Çapitje mbi disa probleme në historinë e filozofisë islame

Kur’ani meditimin, të menduarit, përsiatjen, mësimin, urtësinë e ngrenë në piedestalin më të lartë.[3]

Muhammedi a.s. po ashtu i ka kushtuar vend të rëndësishëm mësimit, dijes dhe të menduarit.[4]

Në periudhën paspejgamberike, atë të hulefai rashidinëve, jeta dhe veprimtaria e katër halifëve besimdrejtë është përplotë sentenca e veprime që arsyetojnë dhe argumentojnë përdorimin e arsyes dhe të të menduarit në jetën e tyre.[5]





Fillimet e para



Dijetarët muslimanë edhe para depërtimit të filozofisë në jetën e muslimanëve në shekullin e dytë hixhrij / tetë gr. e mbrapa meditimin e përdornin në masë të konsiderueshme dhe kanë zhvilluar shqyrtime interesante racionale.[6] Ajo që do të pasojë pas shekullit të II-të hixhrij /VIII-të gr. nga shfaqja e Islamit është jeta filozofike, e cila filloi me përkthimin e veprave fillimisht të shkencave ekzakte, medicinale, astronomike, e pastaj filozofike, e tejet pak të letërsisë e të historisë, të traditës së Greqisë së vjetër, Egjiptit, Asirisë, Persisë etj.[7]

Periudha e përkthimeve intensive ka zgjatur dy-tre shekuj dhe nuk kemi ndonjë kufizim të prerë në këtë pikëpamje. Mirëpo, qysh gjatë periudhës së përkthimeve filloi edhe aktiviteti i shkrimeve origjinale, krijuese nga ana e dijetarëve muslimanë, sikur që po ashtu vazhdon përkthimi me intensitet më të ulët edhe gjatë periudhës së krijimeve origjinale. Ndër filozofët e parë të njohur muslimanë, sipas Ibn En-Nedimit, por edhe sipas shumë dijetarëve të tjerë, është El-Kindiu (185-260/ 796-873), për të vazhduar kjo veprimtari me filozofët tjerë deri në ditët tona.[8]





Disa probleme kruciale në kritikën e filozofisë



Është e domosdoshme të shtrohen disa probleme kruciale dhe, aq sa, të ofrohet përgjigje:

- Çfarë është rezultati i veprimtarisë filozofike të muslimanëve gjatë 12 shekujve të kaluar?

- Mos muslimanët vetëm përfolën atë që e thanë filozofët para tyre?

- Mos roli i muslimanëve në historinë e filozofisë përbëhet vetëm në ndërmjetësimin ndërmjet filozofisë klasike greke dhe filozofisë së re evropiane?

- Mos ka përfunduar filozofia islame me Ibn Sinain, El-Gazaliun, Ibn Rushdin e të tjerë në kuptim se pas tyre më nuk është paraqitur mendim origjinal?

Përgjigjja e saktë dhe e plotë kërkon shumë punë, forcë, aftësi dhe hapësirë dhe kapërcen pretendimet e këtij shkrimi. Mirëpo, në botën muslimane, por edhe në qendrat tjera kërkimore-hulumtuese shkencore jomuslimane janë bërë hapa të mirë në këtë rafshë, dhe është e arsyeshme të shpresojmë se do të ofrohet përgjigje më serioze në këtë aspekt.[9]

Filozofia, edhe pse nga qarqe të caktuara muslimane konsiderohet si e huaj, megjithatë në historinë islame përbënë një pjesë të shkencave islame, të cilat:

- Ose janë filluar ndër vetë muslimanët sikur: shkenca e tefsirit dhe hadithit (علمُ التفْسِير; عِلمُ الحَدِيث), jurisprudenca islame (fikhu, ألفِقه), dogmatika islame عِلمُ ا لكَلا م) ), sintaksa dhe gramatika e gjuhës arabe e të tjera;

- Ose janë përvetësuar nga jomuslimanët, sikur: medicina, astronomia, gjeometria, algjebra, logjika ose vetë filozofia dhe kanë vazhduar të zhvillohen e kultivohen në mënyrë origjinale.

Historianët e shkencës janë të pajtimit se të gjitha shkencat e përvetësuara në botën islame janë zhvilluar dhe përkryer më tej dhe se muslimanët në këtë mënyrë luajtën rol thelbësor në zhvillimin e shkencës, kulturës dhe filozofisë së njerëzimit. Rasti i Ibn Sinait dhe Ibn Rushdit në medicinë e filozofi, i Farabiut në filozofi dhe muzikë e raste tjera, janë shembulli më i mirë se dijetarët muslimanë edhe kanë përvetësuar e integruar, por edhe kanë krijuar e prodhuar.[10]

Delis Avliri në lidhje me shkencat pohon se muslimanët morën nga Grekët e vjetër:

“Atë që arabët (muslimanët) e përvetësuan nga grekët nuk e përcollën më tej në formën e pandryshueshme deri te popujt tjerë. Duhet thënë se shkenca greke në mjedisin arab (musliman) kishte vend dhe rol të veçantë. Arabët dhanë kontribut të rëndësishëm në astronomi, matematikë dhe dituritë tjera të përvetësuara nga grekët dhe indusët, duke iu dhënë konstituim dhe metodologji të re … Duhet thënë se arabët themeluan dhe zhvilluan algjebrën, trigonometrinë dhe gjeometrinë sferike. Ata ishin mjaft të shkathtë në hartimin e tabelave astronomike”.[11]

Nuk duhet neglizhuar faktin se për zhvillimin dhe rrjedhat zhvillimore të shkencave islame në mënyrë meritore mund të flasin kryesisht vetëm muslimanët dhe ata që jetuan dhe frymuan në atmosferën dhe rrethin kulturor-historik musliman. Këtë aktivitet nuk mund ta bëjë me sukses ndonjë njeri nga provenienca tjetër kulturore, një orientalist evroperëndimor, i tipit evro/kristo/centrist.



Filozofia ndërmjet pranimit dhe refuzimit

Nga të gjitha shkencat që përbëjnë tërësinë kulturore islame filozofia më së dobëti është hulumtuar dhe lidhur me të, për arsye të ndryshme, janë krijuar paragjykime dhe për te janë shprehur numër i madh të pavërtetash.[12] Ka njerëz përgjegjës që dyshojnë në dobishmërinë e ligjërimit të filozofisë, por ka edhe të atillë që i kundërvihen tërësisht[13], pa ndonjë arsye. Nëse kësaj i shtojmë se “filozofia është term polisemik” dhe se sot nuk mund të ekzistojë një “sistem arsimor pa ndonjë lloj mësimi nga filozofia”, atëherë është e qartë se shpërfillja e studimit filozofik është me pasoja. Po ashtu, shumë intelektualë nuk janë të vetëdijshëm se në kontekstin e arsimimit të tanishëm dhe të konceptimit bashkëkohor të filozofisë, jo vetëm që felsefe është filozofi e mirëfilltë, por se po ashtu ekziston filozofia në shumë shkenca tjera islame siç janë tefsiri, hadithi, kelami, usuli-fikhu dhe tesawufi, sikur natyrisht, edhe në shkencat natyrore dhe matematikore, nga të cilat të gjitha janë të rrënjosura në Kur’an, i cili natyrisht, është burim i hikmetit / i urtësisë.[14] Me këtë nuk mbroj tërë atë që është shkruar e thënë në filozofi dhe për filozofinë, nuk mbroj qëndrimet e skajshme dhe me asgjë të përbashkëta me filozofinë islame dhe me vetë islamin, por mbroj filozofinë per se, sepse filozofia nuk është fajtore dhe nuk mbanë përgjegjësi për shkak të aktivitetit destruktiv të filozofëve, sikur që nuk është fajtor Kur’ani për shkak të qëndrimit abuziv ndaj tij nga ana e komentuesve të caktuar, respektivisht sikur që nuk është fajtor ligji për shkak të abuzimit të tij nga ana e gjyqtarit apo kundravajtësit.

Është e qartë se shumica e filozofisë perëndimore është e përshkuar me kufr / mosbesim, por ndalimi i saj nuk do të sjellë efekte pozitive, sepse, nga një anë, kjo filozofi do të futet brenda kalasë së “ndalesës” në mënyra të ndryshme, dhe nga ana tjetër studentët do të ishin më pak të përgatitur të ballafaqohen me te në jetën reale. Për këtë arsye, nevojitet, jo ndalesa, por përkufizimi i ri i filozofisë perëndimore nga aspekti islam dhe studimi i saj në kontekst të traditës së tërësishme intelektuale islame.[15]
Ka mendime se në këtë klimë antifilozofike kanë ndikuar edhe vetë filozofët, sikur El-Gazaliu[16], Shihabudin Suhraverdi[17], Sabzivari[18] etj., për shkak të shkrimeve të tyre jo fortë të sakta përkitazi me ishrakijjunët (neoplanistët) dhe meshshajjinët (peripatetikët).[19]



Nga “dituri e huaj” në “dituri autoktone”

Disa dijetarë problematikën filozofike e ndajnë në katër grupe:

1. Çështjet të cilat përafërsisht e kanë ruajtur formën e cila takohet në përkthimet e para dhe të cilat nuk kanë pësuar më vonë ndryshime, plotësime dhe ritrajtësime.

2. Çështjet të cilat janë plotësuar në filozofinë islame, dhe kjo në kuptimin se saktësisht janë shqyrtuar dhe përpunuar nga ana e filozofëve islamë, e jo në kuptim se iu është ndërruar trajta e parë, ose ka ardhur deri te ndryshimi në kuptim.

3. Çështjet të cilat në tërësi kanë ndërruar trajtën fillestare, ashtu që më vonë me çështjen e caktuar nënkuptohej diç plotësisht tjetër nga ajo që ishte për kuptim në të kaluarën.

4. Çështjet të cilat nuk kanë ekzistuar në periudhën paraislamike, pra, janë krijime të shkollës islame të të menduarit dhe janë trajtuar ekskluzivisht në qarqet intelektuale muslimane.[20]

Përveç ndryshimit të trajtës, problemet filozofike në botën muslimane kanë përjetuar edhe transformime në kuptim të qasjes dhe analizës. Këtë e vërejmë nëse krahasojmë përkthimin e Metafizikës së Aristotelit dhe të filozofëve muslimanë, ku nuk do të hasim shumë ngjashmëri në tematikën e trajtuar në aspect të qasjes. Po ashtu, edhe shumë çështje të cilat më herët kanë bërë pjesë në fusha të caktuara të diturive filozofike apo të shekncave ekzakte, shkallërisht kanë ndërruar vendin e tyre dhe më vonë janë trajtuar si çështje filozofike.[21]

Çështjen e shpirtit Aristoteli dhe Ibn Sinai e trajtojnë si problem të filozofisë natyrore, kurse disa të tjerë shpirtin e trajtojnë si problem të pastër filozofik. Mulla Sadra mendon se shpirti ka karakter të dyfishtë: natyror dhe filozofik.



Çështjet të cilat e ruajtën trajtën fillestare

Në grup bëjnë pjesë shumica e pyetjeve prej logjikës sikurse dhjetë kategoritë, klasifikimet e shkencave, klasifikimi i forcës së shpirtit e të ngjashme. Kjo nuk do të thotë se çsëthjet e tilla kanë mbetur të kristalizuara sipas formës së pare dhe se nuk kanë pësuar ndikime. Dallojnë mendimet e Ibn Sinait, Ibn Sihlan Savixhit dhe shejh’ul-ishraq Suhraverdit.[22]



Ndërrimi i përmbajtjes


Shumë çështje filozofike muslimanët i morën nga filozofët klasikë, mirëpo nga ajo formë fillestare kanë ruajtur vetëm emrin, sepse thelbësisht e kanë ndryshuar përmbajtjen. Shembull për këtë janë teoria mbi idetë e Platonit. Aristoteli mohon teorinë e mësuesit të tij, Platonit, por Ibn Sinani e përmban Platonin. Këtë e përmban edhe Mir Damadi[23], ndonëse ishte peripatetik Suhraverdi e kritikon ashpër Platonin dhe Ibn Sinain.

Por, nëse i studiojmë këto çështje esencialisht dhe drejtpërdrejt, te Platoni dhe filozofët muslimanë, do të shohim se përkundër disa ngjashmërive, ajo çka filozofët muslimanë nënkuptojnë me ide është krejt tjetërfare nga Platoni.[24]


Në vend të përmbylljes


Është mendim i përgjithshëm se çështja e ndikimit të ndërsjellë ndërmjet filozofisë antike greke dhe islame, e huazimit, e origjinalitetit dhe e valorizimit të saj nuk është sqaruar mjaft, dhe se hulumtimet ende janë individuale dhe josistematike dhe ende të ngarkuara nga e kaluara, por për fat të keq edhe nga aktualiteti i vrazhdë në fillim të mileniumit të tretë. Mirëpo, ka edhe vend për shpresë sepse disa individë dhe institucione herë pas here ofrojnë rezultate impresionuese.

--------------------------------------------------------------------------------
[1] Vetëm njeriut i është dhënë aftësia t’i përdorë emrat e gjerave dhe dijen dhe se këtë dhuratë nuk e posedonin as engjëjt. El-Kur’an, El-Bekaretu, ajeti 31, 32 dhe 269. Krahaso edhe: M. M. Sharif, Historija Islamske Filozofije, I, Zagreb, 1988, fq. 167-175.
[2] El-Ehwani pohon se “Arabët në shekullin e parë hixhrij nuk janë preokupuar me përkthimin e filozofisë sepse kujdesi i tyre, … qe përqëndruar vetëm në përkthimin e shkencës.” Ahmed Fuad El-Ehwani, Filozofia islame, Prizren, 2002, fq. 43.
Kur’ani esencialisht është libër religjioz, e jo filozofik, “ai merret me problemet me problemet të cilat janë të përbashkëta për religjionin dhe filozofinë. Që të dyjat kanë të thonë diç mbi problemet të cilët i përkasin kuptimeve çfarë janë: Zoti, bota, shpirti individual ...”. M. M. Sharif, Historija Islamske Filozofije, I, Zagreb, 1988, fq. 159.
Shih ndonjë nga përkthimet e Kur’anit në gjuhën shqipe dhe numrin e ajeteve që flasin për mësimin, meditimin etj.
[4] Muhammedi a.s. thotë:
“Dijetarët janë trashëgimtarë të ferrëfyesve.” Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibn maxhe, sipas: Ebu Hamid El-Gazali, Ihjau ulumid-din, knjiga 1,sarajevë, 2004, fq. 25.
“Urtësia shton respektin për të respektuarin kurse robin e ngrë në shkallë më të larta deri te shkalla e mbretit.” Sipas: Ebu Hamid El-Gazali, op. cit., fq. 26.
[5] Es-Sujuti, Dzelaluddin, Povijest halifa, Sarajevë, 2003; Ibrahim Dzananovic, Idztihad u prva cetiri stoljeca islama, Sarajevë, 1986.
Shih gjithashtu: Imam Ali, Nahjul Balagha (Sermons, Letters and Sayings of Imam Ali), Qum, Iran, pa vit botimi.
[6] Ebu Hamid El-Gazali, op. cit., fq. 53 e tutje.
[7] Ahmed Fuad El-Ehwani, op. cit., fq. 38-58.
[8] Henry Corbin, Historia e filozofisë islame, I-II, Shkup, 1997, fq. 167 e tutje. El-Ehwani, op. cit., fq. 60-66. M. M. Sharif, Historija islamske filozofije, I-II, Zagreb, 1988.
[9] Opinioni shkencor njeh disa ndërmarrje serioze në fushën e filozofisë islame, sikurse: M. M. Sharif, Historija islamske filozofije, I-II, Zagreb, 1988; Xhemil Saliba, Mu’xhem’ul-felsefij, I-II, Bejrut, 1414 h./1994 etj.
Në gjuhën shqipe shih: Sami Frashëri, Qytetërimi islam, Shkup, 2002; Nexhat Ibrahimi, Aspekte të kontributit të Sami Frashërit në islamologji, Referat i lexuar në: Konferenca shkencore Shemseddin Sami Frashëri – 100 vjet pas, 19-20 Nëntor 2004, Shkup etj.
[10] Grup autorësh, Arapsko-islamski uticaj na evropsku renesansu, Sarajevë, 1987. Rozhe Garodi, Islami dhe Kultura, Sarajevë, 1990.
[11] http://www.ibn-sina.net/txt/tekstovi.asp?tekst_id=23.
[12] Më aktivët dhe më të zëshmit në kundërshtimin e filozofisë, kelamit dhe të racionalizmit përgjithësisht është tradicionalizmi, veçanërisht hanbelistët dhe pasuesit e tyre.
[13] Seyyed Hossein Nasr, Tradicionalni islam u modernom svijetu, Sarajevë, 1994, fq. 189.
[14] Sipas: S. H. Nasr, Tradicionalni islam, op. cit., fq. 191
[15] Sipas: S. H. Nasr, Tradicionalni islam, op. cit., fq. 191-192.
[16] Imam El-Gazalij, El-Munkidhu min’ed-dalal, pa vend dhe vit botimi.
[17] Shihabuddin Umer Suhraverdi u lind në Suhraverd, afër Zenxhanit më 539-1145 h. dhe vdiq në Bagdad më 632-1234. Dallohet si kundërshtar i peripatetizmit, krahas esh’arizmit etj. Shih gjerësisht: Henry Corbin, op. cit., fq. 321-323 dhe S. H. Nasr, Tri muslimanska mudraca, Sarajevë, 1991, fq. 69-103.
[18] Hadi Sabzavari u lind më 1212-1259 h./ 1797- 1878. Sipas: Henry Corbin, op. cit., fq. 389 e tutje.
[19] http://www.ibn-sina.net/txt/tekstovi.asp?tekst_id=23.
[20] http://www.ibn-sina.net/txt/tekstovi.asp?tekst_id=23.
[21] P.sh. Aristoteli çështjen e kategorive e shqyrton në suaza të logjikës. Ibn Sina, po ashtu kategoritë i vendos në Mantik’ush-Shifa dhe Mantik’un-Nexhat. Ndërkaq te filozofët e mëvonshëm islamë shkallërisht çështja e kategorive gjithnjëe më shumë trajtohet si problem filozofik. Shih gjerësisht: http://www.ibn-sina.net/txt/tekstovi.asp?tekst_id=23.
[22] Sipas: http://www.ibn-sina.net/txt/tekstovi.asp?tekst_id=23.
[23] Mir Damadi vdiq më 1040 h./1631, filozof shi’it, i njohur si peripatetik. Gjerësisht: Henry Corbin, op. cit., fq. 367-370.
[24] Sipas: http://www.ibn-sina.net/txt/tekstovi.asp?tekst_id=23.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme