Emërtimi i filozofisë islame (islame e jo arabe, as arabo-islame)

Ka shumë faktorë që drejtpërdrejt ndikuan në paraqitjen e këtyre mosmarrëveshjeve dhe të këtij konfuzioni, por pa tjetër duhet theksuar faktin se në botën arabe kësaj mosmarrëveshjeje i ndihmoi edhe paraqitja e nacionalizimit arab dhe e vetëdijësimit të arabëve mbi qenien dhe identitetin e tyre kombëtar në shekullin XIX dhe XX, por edhe paraqitja e nacionalizmave të tjerë të popujve të provenicencës islame.[1]

Por, duhet theksuar se qëndrimi i autorëve klasikë është tjetërfare nga ai i disa shkencëtarëve bashkëkohorë.

Filozofët e parë e kanë njohur vetveten si ‘filozofë të islamit’, ‘filozofë islamë’, ‘filozofë muslimanë’ dhe ‘urtakë islamë’, por edhe nga bashkëkohanikët e tyre janë njohur si të këtillë. Këtë e hasim te autorët e mëdhenj të asaj kohe si te Shehrestani[2], Kiftiu, Bejhekiu etj.

Gjatë historisë së mendimit muslimanë në sipërfaqe kemi shumë emërtime, por disa prej tyre i kanë rezistuar kohës, janë profilizuar dhe janë të pranishme deri në ditët tona:



1. Filozofia arabe


Filozofët dhe shkencëtarët të cilët mendojnë se filozofia, kultura dhe qytetërimi duhet të quhet ‘arab’ mbështeten në faktin se shumica e madhe e veprave në kulturën dhe qytetërimin islam janë përkthyer apo janë shkruar në gjuhën arabe. I mendimit të ngjashëm është edhe orientalisti Carlo A. Nalino, i cili me rastin e hapjes së Universitetit të Egjiptit, kah gjysma e shekullit XX kontestoi emërtimet si “filozofë të islamit” “filozofë islamë” dhe “urtakë islamë”, duke pohuar se:

“… kur është fjala për periudhat e mëvonshme të shekullit të parë hixhrij, këtë term e kemi aprovuar në kuptimin teknik, profesional, me të kemi përcaktuar shumë popuj e kombe të banuar në shtetet islame, në të cilat, në pjesën më të madhe, librat e tyre shkencore janë shkruar në gjuhën arabe, kështu që në kuadër të këtij termi hyjnë: arabët, persianët, indusët, sirianët, egjiptianët, spanjollët e të tjerë, për të cilët është e përbashkët shkruarja me gjuhën e shkencës, në arabishte, dhe në të cilët vërehet ndikimi i shteteve islame. …”. K. Nalino mendon se emërtimi ‘islam’, ‘musliman’ “i përjashton kristianët, hebraikët, sabejët dhe përfaqësuesit e religjioneve të tjera të cilët kanë meritë të vazhdueshme në dituritë dhe doracakët arabë”.[3]

Një mendim të tillë, respektivisht jo fortë të diferencuar në periudhën e tij paramuslimane e kishte edhe Rozhe Garodi, kur kulturën islame herë e cilësonte si islame e herë si arabe.[4]

Umer Ferruh i kushton rëndësi emërtimit të filozofisë dhe i elaboron obcionet ‘arabe’, ‘islame’ për dhe kundër dhe megjithatë përcaktohet për arabe, pa ndonjë arsye të qartë për përcaktimin e tij. Mbase edhe tek ai ka dominuar aspekti nacional.[5]



2. Filozofia arabo-islame


Shkencëtarët të cilët mendojnë se kultura dhe qytetërimi duhet të quhen arabo-islam, mendimin e tyre e mbështesin në faktin se kjo filozofi është islame, por e shprehur dhe e shkruar në gjuhën arabe dhe për këtë arsye përcaktimin e tyre kultura dhe qytetërimi arabo-islam e kanë parë si kompromis.[6] Shpeshherë dijetarët arabë nuk janë udhëhequr vetëm nga arsyet shkencore, por më tepër janë udhëhequr nga nacionalizmi arab, i cili gjatë shekullit XIX dhe XX, duke kopjuar format evropiane, ka dëshiruar të vendosë njëfarë baraspeshe ndërmjet islamit dhe shekullarizmit evroperëndimor. Ky përcaktim disi i ka konvenuar edhe shumë evropianëve, të cilët natyrën absorbuese dhe integruese islame e kanë shikuar nën hijen e komponentave arabe dhe islame, e jo pastër islame.[7]



3. Filozofia islame


Pika takuese e të gjitha krijimeve në kulturën dhe qytetërimin e krijuar te muslimanët është islami. Islami shpjegoi problemet e botës, të së drejtës, raporteve shoqërore, rolin e Zotit në ekzistencë dhe të njeriut në shoqëri, sipas koncepteve dhe vizioneve të veta. Kultura dhe qytetërimi islam u krijua në botën muslimane dhe në mesin e muslimanëve dhe tërë kjo kulturë dhe qytetërim parimet, frymëzimin dhe çështjet tjera i ka orientuar dhe kufizuar brenda burimeve të shpalljes islame.[8] Vetë jeta e filozofëve dhe vepra e tyre në tërësi tregojnë se ata nuk kanë vepruar për arabizma e të tjera, por për islamin.

Është me interes të theksohet mendimi, përkatësisht reagimi i ashpër i dijetares egjiptiane Aisha Abdurrahman (e njohur me nofkën Bint‘ush-shat) ndaj Rozhe Garodit (para pranimit të islamit, më 1969), që e cekëm më lartë, e cila kundërshtoi atë, duke pohuar se kultura islame “është islame dhe se historia nuk e njeh ndryshe. Vetë arabët nuk filluan ta sendërtojnë rolin e tyre në histori para shfaqjes dhe ardhjes së islamit. Flamuri i tij ishte ai i cili i mbuloi të gjithë popujt e shtetit islam …”.[9] Edhe Mustafa Abdurrazik, filozof modern musliman, rreth emërtimit të filozofisë islame, pra edhe kulturës dhe qytetërimit islam thotë se “filozofinë për të cilën është fjala e quajmë pikërisht ashtu si e kanë quajtur përfaqësuesit e saj filozofi islame në kuptim se është krijuar në hapësirat ku është përhapur islami, në hijen e shtetit të tij, duke mos e marrë parasysh, gjatë tërë kësaj, fenë dhe gjuhën e përfaqësuesve të saj” [10], apo si e shpreh këtë filozofi boshnjak N. Smailagiq “me përcaktimin ‘felsefe’ kuptohet filozofia islame e krijuar nën ndikimin grek dhe duke e kundërshtuar atë.”[11] Po ashtu, është e qartë se Islami është jo vetëm religjion por edhe nocion kulturor, në të vërtetë tërë kultura, e cila u krijua në nënqiellin dhe hapësirën e qytetërimeve të vjetra, para së gjithash të helenizmit, zoroastrizmit dhe të tjerave dhe se komponentet kulturore të kësaj janë të shumta.

Edhe orientalisti i njohur, edhe për lexuesin shqiptar, Henry Corbin, mendon se emërtimi ‘filozofia arabe’ është “përcaktim linguistik” i cili “nuk është i përshtatshëm e as adekuat”[12], dhe mendon se emërtimi filozofia islame është i vetmi i drejtë.

Teza se kultura dhe qytetërimi te muslimanët duhet të quhet arabe kundërshtohet në pikëpamjen gjuhësore, sepse shumë vepra janë shkruar edhe në gjuhë të tjera, sikurse në persishte e turqishte, e sidomos shekujve të fundit, kur për islamin nga pikëpamje të ndryshme shkruhet në gjuhë të shumta, e në miniaturë edhe në gjuhën shqipe. Lidhur me këtë profesori i Universitetit të Teheranit, Muini, konsideron se nëse kulturën dhe qytetërimin islam do ta quanim ‘arabe’ atëherë do t’i përjashtonim iranianët, pakistanezët, afganistanezët dhe hindusët.[13]

I këtij mendimi është edhe filozofi i njohur islam, Ibrahim Madkur, i cili mendon se ‘kjo filozofi po të quhej arabe do të ishte vepër e një kombi dhe një populli… Islami nuk është vetëm besim; ai është edhe kulturë. … Filozofia islame përfshinë të gjitha ato studime filozofike që janë shkruar në fushë të islamit qofshin nga penda e muslimanit, kristianit dhe hebraikut.’[14]

Teza se kultura dhe qytetërimi duhet të quhet ‘arab’ nuk qëndron as në pikëpamjen nacionale, sepse përfaqësuesit kryesorë, me përjashtime të vogla, janë persianë, turqë, berberë, pakistanezë e të tjerë, e shekujve të fundit edhe popujt tjerë.[15]

F. Hiti, një nga historianët më të mëdhenj arab, pohon se pas shtrirjes së islamit jashta djepit të vet dhe pas gërshetimit të kulturave, traditave dhe martesave me popujt tjerë, arabët më nuk ishin arabljanë. Prandaj edhe “kur flasim për medicinën arabe ose filozofinë arabe ose matamatikën arabe, nuk mendojmë me këtë se shkencat medicinale, filozofia dhe matematika domosdo janë prodhime të frymës arabljane ose këto janë prodhime që i ka zhvilluar populli që jeton në siujdhesën arabike, porse kjo është thesar të cilin në tërësi e kanë shkruar në libra në gjuhën arabe njerëzit të cilët kryesisht kanë jetuar në periudhën e halifatit dhe vetë ishin persianë, sirianë, egjiptianë apo arabljanë, kristianë, judaistë dhe muslimanë, dhe të cilët lendën për librat e tyre kanë mundur t’i marrin nga burimet greke, arameite, indo-pakistaneze dhe të tjera.”[16]

Disa autorë kanë dilema rreth emërtimit ‘islam’ apo ‘arab’ dhe këtë dilemë të tyre e arsyetojnë me çështjen se nëse “islamin e kuptojmë ekskluzivisht si fe, atëherë edhe ky emërtim do të ishte mjaft i diskutueshëm, sepse filozofia, për të cilën këtu mendohet, është zhvilluar shpesh jo vetëm paralel por në shumë raste edhe në konflikt të rreptë me mësimin ortodoks të islamit, dhe si e tillë ka qenë nën kritikën e rreptë të teologëve islamë dhe mbrojtësve të teologjisë islame.” [17] Mirëpo, këto dilema janë të paqëndrueshme, sepse sikur që pohon edhe Samiu në disa raste, Islami është besim dhe veprim, mendim dhe veprim, trup dhe shpirt, rrugë e jetës në këtë botë dhe në botën tjetër, islam është përpjekje për rregullimin e botës me ndihmën e edukimit dhe ligjit, të dorëzimit në rrjedhat e ligjësive të Krijuesit. Me fjalë të tjera, Islami nuk është vetëm fe në kuptimin e ngushtë, por ai është edhe nocion kulturor, kultura e tërë.

Mendimtari indus, Tara Shand, thotë: “Emërtimi ‘filozofia arabe’ kaherë është jo i plotë, para së gjithash për shkak se njerëzit që janë marrë me këtë filozofi të gjithë nuk kanë qenë arabë …. Sa u përket kristianëve dhe hebraikëve, të cilët kanë qenë nën ndikimin e islamit – ata duhet klasifikuar në korpusin e filozofisë islame.”[18] Shembull për këtë merret filozofi hebraik, Henri Bergson (1859-1941) i cili përndryshe klasifikohet në periudhën bashkëkohore brenda historisë së filozofisë kristiane në Evropë.

Me shtrirjen e Islamit jashtë Arabisë, në Siri, Mesopotami, Persi, Egjipt dhe Afrikën veriore, procesi i zhvillimit të kulturës dhe qytetërimit islam qe zhvilluar edhe në trollin helenist, edhe me mjetet heleniste, edhe në format heleniste, me ndikim oriental, atë persian, por me shenjën e vet dalluese, tewhidin (monoteizmin), dhe nga e tërë kjo Islami lindi si tërësi e mbyllur, e veçantë, specifike, që dallon nga helenizmi parakur’anor dhe nga kulturat dhe qytetërimet tjera, por i gatshëm për bashkëpunim. Islami si nocion i gjerë kulturor, e jo vetëm i ngushtë religjioz, si motivues i filozofëve që të punojnë për dobinë e tij, jep të drejtë që kultura dhe qytetërimi të quhet islam.[19] Filozofi A. F. El-Ehwani mendon se shprehja ‘filozofi islame’ i absorbon të gjitha kuptimet e lartëshënuara, e nëse kësaj filozofie ia shtojmë edhe filozofët kristianë e hebraikë atëherë do të obligoheshim ta quajmë “filozofia në islam”, sikur këtë e bëri edhe T. J. De Boer.[20]

Samiu arsyen për emërtimin ‘islam’ për kulturën dhe qytetërimin te muslimanët nuk e sheh “në faktin se gjendet vetëm te popujt islamë, por pikërisht për shkak se është fryt i Fesë islame, (dhe se qytetërimi, NI) nuk mund të quhet me emër tjetër përveçse kështu.”[21] Samiu me modestinë më të madhe prej besimtari nuk orvatet që meritat t’i gjejë tjetërkund por me këmbëngulje saktëson se “Qytetërimi islam është fryt dhe prodhim pikërisht i fesë islame, sepse ky qytetërim është paraqitur bashkë me paraqitjen e Fesë islame; ngado që ka arritur Feja islame, ka arritur edhe ai qytetërim; cilido popull të ketë pranuar fenë islame, në gjirin e tij do të jetë future edhe ai qytetërim. Ai qytetërim është rezultat dhe prodhim i Fesë islame, sepse shumë ajete urdhëruese të Kur’anit dhe shumë hadithe të Pejgamberit a.s. janë mbështetje dhe argument i tij. Ai qytetërim është prodhim i Fesë islame, sepse shembujt e parë të atij qytetërimi popullit islam i janë treguar personalisht nga ana e Pejgamberit a.s. dhe ashabëve të tij të respektuar; …”.[22]

Mund të përfundohet se emërtimi “kultura dhe qytetërimi islam” është më i ploti, më i drejti, më universali. Çdo emërtim tjetër, në një apo në një tjetër formë, do të çonte në interesa të ngushta nacionale, provinciale apo ideologjike. Edhe ata kulturologë, filozofë, shkencëtarë që krijuan në emër të islamit, edhe ata që krijuan kundër islamit, pikë qendrore patën Islamin dhe Kur’anin. Kur’ani ishte ai që nxiti, që kërkoi, që inicioi të krijohet kjo ndërtesë e madhe e quajtur i s l a m.


Literatura:

· Abdulhalim Mahmud, Et-Tefkir’ul-felsefij fi’l-islam, botimi II, Kairo, 1989.
· Abdurrahman El-Bedevij, Eflatun fi’l-islam, botimi III, Bejrut, 1982/1402 h.
· Daniel Bučan, Poimanje arabizma, Zagreb, 1980.
· Ahmed F. El-Ehwani, Filozofia islame, Prizren, 2002.
· Filip Hiti, Istorija arapa od najranijih vremena do danas, Sarajevë, 1967 dhe botimi vijues: Filip Hiti, Povijest arapa, botimi II fototip, Sarajevë, 1988.
· Hana El-Fahuri – Halil El-Xherr, Tarih’ul-felsefet’il-arabijjeti, pjesa I, botimi III, Bejrut, 1993.
· Henry Corbin, Historia e filozofisë islame, I-II, Shkup, 1997.
· Ibrahim Madkur, Fi’l-fikr’il-islamij, botimi I, Egjipt, 1984.
· Mustafa Abdurrazik, Temhid li’t-tarihi’l-felsefet’il-islamijjeh,
· Nerkez Smailagić, Leksikon islama, Sarajevë, 1990.
· Roze Garodi, Islam, kultura i socijalizam, Sarajevë, 1981.
· Prilozi za Orijentalnu filologiju, (Simpozium mbi kulturën arabo-islame prej 18-19. 05. 1973 në Sarajevë), Sarajevë, 1976 (Salih H. Alić, Arapsko-islamska filozofija, definicija i značaj u istoriji).
· Sami Frashëri, Qytetërimi islam, Vepra 13, Shkup, 2004.
· Sayyid Husejn Nasr, The History of Islamic Philosophy.
· Tarik Haveric, Srednjovjekovno filozofijsko nazivlje u arapskom jeziku, Sarajevë, 1990.
· T. J. De Boer, Tarih’ul-felsefeti fi’l-islam, apo anglisht: The History of Philosophy in Islam, Translated by Edward R. Jones, B. D. © Islamic Philosophy Online, INC.
· Umer Ferruh, Tarih’ul-fikr’il-arabijji ila ejjami Ibni Haldun, Bejrut, botimi IV, 1983.

--------------------------------------------------------------------------------
[1] Filip Hiti, Istorija arapa od najranijih vremena do danas, Sarajevë, 1967, fq. 228..
[2] Esh-Shehrestani, El-Milelu we’n-nihalu, Kairo, pa vit botimi.
[3] Sipas: Ahmed F. El-Ehwani, Filozofia islame, Prizren, 2002, fq. 18-19.
Është interesant edhe mendimi i orientalistit të frytshëm kroat Daniel Buçan, që shquhet me disa vepra dhe përkthime islamologjike, i cili përdor shprehjen arabljan dhe arab. Me shprehjen arabljan nënkupton entitetin, arabët, të cilët kanë jetuar në fazën paraislamike dhe në fazën e hershme të Islamit, kurse entiteti arab është më i vonshëm dhe përcakton të gjithë banorët e halifatit, pa marrë parasysh në prejardhjen etnike, ata të cilët e kanë pranuar islamin dhe në vend të gjuhës së të parëve të tyre kanë përvetësuar gjuhën arabe. Sipas: Daniel Bučan, Poimanje arabizma, Zagreb, 1980, fq. 167.
[4] Roze Garodi, Islam, kultura i socijalizam, Sarajevë, 1981, fq. 53.
[5] Shih: Umer Ferruh, Tarih’ul-fikr’il-arabijji ila ejjami Ibni Haldun, Bejrut, botimi IV, 1983, fq. 26-27.
[6] Salih H. Alić, op. cit., fq. 122.
[7] Daniel Buçan elaboron gjerë e gjatë shprehjen arabizëm, ai klasik dhe modern, fundamentet dhe konsekuencat e tyre dhe personalisht parapëlqen sintagmën kultura arabo-islame. Gjerësisht: Daniel Bučan, Poimanje arabizma, Zagreb, 1980.
[8] Sayyid Husejn Nasr, The History of Islamic Philosophy, op. cit., fq. 1165.
[9] Roze Garodi, Islam, kultura i socijalizam, Sarajevë, 1981, fq. 53.
[10] Mustafa Abdurrazik, Temhid li’t-tarihi’l-felsefet’il-islamijjeh, sipas: Ahmed F. El-Ehwani, op. cit., fq. 18.
Filozofi i madh musliman, Ibrahim Madkur, përkrah obcionin që filozofia te muslimanët të quhet islame. Shih: Fi’l-fikr’il-islamij, botimi I, Egjipt, 1984. I këtij mendimi është edhe shejhu i El-Ez`herit, Abdulhalim Mahmud, Et-Tefkir’ul-felsefij fi’l-islam, botimi II, Kairo, 1989, fq. 8-10; Abdurrahman El-Bedevij, Eflatun fi’l-islam, botimi III, Bejrut, 1982/1402 h., fq. V-VI.
Rreth obcioneve si të quhet kultura dhe qytetërimi i krijuar ndër muslimanët shih: Hana El-Fahuri – Halil El-Xherr, Tarih’ul-felsefet’il-arabijjeti, pjesa I, botimi III, Bejrut, 1993, fq. 125-139.
[11] Nerkez Smailagić, Leksikon islama, Sarajevë, 1990, fq. 191.
[12] Henry Corbin, Historia e filozofisë islame, I-II, Shkup, 1997, fq. 5 dhe fq. 5-9.
[13] Sipas: A. F. El-Ehwani, op. cit., fq. 20-21.
[14] Sipas: A. F. El-Ehwani, op. cit., fq. 23.
[15] Salih H. Alić, Arapsko-islamska filozofija, definicija i značaj u istoriji, në: Prilozi za Orijentalnu filologiju, (Simpozium mbi kulturën arabo-islame prej 18-19. 05. 1973 në Sarajevë), Sarajevë, 1976, fq. 121.
Madje, orientalisti F. Hiti, literaturën e shkruar në arabishte e quan letërsia islame ose literatura islame për dallim prej literatures arabe etj. Filip Hiti, Povijest arapa, botimi II fototip, Sarajevë, 1988, fq. 25 dhe 35.
[16] Filip Hiti, op. cit., fq. 228.
17 Salih H. Alić, op. cit., fq. 111-112.
[18] A. F. El-Ehwani, op. cit., fq. 22.
[19] Kultura dhe qytetërimi islam ka ekuivalentin e saj në kulturën dhe qytetërimin mesjetar kristian në Evropë. Sipas: Salih H. Alić, op. cit., fq. 112, fusnota 3 dhe 4.
[20] T. J. De Boer, Tarih’ul-felsefeti fi’l-islam, apo anglisht: The History of Philosophy in Islam, Translated by Edward R. Jones, B. D. © Islamic Philosophy Online, INC.
(s.a.), sipas: A. F. El-Ehwani, op. cit., fq. 21-22.
[21] Sami Frashëri, Vepra 10, op. cit., fq. 35-36.
[22] Sami Frashëri, Vepra 10, op. cit., fq. 37.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme