Ngritja e lartë kulturore rezultoi edhe me themelimin e Universitetit të Vjetër të Aleksandrisë, që ndikoi në krijimin e një kulture të lartë të diturisë. Ky institucion në përbërjen e vet kishte edhe bibliotekën me qindra e mijëra vëllime, pastaj muzeumin, laboratorë të ndryshëm shkencorë, kopshtin zoologjik dhe kopshtin botanik. Në këtë qytet vinin urtakët dhe mendimtarët nga tërë bota antike që t’i mësojnë tekstet e vjetra nga papirusët. Ata i përshkruanin në qetësi këto dorëshkrime, shkruanin libra dhe këto përshkrime i merrnin me vete. Në këtë kohë lindi edhe Septuaginta, përkthimi më i rëndësishëm i Besëlidhjes së vjetër, sipas së cilës këtë përkthim e bërën 72 përkthyes. Aleksandria ishte qendër e diturisë dhe kulturës, ndërmjetësues dhe urëlidhëse ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit dhe pas Romës ishte qyteti më i madh i periudhës parakristiane dhe kristiane të hershme.[1]
Kështu, Aleksandria mori në dorë vravashkën e rilindjes kulturore dhe shkencore dhe mbeti qendër e diturisë disa shekuj me radhë. Në Universitetin e Aleksandrisë sidomos u dalluan disa emra: Ptolomeu, Arkimedi, Galeni, Dioskoridsi, Oribasiosi, Berklisi, Theoni etj.[2]
Biblioteka e Aleksandrisë, fatkeqësisht, disa herë u dogj e u shkatërrua. Mirëpo, edhe pse për dijen e mirëfilltë është e njohur se kush është autori i këtyre veprave piromane e neveritëse, në mjetet e informimit publik të shkruar dhe elektronik, në publikime të ndryshme të shkollave fillore, të mesme, universitare, literaturë të lirë, këtë akt barbar shpeshherë ua ngjesin muslimanëve, si në literaturën botërore ashtu edhe në tokat shqiptare.[3] Herë-herë ky paragjykim është rezultat i diletantizmit intelektual e shkencor, e herë-herë është rezultat i servilizmit të intelektualëve para punëdhënësve apo është rezultat i islamofobisë që ndiejnë intelektualë të caktuar. Këtë qëndrim joparimor dhe antishkencor e shohim vetëm si një ekzemplar në raportet evroprendimore kristiane – islame, në tërësinë e quajtur “islami dhe muslimanët si trup i huaj në tërësinë botërore”.
Kjo është arsyeja që më shtyri të bëj këtë hyrje diç më të gjatë se rëndom në shkrimet e këtij lloji, pasi që kjo bibliotekë është temë kyç e këtij shkrimi.
Gjeneza e para/gjykimit se Bibliotekën e Aleksandrisë e shkatërruan dhe e dogjën muslimanët!
Ky mendim zë fill në gjoja letrën e Amr ibn Asit, guvernator i Egjiptit, drejtuar Umer ibn el-Hattabit (vdiq 23 h./644), halifit të dytë musliman, se ç’të bënte me Bibliotekën mbretërore të Aleksandrisë? Në këtë pyetje, kinse Umeri ishte përgjigjur: “Nëse shkresat greke pajtohen me Kur’anin, atëherë janë të padobishme, të tepërta dhe nuk duhet lexuar ato, e nëse janë në kundërshtim me thelbin e Tekstit të Shenjtë (Kur’anin, NI.), ato janë të rrezikshme dhe duhet të zhduken”.[4]
Tash shtrohet pyetja:
Kush e lansoi këtë njoftim ndjellakeq?
Si përgjigje në këtë pyetje mund t’i vëmë në pah tri versione:
1) Sipas njërit prej orientalistëve më të spikatur kristian të shekullit 20, libanezit Filip Hiti (Philip Hitti), këtë gënjeshtër i pari e lansoi Abdul-latif El-Bagdadi (vdiq më 629 hixhrij/ 1231 gr.).[5]
2) Hasan Ejjubi pohon se Ibn El-Kaftij (646 h./1248 gr.) është burimi vijues që i shërbeu përhapjes së gënjeshtrës se Amr ibn Assi e dogji Bibliotekën e Aleksandrisë.[6]
3) Sipas versionit tjetër, të cilin e vuri në spikamë Eduard Gibboni (1737 - 1794), fajin për djegien e kësaj biblioteke Umerit ia ngjiti hebreu i pagëzuar, Abdulferexh El-Malatij (1226 - 1286).[7]
Së këndejmi nënkuptohet se një shpifje e këtillë buron nga propaganda kristiane mesjetare. Për këtë kujtojmë thënien e Papës Nikolla I (858-867) Respanse Nicolai I Papae ad konsulata Bulgarorum, kreu CIII, e cila thuajse është përshkrim i asaj thënies që i përshkruhet Umerit r.a., nga e cila është marrë, duke ndërruar rolet dhe emrat. Për krahasim do ta citojmë këtë thënie të papës:
Thënia (kinse) e Umerit
“Nëse shkresat greke pajtohen me Kur’anin, atëherë janë të padobishme, të tepërta dhe nuk duhet lexuar ato, e nëse janë në kundërshtim me thelbin e Tekstit të Shenjtë (Kur’anin, NI), ato janë të rrezikshme dhe duhet të zhduken”.
Thënia e papës:
“Ju pyetni se ç’duhet bërë me librat heretikë të cilët, pohoni, gjenden tek ju kurse i keni marrë nga saracenët. Ato, natyrisht, nuk duhet ruajtur sepse sikur që është shkruar (në Enciklikën mbi Korinasit), kuvendimet e këqija prishin moralin e shëndoshë, e për këtë si të dëmshme dhe heretike dorëzojani zjarrit.” [8]
Së fundi, të dhënat ekzistuese flasin se Abdul-latif El-Bagdadi dhe Abdulferexhi kanë qenë bashkëkohës dhe se kanë jetuar rreth gjashtë shekuj pas depërtimit të muslimanëve në Egjipt, përkatësisht në Aleksandri. Del se akuza e tyre është e vetmuar dhe pa kurrfarë mbështetje burimore.
Të dhënat burimore kulturo-historike si përgjigje në këtë akuzë
Mendimet dhe dëshmitë e intelektualëve kulturorë eminentë, ofrojnë një pasqyrë më objektive për shkaktarët e shkatërrimit të Bibliotekës së Aleksandrisë.
Të dhënat historiografike flasin se edhe sikur data e djegies së Bibliotekës së Aleksandrisë të ishte përputhur me datën e ekspansionit musliman në Egjipt gjatë hilafetit të Umerit, ai këtë vandalizëm nuk do ta kishte bërë kurrë, ngase dihet se ka qenë ithtar i parimit të njohur islam: “Urtësia është gjë e humbur e besimtarit - ku ta gjejë le ta marrë,” (hadith). Ose: “Diturinë kërkoje qoftë edhe në Kinën (e largët e pagane),” (hadith), pra edhe në Egjiptin pagan. Këto virtyte të mira të tij na i dëshmon edhe fakti se filozofia dhe dituritë e tjera greke erdhën në Evropë kryesisht nëpërmjet muslimanëve.[9]
Madje mund të konstatohet se mbarë familja e Umerit është shquar për nga arsimimi edhe në periudhën e xhahilijetit, e të mos flasim për periudhën e mëvonshme islame.[10]
Halifi Umer ishte i njohur për ndërrimet radikale e liberale në çdo sferë të jetës. Në kohën kur kundërthëniet ndërfetare, ndërnacionale e veçmas ndërfisnore në Arabinë e atëhershme ishin të acaruara, Beladhuri Ensabi shënoi një të dhënë për jetën e Umerit: “Një ditë ai i shkroi një letër guvernatorit të tij në Siri: “Na dërgo një grek i cili mund t’i rregullojë llogaritë e të ardhurave.” Dhe kështu një i krishterë u vendos në krye të asaj administrate në Medine.”[11]
Madje Umeri, përveç sjelljes së kuadrit administrativ e financiar nga jashtë, dërgoi në Greqi, Persi, Egjipt e gjetkë shumë individë që dituritë e fituara t’i rishqyrtojnë, plotësojnë dhe jetësojnë në rrethanat dhe njerëzit tjerë me specificitetet muslimane.[12]
Fakte dhe fatkeqësi – fanatizmi fetar kristian
Është fakt se në Aleksandri gjendej biblioteka më e madhe e kohës së vjetër e themeluar nga Ptolemy Soter.[13] Siç dihet, qysh në kohën e ngritjes së saj nga Demetrius Phalercus kishte 50.000 kokorrathë, ndërsa gjatë kohës së Zenedotusit, Aristarehusit të Bizantit, Apollonius Rhodiusit e të tjerëve kishte rreth 400.000 deri 700.000 kokorrathë (rule). Pjesa më e madhe e titujve ishin vepra letrare të Romës, Greqisë, Indisë dhe Egjiptit. Në të kanë punuar njerëzit më të ditur të kohës, kurse katalogun e kësaj biblioteke e kishte punuar Kalimahu. Gjatë rrethimit të Aleksandrisë nga Jul Qesari në vitin 48 ose 47 p.e.r., pjesa më e madhe e kësaj biblioteke u shkatërrua nga zjarri.[14]
Pjesa tjetër e bibliotekës që shpëtoi ishte në Serapion, faltorja e Jupiter Serapios, e cila qëndroi deri në kohën e Theodosiut të Madh (379-395).[15] Më 391 Theodosiu urdhëroi që të gjitha faltoret pagane në Perandorinë Romake të shkatërrohen. Fatkeqësisht, në këtë fushatë barbare kristiane nuk shpëtoi as faltorja madhështore e Jupiter Serapios. Në të vërtetë, një turmë fanatikësh të krishterë të udhëhequr nga kryepeshkopi Theophilos, rrënuan çdo gjë me vlerë në këtë bibliotekë.[16] Të gjitha këto djegie e barbarizma kristiane kanë ndodhur para se të paraqiten Islami, Umeri, Amr ibn El-Asi e të tjerët në skenën islame historike.
Historia flet: Muslimanët nuk e dogjën bibliotekën
Historiani anglez Edward Gibboni, në veprën e tij Rënia dhe shkatërrimi i Perandorisë Romake, për këtë shkatërrim të Bibliotekës së Aleksandrisë flet në dy vende:
Në kreun XXIII pohon se Bibliotekën e Aleksandrisë e ka shkatërruar kryepeshkopi i Aleksandrisë, Theophilo[17], kurse në kreun LI, duke folur për gjoja letrën e Amrit dhe përgjigjen e Umerit, E. Gibboni pohon: “Sa më përket mua, dua t’i përgënjeshtroj si faktin ashtu edhe pasojat të cilat i përshkruhen (Amrit). Vetë fakti është vërtet i çuditshëm. Raporti i vetmuar i një të huaji (Ebulferexhit, N.I.) i cili... ka shkruar gjashtëqind vjet pas këtij rasti, është neutralizuar me heshtjen e dy historianëve të datës më të hershme, të dytë kristianë dhe egjiptianë të lindur, prej të cilëve më i moshuari, patriarku Eutihijusi, hollësisht e ka përshkruar pushtimin e Aleksandrisë. Vendimi i rreptë i Umerit, përveç kësaj, e kundërshton domethënien literare dhe frymën e kazuistëve muslimanë: ata shprehimisht konfirmojnë se kurrë nuk duhet djegur librat religjiozë të hebrenjve dhe kristianëve, të cilët bien në duart e muslimanëve si pre lufte, dhe se munden ligjërisht të përdoren në dobi të muslimanëve veprat profane të historianëve dhe të poetëve, mjekëve dhe të filozofëve.”[18]
Kimisti dhe historiani anglez me famë botërore John William Draperi (1811-1882), në veprën Historia e zhvillimit ideor të Evropës shkroi se gjatë sundimit të Theodosiut të Madh, perandorit romak, “janë rrënuar së bashku edhe religjioni pagan edhe shkenca pagane. Në atë kohë (391 e. r.) në karrigen arkipeshkvore në Aleksandri ka qenë njëfarë Theophilo, njeri brutal dhe i keq, të cilit këtë punë ia besoi mbreti. Theophilo e ka filluar këtë punë me plaçkitjen dhe shkatërrimin e bibliotekave, e kur erdhi radha në faltoren pagane Serapion, e cila çdoherë ka qenë halë në sytë e tij, prudenca e shenjtë e Theophilos nuk u qetësua derisa godina nuk u rrënua deri në themel. Ari dhe argjendi i cili gjendej në faltore me kujdes është mbledhur, objektet më të vogla janë thyer ose janë hedhur në zjarr. Vetë ndërtesa në të cilën ka qenë biblioteka mbase nuk qe rrënuar, sepse njëzet vjet më vonë Orozie (autor kishtar nga Hispania, autori i pasqyrës së Historisë së përgjithshme prej fillimit të botës deri më 417), qartë pohon se i ka parë raftet dhe sirtarët e zbrazët.”[19]
Në artikullin Prej Gnomonit deri te dylbini i Galileut, prof. B. M. Shevarliq do të shkruajë: “Kur Krishterizmi u bë religjion zyrtar në Perandorinë Romake, nën të cilën ra edhe Aleksandria, u pamundësua puna e shkencëtarëve të vjetër paganë dhe u shpërnda Muzeumi e biblioteka e tij u dogj (...). Populli i ri arab në fushatën e tij ekspansioniste nëpër Afrikën Veriore, e pushtoi edhe Aleksandrinë në vitin 642. Të etshëm për dituri, arabët mësuan atë që Aleksandri mundohej e pastaj i tubuan shkrimet e harruara të vjetra greke dhe u hodhën në përkthimin e tyre në gjuhën arabe.”[20]
Njëri prej bashkëkohësve të shkatërrimit të Bibliotekës së Aleksandrisë është edhe historiani Osoriusi, i cili e vizitoi Aleksandrinë pas shkatërrimit të faltores Serapion nga kristianët. Ai rrëfeu se i kishte parë raftet krejtësisht të thata.[21]
Me Bibliotekën e Aleksandrisë u mor edhe dr. Milutin Milankoviq (1879 - 1958), profesor i mekanikës qiellore dhe fizikës teorike në Universitetin e Beogradit. Në librin e tij Nëpër gjithësi dhe shekuj, midis tjerash shkroi:
“Historikisht është dëshmuar se Biblioteka e madhe e Muzeumit të Aleksandrisë është djegur gjatë kohës së luftërave qytetare të Jul Qesarit. Fatkeqësisht, për këtë dëshmitar i sigurt është vetë Qesari. Biblioteka tjetër e madhe, ajo e cila është e vendosur në Serapion, është plaçkitur dhe rrënuar nga të krishterët... Për një bibliotekë të tretë askund nuk është bërë fjalë. Asnjë nga dëshmitarët të cilët kanë lënë gjurmë të shkruara për pushtimin e Aleksandrisë nga arabët, nuk përmend me asnjë fjalë rrënimin e ndonjë biblioteke. Legjenda e cila fatkeqësisht ka hyrë në të gjithë librat e shkollës së mesme, është krijuar gjashtë shekuj pas pushtimit të Aleksandrisë; autor i saj është peshkopi i krishterë Abu-i-feragius Bar Hebrens (Ebulferexhi, N. I.), që do të thotë, i biri i Hebreut. Atij konvertiti të fesë nuk duhet besuar. Por, sikur rrëfimi i tij të ishte i sigurt, as atëherë ne të krishterët nuk do të guxonim t’i gjykojmë arabët, sepse ata në rastin e atillë do ta bënin atë që të krishterët e kanë bërë me siguri dy shekuj e gjysmë para tyre.” [22]
Korrespondenti i gazetës sarajevase Oslobogjenje, Dejan Gjorgjeviq, lidhur me Bibliotekën e Aleksandrisë, me titullin Lufta, shkruan: “Është fakt, ndërkaq, se Bibliotekën e dogjën Romakët qysh në shekullin e parë të erës së re, por Kisha katolike me çdo forcë është orvatur që barbaria për një nga çuditë e botës antike t’i përshkruhet ‘arabëve’ të egër.” [23]
Edhe një tjetër jomusliman, Dragi Nedeljkoviq mbron muslimanët nga akuzat duke shkruar:
“Dhe deri sa luftëtarët fanatikë të Muhamedit e pushtonin botën, pas tyre në hapë, shkuan njerëzit, të qertë, të mençur, të ditur. Ata me kujdes tubuan dokumentet e vjetra përgjatë Lindjes së pushtuar. Nëse ato dokumente duhej paguar nuk kursenin para. Ari rrjedhte si përronjë.
Në qetësinë e oazave shkretinore e zbërthyen një nga një nga ato të vërteta nga dokumentet e vjetra.Matematika, astronomia, gjeografia, kimia dhe medicina e tyre arritën shkallë të cilin Evropa barbare prej kohës antike deri atëherë as nuk ka mund ta imagjinojë.
Kështu deri sa Evropa ‘kristiane’ shkallmohej në luftëra dhe gjakderdhje absurde për dhe kiundër pushtetit papnor, në rërishten shkretinore doli një kulturë e cila diturinë e vet e bazon në dokumentet e vjetra me kujdes të studiuara të tubuara përgjatë tërë perandorisë. Që është edhe më interesante, ata sikur dinin se ku gjenden ato dokumente dhe pagabueshëm drejtoheshin aty ku mund t’i gjenin.
Dhe i gjetën.”[24]
Sipas mendimtarit musliman dr. Abdulhalim Muntasirit, Bibliotekën e Ptolomeut në Aleksandri e dogji Jul Qesari, me rastin e ikjes së tij nga Aleksandria, ose këtë vepër e bëri masa vendëse që ta detyronte Qesarin në ikje. Më vonë, me qëllim të sanimit të gjendjes në Bibliotekën e Aleksandrisë, sundimtari romak Marko Antonio i dhuroi Kleopatrës, sundueses së Egjiptit, 200.000 vëllime nga biblioteka Pergana e Azisë së Vogël. Pas kësaj, kjo bibliotekë do të pësojë në zjarr edhe disa herë dhe do të shkatërrohet tërësisht. Për shkak të konflikteve ndërmjet të krishterëve dhe politeistëve, shkencëtarët eminentë do të detyrohen në emigrim, për të dytën herë, ku pas një prehjeje të shkurtër në Lindje, u nisën në drejtim të qendrave islame: në Bagdad, pastaj në Basrë, Kufë, Buharë, Damask etj.[25]
Përfundim
Duke përfunduar mund të pohojmë se muslimanët me depërtimin e tyre në Afrikë, përkatësisht në Aleksandri në vitin 641-642, nuk gjetën asnjë bibliotekë me rëndësi. Andaj, përfundimi i F. Hitit se “rrëfimi që, sipas urdhrit të halifit, Amri gjatë muajve i ka ndezur furrat e shumta të banjave publike me shkrimet e Bibliotekës së Aleksandrisë, është një prej informatave për një tregim interesant e për një histori të ligë.”[26]
Të dhënat e prezentuara tregojnë qartë se kjo vepër neveritëse, e paqytetëruar dhe kulturocide s’është bërë nga Amri, Umeri apo Islami. Shkatërrimi dhe djegia e Bibliotekës së Aleksandrisë është vepër e qytetërimit centrist kristian, të ngritur mbi gërmadhat e qytetërimit heleno-romak dhe pagano-judeo-kristian.
Islami është kreativ dhe integrues i të mirave kulturore e materiale që nuk ndeshen me parimet e monoteizmit islam, pa dallim nga feja, vendi e raca.
Islami nuk është bibliofobik!
LITERATURA
1. Almanah Boškovic për vitin 1957, Zagreb.
2. Corbin, Henry, Historia e filozofisë islame, Shkup, 1998.
3. Ejub, Hasan, Katër halifët e drejtë, Shkup, 1424 h./2003.
4. El-Akad, Abas M., Abkarijjetu Muhammed, Kajro, (-).
5. El-Ehwani, Ahmed F., Filozofia islame, Prizren, 2002.
6. Enciklopedija Leksikografskog Zavoda, bot. II, Sarajevë, 1966.
7. Espozito, Dzon L., editor, Oksfordska istorija islama, Beograd, 2002.
8. Hamidullah, Muhammed, Uvod u Islam, Sarajevë, 1982.
9. Gibon, Edward D., Opadanje i propast rimskog carstva, Beograd, 1996.
10. Glasnik VIS-a Islamske Zajednice u Jugoslaviji, nr. 1-2, Sarajevë, 1967.
11. Grup autorësh, Arapsko-islamski uticaj na evropsku renesansu, Sarajevë, 1987.
12. Hadzic, Osman N., Muhammed a.s. i Kur’an, Sarajevë, 1986.
13. Hitti, Filip, Istorija Arapa, bot. II fototip, Sarajevë, 1988.
14. Ibrahimi, Nexhat, Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar, shekujt IX-XIV, Shkup, 2003.
15. Kultura Islame – revistë fetare-kulturore, nr. 1, Tiranë 1942/1361 h.
16. Lluzha, Murteza, Shqyrtime filofozike, Prishtinë, 1981.
17. Pekaric-Dino, Hajrudin, Sljedbenici Knjige, Tuzla, 2003.
18. Preporod – Informativne islamske novine, Sarajevë, nr. 207/1979.
19. Smailagiq, Nerkez, Halifët besimdrejt, Prizren, 2003.
20. Sharif, M. M., Historija islamske filozofije, I-II, Zagreb, 1988.
21. Uvejsi, Mexhit, Për fe e atdhe, Gjakovë, 2001.
22. Velika Enciklopedija Aforizama, bot. II, Zagreb, 1977.
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Hajrudin Pekaric - Dino, Sljedbenici knjige, Tuzla, 2003, fq. 24. Grup autorësh, Arapsko-islamski uticaj na evropsku renesansu, Sarajevo, 1987.
[2] Ahmed Fuad El-Ehwani, Filozofia islame, Prizren, 2002, fq. 38-58.
[3] Ndër akuzuesit e tillë është edhe dr. Murteza Lluzha, i cili në veprën e tij Shqyrtime filozofike, Prishtinë, 1981, fq. 50, pa kurrfarë mbështetje atakon Islamin dhe muslimanët dhe kështu ndikon në shtrirjen e këtij paragjykimi.
Disa gazeta shqiptare, por edhe Bujku i dt. 15 shkurt 1996, Prishtinë, fq. 12, shkruan: “... kur kalifi nga Omari urdhëroi të shkatërrohej biblioteka në zë e Aleksandrisë, në vitin 604 p.e.s. librat nga biblioteka u shfrytëzuan për nxehjen e banjove publike të qytetit. Sipas disa historianëve, kjo ‘lëndë djegëse’ zgjati plot gjashtë muaj.” Shih: Mexhit Uvejsi, Për fe e atdhe, Gjakovë, 2001, fq. 63.
Në Velika Enciklopedija aforizama, botimi II, Prosveta, Zagreb, 1977, fq. 1025, aforizmi nën nr. 2175, citon fjalët e Omer ibn El-Hattabit: “Digjni bibliotekat sepse çdo gjë e vlefshme në to gjendet në një të vetmin libër.” Kjo i shërben autorit si mbështetje kinse muslimanët dogjën Bibliotekën e Aleksandrisë. Ndërkaq, realiteti është krejt ndryshe.
[4] Osman Nuri Hadzic, Muhammed a.s. i Kur’an, Sarajevo, 1986, fq. 231.
Një version të këtillë të paverifikuar e thekson edhe autori i njohur për shqiptarët, A. Stipçeviq, i cili për fat të keq, i ndihmon edhe më shumë përhapjes së paragjykimeve kundër muslimanëve, për të pohuar se disa mbeturina të Bibliotekës së Aleksandrisë që kishin mbetur i rrnuan arabët. Shih: Aleksandër Stipçeviq, Historia e librit, Prishtinë, 1988, fq. 114.
Ekziston edhe një verzion tjetër, më pak i njohur se i pari, se kinse këtë bibliotekë e dogji halifi abasit, El-Me’muni (sundoi 813-833), i cili me ushtrinë e tij erdhi para Aleksandrisë. Informatorët e tij e njoftuan se në qytet ekziston një shtëpi e madhe përplot libra dhe letra. Thonë se ai në qetësi u përgjigj: “Nëse është shkruar më shumë se në Kur’an: digjni! E nëse është shkruar më pak se në Kur’an: digjni!”
[5] Al’Ifadah wa’l-I’tibar, (botimi dhe përkthimi latinisht I. White), Oxford, 1800, fq. 114, sipas: Filip Hiti, Istorija Arapa od najstarijih vremena do danas, bot. II fototip, Sarajevo, 1988, fq. 162.
[6] Hasan Ejub, Katër halifët e drejtë, Shkup, 1424 h./2003, fq. 142.
[7] O. N. Hadzic, po aty, fq. 231.
Shih arsyet përse nuk mund të pranohen tre burimet e cekura se Amri dhe Umeri ishte ideator dhe zbatues i djegies së Bibliotekës së Aleksandrisë: Hasan Ejub, Katër halifët e drejtë, Shkup, 1424 h./2003, fq. 141-143.
[8] Nexhat Ibrahimi, Islami dhe muslimanët në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar (shekujt IX-XIV), Shkup, 2003, fq. 28-29.
Se kjo dhe shpifjet e ngjashme janë nga arsenali kristian mesjetar, dëshmon edhe vendimi i Car Dushanit, i cili në Kosovë e Shqipëri pat vendosur një lloj inkuizicioni, ku thuhet: “Kush i ndihmon heretikut, le të digjet nëpër fytyrë, në mbarë trupin, dhe kush e fshehë, edhe ai le të digjet.” Me heretikë ai nënkuptonte bogumilët, turqit vardarian, peçenegët dhe grupet me muslimanë të tjerë, por edhe katolikët, ndonëse këta të fundit ishin në numër simbolik dhe nuk paraqitnin problem për mbretërinë e tij. Cituar sipas: Ibid., fq. 28.
[9] Shih: Henry Corbin, Historia e filozofisë islame, I-II, Shkup, 1998; M. M. Sharif, Historija islamske filozofije, I - II, Zagreb, 1988, fq. 9-575 dhe 9-556; Grup autorësh, Arapsko-islamski uticaj ..., Sarajevë, 1987, fq. 13-304.
[10] Dzelaluddin Es-Sujuti, Povijest halifa, Sarajevë, 2003, fq. 183-245; Abbas Mahmud El-Akkad, Abkarijjetu Umer (Gjenialiteti i Omerit), Kajro, pa vit botimi, fq. 199. Krhs. Henry Laoust, Raskoli u Islamu, Zagreb, 1989, fq. 16-17; Nerkez Smailagiq, Halifët besimdrejt, Prizren, 2003, fq. 13-18.
[11] Muhammed Hamidullah, Uvod u Islam, bot. II, Sarajevë, 1982, fq. 178.
[12] Grup autorësh, Istorija srednjeg vijeka, I, Beograd, 1950, fq. 170, cituar sipas: F. Ibragic, Muslimani nisu unistili Aleksandrijsku biblioteku, Glasnik VIS-a, nr. 1-2/1967, fq. 341.
[13] Ptolome Soteri I sundoi gjatë viteve 366-283 p.e.r. Shih: A. Stipçeviq, po aty, fq. 110.
[14] Enciklopedija Leksikografskog Zavoda, Zagreb, botimi II, pjesa I, Zagreb, 1966, fq. 69; Chamber’s Encyclopedia, I, sipas: Kultura islame, gusht 1942, Rexheb-Shaban 1361, nr. 12, Tiranë, fq. 361; Krhs.: F. Hiti, po aty, fq. 162; A. Stipçeviq, po aty, fq. 113.
[15] Shih: A. Stipçeviq, po aty, fq. 112, 114.
[16] F. Hiti, po aty., fq. 162 - 163.
A. Stipçeviq lidhur me djegien e bibiotekës nga Teofili shkruan: “Ditë të zeza do të përjetojë Biblioteka e Aleksandrisë në perandorinë e vonë, në kohën kur të krishterët bëhen forcë kryesore ideologjike e politike. Si simbol i diturisë pagane, biblioteka ishte halë në sytë e predikuesve intrasigjentë të fesë së re dhe ishte vetëm çështje kohe kur edhe kjo bibliotekë do ta pësonte fatin e kulturës pagane e do të flijohej për kohën e re. Asgjësimi i kësaj biblioteke nga ana e patriarkut të Aleksandrisë, teofilit, në vitin 391 është pasojë logjike e disfatës që pësoi kultura pagane në konflikt me kulturën e re, të krishterë.” Sipas: A. Stipçeviq, po aty, fq. 114.
[17] Edward D. Gibon, Opadanje i propast rimskog carstva, Beograd, 1996, fq. 484.
[18] O. N. Hadzic, po aty, fq. 162; Krhs.: Kasim Hadzic, Cudno ustrajanje u jednoj neistini - Osvrti, Preporod, nr. 207/1979, Sarajevë, fq. 12.
[19] O. N. Hadzic, po aty, fq. 162-163; Krhs.:Kasim Hadzic, po aty, fq. 12.
[20] Almanah Boskovic, - për vitin 1957, Zagreb, fq. 103.
[21] Chamber’s Encyclopedia, po aty, fq. 361.
[22] Kasim Hadzic, po aty, fq. 12.
[23] H. Pekaric-Dino, po aty, fq. 24.
[24] D. Nedeljkovic, Dan vecnosti, pa vend botimi, 1979, fq. 141, sipas: H. Pekaric - Dino, po aty, fq. 25-26.
[25] Grupa autora, Arapsko-islamski uticaj ..., po aty, fq. 151.
[26] F. Hiti, po aty, fq. 162.