Fuqia si vlerë dhe virtyt moral dhe domosdoshmëri e ekzistimit

I


Nocioni i ‘fuqisë’, ‘i forcës’ gjatë historisë islame është konceptuar në mënyra të ndryshme. Në fillim nocioni ‘i fuqisë’ nënkuptonte “aftësinë e njeriut përmbush synimet që ia ka vendosur vetvetes … dhe luftën me forcat e pamoralshme të botës së jashtme, të cilën njeriu mund ta fitojë me bashkëpunim dhe ndihmën e Zotit”[1] dhe kishte vend meritor në të gjitha pikëpamjet e jetës muslimane: në pikëpamjen fetare, politike, ekonomike, shkencore. Por, me kalimin e kohës nocioni i ‘fuqisë’ u la në harresë. Konceptimi dhe trajtësimi i vlerave dhe virtyteve morale bëhej në mënyrë inferiore, të plogshtë, inerte dhe apatike.

Si erdhi deri te kjo gjendje kemi disa përgjigje:

- Pafuqia reale historike e muslimanëve në botë ka ndikuar që këta kanë harruar imperativin moral islam të fuqisë dhe në këtë mënyrë janë pajtuar me pafuqinë e tyre;

- Pafuqia muslimane e shprehur në rraskapitje, inertësi, kotësi, molisje dhe inferioritet erdhi si pasojë e harresës së imperativit moral islam të fuqisë.[2]


II


Duke mbyll dyert e ixhtihadit, ulemaja islame filloi të mbyllej në vete, të zbehej dhe të atrofizohej. Kërkesat gjithnjë e më të shprehura intelektuale, materiale dhe shpirtërore të islamit në rritje filluan të trajtohen formalisht, në mënyrë shterpe dhe pa studime të thella. Në vend të ballafaqimit me kërkesat dhe problemet reale, muslimanët filluan të izolohen dhe të getoizohen në gëzhojën vetjake. Si pasojë e këtij getoizimi, stagnimi dhe atrofizimi të mendimit islam, kemi shtrembërimet e mëdha në besim (akaid), moral (ahlak), jurisprudencë (fikh), histori (tarih), filozofi (felsefeh), sufizëm (tesawwuf) dhe në dituritë e shkencat tjera (ulum ed-dunjevijjeh).[3]

Kështu, në rrafshin moralo-etik, që me këtë rast edhe na intereson më së shumti, përulësia (nga respekti) transformohet në pafuqi, modestia e jetës transformohet në varfëri. Si pasojë të këtij botëkuptimi të gabueshëm kemi mendimin absurd në mesin e muslimanëve se Allahu e don varfërinë dhe se muslimani i mirë nuk duhet të jetë i pasur. Ky botëkuptim përhapej në shumicën e shtresave muslimane përkundër porosive dhe kërkesave ultimative dhe maksimalisht serioze të Haditheve të Muhammedit a.s., të cilat qartë dëshmojnë se varfëria dhe mosdija është realitet me të cilin nuk pajtohet islami:

“Dituria dhe pasuria e mbulojnë çdo turp, kurse padija dhe varfëria i zbulojnë.”[4]

“Varfëria është krejt afër mosbesimit”.[5]

Bindjen e gabuar për pasurinë do ta vërejmë edhe në literaturën etike, e ndër shqiptarët në literaturën e a.q. ‘të bejtexhinjve’[6], ku modestisë dhe varfërisë i këndohet lëvdatë.

Edhe pse sipas konceptit islam pasuria materiale nuk është burimi më i rëndësishëm i fuqisë, nocioni i varfërisë si ideal moral në etikën islame, sidomos i proveniencës sufiste, ndoshta është shembulli më eklatant i lënies së fuqisë në harresë. Edhe vetë rritja e interesimit për tarikatet apo sektet e ndryshme sufiste shpreh mentalitetin e gabuar të muslimanëve kundrejt fuqisë. Njëkohësisht manifeston pafuqinë, pasigurinë dhe ngushtësinë shoqërore. Kjo gjendje i konvenoi varfërisë.[7]

Duhet theksuar se pasuria është një prej cilësive të Allahut nga 99 cilësitë dhe besimtarët duhet ta arrijnë këtë cilësi për ta fituar xhennetin. Pse është neglizhuar kjo pikë shumë e rëndësishme mbetet të hulumtohet sociologjikisht, por edhe nga aspektet tjera.

Shembulli tjetër i harresës së imperativit moral islam të fuqisë gjendet në doktrinën shumë të përhapur të determinizmit dhe fatalizmit në botën islame por edhe te shqiptarët. Në këtë mentalitet nuk kishte vend për nocionin e ‘fuqisë’. [8]

Në shekullin XIX dhe XX, disa dijetarë muslimanë si Xh. Afganiu, M. Abduhu, M. Ikball, S. H. Nasri e të tjerë e atakuan ashpër doktrinën mbi xheberin (paracaktimin, predestinimin). Këta pohojnë se kjo doktrinë edhe më herët e njohur është futur qëllimisht në doktrinën aktiviste morale islame për t’iu shërbyer sunduesve dhe shfrytëzuesve të popujve muslimanë.[9]

Ngjashëm me nocionin e fuqisë kemi edhe nocionin e durimit, i cili në mentalitetin e popujve muslimanë është perceptuar, komentuar dhe përjetuar në kundërshtim me parimet aktiviste të islamit, në kuptim të pafuqisë, të pasivitetit, si durim i qetë, si mosreagim në çkado qoftë që i ndodh njeriut, ndonëse Kur’ani dhe Hadithi durimit i japin vend aktiv. [10] Për shkak të perceptimit të gabueshëm të doktrinës morale aktiviste, muslimanët më tepër janë preokupuar me problemin çka nuk duhet bërë se sa çka duhet bërë. Madje, edhe imami i madh Ebu Hamid El-Gazaliu preferon shmangien e të keqes përpara bëries së të mirës, që është në kundërshtim me parimin e njohur “urdhëresa e të mirës dhe ndalesa e të keqes”.[11] Kjo etikë është pasive dhe proklamon ikjen e njeriut nga e keqja, nga problemet, mbyllja në vetvete, në botën e vet psikologjike, e jo luftimi i të keqes.

III

Nëse shekujt e kaluar janë karakterizuar me letargji, apati shpirtërore dhe morale, shekulli XXI kërkon moral aktivist islam, në të cilin fuqia do të jetë vlerë e rëndësishme morale dhe vlerë individuale dhe kolektive morale. Fuqia është cilësi e Zotit: “Fuqia i përket Zotit, Pejgamberit dhe besimtarëve.” (El-Munafikun, 8).

Fuqia, në filozofinë e vet, është bazë e tërë ekzistueses dhe na shpie në perceptimin e vetë qenies. Jeta sipas kësaj filozofie është synim i pafund për ekzistim. Bota nuk na është dhënë e gatshme njëherë e përgjithmonë, ajo nuk është diç që vetëm mund të shihet ose të mësohet nëpërmjet nocioneve, por diç që edhe vetë njeriu duhet ta ndërtojë dhe ta kryejë me veprim të pandërprerë.[12] Fuqia është e pranishme në çdo send, në çdo qenie. Mirëpo, fuqia te njeriu dallon nga fuqia te qeniet tjera. Qeniet tjera bashkëpjesëmarrin në fuqi, me te rrojnë, por nuk posedojnë me te. Njeriu, nga ana tjetër, është i vetëdijshëm për fuqinë e vet, e kupton burimin, strukturën e vet, mund ta ndërrojë dhe rrisë, mund ta orientojë në caqe të caktuara. [13] Ai e posedon fuqinë dhe me këtë hyn në pozicion të rrezikshëm.[14]

Në fuqinë e kundrojnë nga pozicionet tjera do të shohim se ajo zgjerohet dhe smadhohet me zgjerimin dhe smadhimin e dijes së njeriut. Me zhvillimin teknik-teknologjik modern fuqia e njeriut rritet në përmasa të pavlerësueshme.

Mirëpo, nëse kjo fuqi e pakufijshme e njeriut kapërcen kufijt e normales, nëse në zhvillimin e vet shkencor, teknik dhe teknologjik nuk respekton rolin e vet, ajo kërcënon të shndërrohet në pafuqinë e njeriut. Njeriu nga pozicioni i tij i ‘halifes’ në botë rrezikon të shndërrohet në sundues despot, që sjell në pyetje ekzistimin e tij në Tokë.[15] Si pasojë të kësaj në shoqëri kemi forma të ndryshme të dhunës, diktatura të ndryshme, regjime totalitare, shfrytëzuese, shkelëse, vrasëse. Në rrafshin fetar kjo shpjegohet: shtrembërimi nga rruga e drejtë dhe përqafimi i rrugës së shejtanit shpie deri në rrugën e politeizmit.[16]

Për shkak të abuzimeve ‘të fuqisë’, disa filozofi filluan të abstenojnë nga fuqia, nga politika, sidomos kristianizmi dhe disa botëkuptime brenda sunizmit. Mirëpo, abstenimi nga fuqia ofron mundësi që fuqia të kalojë në duar të gabueshme.[17] Ky botëkuptim në Perëndim solli tragjedi të mëdha: dy luftëra të mëdha botërorer, shumë luftëra lokale dhe dy sisteme totalitare: komunizmi dhe fashizmi.

Edhe në historinë islame në shekujt e fundit qe harruar porosia e hadithit këtu i theksuar si moto se

“Kush nga ju sheh një të keqe - le ta ndryshojë me dorë, e nëse nuk mundet këtë ta bëjë – atëherë me gjuhën e tij, e nëse nuk mundet këtë ta bëjë – atëherë me zemrën e tij, porse ky është imani më i dobët.” (Muslimi) [18].

Intelektuali i madh El-Mewdudi cek një hadith në të cilin Ebu Bekri r. a. qorton në konceptimin abuziv të ajetit 105 të el-Maideh:

“O besimtarë, kujdesuni për veten; nëse jeni në rrugë të drejtë, nuk do t’ju mashtrojë ai që ka lajthitur”,

duke thënë:

“O njerëz, ju flisni për këtë ajet dhe po e komentoni gabimisht. Unë e kam dëgjuar Pejgamberin duke thënë: ‘Kur një bashkësi e njerëzve të bëhet indiferente ndaj të keqes, kur shikon të keqen dhe nuk provon ta eliminon, apo sheh një njeri të padrejtë se si bën padrejtësi dhe nuk provon ta pengojë në këtë, Zoti mund të denojë të gjithë për këtë.” [19]



IV


Fuqia si raport aktiv ndaj vetvetes, jetës dhe botës, fuqia si përdorim i dhuratës së Zotit, i lirisë si mundësi të bashkëpjesëmarrjes në aktivitetin kreativ hyjnor, fuqia si aftësi e trajtësimit të jetës në të mirë, fuqia si aftësi e sigurimit të të Vërtetës, të Drejtësisë, të Mirës, Bukurisë dhe vlerave tjera – paraqet imperativin islam moral.





--------------------------------------------------------------------------------

Fusnotat

[1] B. A. Dar, Eticka ucenja Kur’ana, në: M. M. Sharif, Historija islamske filozofije, I-II, Zagreb, 1988, fq. 179.

[2] Dzevad Hodzic, Ka moci kao moralnoj vrijednosti i vrlini, në: Islamski svijet danas, Zbornik radova V medjunarodnog islamskog simpozija 1416/1995, Zagreb, 1995, fq.79.

[3] Muhammed Ikbal, Obnova vjerske misli u islamu, botimi II i zgjeruar dhe i ndryshuar, Sarajevë, 2000.

[4] Ibn Abbasi, në: Jakup Memic, Izbor poslanikovih hadisa, Sarajevë, 1985, fq. 243.

[5] Nga Enesi, në: Jakup Memic, op. cit., fq. 269.

Arsyetimet se mbështetja e varfërisë është vetëm shpirtërore nuk qëndron, sepse ky konceptim është i pranishëm edhe në fushat tjera të jetës. Hadithet e Muhammedit a.s. qartë dëshmojnë se varfëria është realitet me të cilin nuk pajtohet islami:

“O Hakim, vërtet kjo pasuri është e këndshme (për sy) dhe e ëmbël (për zemër), andaj kush e merr me bujari do të begatohet, kurse kush e mban me kryelartësi nuk do të begatohet. I atillë do të jetë si ai që han e nuk ngihet. Dhe dora e epërme është më e mirë se dora e poshtme.” Muttefekun alejh, në: Imam En-Neveviu, Rijad’us-salihin, botimi II, Shkup, 1418 / 1998, fq. 203.

[6] Shih vargje të ndryshme të këtij karakteri: Hajdar Salihu, Poezia e bejtexhinjve, Prishtinë, 1987; Mahmud Hysa, Alamiada shqiptare, I-II, Shkup, 2000.

[7] Muhammed El-Behij, Imani – besimi në Allahun xh. sh., Botimi II, Prizren, 2000/1421, fq. 41-50; Imam El-Maturidiu – Jeta, vepra dhe mësimi, Prishtinë, 2003, fq. 57-58.

[8] Resid Hafizovic, O nacelima islamske vjere, Zenicë, 1996, fq. 213-238. Shih ajetet kur’anore: VI, 148 dhe XVI, 35.

[9] Kur’ani përgënjeshtron dhe refuzon doktrinën mbi determinizmin absolut si jorealist dhe mendon se njeriu ka fuqi ta formësojë fatin e vet në dritë të të vërtetës së Shpalljes. Shih ajetet kur’anore: VI, 149; II, 38 etj. Shih: B. A. Dar, op. cit., fq. 188-189.

[10] Rreth domethënieve të ‘durimit’ (es-sabr) shih studimin: Jusuf El-Karadavi, Sabur, Konjic, 2000, fq.5-42 dhe 43-131.

[11] Shih veprën e shkëlqyeshme të Munir Gavrankapetanoviqit me titull: Ismet U. Sehibrahimbegovic, Snagom vjere do savrsentva duse, Sarajevë, 1984.

Es-Sejjid Xhelaluddin El-Amri, El-Emru bi’l-ma’rufi ve’n-nehji ani’l-munker, Bejrut, 1404/1984, fq. 350 etj.

[12] Dzevad Hodzic, op. cit., fq. 81.

Shih: “O turmë e xhinëve dhe e njerëzve, nëse keni mundësi të dilni përtej kufijve të qiejve e të tokës, depërtoni pra, po nuk mundeni vetëm me ndonjë fuqi të fortë”. Err-Rrahman, 33.

[13] Dzevad Hodzic, op. cit., fq. 81.

[14] “Ne u ofruam emanetin qiejve, tokës dhe maleve, e ata nuk deshën ta marrin përsipër atë dhe u frikësuan prej tij, ndërsa njeriu atë e mori mbi vete; vërtet ai i bëri padrejtë vetes dhe ishte i padijshëm.” El-Ahzab, 72. Shih komentin e këtij ajeti nga: Muhammed El-Gazali, Tematski tefsir kur’anskih sura, Sarajevë, 1414/2003, fq. 460.

[15] “Ne krijuam shumë nga xhinët dhe njerëzit për xhehenem. Ata kanë zemra që me to nuk kuptojnë, ata kanë sy që me ta nuk shohin dhe ata kanë veshë që me ta nuk dëgjojnë. Ata janë si kafshët, bile edhe më të humbur, të tillë janë ata të marrët.” (El-A’raf, 179).

[16] “Vërtet, ai (shejtani) nuk ka kurrfarë fuqie kundër atyre që besuan dhe që i janë mbështetur Zotit të tyre. Mbizotërimi i tij është vetëm mbi ata që për shkak të tij u bënë idhujtarë.” En-Nahl, 99-100.

[17] Shih: B. A. Dar, op. cit., fq.34-35.

[18] Cituar sipas: Imam En-Neveviu, Dyzet hadithe dhe shtojca e Ibni Rexhebit, Shkup, 1413/1992, fq.80-81.

[19] Cituar sipas: Dzevad Hodzic, op. cit., fq. 83-84.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme