
Perandoria Osmane përkatësisht Turqia gjatë disa shekujve të fundit për evropianët paraqet obsesion shpirtëror dhe preokupim permanent diplomatiko-ushtarak, politiko-ekonomik e kulturoro-shkencor. Është e pamundur në një shkrim të këtij lloji të shtrohen të gjitha këto preokupime shkencore, politike, diplomatike, udhëpërshkruese e të fushave të ngjashme.[1]
Pamundësia konsiston nga fakti se një angazhim i tillë kërkon kohë për t’u hulumtuar tërë ajo lëndë arkivore dhe literaturë e botuar, kërkon mjete të mëdha materiale, përgatitje profesionale dhe punë shumëdimensionale ekipore, mundësisht institucionale. Megjithatë, më mirë pak se hiç.
Fillimisht Evropa kristiane për arsye të konfuzionit doktrinar, mosnjohjes së fesë islame dhe synimeve eksploatuese, islamin si religjionin rival më me dëshirë e emërtonte me terma etnikë.[2] Mirëpo, jo fort vonë, me nisiativë dhe me ndihmë të klerikëve kristianë, Perandorinë Osmane filluan ta atakojnë edhe me emra religjiozë, në të shumtën e rasteve me emra pezhorativë[3] duke u bindur se nuk është fjala vetëm për rival etnik, por edhe më tepër për rival fetar. Po ashtu, ata nuk u ndalën vetëm në studimin e islamit si faktor dhe rrezik doktrinar, por filluan t’i konvertojnë muslimanët në fenë e tyre të vërtetë.[4]
Mirëpo, nga fundi i shekullit XVI dhe fillimi i shekullit XVII qasja ndryshoi. Interesat religjioze evropiane, sidomos pas reformacionit, i thelluan studimet rreth islamit si doktrinë, sistem jete, ndoshta për shkak se evropianët më nuk frikësoheshin për rrezikimin e ekzistimit fizik nga islami.[5] Temat e përbashkëta të Ungjijve dhe të Kur’anit, sikur shumë të dërguar të Zotit, Krijimi i gjithësisë dhe vetë njeriut, Bota tjetër, aspiratat universaliste të të dy religjioneve i bërën ata që të krijojnë shkencë të veçantë për përgjigje aspiratave islame.
Kështu, kleriku dhe dijetari anglez Richard Knolles në vitin 1693, shkroi veprën e vëllimshme me rreth 600 fletë me titull “Generalle Historie of the Turkes”. Vepra është shkruar në gjuhën angleze kundër Turqisë dhe për përpjekjet evropiane që të ndalet përparimi i tyre. Ndonëse nuk e dinte osmanishten, kleriku anglez kishte lexuar për osmanlinjt në gjuhën latinishte, greqishte, frengjishte, italishte e madje edhe në gjermanishte.
Vepra e R. Knollesit karakterizohet me literaturë udhëpërshkruese, misionariste, diplomatike dhe shkencore. Si vepra në fjalë ashtu edhe burimet e shfrytëzuara nga Knollesi karakterizohen me dy tendenca:
- provokim kundrejt kristianizmit nga besimi rival musliman dhe;
- rreziku kundrejt Evropës me pushtimin dhe inkuadrimin e vendeve kristiane në “perandorinë e lavdishme turke”.[6]
Pushtimi i vendeve evropiane nga osmanlinjt solli edhe strukturë të re etnike dhe religjioze. Pushtimi solli edhe ndryshime tjera, sikur kategorinë e konvertorëve (ata që pranuan islamin për fe të ardhshme të tyre). Konvertorët ishin disa lloje:
- Në vendet evropiane të pushtuara nga turqit kishte konvertorë të atillë – befasisht në numër të vogël – që për arsyera të ndryshme kishin kaluar në fenë e re, islame;
- Kishte konvertorë që kishin ardhur nga Evropa në Perandorinë Osmane që të kërkojnë lumturi të re, për të pranuar më vonë fenë islame, ndoshta për qëllime karrieriste politike, ushtarake, ekonomike;
- Kishte konvertorë që fenë islame e pranuan pikërisht nga bindja religjioze, e numri i të tillëve gjatë historisë do të jetë më i madhi. Këtë fakt na dëshmon historia.[7]
Mirëpo, ky numër konvertorësh nuk paraqiste ndonjë problem më të madh për Evropën. Këtë e vërejmë edhe nga pohimi i Luterit, i cili rrezikun nga Turqia e shihte më tepër në aspektin ushtarako-politik e më pak nga aspekti religjioz. Ai Perandorinë Osmane e kishte ranguar në rrezikun për luterizmin e tij dhe e klasifikonte së bashku me papën:
“Papa dhe Turqit së bashku. Egërsira (bisha) plotë jetë duhet të ketë trup dhe shpirt. Fryma ose Shpirti i Antikrishtit është Papa, mishi dhe trupi i tij janë Turqit.”[8]
Kalimi i ushtrisë Osmane në qendër të Evropës ka tmerruar Evropën. Kalimi i turqëve në ngushticën e Galipojës, fitorja e thellë në Betejën e Kosovës më 1389, fitorja e muslimanëve kundrejt aleancës kryqtare në Nikopolis më 1396, pushtimi i Selanikut më 1430, pushtimi i Varnes më 1444, lufta në Kosovë më 1448 deri në pushtimin e Konstantinopolit më 1453 ishin kanosje e drejtpërdrejtë për Evropën. Italia qe rrezikuar nga osmanlinjt nga veriu në Venedikë dhe nga jugu në Sicili.[9] Në këtë periudhë Evropën e shpëtoi, është mendim i përgjithshëm, vdekja e sulltan fatihut, Mehmetit II dhe përçarja e trashëgimtarëve të tij rreth ndarjes së pushtetit.[10]
Ngritja e Perandorisë Osmane dhe zgjerimi i saj në një hapësirë gjeografike shumë të madhe nuk ishte vetëm rrezik ushtarak, por edhe rrezik ekonomik. Në Perandorinë Osmane tregtia dhe toleranca fetare muslimane ndaj feve qiellore (judaizmit dhe kristianizmit) mundësonin këmbimin e mallrave dhe vlerave të ndryshme, por edhe të robërve që ishin zënë gjatë luftërave apo që ishin blerë nga disa shtete kristiane apo nga tregtarë robërish. Kjo e shtyri papën Klementin VII në vitin 1527 të sjellë bulën, në të cilën përjashton dhe anatemon “të gjithë që (u dorëzojnë) Saracenëve, Turqve dhe armiqëve të tjerë të emrit kristian kuaj, armë, hekur, tel, plumb, bakër, tuç, sumpor, shalitvu dhe çdo gjë të përshtatshme për bërjen e artilerisë dhe intrumenteve, armëve dhe pjesëve përcjellëse për sulm, me çka ata luftojnë kundër kristianëve…”.[11]
Burimet kryesore të informatave për turqit janë robërit e ikur apo të liruar nga Perandoria Osmane, por edhe refugjatët e ikur nga trojet e pushtuara nga Osmanlinjt.
Shekulli XVI shënon një ndryshim, sepse karakterizohet me një lëvizje të evropianëve drejt Turqisë. Evropianët për shkak të politikës dhe fleksibilitetit religjioz dhe politik dhe zhvillimit të hovshëm kulturor, shkencor dhe aspekteve tjera në Perandorinë Osmane lehtë hynin në Turqi, për dallim prej politikës së mbyllur, egosite evropiane dhe pengesave të shumta, ku qytetarët muslimanë nuk mund të hynin në vendet evropiane. Nga vizitorët evropianë në Perandorinë Osmane kishte pelegrinë, pastaj tregtarë fillimisht nga Italia, Venediku dhe Gjenova, më vonë edhe nga Franca, Holanda, Anglia etj. Disa nga këta udhëtarë përshtypjet e tyre i kanë shkruar në libra e letra, duke kontribuar kështu në botëkuptimin religjioz dhe politik evropian për Turqit.[12]
Shekulli XVI e pas karakterizohet edhe me tregtinë e diplomatëve dhe vizitorëve të tjerë, të cilët shkruan raporte të gjera e edhe libra të vëllimshëm për Turqinë. Kjo kategori ndërmjetësuesish kishte përparësi në raport me kategoritë tjera sepse më gjatë qëndronte në mesin muslimanë dhe kishte mundësi për kontakte më të ngjeshura me banorët lokalë muslimanë dhe jomuslimanë. Për këtë qëllim me rëndësi janë letrat e Ogier Ghiselin Busbecqu-t, flandrian, i cili ishte ambasador i Mbretërisë Romake në Stamboll nga viti 1554 deri në vitin 1562. Kemi edhe raporte të misionarëve tjerë me vlerë të madhe për rrethanat në Perandorinë Osmane.
Robërit, refugjatët, pelegrinët, tregtarët dhe diplomatët esencialisht kanë ndikuar në krijimin e një botëkuptimi të plotë rreth Turqisë. Kontribut kanë dhënë edhe të dhënat e udhëtarëve të ndryshëm, të ushtarëve që kishin luftuar kundër muslimanëve, të spiunëve evropianë që kryenin detyra për shtetin apo për individë me ndikim në shtet dhe të aventurierëve tjerë.
Nuk duhet harruar edhe një kategori të vizitorëve, e ata janë mjekët. Periudha pas shekullit XVI në aspekt të mjekësisë ishte në favor të evropianëve, kështu që rritej nevoja për mjekët evropianë. Ata depërtonin edhe atje ku vështirë mund të depërtonin të tjerët, nëpër shtëpi, në ambientet më intime. Kjo kategori ka ofruar të dhëna me vlerë të madhe, por për arsye se numri i tyre ishte i kufizuar dhe ishin të ngarkuar me paragjykime ndaj muslimanëve, njoftimet e tyre duhet pritur me rezervë.
Kategoria tjetër me rëndësi ishte grupi i artistëve, të cilët me kërkesë të ndonjë personaliteti musliman apo me vetiniciativë kishin vizituar Turqinë dhe andej-këndej kishin portretuar personalitete dhe gjësende tjera me rëndësi. Herë-herë këta artistë ishin në përcjellje të pelegrinëve autoritativë, duke hartuar ciceronin e ilustruar për Vendet e shenjta, duke dhënë shumë informata për personalitete, veshjen, ushqimin dhe vendbanimet.
Kategoria vijuese është ajo e artistëve të tjerë, të cilët nuk e kishin vizituar Turqinë, por nga frymëzimet tjera dhe nga imagjinata ilustronin e portretonin luftëtarë turqë, motive nga luftërat, nga jeta, mënyra e banimit, veshjes, ushqimit dhe momente tjera nga jeta e muslimanëve.[13]
Mund të përfundohet se burimet e informacionit evropianë për Turqinë janë të ndryshme: popuj të ndryshëm, katolikë dhe protestantë, tregtarë dhe misionarë, ushtarë dhe diplomatë, secili kishte pikëpamje tjetërfare, si rezultat i përvojave dhe intereseve tjetërfare.[14]
Temat që dominonin në informacionet e perëndimorëve janë nga më të ndryshmet. Në aspekt në kulinarisë perëndimorët theksojnë pimjen e kafesë, e cila nga të gjitha shtresat pihet madje edhe në vendet publike. Mirëpo, derisa te muslimanët dominon pimja e kafesë, në anën tjetër ndalohej pimja e alkoholit. Një baritor islandez, i cili shkonte në Algjeri si rob lufte vrojton se në anijen muslimane kishte raki brendi, të cilin ekuipazhi i anijes ua jepnin robërve jomuslimanë, por jo edhe muslimanëve. Për vete ata përdornin ujë. Ky ishte vrojtim edhe i vizitorëve të tjerë. Si ilustrim do të cekim një poezi mbi pijen e alkoholit të autorit anglez të dramës William Congreve, i cili në vitin 1700 shkroi:
Pimja e alkoholit është çoroditje kristiane
E panjohur për Turqit dhe Persianët
Lerëni budallenjt mahometanë
Të jetojnë sipas rregullave pagane
Të mallkuarit le të bezdisen me gotën e çajit dhe të kafesë
Le të këndojnë zonjat britanike
Le të ngrejmë dolli për mbretin tonë
Kurse “kaqën” lerejani sulltanit dhe sufisë tuaj.
(The Way of the World, pjesa IV, pamja 1)[15]
Tema tjetër në shkrimet e cilit do lloj është frika nga turku si i paftuar në Evropë dhe si rrezik për kristianizmin. Edhe Othello e Shekspirit kur fletë “turkun e ligë në turban” manifeston idenë e përhapur në Evropë për islamin dhe muslimanët.[16]
Mirëpo, kishte edhe të atillë, sikur udhëpërshkruesi françez Jean Thevenoti, i cili e vizitoi Turqinë në vitin 1652, dhe vrojtoi se turqit nuk janë djajë të mëdhenj, barbarë dhe njerëz të pafe. Përkundrazi, nëse bisedon me ta, pohon ai, do të bindesh se ata janë njerëz të mirë që ndjekin shumë mirë urdhërat që na jep vetë natyra jonë, e ajo është që të tjerëve t’u bëjmë atë që dëshirojmë të na bëhet edhe neve.[17]
Temë tjetër me rëndësi te Turqit përmendet mikpritja, nderi, kthjelltësia dhe toleranca.
Ndërsa ndër temat e liga theksohen: despotizmi dhe epshet e shfrenuara.
Pse ndodhi kështu? Nëse i hedhet një shikim psihës turke, këto dy ligësi nuk janë më të shprehura se në cilin do vend evriopian. Atëherë ku është shkaku? A mos është në faktin, se shumë herë evropianët ligësitë vetjake i kanë projektuar në popujt dhe kulturat tjera.
Ne do të shohim se sulltani, ndonëse në shikim të parë me të drejta të pakufizuara, ai i nënshtrohet ligjit islam sikur edhe çdo qytetarë tjetër. Njohësi i mirë i sistemeve të qeverisjes evropiane, Nikolla Makiaveli, monarkinë e Turqisë e shihte më funksionale se sistemet qeverisësve evropiane. Si shembull mori Turqinë dhe Francën:
“Shembujt e këtyre dy lloj sundimeve të ndryshme, në kohët tona janë Turqia dhe Franca. Tërë monarkinë e Turqisë e sundon një sundues, të tjerët janë të nënshtruarit e tij; ai e ndan shtetin në sanxhakë dhe atje dërgon qeveritarë të cilët i transferon e i ndërron sipas dëshirës së vet. Por mbreti francez gjendet midis një morie zotërinjsh, të cilët kaherë njihen në ato pozita nga shtetasit e tyre dhe gëzojnë respekt: kanë privilegje të trashëguara, të cilat mbreti nuk mund t’ua marrë pa e sjell veten në rrezik.”[18]
Vrojtimet e ambasadorit françez në Stamboll Choiseul-Gouffier, në tentimin e tij për ta bindur sulltanin në reforma ishin:
“Gjerat këtu nuk janë sikur në Francë, ku mbreti është zotëri i vërtetë; këtu duhet bindur ulemanë, juristët, ata që kryejnë detyra të larta dhe ata që më nuk kryejnë detyra të larta.” [19]
Sa janë të qëndrueshme këto pohime dhe prej kur datojnë pohimet mbi seksualitetin dhe senzualitetin e shfrenuar muslimanë. Do të thoshim se pohimet janë të vjetra dhe reflektojnë natyrën evropiane të senzualitetit. Poligamia parimisht e lejuar në islam nuk ofron pasqyrë për perversion dhe shfreni ndër muslimanët. Këtë e kanë pohuar edhe kundërshtarët e rreptë të Islamit, sikur D. Kalajiq:
“Poligamia islame është pakrahasueshëm institucion më civilizues, që zë fill në parime të dashurisë dhe paraqet mbrojtje të sigurt nga anarkia dhe promiskuiteti seksual …”.[20]
Kurse shkrimtari i madh françez, Stendali pohon:
“Nën tendën e zezë të arabit beduin duhet kërkuar shembullin dhe atdheun e dashurisë së mirëfilltë … Shihet se ne kemi qenë barbarë në raport me Orientin kur kemi shkuar që këtë dashuri ta çrregullojmë me lufttërat tona kryqtare.”[21]
Shekulli XVIII shkon drejt vetërishqyrtimit. Kjo frymë vazhdon edhe më tej, për të ndryshuar konceptet edhe më tej. Muslimani më nuk paraqet rrezik për Evropën, as rrezik për fenë e tyre. Mirëpo, kriza shpirtëroro-morale e Evropës nxitë evropianët që të prodhojnë armiqë e rreziqe ndër të tjerët, e sidomos ndër muslimanët për t’i arsyetuar luftërat shpirtërore dhe fizike me qëllime eksploatimi politiko-ekonomik kundër muslimanëve.[22]
Perspektiva s’është e qartë: disa parashohin përplasje civilizimesh, disa paqë (ndjellakeqe) e disa zhdukje (luftë kryqtare, G. Bush) për të gjithë që nuk janë me ata, për të demonstruar moralin dhe filozofinë e qytetërimit të tyre, të cilin para disa deceniesh O. Spengler e ka përkufizuar si “Shkatërrimi i Perëndimit”.[23] Luftërat gjatë disa dekadave të fundit në Palestinë, Kosovë, Bosnje, Filipinë, Indonezi, Çeçeni, Afganistan, Irak, Algjeri, … janë treguesi më i mirë se gjeneza pagano-judiaste-kristiane e Evropës qëndron si shpata e Demokleut mbi kokën e muslimanëve.
A paraqet integrimi aq i përfolur i Ballkanit jugor në Evropë, pastaj lufta kundër terrorizmit global ‘dritare’ drejt proceseve integruese dhe të paqës botërore, mbetet të shihet.
[1] Në disa vepra dhe shkrime tjera më herët kemi shkruar për aspekte të kësaj teme, mirëpo ky angazhim paraqet megjithatë një punë modeste në krahasim me atë çka duhet bërë. Shih: Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, Shkup, 1998 dhe disa botime tjera. Po ashtu shih: www.zeriislam.com; Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar (sh. IX-XIV), Shkup, 2003: Islami kërcënues i botës – shpifje apo realitet, në përgatitje për botim etj.
[2] Në letrat shqipe si shembull do ta përmendim Pjetër Bogdanin, Çeta e profetëve, I, Prishtinë, 1990, fq. 229 e gjatë gjithë librit.
Edhe papa Pali III (Aleksandër Farneze, 1468-1549), i inauguruar prej vitit 1534, i specializuar në luftë kundër protestantëve ishte i njohur me thënien kundër kalvinistëve, në të cilën jep mendimin edhe për muslimanët: “Kalvinistët paraqesin rrezik më të madh se Turqit”. Sipas: Andrija Gams, Biblija i drustvo, Novi Sad, 1979, fq. 349.
[3] Edhe në këtë rast si shembull do ta marrim Pjetër Bogdanin, pa dyshim ndër urrejtësit më të mëdhenj të muslimanëve dhe shqiptarëve muslimanë, i cili islamin e quan “pafeja orientale” (infedelta orientale) dhe shumë emra tjerë. Shih: Pjetër Bogdani, op. cit., fq. 64 latinisht dhe 54 shqip.
[4] Shih: Edward Said, Orijentalizam, Sarajevë, 1999.
[5] Ushtritë muslimane në Spanjë tashmë kishin humbur tërësisht. Ushtria Osmane nga dështimi i pushtimit të Vjenës më 1683 filloi të stagnojë. Edhe në pjesët tjera ushtritë muslimane nuk kishin elanin e dikurshëm. Në anën tjetër, evropianët filluan kolonializmit e tyre, pushtimin e tregjeve por edhe të vendeve të tjera. Vendet muslimane ishin më të goditura. Shih: Filip Hiti, Istorija Arapa od najstarijih vremena do danas, botimi II fototip, Sarajevë, 1988, fq. 447-554.
[6] Gjerësisht lexo: Bernard Lewis, Otomanska opsesija, Novi Muallim – casopis za odgoj i obrazovanje, nr. 9/2002, Sarajevë, fq. 28.
Nga ky shkrim kemi huazuar edhe disa të dhëna, që për shkak të numrit nuk do t’i shënojmë të gjitha.
[7] Thomas W. Arnold, The Preaching of Islam, Third Reprint, Lahore, Pakistan, May 1968 (sipas botimit të vitit 1913), fq. 133-146 dhe 147-207.
[8] Sipas: B. Lewis, op. cit., fq. 27.
[9] F. Hiti, op. cit., fq. 543-553.
[10] Franc Babinger, Mehmeti Pushtuesi dhe koha e tij, Prishtinë, 1989. Krhs.: Halil Inalxhik, Perandoria Osmane, Gjilan, 2001.
[11] B. Lewis, op. cit., fq. 28.
[12] Thomas W. Arnold, op. cit., fq. 133-146.
[13] Shih: Sejjid Muhammed Dikën, Studime mbi historinë e shtetit osman, Shkup,1413/1994, fq. 92 etj. Po ashtu: Taha Mudevver, Andaluzia dhe Perandoria Osmane, Shkup, 1415/1995, fq. 61-96.
[14] Shih: Hisam Dzait, Evropa i islam, botimi II i plotësuar, Sarajevë, 1989, fq. 22-26.
[15] B. Lewis, op. cit., fq. 32.
[16] Ibid., fq. 32.
[17] Ibid., fq. 32.
[18] Nikolla Makiaveli, Sundimtari, Prishtinë, 1977, fq. 35-36.
[19] B. Lewis, op. cit., fq. 32.
[20] Dragos Kalajic, Islamski ustanak protiv modernog svijeta, Argumenti, 2/1982, Rijekë, fq. 64-65.
[21] Stendali, Mbi dashurinë, kaptina LIII, sipas: Roze Garodi, Zivi Islam, Sarajevë, 1990, fq. 135.
Mbi historikun e seksit në islam shih studimin jo gjithherë korrekt të Rej Tanahil, Covek i seks, Beograd, 1981, fq. 218-241.
Mbi aspektet e brendshme të seksit në Islam shih studimin tejet interesant dhe frymëzues të Abd Al-Wahab Bouhdiba, Seksualiteti në Islam,Gjilan, 2001.
[22] Shih: Hisam Dzait, op. cit., fq. 22-26; Fikret Karcic, Muslimani Balkana – Istocno pitanje u XX vijeku, Tuzla, 2001.
[23] Osvald Spengler, Propast Zapada, I-IV, botimi II, Beograd, 1990.