
Takimi ynë i ardhshëm ishte po ashtu në Mustafa Pashë, nja tre muaj e gjysmë më vonë, ishim të gjithë ne, e madje shumë të tjerë, si kishte thënë ai në letrën e fundit, që moti s’i kemi parë, por mungonte vetëm gëzimi që qëndronim pranë tij, ngase tash në vend të shkëlqesisë së tij, para nesh rrinte e heshtur xhenazja e tij. Dallimi i takimeve ishte i madh, po sikur dhimbja që e ndjenin të gjithë të pranishmit në xhami. Të gjithë në kokë i sillnin takimet e mira me të dhe derisa nëpër erën e ftohtë të vjeshtës së tretë të vitit 2005 jehonte zëri pikëllues i Bajrambunjaminit, në fytyrat e xhematit kullonin lot. Zot i madh, thashë me vete, kush nuk kishte dashur të vdesë me kaq xhemat, kush nuk kishte dashur të jetë bir i një babai kaq të respektuar!
I lindur më 15 nëntor të vitit 1936 në familjen e njohur me traditë islame të Hafëz Ibrahim Efendiut dhe Fikrije Hanëmit, Idrizi i Ri e kishte sjellë gëzimin e myzhden se tradita e lashtë e bartjes së mesazhit hyjnor në popull do të vazhdonte. Në këtë u bindën prindërit e tij vetëm pasi ai i kishte kaluar të dhjetat kur doli hafëz i Kuranit. Por fati i keq, Lufta e Dytë Botërore, me të gjitha të ligat që i solli, e detyruan atë që gjithë ilmin, si i thoshte ai diturisë, ta marrë nga babai i tij dhe nga dijetari i madh i kohës së tij, Mehmet Efendiu, për t’u bërë kështu më tepër një autodidakt të cilit çdokush do t’ia ketë lakmi. I rritur në traditën e literaturës osmane, ai shumë shpejt do ta përvetësojë mirë arabishten e osmanishten, u bë një shkrues i bukur i arabishtes dhe një poet i shkëlqyer i osmanishtes, çfarë mbeti deri në fund të jetës. Gjatë kësaj kohe, përveç mësimit e studimit të Kuranit u pajis me shumë njohuri nga ahlaku islam, nga tefsiri, jurisprudenca islame e nga hadithet e Muhamedit a.s.
Ishte kohë kur feja ishte në thumb, kur hoxhallarët ndiqeshin, burgoseshin e vriteshin, ishte fati i hidhur i Hoxhë Efendiut që pikërisht në këto kohë xhematin e Shkupit ta shërbejë me dituritë e tij, në fillim duke kënduar mukabele nëpër xhami, e pastaj, prej moshës 17-vjeçare kur u caktua në xhaminë e Dyqanxhikut, do të shërbejë si mualim, vaiz e hatib. Më pas për shkak të punës së tij aty që nuk i shkonte për shtati pushtetit, e transferojnë në Xhaminë e Jelen Kapanit, e cila me të padrejtë pas tërmetit u rrënua nga pushteti për t’u vendosur mbi të një objekt gjoja i drejtësisë. Pas 1963-tës po me këtë detyrë u caktua në xhaminë e Allaxhas ku veproi deri në vitin 1999. Gjatë kësaj kohe, ai i nxori dhjetëra hafizë, ndërsa fshehtë për shkak të rrethanave, i përgatiti tre gjenerata mualimësh, medresantë, si dhe disa qindra të tjerë që te ai mësuan leximin e Kuranit dhe bazat e fesë. Nga këta sot kemi shkencëtarë në të gjitha fushat e njerëz të dobishëm në shumë segmente të jetës. Dhe, këtë detyrë do ta vazhdonte edhe më sikur strukturat e pushtetit të atëhershëm (UDB-a) në bashkëpunim me BIM-in të mos e ndërpritnin. Prandaj ai u detyrua që medresenë e Allaxhas ta zhvendoste në shtëpinë e tij, ashtu që vite me radhë, këtu me ndihmën e madhe edhe të motrës, Hafëz Abllës, shtëpia e tyre do të shërbejë si një shkollë e një burim prej të cilit do të dalin shumë gjenerata të myslimanëve të rinj, qoftë hafëzë, mualimë ose edhe talebe të mësim-besimit. Këtë veprimtari, ndonëse për shkak të moshës dhe vdekjes së Hafëz Abllës, me më pak intensitet, Hoxhë Efendiu do ta vazhdojë edhe më vonë, deri në disa ditë para se të ndërrojë jetë.
Por, mëngjesi i xhumasë së parafundit të nëntorit të 2005-tës, vetëm tre ditë pasi ai i kishte mbushur 69 vjet, për të gjithë myslimanët e Maqedonisë solli lajmin më tronditës të vitit – ka ndërruar jetë Hafëz Idriz Efendiu. Dhimbje, pikëllim e vaj. U pikëllua familja që e humbi anëtarin e saj më të mirë, iu mor zëri Bajrambunjaminit e iu shtang fryma Adnanit që kishin ngelur pa babain më të dashur të Shkupit, u pikëlluan të gjitha talebet e Hoxhës, heshtën në vaj të gjithë hafëzët e tij, lotoi Çarshia e Vjetër e Shkupit për hoxhën më të bukur, më të pastër e më të çiltër që ndonjëherë kishte parakaluar nëpër të, u dëshpëruan edhe xhamitë që më nuk do t’i vizitonte Hafëz Idrizi, gjithçka ra në pikëllim e vaj, Shkupi e humbi edhe hallkën e fundit të hoxhallarëve të traditës osmane, hoxhën me aq shumë merita e peripeci, osmanliun e fundit të Maqedonisë. Gjithçka ishte bërë mahzun që shalli i tij i bardhë dhe xhybja e tij shkëlqyese nuk do t’i sfidonin më kalimtarët.
- Idriz Efendi nuk do të ketë më në Çarshinë e Shkupit, tha i biri në xhenazen e tij. Pas këtyre fjalëve, qau gjithë xhemati. Qamë edhe në që në takimin e dytë të Mustafa Pashës kështu po ndaheshim prej kësaj madhështie. Sa e shkurtër qenka jeta e njerëzve të mirë! Ky ka qenë Hafëz Idriz Efendi Idrizi. Vdiq duke folur për ahlakun dhe terbijen.
Shkup, e premte, ditë e ftohtë e me shi e vjeshtës së tretë, 18 nëntor 2005, e xhuma, 16 sheval 1426.