Ndërroi jetë prof. dr Muhammed Hamidullah (1906 - 17 dhjetor 2002)

Para ca kohësh, më sakt më 17. 12. 2002, në një spital në Florida të SHBA-ve, ku ishte në mjekim, ndërroi jetë në moshën 96 vjeçare, prof. dr. Muhammed Hamidullah, njëri prej shkencëtarëve, hulumtuesëve dhe mendimtarëve më të mëdhenj të botës islame. Kjo ndodhi pas faljes së namazit të sabahut, ngrënies së mëngjesit dhe pushimit të vogël, nga i cili nuk u kthye më.

Muhammed Hamidullahu u lind më 1906 në Hajderabad, ku e mbaroi shkollën fillore dhe të mesme. Në vitin 1930 e mbaroi Fakultetin juridik po në këtë qytet. Nga këtu, në vitin 1936 shkoi në Paris në përkryerje akademike. Doktoroi në Universitetin e Parisit në temën “Letrat e luftës të Pejgamberit të All-llahut”. Pas pak kohe doktoroi për së dyti në fushën e filozofisë në Universitetin e Tubingenit (Bon) në Gjermani.

Deri në vitin 1947 ka jetuar në Hajderabad, kurse pas ndarjes së Pakistanit dhe Indisë dhe kalimit të këtij qyteti shtetit të Indisë, Muhammed Hamidullahu u detyrua ta lëshojë vendlindjen, për shkak të rezistencës së tij të bërë ndaj Indisë. Prej atëherë ai jetoi në Paris, pa pasur mundësi të kthehet kurdoherë në vendlindje.

Në Paris botoi shumë punime në kuadër të Qendrës Nacionale për hulumtime shkencore (CNRS), anëtarë i së cilës ishte ky. Me mijëra punime të tij janë botuar në pjesë të ndryshme të botës.

Ka njohur, folur e shkruar gjuhën françeze, turke, gjermane, italiane, ruse, angleze, arabe dhe persiane. Kam pasur rastin që gjatë vitit 1981 në Sarajevë personalisht drejtpërdrejt ta dëgjoj dr. Muhammed Hamidullahun në ligjëratën me titull “Filozofia e krijimit” në gjuhën arabe. Kam pasur rastin që gjatë ligjëratës dhe pyetje-përgjigjeve tek ai të shoh devocionin, modestinë dhe humanitetin kulminant, krahas diturisë apogjetike.

Prej vitit 1952 deri në vitin 1975 ka vizituar Turqinë dhe ka mbajtur ligjërata të kohëpaskohshme në Universitetet e Istambullit, Ankarasë, Konjës, Kajserisë dhe Erzurumit. Po ashtu, ka ligjëruar në Universitetin e Kelnit, Gotingenit, Rijadit, Kolombës dhe vendeve të tjera.

Veprat e tij janë përkthyer në njëzet e ca gjuhë, ndër të cilat: Hyrje në Islam (e botuar në gjuhën shqipe), Jeta dhe vepra e Muhammedit a. s. (e përkthyer në gjuhën shqipe, në përgatitje për botim nga Logos-A e Shkupit), Diplomacia islame në kohën e Pejgamberit të Zotit dhe katër halifëve të parë, Përse agjërimi, Pelegrinazhi në Mekkë, Betejat gjatë kohës së Pejgamberit të Zotit, Letrat e Pejgamberit a. s. dërguar Herakliusit, Letrat origjinale të Muhammedit a. s. dërguar Kisraut, Raporti i fesë dhe të drejtës në Islam, Bankat pa kamata, Islami dhe kristianizmi, Kontributi i muslimanëve shkencave historike, e shumë shkrime e studime të tjera.

Ishte ndër njohësit më të njohur të sires (jetëshkrimit) së Muhammedit a. s. dhe sipas të gjitha kritereve ishte personifikim i mësimeve të mëdha të Kur’anit dhe Sunnetit.

Me dhëmbje duhet të shprehim se vdekja e një alimi të tillë paraqet vdekje të madhe edhe për shkencën dhe botën islame edhe botën përgjithësisht.

Pasi që të gjithë ne në njëfarë mënyre jemi nxënës të tij, borxhi ynë ndaj tij është botimi i shkrimeve të tij në gjuhën shqipe në afatin më të shkurtër dhe ndjekja e shtigjeve të tij shkencore. All-llahu e gradoftë me xhennet.




RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme