
Ndonëse për Sari Salltëkun në botë është shkruar deri diku, po jo edhe në historiografinë tonë shqiptare, megjithatë aspekti historik i personalitetit të tij dhe veprimi i tij misionarist ka mbetur i pandriçuar, i mbështjellë me elemente mistike, mitike e misterioze, që paraqet vështirësi të llojit të vet.[1][1] As ne nuk pretendojmë të shkojmë më larg se të tjerët, përpos që në bazë të të dhënave historike, legjendave e gojëdhënave ekzistuese të regjistrohet prania e tij e e nxënësve të tij dhe të shënohen vendet ku ata jetuan e vepruan, pastaj t’i ballafaqojmë mendimet dhe rezultatet e hulumtuesve mes veti, në mënyrë që studimet e mëtejme t’i thellojnë këto hulumtime, si në aspektin religjioz ashtu edhe në atë historiko-kulturologjik, e para së gjithash në ndriçimin e shumë çështjeve në lidhje me përhapjen e Islamit në Ballkan, veçanërisht ndër shqiptarët para depërtimit të osmanlinjve në këto vise.
Sari Salltëku ndërmjet legjendës dhe historisë
Paraqitja e Sari Salltëkut në skenën historike dhe aktiviteti i tij misionarist konsiderohet se paraqesin një periudhë shumë të rëndësishme në përhapjen e besimit islam në Perandorinë Bizantine, Bullgare e Hungareze përgjithësisht, e në trojet iliro-shqiptare veçanërisht, para ardhjes së osmanlinjve.[2][2] Madje, shkencëtari Kemal H. Karpat konsideron se “banorët e parë muslimanë në Ballkan qenë me prejardhje turke”, kurse “grupi i parë musliman me rëndësi në shekullin XIII, edhe pse grupe më të vogla kanë ardhur qysh edhe në shekullin X apo XI.”[3][3]
Kjo ndodhi në periudhën e paraqitjeve të herezive të ndryshme, sikur paraqitja e bogumilizmit, maniheizmit dhe në periudhën kur shtetet e atëhershme ndërmerrnin të gjitha masat e mundshme për çrrënjosjen e pikëpamjeve heretike.[4][4]
Shkrimtari i njohur shqiptar I. Kadare në një roman të tij e thekson ardhjen e grupeve të ndryshme misionariste, ndër ta edhe të Sari Salltëkut, duke e përshkruar se si dervishët turq endacakë kishin ardhur në trojet tona përgjatë rrugës së vjetër e të njohur që nga antika Via-Egnatia, në grupe të vogla, nga dy veta, por shumë shpesh të vetmuar e të zbathur.[5][5]
Edhe historiani e diplomati shqiptar i dikurshëm Ekrem bej Vlora pohon se në periudhën paraosmane në tokat shqiptare erdhën misionarë, dervishë shtetitës, që nuk qëndronin në një vend, por bënin përgatitjen e vendit për pushtimin ushtarak të Turqisë. Ndër ta duhet përmendur edhe Sari Salltëku. E. Vlora, ata i quan pararojë të ushtrisë Turke në Ballkan.[6][6]
Sipas një Hagiografie (në koleksionin e Osman Asaf Sokoloviqit, tash të ruajtur në Bibliotekën e Gazi Husrev-beut në Sarajevë), Sari Salltëku ka vepruar në kohën e fillimit të Perandorisë Osmane.[7][7]
Në Genel Kültür Ansiklopedisi, “ANA BRITANICA”, për Sari Salltëkun thuhet se është dervish turk që jetoi dhe veproi në shekullin XIII, se është luftëtar dhe se emri i tij i vërtetë është Mehmet.[8][8] Në Enciklopedinë islame të hartuar nga evropianët, pohohet: “Sari Salltëku është dervish turk, evlija bektashian, me prejardhje nga Buhara, kurse emri i tij i vërtetë është Mehmed Buhari.”[9][9] Edhe shkencëtari turk M. Tufan pohon se Baba Salltëku ishte dervish dhe paraqiste liderin ideor për turqit muslimanë të Anadollit, dhe më vonë do të luante rol të madh në përhapjen e Islamit në Siujdhesën ballkanike.[10][10]
Turkologu me famë botërore, Halil Inalxhik, pohon se, pas kryengritjes së shehlerëve babaj në vitin 1241[11][11], Sari Salltëku në vitin 1261, me dyzet familje turkmene, strehohet në territorin bizantinas, në Dobruxhë të Bullgarisë.[12][12]
Sipas disa burimeve historike, në vitin 1241, Izzudin Kejkausi dhe aleati i tij Salltëk Baba bën pa sukses një kryengritje kundër mongolëve. Për këtë arsye, rreth vitit 1261 – 1262 ai dhe një grup turkmenësh në krye me Salltëkun gjetën strehim në Perandorinë Bizantine dhe u vendosën përgjatë bregdetit të Detit të Zi, në viset që shtriheshin ndërmjet Varnës deri në Babadag në Dobruxhë.[13][13] Sipas po këtij burimi, disa grupe njerëzish të Kejkauzit (rreth 12.000 tenda) shkuan në Krime, por nga viti 1280 u kthyen në Dobruxhë. Disa vjetë më vonë, ata u vendosën rreth Varnës, për t’u kristianizuar mo vonë, por ruajtën dialektin e tyre të pastër oguz. Ata që mbetën në verilindje të Bullgarisë, në Dobruxhën veriore, mbeten muslimanë.[14][14]
Sipas Tarih-i Al-i Selcuk të Jazixhi-zades, Sari Salltëku ka ardhur në Dobruxhë prej Kivit, më 1281, kurse sipas Mohaç-names, ai ka kaluar në Dobruxhë në kohën e Ertugrul-beut, para vitit 1281.[15][15]
Në bazë të të dhënave që ofron shkencëtari maqedonas A. Matkovski, lexojmë se në shekullin XIII ndodhi shpërngulja e madhe e më se dyqind mijë tendave të grupeve nënturke. Pohohet se këta e banuan Dobruxhën nga viti 1250 deri 1260 me fiset turkmene nga Azia e Vogël. Njëkohësisht me këtë proces filloi kolonizimi dhe islamizimi intensiv i Ballkanit. Ndërkaq, në vitin 1263 një grup turkmenësh prej dymbëdhjetë mijë tendash kaluan në Ballkan që u vendosën në Dobruxhë. Në krye të tyre ishte Sari Salltëku.[16][16] Ndonëse nuk kemi konfirmime për këto shifra nga burime të tjera, megjithatë do të kenë ekzistuar, qoftë edhe me shifra më të vogla.
Sari Salltëku si predikues fetar dhe luftëtar
Në mbështetje të legjendave që gjenden në “Sejjahet-namen” (Udhëpërshkrimin) e Evlija Çelebiut, Sari Salltëku në Turkestan nga Hoxha Ahmed Jeseviu mori urdhrin vijues: “I dashuri Salltëk Mehmeti im! Ty të dërgoj në tokat e Rumit. Shko në vendin e shtatë mbretërive dhe bëhu njeri me famë e i njohur.” Pas marrjes së këtij urdhri, Sari Salltëku me 700 dervishë të vet, lojalë idesë së tij, erdhi në Anadoll.
Diçka e ngjashme mund të dëgjohet edhe tek Sheh Uka, nakshibendi në Gjakovë, i cili thotë se Sari Salltëku është njëri prej nxënësve të Ahmed Jeseviut, mistikut të njohur turk.[17][17]
Po ashtu, sërish në mbështetje të legjendave, Sari Salltëku, urdhrin e kishte marrë nga hazreti Muhammedi a. s., i cili, gjoja, i paskësh thënë: “Çliroje Edirnen dhe bëje atë muslimane. Ymeti im të mos e braktisë këtë vend”.[18][18] Pas marrjes së këtij urdhri, dervishët e tij luftëtarë u nisën në drejtim të detit dhe për herë të parë arritën në brigjet e Rumelisë.
Në “Vilajet-namen” e Haxhi Bektash Veliut, Sari Salltëku përmendet rregullisht si dervish dhe nxënës i tij.[19][19]
Mirëpo, sipas versionit tjetër, Sari Salltëku paraqitet si sunit i vërtetë. Ebu’l-hajr Rumiu, në Salltëk-namen e tij, shkruar rreth vitit 1450, Sari Salltëkun e paraqet me origjinë prej familjes së Muhammedit a. s. ..., duke pohuar se Sari Salltëku i takonte medhhebit hanefi. Edhe në shumë burime (kronika) të kohës, Sari Salltëku nuk ceket të ketë qenë bektashi.
Mbështesim mendimin e H. Kaleshit se bektashinjt dhe tarikatet e tjera Sari Salltëkun e bënë për vete, për shkak të autoritetit të tij në popull dhe qëllimit të tërheqjes së popullit pas tyre,[20][20] dhe jo pse për këtë kanë argumente çfarëdo.
Sipas K. Karpatit, në shekullin XIII, popullata muslimane ku jetonin dhe vepronin Izuddin Kejkausi dhe Salltëk Baba ishin ithtarë të tyre.[21][21] Këtë e argumenton edhe ajo që thuhet se Sari Salltëkut i vinin njerëz, nga viset e ndryshme, e edhe nga Podunavlja, muslimanë të fshehtë që te ky e mësonin besimin islam, kryenin obligimet tjera islame si namazin, agjërimin e veprime të tjera, dhe pas festës së Bajramit ktheheshin në vendet e tyre si misionarë për ta vazhduar punën që e kishin mësuar.[22][22]
Kur është fjala për këta muslimanë të fshehtë aso kohe, kemi shënime me bollëk nga burime të ndryshme se në territorin e Panonisë së sotme muslimanët kanë qenë në numër të konsiderueshëm, dhe ata fenë islame e predikonin fshehtazi. Kishte edhe të tjerë që deklaroheshin botërisht muslimanë, kryenin detyrat e tyre dhe posedonin banishtet e shumta të tyre.[23][23]
Sipas historianit H. Inalxhikut, Sari Salltëku u bë hero i një epi, në të cilin është përshkruar si dervish dhe gazi (luftëtar) që përhap Islamin në Evropë[24][24]. Ai, i veshur me rasë murgjish të krishterë, predikonte Islamin nëpër kisha dhe me shpatën e tij të drunjtë derdhte gjakun e priftërinjve që e kundërshtonin.[25][25]
Këtë e konfirmojnë edhe shumë gojëdhëna, si ajo që e transmeton Sheh Uka, se Sari Salltëku ka ardhur në këto vise i veshur me rroba të priftit duke e përhapur Islamin.[26][26]
Legjenda vazhdon e thotë se Sari Salltëku kishte mbytur një dragua që i kishte nën kontroll të bijat e mbretit të Dobruxhës (Hungari)[27][27], përse fitoi simpatinë e mbretit dhe për këtë arsye 40.000 pabesimtarë e pranuan besimin islam.
Pastaj legjenda thotë se Sari Salltëku vrau një prift të njohur në Çeki-Sllovaki, dhe tatarët vendas në vendin Lipko pranuan besimin islam. Këta 150.000 muslimanë të rinj i vendosi në qytetin Danzig. Po ashtu, bashkë me këta tatarë, 600.000 banorë të Hersekut, Sari Salltëku i ktheu në besimin islam.[28][28]
Sipas të dhënave që ofron “Salltëk-nameja” (Libri mbi Salltëkun), Sari Salltëku ka udhëtuar në Rumeli, në Anadolli, në Sivasi dhe në Turkestan. Pastaj shkon në malet e Kaukazit, ku ndeshet dhe ballafaqohet me rebelët e cubat, lufton kundër tyre dhe i shkatërron ata. Pastaj udhëton për në Egjipt, Habeshistan (Etiopi) dhe në Indi.[29][29]
Me të arritur në Rumeli, Sari Salltëku me shoqërinë e tij sheh vuajtjet dhe persekutimet që po i pësonin muslimanët nga ana e kristianëve, prandaj me ushtrinë e vet e pushton Edirnen (me se e plotëson premtimin e dhënë Pejgamberit për çlirimin e Edirnes), pastaj e çliron Shkupin dhe qytetin e Dobruxhës. Kristianët e atyre vendeve i dënon për krimet e bëra ndaj muslimanëve. Më vonë kalon në tokat françeskane, duke depërtuar deri në brendi të shteteve evropiane.[30][30]
Sipas disa të dhënave, Sari Salltëku i ka shëtitur të gjitha vendet islame, kurse disa prej tyre, sikur Edirnen, Krimenë, Kefenë dhe Osmanxhikun, i ka pushtuar vetë. Në të gjitha këto ndërmarrje, Sari Salltëku ka përdorur mrekulli të ndryshme, vepra çudibërëse, me se u ndihmoi mbretërve, i mahniti disa prej tyre, të cilët pranuan Islamin.[31][31]
Sari Salltëkun e gjejmë edhe në rolin e këshilltarit të sulltan Osman Gaziut.Atë e pati këshilluar: “Bëhu i drejtë, mos i detyro të varfërit të të mallkojnë, nderoi me kujdes kadinjtë dhe mëkëmbësit. Sundo me drejtësi nëse dëshiron të mbetesh në pushtet dhe nëse dëshiron ta ruajsh dëgjueshmërinë e shtetasve tu.”[32][32]
Sa i përket Evropën jugore M. Spahiq konsideron se Islami së pari është forcuar në Srem, Maçvë dhe në Bosnjën verilindore, ku është kënduar edhe epi i njohur i Salltëk-names, që dëfton për namin e Sari Salltëkut në këto vise.[33][33]
Sari Salltëku në trojet iliro-shqiptare
Fenomeni i Sari Salltëkut është i pranishëm mjaft edhe në trojet shqiptare.[34][34] Sipas etnologut, dr. Mark Tirta, legjendat mitike për Sari Salltëkun në përgjithësi kanë origjinë nga Orienti, por ne gjejmë edhe elemente që kanë të bëjnë me figurat tona mitologjike, si kuçedra, dragoi etj.[35][35]
Për mbifuqinë e Sari Salltëkut legjenda thotë se ai ka ngulur shkopin në tokë a në shkëmb dhe aty për aty ka shpërthyer uji për të eturit e kalimtarët.[36][36] Për disa tashmë lexuam, e për vepra të tjera mund të lexohen legjendat e tubuara nga orientalisti H. Kaleshi.[37][37]
Disa vende në trojet shqiptare edhe sot e kësaj dite mbajnë emrin e Sari Salltëkut. Do t’i përmendim disa sosh dhe karakteristikat më themelore.
Nja 600 metra sipër Krujës është një maje mali që quhet “Mali i Sari Salltëkut”. Aty gjendet edhe “Teqeja e Sari Salltëkut”, e vendosur në shpellë, ndaj njerëzit hyjnë nëpër shkallë. Prej shkëmbit buron uji me të cilin marrin abdest dhe të cilin e pijnë si ilaç.[38][38] Ekzistimin e tyrbes, siç e quan atë M. Kiel, e konfirmon edhe F. Babinger, i cili pohon se tyrbja e Sari Salltëkut në malin e Krujës daton nga viti 1104 h./1692 - 1693[39][39] dhe të ujit, përkatësisht të kroit, çezmës, i cili thotë se ky krua është i datës 1190 h./ 1776 / 1777.[40][40] Ky vend në Shqipëri vizitohet prej 7 deri më 15 gusht, me ceremoni e rituale fetare.[41][41]
Sipas H. Kaleshit, aty gjenden gjurmët e këmbës së Sari Salltëkut duke ikur prej Kruje, për t’iu shmangur një ploje etj. Etnologu M. Tirta, pohon se pranë disa teqeve ose brenda tyre, na dëshmohen gjurmët e këmbëve të njeriut të gdhendura në gurë. Rrëfenjat mitike thonë se këto janë gjurmë të shenjtorit të bektashinjve, Sari Salltëkut, që është hedhur nga mali me po këtë emër, ku gjendet edhe Teqeja e Gjurmës së shenjtë.[42][42]
Gjurmë të tilla janë dëshmuar edhe në vendin Guricaj a në Radë pranë Durrësit, edhe këto pranë teqeve kushtuar Sari Salltëkut. Legjenda gjurmësh të këmbëve që lidhen me Sari Salltëkun vërtetohen dhe në vende të tjera. Në një kuptim, ky element kulti lidhet edhe me legjendat mitike bektashiane, të ardhura nga Orienti islam.[43][43]
Gjurmë të ngjashme, mbase të njëjta, hasim edhe në periferi të fshatit Zgatar të Opojës, në drejtim të rrugës malore Zgatar – Lybeçevë - Prizren, në vendin e quajtur Gjerman (s’ka të bëjë me Gjermaninë e gjermanët e sotëm).[44][44]
Me emrin “Sari Salltëk” është i njohur edhe vendi i quajtur “Fusha e Zejnel Agës”, në periferi të Pejës, afër fshatit Qyshk, pranë magjistralit Pejë - Prishtinë. Sipas autorëve antikë, ky vend është i njohur me emrin “Siparunti”[45][45]. Aty dikur ka pasur një tyrbe, kurse varri i braktisur i “Sari Salltëkut” ka qenë i mbuluar. Ekziston edhe një varr tjetër. Të dy varret janë të mbuluara me pllaka guri me muratim të thatë. Aty gjenden dy mihrabe, ku njerëzit ndezin qirinj, këputet ndonjë pe, lihen të holla, përgatitet hallvë etj. Zakonisht vizita bëhet pasdreke deri në ikindi, kur bëhen lutje për plotësimin e muradeve (dëshirave). Dita e martë dallohet nga numri i vizitorëve, por, vizita kryesore gjatë vitit bëhet ditën e “Ali Gjynit”, më dy gusht. Është interesante se këtë varr e vizitojnë edhe kristianët.[46][46] Këtë lokacion e thekson edhe historiani S. Rizaj, i cili pohon se në afërsi të Pejës gjendet tyrbja e Sari Salltëkut, të cilën sot e kësaj dite e vizitojnë si muslimanët ashtu edhe kristianët, me qëllim që të kërkojnë ndihmë nga Perëndia, sidomos për shëndet e fat. Paraqitjen e Sari Salltëkut dhe të misionarëve të tij S. Rizaj e vendosë në periudhën paraosmane, krahas paraqitjes së herezive të tjera si bogumilizmi etj.[47][47]
Edhe M. Cërabregu Tyrben e Sari Salltëkut, e cila gjendet në lindje të Gradinës që ekziston edhe sot e numëron ndër tyrbet kryesore në Pejë,.[48][48]
Sipas pohimeve të Baba Qazimit - sheh i bektashinjve në Gjakovë, edhe në Lumë, në vendin e quajtur Jallicë (Gjallicë) ekziston një varr që e vizitojnë më dy gusht dhe këtë ditë e quajnë “Dita e Sari Salltëkut”.[49][49]
Po ashtu, nja 17 km. larg Pejës, në katundin Prilep të Deçanit, në bregun e lumit Reka, ekziston një tyrbe që quajnë “Sari Salltëk”.[50][50]
Në maje të bjeshkës së Pashtrikut, nja 4 orë udhëtim në kufi me Shqipërinë (politike), gjendet një varr për të cilin pohohet se është i Sari Salltëkut. Deri pas Luftës së Dytë Botërore, ditën e “Ali Gjynit” me mijëra njerëz nga Peja, Gjakova, Prizreni e Byci, Dibra e Shqipëria e vizitonin këtë varr. Disa mendojnë se Sari Salltëku nuk ka vdekur këtu, por vetëm ka pushuar.[51][51] Në lidhje me këtë tyrbe në Sall-namen e Prizrenit lexojmë: “Në pjesën perëndimore të qytetit në largësi prej 3 orësh, saktë në maje të malit Pashtrik gjendet tyrbja në të cilën është varrosur Sari Salltëk Dede. Banorët e popujve të ndryshëm kanë respekt të madh ndaj personalitetit të tij dhe e vizitojnë çdo vit në kohë të caktuar.”[52][52]
Në burimin tjetër lexojmë: “Muslimanët çdo vit më dy gusht vijnë në tyrben e Sari Salltëk Dedes, … atje presin kurban dhe kërkojnë ilaq për gratë sterile dhe të sëmurët.”[53][53]
Emrin e Sari Salltëkut e gjejmë edhe në Kishën e Spirgjonit në Korfuz, ku mendohet të jetë varrosur ai. Po ashtu, kjo flitet edhe për Manastirin e Shën Naumit në Ohër, se Sari Salltëku është varrosur aty.[54][54] Mirëpo, hollësi të mëdha nuk kemi.
Edhe A. Matkovski edhe M. Tufan cekin një tyrbe të Sari Salltëkut “te burimi i Drinit të Zi, jo fort larg Strugës” duke e veçuar nga ajo e Ohrit.[55][55] Për shkak të klimës politike në Maqedoni aktualisht kjo gjendje nuk mund të verifikohet në vend të ngjarjes nëse është fjala për dy Tyrbe (varre) të veçanta apo për një, duke e përshkruar tjetërfare.
Po ashtu, Sari Salltëku është i njohur edhe jashtë trojeve iliro-shqiptare, sikur në Dubrovnik, ku theksohet se ceremonia për Sari Salltëkun festohet krahas festave tjera të vendit: Sveti Nikolla, Hizir Iljas, Kasum, Nëna Mari dhe Karangjollozi.[56][56] Tyrben e tij e hasim edhe në qytetin Babadag të Rumanisë, e cila për shekuj ishte vend zijareti i muslimanëve e edhe i sulltanëve kur shkonin apo ktheheshin nga Buxhaku, Moldavia apo Polonia.[57][57]
Vdekja e Sari Salltëkut
Në fund të shohim diçka rreth vdekjes së Sari Salltëkut. Ky, para se të vdiste, la amanet që kufoma e tij të përgatitej në shtatë tabute (arkivole) dhe t’u dërgohej shtatë mbretërive: të Moskës, Çekisë, Sllovakisë, Edirnes, Bogdanit dhe Dalmacisë. Kështu edhe ndodhi. Me përcjellje ushtarësh, kufoma e tij u dërgua në shtatë mbretëri dhe me këtë veprim u realizua dëshira e Ahmed Jeseviut, që fama e tij të arrinte në shtatë mbretëri.[58][58]
Gojëdhëna vijuese jep përshkrim më të detajizuar. Thuhet se para vdekjes Sari Salltëku ishte në kështjellën Gylgar, dhe me atë rast thirri beun e kështjellës e i la këtë amanet: “Kur të vdes, secili prej muhibëve (nxënësve, N.I.) të mi le ta mbajë nga një arkivol e le ta vendosë afër meje. Le të gjendem në cilindo prej këtyre arkivoleve, e pronari i atij arkivoli le të më marrë e të më çojë në vendin e tij e le të më varrosë atje.” ... Nuk kaloi shumë kohë dhe ai ndërroi jetë. Muhibët e tij arritën prej të gjitha anëve. Secili kishte sjellë nga një arkivol dhe e kishte vendosur pranë Sari Salltëkut. Thuhet se prej secilit arkivol shtrihej dora e tij, secili e mori arkivolin e vet dhe e çoi me gëzim të madh në vendin e tij.[59][59]
Për Sari Salltëkun[60][60] thuhet se vdiq nga pirja e ujit të helmuar dhe nga goditja e një fedaini me hanxhar. Të dy bijtë e Sari Salltëkut, Ibrahimi dhe Muhammedi, vazhduan rrugën e babait dhe me dëshirë hynë në shërbim të Perandorisë Osmane.[61][61]
Përfundimi
Në përfundim shtrohet një pyetje logjike: A është Sari Salltëku një person apo janë më shumë, që janë identifikuar me këtë emër. Hulumtimet e studiuesve në terren na dëftojnë se ekzistojnë shumë varre Sari Salltëkësh. Na e merr mendja se Sari Salltëku ka ekzistuar e vepruar, dhe se pas vdekjes së tij këtë veprimtari e kanë vazhduar nxënësit dhe ithtarët e tij, pasi që varre me këtë emër hasim edhe në Bosnjë, Panoni, Turqi e në shumë vende të tjera. Mbetet që në studimet e ardhshme të studiohet dhe të ndahet historikja nga legjendarja e mitikja, të vlerësohet kontributi i tij dhe i nxënësve të tij në përhapjen e fjalës së Zotit, por edhe të shihet roli i tyre në krijimin e legjendave shqiptare me ndikim oriental.
Summary
Sari Salltuk and his role in spreading Islam in the Illyrian-Albanian
and Balkan Territories before the XIV century
Theoretic research and also field work indicate that Sari Salltuk existed and carried out his activities during the XIII century in Anatolia and in Central Europe, but mostly in Illyrian-Albanian territories, where as after his death these activities were continued by his pupils and disciples. This is verified by many graves with this name, which are to be found even today in Albanian territories, in Bosnia, Panonia, Turkey and in many other places. This subject should be studied more profoundly in the future; the historical should be separated from the legendary, reality from the mythical, and evalution made of his contribution and that of his pupils in spreading God’s word. Also their role in the creation of Albanian legends with Oriental influence should be recognized, as well as their influence on both spoken and written literary creativity.
--------------------------------------------------------------------------------
[1][1] Bibliografinë për Sari Salltukun e shtroi dr. Franz Babinger në: Encyclopedie de l’Islam, Leyde - Paris, 1934, fq. 177-178 dhe T. Tayyib Okiç, “Sari Saltuk’a ait bir fetva”, Ankara Üniversitesi Ilahiyat Fakültesi Dergisi, Cilt 1, Sayi I, fq. 48-58; dhe T. Tayyib Okiç, “Bir Tenkidin Tenkidi”, Ankara Universitesi ¡lahiyat Fakultesi Dergisi, AÜIFD, Cilt II, Sayi 2-3, fq. 219-290; nga autorët më të ri: Abdülbaki Gölpinarl¢, Remzi Kitabevi, ¡stanbul, 1961, fq. 27-41.
Në gjuhën shqipe kemi: Hasan Kaleshi, “Legjendat shqiptare për Sari Salltukun”, “Përparimi” - revistë kulturore e shkencore, 1/1967, Prishtinë, fq. 86-103 dhe kalimthi Mark Tirta, “Prania e kulturës arabo-islame në mite, rite e besime popullore shqiptare”, në: “Feja, kultura e tradita islame ndër shqiptarët”, Simpozium ndërkombëtar (prej 12 deri më 15.10.1992, i mbajtur në Prishtinë), Prishtinë, 1995. Po ashtu, para disa vitesh kemi edhe shkrimin tonë: N. Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, botimi I, Shkup, 1998, fq. 235 – 245 etj.
[2][2] I këtij mendimi është edhe orientalisti i mirënjohur shqiptar dr. Hasan Kaleshi, op. cit., fq. 86.
[3][3] Kemal H. Karpat, Gradjanska prava muslimana Balkana, në: Fikret Karcic (përgatiti), Muslimani Balkana – Istocno oitanje u XX vijeku, Tuzla, 2001, fq. 96.
[4][4] Nexhat Ibrahimi, Islami në trojet iliro-shqiptare gjatë shekujve, op. cit., fq. 179 – 195, etj. Shih: Skender Rizaj, Shqiptarët dhe Serbët në Kosovë, Prishtinë, 1991, fq. 49 etj. G. & J. Testas, Inkvizicija, Zagreb, 1982.
[5][5] Ismail Kadare, Ura me tri harqe, Prishtinë, 1980, fq. 40 – 41. Shih edhe: Jashar Rexhepagiq, Dervishët, rendet dhe teqetë, Pejë, 1999.
[6][6] Ekrem Vlora, Shënime mbi historin’ e myslimanizmit në Shqipnie, Jeta Muslimane Shqiptare, Revistë Fetare – kulturore, Detroit, VII/4, 1959.
J. Rexhepagiqi thotë se aktiviteti i Sari Salltëkut dhe të tjerëve ishte në të gjitha vendet e deri në bregdetin adriatikë, kurse në veri madje deri në Suedi. Jashar Rexhepagiqi, op. cit., fq. 88.
[7][7] Sipas: Muhamed Hadzijahic i drugi, Islam i muslimani u Bosni i Hercegovini, Sarajevo, 1977, fq. 26.
Sipas veprës së njohur të M. Kiel, Sari Salltëk Dede, që jetoi në shekullin XIII, “propagandoi islamin popullarizues dhe sinkretist në Ballkanin paraosman.” Machiel Kiel, Ottoman architecture in Albania (1385 – 1912), Istanbul, 1410 h./ 1990, fq. 174.
[8][8] ANA BRITANICA, Genel Kültür Ansiklopedisi, Istanbul, 1994, kaptina 27, fq. 175.
[9][9] Shih: Enciklopedia islame, IV, S-Z, Leiden – Leipzig, 1934, fq. 184/I-II dhe 185/I, sipas: Dzemal Cehajic, Derviski redovi u jugoslovenskim zemljama, Sarajevë, 1986, fq. 101, fusnota 271.
[10][10] Muzaffer Tufan, Göç hareketleri ve Yugoslavia Turkleri, cilt 5, sayi 15, Ankara, 1992, fq. 941, sipas: Maliq Osi, Prizren drevni grad …, Prizren, 1996, fq. 154.
[11][11] Dy vjet para invadimit mongol në vitin 1241, një dervish me emrin Baba Is’hak, në Anadollin Qendror, organizoi kryengritjen e madhe që ishte kryengritja e parë turkmene, për të cilën ekzistojnë gjurmë historike. Kryengritja u shua pas luftimeve të ashpra që u zhvilluan, e të cilat i humbën fiset turkmene. Halil Inalxhik, Perandoria osmane – Periudha klasike 1300 – 1600, Shkup, 1995, fq. 270.
[12][12] Halil Inalxhik, op. cit., fq. 269 - 270.
Thuhet se pas vendosjes në Dobruxhë të Bullgarisë, Sari Salltëku ishte në shërbim të princit Nogaja. Ibid., fq. 270. Edhe M. Spahiq konfirmon se Sari Salltëku hyri në shërbim të princit Nogaja, i cili sundonte në stepe në veri të Detit të Zi. Po ashtu, M. Spahiq konfirmon se Sari Salltëku është paraqitur si misionar i mirëfilltë i islamit. Shih: Mustafa Spahic, Povijest islama, 4, Sarajevë, 2000, fq. 136. Kurse J. Rexhepagiqi pohon se sheh Sari Salltëku më 1260 me 40 dervishë turkmenë u vendosë në vendbanimin Dobruxhë dhe në pjesë të tjera të Ballkanit, dhe aty përhapën kulturën islame. Jashar Rexhepagiq, op. cit., fq. 88. Në Enciklopedinë islame të hartuar nga evropianët lexojmë se Sari Salltëku hyri në zonën e Dobruxhës rreth Baba Dagut në Rumani me dhjetë mijë turkmenë anadollakë. Enciklopedia islame, IV, S-Z, Leiden – Leipzig, 1934, fq. 184/I/II dhe 185/I, sipas: Dzemal Cehajic, op. cit., fq. 101, fusnota 271.
[13][13] K. Karpat, Gagauzlarin Tarihi Mensei Uzerine ve Folklorundan Parcalar, në: Firt International Congress of Folklor, Ankara, 1975, fq. 163 ff, sipas: Fikret Karcic, Muslimana Balkana, op. cit., fq. 96.
[14][14] Ibid.
Supozohet se turkmeni Sari Salltëku ishte muslimani i parë që përhapi islamin në Dobruxhë, në Bullgarinë e atëhershme, por në Rumuninë e sotme, duke ardhur këtu rreth vitit 1263. Shih: A. Hukic, Arapi i Islam u Evropi, Glasnik VIS-a, Sarajevë, nr. 7 – 9, 1961, fq. 279.
[15][15] Sipas: Hasan Kaleshi, op. cit., fq. 103.
[16][16] Shih: Aleksandër Matkovski, Otporot na Makedonija vo vremenoto na turskoto vladenje, tom II, Skopje, 1983, fq. 275; Muzaffer Tufan, op. cit., fq. 941, sipas: M. Osi, op. cit., fq. 153, 154. Shih: K. H. Karpat, op. cit., fq. 96.
[17][17] H. Kaleshi, op. cit., fq. 91. Disa historianë konsiderojnë se Sari Salltëku ishte gjysh i halifit Ahmed Jaseviut. Sipas: M. Osi, op. cit., fq. 156.
[18][18] ANA BRITANICA, Ibid., fq. 175.
[19][19] Hasan Kaleshi, op. cit., fq. 87.
[20][20] Ibid., fq. 87. Shembull të përvetësimit të personaliteteve të ndryshme kemi edhe te Suzi Zerrini, i cili nga disa historianë e shkencëtarë quhet Suzi Çelebiu, nga disa Suzi Baba, etj., por ai veten nuk e ka quajtur as dervish, as shi’i, as luftëtar, që jep të kuptojmë se atributet si dervish etj. janë atribuime të mëvonshme.
Sipas F. Koprulu, Ahmed Jaseviu, pra edhe Sari Salltëku, ishte hanefij. Shih: Dr. Selçuk Eraydin, Tesavvufi dhe tarikatet, Tetovë, 2001, fq. 318.
[21][21] Fikret Karcic, Muslimani Balkana, op. cit., fq. 96.
[22][22] Shih: Muhammed Hadzijahic i drugi, op. cit., fq. 26.
[23][23] Shih: Tomas Arnold, “Historia e përhapjes së Islamit”, në përgatitje për botim në gj. shqipe nga SHB “Dituria islame”, Prishtinë, dhe N. Ibrahimi, “Islami në Ballkan para shekullit XV”, op. cit.
[24][24] Ndër akinxhinjt turq në shekullin XIII në Ballkan ishin dervishët e Sari Salltëkut. M. Osi, op. cit., fq. 156.
Thuhet se Ahmed Jaseviu nëpërmjet nxënësve të tij ka ndikuar edhe në Evropë. Shih për këtë: Dr. Selçuk Eraydin, op. cit., fq. 319.
[25][25] Halil Inalxhik, op. cit., fq. 269-270.
Është interesant të ceket se me kërkesë të Sulltanit, shejhu’l-islami Ebu Suud solli fetvanë më 1566 në të cilën Sari Salltëkun e shpall për murg kristian. Sipas: M. Osi, op. cit., fq. 159. Nuk kemi të dhëna plotësuese lidhur me këtë fetva, andaj mbetet që kjo fetva të zbulohet si tërësi, e pastaj në kontekstin e përgjithshëm të analizohet.
[26][26] Hasan Kaleshi, op. cit., fq. 91.
[27][27] Sipas të gjitha gjasave, kemi të bëjmë me Dobruxhën në Bullgari / Rumuni e jo në Hungari.
[28][28] ANA BRITANICA, op. cit., fq. 175.
[29][29] Ibid., fq. 175.
[30][30] Ibid. fq. 175.
[31][31] Për veprat çudibërëse të Sari Salltëkut sipas legjendave shih: Hasan Kaleshi, op. cit., fq. 87 dhe 97-98; dhe ANA BRITANICA, op. cit., fq. 175.
[32][32] Halil Inalxhik, Op. cit., fq. 94.
[33][33] Mustafa Spahic, op. cit, fq. 136.
[34][34] A. Hukiq supozon se Sari Salltëku ishte misionari i parë islam në Shqipëri (Abdurrahman Hukic, Arapi i islam u Evropi, Glasnik VIS-a, Sarajevë, nr. 7-9, 1961.) ndonëse të dhënat historike, arkeologjike e kulturologjike çojnë në praninë e Islamit në Shqipëri e trojet shqiptare shumë më herët, për të cilat çështje tashmë shkurtimisht kemi shkruar.
[35][35] Mark Tirta, op. cit., fq. 183.
[36][36] Ibid. fq. 183
[37][37] Shih: Hasan Kaleshi, op. cit., fq. 80-103.
[38][38] Shih: Ibid., fq. 92-95.
[39][39] Sipas: Machiel Kiel, op. cit., fq. 175 dhe fq. 189 fusn. 19.
[40][40] Machiel Kiel, op. cit., fq. 175. Shih fusnotat 18 deri 24.
[41][41] Mark Tirta, op. cit., fq. 183.
[42][42] Ibid., fq. 181. Më gjerësisht për legjendat rreth Gjurmës së shenjtë dhe për legjendat rreth Malit të Sari Salltëkut në Krujë shih: Hasan Kaleshi, op. cit., fq. 92-95.
[43][43] Mark Tirta, op. cit., fq. 181.
[44][44] Në këtë vend gjenden disa gjurmë të kulturës islame të pashpjeguara deri më sot. Në një shkëmb, jo fort të madh, nja 500 metra larg fshatit, gjendet vendi i quajtur “Guni i haxhisë”, ku kemi gjurmët e shenjtorit të gdhendura në gurë, duke marrë në shenjë këmbët e kalit, dhe pak më andej, disa metra larg, kemi një karrige të gdhendur, të thelluar në gurë, ku njerëzit ulen, këputin një pe nga petkat e veta dhe pushojnë një çikëz. Legjenda thotë se ulja në këtë karrige dhe pushimi i shkurtër në të është shërues. Më tej, 300-500 metra kemi vendin e quajtur “Vorri i madh”, i muruar në gurë, në formë katërkëndëshi, me një dollap të vogël (zgavër) për të lënë para, vezë pule e gjësende të tjera. Ky varr edhe sot nderohet e vizitohet. Për dimensionet dhe karakteristikat e tjera nuk mund të flas për shkak të kushteve specifike kur po shkruhet ky tekst. Po ashtu, disa kilometra më tej gjendet “Shpella e Madhe” e Zgatarit, ku sipas legjendës, hazreti Aliu ka luftuar kundër dragoit dhe e ka mbytur atë, sepse ky i paska ngujuar në shpellë banorët e fshatrave, sidomos femrat e reja.
Duke i marrë për bazë shpjegimet e Mark Tirtës si ekspert, dhe duke i marrë parasysh ngjashmëritë e mëdha midis gjurmëve materiale që i ofron M. Tirta dhe ata të fshatit Zgatar, marr guxim që kompetentëve t’ua shtroj këto të dhëna për hulumtime e studime të mëtejme e me kompetencë, dhe njëherit që këto fenomene të rralla mos t’i dëmtojë koha e mbulojë harresa.
Shënimet për fshatin Zgatar po i ofroj sipas mbamendjes vetjake prej para disa viteve dhe sipas rrëfenjave të babagjyshit Hevzi Tefik Ibrahimit (1903-1988), pasi edhe vetë kam prejardhjen nga ky fshat dhe qindra herë kam ecur rreth e qark “Gunit të haxhisë”, “Vorrit të madh”, “Shpellës së madhe të Zgatarit” etj.
[45][45] Mehmet Loci, “Siparunti antik”, Rilindja, gazeta e datës 26.08.1978, Prizren.
[46][46] Shih: H. Kaleshi, op. cit., fq. 88.
Lokacioni i “Sari Salltëkut” në Pejë është larg Siparuntit antik rreth 400 metra. Kohëve të fundit janë bërë disa meremetime nga një rend dervishësh, por pa mbikëqyrje profesionale.
Disa nga të dhënat për Sari Salltëkun në Pejë na i ofroi z. Mehmet Loci, arkeolog nga Peja, gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Dubravës më 27. 08. 1996. Për shkaqe objektive, as këtë, e as objektet tjera për shqyrtim, nuk kemi mundur t’i përcjellim me hulumtime nga terreni, të shënojmë ndonjë gojëdhënë, të bëjmë ndonjë fotografi, skicë etj.
[47][47] Skender Rizaj, op. cit., fq. 49.
[48][48] Muharrem Cërabregu, Gjeografia kulturore në harta dhe në regjistrime gjeografike, në: Studimi etnografik i ndryshimeve bashkëkohore në kulturën popullore shqiptare, Prishtinë, 1990, fq. 195.
[49][49] Hasan Kaleshi, op. cit., fq. 92.
[50][50] Ibid., fq. 89.
[51][51] Ibid., fq. 90-91.
[52][52] Prizren salnamesi Pirzerin vilayeti, Prizren, 1874, sipas: M. Osi, op. cit., fq. 157. Krhs.: Aleksandar Matkovski, op. cit., fq. 273, 275, 278.
[53][53] Zaduzbine Kosova, … Prizren, Beograd, 1987, fq. 497, sipas: M. Osi, op. cit., fq. 157.
[54][54] Hasan Kaleshi, op. cit., fq. 89. Krhs.: Aleksandar Matkovski, op. cit., fq. 273.
[55][55] Aleksandar Matkovski, op. cit., fq. 278; Jashar Rexhepagiq, op. cit., fq. 88, dhe: Muzaffer Tufan, op. cit., fq. 320, sipas: M. Osi, op. cit., fq. 163.
[56][56] Shih: Evlija Celebi, Putopis, Sarajevë, 1979, fq. 427.
[57][57] Kemal H. Karpat, op. cit., fq. 96.
[58][58] ANA BRITANICA, op. cit., fq. 175.
Jean Deny në “Les Tures des Envirous de Selanique” cek se një prej shtatë varreve të Sari Salltëkut gjendet në brigjet e liqenit të Ohrit, sipas: M. Tufan, op. cit., fq. 940 – 941.
[59][59] Hasan Kaleshi, op. cit., fq. 99.
[60][60] Salltëk-nameja - Libri që përmbledh gojëdhënat popullore e që është hartuar me kërkesë të të birit të Mehmetit II, Xhem Sulltanit rreth viteve 1471-1480. Ky e obligon Ebu’l-Hajr Rumiun që mblidhte tregimet kushtuar Sari Salltëkut. Në Muzeun “Topkapi – Saraj” ruhet shkrimi më i veçuar për Sari Salltëkun, që daton nga viti 1591. Sipas këtij shkrimi, emri i vërtetë i tij është Sherif Hëzër. Më gjerësisht: ANA BRITANICA: Genel Kültür Ansiklopedisi, op. cit., kaptina 27, fq. 175.
Shih për këtë problem: Halil Inalxhik, op. cit, fq. 269 – 274 dhe 280.
P.S. Pjesët e shkruara turqisht nga kjo enciklopedi turke i përktheu shoku shumë i nderuar, z. Shaban (Aziz) Basha nga Prizreni, dhe kështu i bëri një shërbim të madh fjalës së shkruar. Autori.
[61][61] ANA BRITANICA, op. cit., fq. 175.