Agjërimi im i parë dhe Deriku

E mbaj mend se ishte shumë vështirë. Çdo natë në lajmet e Televizionit të Shkupit i dëgjonim frazat “albanski nacionalizam i separatizam” që ndiqeshin nga ofshamat e babait tonë dhe, ndonëse nuk e dinim çka ishte “nacionalizam i separatizam”, nga ofshamat e tij e kuptonim se ajo ishte një shpifje e qëllimshme që u bëhej shqiptarëve. Po, po, ka qenë pikërisht ajo kohë, më duket pranverë – maj ose qershor, kur nëpër televizione, radio e gazeta thoshin se flitej për burgosjen e atyre hoxhallarëve që e pengojnë mësimin duke ua mësuar fëmijëve myslimanë fshehurazi Kuranin dhe mësim-besimin nëpër shtëpi. Neve na kishte kapluar frika, ta burgosin hoxhën tonë. Ruana Zot, frikoheshim shumë. Babai ynë që e kishte nuhatur vetë ose që kishte dëgjuar nga dikush, vazhdimisht na fliste se punën e mësimit te hoxha nuk guxojmë t’ia tregojmë askujt, ndërsa rrugës kur të shkojmë te ai, ta fshehim mirë elifin ose musafin se nëse na e gjejnë mund ta burgosin edhe hoxhën edhe babain. Ne vërtet frikoheshim shumë, andaj ndonëse disa fqinj tanë e dinin, askujt tjetër nuk i tregonim se mësojmë te hoxha. Shkonim e ktheheshim shpejt që të mos e marrë vesh askush. Megjithatë kjo nuk ishte lehtë!

Pasi ishin bërë dy-tre ditë të Ramazanit, babai jonë e kishte marrë rrogën, e që të na motivojë, na tha se ai që do ta agjërojë një ditë të plotë të Ramazanit do t’ia blej një palë patika ta reja për Bajram. Ishte kjo një sfidë për ne. Ne edhe ashtu kishim shumë dëshirë të agjërojmë, por ata nuk na linin se akoma ishim të vegjël, por kësaj radhe babai jonë kishte lëshuar pe. U ngritëm edhe në syfyr, hëngrëm sa mundëm mantie me gjizë (ah si nuk kam ngrënë më kurrë aso mantie), pimë ujë sa më shumë dhe bëmë nijet që nesër të agjërojmë. U zgjuam herët dhe shkuam në shkollë. Edhe pse ndjehesha pak më krenar se shokët e mi se po agjëroja, këtë nuk ia thosha askujt sepse ashtu na pat porositur babai në shtëpi. Por, për fatin tonë të ligë, atë ditë Deriku, si e quanim ne pedagogun e shkollës (nga një film serik që asokohe shfaqej në TV – të cilit ai i përngjante shumë) kishte vendosur të ecë klasë më klasë e t’ju flasë fëmijëve për agjërimin se ata janë akoma të vegjël e se nuk bën të agjërojnë. Kështu edhe mua ma prishi gëzimin e asaj dite. Hyri te ne, ndërsa mësuesi jonë u çua në këmbë. Me një qeshje shumë plastike në të cilën vërehej një mllef tjetër që pritej të thuhej, ai duke aktruar se aq shumë na donte filloi të na flasë se “ju jeni të mirë, se mësoni” e kopalla të tjera, për të dalë në temën “por nuk guxoni të agjëroni, se ai është për pleqtë, se ju jeni të vegjël” e edhe do muhabete të tjera që më pas të vazhdojë të flasë se “edhe mësimi te hoxha për neve është i padobishëm” dhe se ne “kemi kohë për ato gjëra”. Derisa ai fliste për këtë temë, mua më dukej se e ka marrë vesh ai për mua dhe prandaj po fliste, i pata ulë sytë në tokë, ku ta dish sa jam skuqur, kur ja ai vendosi të na pyet a mos ka dikush nga që shkonte te hoxha. Mësuesi jonë, i cili jetonte në lagjen tonë dhe të cilit ia merrte mendja se kush mund të shkonte te hoxha, filloi t’i flasë se “ne jemi të mirë e se nuk shkojmë në aso rrugë”, por një shok i imi, një sherrbudallë, si qe quanim ne në atë moshë, me krenari naive fëmijërore i tregoi se ai mësonte te mixha i tij, madje se edhe unë mësoja te mixha im. Unë desha të reagoj, të them se ai po shpif, por nuk mundesha, nuk kisha fuqi, për pak do ia plasja vajit. Unë heshtja dhe skuqesha edhe më, ndërsa ky sherrbudalla jonë i tregoi si quhet hoxha i tij dhe hoxha im. Deriku i shënoi këta dy emra dhe, si i gëzuar që zbuloi diçka, doli për dere. Ne u ngritëm për t’i uruar ditë të mirë. U ngrita edhe unë ndonëse me zemër nuk desha kurrë më ta shoh. Ora ishte ndërprerë, mësuesi jonë ishte stepur, ishte kthyer kah dritarja dhe sikur nuk kishte zemër të më shikojë në sy. Kështu qëndruam gjatë. Mbase kështu, pa thënë asnjë fjalë, do të rrinim edhe shumë kohë, por fatmirësisht ra zilja dhe ne dolëm në pushimin e madh.

Dola në oborr, ika mos të më shohin shokët dhe ia plasa vajit. U kullova në lot. Megjithatë sherrbudalla më kishte vërejtur, andaj erdhi dhe si i zënë në faj m’u afrua. Ndonëse tash edhe atij ia merrte mendja, më pyeti se pse po qaj. Ti je budalla, i thashë, do të na marrësh në qafë, do ta burgosim mixhën tim, a e di se çka ke bërë?! Flisja dhe dënesja. Ai i turpëruar iku. Zilja ra prapë. Të gjithë u futën në shkollë, ndërsa unë hyra i fundit, shkova në çezme, i lava sytë ënjtur dhe hyra në klasë. Edhe arsimtari më hetoi. Kur e pa sa jam mërzitur, më përkëdheli dhe më lëshoi në shtëpi, gjoja se qenkam i sëmurë e paskam temperaturë. Duke dalë, më shikoi në buzët e thara nga agjërimi dhe sikur ma bëri me dije se ai e dinte për mua, porse as ai nuk kishte ç’të bëjë. Me të shpejtë dola nga shkolla. Edhe në shtëpi qava sa munda. Kur u kthye nga puna babai im, më mori në prehër, më ngushëlloi se nuk ka problem dhe më lëshoi të dal jashtë pak të luaj, ndërsa në shtëpi filloi përgatitej iftari. Ne qëndronim të Qymesi i Hasanit prej ku shihej minarja e Jahja Pashës. I prisnim të ndizen kandilat. Unë akoma e kisha brengën e ditës.

“Iftar, iftar, jandila kandila”, të gjithë u turrëm në shtëpi. Bëra lutjen e iftarit dhe piva ujë. Mërzia më kaloi si me dorë. Isha shumë i gëzuar. Dhe, jo vetëm për patikat e Bajramit.








RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme