Goran Bregoviqi dhe Ibrahim Tatlisesi

Është bërë më tepër se një vjet qëkur në Kosovë ishte mysafir këngëtari i muzikës popullore turke Ibrahim Tatlises dhe po aq janë bërë qëkur te ne Maqedoni, po edhe më gjerë, u hodh pezëm e tërbim pse shqiptarët akoma merren me vlera anadollake, kur tash, në krye të vitit, në Tiranën tonë erdhi një mysafir tjetër, kësaj radhe i muzikës serbe, por që tani ata të njëjtit nuk thanë asgjë.

Shembulli i sipërm ndonëse në dukje jo aq i fuqishëm sa për të krijuar aksioma e për të bërë përgjithësime, megjithatë në thellësinë e tij flet shumë, ai është shembulli më tipik për gjendjen tonë kombëtare, për statusin tonë politik në Ballkan, për identitetin tonë, për prirjet tona, për rezervat tona, e pse jo edhe për mllefin ose dalldinë tonë herë-herë edhe patologjike ndaj Lindjes a Perëndimit.

Po ndodhin këto dy ngjarje brenda një intervali kohor kur në hapësirat shqiptare janë hapur dilema goxha të mëdha e interesante, si: në rast se Kosova pavarësohet, a do të jetë identiteti i njëjtë kombëtar i kosovarëve me shqiptarët e Shqipërisë, cilat do të jenë simbolet kombëtare të shtetit të ri të Kosovës, çka bëhet në këtë rast me shqiptarët e Greqisë, të Malit të Zi, të diasporës e të Maqedonisë (te ne u hodh një tezë për një identitet politik të veçantë), shtrohet edhe çështja e përdorimit të gjuhës shqipe, çështja e standardeve gjuhësore e të tjera, ndërsa si kapak i krejt kësaj ishte polemika mes Qoses e Kadaresë për identitetin (evropian – sipas Kadaresë) të shqiptarëve. Dhe, kur njeriu vendos të merret me të gjitha këto gjëra, kur futet në një det të këtillë temash, patjetër e ndjen se të gjitha këto çështje janë simpoziume më vete, libra më vete, por megjithatë në dy tri-fjalë këto çështje mund të zbërtheheshin edhe kështu.



Dëftorja dhe dëshirorja



Meqë në një mënyrë jam çdo ditë i lidhur me çështje gjuhësore, teksa i lexoja shkrimet e fundit të Kadaresë dhe të Qoses, por edhe duke u kujtuar në shkrimet e kaluara të botuara te ne (që kur në Tiranë vjen Bregoviqi nuk i kemi), fillova të mendoj se a e dinë shqiptarët dallimin e kategorisë së mënyrës së foljes, apo mos e kanë flakur tej edhe mënyrën e foljes nga prirja “për ta integruar” edhe gjuhën (!). Në gjuhën shqipe folja i ka disa mënyra (dëftorja, lidhorja, dëshirorja, kushtorja, urdhërorja dhe habitorja), të cilat janë krijuar si të tilla për të shprehur më saktë një veprim të caktuar. Kështu në gjuhën shqipe ka dallim të madh semantik në fjalinë ku folja jam përdoret në mënyrën dëftore dhe në mënyrën dëshirore. P.sh.: Fjalia Jam mbret! ka dallim sa Oqeani Atlantik me nja dhjetë metra e kusur më shumë se fjalia Qofsha mbret. Ndonëse e vërteta gramatikore, logjike dhe semantike, shpie në këtë përfundim, megjithatë kjo si duket mjegullohet te ata që gjithë atë që duhet ta shprehin me foljen ndihmëse dua ose qofsha, e shprehim vetëm me mënyrën dëftore të foljes në fjalinë që ata e kanë menduar në dëshirore, pra në vend që të thonë, për shembull, Qofsha mbret thonë Jam mbret. Dhe, kjo nuk do të ishte tragjedi e madhe sikur të bëhej në beletristikë, aty shkon gjithçka – si në romanet e Kadaresë, por të bëhet roman, të përdoret kjo logjikë, edhe në çështjet e polemikave mbi identitetin tonë kombëtar e kulturor, kjo vërtet është problem. Ja shembulli konkret: Qosja thotë se në identitetin tonë kulturor, gjysma është lindore, ndërsa Kadareja thotë se gjithë identiteti jonë është evropian. Shpjegimi është ky: Qosja flet në mënyrën dëftore, ndërsa Kadareja mendon në mënyrën dëshirore e shprehet në mënyrën dëftore. Se kjo është kështu flasin një mijë shembujt e interferencave kulturore shqiptaro-orientale që një herë i numërova në faqet e gazetës Fakti (që pastaj të zënë ngushtë para argumenteve, të më akuzojnë se qenkam “avokat i huazimeve”), duke filluar që nga arkitektura, orenditë shtëpiake, ushqimet, huazimet gjuhësore, veshjet, traditat e lindjes, synetisë, martesës, vdekjes e shumë e shumë të tjera. Qosja sigurisht duke i pasur parasysh këto gjëra, ka thënë se gjysma jonë është lindore dhe, për fatin e keq të Kadaresë me shokë, e ka thënë një të vërtetë të pamohueshme. Ndërkaq në anën tjetër Kadareja me të vetët e thonë një “fakt” tjetër që ata e shprehin në mënyrën dëftore, por që realisht është vetëm dëshirë e tyre (pjesërisht edhe e imja), pra është një dëshirore që në fakt më shumë ngjason në një habitore. Për shembull unë kisha pasur dëshirë që shqiptarët të ishin si gjermanët, të kenë shtet aq herët, të jenë liderë në politikën dhe traditën evropiane, të kenë universitet aq herët si gjermanët, të kenë shkencë e teknologji aq të zhvilluar, të kenë filarmoni e teatër që në shek. XIX, ta kenë pasur Hegelin, Betovenin e Gëten, të jenë popull që edhe pse i humbin dy luftëra botërore, megjithatë për më pak se 50 vjet arrijnë që prapë të ngrihen në këmbë dhe ta bashkojnë shtetin e tyre, por këto janë vetëm dëshira. Ndërkaq e vërteta është krejt tjetër: shqiptarët për herë të parë në histori bënë shtet në vitin 1912 me më shumë se gjysmën e territorit të tyre jashtë shtetit, universitet bënë kah mesi i shekullit XX, akademi shkencash edhe më vonë, gjuhën e standardizuan më shumë se 500 vjet pasi e dokumentuan, 50 vite besuan në babadimrin e komunizmit, ndërkaq tash besojnë në babadimra të tjerë dhe dy herë për dhjetë vjet e shkatërruan shtetin e tyre. Mjaftojmë të kujtohemi këtu në ngjarjet e 97-shit që të përfundojmë se “e vërteta” e Kadaresë me shokë është vetëm dëshirë. Këto ditë po i shikoja ngjarjet e 97-shit në TV Klan dhe po habitesha me qenien tonë, deri ku mund të arrijmë ne me prapësitë tona, ndërsa të nesërmen në mëngjes po ashtu në TV shikoja një dokumentar në të cilin flitej sesi kishin punuar gjermanët për ta bashkuar Gjermaninë e tyre. Janë këto kontraste që as Kadareja e as askush tjetër nuk mund t’i rrafshojë. Mbase janë të dhimbshme, por të vërteta. Andaj nuk duhet harruar se më mirë është të shfaqesh ashtu si je sesa të shfaqesh ashtu si dëshiron të jesh, se kjo kurrë nuk të lë të bëhesh i fuqishëm, çdoherë të mban peng të dëshirës për të qenë ajo që në fakt nuk je. Ne edhe ashtu mjaft jemi mashtruar në të kaluarën se kemi qenë bajraktarët e botës, e se dikush na e ka bërë sherrin. Të mjaftohemi me atë se i tillë ishte fati jonë gjatë historisë. Dhe, t’ia vëmë pikën e të shikojmë përpara.



Popull i mohimit të vetvetes


Në kontekst të këtyre temave e dilemave, një e vërtetë e dëftores është edhe fakti që gjithnjë e më tepër po del në sipërfaqe se mbase askush si ne shqiptarët nuk e mohon veten, të kaluarën e vet, duke i shikuar gjërat nga perspektiva e të tashmes dëshirore. Kështu për 50 vite e mohuam properëndimorizmin e Zogut, që tash t’i kthehemi atij koncepti e ta përmbysim atë që për 50 vite e krijuam. Kështu Kadareja që për 50 vite rrinte në prehër të Shokut Enver, tash (bile pa turp) e tall Enverin dhe familjen e tij, madje ia merr mendja të shpallet edhe disident. Dhe, kur nuk i shkon me disidentizmin, kapet në çështjen e identitetit, gjithnjë duke luajtur rolin e babait të kombit, në vend se të ulet e të shkruajë ndonjë vepër të bukur (evropiane!). Në këtë frymë Kadareja (nga një evropocentrizëm patologjik që sot gjykohet edhe nga vetë evropianët) e përmbys gjithë letërsinë shqiptare të alamiados (një përgjithësim shumë naiv e dashakeq), merreni me mend për arsye morale, duke harruar se pikërisht veprat e tij janë plot incest (Kush e solli Doruntinën), e bile edhe homoseksualizëm (Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut) e pornografi të skajshme (Qorrfermani e të tjera) që turp është edhe t’i përmendim (nëse flasim me logjikën e moralit shqiptar). Duke qenë të prirë për ta mohuar të kaluarën e tyre, shqiptarët janë në gjendje të heqin dorë edhe prej 50 viteve letërsi socrealiste, janë në gjendje të heqin dorë edhe prej lidhjeve të tyre me rusët, me kinezët e me jugosllavët, vetëm pse tash kanë nevojë për lidhje me Perëndimin. Është kjo edhe një prirje që po ashtu flet se shqiptarët nuk janë gjermanë (evropianë) e spanjollë. Ju z.Kadare bëni shumë mirë nëse dilni deri në Spanjë dhe ecni pak nëpër Grënadë, Seviljë e Kordovë, që t’i shihni gjurmët e kulturës islame atje e ta kuptoni se spanjollët e portugezët nuk turpërohen pse dikur kanë qenë në një kontakt më shumë se ne me Orientin. Së paku janë mirënjohës se maurët kur ikën nga Spanja, në Evropë e lanë sapunin që stërgjyshërit tanë evropianë t’i lajnë sytë çdo mëngjes. Nëse i bëhemi krah kësaj prirjeje mohimi, ne në fakt pas një kohe mund ta mohojmë edhe këtë që jemi tash, e kështu të vazhdojmë deri në amshim. Kështu nuk veprojnë popujt e qytetëruar (evropianët, do të thoshte Kadareja). Unë do ta përsëris edhe një herë (për satën herë) atë që e kam thënë edhe më parë, atë që e ka shqiptuar Qosja, më parë Çabej, e shumë të tjerë para e pas se ne shqiptarët jemi popull evropian, në territor të Evropës, me gjuhë indoevropiane (me shumë elemente lindore e perëndimore), mbase edhe me gjen evropianësh, por me kulturë më shumë se gjysma lindore, orientale, me 500 vite kontakt me Orientin, me art shkencë e traditë në një shtet që për pesë shekuj ka qenë superfuqi. Pastaj jemi popull që mezi arritëm ta bëjmë (e tash ta mbajmë) një njësi politike në fillim të shek. XX, mezi arritëm të krijojmë alfabet, e më vonë edhe gjuhë standarde në shekullin që shkoi (që sot e kontestojmë), jemi popull me 50 vjet socializëm mashtrues (edhe në Jugosllavi edhe në Shqipëri), e tani me 15 vjet demokraci të çoroditur që Shqipërinë nuk e lë të ngrihet assesi nga rëniet e shpeshta, Kosovën akoma e mban peng të statusit politik, shqiptarët e Maqedonisë i ka lënë në arkapi, ndërsa Çamërinë dhe Malësinë i ka harruar. Këta jemi ne. E për atë që duam të jemi e që është mirë të jemi, mund të bisedojmë veçmas. E di që këtu ka vend për të polemizuar për kryqet nëpër Shqipëri, për Nënë Terezën, për Skënderbeun, për Haxhi Qamilin, për alamiadon më gjerësisht, për periodizimin e letërsisë, për çështje historike e të tjera, por, si e thashë në fillim, ashtu nuk dalin as librat e simpoziumet.

Ndërkaq tash po i kthehem edhe një herë Bregoviqit e Tatlisesit: i pari nuk ka vend në Prishtinë, pikërisht për shkak të masakrave akoma të njoma që i ka bërë pushteti serb në Kosovë, ndërsa i dyti, që i takon një populli i cili gjatë luftës ishte krah për krah me shqiptarët, edhe si shtet, edhe si popull, bile edhe si ushtar në luftë, fyhet e i bën njerëzit të ndjehen inferiorë pse ka ardhur turku të këndojë “te evropianët”. I pari është simbol i sllavizmit ortodoks millosheviqian që për më shumë se 20 vite po i zhduk me gjenocid shqiptarët e ish-Jugosllavisë, ndërsa i dyti, merre si ta marrësh, mbetet simbol i lidhjeve kulturore shqiptaro-orientale të cilat shqiptarëve historikisht as për 500 vjet nuk ua kanë bërë atë që për vetëm 50 vjet ua kanë bërë serbët e Bregoviqit, prej të cilëve ai kurrë nuk është distancuar. Bregoviqit në Tiranë i bëhet shumë më tepër sajgi se Ibrahimit në Prishtinë, por kjo nuk i pengon as Kadaresë e as askujt prej tyre! Prandaj habitem me ata që e përmendin bashkimin e Shqipërisë etnike – a do t’ia jepte edhe atëherë babai i kryeqytetit shqiptar ndonjë çmim nderi ndonjë artisti të tipit të Bregoviqit në prani të shtetasve të vendit të tij të dergjur dikur nga miqtë e këtyre figurave?! A është ky një kozmopolitizëm i skajshëm cinik ndaj kosovarëve?! Na vjen keq, por patjetër duhet ta themi, se shqiptarët e ish-Jugosllavisë ngadalë po e ndërrojnë epiqendrën e tyre etnike dhe kulturore drejt Prishtinës, mbase edhe për këto sjellje joserioze të bashkëkombësve të tyre në Republikën e Shqipërisë e të autoriteteve shtetërore të Republikës së Shqipërisë. Dhe kjo, jo nga dëshira – ata janë të refuzuar nga “shteti amë”. Unë sinqerisht do kisha të jem skajshmërisht optimist e të besoj se pas këtij koncerti në Tiranë, së shpejti do ta shohim edhe Manjolla Nalbanin në Beograd (si shembull të marrëdhënieve të relaksuara serbo-shqiptare), por kjo mund të jetë vetëm me mënyrën dëshirore.

Dhe, krejt në fund jam para disa dilemave se cilat janë arsyet e këtyre sjelljeve divergjente të shqiptarëve në Ballkan; këtu ose kemi të bëjmë me rizgjimin e hershëm të lidhjeve shqiptaro-serbe të kohës së Millosh Kopilit e të kohës së Skënderbeut (me dhëndurë sllavë) ose mos po na dalin të sakta pohimet për rolin e shërbimeve serbe në mozaikun politik shqiptar në Ballkan ose po del në shesh urrejtja patologjike ndaj gjithçkaje që është lindore (me theks të veçantë islame) ose ata janë një KONTINGJENT me detyrë që në emër të një patriotizmi fiktiv përpiqen t’i shkëpusin të gjitha lidhjet natyrore të shqiptarëve me Lindjen (madje edhe duke ofenduar e shpifur) ose në ekstazën e orgazmës së tyre me Perëndimin janë dalldisur pas politikës evro-amerikane dhe kanë harruar se politika shumë shpesh i ka mashtruar shqiptarët në formësimin e identitetit të tyre. Të gjitha në mënyrën dëftore - njëra patjetër e vërtetë. Që do të mjaftonte, apo?!

Fatkeqësisht!

(Autori është profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe – punon në Fakultetin e Filologjisë në Shkup)








RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme