Tefsiri dhe termët e ngjashëm te ekzegjezës së Kur’anit

Andrew Rippin



Tefsiri dhe termët e ngjashëm
te ekzegjezës së Kur’anit


Botues: SH.B. Zëri islam, Prizren, 1422/2001



Hyrje


Tesfiri është fjalë arabe me domethënie interpretimi; ky, thënë më qartë, është term i përgjithshëm që përdoret në lidhje me të gjitha llojet e literaturës e cila është koment i Kur’anit. [1]



Tefsiri dhe termët e ngjashëm

Fjala tefsir është përdorur në Kur’an vetëm një herë (Furkan, 33), por kjo s’është shumë befasuese, sepse shumica e termave teknikë të inkuadruar në ekzegjezën muslimane kanë qenë të nxjerra dhe të adaptuara qoftë nga fusha e traditës retorike, qoftë nga fusha e traditës juridike. Në rastin e tefsirit duket se kjo fjalë është zhvilluar nga deskribimi i figurës poetike ku një gjysëmvarg permban shpjegimin e gjysëmvargut që i paraprinë.

Në burimet e ndryshme arabe ekzistojnë diskutime të shumta që merren me domethënien precize të termit tefsir dhe me raportet e tij me fjalët tjera teknike sikur që janë me’ani, te’ vil dhe sherh, prej të cilëve interpretimin të gjithë e konotojnë në një mënyrë të caktuar. Fjala me’ani që tekstualisht d. m. th. kuptimet, jep përshtypjen se është termi më i vjetër i rëndësishëm që është përdorur për titullimin e veprës mbi komentimin e Kur’anit. Te’vili, tekstualisht ajo që është e lidhur me nocionin “kthimi fillimit”, është futur vonë, ndoshta, në shekullin e tretë sipas hixhretit (shek. i X i hershëm sipas Krishtit), si term i përgjithshëm për veprat mbi interpretimin e Kur’anit, mirëpo te’vili në shek. XI e. r. është qitë (nga përdorimi) nga ana e termit tesfiri. Sa i përket sherhit duket se në rend të parë është rezervuar për qëllime profane siç janë komentet e poezive, por gjithashtu është aplikuar edhe për mbikomentet (superglosat, N. I.) e Kur’anit. Vatra e parë e diskutimit, e cila ndodh sigurisht në fillim të shekullit të dhjetë dhe në të cilën janë të inkuadruara figurat e atilla qendrore të ekzegjezës së hershme të Kur’anit sikur që janë Ebu Xha’fer et–Taberiu (vdiq më 923) dhe Ebu Mensur el-Maturidiu (vdiq më 944), ka qenë diferencimi i tefsirit nga te’vili. Që të dy këta komentues të rëndësishëm, ta theksojmë këtë, e përdorin fjalën te’vil në titullin e komenteve të tyre të Kur’anit: Xhami ‘ul bejan an te’ vili ajati’l–Kur’an (Grumbull shpjegimesh mbi komentimin e ajeteve te Kur’anit), përkatësisht Te’vilatu’l-Kur’an (Komentimet e Kur’anit). Çështja themelore që shtrohet i përket mënyrës se si do të mund të shfrytëzohet materiali tradicional që të fitohen të dhënat ekzegjete. Te’vil, sipas mendimit të disa dijetarëve, është interpretimi i Kur’anit, i cili nuk ka nevojë për traditën dhe zë fill në arsye, në mendimin vetjak, hulumtimin individual apo në përvojë, deri sa tesfir është i bazuar në materialin (hadith), i cili është transmetuar me anë të zinxhirit të autoritetit nga periudha më e hershme e Islamit kurse është e preferueshme që materiali të jetë nga vetë Muhammedi (a. s.) apo së paku prej një nga shokët e tij. Mirëpo, kjo pikëpamje, pa dushim, është e paqartë, për shkak se diferencimet tjera të propozuara ndërmjet te’- vilit dhe tefsirit ofrojnë shpjegime të këtilla të thjeshta. P. sh. Mukatil ibn Sulejman, ekzegjet i hershëm (vdiq më 767 ) e manifeston distinkcionin ndërmjet tesfirit dhe te’vilit ashtu që tefsirin e merr sikur atë që është e njohur në rrafshin njerëzor, kurse te’vilin sikur atë që është e njohur vetëm për Zotin. Sipas pikëpamjes së ngjashme, tefsiri aplikohet në pasazhet e Kur’anit me një interpretim, kurse te’vili në ato pasazhe që kanë aspekte të shumëfishta. Komplikimi i mëtejshëm pastaj është indicuar natyralisht me vetë titullin e tefsirit të et-Taberiut: d. m. th. te’vil do të mund të përdorej për veprën e cila tërësisht është e orientuar tradicionalisht, së paku sipas formës themelore. Sugjestioni i cili më tej paraqitet është se diskutimi mbi tefsirin dhe te’vilin shpie në gjurmë prapa deri te diskutimet më të hershme sektashe në Islam, ndërmjet bashkësisë dhe njohësit kryesor, dhëndërrit dhe kushëririt të Muhammedit (a. s.), Alij ibn Ebi Talibit (vdiq më 66l e. r.) ... i cili ka dëshiruar ta përvetësojë fjalën te’vil që të dëftojë në interpretimin e pjesëve të fshehta (d. m. th. ezoteriste) te Kur’anit.

Po ashtu, duhet cekur se termët tefsir dhe te’vil nuk janë në të vërtetë pronë ekskluzive apo çështje e muslimanëve. Hebraikët dhe kristianët që kanë shkruar komente të Biblës në gjuhën arabe kanë përdorur të dy fjalët ...



Qëllimi i tefsirit

Komenti ka për qëllim të sqarojë tekstin. Tefsiri merr si pikë të vetën fillestare tekstin e Kur’anit, duke i kushtuar kujdes të plotë vetë tekstit që domethënien e tij ta bëjë të qartë. Ai, poashtu, vepron njëkohësisht që ta harmonizojë këtë tekst konform situatës prezente të interpretëve. Me fjalë tjera, pjesa kryesore nuk është e pastër teorike: ajo ka aspekt mjaft praktik që përbëhet prej përgatitjes së tekstit që të jetë i zbatueshëm në fe dhe në mënyrën e jetës së besimtarit. I pari nga këto dy aspektet interpretative përgjithësisht është nxitur me problemet e pazgjidhura në domethënie për shkak të detajit të pamjaftuar, brenda kundërthënies tekstuale apo për shkak të domethënieve të paaplikueshme. Interpretimi, i cili e harmonizon tekstin varësisht prej situatës shërben për atë që ta pajtojë me traditat e konstatuara shoqërore, me pikëpamjet juridike dhe me arsyetimet doktrinale.

Shkaqet tjera praktike po ashtu mund të shënohen në krijimin fillestar të tefsirit si një entitet. Si përhapej Islami, numër i madh njerëzish e kanë pranuar që nuk kanë ditur arabisht; interpretimi, nganjëherë në trajtë përkthimi (ndonëse në këtë zyrtarisht shikohej me mosmiratim), dhe përshtatjet tjera në arabishten e thjeshtë që nuk përmbante paqartësi dhe vështirësi të tekstit origjinal kur’anor, kanë synuar kah qasja më e lehtë drejt librit. Pos kësaj, ka ekzistuar problemi bazor i vetë tekstit dhe asaj si do të lexohet ai. Alfabeti i hershëm arab ishte i papërkryer sipas diferencimit të shkronjave të alfabetit dhe vokalizimit të tekstit; edhe pse këtu më në fund u paraqit sistemi zyrtar i leximit (kira’at), i cili ka konfirmuar për shtatë përcaktuesit themelor të vokalizimit të tekstit (me përcaktimin e mëtejshëm të varianteve, të cilat ende deri në masë të caktuar janë të mundura), në periudhën më të hershme duket se është gëzuar liri më e madhe sa i përket tekstit. Kjo liri shtrihej deri te struktura konsonantike e tekstit dhe ka qenë e legjitimuar nëpërmjet botëkuptimit të kodifikimeve të ndryshëm të Kur’anit në të qenmit e tyre të hershëm, prej të cilave secila ka qenë me karakteristikat tekstuale vetjake. Dallimet ndërmjet këtyre versioneve dhe tekstit të mëvonshëm, zyrtar të Osmanit (nëse diskutimet kanë mund të shënohen nga ana e ekzegjetëve) sikur edhe variantat te krijuara nga sistemet e ndryshme zyrtare të vokalizimit kanë kërkuar pastaj shpjegim dhe arsyetim që të mbështeten pohimet se një lexim i veçant ka siguruar kuptimin më të mirë tekstual. Rezultati skajor ka qenë se tefsiri ka vepruar që të krijohet teksti i fuqishëm i librit të shenjtë brenda të cilit lindin kufinjt e caktuar të kira’etit.


Burimet e tefsirit

Tradicionalisht konsiderohet se tefsiri është rritur si praktikë natyrale, i cili mbanë prejardhje prej Muhammedit (a. s., N.I.) e pastaj ka vazhduar të zhvillohet organikisht nga ajo që më tej është percaktuar; materiali më i hershëm që ka lindur kështu është i njohur si tefsir ‘im-Nebij (komentimi i Kur’anit nga i Dërguari i All-llahut). Shumë shokë të Muhammedit (a. s.) dhe disa besimtarë të hershëm po ashtu janë të dalluar si personalitete të rëndësishme që patën filluar të komentojnë Kur’anin dhe t’i mësojnë njerëzit saktë për atë çfarë ka qenë të kuptuarit e tyre të tekstit; personaliteti qendror ndër ta ishte Abdullah ibn Abbasi (vdiq 687), i cili e ka merituar titullin terxhuman ‘ul - Kur’an (interpretues i Kur’anit).

Debata që rreptë zhvillohet në literaturën shkollore mbi karakterin e tefsirit të hershëm sidomos lëviz rreth idesë së kundërshtimit të aktivitetit të tillë në periudhën e hershme Islame. Mendimin e këtillë i pari e ndan Ignaz Goldziheri në veprën Drejtimet e komentimit islam të Kur’anit (Die Richtungen der islamischen Koranauslegung, Leiden, l920); në bazë të deklaratave tradicionale muslimane në lidhje me halifin Omer (vdiq 644).dhe dënimin e tij të një njeriu (të cilin llojllojshëm e identifikojnë) për shkak se i ka komentuar pasazhet e paqarta nga Kur’ani, Goldziheri përfundon se nuk është lejuar komentimi i ajeteve kur’anore që merren me legjendat historike dhe me eskatologjinë. Harris Birkeland në studimin Kundërshtimi i lashtë muslimanë ndaj komentimit të Kur’anit (Old Muslim Opposition against Interpretation of dhe Koran, Oslo, l955) ka refuzuar këtë pohim në bazë të vlerësimit të tij vetjak të deklaratave tradicionale që e kanë shtyrë në mendimin mbi disa kontradikta sidomos mbi viktimën e rrahur dhe mbi atë se a ka qenë dënimi i tillë në pajtim me karakterin e Omerit. Birkeland ka pohuar se në vend të kundërshtimit të përgjithshëm të tefsirit, fare nuk ka pasur kundërshtime në shekullin e parë muslimanë, dhe se opozita e fortë ndaj tefsirit është paraqitur në shekullin e dytë dhe se pas kësaj kohe aktiviteti i tefsirit ka hyrë në sferën dhe nën ndikimin e mësimit ortodoks dhe kërkesave të tij. Më pastaj janë futur metodat strikte për transmisionin e informatës, që ka formuar bërthamën e procedurës interpretative dhe në këtë mënyrë tefsiri ka fituar konsideratë të plotë. Nabia Abbott, në një ekskurs veprës së tij Studies in Arabic Literary Papyri II: Qur’anic Commentary and Tradition (Chicago, l967) sërish ka konfirmuar ndarjen e Goldziherit të kundërshtimit të hershëm ndaj tefsirit në bazë të deklaratës tradicionale se personaliteti për të cilin është fjala vërtet ka ekzistuar dhe se rrahja ka qenë në pajtim me karakterin e Omerit. Për Nabia Abbott, ndërkaq, kundërshtimi i komentimit të Kur’anit ka qenë e kufizuar në interpretimin e kategorisë specifike të ajeteve të paqarta (muteshabihat); ky është pohim të cilin ajo e mbështet në materialin tradicional biografik i cili indicon se ata njerëzit që përmenden si kundërshtarë të tefsirit në të vërtetë edhe vetë kanë përcjellë shumë nga ky material. Andaj, për Nabi Abbottin, i vetmi kundërshtim ndaj tefsirit që kurdoherë ka ekzistuar ka qenë në lidhje me ajetet dykuptimëshe apo të paqarta. Mirëpo, pikërisht ajo që kuptohet na “ajetet e paqarta” “është fshehur në këtë argument. Në të vërtetë, ekzegjetët asnjëherë nuk janë pajtuar dhe kurrë nuk do të pajtohen cilat ajete janë të paqarta, apo madje ç’do të thotë kjo shprehje. Disa gjera i janë të paqarta një personaliteti, deri sa i janë shumë të qarta personalitetit tjetër shpesh edhe për shkak të botëkuptimeve të ndryshëm (sidomos religjioze) në këtë materie.

Problemi kryesor duke i marrë parasysh të gjitha këto shqyrtimet është mungesa e dëshmive të mirëfillta me rezultatin që argumenti i fundit të mbetet spekulativ. Evidenca e dorëshkrimeve mezi arrinë mbrapa deri te shekulli i tretë sipas hixhretit (shekulli IX e. r.), në fillimin e së cilës tashmë ishin paraqitur disa lloje komentesh. Pjesa kryesore e materies që gjendet në këto tekste duket se ka prejardhje në kontekstin e devotshmorësi popullore (siç është praktika gjysmëliturgjike dhe predikimi) apo në mjedisin narrativ të cilin e kanë furnizuar narratorët endacak (kussas) dhe rrëfimi i tyre didaktik dhe homiletist, i cili ka pasur për qëllim t’i përmirësojë ndjenjat religjioze të shumicës së banorëve të paarsimuar. Me fjalë tjera, prodhimi i tregimeve argëtuese qe çelësi për zhvillimin e tefsirit. Nga ky këndvështrim, tërë diskutimi për fillet e tefsirit që kanë zhvilluar Goldziheri, Birkelandi dhe Abbotti, para së gjithash mbetet i tepërt.


Legalizimi i tefsirit sipas Kur’anit

Edhe pse Kur’ani në mënyrë eksplicite nuk pohon se atë duhet komentuar, komentuesit ishin në gjendje të arsyetojnë profesionin e tyre, të kryer me shekuj, me të udhëzuarit në vetë tekstin e Kur’anit. Pasazhi më i njohur dhe më problematik në këtë pikëpamje është në suren Ali Imran, ajeti 5-6, në termilogjine e së cilës janë udhëzuar disa herë në pjesët paraprake:

“Ai ty ta shpall librin, në të ajetet janë të qarta (muhkemat), ata janë pjesa kryesore e Librit, e të tjerët janë me pak të qartë (muteshabihat). Ata zemrat e të cilëve janë të prishura: me prirje kah shpifja dhe shpjegimi i tyre (te’vil) – ndjekin ata që janë më pak të qartë. Kurse shpjegimin e tyre (te’vil) e di vetem All-llahu. Ata që janë të udhëzuar mirë në shkencë flasin: Ne besojmë në ta, çdo gjë është nga Krijuesi ynë!” – E vetëm ata që kanë arsye kuptojnë”

Ky pasazh konstaton dy kategori komentesh të cilat mbase është më lehtë të kundrohen si “të qartë” (muhkem) kundruall “të paqartëve” (muteshabihat). Shumë përkthime të ndryshme të identifikimit janë përdorur për muteshabihat, prej të cilave disa paraqesin hermentikisht kategori të parëndësishme (p. sh. identifikimi i “shkronjave (harfeve të fshehta” që u paraprijnë shumë sureve si “muteshabihate”), deri sa të tjerat duken shumë më të vlefshme (p. sh. identifikimi i të gjitha ajeteve me më shumë se një aspekt interpretativ si “muteshabihat”). Mirëpo, madje edhe më thelbësore këtu është punktacioni i këtij ajeti. Teksti burimor arab nuk jep kurrfarë shenje ku duhet pushuar apo ku të bëhet pauza, si rezultat i kësaj ka qenë po ashtu e mundur të lihet pjesa e fundit e pjesës së cituar kështu:

“Kurse shpjegimin e tyre (te vil) e di vetëm All-llahu dhe atë që janë të udhëzuar mirë në shkencë dhe të cilët thonë “Ne besojme në ta, çdo gjë është nga Krijuesi ynë”.

Me leximin e këtillë, detyra interpretative nuk është kufizuar në ushtrimin mjaft të shtirë të përgatitjes së qartësisë së plotë përndryshe të ajeteve të qarta. Ajetet e paqarta po ashtu bëhen synim për komentuesit dhe me këtë ide, të përkufizuar në një mënyrë vetjake , rruga për krijimin e tefsirit për çdo ajet të Kur’anit qe e hapur.



Paraqitja e literaturës së tefsirit

Duket se është mjaft e sigurt se veprat e shkruara të tefsirit filluan të lajmërohen më së voni në shekullin II sipas hixhretit. Dokumentacioni fillon të shumëzohet kah fundi i kësaj periudhe, kurse mënyrat e ndryshme të analizës (p. sh. vrojtimi ndaj drejtimeve konvergjente të transmisionit të tekstit) poashtu shpjerë në mendimin se kjo është periudhë më e hershme që lejoi të hulumtohet. Lajmërimi i vetë literaturës mund të analizohet nëpërmjet kategorive të ndryshme të cilat jo vetëm që dëftojnë kualitete dinstinktive letrare dhe dallime të teksteve por poashtu shpiejnë në mendimin për përcaktimin e tyre relativ historik të përgjithshëm. John Wansbrough në veprën e tij Quranic Studies Sources and Methods of Scriptural Interpretation (Oxford, l977) propozoi pesë kategoritë vijuese: narrative (haggadike), juridike (halahike), tekstuale (masoretike), retorike dhe alegorike. Deri sa rrjedha historike e ketyre aspekteve të komentimit të Kur’anit vetvetiu mund të jetë e hapur për debatë. Vetë kategorizimi është në mënyrë të mirëfilltë shkencore, funksionale, njëtrajtëshe dhe e kuptueshme.



Tefsiri narrativ


Tefsiri narrativ është përfaqësuar me shembullin në tekstin nga Mukatil ibn Sulejmani, i cili më vonë mori emrin Tefsir-ul-Kur’an (Komenti i Kur’anit), ndonëse është e dyshimtë se ky ishte emri i tij fillestar, e po ashtu është futur në pjesët e ndryshme të veprës së Ibu Is’hakut (vdiq 768) Siretu Resulillah (Jeta e të Dërguarit të All-llahut). Krijimi i disa rrëfimeve moralo këshilluese, përgjithësisht të zmadhuara me anë të folklorit nga tërë bota e Lindjes së Afërt (duke i futur edhe trashigimitë e Bizantit, Persisë dhe Egjiptit, e sidomos trashigiminë e milieut judeo-kristian) është karakteristika kryesore e komenteve të këtilla të Kur’anit. Hollësitë plotësuese për librin e shenjtë, i cili fletë në skica dhe përgjigjja në shumë pyetje nga bota të cilat njeriu kurreshtar do t’i shtrojë kur të takohet me pasazhet e librit të shenjtë që nuk kanë kontekst, të gjitha këto janë përmbajtjet qëndrore të llojit të këtillë, rrëfyes të tefsirit. Në të vërtetë, rrëfenjza ekzistuese bëhet se është me rëndësi të dorës së parë; teksti i librit të shenjtë mbetet nën vetë rrëfimin, shpesh i nënshtruar që të hartohet rrëfimi që me elokuencë rrjedh.


Tefsiri juridik

Mukatil ibn Sulejmani sërish është pika qëndrore edhe në zhvillimin e komentit juridik të Kur’anit. Këtu klasifikimi i materialit bëhet indikatori i parë i këtij lloj komenti; deri sa në tefsirin rrëfyes rendi i rrëfimeve të librit të shenjtë në pjesën më të madhe shërben si skeleti themelor, për materialin juridik kriteri definitiv është klasifikimi tematik. Fakti se përmbajtja ekzistuese e tefsirit juridik të Mukatilit është me emrin Tefsir hams mi’ah ajeh mine’l-Kur’an (Komentimi i pesëqind ajeteve nga Kur’ani) sigurisht të derivuar nga tefsiri i tij rrëfyes zbulon se kriteri i parë me të vërtetë është forma e veprës.

Tefsiri i Muhabilit përfshin temat vijuese: besimi, namazi, zekati, agjërimi, haxhi, ndëshkimi, trashëgimi, kamata, alkoholi, martesa, shkurorëzimi, prostitucioni, vjedhja, borxhet, kontraktimi dhe lufta. Klasifikimi i këtillë i temave afron indikacion evident mbi natyrën e pjesës kryesore të materialit në Kur’an, për të cilin është konstatuar se është me rëndësi juridike.



Tefsiri tekstual


Aktivitetet të orientuara në shpjegimin e fjalorit të librit të shenjtë, krahas gramatikës së tij dhe leximeve të ndryshme, janë në qendër të vëmendjes së komentimeve tekstuale. Një nga tekstet më të hershme të kushtuara tipit të këtillë të analizës është nga fitologu el-Ferra’i (vdiq 822) me titull Me’ani-l-Kur an (Domethëniet e Kur’anit). Ky është krejtësisht vepër teknike që para së gjithash shpjegon pikat e rënda gramatikore dhe variantet tekstuale. Vepra e Ebu Ubejdes (vdiq 838) Feda’il’ul-Kur’an (Vlerat e Kur’anit ) është e ngjashme me veprën e el-Ferrait, ndonëse më me dëshirë është ndarë sipas temave, se sa sipas rrjedhës së rregullimit kur’anor, që është rasti me veprën e el-Ferrait. Ekzistojnë gjithashtu tekstet më të hershme më të lehta duke e llogaritur tekstin e Mukatil ibn Sulejmanit Kitab‘ul-wuxhuhi we’n-nedhairi (Libri mbi kuptimet e fjalëve dhe krahasimet) dhe teksti i el-Kisait (vdiq 804) Mushtebihatu’l-Kur’an (Pjesët e ngjashme të Kur’anit). Të dy këto vepra i janë kushtuar analizave semantike të tekstit kur’anor. Teksti i Mukatilit kompilon regjistrat e përdorimit të ndonjë fjale sipas numrit të kuptimeve dhe domethënieve (wuxhuh) të fjalës së dhënë; vepra e el-Kisait u ngjanë atyre, por më tepër merret me fraza se sa me fjalët individuale.



Tefsiri retorik

Preokupimi me veçoritë letrare të librit të shenjtë është pika qendrore e veprës siç është Mexhaz’ul-Kur’an (Ekspresioni letrar i Kur’anit) nga Ebu Ubejde (vdiq 824), ndonëse filli i kësaj lloj analize do të mund të ndihmojë për komentimin tekstual (me përqëndrim në gramatikë) para se tipit të pastër letrar të ekzegjezës. Nxitja për zhvillimin e tefsirit retorik si lloj të veçantë ishte, ndër të tjera, edhe në krijimin e nocionit mbi karakterin mallëngjyes të Kur’anit dhe në dëshmitë letrare për karakterin e tillë. Edhe pse kjo u bë mësim i plotë tek në shekullin e katërt sipas hixhretit, rrënjët e tij ekzegjete gjenden ketu. Vepa Te’vil mushkil’il-Kur’an (Komentimi i vendeve të rënda në Kur’an) nga Ibni Kutejbe (vdiq 889) dëftohet si pika e rëndësishme transmetuese ndërmjet këtyre analizave më të hershme retorike të bazuara në imtësitë (humbakohat) gramatikore dhe ekzegjete dhe analizat e doktrinës së pastajme mbi karakterin mallëngjyes apo mbi pamundësinë e imitimit të Kur’anit (I’xhaz). (Për diskutim më të gjerë shih termin I’xhaz). Në këto tekste kujdesi u është kushtuar kualiteteve letrare të Kur’anit të cilat vendosin atë jashtë normës së prozës dhe poezisë arabe,...


Tefsiri alegorik

Mbështetje për mendimin disident në Islam përgjithësisht është gjetur në ex post facto nëpërmjet lehtësisë dhe përshtatshmërisë së komentimit alegorik të Kur’anit. Tefsiri sufist i Sehl Tustariut (vdiq 896), që zë fill në diferencimin terminologjik të dhahirit si histori, “tekstualisht”, dhe batinit si allegoria, “simbolisht”, shërben si shembull i trendit të këtillë në të komentuarit e Kur’anit në periudhën më të hershme. Në këtë vepër ndërkaq, nuk është bërë orvatje që të sigurohet interpretimi i përgjithshëm alegorik i Kur’anit; vepra më me dëshirë merret me pasazhet e ndara nga teksti i librit të shenjtë dhe i kundron në dritën e përvojës mistike. Në tekstin e Tustariut çfarë e kemi sot ndiqet rregulli i librit të shenjtë, ndonëse kompilacioni fillestar nuk ka mund ta ndjek një rend të atillë. Rreth një mijë ajete (prej rreth 6200) në Kur’an janë përfshirë në këtë mënyrë.

Vetë komenti, i cili ka strukturë inkoherente dhe lexohet në mënyrë logjike të ndërprerë, përfshin shumë më tepër se interpretimi i mirëfilltë alegorik: legjendat mbi pejgamberët e lashtë, rrëfimet mbi Muhammedin a. s., e madje edhe disa rrëfime për vetë autorin e librit po ashtu kanë gjetur vendin e tyre. Nuk haset në ndonjë synim të përgjithshëm për temat mistike; në të vërtetë, karakteri i përgjithshëm i kësaj vepre është fragmentar. Pjesët ezoterike të tekstit janë klasifikuar reth modifikimeve tipike sufiste mbi Kur’anin, secili duke marrë fjalën vendimtare nga teksti. Interpretimi alegorik në këtë rast bëhet po aq proces i bashkimit tematik të tekstit sikur edhe ndonjë nga komentet tekstuale.


Konsolidimi i tefsirit klasik

Me shekullin e katërt hixhrij (shek. X e. r.) paraqiten veprat e mirefillta të tefsirit, të cilat në mënyrë të ndryshme kombinojnë pesë elemente formative, të cilat më parë i përshkrova. Sinasi i parë i tipit të këtillë të tefsirit është tefsiri i Taberiut, Xhami’ul-bejan an te’vili ajat’il-Kur’an, i cili i tubon bashkërisht në kompendium thëniet nga autoritetet më të hershme të cilët merren me shumicën e aspekteve të Kur’anit. Është siguruar analiza ajet pas ajeti, secili hollësisht i eskpozuar me praktikisht çdo trend interpretativ të rëndësishëm (përveç atij sektar). Materiali që është plotësuar në këtë mënyrë është dhënë në formën e tij të plotë, komplet me zinxhirin e transmetuesve për çdo ajet të informatës, duke i dhënë çdo pohimi peshën e traditës. Ky tip vepre klasikisht është quajtur “tefsir bi’l-me’thur” (Komentimi i Kur’anit me traditë) si i kundërt me “tefsirin bi’rr-rre’ji” (Komentimi i Kur’anit sipas mendimit), por këto kategori janë mashtruese. Taberiu kujdeset edhe për komentimin e tij personal, qoftë ky në mënyrë implicite me anë të seleksionimit redaktorial të materialit apo në mënyrë eksplicite duke e shprehur mendimin e tij aty ku ekzistojnë trendet e ndryshme të komentimit, nganjëherë madje shkon kundër tërë traditës së theksuar duke e siguruar pikëpamjen e tij vetjake; në këtë kuptim kjo vepër është, po ashtu, tefsir bi’rr-rre’ ji .

Në shekujt pas Taberiut tefsiri si aktivitet rritet dhe bëhet gjithnjë e më shumë artificial dhe në disa raste arrinë përmasa të mëdha. El-Maturidiu (vdiq 333 h./944), Ebu Lejth es-Samerkandiu (vdiq 983 ?), eth-Tha’lebiu (vdiq l035) dhe el-Vahidiu (vdiq l075) të gjithë janë personalitete të dalluara, të cilët në shekullin e katërt dhe të pestë sipas hixhretit kanë shkruar vëllime të tefsireve, nganjëherë, siç është rasti me el-Vahidiun, në shumë botime.

Përmbajtjet teologjike filluan të bëjnë ndikim gjithnjë e më të madh në tefsir në këtë periudhë; ky është trendi i cili arrinë kulminacionin në produksionin e komenteve më të njohura kur’anore në botën muslimane, me komentin e racionalistit mu’tezilit të ez-Zamahsheriut (vdiq 1144), filozofit Fahruddin err-Rraziut (vdiq l209) dhe tradicionalistit sunnit el-Bejdaviut (vdiq diku ndërmjet l286 dhe l3l6). Ndër këta autorë, sikur edhe ndër të tjerë, hapen debatat mbi çështjet qendrore të teologjisë islame dhe pozicionet e ndryshme që gjenden në Kur’an. Temat që janë të hapura inkuadrojnë çështjet e vullnetit të lirë dhe predestinacionit, të atributeve të All-llahut, të natyrës së Kur’anit, të imponimit të obligimeve juridike, të natyrës dhe të vëllimit të botës së ardhshme, e të tjera. Mu’teziliti ez-Zamahsheriu ka vendosur në komentin e tij El-Keshshaf an hakaiki gavamidi‘t-Tenzil (Zbuluesi i të vërtetave nga sekretet e shpalljes) që interpretimin e Kur’anit ta mbështetë në arsye. Kundërthëniet evidente ndërmjet ajeteve të Kur’anit janë zgjidhur në dobi të doktrinave të mu’tezilitëve mbi unitetin dhe drejtësinë e Zotit. El-Bejdaviu e ka produkuar një version të redigjuar të tekstit të er-Zamahsheriut në Envar’ut-tenzil ve asraru ‘t-te’vil (Dritat e shpalljes dhe sekretet e interpretimit) e tij, duke i mënjanuar nëpërmjet atij procesi shumicën e tendencave mu’tezilite dhe duke e sintetizuar materialin e Keshshafit në një formë më koncize. Komenti i pambaruar i Err-Raziut Tefsir Mefatihu’ l-gajb (Çelësat e të panjohurës), diskuton për Kur’anin në kategoritë e filozofisë racionaliste, e cila në pjesën më të madhe përfshin hedhjen poshtë të pozicionit mu’tezilit dhe i ofron mbështetje ortodoksisë. Qeniet njerëzore, për er-Rraziun, janë të paracaktuara, kurse lirinë dhe fuqinë e Zotit racionaliteti njerëzor nuk mund të kufizojë.

Veprat e tefsirit me karakter enciklopedik në gjurmë të traditës së et-Taberiut kanë vazhduar, po ashtu, t’i shkruajnë anëtarët sikur ibn Kethiri (vdiq l373), esh-Shewkani (vdiq l839) dhe el-Alusi (vdiq l854). Trendi i kundërt kundër sintetizimit e arriti kulmin e tij, nëpërmjet kategorive popullarizuese të të shprehurit, me Tefsiru’l-Xhelalejnin, të cilin e shkruan Xhelaluddin es-Sujuti (vdiq l505) dhe Xhelaluddin el-Mehal-li (vdiq l459).


Specializimet brenda tefsirit klasik

Deri sa komenti gjithëperfshirës shënon aktivitetin e dalluar ekzegjetë në periudhën klasike, fusha e studimeve të specializuara kur’anore krijohet në kohën e njëjtë, duke e siguruar tefsirin me disa nëndisiplina. Disa nga disiplinat janë vazhdim i zhvillimeve më të hershme në tefsir, të tjerat paraqiten nën nxitjet e reja. Kompendiumi i përgjithshëm i informatave mbi këto shkenca paraqitet në disiplinën të njohur si Ulum’ul-Kur’an (tekstualisht “Dituritë e Kur’anit), kurse e përfaqësojnë veprat siç janë: Nukatu’l-intisar li nakli’l-Kur’an (Margaritarët e ndihmës në transmisionin e Kur’anit) nga el-Bakil-laniu (vdiq l0l2), El-Burhan fi ulum’il-Kur’an (Kriteri për dituritë e Kur’anit) nga ez-Zerkeshiu (vdiq l39l), dhe El-Itkan fi ulumi’l-Kur’an (Përsosmëria në dituritë e Kur’anit nga es-Sujutiu. Temat që janë tubuar në këto vepra po ashtu janë objekt i monografive të veçanta nga ana e rrethit të gjerë të autorëve. Këto tema inkuadrojnë nes’h-in (derogimin e ajeteve juridike në Kur’an), esbabu’n-nuzulin (shkaqet e shpalljes së Kur’anit), texhvidin (recitimi i Kur’anit), el-vakf ve’l-Ibtida (pushimet dhe fillimet në racitimin e Kur’anit), Kira’at (variantet e tekstit kur’anor), mersumu’l-hatt (shkruarja e Kur’anit), ahkam (dispozitat e Kur’anit), Garib (fjalët e huaja e të rënda të Kur’anit), i’rab (gramatika e Kur’anit), kisasu’l-enbija (rrëfimet mbi pejgamberët), dhe i’ xhazi (papërsëritshmëria e Kur’anit). Sikur dëftojnë këto tema, vërtet është vështirë të ndahet tefsiri i zhvilluar si nga temat juridike (fikh) ashtu edhe nga gramatika (nahv).


Tefsiri sektar

Paralelisht me zhvillimin e rrjedhës kryesore të tefsirit sunnij muslimanë në periudhën klasike, lajmërohen edhe veprat nga grupacionet tjera të ndryshme muslimane, ku çdo grupacion ndjek cakun e tij vetjak partikular sektar dhe rishtazi orvatet të bëjë që Kur’ani të bëhet lektyrë relevante për pikëpamjen dhe gjendjen e tyre vetjake partikulare.


Shi’izmi

Për shiitët përgjithësisht, autoriteti i imamit të cilët kanë prejardhje nga Ali Ibn Ebi Talibi është përfundimtar në çështjet e komentimit të Kur’anit. Deri sa hadithet që kanë qarkulluar në qarqet sunnite përgjithësisht qenë pranuar, ky material të shiitët shpesh është shtuar apo pëmirësuar nën autorësinë e imamit. Kategoria e ajeteve muteshabihat poasçërisht është përdorur për shiitët, sepse një numër përkatës i ajeteve “të paqartë” mund të kuptohet duke u thirrur në Aliun dhe në familjen e tij. Ajetet e këtilla po ashtu ishin të përdorshëm për “zbulimin” e komenteve penetruese kritike në lidhje me liderët e hershëm të bashkësisë muslimane, Ebu Bekrin (vdiq 634), Omerin (vdiq 644) dhe Othmanin (vdiq 656).

Tefsiri më i hershëm Ithna asherije përkatësisht të shiizmit duodecimalist që ekziston edhe sot duket se deri diku është komenti fragmentar i Ali Ibn Ibrahim el-Kumanit (vdiq në shekullin e dhjetë) me titullin “Tefsir’ul-Kur’an”; veprat tjera të dalluara inkuadrojnë: Et-Tibjan fi tefsiri ’l-Kur’an (Sqarim në të komentuarit e Kur’anit) nga Muhammed ibn el-Hasan et-Tusi (vdiq l067), dhe komenti i rëndësishëm i cili është kompendium i informatave që mund të krahasohet me et-Taberiun, me titullin “Mexhme‘ul-bejan li ulumi ‘l-Kur’an (Përmbledhje sqarimesh për dituritë e Kur’anit) nga autori Ebu Ali et-Tabersi (vdiq ll53 ose më vonë).

Komentimi alegorik i Kur’anit është i preferueshëm në tefsirin shiit dhe këtë si proces i kundrimit të domethënieve të “brendshme” në shumë pasazhe. Mënyra e veçant e aplikimit të metodës së këtillë përbëhet nga ajo që të gjenden referenca për Aliun dhe familjen e tij, e të cilat natyrisht, shërbejnë për t’i furnizuar pohimet shiite mbi pushtetin dhe ligjshmëritë. Për shembull, në tefsirin e El-Kummit, vetë nocioni i Islamit nuk është definuar thjesht si nënshtrim vullnetit të All-llahut, por po ashtu edhe si nënshtrim autoritetit të imamit. Shfrytëzimi i varietetëve tekstuale po ashtu është i pranueshëm në disa vepra të tefsirit, ndonëse kurdo që shiitët kanë qenë të fuqishëm në çështjet politike dhe në tërësi të institucionalizuar, nocionet e tilla përgjithësisht janë refuzuar si diç që është kundër status- quosë. Kjo qe tashmë e saktë deri në një shkallë të caktuar në shekullin e njëmbëdhjetë, por u bë madje pikërisht ashtu me paraqitjen e Safavidëve në shekullin e gjashtëmbëdhjetë. Argument i veçant u paraqit edhe rreth asaj se a është ndërruar ndonjë pjesë e Kur’anit, apo madje është lëshuar, nga ana e Othmanit atëherë kur ai e caktoi tubimin e Kur’anit me synim t’i shkatërrojë pohimet shiite. Pasazhet që drejtonin drejt Aliut qenë të fshirë, kështu sugjerohet në tefsirin shiit. El - Kummi pohon, p. sh., se ekzistojnë ajete në Kur’an “ku shkronjat janë ndërruar me shkronja tjera”, ndërsa thotë se ekzistojnë edhe vende ku “ajetet janë kundërthënëse me atë që All-llahu e ka shpallur” (d. m. th. ata janë kundërthënës apo së paku nuk i mbështesin bindjet shiite). Et-Tabersi pohon, ndërkaq, se ndryshimi i vetëm që ka ndodhë në Kur’an i përket rendit të përgjithshëm të vetë tekstit e jo kontekstit të tij. Një variant i përgjithshëm tekstual që është pranuar nga ana e rrethit të gjerë ndër komentatorët shiitë i përket fjalës ummeh (ummeti - bashkësia), për të cilën besohet se korrektësisht lexohet si e’immeh (d. m. th. liderët) ose imama (e’immeh është pl. nga imam dhe posedon strukturën e njëjtë bazore të konsonanteve sikur edhe fjala ummeh).

Shiitët, sikur edhe mu’tezilitët, shikojnë që Kur’anin ta shfrytëzojnë për mbështetjen e doktrinave teologjike racionaliste të cilat janë elementi vendimtar i sistemit të tyre të besimit: vullneti i lirë dhe Kur’ani i krijuar. Metoda e tyre interpretative është, prandaj, e ngjashme me metodën që e aplikon ez-Zamahsheriu. Ismailitët, po ashtu, e kanë përdorë Kur’anin si pikë referente të teologjizmit të tyre; mësimet ezoteriste të këtij grupi shpesh të karakterizuara si ekstreme, nuk shihen në shumë tekste, por gjenden për shembull në “Mizaxhu’t-tesnimin” (Gjendja dhe rrethanat e Tesnimit) fragmentar, nga Ismail Ibu Hibat-Allahu (vdiq l760). Shikuar përgjithësisht, lëvizja ismailite e shikon domethënien e jashtme të Kur’anit vetëm si simbol të domethënies së mirëfilltë të brendshme. Imami i një kohe dhe epoke, i cili në vete ka të vërtetën, shpalljen e plotë, e përshtatë Kur’anin varësisht aftësive shpirtërore dhe intelektuale të njerëzisë me anë të interpretimit. Në fund, populli do të shpjeret deri te domethenia e plotë e tekstit kur anor, e cila është domethënia esenciale e unitetit të All-llahut. Ky është parashtrimi me të cilin tërë tefsiri ismailit i qaset tekstit kur’anor.

Lëvizja e re beha’ite e konstaton trashëgiminë e vet të qartë islame nëpërmjet ekzistimit të veprave të tefsirit që i ka shkruar në gjuhën arabe Sejjid Ali Muhammed esh- Shirazi (l8l9-l850). I njohur si Bab, d. m. th. “derë / kalim”, ai ka pohuar se është inicuar me ciklin e ri pejgamberik dhe se është bërë pika qendrore e lëvizjes të cilin më vonë e zhvilloi Behai. Nder veprat e tij janë komenti i sures 12, 108 dhe 113 të Kur’anit.

Shikuar përgjithësisht, komentet janë karakterizuar si komentime spiritualiste të eskatologjis, duke i futur edhe nocionet e xhennetit, xhehennemit, vdekjes dhe ringjalljes, të cilat të gjithë përdoren që me to të dëftohet në fundin e ciklit pejgamberik sikur edhe në fundin e botës fizike (edhe pse Zoti e krijon botën fizike më çdo cikël pejgamberik).



Sufizmi

Drejtpërdrejt i lidhur me tefsirin shiit përgjithësisht është edhe interpretimi sufist i Kur’anit, i cili siguron spekulacionin mistik mbi Kur’anin. Ky komentim rëndom vetëveten e arsyeton me anë të aluzionit të aktivitetit mistik për të cilat besohet se i ka praktikuar dhe i ka përmbajtur Muhammedi. Me siguri se Sehl et-Tustariu, të cilin e cekëm më parë paraqet shembullin më të hershëm të tendencës së këtillë të komentimit të Kur’anit. Ebu Abdurr- Rrahman es-Sulemiu (vdiq l0l2) ka tubuar Haka’ik’ut-Tefsir “ (Të vërtet e interpretimit të Kur’anit) e tij nga autoritetet e ndryshëm sufistë dhe nga personalitetet e tjera të rëndësishme. Tërë ky material mund të kuptohet si alegorik, pasi i është kushtuar gjetjes së domethënies së brendshme të çdo pasazhi në mënyrën se është në lidhje me hulumbimin mistik. Shembulli tipik gjendet në komentimin e ajetit të parë të sures XVII (el-Isra), që është referenca klasike në “udhëtimin e natës” të Muhammedit a. s. në qiell, e cila merret si referencë për çdo ngritje mistike në nivele më të larta të vetëdijes. Një sufi tjetër i dalluar, Ebu Hamid el-Gazaliu (vdiq 1111), nuk ka shkruar koment të Kur’anit si të tillë, por ka gjetur shumë raste në të cilat ka shënuar qasjen e tij ndaj librit të shenjtë nga pikëpamja e një sufieti intelektual. Për el-Gazaliun, sikur edhe për shumicën e mistikëve tjerë, veprat mbi Kur’ani merren me dy rafshe: praktike dhe të gnosës. Rrafshi i parë i përket atij unit të brendshëm dhe pastrimit të tij pa mospërfilljen e aktiviteteve të jashtme, deri sa rrafshi i dytë në të vërtetë është domethënie që gjendet në përvojën e brendshme në dritën e mendimit mistik, kurse mund të arrihet vetëm me anë të njohjes së fortë të aspekteve praktike apo të jashtme. Abdurrezak el-Kashani (vdiq l330 ?) ka hartuar mbase tefsirin sufist më të gjerë të njohur, ndonëse ai shpesh gabimisht i atribuohet drejtpërdrejt mësuesit të el-Kashanit, Muhjidin ibn el-Arebiut të njohur (vdiq l240), dhe për shkak të kësaj rëndom është i njohur me titullin Tefsir ibn Arebi (Komenti i Ibn Arebiut). Sikur edhe në rastin e el-Gazaliut, principet e jashtme të fesë nuk plotësohen, edhe pse në kontekst të tefsirit sigurisht janë shzbrapsë nën interpretimin alegorik, që këtu është evident në kategoritë e domethënies ezoteriste të brendshme, sikur edhe në simbolizimin e ndodhive reale në këtë botë.


Filli i tefsirit modern

Ngritja e kolonializmit dhe ndikimi i mendimit perëndimor në shekullin e XVIII dhe XIX vërtet nuk ka qenë fundi i aktiviteteve të tefsirit; në të vërtetë, në kohët e ndryshme bota moderne ka nxitur gjithnjë tepër e më tepër komente të mëdha e të vëllimshme të Kur’anit. Tefsiri modern nuk dallon sipas impulsit të tij themelor nga pandani i tij klasik; tefsiri modern po ashtu dëshiron të harmonizojë tekstin e librit të shenjtë varësisht kushteve të kësaj epoke i cila është bashkëkohore për interpretatorin e Kur’anit.

Ndikimi i shkencës sigurisht ka qenë faktor me rëndësi në krijimin e kërkesave të reja, e po ashtu edhe element i jetës bashkëkohore të cilës pjesa kryesore e tefsirit të hershëm modern ia ka dhënë përgjigjen e vet. Muslimanët nuk e kanë kuptuar porosinë e mirëfilltë të Kur’anit, pohojnë shumica e modernistëve, dhe për këtë shkak kanë humbur kontaktin me shpirtin e vërtetë shkencor, racional të tekstit. Pos kësaj pike bazore, u shfaqen edhe disa elemente që i kanë unifikuar të gjitha interpretimet moderniste të Kur’anit

l) Është bërë përpjekje që Kur’ani të komentohet në dritën e arsyes (“të komentohet Kur’ani me Kur’an”, siç është shprehur kjo shpesh) më me dëshirë se me anë të materialit të jashtëm të cilin e prokuron tradita në formën e raporteve të haditheve dhe komenteve të hershme. “Kthimi drejt burimit” shpesh bëhet motto i qasjeve të këtilla moderniste.

2) Është bërë përpjekje, nëpërmjet përshtatshmërisë së komentimit, që Kur’ani të privohet nga të gjitha karakteristikat legjendare, idetë primitive, tregimet fantastike, magjitë, përallëzat dhe paragjykimet. Komentimi simbolik i Kur’anit është mjet primar për zgjidhjet e këtilla.

3) Është bërë përpjekje që të realizohet mësimi çfarë gjendet në Kur an apo çfarë është arsyetuar me të thirrurit në Kur an.

Pika qendrore më e hershme e aktivitetit modernist të tefsirit u paraqit në Indi. Shah Velijullahu (l703-l762) shpesh konsiderohet për zëdhënës të lëvizjes reformiste indiane, por ky trend arriti lulëzimin e tij të plotë me nëpunësin dhe pedagogun shtetëror indian Sejjid Ahmed Hanin (l8l7-l898), i cili e shkroi tefsirin e parë të rëndësishëm tipik modernist, i cili është titulluar thjesht Tefsir’ul-Kur’an. Komenti i tij është i orientuar drejt asaj që të gjithë muslimanët të bëhen të vetëdijshëm për faktin se ndikimi i Perëndimit në botën bashkëkohore kërkon vizion të ri të Islamit, sepse Islamit, i cili në atë kohë praktikohej dhe në të cilin besohej nga ana e shumicës së pjesëtarëve të tij, seriozisht i kërcënoheshin përparimet në mendim dhe dituri. Ku, pra, të gjendet bërthama e vërtetë e Islamit? Si të përkufizohet qendra e tij? Për Ahmed Hanin përgjigjet në këtë pyetje janë dhënë me të thirrurit në Kur’an, i cili nëse kuptohet drejt nëpërmjet përdorimit të fuqisë së arsyes, mund të sigurojë përgjigje të domosdoshme. Bazë për reformat shoqërore dhe arsimore që kërkohen, për shembull, gjenden në Kur’an. Me kthim në burimin e Islamit feja do të realizohet kurse ardhmëria do të sigurohet.

Në botën arabe Muhammed Abduhu (l849-l905), ithtar i fuqishëm për reformë arsimore, gjithashtu shkroi komentin e Kur’anit i cili rëndom quhet “Tefsiru ‘l - Menar” (Komentimi i el-Menarit) të cilin e plotësoi pas vdekjes së Abduhusë nxënësi i tij Reshid Rida (l865-l935). Ky tefsir sipas pikëpamjes së tij nuk është së tepërmi moderist, mirëpo, tefsiri i Abduhusë nxitë përdorimin e matur të racionalitetit në çështjet e teologjisë dhe përpiqet të dëftojë se Kur’ani para së gjithash duhet të lexohet si burim i udhëheqjes morale për situatën moderne. Aspekti shpirtëror i Kur’anit për Abduhunë është më i rëndësishmi, dhe ai, sikur shumë komentues në të kaluarën, ka qenë plotësisht i gatshëm t’i lë disa gjera në Kur’an të pasqyruara dhe të përqëndrohet në fshehtësinë e tyre më me dëshirë se sa të propozojë zgjidhje për vështirësitë interpretative.

Ky lloj i komentimit të Kur’anit vazhdon deri para pak kohe në botën arabe, kurse e përfaqëson, p. sh. oratori intelektual nga Vëllezërit muslimanë të Egjiptit, Sejjid Kutbi (l906-l959), i cili në veprën e tij “Fi dhilali ‘l-Kur’an” (Në hijet e Kur’anit) e komenton tekstin kur’anor në pajtim me prirjet e tij vetjake të veçanta ideologjike. India, po ashtu, ka prodhuar shumë komente të këtilla. Shembuj janë Ebu l-Kelam Azadi (l888-l959), vepra e të cilit në gjuhën urde “Terxhumanu ‘l-Kur an” (Komenti / Përkthimi i Kur’anit) thekson nocionin e unitetit të njerëzisë, pasi që autori i tij ka qenë i ballafaquar me baticën në rritje që e favorizonte formimin e Pakistanit, dhe Ebu ‘l-A’la el-Mewdudi (l903-l979), autor i veprës “Tefhimu ‘l – Kur’an” (Të kuptuarit e domethënieve të Kur’anit), i cili e shfrytëzoi Kur’anin që të hartojë projektin për shoqërinë e ardhshme islame në Pakistan, e cila do të formohet me anë të partisë së tij politike – Xhema’ati Islami.

Ndikimi i diturisë perëndimore mbase është aspekti më i dalluar i komenteve moderne të Kur’anit. Edhe Ahmed Hani edhe M. Abduhu kanë dëshiruar dhe synuar t’i inkurajojnë vendasit e tyre ta pranojnë pikëpamjen shkencore të Perëndimit, në mënyrë që të marrin pjesë në progresin e botës moderne. Shpesh kjo përpjekje ka pasur për pasojë diç më shumë se deklarimi i thjeshtë se Kur’ani u urdhëron lexuesve të tij që t’u përmbahen dhe të përdorin dijen racionale, por në rrethanat tjera ka pasur për pasojë pohimin historik se Islami e ka zhvilluar diturinë në rend të parë, e pastaj dituria kaloi në Evropë, ashtu që pranimi i pikëpamjes shkencore në situatën e tanishme do të ishte vetëm kthimi mbrapa dhe konfirmim i sërishëm i diçkahit që vërtet ka qenë islame. Trendi diç më shumë dinstiktiv në tefsir lajmërohet, ndërkaq, para së gjithash në personalitetin e Tantavij Xhevheriut (l870-1940) dhe veprën e tij 26 vëllimësh. “El-Xhevahiru fi tefsiri’l-Kur’ an” (Margaritarët në interpretimin e Kur’anit). Zoti nuk do të shpallte Kur’anin, kështu pason argumenti, që në te mos ta ketë inkuadruar tërë atë që njerëzit duhet ta dijnë. Shkenca është, si duket, domosdo e nevojshme në botën moderne, andaj nuk duhet të jetë fare befasuese të gjenden të gjitha shkencat në Kur’an vetëm nëse ky libër kuptohet si duhet. Xhevheriu, po ashtu, bën aluzion në nocionin klasik të karakterit habitës të Kur’anit apo në mosimitimin e Kur’anit (I’xhaz), të cilin ai e kupton në atë kuptim se para së gjithash ka të bëjë me përmbajtjen e tekstit dhe këtë në lidhje me dijen e tij që i përket gjerave të cilat vetëm tash iu bënë të qarta njerëzisë. Pasi që dija shkencore është e përfshirë në Kur’an – dëshmi e karakterit çuditës të Kur’anit, në Kur’an gjenden aluzione në risitë e shumta moderne (elektriciteti p. sh.) dhe zbulimet shkencore (fakti se Toka lëviz rreth Diellit).

Mendimi perendimor, po ashtu ka ndikuar në tefsir në një mënyrë tjetër ndonëse ndoshta jo aq dramatikisht sa i përket të kuptuarit popullarizues të Kur’anit siç është dramatik komentimi “shkencor” i Kur’anit. Në të vërtetë, lajmërimi i kriticizmit modern letraro-filologjiko-historik, së paku deri sot, ka luajtur në të vërtetë rol të vogël, por me siguri ka gjetur përkrahësit e vet. Aisha Abdurrahmani, prof. univerziteti në Maroko, e cila shkruan me pseudonimin Bintu ‘sh-Shati, paraqet zhvillimin e kësaj linje. Ky komentim modern nuk është ringjallja e llojit të tillë filologjik të komentit çfarë sillet në lidhje me ez-Zamahsheriun, p. sh. i cili, ndonëse është shkruar me mendjemprehtësi të madhe kritike, për shumë modernistë, ka shumë materiale të panevojshme të cilat konsiderohen pengesë për të kuptuarit e Kur’anit në botën moderne. Aisha Abdurrahman ndjek qasje të hapur, duke hulumtuar për “domethëniet burimore” të Kur’anit, të cilat janë dhënë në fjalët apo frazat arabe se si të kuptohet Kur’ani në totalitetin e tij. Ky poces nuk inkuadron shfrytëzimin e materialit të cilat janë të huaja për vetë Kur’anin, pos ndoshta shfrytëzimit të një sasie të vogël të poezisë së lashtë, por ky proces i komentimit shfrytëzon kontekstin e pasazhit të dhënë tekstual që të përcaktojë fjalën ashtu çfarë ajo në shumë kontekste të përgjithshme si e tillë gjendet. As historia e Arabëve, as historia e pejgamberëve biblik, as temat dhe lëndët shkencore nuk gjenden në Kur’an, sepse sigurimi i materialit të këtillë, duket se, nuk është detyrë e tekstit kur’anor. Qëllimi i elementeve narrative në Kur’an është në atë që të prokurojë udhëheqje morale dhe shpirtërore dhe udhëzim për besimtarët, e jo të prokurojë histori apo “fakte”. Brenda botës muslimane, kjo përpjekje që të demitologjizohet teksti i shenjtë – si në këto qasje – shënon fillet e sendertimit të një lloji të diturisë moderne kritike çfarë është zhvilluar në kontekstin e studimeve biblike. Ardhmëria e tij në këtë çast, ndërkaq, mbetet e pa sigurt


Perktheu: Nexhat Ibrahimi

--------------------------------------------------------------------------------
[1] Titulli i origjinalit: Andrew Rippin,Tafsir, The Encyclopedia of Religions, IV, edited by Mircea Eliade, New York, 1987. Titulli në boshnjakisht: Enes Kariq (ed.), Kur’an u savremenom dobu, I, Sarajevo, 1991. fq. 57-78. Përktheu: Nexhat S. Ibrahimi.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme