja islame e përjetoi jetësimin e vet të parë dhe e manifestoi vlerën e vet në praktikë, po kundroj edhe thellë po e përjetoj jazin dhe mospajtueshmërinë midis jetës praktike të muslimanit sot dhe mësimit kur'anor.
Nëse atë përjetim, o i Dërguari i Zotit, nuk kam pasur rast ta shfaqë në një tubim të përgjithshëm islam, çfarë do të duhej të jetë haxhi, sepse ti ashtu e ke trajtuar dhe praktikisht e ke zbatuar, dëshiroj që këtu para varrit tënd t’i them vetes dhe që për këtë çështje më thellë të meditoj.
E para që do të dëshiroja menjëherë të them, si përjetim i parë, është fakti se përkushtueshmëria dhe besnikëria e masave muslimane ndaj Islamit, ende është mjaft e madhe. Pikërisht tash, kur po festohet 1400 e sa vjetori i shpalljes së Kur'anit, ideja Islame po tregon shenja të fuqishme të jetës së vet. Ajo në vetëdijen e masave, ndonëse e papërcaktuar dhe në prezantime mjaft të paqarta dhe të papërkufizuara, paraqet fuqi të madhe potenciale dhe latente shpirtërore. Ajo fuqi, edhe pse nuk po dëshmohet dhe nuk po sjellë dobi në aktivitetet e caktuara dhe të organizuara, ajo me një rezistencë pasive iu ka ndihmuar masave muslimane që të mbahen dhe ta ruajnë kompaktivitetin e tyre shpirtëror, i cili përveç të gjitha dobësive ekonomike, megjithatë nuk është luhatëse. Përkundrazi, ai, si një ndjenjë, është ende i fuqishëm. Ai, fatkeqëisht, nuk na manifestohet në trajta përkatëse të jetës shoqërore, politike dhe ekonomike të muslimanëve, por paraqet mundësi të mëdha për lidhshmërinë e përgjithshme dhe solidaritetin ndërmusliman, i cili në këtë çast është jashtëzakonisht i nevojshëm, por i cili mjerisht mungon, për ç'arsye vendet islame, veçanarisht popujt arabë vuajnë mjaft. Posaçërisht kjo është e qartë te problemi palestinez, ku pasojat e përçarjes më fatzisisht po manifestohen.
Ekzistimi i ndjenjës së lidhshmërisë reciproke shpirtërore të shtresave të gjëra të muslimanëve në të gjitha vendet islame është qartazi e dukshme. Ne në rrugën tonë këtë e kemi parë dhe ndier. Duke kaluar nëpër Turqi, Irak, Kuvajt, Arabi Saudite, Jordan dhe Siri. Çdokund e kemi ndier ekzistimin e asaj lidhjeje dhe kemi qenë gëzueshëm të pranuar sikur vëllezër.
Besnikëria dhe dashuria e masave muslimane ndaj Islamit, shenjtërive dhe institucioneve të tij, mjaft fuqishëm po demonstrohet edhe në haxh. Numri i haxhijve, po rritet prej vitit në vit. Unë me ditë të tëra po orvatem t’i afrohem varrit tënd. Po orvatem të depërtoj nëpër rreth i cili vazhdimisht xhiron rreth tyrbes tënde, dhe vështirë po arrij. Të gjithë po nguten t’i afrohen tyrbes, të shikojnë nëpër dritare dhe ta prekin murin. As goditjet e rënda të rojtarëve nuk mund t'i pengojnë disa manifestime të asaj përkushtueshmërie. Ato goditje ëmbël barten. Mahnitë besnikëria, e cila në mënyra të ndryshme shprehet. Disa i fërkojnë dhe i puthin muret, të tjerët, të kthyer kah muri, përulshëm qëndrojnë dhe qajnë, të tretët lexojnë dua të ndryshme dhe luten, të tjerët këndojnë salavate e të tjera.
Pa marrë parasysh mënyrën dhe trajtën e atyre manifestimeve, të cilat nganjëherë na duken qesharake, unë të gjitha ato i kam përjetuar si shprehje të besnikërisë dhe dashurisë të Islamit dhe ndaj teje o pejgamber i Zotit. Ato, në të vërtetë, edhe janë. Tërë ajo është për ty, në emrin tënd dhe në emrin e diturisë të cilën e ke predikuar.
Mirëpo, është pyetje krejtësisht tjetër, ndërkaq çfarë janë shfaqjet e atyre masave mbi Islamin dhe personalitetin tënd.
Shtrembërimet, mistifikimet, të praktikuarit e Islamit vetëm në liturgji, të kthyerit vdekjes, njeriut të vdekur dhe orientimi kah ahireti - të gjitha ato janë karakteristikat kryesore të shfaqjes së theksuar.
Po mendoj mbi atë shfaqje. Thellë po më rikujtohet O Pejgamber i Zotit, një hadith i yti në të cilën krejtësisht qartë e ke paralajmëruar gjendjen e këtillë:

"Ti o Ibn Mesud jeton në kohën në të cilën ka shumë të atillë të cilët e njohin Kur'anin, i praktikojnë dhe kanë kujdes në zbatimin e rregullave të tij, e pak ka të atillë të cilët e lexojnë dhe kanë kujdes mbi ate se si theksohet ndonjë harf (shkronjë) e tij. Mirëpo, do të vjen koha, kur do të ketë shumë të atillë të cilët e lexojnë Kur'anin rigorozisht kanë kujdes mbi ate se si theksohet ndonjë harf në tekstin e tij, ndërsa shumë pak të atillë të cilët e kuptojnë dhe i kryejnë rregullat e tij në jetën e përditshme".

Nuk mundem, o pejgamber i dashur, e që këtu para varrit tënd mos ta pranoj dhe intimisht t’i konfirmoj vetvetes se ne pikërisht sot jetojmë në një kohë të atillë dhe po e përjetojmë një gjendje të atillë. Fjalët tua dhe paralajmërimet tua, tërësisht janë plotësuar. Kur'ani lexohet (këndohet), sigurisht më shumë se kurdoherë më parë, madje edhe më shumë se në kohën tënde. Në vendet Islame ekzistojnë vende të posaçme dhe radiostacione të posaçme të cilat ditë e natë e emitojnë. E emitojnë edhe vendet jomuslimane. Eshtë regjistruar në disqe i ashtuquajturi mus'hafi murettel. Gjithashtu, mënyrës së leximit të Kur'anit dhe theksimit të harfeve po u kushtohet kujdes i madh, ashtu që ajo është zhvilluar në shkencë të veçantë. Kujdesi edhe më i madh po i kushtohet botimit dhe shtypjes së Kur'anit. Ekzistojnë botime jashtëzakonisht luksoze. Në këtë pikërisht po garojnë vendet Islame. Botimet e tilla luksoze, sunduesit e vendeve Islame ua dhurojnë vizitorëve të tyre si hedijen më të vlefshme. Edhe unë në këtë rrugë kam marrë dhurata të këtilla.

Po, formës dhe fizionomisë së jashtme të Kur'anit, si edhe leximit të tij i kushtohet kujdes i madh, nuk ka dyshim më shumë se kurdoherë më parë. Gjatë vitit, veçanërisht gjatë kohës së Ramazanit lexohen me miliarda hatme.

Kur'ani vërtet lexohet shumë, por o pejgamber i dashur i Zotit, vetëm të vdekurve dhe për sevabe, e jo për mësim, këshilla. Po e lexojnë lypësit, për arsye të lypjeve, po e përdorin magjistarët dhe falltarët në punët e tyre të ndyra, po e lexojnë për para (biznes), po mbahet si hajmalia dhe po ruhet në shtëpi në rafte për shkak të bereqetit.

Kurse sa i përket realizimit praktik të rregullave kur'anore në jeten e muslimanëve, gjendja është e atillë që pasuesi yt i sinqert dhe i vetëdijshëm, që po qëndron para teje, në këtë vend të shenjtë, vështirë mund të duroj e që thellë dhe sinqerisht të mos turpërohet. Kaherë në jeten e muslimanëve, nuk po respektohen dhe nuk po zbatohen parimet e diturisë sate. Islami është reduktuar ekskluzivisht në lutje. Krejtësisht është përjashtuar nga jeta publike e vendeve islame në të cilat zotëron ideja evropiane, dhe kjo në formën e shtrembëruar dhe degjeneruar. Ato forma të idesë evropiane laicistike prej të cilëve Europa dëshiron të çlirohet, sepse janë shnëdrruar në pengesë dhe po e rrezikojnë jetën e njeriut, në vendet islame po fitojnë afrimin të plotë. Kam pasur rast që në këtë rrugë, duke kaluar nëpër një numër të madh qendrash të rëndësishme dhe të mëdha islamike, të ndiej dhe të shoh pasojat e rënda të procesit të modernizimit të botës muslimane. Kolonializmi, duke e shfrytëzuar dobësinë e muslimanëve, i ka futur në atë botë, në emër të shkencës dhe të kulturës, lajthimet më të mëdha e më të rrezikshme dhe moralisht atë e ka helmuar. Ka arritur, i dashuri pejgamber, që në qendrat e mëdha islame të cilat kanë qenë kultivuesit më të mëdhenj të idesë tënde, të hapin shtëpi publike, pijetore, lokale bixhozi etj, të cilat edhe tash ekzistojnë. Kolonizatori ka shkuar, por e ka lënë atë më negativen nga mënyra e jetës së vet. Në vend të shkollave dhe fabrikave ka lënë injorancën (xhehaletin), alkoolizmin, prostitucionin, bixhozin etj. Eshtë përpjekur ta zhvleftësojë njeriun, që ta lëjë të zbrazët pa vlera, që ta bastardojë dhe përziejë racën dhe ta ngarkojë me komplekse të ndryshme, çka edhe i shkoi për dore. Eshtë duke rrjedhur, dhe atë në përmasa të mëdha, evropeizimi i botës islamike. Procesi i materializmit total, i cili në vete mban mohimin e të gjitha vlerave klasike shpirtërore, po merr hov gjithnjë e më të madh, po frikësohem o i Dërguari i Zotit, e për këtë kam mjaft dëshmi që edhe këtu në afërsinë tënde nesër, nëse kështu vazhdohet, të mos lajmërohen pijetoret, lokalet për bixhoz, shtëpitë publike etj. Procesi i këtij materializmi të vrazhdë dhe vullgarë, tek e cila gjithnjë e më shumë po vijnë në shprehje forcat shtazarake destruktive te njeriu, në përpjesëtim të madh, po e shpejton shumëzimi i të mirave materiale në disa vende islame, siç është Kuvajti, Arabia Saudite, Libia e edhe Iraku.

Në të gjitha vendet arabe rezultatet e procesit të fuqishëm material janë të dukshme, por paralelisht me këtë po formohet shoqëria e evropeizuar e cila në vete përmban të gjitha gjymtitë e mënyrës së jetës perëndimore.

Më ndjellëkeqe në procesin e "modernizimit" të botës muslimane në kuptim të evropeizmit është kjo që ai po kryhet në epokën ku mendimi perëndimor po përjeton krizën më të thellë dhe kur gjendet në fazën e degradimit të vet të plotë. Ajo në fazën e vet të tashme më të re të zhvillimit është privuar nga çdo kualitet interior moralo-etik dhe i përgjithshëm njerzor e human. Ekziston ekskluzivisht si forcë dhe plotësim i nevojave të të ekzistuarit fizik. Si e tillë është shndërruar në mohues të vërtetë të vlerave shpirtërore. Materja si burim i forcës dhe mjet i dëfrimit personal është bërë vlera e vetme. Së këndejmi, shkenca dhe teknika janë vënë në shërbim të forcës.

Mendimi perëndimor në formën e atillë të shtrembëruar dhe degjeneruar ballafaqohet në vendet islamike në pritje të përzemërt. Parullat e tija po fitojnë mjaft popullaritet. Eshtë bashkëkohore të pihet (alkool), lirisht të dëfrehet seksualisht. Eshtë reaksionare të besohet në vlerat shpirtërore dhe t’u përmbahemi normave morale.

Duke menduar për të gjitha këto, këtu para varrit tënd, o i Dërguari i Zotit, po mendoj edhe në ulemanë si trashëgimtarët tu të cilëve ua dorëzove emanetin e ruajtjes dhe të shpjegimit të ISLAMIT. Pyes vetëveten: ku është ajo dhe si ka lejuar që të vihet deri te gjendja e këtillë.

Po e analizoj problemin e ulemasë. Dashtë e pa dashtë imponohen pamjet e masave të cilat ja, edhe tash po i shikoj, se si po sillen rreth varrit tend, i fërkojnë dhe i puthin muret e mbledhin pluhurin nga muret që ta marrin si ilaç për të gjithë sëmundjet. Më rikujtohet skena të cilën e kam parë në xhamitë dhe tyrbet e Stambollit, Bagdadit, Kufes, Basres, Kerbelasë, Damaskut, Kajros, Nexhefit etj.

Prej kah botëkuptimi i këtillë mbi Islamin, dhe mistifikimi i këtillë i institucioneve të tij. Prej kah të reduktuarit e mësimit të tij në vetitë metafizike. Prej kah izolimi i Islamit nga jeta. Prej kah të gjitha këto dhe çfarë është dhe sa është pjesëmarrja dhe përgjegjësia e ulemasë në mbarë këtë?!

Eshtë e qartë se ulemaja nuk mund të lirohet nga përgjegjësia e madhe për situatën e këtillë. Ajo ka qenë më e thirrura që ta ruajë pastërtinë e mësimit islam dhe që korrekt t'i shpjegojë parimet islame, duke i mbajtur fuqishëm pozicionet jetësore në duart e veta dhe duke i orientuar aktivitetet në drejtim të koncepteve islame. Nuk ka guxuar të lejojë që të shkelet dhe flaket e përjashtohet nga jeta publike. Nuk ka guxuar ta lë njeriun e gjallë dhe jetën dhe të orientohet kah njeriu i vdekur, kah vdekja dhe ahireti.

Kur mendoj për këtë problem nuk mundem e që përveç dobësive subjektive të ulemasë, mos t’i shoh edhe faktorët tjerë të jashtëm të cilët e kushtëzuan situatën e atillë. Këtu në vend të parë janë marrëdhëniet e pushtetit dhe ulemasë. Pushteti gjithnjë synon që shkencen ta vejë në shërbim të vetin. Kjo gjithnjë ka ndodhur e po ndodhë edhe sot. Mendohet që dituria duhet t’i shërbejë politikës së ditës dhe çastit. Duhet ta gjejë copëtimin e atomit në mënyrë që, sipas dëshirës së politikës, të prodhohen bombat atomike dhe armë tjera rrënuese, të cilat janë të destinuara ekskluzivisht për mbytjen e njerëzve. Duhet t’i mbrojë teoritë dhe qëndrimet e ndryshme politike të cilat nesër do të jenë të lëna pas dore.

Halifët si përfaqësues të pushtetit tashmë mjaft herët u përpoqen që ulemanë ta vënë në shërbim të politikës. Edhe pse ulematë e parë të kësaj dukurie energjikisht ju kundërvunë, edhe për këtë shumë njerëz pësuan, përfaqësuesve të pushtetit u shkoj për dore që ta krijojnë ulemanë profesionale, zyrtare e cila do të paguhet dhe do të shërbejë për para, ashtu si i dikton zotëriu.

Një shumicë konsiderojnë se me futjen e ulemasë zyrtare profesionale i është dhënë grusht, goditje e rëndë zhvillimit të mendimit islam. Reshid Ridaja këtë e numëron këtë ndër shkaqet themelore të dekadencës së përgjithshme muslimane. Mendoj mbi atë, e di se njeriu për shkak të ekzistencës fizike, i janë të nevojshme të mirat materiale. Eshtë e kuptueshme që shërbimet e veta në fushën e jetës materiale ka të drejtë t’i paguajë (të kërkojë kompenzim) në mënyrë që të furnizohet me mjetet materiale për vetveten. Mirëpo, nëse ka të bëjë për shërbimin Zotit, të mirës së përgjithshme njerëzore, parimeve moralo-etike, luftës për njeriun dhe marrdhënieve më humane ndërnjerëzore, atëherë ky shërbim nuk do të guxojë të profesionalizohej, as komercializohej dhe të kërkohet kompenzim. Do të ishte kjo, vullgarizimi më i thjeshtë i këtij shërbimi madhështor. Çdo njeri është i obligueshëm që prej vetes, sipas mundësive të veta të ndaj diç për shoqërinë dhe për të mirën e përbashkët. Kjo në të vërtetë është ajo që e kanë vepruar ulemaja e parë dhe ç’është dashur të veprojë edhe e mëparshmja.

Sa i përket gjendjes së sotme në këtë fushë, ajo është shumë e rëndë. Nuk di nëse mundet përgjithësisht të flitet për ulemanë. Më duket se më drejtë do të ishte të flitet për nënpunësit fetarë.

Duhet pranuar se kuadri i sotshëm fetarë, në të gjitha vendet dhe bashkësitë fetare nuk është në nivel të duhur. Institucionet fetare të cilat i kanë dhënë këto kuadro nuk kanë qenë në hap me kohën, as që në kohen e duhur u janë përshtatur nevojave të jetës. Në vend që ta ofrojnë nisma dhe t’i tregojnë rrugët e reja, kanë ecur pas kohës, të kthyer kah e kaluara. Kanë dhënë kuadër me dituri mjaft të kufizuar dhe të njëanshëm. Kanë kërkuar respektimin rigoroz dhe ngulitjen në qëndrimet dhe mendimet e hershme. Eshtë asfiksuar çdo mendim për krijim. Universitetet ekzistuese islame, ende gjenden në fazën e përgatitjes. Atyre iu mungon kuadri bashkëkohor i mësimdhënësve. Forcat konservative po e ngadalësojnë dhe pengojnë procesin e përshtatjes. Përveç kësaj, te vetë përshtatja mungojnë konceptet e qarta dhe të caktuara. Ende nuk është përkufizuar qartë nocioni i përshtatjes dhe modernizimit. Shumë këtë po e identifikojnë me nocionin e evropeizmit në kuptimin vullgar të kësaj fjale. Për këtë arsye disa rrethe po i frikësohen përshtatjes së atillë.

Megjithatë, duhet pranuar se problemi është mjaft i ndërlikuar. Bota islame në këtë çast gjendet në rrugëkryqin mjaft delikat. Nga një anë po e shtrëngon trashëgimia e një prapambeturie të përgjithshme vërtet të rëndë, si edhe pasojë e kësaj prapambeturie problemet mjaft të ndërlikuara shoqërore, ekonomike dhe politike të cilat kërkojnë zgjidhje të shpejta, e nga ana tjetër është gjetur në vatrën e konflikteve të interesave të huaja.

Vendet muslimane janë të vetëdijshme që duhet të jetojnë në botën e këtillë çfarë është ajo, duhet të inkuadrohen në të dhe ta gjejnë vendin e vet. Por si?

Duket se udhëheqësit politik në vendet islame ende nuk kanë gjetur përgjigje të drejtë për këtë pyetje, ende nuk kanë zbuluar bazë solide për inkuadrim në zhvillimin bashkëkohor dhe marrjen e vendit të vet përkatës. Në këtë fushë ende po ndihet jostabiliteti, e madje edhe luhatjet. Këto udhëheqësi po qëndrojnë tash të gozhduara ndërmjet të kaluarës dhe të tashmes, reaksionit dhe progresit, perëndimit dhe lindjes, mendimit islam dhe perëndimor. Po bëhen kombinime të ndryshme, por suksese të veçanta. Më kryesore në mbarë këtë është që nuk është gjetur një platformë politike e cila do të ishte shprehje e synimeve, traditave, vlerave shpirtërore, besimit dhe disponimit të shtresave të gjëra muslimane dhe të cilin këto masa do t’i pranonin si të veten. Po vërehet mosekzistimi i kohezionit të duhur ndërmjet masave dhe udhheqësive politike si dhe ndërmjet programeve dhe synimeve të masave, po i shkakton vështirësitë më të mëdha dhe po krijon pengesa në zgjimin më të ri të popujve islamik...

... Duket se këtë zbrazëtirë, njeriu i ri më së fuqishmi e ndien dhe e përjeton. Përveç të gjitha eksceseve sa për sy e faqe, lajthimeve dhe sjelljeve të çuditshme, posaçërisht në veshje dhe në jetën seksuale, njerëzit e rinjë po tregojnë gadishmëri të duhur që t’u kthehen vlerave shpirtërore dhe që të angazhohen në pertëritjen shpirtërore. Ky angazhim dhe inkuadrim i njeriut të ri bashkëkohor në jeten fetare imperativisht imponohet si nevojë e domosdoshme, por edhe si detyrë mjaft e rëndë dhe e ndërlikuar. Anëtarët e ri të bashkësisë fetare Islame, po tregojnë afinitet të veçantë, kundruall Islamit dhe hulumtimeve kah ai. Por ku ta gjejnë atë edhe si t'i mësojnë parimet e tij?

Duhet pranuar, se gjenerata e re, në raport me këtë çështje, gjendet para dilemës mjaft të madhe: dëshiron ta mësojë fenë e vet, por sit a bëjë këtë? Atë që po e sheh te prindërit e vet, aspak nuk e entuziazmon. Po sheh vetëm formalitete, të cilat nuk lënë kurrfarë gjurmash në kurtoazinë e përditshme. Islami i hoxhës sërish është reduktuar në dispozita të fikhut të cilat në një pjesë të madhe, kaherë nuk praktikohen. Përpjekjet e interpretimit dhe përpunimit më bashkëkohor të mendimit islam dhe të koncepteve të tij po hasin në rezistencë mjaft të fuqishme të forcave konservative, të cilat ende zotërojnë. Vërtet duhet kuptuar vështërsitë e njeriut të ri bashkëkohor. Nuk mund të themi se ai nuk ndien nevojën e fesë si burim të vlerave shpirtërore, të cilat i mungojnë, por kush t'i ndihmojë në këtë?

Ka shumë sosh të cilët dinë çka vlenë, por ka shumë pak sosh që dinë çka vlenë dhe çka duhet punuar. Konsideroj se në këtë çast do të ishte më me rëndësi, në një mënyrë bashkëkohore, me gjuhën e kohës në të cilin jetojmë, të jepet shenjë në mësimet islame dhe të përpunohen konceptet e tij në frymën e nevojave të jetës bashkëkohore. Menjëherë duhet theksuar se ky është proces mjaft i ndërlikuar dhe i gjatë, i cili tashmë është hapur dhe në të cilin medeomos duhen të inkuadrohen të gjitha forcat e shëndosha dhe progresive islamike. Ne nga ana jonë po bëjmë sa po mundemi dhe dimë, thellë dhe vetëdijshëm se islami, i kuptuar në mënyrë korrekte, do t'ua ofrojë ndihmën më të madhe muslimanëve në vendin tonë, që sa më mirë të inkuadrohen në jetën bashkëkohore dhe që ta rrisin kontributin e tyre në zhvillimin e përgjithshëm.

E si na duket ai problem? Po përpiqem që këtu para varrit tand më së thelli ta përjetoj, kuptoj dhe vështroj. Po orvatem që në botën e sotme të gjejë një çikëz dritë e cila do të tregonte në ardhmëri më të mirë. Ç'po shoh? Po shoh ndarjen e botës në blloqe antagoniste, ushtarake dhe politike, konfliktin Perëndim - Lindje, të rinjtë - të vjetrit, armatimi rrënqethës, kontrastet e mëdha ndërmjet të vegjëlve të pazhvilluar dhe të mëdhenjëve të zhvilluar, kriza e vlerave klasike, keqpërdorimi i shkencës dhe teknikës, të hedhurit e njeriut si vlerë më të madhe e tjera.

Edhe pse kjo botë sipas manifestimeve të veta të jashtme na dëftohet si botë në të cilën zotërojnë forcat e së keqes, nuk duhet të frikësohemi shumë dhe në mënyrë pesimiste të shikojmë në gjërat. Eshtë evidente se diç e re po punohet. Krizat të cilat po i përjeton njerëzia janë pasoja vetëm të dhëmbjeve të lindjes, të cilat do të duhej të konsideroheshin normale në procesin e këtillë. Njerëzia megjithatë do ta gjejë rrugën e vet; do të ngadhënjejë njeriu. Do të ngadhënjejë njerëzorja, humanja. Shpirti, megjithkëtë do ta qeverisë makinën dhe do ta vendosë në shërbim të vlarave njerëzore. Mendimi yt, o i Dërguari i Zotit, do të mund ta shpejtojë këtë fitore, dhe në këtë proces do ta japë kontributin e vet të çmueshëm.[1]

Përktheu: Nexhat Ibrahimi


RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme