Mirëpo, ndonëse myslimanët kanë jetuar në fqinjësi të gjatë rreth katër shekuj, megjithatë njohja e ndërsjellë islamo-kristiane ka qenë fare superficiale. Historianët myslimanë, nuk kanë treguar ndonjë interesim të veçantë për këtë qëllim. Vepra e parë e kësaj fushe është ajo e Amir Reis Hamdan ibn Abdurrahim El-Halebi (shek. VI h./XII) me titull Historia e kristianëve evropian të cilët këto ditë erdhën në vendet islame, për të cilën dha shenjë Ibn Mujesseri, Ahbar’ul-Misr, fq. 70.[2] As kristianët nuk janë interesuar për myslimanët. Interesimi filloi vetëm pas dobësimit të myslimanëve dhe rritjes së ambicieve të kristianëve për vendet dhe pasurinë muslimane.
Të parët të cilët në mënyrë sistematike filluan ta studiojnë gjeografinë ishin Istarhi (i lindur në Istahër /Persepolis/, rreth vitit 950), Ibn Hawkali (i lindur rreth vitit 943-977) dhe El-Makdisi (i lindur në Jerusalem në shekullin IV h./X- vdiq më 956).[3]
I. Jakut El-Hamewiu
Mirëpo, njëri ndër historianët dhe gjeografët më të mëdhenj myslimanë është Jakut Ibn Abdullah El-Hamewiu, i lindur në vitin 1179, kurse vdiq në vitin 1229. Ishte fëmi me prindër grekë në Azi të Vogël, të cilin e bleu si rob një tregtar bagdadas nga Humusi i Sirisë, prej nga e mori edhe nofkën Hamewi. Pronari i tij e edukoi dhe aftësoi si ndihmës i ardhshëm tregtar, që më vonë t’ia falë lirinë Jakutit. Për të ekzistuar, Jakuti udhëtoi nga vendi në vend, duke përshkruar dhe shitur dorëshkrime. Ai shkroi Fjalorin gjeografik me titull Mu’xhem’ul-buldan, i përfunduar në vitin 1228 në halep, ku edhe vdiq Jakuti. Ky fjalor është enciklopedi e mirëfilltë, i punuar sipas rendit alfabetik, me vlerë për historinë, etnografinë dhe shkencat natyrore. El-Hamewiu sipas shkencëtarëve është i pari i cili në mënyrë sistematike punoi në shkrimin e historisë dhe gjeografisë myslimane por edhe asaj evropiane. Jakut ibn Abdullah El-Hamewiu, është autor edhe i fjalorit të letrarëve Mu’xhem’ul-Udaba`.[4]
Në vazhdim do të ofrojmë shkëputje nga përkthimi i veprës monumentale të Jakut El-Hamewiut, Mu’xhem’ul-buldan, II, Kairo, 1906, fq. 37–39, sipas: Mehmed Handzic, Teme iz opce i kulturne historije, II, Sarajevë, 1999, fq. 146 – 149), pjesë që flasin për popujt ballkanikë dhe fqinjët e tyre të kohës së tij.
Shtojca I:
Jakut El-Hamewiu
B a s h k i r ë t
“Bashgird (disa e shqiptojnë Bashxhird, e disa Bashkird) është vendi ndërmjet Konstantinisë (Stambollit) dhe Bullgarisë. Muktedir Bil-lahi e pati dërguar Ahmed ibn Fadlan ibn Abbas ibn Rashid ibn Hammadin, klientin (mevla) e Emiru’l-mu’minin, pastaj klientin e Muhammed ibn Sulejmanit, mbretit të Sllavëve, i cili e pati pranuar islamin bashkë me banorët e vendit të vet, që t’ua përcjellë pelerinat dhe t’ua mësojë dispozitat islame. Ibn Fadlani ka rrëfyer çdo gjë që ka parë prej kur ka dalë nga Bagdadi, deri sa nuk u kthye, kurse nisja e tij ishte në muajin safer të vitit 309 (921). Te theksimi i Bashgirdëve Ibn Fadlani thotë: “Dhe erdhëm në vendin e një populli turk që quhet Bashgird, nga të cilët jemi frikësuar dhe ruajtur, sepse ata ishin më të tmerrshmit ndër turqit, më të fuqishmit dhe më insistuesit për vrasje. Një prej tyre e takoi një njeri, ia theu kokën të cilën e mori, kurse atë e la. Ata i rruajnë mjekrrat dhe i hanë veshët. Disa nga ata i hulumtojnë rrobat e tyre dhe me dhëmbë i ndrydhin ata. Me ne ishte një njeri i tyre, që kishte pranuar islamin. E kam parë një ditë se ky kur e gjeti morrin, e mbyti me thua, e pastaj e fërkoi thoin dhe kur më vërejti mua tha: Mirë!
Secili prej tyre ka prerë një dru për vete në madhësi të kurorës, të cilin e varë për vete, dhe kur dëshiron të udhëtojë ose kundër armikut të luftojë e puthë, i përkulet duke folur. “O Zot ma jep këtë dhe këtë”. I thashë përkthyesit që ta pyes njërin prej tyre se cila është mbështetja e tyre dhe argumenti i tyre për këtë veprim dhe përse e konsideron për Zot të vetin? U përgjigj se ai është krijuar nga i ngjashmi dhe se nuk njeh për vete krijues tjetër. Ndërmjet tyre ka disa që besojnë se ka 12 (kurse i numëroi 14) zotëra: Zoti i dimrit, Zoti i verës, Zoti i shiut, Zoti i erës, Zoti i drurit, Zoti i njerëzve, Zoti i shtazëve, Zoti i ujit, Zoti i natës, Zoti i ditës, Zoti i vdekjes, Zoti i jetës, Zoti i tokës dhe Zoti i qiellit, i cili ndër ta është më i madhi. Ai takohet me këta në harmoni dhe çdonjëri prej tyre kënaqet me atë që bën shoku i tij (Zoti ynë është i lartësuar nga ato që flasin mëkatarët dhe ata që nuk besojnë!) E kemi parë një grup në mesin e tyre, që i adhurojnë gjarpërinjt, disa që i adhurojnë peshqit dhe grupin që adhurojnë kurrilët. Më kanë rrëfyer, se njëherë luftuan me disa njerëz, të cilët ishin armiqë të tyre. Armiqtë fituan, kurse pas tyre kurrilët lëshuan zë, dhe armiqtë humbën pasi njëherë patën fituar. Për këtë arsye filluan t’i adhurojnë kurrilët duke thënë: “Ata janë zotërat tanë, sepse ata i fituan armiqtë tanë.” Këtë e shënoi Ibn Fadlani për ta, e sa më përket mua, unë kam gjetur në qytetin Halep (Aleppo) grup të madh të cilët i quajnë Bashgirdë. Janë tërësisht bardhoshë në flokë dhe fytyrë. Mësojnë fikhun sipas shkollës (medhhebit) së Ebu Hanifes, Zoti qoftë i kënaqur me të. E pyeta një njeri ndër ta, të cilin e konsideroja të mençur, për vendin dhe gjendjen e tyre. Ai më ka thënë: “Vendet tona janë pas Konstantinisë (Stambollit) në shtetin e një populli franak (Arabët thuajse të gjithë evropianët i quajnë Frank.), të cilët quhen Hungarezë. Ne jemi myslimanë dhe shtetas të mbretit të tyre në skaj të vendeve të tyre. Jemi rreth tridhjetë fshatra, prej të cilave secili fshat është sikur qytezë. Vetëm mbreti i Hungarezëve nuk na lejon të ndërtojmë murë rreth asnjë fshati duke u frikësuar që të mos ngritemi kundër tij. Ne jemi në mes të vendeve kristiane: në veri të vendit tonë janë vendet sllavene, në jug vendet e papës, (mendon Romës), kurse papa është kryepari i Frankëve dhe ai tek ata është zëvendës i Mesihut, ngjashëm siç është te myslimanët sunduesi i besimdrejtëve. Urdhërat e tij në aspekt të fesë janë të plotëfuqishme te të gjithë ata. (Shtojcë e Jakutit). Në perëndim është Andaluzia, kurse në veri vendet bizantine, Konstantinia dhe krahinat e saj. Gjuha jonë është gjuha e frankëve, veshmbathja jonë është veshmbathja e tyre. Ne shërbejmë bashkë me ta edhe në ushtri dhe luftojmë tok me ta kundër çdo grupi, sepse ata nuk luftojnë pos me kundërshtarët e islamit.’ E pyeta për arsyen e kalimit të tyre në islam kur gjenden në mes të vendeve kristiane, kurse ai më tha: Kam dëgjuar një grup të stërgjyshërve tanë që rrëfejnë, se para shumë kohësh këtu në vendin tonë kanë ardhur shtatë myslimanë nga vendi i Bullgarëve dhe u vendosen në mesin tonë. Në mënyrë të mirë na njoftuan me lajthitjet tona në të cilat ishim dhe na drejtuan në rrugë të drejtë në fenë islame. Zoti, qoftë i falënderuar, na udhëzoi, dhe të gjithë kaluam në islam dhe Zoti zemrat tona i hapi para besimit. Ne vimë në këto vende dhe mësojmë, e kur të kthehemi në vendet tona banorët e atjeshëm na nderojnë dhe na dorëzojnë në besim neve gjërat e tyre të fesë.’ E kam pyetur, përse i rruajnë mjekrat sikur Frankët, kurse ai më tha: ‘Ndër ne i rruajnë vetëm ushtarakët dhe ata bartin rroba ushtarake sikur Frankët, kurse të tjerët nuk veprojnë kështu.’ I thashë: ‘Sa është largësia ndërmjet nesh dhe vendeve të tyre?’ Ai më tha: ‘Prej këtu deri në Konstantini është rreth një muaj e gjysmë, kurse nga Konstantinia deri në vendet tona po edhe aq.’ Sa i përket El-Istarhiut, ai këtë e cek në librin e vet, se prej Bashgjirdit deri te Bullgarët ka njëzet e pesë konaqe, kurse prej Bashgjirdit deri në Peçeneg (në tekstin arab ‘El-Bexhenak’), ka dhjetë ditë, gjithashtu edhe këta janë lloj turqish.”
Përktheu:
N. Ibrahimi
II. Ebu Hamid El-Garnati El-Endelusi
Historiani tjetër i cili shkroi për myslimanët, evropianët dhe kristianizmin është edhe Ebu Hamid El-Garnati El-Endelusi (i lindur më 1080 apo 1081 përkatësisht 473 hixhrij në Granadë të Spanjës. Pas shkollimit fillor e të lartë vendosi të niset nëpër vendet islame. Vizitoi shumë vende: Aleksandrinë, Kairon, Damaskun, Bagdadin etj.
Me kërkesë të vezirit El-Hubejr filloi të shkruajë udhëpërshkrimin e tij, i cili do të mbajë titullin El-Mu’reb an ba’de axha’ibi magreb. Sigurisht emërtimi i titullit është i datës së mëvonshme.[5]
Vepra e Ebu Hamidit fletë hollësisht për vendin e sllavëve, Hungarinë dhe për vendet tjera, fletë me tolerancë dhe respekt, duke bërë përshkrime historike, fetare, etnografike, të kulinarisë, tregtisë etj.
Ebu Hamidi ka qenë pak i njohur për opinionin botëror. Në Ballkan për herë të parë për të shkroi shkencëtarja serbe Jovanka Kaliq, duke ofruar të dhëna komparative prej Ebu Hamidit dhe historianëve bizantinas Kinamos dhe Hanijatit.[6]
Shefko Omerbashiq, boshnjak në Zagreb, është i dyti që shkroi për Ebu Hamidin, dhe do të thoshim bëri një punë serioze, duke i përkthyer nga dorëshkrimi pjesët që flasin për pjesë të Ballkanit dhe Hungarisë mesjetare.[7]
I treti që shkroi në trojet ballkanike jemi ne.[8]
Dorëshkrimin e Ebu Hamidit e zbuloi orientalisti dhe historiani spanjoll C. Dubler në vitin 1952, e përshkroi në gjuhën moderne arabe, e përktheu në spanjollishte me titull “Ebu Hamid el Granadino y isu Relacion de dlaje por tierras eurasiaticas” dhe bëri të mundur ta korrigjojë në pjesë të historisë së shkruar.[9]
Në vazhdim do të ofrojmë shkëputje nga vepra monumentale e Ebu Hamid El-Garnati El-Endelusit “El-Mu’reb an ba’de axha’ibi magreb”, - dorëshkrim në bibliotekën e Real Academia de la Historia në Madrid, Spanjë, sipas përkthimit të: Shefko Omerbashiq, Najstariji arapski zapis o Islamu i mulimanima u Hrvatskoj, Behar – bosnjacki casopis za kulturu u drustvena pitanja, nr. 37/1998, Zagreb, faqe interneti 1 – 10, i cili e zbuloi këtë dokument pas një vizite hulumtuese në Spanjë.
Shtojca II:
Ebu Hamid El-Garnati El-Endelusi
Vendi i Sllavëve (Sakalibëve)
Hyra në vendin e Sllavëve nga Bollgaria. Erdha me anije tatëpjetë ujit nëpërmjet lumit të madh, të cilin e quajnë Lumë Sllaven, uji i të cilës është i zi siç është Oqeani Atlantik (Bahru’dh-dhalam), sikur të ishte ngjyrë shkrimi. Përkundër kësaj uji i tij është i ëmbël dhe me aromë të mirë. Në të nuk ka shumë peshqë, por kam parë gjarpëra shumë të mëdhenj, të cilat nuk janë të rrezikshme. Në ujë në bred kam parë shtazë shtazë me bishta të gjatë dhe të trashë, me qime të forta e të zeza, lëkura e të cilëve shitet mirë në Bollgari. Vendi sllaven është vend i gjerë dhe i pasur, në tregje ka mjaft mjaltë, thekër dhe elbë, por edhe molla të mëdha, shijën e të cilave ende nuk e kam shijuar.
Si mjet të këmbimit reciprok përdorin lëkurën prej shqarri, e cila nuk ka qime, e as që mund të përdoret për destinime tjera. Për këmbimin e lëkurës prej shqarri, ato duhet të kishin këmbë dhe kokë. Dhe 18 kësi lëkurash vlejnë sa dirhem i argjendtë, sipas llogarisë së tyre. Lëkurën e këtillë para se ta përdornin si mjet pagese, e shpalojnë dhe e quajnë në gjuhën e tyre ‘xhukna’. Për një lëkurë të këtillë mund ta bleni tërë bukën, e mjaftueshme për t’u ngopur mashkulli i fuqishëm. Për këto lëkura mund të bleni çdo gjë, prej shërbëtorëve dhe sherbetoreve, ari dhe argjendë, vaj për ndriçim dhe çdo mall tjetër. Në vendet tjera këto lëkura nuk vlenin asgjë dhe as për njëmijë sosh nuk mund të bleni një dashë, sepse për asgjë nuk shërbenin. Kur këto lëkurë vjetërohen dhe shqyhen i çojnë për riparim te mjeshtrit, të cilët i qepin me njëra tjetrën me pe të fortë dhe të 18-të lëkurat i bashkojnë në një. Në skaje qepin thekë me gjyle plumbi dhe vënë mbi to vulën me figurën e mbretit dhe këtë në çdo lëkurë nga një vulë, dhe si të tilla sërish shërbejnë si mjet pagues. Sakalibët (Sllavët) janë popull mjaft i moralshëm. Kush e atakon gruan e tjetrit apo fëmijën apo shtazën, apo në ndonjë mënyrë i shkakton dëm tjetrit, prej atakuesit kërkohet kompenzimi material. Nëse nuk ka para për kompenzim, është i obliguar t’i shesë fëmijët e vet ta kompenzojë atë, e nëse nuk ka grua dhe fëmijë, atëherë ai duhet t’i shërbnejë të dëmtuarit dhe këtë pa pagesë deri sa nuk bën para ta paguajë dëmin, e nëse nuk siguron para, përjetësisht i shërben atij të cilin e ka lënduar.
Vendi i tyre është mjaft i sigurt, me ligje dhe dispozita rigoroze zakonore. Kam pasur rast t’i njoftojë disa myslimanë që kanë tregtuar me Sllavët. Nëse këta të tjerët nuk kanë pasur para t’ia paguajnë mallin muslimanit, i shitnin shtëpitë, kafshët e edhe fëmijët që ta kthejnë borxhin. Sllavët janë popull shumë i guximshëm. Vendbanimet e tyre gjenden në male në afërsi të lumit të madh dhe i rruajnë mjekrat. Rrëfejnë kristianizmin romak dhe janë nestorianë. Rreth tyre gjenden popuj tjerë të cilët po ashtu ndërtojnë vendbanimet e tyre në male. Merren me gjuetinë e kastorëve në lumin e madh. Mirëpo, kanë prirje për besëtytëni dhe besime të kota. Sipas traditave të tyre çdo dhjetë vite ndër ta paraqitet shfaqja masovike e suhrës (magjisë), e cila gjoja më së shumti e goditë pjesën femrore të popullësisë së tyre, e veçanërisht kjo dukuri është e përhapur ndër femrat e vjetra. Për këtë sjellin gra të vjetra nga tërë mbretëria, me forcë i lidhin për duar e këmbë dhe i hedhin në lum. Secila që nuk mund të qëndronte mbi sipërfaqe të ujit, e lirojnë nga akuza se është falltore, e secila që qëndron mbi sipërfaqe, është falltore dhe e ndezin në zjarr. Në midisin e tyre kam qëndruar gjatë kohë me një karvan. Tatim i paguajnë mbretit bollgar. Ndër ta ka edhe paganë, e sidomos në lindje, e adhurojnë një lloj druri, para të cilit përkulen. Një kohë kam qëndruar në qytetin sllavë, emri i të cilit ishte Gorkoman, në të cilin jetojnë mijëra Megaribë (myslimanë perëndimorë). Veshen si turq, madje edhe flasin gjuhën e tyre, kurse banorët i quajnë (në dorëshkrimin e Ebu Hamidit mungojnë disa shkronja të këtij emri, duke cekur se kanë tri shkronja fillestare B, H, N, deri sa të tjerat mungojnë). Ndër këta myslimanë e gjeta një mashkull nga Bagdadi me emrin Abdu’l-kerim ibn Fejruz El-Xhevheri, i cili është martuar prej tyre. Në mesin e myslimanëve kam qëndruar një kohë dhe kam falur namazin e xhumasë si imam dhe disa i kam kurorëzuar dhe shumë prej tyre i kam mësuar në fenë islame, të cilën thuajse e patën harruar, e as namazin e xhumasë e kanë falur para meje. Para largimit tim nga ata, në mesin e tyre erdhi nga shkollimi në grup i meshkujve të tyre, që të vazhdojnë t’i mësojnë ata në fe. Unë prej këtu kam shkuar në Hungari, në qytetin Bashgard, që gjendet në veri të vendit të Sllavëve rreth 40 ditë ecje. Ky është vendi më i populluar, jetojnë në male të larta me drunj të mëdhenj, që gjatë jetës sime nuk i kam parë, kurse janë jopjellore, me nacionaitete dhe fe të ndryshme. Një ditë në shportën e drurit kam parë një shtazë të madhe se si shërbehet me këmbët e para sikur të ishin duar, sikur kjo shtazë të ishte nga xhenneti. Qimet i kanë të ngjyrës së kuqrremtë si jakut. Me mua ishin disa njerëz të njohur, e kur e rrethuam drurin ku gjendej, nuk u frikësua, vetëm na kundroi me sytë e saj, të cilat shndërritshin si dy llampa, por nuk e ktheu kokën pas nesh por vetëm me sy xhiroi drejt nesh. Qartë nuk frikësohej nga shfaqja dhe afërsia jonë.
Qëndrimi në Hungari
Në Hungari jeton populli të cilin e quajnë Bashgard. Në këtë vend kam hyrë nga Bollgari. Janë popull i guximshëm dhe i madh. Ata vendin e tyre e quajnë Hungari, i cili ka 78 qytete, kurse çdo qytet fortifikatën e vet, muret mbrojtëse, kurse jashtë qytetit fushat bujqësore dhe kopshtet dhe përreth shumë fshatra. Në këtë vend jetojnë dy lloje myslimanësh: Megaribët (parëndimorët) dhe Huvarizmijët. Edhe njëri edhe tjetri grup janë me mijëra. Huvarizmijët (Ismailitët) i shërbejnë mbretit në shërbime të ndryshme. Publikisht predikojnë kristianizmin, kurse fshehurazi islamin. Me Megaribët jam shoqëruar më shumë, sepse janë më mikëpritës. Mjaft i kam mësuar në fe dhe në alfabetin arab. Jam përpjekur shumë t’i mësojë në obligimet fetare (farzet) në namaz dhe në ibadetet tjera. Në mënyrë të thjeshtë ua kam shpjeguar obligimin e haxhit, mirazit (trashëgimisë, N.I.) dhe madje gjatë qëndrimit tim kanë filluar ta aplikojnë mënyrën islame të mirazit. Disa prej më kanë lutur që t’i mësojë me alfabetin islam, qoftë edhe të dijnë sa ta përshkruajnë. Njërit prej tyre i kam thënë se e ka më mirë ta kuptojë se çka e kam mësuar dhe këtë ta mbajë mend, se sa të mësojë alfabetin arab. Qartë, nuk më kuptoi mirë, sepse më tha: “A nuk na ke mësuar para do kohe me hadithin e Muhammedit a. s. që thotë: Dijen shënone me shkrim”. I thashë se alfabeti nuk paraqet dije, por vetëm simbole me ndihmën e të cilit e shënojmë dijen. Ti së pari duhet të mësosh dhe kuptosh e vetëm pastaj të mësosh që të gjitha këto t’i shkruash, në të kundërtën ekziston rreziku që gabimisht ta shkruash, dhe kështu gabimisht edhe të tjerët t’i mësosh. Atëherë ia citova një varg:
Dija në kokë nuk është e njëjtë sikur dija në libër.
Sepse me shkrim mund të lozësh, por jo edhe të mësosh.
E pastaj ia citova edhe tekstin tjetër:
E shkruan diç dhe e hedhë anash
Të shkruarën nuk e mëson dhe atë nuk e përdorë
E përdorë ai që e mëson
E pastaj të mësuarën edhe e shkruan.
Vetëm kur ta mësosh dhe kuptosh diç, atëherë atë mund edhe ta shkruash. Deri sa dijen ta transmetosh në libër e mos ta kuptosh, është e padobishme. Këta myslimanë nuk dinin për namazin e xhumasë, as që e falnin. U thashë: “Pejgamberi i Zotit, Muhammedi a. s. thotë: Namazi i xhumasë është haxhi i fukarenjve. Kush nuk ka mundësi ta kryej haxhin, le ta falë namazin e xhumasë, do të ketë shpërblimin sikur ta kishte kryer haxhin.” Para se të largohesha prej tyre, më shumë se një dhjetë mijë vende falej namazi i xhumasë, disa publikisht e disa në vende tjera, sepse vendi i tyre është shumë i madh.
Në mesin e tyre kam qëndruar tri vjet dhe gjatë kësaj kohe i kam vizituar të gjitha qytetet, pos katër prej tyre. Vendi i përket rrethit të madh romak dhe në lindje kufizohet me Bizantin. Ka male prej ku nxirret ari dhe argjendi, dhe sipas pasurive natyrore është vendi më i pasur. Kështu mund të blehen njëzet dele për një dinar. Mjalti është shumë i lirë dhe me një dinar mund të blehen 500 ritalë (rreth 20 kg.). Robëresha mund të blehet për dhjetë dinarë, e gjatë kohës së luftës edhe për tre dinarë. Unë e pata blerë një, prindërit e së cilës ishin gjallë, për dhjetë dinarë nga pronari i saj. Kishte 15 vjet, më e bukur se hëna me flokë dhe sy të zi. I dinte të gjitha punët shtëpiake, përgatitjen e ushqimit, qepjen dhe qëndisjen. Një vashë tjetër tetë vjeçare e kam blerë për pesë dinarë. Një ditë në treg kam blerë dy hoje të mëdha mjalti për gjysmë dinari dhe i thashë: “Këtë mjalt duhet ta shtrydhish dhe ta ndash atë nga dylli.” Dola nga shtëpia dhe mbeta jashtë një kohë. Kur u ktheva, mjalti ishte shtrydhur, kurse dylli ishte ndarë. Më duket se nuk kishte kaluar as një orë kohë, kurse Marija (ashtu quhej) e kishte kryer punën. Me rastin e largimit nga Hungaria, dëshirova ta marrë me vete, por ajo mu lutë që mos ta marrë dhe unë e lirova duke ia dorëzuar prindërve.
Mbreti hungarez jeton në qytetin Bashgard (Budim). Në kohën sa qëndrova aty ishte në konflikt të vazhdueshëm me Bizantin. Me të në luftë shkonin edhe myslimanët të cilët ai mjaft i çmonte dhe ata me gjithçka angazhoheshin në luftë kundër armikut. Edhe unë u kam rekomanduar dhe kurajuar për luftë. Me këtë rast dymbëdhjetë herë kam ngadhnjyer ushtrinë bizantine. Njëherë nga lufta këta myslimanë sollën me vete robër myslimanë turkmenë nga Konja. Kur i kam pyetur përse luftojnë në radhët e mbretit bizantin, më thanë se ai i paguan nga dyqind dinarë. “Sikur ta kishim ditur se në anën e hungarezëve luftojnë edhe myslimanët, nuk do të luftonim kundër tyre”, u përgjigjen robërit turkmenë.
U rekomandova myslimanëve Megaribë që pa pagesë t’i lirojnë dhe t’i kthejnë në Konjë. Pas kësaj erdhi në Hungari personalisht mbreti i Bizantit që të kërkojë paqë. Më kanë rrëfyer disa myslimanë që ishin të robëruar te mbreti bizantinë, se ai njëherë ia ka pyetur: “Cili ështrë shkaku që mbreti juaj aq rreptë e sulmon vendin tim?” I thanë se ai në ushtrinë e vet ka ushtarë të shkëlqyeshëm myslimanë, të cilëve u ka dhënë lirinë e fesë së tyre dhe për këtë arsye ata aq rreptë luftojnë për Hungarinë. Në këtë mbreti tha: “Por edhe tek unë ka myslimanë, por nuk dëshirojnë të luftojnë në radhët e mia.” Në këtë robërit robërit myslimanë thanë: “Nuk luftojnë sepse nuk ua lejon fenë e tyre dhe ua rrënon xhamitë.” Në këtë mbreti tha: “Prej tash nuk do t’ua ndalojë fenë, por do ta ndihmojë ndërtimin e xhamive të tyre.” Mbreti hungarezë quhet Kaza (Gejza). Mbretëria e tij është më e madhe se ajo bizantine. Ka ushtri të shumtë e të guximshme. Shteti i tij është më i madh se ai bizantin për rreth njëzet ditë ecje. Ai u përket Frankëve (kristianëve perëndimor) dhe është i martuar prej tyre, por lufton edhe kundër Frankëve dhe të gjithë radhazi frikësohen.
Kur dëgjoi se unë myslimanëve ua ndaloi alkoholin dhe e lejoj shumëmartesën, më ftoi pranë vetes dhe më tha: “Po dëgjoj se ua ndalon ushtarëve të mi alkoholin dhe se ua rekomandon shumë gra. Kjo nuk është e mençur, sepse alkoholi e forcon trupin, kurse shumëmartesa e dobëson trupin dhe të pamurit. Feja islame për këto çështje nuk ka qëndrim të atrsyeshëm.” I thashë përkthyesit që t’ia përkthejë mbretit: “Sheriati islam nuk është sikur ai kristian. Kristianët pijnë alkohol gjatë ushqimit në vend të ujit dhe nuk dehen dhe mendojnë se alkoholi i forcon. Kurse muslimani kur pinë alkohol ka dëshirë të dehet dhe atëherë humb arsyen, kurse ai që humb arsyen sikur është budalla, është në gjendje të bëjë kurvëri, të mbysë dhe të bëjë vepra të rënda dhe askush prej tij nuk ka dobi. Në gjendje të dehur është në gjendje të shesë edhe kalin edhe armën dhe ta humb tërë pasurinë për ëmbëlsinë e alkoholit. Kësisoji janë ushtarët tu, kur i ftoni në ushtri, nuk kanë as armë, as kal, as pasuri, sepse të gjitha i kanë pirë. Kur eksilenca juaj dëgjon, urdhëron ta mbysin, ta rrahin ose ta internojnë, apo sërish ia jepni kalin dhe armën, të cilat ai sërish do t’i pijë.
E sa i përket grave dhe robëreshave, myslimanët janë me natyrë të flaktë, i duan gratë, e ata janë ushtarët tu. Sa më shumë fëmijë që kanë, eksilenca Juaj ka më shumë ushtarë.”
Në fjalët e mia mbreti më tha: “Dëgjone liderin tuaj fetar, ai është i mençur dhe veproni sipas këshillave të tij.” Mbreti Kazali (Gejza) ishte në konflikt me klerikët sepse ushtarëve të tij u lejonte që pos grave të kenë edhe robëresha, kurse myslimanët i donte dhe i nderonte.
Djalin tim më të vjetër Hamidin e lashë me këta myslimanë në Hungari. Kur e lashë kishte tridhjetë e disa vite. U martua me një vashë nga këta myslimanë, me të cilën ka pasur fëmijë. Ishte i mirë dhe i guximshëm. Deri sa ishte i vogël e kam mësuar me të gjitha dituritë islame. Në rini ka mësuar gjysmën e Kur’anit përmendsh.
Në Hungari kam parë lopë të mëdha të egra. Janë aq të mëdha si elefantë të vegjël, kurse lëkura e tyre ishte e madhe sikur dy lëkurë gomari, e koka sikur te viçi. I gjuajnë për mishë dhe i dresojnë për lopë shtëpiake. Në gjuhën e tyre i quajnë “titil”. Mishin e kanë shumë të shijshëm, kurse brirët i kanë si feçkat e elefantit. …
“Kur nga mbreti i Hungarisë kërkova leje ta lëshojë vendin dhe të kthehem në vendlindje sepse atje më kanë mbetur gruaja dhe fëmijët, duke premtuar se do të kthehem, nëse Allahu don, më ka thënë: “Do ta lëshë djalin e madh Hamidin këtu, kurse me ty do ta dërgojë të deleguarin tim, musliman, të tubojë ushtarë myslimanë dhe turqë.” Me mua i dërgoi letër mbretit të Sllavëve, të vulosur me vulë të kuqe të artë, me figurën e mbretit në të. Me mua në rrugë u nisë Ismaili i biri i Hasanit, i deleguari i mbretit, i lindur në Hungari kurse u përkiste myslimanëve Megaribë, kurse me të në shoqëri ishte … dhe disa bashkudhëtarë të tij. Kur arritëm në vendin e Sllavëve, mbreti i tyre na priti mirë, sa nga respekti, aq nga frika prej mbretit hungarez. Këtu e kalova dimrin dhe në pranverë u nisa për në vendin e turqve. Me mua nga vendi i Sllavëve u nis edhe Abdu’l-kerim El-Xhewheri me gruan dhe të birin në qytetin Sixhsin, prej kah u kthye prap në vendin e Sllavëve. Të deleguarit të mbretit hungarez Ismailit të birit të Hasanit i kam ndihmuar të tubojë një grup të madh të ushtarëve me pagesë, të shkathtë për armë. Me ta e dërgova një nxënës timin, të cilin e kam arsimuar duke qëndruar në vendin e Turqve, që myslimanët e atjeshëm t’i mësojë në fe dhe në dispozitat e saj. I thashë: “Unë tash shkoj ta kryej haxhin, e pas kësaj do të kthehem, nëse do Allahu, nëpërmjet Konjës.” Pasi u ndamë, hypa në anije dhe pas një muaj udhëtimi arrita në Huvarizëm.”
“Shkurtimisht në këtë shkrim kam theksuar dëshmimet e mia nga udhëtimi. Për përshkrime më të hollësishme do të duhej shumë më tepër hapësirë dhe kohë, por mendoj se kjo është e mjaftueshme. Sikur mos të ishin liderët e respektuar e çmuar, të cilët me mua kanë folur dhe më kanë rekomanduar që ta shkruaj këtë, këtë nuk do ta bëja, sepse nuk e ndiej veten të aftë për këtë.
Nga Hungaria shkova në vitin 1153, kurse nga vendi i Turqve në vitin 1154. Nga Huvarizmi u nisa po atë vit në muajin rebiu’l-ewwel për në haxh. Nga Mekka jam nisur prap në muajin Shevval të vitit 1155 dhe arrita në Bagdad. Atje veziri bujar Avnuddin El-Hubejr më ndihmoi, duke i dërguar letër mëkëmbësit të Konjës, birit të mbretit Mes’udit që të më ndihmojë në rrugë deri në Konjë.”…
Përktheu:
Nexhat Ibrahimi
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Xhemaluddin Esh-Shejjal, Uticaj u istoriji, në: Arapsko-islamski uticaj na evropsku renesansu, Sarajevë, 1987, fq. 235.
[2] Mirëpo, kjo vepër është zhdukur. Ibid., fq. 236.
[3] Filip Hiti, Istorija Arapa od najranijih vremena do danas, bot. II fototip, Sarejvë, 1988, fq. 352-356.
[4] Ibid., op. cit., fq. 351-352.
[5] Shih: S. Omerbasic, Najstariji arapski zapis o islamu i Muslimanima u Hrvatskoj, Behar – boshnjacki casopis za kulturu i drustvena pitanja, Zagreb, nr. 37/1998, fq., fq. 3.
[6] Jovanka Kalic, Podaci o Abu Hamidu o prilikama u Juznoj Ugarskoj sredinom XII veka, në: Zbornik za istoriju, IV, Beograd, 1971, fq. 25-37.
[7] Sefko Omerbasic, op. cit., fq. 1 (numri 1 tregon numrin e faqeve sipas internetit.).
[8] Në librin Islami në tokat shqiptare dhe në Ballkanin mesjetar, Shkup, 2004, fq. 87-125.
[9] S. Omerbasic, op. cit., fq. 3.