TSUNAMI SHQIPTAR I DIOGUARDIT - SI TSUNAMI SERB I PAVLIT TË BEOGRADIT…

“Dallgët gjigante të tsunamit janë një ngjarje e rrallë, por me ndikim shumë të fuqishëm, pasi ato rëndom e shuajnë jetën në përmasa biblike. Ato mund të japin formë të re madje edhe brigjeve të detit dhe mund ta ndërpresin vazhdimësinë e zhvillimit njerëzor kudo që shfaqen. Një zhvillim të tillë, që do të ketë ndikim të madh mbi jetën e njerëzve, mbi ekonominë dhe politikën e gjithëmbarshme të këtij rajoni edhe për shumë vjet me radhë, patëm rastin ta shihnim kohëve të fundit në Oqeanin Indian.. Pra, një zhvillim me përmasa pothuajse biblike ka ngjarë edhe në shekullin e pesëmbëdhjetë. Atë nuk e kishte shkaktuar ndonjë katastrofë natyrore, por ishte një tsunam njerëzor, në të cilin Perandoria Muslimane Osmane i zuri frymën popullit shqiptar në Gadishullin e Ballkanit, duke vrarë atëbotë det shqiptarësh. Stuhia e parë u pasua nga përpjekjet e parreshtura për fshirjen pothuajse të plotë të identitetit të një populli të tërë për pesë shekuj me radhë…”

“Kjo gjë që i ndodhi popullit shqiptar, i cili në vitin 1488 ishte i tëri i krishterë… Jam i lumtur që paraardhësit shqiptarë të babait tim kishin arritur t’i iknin kasaphanën së turqve otomanë në shekullin e pesëmbëdhjetë, për të arritur në Mbretërinë e Napolit, vend ky që u ofroi strehë dhe u mundësoi atyre jetën si shqiptarë të krishterë…”

Ndër të tjera, kështu shkruan Joseph J. DioGuardi në gazetë. Në këtë rast, mendimtari Xh. Gunter do t’i thoshte: “Thelbi i parë i gazetarisë është të dish çfarë dëshiron të dish; i dyti është të gjesh kush do t’jua thotë.”

Ju, z.DioGuardi, nuk dini çfarë dëshironi të dini, por e gjetët atë që do t’jua thotë! Një fjalë e urtë e Lindjes thotë:”Mos e bëj veten kaq të madh. Ti nuk je kaq i vogël.” Krahasimi që bëni mes tsunamit hyjnor dhe atij njerëzor është i pa krahasueshëm. Ajo është përshtatje. Erik Hoferi thoshte se çdo përshtatje që bëni, është një krizë në vlerësimin e vetvetes.

Në vitin 1488 nuk ishte i tërë populli shqiptarë i krishterë. Kishte edhe shqiptarë myslimanë, siç ishte Hamza Kastrioti, që nuk ishte i vetëm… Shqiptarët kur me shumicë u islamizuan, atëherë shpëtuan. Shpëtuan sepse nuk u asimiluan. Shpëtuan sepse nuk u romanizuan, nuk u greqizuan, nuk u sllavizuan…

Shqiptarët e krishterë, që janë rreth 1O përqind, si edhe shqiptarët myslimanë, që janë 9O përqind e kombit, së bashku kanë kapërcyer shumë vëshirësi nëpër histori. Rruga më e mirë pët të kapërcyer vështirësitë është të kalosh përmes tyre. Shumica e popullit shqiptar i kapërcej vështirësitë duke kaluar përmes tyre, duke qëndruar, duke luftuar dhe jo duke ikur në Itali, në Mbretërinë e Napolit, si paraardhësit tuaj para pesë shekujve dhe në vitin 1929 ikët në Amerikë…. Shumica e popullit shqiptarë, të krishterë dhe myslimanë, edhe pse qëndruan në Atdhe, edhe pse luftuan për Atdhe, nuk patën suksesin e duhur, të krijojnë një Atdhe. Atdheun , që shqiptarët e deshtën, e ndau vetë Evropa dhe e bëri copa copa…

Pse nuk patëm sukses? Sepse, siç thoshte Shekspiri, suksesi nuk vjen duke kaluar natën pa gjumë, por duke kaluar ditën zgjuar. Ne, shqiptarët, populli më i vjetër në Gadishullin e Ballkanit, ende nuk jemi zgjuar si duhet, jemi të përgjumur. Përgjumësia jo vetëm që na ka dëmtuar, por ka krijuar një plagë të madhe. Kjo plagë e madhe tani pak është zvogëluar, por nuk është shëruar. Prej nga vjen shërimi? Shërimi vjen nga pendimi. Pendimi është virtyt. Virtyt është kur shohim, kur njohim, të metat tona. Të metat tona nuk janë pak, por së paku t’i pranojmë, nëse dëshirojmë të përparojmë. Vetëm atëherë e ndjejmë se ku kemi lajthitur, ndër shekuj e mijëvjeçarë, ndër perandorinë rromake, bizantine, sllave, osmane, sllave-komuniste dhe në veçanti-në demokraci…

Për më se 15OO vite që shqiptarët ishin të krishterë nuk kishin asnjë libër në gjuhën shqipe. Libri i parë, më i vjetri, në gjuhën shqipe, është botuar më 1555, pra një shekull mbasi hyri Perandoria Osmane në Ballkan. Ky libër, shkruar (përkthyer) shqip nga Don Bdek Buzuku, që e zbuloi Dom Gjon Nikollë Kazazi prej Gjakove, në Kolegjin e Propaganda Fide-s në Rromë, më 174O, që ruhet në Vatikan, ku 32 faqe i mungojnë, prej 22O faqeve, sikur i mungon edhe ballina, kopertina, dhe nuk dihet, pra, vendi i botimit, kush e botoi, kush e lejoi, kush e “masakroi” dhe pse mbeti vetëm një kopje e vetme!? Kush është fajtor, kush mban përgjegjësi, për këtë pakujdesi, për këtë fatkeqësi, për këtë tragjedi?

Gospodin Pavli i Beogradit, në fjalën e mbajtur në Patrikanën e Pejës, për Krishtlindjen Orthodokse, me 6 janar 2OO5, tha: “Kosova është tokë e krishterëve…”. Pra, tsunami shqiptar i DioGuardit po përputhet, përshtatet, me tsunamin serb të Pavlit të Beogradit…! Për ata që shkaktojnë përçarje, Bibla këshillon: “U lutem, o vëllezër, të ruheni prej atyre që shkaktojnë përçarje: rrini larg prej tyre! Sepse të tillët nuk i shërbejnë Krishtit, por barkut të vet dhe, me fjalë të bukura e të ëmbla, gënjejnë zemrat e njerëzve të thjeshtë…” (Bibla, Romakëve, 16.)

Me rastin e njëzet vjetorit të themelimit të Sekretariatit Për Jo Të Krishterët (1964-1984), Papa Gjon Pali II-të, ndër të tjera, tha:

“Sot dialogu domethënë të mësojmë të falim, të mundohemi të kuptojmë zemrën e të tjerëve, e sidomos të shërbejmë tërë njerëzimit dhe një të vetmit Zot.”

Pas tsunamit shqiptar të Joseph J. DioGuardit, pas tsunamit serb të Gospodin Pavlit të Beogradit, duhet të bëhet paradigma. Paradigma është një strukturë mendimi. Një strukturë mendimi për të kuptuar dhe shpjeguar aspekte të caktuara të realitetit.

Duhet të mundohemi të kuptojmë, siç tha Papa, zemrën e të tjerëve, që i shërbejnë Atdheut, njerëzimit dhe një të vetmit Zot. Nuk duhet harruar se gjatë luftës së viteve 1998-99, për çlirimin e Kosovës, u vranë me armë në dorë rreth 35 hoxhallarë, u martirëzuan mbi dhjetë shejhlerë, të gjithë prijësa fetarë, si edhe mijëra besimtarë myslimanë-shqiptarë…

Pra, Islamizimi i shumicës së shqiptarëve është pjesë e këtij realiteti. Realiteti është e Vërteta. E Vërteta është në zemër. Zemra ka arsyet e saj, të cilat arsyeja nuk i njeh… Pra, z. Dioguardi, “Mos e bëj veten kaq të madh. Ti nuk je kaq i vogël”

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme