Hixhreti është meditim, mësim dhe veprim e jo gjum, përtaci dhe nënshtrim

Ky vetëshqyrtim është për arsye se paraqitja e Islamit në skenën botërore në shekullin VII-të bëri që historia të mos kthehet kurrë më në pozicionet e kaluara, e të cilën periudhë, domethënë paraqitjen e Islamit kundrejt kohës së kaluar, filozofi i shekullit XX, M. Ikball e quan epokë të hyrjes në moshën e pjekurisë të gjinisë njerëzore. Nëse Islami në shekullin e VII ishte në gjendje të bëjë ndryshime pozitive dhe cilësore në jetën e asaj kohe, duhet të shohim a e ka Islami edhe tash atë forcë, atë cilësi, atë shkop magjik për ndryshime rrënjësore në rrafshin politik, ekonomik e kulturor?Pikërisht kjo arsye, këto probleme, ky degradim aktual i jetës moderne na imponon që, së paku herë pas here, t’ia hedhim një vështrim shekujve të kaluar, të analizohet e kaluara, trashëgimia shumë e pasur dhe e llojllojshme, dhe të analizohet qëndrimi i muslimanëve të sotshëm ndaj të kaluarës, që shpesh di të jetë pasiv, indiferent dhe i shtrembëruar. Pasojë të kësaj kemi indiferenditetin ndaj Islamit dhe trashëgimisë islame, largimin nga islami dhe nga trashëgimia e tij apo edhe abuzimin me Islamin dhe trashëgiminë e tij nga ana e vetë muslimanëve. Përkundër ca sukseseve në shikim të parë në fusha të ndryshme të muslimanëve në fillim të shekullit XX e pas, si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe në të jashtëm, është bindje dhe konstatim se qëndrimi i muslimanëve nuk është në nivel të kohës dhe detyrimeve të kohës që kërkon Islami për hixhretin. Disi, hixhreti rregullisht manifestohet në institucionet muslimane, nëpër familjet muslimane, por këto manifestime, në njëfarë mënyre, janë tepër të zbehta, inerte, në shenjë të ndonjë ëmbëlsire, në shenjë të ndonjë lutjeje, ndonjë leximi solemn të ndonjë fragmenti të Kur’anit. Hixhreti në këto ceremoni e solemnitete më tepër paraqet barrë se sa çlirim, më tepër çast drejt të kaluarës dhe të kaluarave se sa drejt të ardhmes, drejt studimit, përsiatjes dhe sendërtimit të porosive që rrjedhin nga hixhreti. Dëgjuesi, lexuesi, bashkëbiseduesi muslimanë jo fortë i informuar, apo jomuslimani, me të drejtë do të shtrojnë pyetjen: ç‘është hixhreti, ç’kuptim ka hixhreti, çfarë historie ka hixhreti, ç’kuptim ka për neve sot hixhreti e shumë pyetje të tjera? Përgjigjja në këto pyetje kërkon edhe hapësirë edhe kohë më të madhe se sa që është pretendimi i këtij shkrimi. Megjithatë, do t’i cekim disa nga kuptimet e mundshme: - Hixhreti është ngjarje që e ndërroi rrjedhën e historisë njerëzore, jo vetëm muslimane. Historia njerëzore nga paganizmi dhe nga një monoteizëm i degraduar dhe i bastarduar judaisto-kristian kaloi në një monoteizëm të kristaltë e të pastër pa kurrfarë përzierjesh e premisash politeizmi që bastardojnë besimin e mirëfilltë në Një dhe të Vetmin Allah; - Hixhreti është kthesë vendimtare në zhvillimin e njerëzisë me vullnetin e Allahut. Kjo datë është unikale për tërë historinë. Nuk lidhet për personalitete, qoftë ajo edhe e njeriut më të madh - Muhammedit a.s.. Nuk lidhet as me ngjarje familjare, të qytetit apo të vendit, por me një dukuri që ndanë dhe dallon të vërtetën nga e errëta dhe që i përket tërë botës; - Hixhreti është zbulim i mjedisit më frytdhënës për zhvillimin e Fjalës së Allahut të madhërueshëm dhe nuk është ikje prej vështirësive e problemeve. Shumë interpretime të hixhretit janë të llojit se hixhreti është ikje nga jeta e vështirë dhe e papërballueshme në Meke. Përkundrazi, hixhreti nuk është ikje, por ‘shkëputje’ e lidhjeve, marrëdhënieve të deriatëhershme të dëmshme për Islamin, braktisje e lidhjeve me fisin që dëmtojnë Islamin, shpërngulje nga një vend në tjetrin për krijim të kushteve dhe favoreve më të përshtatshme për përhapjen e Fjalës së Allahut. Shumë familjarë u ndanë mes veti për shkak të Fjalës së Zotit dhe Pejgamberit të Tij; - Hixhreti është braktisje e asaj që Allahu urdhëron dhe njëkohësisht përpjekja drejt asaj me çka Ai kënaqet. Islami është ndarje përfundimtare nga e kaluara në besim por edhe në jetën e përditshme. Hazreti Omeri r.a. nga armiku i përbetuar u shndërrua në luftëtarin më të madh. Islami i dha fund pijeve dehëse dhe ofroi platformën për përmbylljen e robërisë, hakmarrjes dhe shumë veprimeve të shëmtuara e të dëmshme për një pikëpamje që pretendon të jetojë gjatë historisë. Hixhreti është fillimi i ndërtimit të një drejtësie sociale. I pasuri nëpërmjet ‘sadakave’ të detyrueshme dhe vullnetare duhet ta pastrojë veten nga gabimet dhe defektet shpirtërore dhe materiale. Mirëpo, koha aktuale dëshmon të kundërtën. Vallë, nuk vlen porosia e hixhretit edhe për pasanikët dhe dijetarët e vendeve të pasura arabe për pjesën tjetër të botës muslimane?; - Hixhreti është sakrifica kulminante të cilën njeriu mund ta bartë dhe ta ofrojë për idealin e tij. Ai për hir të besimit të tij Islam shkëputi lidhjet me më të afërmit, braktisi jetën e deriatëhershme, afarizmin e deriatëhershëm. Muslimani braktisi besimin në zotat lokalë, në zanat e shtrigat, në djajtë e demonët në favor të Zotit Një dhe të Vetëm, pa kurrfarë kompromisi. Por, a po e bëjnë këtë aktualisht prijësat fetarë e politikë në vendet dhe bashkësitë muslimane? Vallë, mos kemi krijuar hyjni individual, lokal që do t’i identifikonim me elitën politike botërore dhe kapitalin dhe harrojmë hixhretin? Është më se e qartë se për shkak të aleancave politike dhe ekonomike të gabueshme sot për arabin është më i dëmshëm persiani se sa amerikani apo për persianin arabi e të ngjashme; - Hixhreti është frymëzim i pashterrshëm, motiv i fuqishëm dhe fuqi motorrike për besimtarët e sinqertë. Ka zëra të cilët pohojnë se nuk ka hixhret pas hixhretit, duke i konceptuar shumë ngurtë porositë e hixhretit. Vërtetë, gjeografikisht dhe fizikisht nuk ka hixhret pas hixhreti, por përkundrazi, hixhreti jeton vazhdimisht te muslimani i mirëfilltë, ai është elif-baja e besimtarit dhe sa herë zbehet në përsiatjet dhe aksionet e tij, besimtari duhet t’i kthehet hixhretit për frymëzim të ri. Hixhreti duhet të jetë meditim, mësim dhe veprim e lëvizje e jo gjum, përtaci dhe nënshtrim e robërim sistemeve e ideologjive shekullariste me primesa pagane-judaiste-kristiane. Hedhni një vështrim elektoratit zgjedhor në botën muslimane apo në tokat shqiptare dhe do të shihni një gjendje për vajtim. Besimtari musliman me votën e tij dhënë armikut të tij i bën dhunë vetes dhe madje krenohet me veprimin e tij. Kështu e kemi në Kosovë, kështu e kemi në Shqipëri, kështu e kemi në vendet muslimane; - Hixhreti me vete bartë idenë e aksionit, ndryshimit dhe rimëkëmbjes, idenë e sendërtimit të porosive të Kur’anit dhe Sunnetit në çdo çast historik. Hixhreti edhe pse ka ndodhë në shekullin VII, ai nuk i takon vetëm shekullit të VII-të. Ai është i yni po aq sa edhe i atij brezi. Ngushtimi i kuptimit të tij vetëm në shekullin e VII-të dhe vetëm brenda shketëtirës së Arabisë do të thotë varfërim dhe cungim i vlerave shumëpërmasash të hixhretit. Ngushtimi i porosive të hixhretit vetëm në ngjarje historike ka sjellë që pikërisht në trollin ku fizikisht ndodhi hixhreti, ai të degradohet në mënyrat më të rënda e më zhgënjyese. Si të kuptohet ndryshe fakti se Beteja e Bedrit ishte më tepër shkollë se sa luftë, më tepër ndërtim i njeriut se sa mbytje e njeriut karshi gjendjes aktuale në botën arabe ku përqindja e analfabetizmit kalon mbi 50% të popullsisë; - Hixhreti është ‘revolucion’ i madh shpirtëror e material, intelektual e edukativ, social dhe ekonomik. Edhe më drejt, hixhreti është ‘islamizim’ permanent interior dhe eksterior i muslimanit, pa marrë parasysh vendin dhe kohën kur jeton e vepron. Nëse përvjetori i hixhretit nuk e ngacmon shpirtin tonë, ndërgjegjen tonë, vetëdijen tonë, atëherë muslimani duhet ndalur dhe pyetur veten: ç’po ndodh me mua, është faji te hixhreti apo tek unë, pse nuk ndikon hixhreti në shpirtin tim, në jetën time, te afarizmi im, te mësimi im? Ai duhet të na ushqejë shpirtërisht dhe të jetë kriter për afarizëm të mirëfilltë. Hixhreti duhet të na detyrojë në punë më të madhe intlektuale e edukative. Hixhreti është çast për drejtësi më të madhe sociale dhe ekonomike. Nëse te muslimani vazhdon gjendja me të vjetrën duhet hulumtuar shkakun e kësaj venitjeje kurse ky shkak është brenda nesh dhe në ne; - Hixhreti është mësim nga e kaluara, meditim dhe veprim në të tanishmen dhe shikim e planifikim drejt së ardhmes. Është bërë traditë e ngulitur se hixhret është vetëm e kaluara. Është ngulitur në kokat e muslimanëve se e vlefshme është vetëm e kaluara. Është shenjtëruar çdo gjë e kaluar, duke e harruar apo neglizhuar të tanishmen. Vazhdimisht lavdërohemi me Omerin r.a., Omer Ibn Abdulazizin, Ebu Hanifen, Tarik ibn Zijadin, Salahuddin Ejjubin, Mehmedin e II Fatihun e shumë shumë të tjerë, duke harruar se çdo kohë duhet t’i ketë Omerat dhe Salahudinat e vet, duke harruar se rolin dhe detyrimet tona që duhet t’i kemi në skenën dhe kohën tonë historike. Sado e vlefshme e kaluara, ajo nuk mund t’i përballojë kërkesave të mëdha të secilës kohë. Edhe më keq, duke e kuptuar gabimisht dhe në mënyrë të atrofizuar çështjen e determinizmit dhe indeterminizmit, muslimanët nuk mendojnë për të ardhmen, por i dorëzohen të ardhmes. Faji është te caktimi. Çfarë ka caktuar Allahu - është përgjigja e shumë muslimanëve. Harrojnë se të menduarit, planifikimi dhe angazhimi për të ardhmen është pikërisht palca, thelbi dhe shpirti i Islamit. Islami është e ardhmja, kurse ne me botëkuptimet tona prapthi e shndërrojmë Islamin në judaizëm dhe kristianizëm, në një shoqëri defetistësh, të të pashpresësh, në një masë amorfe që është mësuar dhe pajtuar vetëm t’u shërbejë të tjerëve; hixhreti në jetën e muslimanit më nuk është ‘lexo’, ‘mëso’ në emër të Krijuesit, por për fat të keq është marrje me kotësira e përçarje brendamuslimane; alamet dijetarë muslimanë të ashtuquajtur ‘selefinjë’ merren me çështjen si ta rrënojnë ndërtesën e ndërtuar me shekuj të quajtur Islam, në emër të ca gjerave periferike, krejt periferike, dhe harrojnë se Islami nuk e ndërton të ardhmen duke rrënuar, por duke ndërtuar e integruar. Hixhreti është edhe shumë sosh që muslimani herë-herë edhe nuk është i vetëdijshëm për ato gjerësi dhe begati. Nëse i hedhet një shikim kohës së paraqitjes së hixhretit do të shohim dhe do të konstatojmë se hixhreti i dha shtytje të fuqishme pjekurisë shpirtërore dhe intelektuale, përkryerjes etike dhe estetike, humanitetit dhe shoqëroritetit njerëzor. Me besimin e kristaltë, me aktivitetin ekzaktë islam hixhreti ishte fillimi i fundit për robërinë e njeriut, ai e liroi njeriun nga robëria dhe eksploatimi, primitivizmi, robërimi i epsheve, supersticionet, heretizmi dhe politeizmi; Hixhreti e bëri të vetëdijshme njerëzinë se respektimi i dinjitetit njerëzor, pa dallim race, gjuhe, vendi, klase, nacionaliteti, fisi, është ardhmëria e vetme e botës. Për këtë arsye, Bilali zezak etiopian dhe Selman Farisiu persian numëroheshin një familje. Kriter për bashkim dhe veprim nuk ishte prejardhja, pasuria, superioriteti racor apo dallime të tjera, që në kulturat e vjetra si persiane, greke, romake dhe në fetë si judaizmi dhe kristianizmi paraqisnin vlerat më të larta, por kriter është përkushtimi dhe takvallëku i njeriut kundrejt Krijuesit. (El-Huxhurat, 13). Hixhreti i dha botës modelin e bashkëjetesës në ummet (Bashkësinë Muslimane), për besimtarët dhe popujt e ndryshëm. Njeriu e fitoi unin e tij të mirëfilltë, kurse femra nuk ishte më e dorës së dytë, por zonjë, mësuese dhe anëtari më i vlefshëm në familje. Ajo nuk shitej as nuk përdhosej, por respektohej sikurse edhe mashkulli. Shembulli i Hatixhes, Aishes dhe femrave të mëdha muslimane do të jenë shembull i përkryer edhe për shekullin XXI. Diversiteti fetar, kulturor dhe gjuhësor në Medinë trajtohej si pasuri dhe begati e jo mollë sherri për konflikte dhe mosmarrëveshje të vazhdueshme. Këshilla Lamtumirëse e Muhammedit a. s. është treguesi më i mirë i gjendjes parakur’anore dhe kërkesave kur’anore-sunnetike. A ka gjasa hixhreti të bëjë ndryshime dhe transformime te muslimanët, sot dhe tani, në kohën e apatisë dhe ngecjes, në kohën e përtacisë dhe neglizhencës, në kohën e mosmësimit dhe mosbesimit, në kohën e përçarjes dhe prishjes së raporteve brendamuslimane dhe me jashtë, në kohën e skizmave juridike dhe doktrinare? Hoxhët nëpër xhami thonë po, dhe për një çast janë në gjendje të numërojnë një varg reçetash e udhëzimesh. Ngjashëm pohon edhe shtypi islam, literatura e botuar, radio e tv stacionet e vendit e botërore. Por, reçetat e tyre nuk janë asgjë tjetër veçse edhe një pranim i pafuqisë për të bërë ndryshime, edhe një dështim se nuk jemi duke e kuptuar rolin dhe misionin e njeriut në këtë botë si halif i Allahut. Ata flasin pa e njohur realitetin, pa e njohur konstelacionin e ideve dhe praktikave aktuale botërore, pa studime dhe pa hulumtime. Ata vetëm përsërisin tekste dhe fraza kaherë bajate dhe madje neveritëse. Herë-herë elita fetare madje abuzon edhe me ajete dhe hadithe me mënyrën e tyre të interpretimit. Me të drejtë lexuesi do të thotë: a nuk ka rrugëdalje nga ky konfuzion dhe qorrsokak apo njerëzia duhet t’i dorëzohet fatit të rrjedhave globale? Po, sigurisht se ka rrugëdalje, por kjo rrugëdalje nuk gjendet me shkop magjik as me sistemin arsimor-edukativ amorf në botën muslimane dhe me përgatitjen e mjerueshme aktuale të kuadrit fetarë në botën muslimane. Ndaj, nëse muslimani, qoftë i brezit të vjetër apo të ri, që dëshiron të arrijë dinjitetin e plotë dhe mbijetimin në këtë kohë vërtetë të rëndë, duhet të përgjigjet në provokimet dhe sfidat e botës moderne. Për ta bërë këtë, duhet t’i mësojë dhe t’i njohë të gjitha përmasat e kësaj bote, jo me emocione, por me dije burimore për atë botë, duke u mbështetur në tërësinë e njohjes së traditës islame. Në frymë të kësaj ndërmarrjeje qëndron ruajtja e besimit në Allahun, në fuqinë e Tij, dijen e Tij, dashurinë e Tij, për ata që i nënshtrohen Atij, që i besojnë fjalës së Tij, të përcjellur te njerëzia nëpërmjet Muhammedit a.s.. Kur’ani dhe Hadithi, dy burimet parësore të doktrinës islame, ofrojnë udhëzim komplet për të gjithë muslimanët, atëherë, sot dhe deri në Ditën e fundit. Fjala e Allahut do të jetë përfundimtare për çdo popull dhe për çdo kohë. Zëri i të vërtetës është i fundit, sepse buron nga Allahu: “Erdhi e vërteta dhe u zhduk gënjeshtra.” (El-Isra`, 81). Por, aplikimi historik i këtyre të vërtetave nuk bëhet me mehdiun në kal të bardhë, apo me Isain duke e mbytur dexhallin, por me mehdiun që mëson veten dhe të tjerët, që vepron dhe që është i sjellshëm dhe jo me Isain duke ia kthyer edhe faqen tjetër goditësit, por me Isain që edukon, mëson dhe vepron aktivisht, kurse goditësit ia kapë dorën dhe ia kthen po aq fuqishëm sa edhe ai këtij, duke mos e tepruar, me Isain që mëson, edukon, lufton dhe aplikon Fjalën e Zotit në çudira por praktikisht. Festimi i hixhretit nuk nënkupton festimin e ditës, muajit dhe vitit, por nënkupton riaktualizimin e faktorëve që e nxitën gjithë atë kthesë në historinë e botës muslimane dhe të botës përgjithësisht, nënkupton freskimin e shpirtit, zemrës dhe mendjes, kthjelltësimin dhe ndriçimin e pikëpamjeve dhe forcimin e rradhëve para furtunave dhe rrebesheve të jetës. Allahu i madhëruar thotë: “O Zoti ynë, mos i lejo zemrat tona të largohen pasi që na ke udhëzuar dhe shpërblena me mëshirën tënde! Ti je me të vërtetë shpërblyes i madh.” (Ali Imran, 8). Literatura e konsultuar: 1. Bintu’sh-Shat, Mea’l-enbijai fi asri’l-meb’athi, Kairo, 1971. 2. Muhammed Hamidullah, Muhammed a.s., I-II, Sarajevë, 1983. 3. Muhammed H. Hejkel, Hajatu Muhammed, Kairo, 1977. 4. Muhammed Ikball, Ripërtëritja e mendimit fetar në islam, Shkup, 2006 (në botim). 5. Nerkez Smailagic, Leksikon islama, Sarajevë, 1990. 6. Pol Shmits, El-Islamu kuwwetu’l-gaddi’l-alemijjeh, Kairo, 1974. 7. Sabir Tuajmeh, El-Islamu we mushkiletu’s-sijaseh, Bejrut, 1974.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme