Rruga e hapur e Islamit

Islami dhe muslimanët në dhjetëvjetëshat e fundit janë në epiqendër të opinionit botëror. Për islamin dhe muslimanët jepen vlerësime dhe gjykime si brenda botës muslimane ashtu edhe jashta saj. Ata janë sfidë dhe provokim për teologjinë, filozofinë, sociologjinë, politikën dhe ekonominë botërore, por edhe për njeriun e zakonshëm.

Këtë interesim për Islamin dhe muslimanët e rezultoi mbijetimi i islamit tradicional në botën bashkëkohore, depërtimi i modernizmit në Shtëpinë e islamit dhe ardhja e paradokoshme e lëvizjeve me atribute islame, qoftë me emër qoftë me realitet, gjatë dekadave të fundit.[2]

Herë-herë duket se bota përreth qëndron e habitur para islamit dhe muslimanëve. Habinë e manifestojnë edhe ata me prirje simpatie për islamin edhe ata me prirje antipatie për islamin. Habi shprehin edhe ata që e njohin edhe ata që nuk e njohin. Si duket, habia e tyre konsiston në paaftësinë që Islamin ta kategorizojnë, ta vendosin në ndonjë formë, në ndonjë klishe tashmë të njohur, në ndonjë ideologji apo parti të mundshme, në kornizë nacionale apo gjeografike, në diç që do të mund të quhej fillim apo fund, fund në kuptimin “hegelian si evolucion i përgjithshëm i shoqërisë njerëzore, i cili hapëron drejt synimit të vet skajor”, apo fund në kuptimin fukujamian, i cili do të thotë “fund i kuptimit të historisë njerëzore dhe fillim i ndonjë historie absurde”.[3]

Shtrohet pyetja, i konsumoi njeriu të gjitha idetë e tij, gjithë thesarin e tij, gjithë trashëgiminë njerëzore, pasi përjetoi edhe monarkinë edhe fashizmin, edhe demokracinë liberale edhe komunizmin dhe të gjithë …izmat tjerë? Është e qartë, para vetes kemi një udhëkryq historik. Kah të ecin muslimanët, rrugës së vet të njohur vetëm në fillimin e Islamit, apo edhe më tej të ecin rrugëve të huaja që i kanë trasuar të tjerët! A ka umeti musliman aftësi shpirtërore dhe intelektuale të bartë amanetin e Allahut, të cilin e refuzuan edhe qiejt edhe toka nga droja e përgjegjësisë.[4] Sipas të gjithave, umeti duhet ta ofrojë përgjigjen e vet: o përgjigjen për lirinë o përgjigjen për robërinë! Nuk ka tjetër rrugë përveç Islamit[5], i cili fundin e sheh si fillim të ri.[6]


* * *

Periudha moderne, të cilën muslimanët e mbijetuan si aktivizëm[7] intenziv për ta ruajtur ekzistimin e vet biologjik dhe historik, ishte angazhim për ta ruajtur fjalën e amshueshme të Zotit, për t’i siguruar islamit hapësirë në histori dhe për ta ruajtur historinë në islam. Duke iu falënderuar këtij aktivizmi, muslimanët kundërshtuan përvetësimin dhe pushtimin e vlerave të tyre kulturore dhe nacionale nga të tjerët dhe kundërshtuan jomoralin, ngecjen dhe varfërinë. Islami tregon se shekullarizmi dhe nacionalizmi, si vlera perëndimore që u imponohen muslimanëve, vetvetiu nuk janë modernizëm. Islami tregon se mendimi islam është organizëm i gjallë i përshkuar me forcë hyjnore për rritën dhe zhvillimin e tij. Për këtë shkak, Islami nuk mund të konzervohet as të vuloset. Domethëniet e tij janë të gjalla, të hapura për eksploatim dhe të kapshme për ata që mendojnë dhe thellohen. Mendimi islam vetëvetiu zbulon rrugën për veten pikërisht kur nuk shpresojmë dhe atje ku nuk e presim. Islami nuk mund të pushtohet as të përvetësohet, por ai pushton dhe përvetëson njerëzit. Islami nuk mund t’i imponohet dikujt me forcë, sepse ai pushton me frymën e vet, me mendimin e vet, me domethënien e vet, me dinamizmin e vet, me magjinë dhe me sharmin e vet të brendshëm dhe të jashtëm. Shpata, aq shumë e atribuuar muslimanëve, kurrë nuk ka shërbyer për t’i futur jomuslimanët në islam, por ka shërbyer pikërisht për t’i nxjerrë muslimanët nga islami. Dhuna gjatë shekullit XX në Ballkan, por edhe vendet tjera në botë nga ana e kristianëve ndaj muslimanëve është treguesi më i mirë.[8]


* * *

Për shkak të shtangimit, ngecjes, letargjisë dhe paralizimit të Islamit oficiel, institucional në botën muslimane, për shkak të amullisë dhe apatisë, për shkak të sterilitetit dhe anemisë së njerëzve oficielë të organizatës së fesë islame, në vend dhe në botë, si më herët ashtu edhe në ditët tona, ka pasuar paraqitja e lëvizjeve muslimane. Mendimi islam, dëshiruam ne apo jo, ka ikur nga kontrolli i institucioneve oficiele. Lëvizjet muslimane jo që nuk kanë mundur të kontrollohen, por as bartësit e tyre nuk kanë mundur të përkufizohen qartë e saktë përkah profili dhe karakteri. Evidente është se lëvizjet karakterizohen me vullnet, emocione, sinqeritet, fanatizëm dhe lëvizshmëri të gjallë. Por, këtyre lëvizjeve në të shumtën e rasteve iu mungonte përkrahja dhe bazamenti intelektual. Ky aktivizëm i gjallë, me përmasa të pakufizuara, u gjetë kundrejt intelektualizmit[9] islam. Me këtë gjendje dhe në këtë gjendje, aktivizmi vështirësoi zgjidhjen e pengesave dhe vështirësive të shumta në rrugën e synimeve përfundimtare. Për këtë lëvizje, më shumë kënaqësi ka sjellur shikimi në të kaluarën se sa shikimi në tanishmëri dhe ardhmëri. Kjo gjendje e shikimit prapthi në histori solli deri te aktivizmi i pakufizuar dhe intelektualizmi i pamjaftueshëm musliman. Ky aktivizëm i pakufizuar islam zinte fill në parimin se Islami posedon të vërtetën të cilën s’ka nevojë ta shpjegojmë. Kjo e vërtetë është e qartë nga të gjithë besimtarët, ndaj s’ka nevojë për interpretim. Ata që lëshohen në interpretim të islamit dhe në gjetjen e rrugëve të reja, përballen me anatemën tashmë të njohur të puritanisteve se kanë shtrembëruar rrugën e të parëve. Sipas tyre, ka nevojë vetëm për lëvizje, aksion, protest, lëvizje në botë dhe në histori, protest kundër botës. Mirëpo, ky aktivizëm musliman ka afatin e tij të kohëzgjatjes. Refuzimi i intelektualizmit të përkufizuar musliman mund ta përfundojë jetën e tyre dhe kjo lëvizje shumë shpejtë do të konsumohet.[10] Ndonëse krahasimet janë të pakëndshme, fati i ‘konsumimit’ e gjeti më herët edhe Kishën kristiane e cila u ashtëzua, u mistifikua dhe u fortifikua para dijes dhe mendimit dhe vetëm Renesansa (nën ndikimin musliman) e shpërtheu këtë fortifikim.[11] Në tërë këtë, duke mos pasur dëshirë të prejudikojmë, shembull të shkëlqyeshëm kemi shkollën hanefite-maturidite, shembull ideal të simbiozës së tradicionales dhe racionales, intuitives dhe formales, interiores dhe eksteriores.[12]


* * *

Për fat të keq, muslimanët intelektualizmin pjesërisht e kanë harruar, pjesërisht e kanë neglizhuar dhe pjesërisht e kanë shtrembëruar. Si pasojë e kësaj harrese, neglizhence e shtrembërimi, muslimanët nga pronarët e thesarit intelektual botëror janë shndërruar në fukarenjë, pasues të verbër të vlerave intelektuale, kulturore dhe qytetëruese të padronëve të tyre.[13] Edhe historinë, edhe teologjinë, edhe gjuhën, edhe filozofinë, edhe sociologjinë, edhe politikën e shkruajnë dhe e komentojnë orientalistët, antropologët, filozofët, sociologët, politologët evropianë.

Por, kur disa prej muslimanëve aktivistë e kuptojnë se janë viktimë e vlerave intelektuale të vetvetes dhe të huaja, e kuptojnë dobësinë e tyre intelektuale, dhe si apologji të kaluarën e tyre intelektuale fillojnë të idealizojnë pa mbulesë për gjendjen e tanishmërisë dhe të ardhmërisë së tyre. Me këtë veprim shkurtëpamës dhe antiislam, antikur’anor, antihadithor dhe antisunetik, zbulojnë pasigurinë kulturore të tyre e cila pastaj kalon në aktivizmin e papërkufizuar islam, i cili përballet me intelektin dhe rrënon ecjen natyrore të islamit në histori. Në të vërtetë, fjala është për përtacinë intelektuale të një pjese të muslimanëve, e cila po zgjatë tashmë disa shekuj. M. Asadi pohon se “që Islami sërish të mund të bëhet fuqi kreative në jetën e muslimanit, vlerësimi i parimeve islame duhet të revidohet në dritën e perceptimit tonë vetjak të burimeve origjinale dhe i liruar nga shtresa e trashë e shpjegimeve konvencionale, të cilat me shekuj janë grumbulluar, e çka na mungon sot.” [14]

Nuk mund ta përfundoj këtë shkrim me ngjyrë defetiste. Historia e gjatë e Islamit jep shpresë se Islami, me instrumentariumin e tij internë, ka aftësi dhe potencial që me sukses t’i përballojë sfidat e tanishme: të materializmit dhe të konservatizimit.[15] Këtë e pohon edhe Muhammed Abduhu, por edhe Muhammed Ikball, duke thënë se me ardhjen e Kur’anit, njerëzia ka mundësi ta njohë të vërtetën edhe pa intervenimin e drejtpërdrejtë nga ‘Lartë’[16], por duke e pasur prioritet në çdo gjë fenë.[17]

Së këndejmi, dëshirojmë që ky shkrim dhe kjo vepër, duke pasur parasysh kontributet e mëdha të kolosëve muslimanë (Afganiut, Abduhusë, Ikballit, Nasrit, Attasit, etj. në dy shekujt e fundit), të nxisë mendjet e urta, të ofrojë shtigje të mundshme dhe të ndihmojë, sado pak, në kapërcimin e problemeve aktuale doktrinare dhe praktike dhe të ndihmojë në konceptimin e drejtë e të urtë të Islamit dhe të trashëgimisë së tij të pasur.

O Allah, vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkojmë.

--------------------------------------------------------------------------------
[1] El-Kur’an, El-Ahzab, 21.
[2] Seyyed Hossein Nasr, Tradicionalni islam u modernom svijetu, Sarajevë, 1994, fq. 279.
[3]M. Cerić, Islam izmedju aktivizma i intelektualizma, në: Islamski svijet danas,Zagreb,1995,fq.15.
[4] El-Kur’an, El-Ahzab, 72.
[5] El-Kur’an, Ali imran, 85.
[6] M. Cerić, op. cit., fq. 15.
[7] Shih: E. Murtezai, Fjalor i filozofisë, Prishtinë, 1995, fq. 25-26.
[8] M. Cerić, op. cit., fq. 16.
[9] E. Murtezai, op. cit., fq. 291-292.
[10] M. Cerić, op. cit., fq. 17.
[11] M. Asad, Islami në udhëkryq, Prizren, 2002, fq. 40-41.
[12] N. Ibrahimi, Imam Ebu Hanifeh dhe Imam El-Maturidiu - perla të akaidit islam, libër në dorëshkrim.
[13] Një nga arsyet e prapambetjes është edhe ndarja e islamit në shpirtërore dhe fizike, duke kopjuar mësimet e feve dhe doktrinave të huaja. Islami në esencë nuk e njeh këtë ndarje. Namazi, agjërimi, haxhi dhe ibadete të tjera janë shembulli më i mirë: angazhimi shpirtëror, ideor, fizik i besimtarit. M. Asad, op. cit., fq. 19 e tutje.
[14] Sipas: M. Asad, op. cit., fq. 101-107.
[15] Shih gjerësisht: Fazlur Rahman, Duh islama, Beograd, 1983, fq. 338-341.
[16] Fazlur Rahman, op. cit., fq. 304-305.
[17] Muhammed Ikball, Ripërtritja e mendimit fetar në islam, Shkup, 2006, kaptina “Njohja dhe përvoja fetare”.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme