Përgjigjja muslimane kundrejt sfidave moderniste dhe pasmoderniste

Natyrisht, është e pamundshme të ofrohen të gjitha përgjigjet e mundshme në këtë botë të kaosit politik e ekonomik, kulturor dhe shkencor, në këtë botë të konfrontimeve religjioze e antireligjioze dhe nacionale e ideologjike, por ka mundësi të skicohen dhe të ofrohen disa parime të përgjithshme, disa përgjigje potenciale në sfidat e shumta dhe skajshmërisht provokative të modernizmit dhe pasmodernizmit, që do të shërbejnë si shtigje drejt synimit, si shenja treguese drejt rrugëtimit të mëtejmë të muslimanit si individ dhe të muslimanëve si kolektivitet.[1]





2. Pikëpamjet religjioze, shpirtërore dhe intelektuale të jetës së njeriut



Thelbi i përgjigjes islame / muslimane kundrejt botës moderne dhe pasmoderne zë fill në pikëpamjet religjioze, shpirtërore dhe intelektuale të jetës njerëzore. Këto pikëpamje përcaktojnë mënyrën e veprimit të qenies njerëzore sikurse edhe pikëpamja e tij mbi botën që e rrethon.

Në pikëpamjen religjioze ndërmarrja kryesore që mund ta merrë besimtari është që para së gjithash ta ruajë fuqinë e besimit të vet dhe mos ta humbë besimin në bazueshmërinë dhe në të vërtetën e Shpalljes islame. Bota moderne, në thelb shekullariste dhe laiciste, synon të dëmtojë, gjymtojë dhe shkatërrojë çdo gjë fetare, e sidomos fetare islame, sepse Islami refuzoi të braktisë mënyrën e jetës sipas rrugës së Allahut, që përfshin çdo veprimtari të njeriut.[2]

Shumica e perëndimorëve e atakojnë Islamin si tërësi tashmë një kohë të gjatë dhe përpiqen t’i mësojnë muslimanët, e dëshiruan këtë muslimanët apo jo, se si ta kuptojnë fenë e tyre vetjake, me arsyetim se, pasi që Perëndimi është në gjendje të prodhojë vegla e aparaturë më të mirë, ai, Perëndimi është në gjendje ta kuptojë më mirë edhe Kur’anin se çka mëson dhe çka nuk mëson ai, se a është Kur’ani Fjala e Allahut apo ai është një amalgam i rrëfimeve të të dërguarve të hershëm, sikurse që pohojnë shumë studiues perëndimorë, qofshin ata teologë, historianë apo shkencëtarë të fushave të tjera.[3]

Për shembull, në një studim të një trusti gjysmështetëror amerikan, analistja amerikane Cheryl Benard, ofron leksione se di do të duhej të duket shteti dhe vendet muslimane në aspektin politik, ekonomik, kulturor dhe në segmented tjera:

“Qartë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bota moderne e industrializuar dhe bashkësia ndërkombëtare në tërësi, e dëshiron botën islame e cila është e bashkuar me pjesën tjetër të botës: ekonomikisht të qëndrueshme, politikisht demokratike dhe stabile, shoqërisht progresive – e cila ndjekë rregullat dhe normat e mirësjelljes ndërkombëtare...” [4]

Muslimanët duhet së pari të sigurojnë përgjigje islame në sfidat të cilat bota moderne ia imponon religjionit, e në veçanti Shpalljes. Mirëpo, kjo detyrë nuk bën t’i “lëshohet” në shpinë rinisë muslimane, e cila, për shkak të shumë faktorëve, edhe nuk është mjaft e ditur dhe e njoftuar me traditën vetjake, por kjo është përgjegjësi e intelektualëve me përvojë të botës muslimane, të cilët duhet ta mbrojnë fenë në rrafshin intelektual dhe praktik. Gjatë disa dekadave të fundit kemi shumë përgjigje të tilla dhe është detyrë primare e intelektualëve muslimanë që të njoftohen me këto programe dhe me esencën e tyre, me qëllim të mbrojtjes së Islamit, të Kur’anit dhe të Muhammedit a.s. nga kritikat e kritikëve subjektiv.[5]

Përgjigjja e muslimanëve duhet të jetë e përgjithshme, e bazuar në fundamente islame për të dhënë përgjigje të argumentuar dhe të bindshme. Kusht për këtë lloj përgjigje është edhe prezantimi i Islamit para muslimanëve me gjuhë bashkëkohore, të cilën mund ta kuptojnë edhe ata që nuk janë përkushtuar thellësisht në islam, qoftë gjuha e tyre arabe, persiane, turke apo ndonjë gjuhë tjetër islame. Fillimi i prezantimit të Islamit me gjuhë bashkëkohore duhet të vazhdojë në masë edhe më të madhe, por mbi brezat e rinjë është që të mësojnë se ç’është thelbi i fesë së tyre dhe çka i mundësoi Islamit të bëhet rrugë, jetë dhe shpëtim për njerëzinë gjatë 14-15 shekujve të kaluar. Ata nuk bën të njoftohen vetëm me kritikat e drejtuara kundër Islamit, sidomos nga Perëndimi, gjatë disa shekujve të fundit, por ata duhet të njoftohen dhe të mësojnë edhe për dimensionet e brendshme të fesë së tyre islame, të cilat kanë mundësuar përgjigje në çështjet më të thella filozofike dhe ekzistenciale me të cilat është ballafaquar dhe po ballafaqohet ummeti gjatë historisë.[6]

Përgjigjet e muslimanëve kundrejt sfidave nga jashtë Islamit dhe muslimanëve duhet të bazohen në mësimet më universale dhe më gjithëpërfshirëse të Islamit, duke iu shmangur pikëpamjeve të ngushta sektare dhe kundërthënëse brenda bashkësisë muslimane, duke ua lënë shqyrtimet sektare, teologjike dhe juridike ekspertëve të lëmive të tyre. Madje, edhe këta ekspertë, duhet filluar të mendojnë se duhet pranuar pikëpamjet më të gjera mbi mësimin ortodoks islam (sunnizëm), të bazuar në shehadet dhe mësimin universal që burojnë nga Kur’ani dhe Hadithi i Muhammedit a.s.[7]

Pa marrë parasysh në rastin e brezave të vjetër të dijetarëve fetarë në botën muslimane, për muslimanët është më me rëndësi t’i përmbahen porosive universale të Islamit lidhur me mësimet mbi Allahun, njeriun, botën, Shpalljen dhe mësimet tjera shpirtërore dhe etike. Kështu, duke iu larguar mësimeve sektare dhe të ngurta, dhe duke përdorë gjuhën bashkëkohore të përshtatshme për paraqitjen e Islamit, muslimani jo vetëm që do t’i mësojë këto mësime, por edhe do të jetë në gjendje që këto mësime t’i mbrojë intelektualisht nga kritikat e kundërshtarëve kundër Islamit.

Para dijetarëve muslimanë është edhe një detyrim serioz, e ai është çështja imediate e hulumtimit dhe e studimit të judaizmit, kristianizmit dhe sistemeve tjera religjioze sipas pikëpamjeve islame. Shekujve të fundit kemi një numër të madh të dijetarëve perëndimorë të cilët e kanë studiuar Islamin dhe kanë ndërruar doktrinat e tij për shkak të bazave të gabuara që kanë poseduar ata. Një arsye për një gjendje të tillë është se në bashkësinë muslimane nuk kemi studime rrënjësore për fetë tjera me gjuhë bashkëkohore, sikur që këtë e kanë bërë dijetarët e hershëm muslimanë për kohën e tyre.[8] Disa studime të këtij lloji kanë bërë ndikim pozitiv, por tirazhi i vogël ka bërë që ato të gjenden brenda një numri të vogël njerëzish. Dijetarët muslimanë dhe besimtarët duhet të mësojnë në këtë aspekt që t’i kuptojnë fetë tjera jo në bazë të backgraundit historik dhe kundërthënieve doktrinare, por në bazë të mësimit burimor islam mbi fetë e shpallura dhe ato filozofike e popullore. Edhe një lexim kalimthi i Kur’anit na konfirmon universalitetin e fesë dhe faktin se feja i është shpallur tërë njerëzisë.[9]

Muslimanët gjithashtu duhet të vetëdijësohen për bujarinë muslimane ndaj pakicave fetare që kanë jetuar në mjedisin e tyre gjatë pjesës më të madhe të historisë. Shtetet e ndryshme muslimane gjatë historisë kanë mbajtur raporte miqësore dhe konstruktive me shtetet tjera të kohës së tyre. Shembulli i bashkëpunimit të muslimanëve dhe hebraikëve në Spanjë është vlerë që duhet ta kenë parasysh edhe brezat e sotshëm.[10]

Po ashtu, me rastin e shkuarjes në Perëndim për studime, për punë, për qëndrim më të gjatë atje apo për vizita të natyrave të ndryshme, muslimanët duhet pasur parasysh diversitetin fetar dhe kulturor kundrejt modernizmit, i cili u kundërvihet të gjitha religjioneve. Modernizmi pra i kundërvihet edhe traditës judaiste dhe kristianiste të mbetur në Evropë, por edhe të besimeve tjera të cilat mund të bëhen aleatë të Islamit kundër forcave të materializmit dhe shekullarizmit. Më së paku që synon materializmi dhe shekullarizmi është që fenë ta privatizojë tërësisht, respektivisht në një periudhë kohore tërësisht ta eliminojë nga jeta shoqërore. Bukur e thekson M. Arkun se “pikëpamjet e Ataturkut në Islam nga një anë dhe në shekullarizëm nga ana tjetër, është gjendje naive tipike e vetëdijes që e vërejmë ndër shumicën e intelektualëve muslimanë ndërmjet 1880 dhe 1940.”[11] Ndër manifestimet më eklatante të Perëndimit në botë dhe ndër muslimanët është edhe scientizmi, i cili refuzon çdo njohje, mësim tjetër potencial, sikur që është njohja e Shpalljes, dhe filozofinë e tij e zhvillon deri në ideologji.[12]

Por, ndër detyrimet më të rëndësishme që kanë muslimanët është që të mësojnë për traditën e vet intelektuale, duke përfshirë së paku sipërfaqësisht të gjitha fushat islame: juridike, teologjike, filozofike, sufiste, gjuhësore, të artit dhe fushat e pakalueshme dhe fundamentale, të Kur’anit dhe Hadithit, e jo të bëjnë gabimin që kanë bërë brezat e mëhershëm, të cilët “duke kaluar nëpër shkollat dhe universitetet evropiane sollën deri te ajo që shijuan shok kulturor, të cilin kurrë nuk arritën ta kapërcejnë, madje as në kohët e moshuara të tyre.”[13]

Mësimet që duhet t’i marrë muslimani nga tradita intelektuale duhet të jenë serioze në mënyrë që të gjejnë përgjigje kundrejt sfidave të modernizmit dhe postmodernizmit, sikurse janë nihilizmi, agnosticizmi dhe ekzistencializmi ateist, reliktet tashmë të marksizmit, psikologjizimi i botës shpirtërore dhe njëmendësisë shpirtërore, shkenca bashkëkohore dhe kriza e ambientit apo kriza ekologjike. Shpeshherë, devotshmëria dhe dija intelektuale e muslimanit të gjendur në Evropë nuk mjafton që ai të nxjerrë konkluzione kundrejt sfidave dhe situatave që paraqiten para tij. Kjo ngecje, kjo paaftësi e muslimanëve për t’iu përgjigjur nevojave dhe kërkesave të kohës vërehet jo vetëm në Perëndim, por edhe në vetë vendet muslimane me zhvillim më të lartë e më të modernizuar.[14]

Mund të përfundohet se mënyra parësore për t’iu përgjigjur botës moderne është që muslimani të jetë i gatshëm ta mbrojë Islamin nga interpretimet e shtrembëruara nga jashtë. Kjo do të bëhet duke u mbështetur në mësimet më burimore dhe me rëndësi qendrore, kurse duke iu shmangur konceptimeve dhe interpretimeve sektare, të cilat nëse më herët kanë pasur ndonjë arsyetim të ekzistimit, tash këto interpretime sektare e të ngushtuara zvogëlojnë dhe zbehin forcën shpirtërore dhe intelektuale të shoqërisë islame në përballje me botën moderne.

Mënyra e dytë është se muslimanët duhet të jenë në gjendje të nxjerrin frymëzim dhe material nga tradita intelektuale muslimane për t’iu përgjigjur provokimeve moderniste të shkollave dhe teorive të ndryshme filozofike dhe shkencore të shoqërisë bashkëkohore.

Mënyra e tretë është që muslimanët duhet të dijnë të dallojnë se në traditën burimore fetare perëndimore të mbetur ka më shumë elemente bashkuese me Islamin dhe me traditën intelektuale muslimane se sa me shekullarizmin dhe modernizmin. Është e qartë se shekullarizimi është shumë i largët nga çdo vlerë religjioze, kurse tradita religjioze evropiane, edhe pse e shtrembëruar, megjithatë mbanë prejardhjen monoteiste nga trungu i fesë primordiale ibrahimiane.[15]

Por, muslimanët duhet ta dinë se suksesi i tyre nuk varet nga pranimi ose mospranimi i shekullarizmit apo i ideologjive të tjera, por nga çlirimi i njeriut para së gjithash nga tradita magjike, mitologjike, animistike, pagane dhe nacional-kulturore, pastaj edhe nga çlirimi i kontrollit shekullar i synimit të ekzistencës së tij,[16] e pastaj nga kthimi ynë brenda sheriatit hyjnor, që do të thotë ta pranojmë Allahun Një të Vërtetë, Krijues, Drejtues dhe Vigjilues absolute: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm nga Ti ndihmë kërkojmë.” (El-Fatihatu, 5).





3. Dallimi ndërmjet mësimit burimor islam dhe atij historik tradicional



Hulumtimi i pikëpamjes shoqërore, ekonomike dhe politike i jetës tregon se shumica e muslimanëve nuk bën dallimin ndërmjet mësimit burimor islam dhe shprehive dhe traditave lokale, të cilat në një apo në një mënyrë tjetër janë të manifestuara përreth tyre. Këtë e dëshmon edhe kontakti i muslimanëve nga vende të ndryshme, të cilët në vend që të diskutojnë për çështjet që i bashkojnë muslimanët, ata me orë të tëra zhvillojnë diskutime rreth asaj se kush nga ata praktikon islamin më burimor dhe më autentik. Analiza e këtyre diskutimeve të çon në një të vetmin përfundim: të gjithë ata praktikojnë islamin burimor, por në rrethana tjetërfare shoqërore dhe kulturore brenda të cilave islami është manifestuar historikisht. [17]

Shumë sulme të modernizmit perëndimor në vlerat dhe institucionet shoqërore islame janë sulme kundër të gjitha institucioneve jomoderne, tradicionale, të cilat identifikohen me Islamin, por të cilat janë të pranishme edhe në shoqëritë jomuslimane.

Mirëpo, muslimanët duhet t’i vlerësojnë institucionet shoqërore islame nga pikëpamja islame, të bazuar në Kur’an, Hadith, dhe në trashëgiminë e gjithëpranuar muslimane, e jo në bazë të kritikave moderniste perëndimore, që Perëndimi i ka ngritur kundër tyre për qëllime të ndryshme dominimi e eksploatimi.



3. 1. Çështja e femrës



Një nga ato çështje të cilat Perëndimi më së shpeshti dhe më së rrepti i atakon kundrejt Islamit është çështja e femrës, si mbulesa e flokëve, apo të një pjese të kokës te femrat, çështja e raporteve islame mashkull-femër, respektivisht e barabarësisë islame mashkull-femër, roli i femrës në shkencë, familje, shoqëri, çështja e strukturës familjare islame, çështja e brezave të ndryshëm musliman etj.. Kritikat perëndimore kundër çështjes së femrës nuk bën të pranohen inferiorisht dhe pasivisht si të vërteta të mirëfillta. Për më tepër nuk bën që muslimani të jetë inferior, kur dimë se kriteret dhe vlerat perëndimore ndryshojnë rrënjësisht dekadë pas dekade, që nuk është rast me parimet islame. Parimet islame janë të përhershme dhe të pandryshueshme.

Të gjitha këto çështje që Perëndimi i atakon kanë bazament islam, dhe kanë një praktikë islame të bazuar edhe në sunnet[18], por kanë edhe një praktikë shoqërore te popujt muslimanë, të provuar gjatë historisë. Por, kjo dukuri që kritikohet te muslimanët, në hebraizëm dhe kristianizëm ishte në gjendje drastike. Enciklopedia Britanike shkruan: “Kristianizmi nuk solli deri te ndryshimet revolucionare shoqërore në aspekt të statusit të femrës…. Në botën e kishës së hershme kishte pak respekt ndaj femrës, që ishte bazë për aplikimin e divorcit, i cili praktikisht i lënte femrat në mëshirë dhe pamëshirë të burrave të vet.” Kjo, sipas Britanikës, ishte në pajtim me “botëkuptimin e hebraizimit të vjetër mbi martesën si institucion, e cila para së gjithash i përket formimit të familjes, kundrejt formimit të lumturisë individuale të partnerëve martesorë”, botëkuptim ky “që fuqishëm ka ndikuar” në kristianizëm.”[19]

Kjo dukuri madje ka qenë e pranishme edhe në Perëndim deri kohët e fundit. I dëshpëruar me gjendjen e femrës në Perëndim, Stendali, shkrimtari i njohur botëror nga Franca pohon: “Nën tendën e zezë të artabit beduin duhet kërkuar shembullin dhe atdheun e dashurisë së mirëfilltë … Shihet se ne kemi qenë barbarë në raport me Orientin kur kemi shkuar që këtë dashuri ta çrregullojmë me luftërat tona kryqtare.”.[20]

Si shembull do të theksojmë sulmin e Perëndimit për rolin e femrës në shoqërinë muslimane. Qëndrimi islam ndaj femrës merret si regresiv, anakronik, pengues dhe shkelës i të drejtave të femrës. Harrojnë perëndimorët se trajtimi i femrës në Perëndim një shekull më herët ka ndryshim të madh me kohën aktuale. Harrojnë perëndimorët se në ç’drejtim do të shkojë trajtimi i femrës në dekadat dhe shekullin vijues. Perëndimi vlerëson femrën nga moda në mode, nga trendi i caktuar në trendin vijues, trende këto që i shtyjnë magnatët dhe industria, e shumë pak vlerat e përhershme. Për këtë arsye, vërejtjet perëndimore duhet shqyrtuar seriozisht por nuk duhet marrë seriozisht, sepse ato janë prodhim i interesit ekonomik dhe e dominimit politik, e jo në interes të vetë femrës.[21]



3. 2. Çështja e etikës



Shembull i dytë i kritikës perëndimore kundrejt Islamit është etika islame. Ndonëse morali po përjeton mbase zbehjen dhe rënien më të rëndë që një kohë të gjatë, ndonëse shumë udhëheqës muslimanë kanë sjellje morale të diskutueshme, megjithatë Perëndimi vazhdimisht kritikon aspekte të moralit islam. Mirëpo, muslimanët duhet t’i kuptojnë këto kritika racionalisht: këto kritika vijnë nga pikëpamja kundërshtare dhe e gabuar, e bazuar në degjenerim moral dhe rebelim kundër fesë, në degradim të familjes dhe të aspektit të të shenjtës dhe transcendentales, të harresës së Krijuesit. Vetë muslimani duhet të jetojë në pajtim të plotë me etikën islame të sinqeritetit dhe drejtësisë në mjedisin ku jeton, e jo në parimet perëndimore që ndryshojnë sikur stinët vjetore në zonat gjeografike kontinentale.[22]



3. 3. Çështja ekonomike



Shembull të tretë kemi fushën ekonomike. Muslimani në koncepcionin e tij nuk mund ta ndajë ekonominë nga etika. Nëse ekonomia do të vepronte pa etikë, kërcënon që ekonomia të bëhet “shkencë” e pavarur nga njeriu dhe e cila merret vetëm me sasinë pa shikuar pikëpamjen cilësore të jetës. Po ashtu, muslimani aktual nuk duhet indentifikuar çdo afarizëm apo veprim ekonomik si veprim ekonomik islam, sepse ndikimet joislame janë aq të mëdha dhe se ato veprime nuk janë të bazuara plotësisht sipas sheriatit. Nuk duhet kritikuar çdo gjë që ndodh në botën islame në bazë të kritereve perëndimore. Prandaj, duhet njohur mësimin e sheriatit lidhur me ekonominë dhe etikën dhe duhet aplikuar këto parime në cilindo vend të botës.[23] Muslimani duhet t’i ketë parasysh vlerat autoktone muslimane: familja si mbrojtje ekonomike dhe si institucion social i anëtarëve, afarizmi kryesisht brendamuslimanë (dar’ul-islam), të cilën e kanë ndihmuar edhe vizita haxhit duke këmbyer vlerat dhe pasuritë muslimane.



3. 4. Çështja politike



Shembullin e katërt me radhë, por sigurisht më të ndërlikuarin dhe më kompleksin kemi ku perëndimorët kanë drejtuar kritikat e tyre është faktori politik. Ndonëse Kur’ani nuk përcakton formën e shetit që do të sundojë, megjithatë ka dhënë udhëzimet e përgjithshme: Fuqia absolute i takon Allahut, kurse Muhammedi a.s. është themeluesi dhe sunduesi i pare historic i këtij shteti, por edhe shembulli si duhej vepruar brezat e ardhshëm. Ai ishte edhe pejgamberi-sunduesi i pare, fetar dhe botëror, duke mos ndarë sundimin në sacral dhe profane, për dallim nga kristianizmi, ku mbretëria ndahet në të Zotit dhe të Çesarit.[24] Mirëpo, në dy shekujt e fundit, perëndimi duke rrënuar shumicën e institucioneve politike tradicionale islame dhe duke i zëvendësuar ato me institucione “kukull” perëndimore, ka ardhur deri te tensionimi i fuqishëm i jetës politike në vendet muslimane. Këtë gjendje në vendet muslimane e ashpërson edhe më tepër mbyllja e mundësisë për diskutim nga ana e regjimeve të instaluara nga perëndimorët (sikurse Egjipti, Turqia, etj.), ku laicizmi mbrohet me forcë.[25] Sepse çdo vetëdijësim dhe ngritje të muslimanëve perëndimi e shishte “si parashenjtë që Islamizmi në shekullin vijues do të mund të zhvillohej në rrezik të madh.”[26]

Së këndejmi, muslimani që viziton apo jeton në Perëndim duhet t’i ketë parasysh dy çështje:

- Në Evropë mund të diskutosh lirisht për aspekte politike;

- Në Evropë muslimani do të sulmohet për jolirinë politike në vendet muslimane, që në esencë janë regjime të instaluara nga vetë perëndimorët.

Është edhe një problem, ai i struktures së muslimanëve që vendosen në Perëndim, e të cilët kanë prejardhje të ndryshme nacionale, politike, sociale e tradicionale. Përkundër këtij problemi, muslimanët në Perëndim i lidhë ndjenja e përbashkësisë fetare dhe vëllezërisë fetare, që i mungonte të tjerëve. Muslimanët duhet të krijojnë bindjen se për vlerat politike islame duhet krijuar ambient, hapësirë për aplikimin e tyre. Po ashtu, duhet gjetur forma më të avansuara praktike për aplikimin e parimeve islame në fushën politike.[27]





4. Vlerat tradicionale islame kundrejt modave

të njëpasnjëshme perëndimore



Muslimanët, qoftë edhe ata që jetojnë në botën muslimane, në masë të madhe kanë humbur apo kanë harruar trashëgiminë tradicionale qytetëruese të tyre dhe nuk posedojnë as njohje elementare për vlerat dhe bukurinë e jashtëzakonshme të artit islam, me përjashtim të pjesërishëm të arkitekturës, e cila pak a shumë është ruajtur deri në ditët tona. Për këtë arsye, muslimani para së gjithash duhet ta njohë dhe ta mësojë artin islam në tërë segmentet e tij, për të dalluar ndryshimet e mëdha kundrejt artit perëndimor.[28]

Ekspertët, por edhe njohësit mesatarë, e dinë se artet kulmore në Islam janë arkitektura dhe kaligrafia. Pas këtyre pasojnë arti i veshmbathjes dhe arti i artizanateve dhe ai i gjësendeve për përdorim të përditshëm. Por ekzistojnë edhe artet tjera si poezia, muzika dhe ajo më kryesorja: lexim-këndimi i Kur’anit.

Muslimani duhet ta ketë parasysh përmasën dhe pasurinë e traditave artistike islame dhe duhet të përgjigjet në pohimet e kritikëve modernë se si Islami nuk ka prodhuar asnjë vepër artistike plastike apo muzikë me rëndësi. Duhet përgjigjur se çdo qytetërim nuk është e thënë të prodhojë po të njëjtat lloje të artit dhe hierarkinë e njëjtë të vlerave. Muslimani duhet të dijë se Islami nuk ka zhvilluar skulpturën dhe nuk i ka dhënë rëndësi pikturës krahasuar me Perëndimin, sikurse Perëndimi që nuk ka zhvilluar thellësinë dhe madhërinë e poezisë mistike, të bazuara në dashuri dhe dijen për Allahun, e cila zbukuron letërsinë e gati të gjithë popujve islamë. Përveç skulpturës dhe artit anikonik islam (jopikturues) të cilin arti islam e ndalon, sikurse e ndalon edhe hebraizmi, Islami ka prodhuar format më të larta të artit thuajse në të gjitha kategoritë artistike të imagjinueshme. Madje edhe në pikturë, që në islam nuk ka rëndësi më të madhe, është zhvilluar miniatura që paraqet ndër kryeveprat e artit botëror.[29]

Muslimani nuk ka mundësi ta ndërrojë as ndryshojë artin modern, andaj duhet të mbrohet nga ndikimi shkatërrues i artit modern, duhet të krijojë mjedisin vetjak, qoftë edhe personal, me artin islam, duke u kënaqur me dhantitë (bereqetet) e Shpalljes, të leximit të Kur’anit, të krijimeve poetike dhe mistike klasike etj., të gjitha gjithnjë të bazuara në “Inna’ll-Llahe xhemilun we juhibb’ul-xhemal” (Pa dyshim Allahu është i bukur dhe e do të bukurën. Sipas Sahihut të Muslimit)[30]. Muslimani duhet dhënë çdo gjë nga vetja që ta ruajë afërsinë me botën e tij artistike, si me atë të piktures ashtu edhe me atë të zërit, pa izolim nga takimi me artin perëndimor, i cili nënkupton edhe një pjesë të arsimimit të tij dhe për muslimanin që dëshiron ta kuptojë Perëndimin, duhet ta njohë gjithësesi mirë.[31]





5. Stili autentik Islam i jetës përballë stilit magjepës modern të jetës



Njeriu, sidomos njeriu i ri, qoftë ai musliman apo jo, e ka të vështirë t’i përballojë tërheqshmërisë së fuqishme që ofron stili modern jetësor i të rinjve, i cili mbi të gjitha i përgjigjet natyrës epsharake dhe rebeluese të shpirtit, e jo elementeve më të larta, më të rafinuara, vullnetit të Allahut. Muslimani e ka të qartë se është detyrim i çdo muslimani që jetën dhe mendimet e tij t’i zhvillojë sipas vullnetit të Allahut, që është kërkesë e Kur’anit dhe e traditës islame.

Muslimani, para së gjithash, duhet t’i bëjë ballë stilit modern të jetës. Por, dallon përballja e muslimanit nga vendet muslimane që vjen të studiojë në Perëndim apo në vendet tjera të ngjashme me Perëndimin dhe e muslimanit që është lindur në familjen muslimane që jeton në Perëndim dhe i cili asnjëherë më parë nuk është takuar me kulturën tradicionale islame. Palët më të goditura në këtë atak të Perëndimit janë adoleshentët, tinejxherët, por ndonjëherë edhe të moshuarit. Nëse tashmë muslimanët kanë ra nën ndikimin perëndimor, ato ndikime duhet amortizuar, duhet zbutur, duke refuzuar çka mund të refuzohet dhe duke zëvendësuar format e degjeneruara dhe të bastarduara me forma më të mira dhe më efektive, të bazuara në vullnetin e Allahut.[32] Me të drejtë reagon e thotë Shirin Sinnar: “Përse do të duhej ta marrim proklamatën mbi të drejtat njerëzore të formuluara nga ato forca, të cilat vendet tona i kanë kolonizuar dhe plaçkitur.” [33]





6. Fakorët themelorë si ndikues në perspektivën e mendimit bashkëkohor teologjik në Islam



Në mesin e shumë faktorëve që ndikojnë në rrjedhat e mendimit bashkëkohor teologjik në Islam tre janë me rëndësi të veçantë:

1. Teologjia gjithnjë duhet të bazohet në fe. Feja është natyra themelore që njëmendëson raportin njeriu- Zoti. Dinamika e fesë rrjedh nga njëmendësia e gjallë e fjalëve hyjnore, duke përfshirë në veprimin e vet të mëvonshëm rritjen kozmo-historike të njeriut dhe botës. Teologjia luan rolin që diturisht të verifikojë dhe ndriçojë të gjitha format kreative të fesë dhe të përcaktojë të gjitha drejtimet në të cilat lëviz gjeniu i saj shpirtëror i gufuar, duke nxitur kështu edhe rritjen vetjake, praninë dhe kongjenialitetin në çdo çast historik dhe në çdo brez.

2. Teologjia duhet të jetë gjerë e hapur për botën e njeriut bashkëkohor dhe seriozisht t’i qaset shqyrtimit të të gjitha përvojave që fryma njerëzore i ka sajuar në vetë/zhvillimin e saj. Kjo është e nevojshme që të mund të kuptojë shenjat e kohës së vet, rrjedhat e transformimeve më të reja në të cilat hynë bota aktuale, sepse vetëm kështu teologjia denjësisht mund të kultivojë praninë e Porosisë hyjnore dhe pejgamberike në shenjat përkatëse dhe ta ndërtojë atë në perspektiva të reja të botës bashkëkohore.

3. Teologjia duhet të jetë e vetëdijshme dhe përgjegjëse ndaj detyrës së saj zanafillore, e cila e vetme garanton ekzistimin e saj dhe synimin akademik, e ajo është detyra e saj sihariquese (pejgamberike) (El-En’am, 67). Ajo çdo çasti duhet t’i ofrojë pamje të re të Urtësisë hyjnore dhe të sihariqojë angazhime të reja të Mesazhit hyjnor nëpërmjet së cilës edhe vetë Fryma hyjnore njëmendësisht merrë pjesë në fjalët dhe veprat e botës.[34]





7. Përfundim



Muslimani, qoftë i brezit të vjetër apo të ri, nëse dëshiron të mbijetojë, duhet të përgjigjet në provokimet dhe sfidat e botës moderne. Për ta bërë këtë, duhet t’i mësojë dhe t’i njohë të gjitha përmasat e kësaj bote, jo me emocione, por në bazë të dijes burimore për atë botë, duke u mbështetur në tërësinë e njohjes së traditës islame.

Në frymë të kësaj ndërmarrjeje qëndron ruajtja e imanit / besimit në Allahun, fuqinë e Tij, dijen e Tij, dashurinë e Tij, për ata që i nënshtrohen Atij, që i besojnë fjalës së Tij, të përcjellur nëpërmjet Muhammedit a.s.. Kur’ani dhe Hadithi, dy burimet parësore të doktrinës islame, ofrojnë udhëzim komplet për të gjithë muslimanët, aktualisht dhe deri në Ditën e fundit. Fjala e Allahut do të jetë përfundimtare për çdo popull dhe për çdo kohë. Zëri i të vërtetës është i fundit, sepse buron nga Allahu: “Erdh e vërteta dhe u zhduk gënjeshtra.” (El-Isra`, 81),

Apo si e shpreh këtë Shirin Sinnar, si kundërshtim ndaj absolutizimit të vlerave perëndimore: “Përse do të duhej ta marrim proklamatën mbi të drejtat njerëzore të formuluar nga ato forca, të cilat vendet tona i kanë kolonizuar dhe plaçkitur.” [35]

Në këtë frymë, por nga një kënd dhe pikëpamje tjetër, është edhe konstatimi i intelektualit katolik kroat dr. Josip Sabol, i cili në një ese pak sa më të gjatë rreth Islamit politik si kërcënim për qytetërimin aktual pohon: “Kujt i takon ardhmëria? Demografët evropian janë përpjekur të llogarisin lëvizjen e popullsisë në Evropë në 25 vitet e ardhshme. Parashihet ndryshimi dramatik i rritjes së popullsisë në Evropë në llogari të muslimanëve, me tendencë që muslimanët të bëhen shumicë qytetaro-politike në shumë vise. Ka sociologë që thonë se deoksidentalizimi … është në hov të plotë. … Historianët mendojnë se pas pushtimit të majës mundet dhe duhet ngadal ose shpejtë të zbritet poshtë. Përse ky “ligj” – nëse fare ekziston – të mos vlente edhe për qytetërimin evropian? Shenjat e relativizmit, individualizmit, nihilizmit, amoralizmit, hedonizmit, materializmit janë aq të fuqishme në qytetërimin e tanishëm evro-amerikan sa që duhet drojtur se këtij qytetërimi ngadal por sigurt po i humb forca jetësore. Kujt i përket ardhmëria? Saktë: Atij populli i cili fëmijëve të shumtë në kopshte fëmijësh, në shkolla, rrugë të qyteteve dhe fshatrave, u siguron hapësira për zhvillimin e tyre të gjithanshëm harmonik …”.[36]





Literatura:



1. Al-Attas, Syed Muhammed al-Naquib, Islam and Secularism, botimi II, Kuala Lumpur, 1993

2. Al-Attas, Syed Muhammed Naquib, Prolegomena to the Methaphysics of Islam, Kuala Lumpur, 2001.

3. Dzait, Hisam, Evropa i islam, Sarajevë, 1985.

4. Garodi, Roze, Zivi islam, Sarajevë, 1990.

5. Glas Koncila, gazetë e përjavshme e Bashkësisë Katolike të Kroacisë, Zagreb, nr. 11 (1603), 13.3.2005.

6. Hafizovic, Resid, O nacelima islamske vjere, Zenicë, 1996.

7. Hofmann, Murad Wilfried, Islam u 3 mileniju, Sarajevë, 2004/1425 h.

8. http://www.albanur.net

9. Ibn Hazm, El-Faslu fi’l-mileli we’l-ahwai we’n-nihal, Bejrut, 1405 h./1985.

10. Ibrahimi, Nexhat, Bazat e etikës islame, Shkup, 2005.

11. Ibrahimi, Nexhat, Islami dhe kriza e identitetit, Shkup, 2004.

12. Ibrahimi, Nexhat, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup, 1998.

13. Ikball, Muhammed, Ripërtritja e mendimit fetar në Islam, në pritje për botim në Logos-A në Shkup.

14. Imam Nevevi, Rijadus-salihin, Shkup, 2003.

15. Kamaruzaman, Kamar Oniah, Early Muslim Scholarship in Religionswissenschaft & The Works and Contributions of Abu- Rayhan Muhammad Ibn Ahmad Al-Biruni, Kuala Lumpur, 2003.

16. Karic, Enes (ed.), Ljudska prava u kontekstu islamsko-zapadne debate, Sarajevë, 1996.

17. Nasr, S. Husein, Vodic mladom muslimanu, Sarajevë, 1998.

18. Patel, Ismail Adam, Islam opredeljenje mislecih zena, Sarajevë, 1424 h./2003.

19. Schuon, Frithjof, Dimenzije Islama, Sarajevë, 1996.

20. Sheriati, Ali, Arti, dorëshkrim, në përgatitje për botim nga Logos-A në Shkup.



--------------------------------------------------------------------------------

[1] Shih: Sejjid H. Nasr, Vodic mladom muslimanu, Sarajevë, 1998, fq. 13-15.

[2] S. M. Naquib Al-Attas, Prolegomena to the Methaphysics of Islam, Kuala Lumpur, 2001.

RAND-i, njëri nga trustët më të njohur gjysmështetëror të SHBA-ve propozon: “Të përkrahet ideja se feja dhe shteti mund të jenë të ndara edhe në islam dhe se kjo nuk e rrezikon besimin por kjo edhe mund ta përforcojë atë. …”. http://www.albanur.net/.

[3] S. H. Nasr, Vodic, op. cit., fq. 296. Krhs.: Hisam Dzait, Evropa i islam, Sarajevë, 1985.

[4] Shih gjerësisht analizen dhe solucinet si të sundohet bota musliane: http://www.albanur.net

[5] S. H. Nasr, Vodic, op. cit., fq. 286.

[6] Muhammed Ikball, Ripërtritja e mendimit fetar në Islam, në pritje për botim në Logos-A në Shkup, apo në ndonjë gjuhë botërore.

[7] S. H. Nasr, Vodic , op. cit., fq. 297.

[8] Shih: Ibn Hazm, El-Faslu fi’l-mileli we’l-ahwai we’n-nihal, Bejrut, 1405 h./1985. Kamar Oniah Kamaruzaman, Early Muslim Scholarship in Religionswissenschaft & The Works and Contributions of Abu - Rayhan Muhammad Ibn Ahmad Al-Biruni, Kuala Lumpur, 2003.

[9] S.H. Nasr, Vodic, op. cit., fq. 171 e tutje dhe 298.

[10] Fathi Osman, Dzihad: Legitimna borba za ljudska prava, në: Enes Karic (ed.), Ljudska prava u kontekstu islamsko-zapadne debate, Sarajevë, 1996, fq. 225.

Është interesant të ceket edhe Fermani i Fatih Sulltan Mehmetit, njërit ndër dokumentet e rëndësishme të shekullit XV në botën e atëhershme lidhur me të drejtat e njeriut:

“Unë Fatih Sulltan Hani shpall para gjithë Botës se françeskanët e Bosnjes, për të cilët del ky ferman, janë nën mbrojtjen time dhe urdhëroj:

As njerëzit, emrat e të cilëve shpallen këtu dhe as kishat e tyre të mos shqetësohen e të mos dëmtohen. Le të jetojnë në paqe e të qetë ata brenda Perandorisë time. Të gjithë këta njerëz të rënë në gjendje refugjati le të jetojnë të lirë e të sigurtë. Le të kthehen ata në çdo pjesë të Perandorisë e të vendosen e sistemohen pa frikë nëpër manastiret e tyre.

Askush nga rrethi i nderuar i Badishahut, nga vezirët dhe nga nëpunësit e mij, nga shërbëtorët dhe qytetarët e Perandorisë nuk do të cënojë dinjitetin e këtyre njerëzve dhe nuk do t’i dëmtojë ata.

Askush të mos cënojë jetën, pasurinë dhe kishat e këtyre njerëzve, të mos i shohë e trajtojë keq dhe të mos i rrezikojë. Edhe nëse sjellin njerëz të tyre nga një vend tjetër në shtetin tim, ata do të gëzojnë të njëjtat të drejta.

Duke shpallur e dekretuar këtë Ferman të Badishahut, betohem në emër të Allahut, (krijuesit, Zotit të tokës e qiellit) të dërguarit të Allahut, Pejgamerit tonë të shenjtë, Muhamedit e 124 mijë pejgamerëve dhe në emër të shpatës që kam ngjeshur në brez, se asnjë nga shtetasit e mij, të cilët do t’i bonden urdhërave e do të mbesin besnikë të mij, nuk do të veprojnë në kundërshtim me çka shkruhet në këtë ferman”.

Dokumenti është shkruar në Milodrazh, më 28 maj 1463. Origjinali i këtij Fermani ruhet në Kishën Françeskane në Fojnicë të BH-së.

[11] Muhammed Arkoun, Sekularizam i islam, në: Enes Karic (ed.), Ljudska prava…, op. cit., fq. 172.

[12] S. H. Nasr, Vodic, op. cit., fq. 232.

[13] Muhammed Arkoun, op. cit., fq. 172.

[14] Gjerësisht për disa mënyra të përgjigjjes së muslimanëve kundrejt sfidave dhe provokimeve perëndimore, drejtpërdrejt nga perëndimorët apo tërthorazi nëpërmjet muslimanëve që punojnë për ta lexo: S. H. Nasr, Vodic, op. cit., fq. 153-157, por edhe faqet vijuese.

[15] S. H. Nasr, Vodic, op. cit., fq. 299-300.

[16] Syed Muhammed al-Naquib al-Attas, Islam and Secularism, botimi II, Kuala Lumpur, 1993, fq. 31.

[17] Sidomos imponohen me këto qëndrime neoselefistët, respektivisht vehabistët. Këta diskutojnë vazhdimisht, natyrisht, në emër të fesë burimore, rreth çështjes së gjatësisë së mjekrës, gjatësisë së pantollonave, lartësisë së ngritjes së duarve për tekbir, rreth nivelit të lidhjes së duarve në namaz, të lëvizjes së gishtit tregues, të theksimit të zëshëm e të sinkronizuar të aminit, të lëshimit të disa suneteve në namaz si gjoja josunete. Mendoj se tërë kjo paraqet humbakohë përballë prioriteteve shumë të nevojshme që imponon koha.

[18] El-Kur’an, El-A’raf, 26 dhe En-Nahl, 81.

Hadithet e Muhammedit a.s.: Imam Nevevi, Rijadus-salihin, Shkup, 2003, fq. 256-263.

[19] Shih: Ismail Adam Patel, Islam opredeljenje mislecih zena, Sarajevë, 1424 h./2003, fq. 26.

[20] Sipas: Roze Garodi, Zivi islam, Sarajevë, 1990, fq. 135.

[21] Kritikën e Perëndimit për çështjen e femrës e kemi trajtuar shkurtimisht edhe para disa vitesh. Shih: N. Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup, 1998, fq. 92-96. N. Ibrahimi, Bazat e etikës islame, Shkup, 2005; Ismail Adam Patel, op. cit., fq. 33-50.

[22] S.H. Nasr, Vodic, op. cit., fq. 302. N. Ibrahimi, Bazat e etikës.

[23] S. H. Nasr, Vodic, op. cit., fq. 302-303. N. Ibrahimi, Bazat e etikës islame.

[24] S. H. Nasr, Vodic, op. cit., fq. 83.

[25] Shih për gjendjen e Islamit në shumë vende e shtetet muslimane të Lindjes së mesme: Sayed Hassan Amin, Pravni sistemi srednjeg istoka, Sarajevë, 1998.

[26] Peter Frisch, kryetar i komisionit për mbrojtjen e kushtetutës së RFGJ, Spiegel, 36/1997, fq. 58, sipas: Murad Wilfried Hofmann, Islam u 3 mileniju, Sarajevë, 2004/1425 h., fq. 49.

[27] N. Ibrahimi, Bazat e etikës islame.

[28] Ali Sherati, Arti, dorëshkrim, në përgatitje për botim nga Logos-A në Shkup dhe Nexhat Ibrahimi, Islami dhe kriza e identitetit, Shkup, 2004, fq. 122-132.

[29] S.H. Nasr, Vodic, op. cit., fq. 305-306.

[30] Frithjof Schuon, Dimenzije Islama, Sarajevë, 1996, fq. 27-45.

[31] S. H. Nasr, Vodic, op. cit., fq. 306-307.

[32] S. H. Nasr, Vodic, op. cit., fq. 308.

[33] Sipas: Murad Wilfried Hofmann, Islam u 3 mileniju, Sarajevë, 2004/1425 h., fq. 75.

[34] Përfolje e tezave që shtron autori boshnjak në mënyrë mjaft largpamëse dhe përmbledhëse: Resid Hafizovic, O nacelima islamske vjere, Zenicë, 1996, fq. 243-244.

[35] Sipas: Murad Wilfried Hofmann, Islam u 3 mileniju, Sarajevë, 2004/1425 h., fq. 75.

[36] Josip Sabol, Politički islam - prijetnja današnjoj civilizaciji, (vazhdimi 4), Glas Koncila, gazetë e përjavshme e Bashkësisë Katolike të Kroacisë, Zagreb, nr. 11 (1603), 13.3.2005.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme