
Ka qenë hafidh i hadithit, ekspert i disiplinave shkencore të hadithit, njohës i dalluar i zinxhirit të transmetuesve të haditheve, të autenticitetit të haditheve dhe shkaktarëve të dobësive (esbabu-l-ilel) të haditheve.
Ka shkruar shumë vepra nga lëmenjt e ndryshëm të mësimit islam. Mirëpo, disa biografë të tij theksojnë se të gjitha veprat që i atribuohen Imam En-Neveviut nuk i përkasin atij. Një pjesë të tyre i kanë shkruar nxënësit e tij, apo edhe bashkëkohësit e tij. Megjithë këtë vërejtje, Imam En-Neveviu ka shkruar mjaft dhe pothuaj në të gjitha fushat, kurse është dalluar nga fusha e hadithit dhe e fikhut. Vepra e tij më e njohur është komenti i “Sahihut” të Muslimit, i cili si përkah cilësia ashtu edhe përkah sasia bënë pjesë ndër kryeveprat e shkencës së hadithit dhe paraqet komentin deri tash më të suksesshëm të “Sahihut” të Muslimit.
Ndër veprat tjera të Imam En-Neveviut me rëndësi të përgjithshme dhe mjaft të përhapur në botën muslimane, e edhe tek ne, është vepra “Rijadu-s-salihin”.
Rëndësi të posaçme dhe popullaritet të jashtëzakonshëm gëzon edhe antologjia e haditheve të Muhammedit (a.s.), më e njohur me emrin “El-Erbe’une-n-nevevijjeh”. Mirëpo, para se të thuhet diç për këtë vepër, është mirë të shënohet se kësaj antologjie praktikisht i ka paraprirë autoriteti i njohur i shkencës së hadithit Ibnu Sallahi (vd. 643 h.), i cili u përpoq të tubojë hadithet më të vlefshme dhe më kuptimgjera dhe njëkohësisht të vërteta (sahih) nga antologjitë e njohura të hadithit: Sahihut të Buharisë dhe të Muslimit, Sunenit të Ebu Davudit dhe Ibnu Maxhes, e të tjera. Ibnu Sallahi tuboi gjithsej njëzet e gjashtë hadithe.
Kësaj antologjie prej njëzet e gjashtë haditheve, Imam En-Neveviu i shtoi edhe gjashtëmbëdhjetë hadithe dhe këtë antologji prej dyzetë haditheve e quajti “El-Erbe’une” që do të thotë “Dyzetë (hadithe)”. Kjo antologji më vonë u bë e njohur me emrin “El-Erbe’une-n-nevevijjeh”, nga fakti se autori mbanë emrin En-Nevevij. Për brendinë e veprës nuk do të flasim, por ju orientojmë në parathënien e Imam En-Neveviut, e cila vijon pas këtyre rreshtave.
Imam En-Neveviu shkroi edhe vepra të tjera, që mund të shihen nga pasqyra e shkurtër e veprave të tij në fund të këtij ekspozeu.
Imam En-Neveviu nuk ishte vetëm shkencëtar i madh, por njëkohësisht ishte edhe njeri autoritativ, i devotshëm, zahid dhe ithtar i thirrjes për të mirë dhe përpjekjeve kundër të keqes. Siç pat pohuar një dijetar, “njeriu i cili posedon këso virtyte të larta, meriton të vizitohet në mënyrë që të mësohet nga ai”.
Imam En-Neveviu ndonëse jetoi shkurtë, dha kontribut të pavlerësueshëm. Vdiq në moshën dyzet e pesë vjeçare (sipas kalendarit lunar), në kohën kur nga ai pritej më së tepërmi, përkatësisht vdiq natën e mërkurë të njëzet e katër rexhebit të vitit 676 hixhrij në vendlindjen e tij, në fshatin Neva.
Antologjia “El-Erbe’une-n-nevevijjeh”, si në gjuhën arabe ashtu edhe e përkthyer në gjuhët tjera botërore, ka arritur sukses të dukshëm, veçmas në turqishte dhe kohëve të fundit në anglishte.
Duke u inkurajuar me këtë, kurse nga mungesa e madhe te ne për literaturë burimore, siç është kjo, vendosëm që në emër të All-llahut të hyjmë përkthimit në gjuhën shqipe. Pas një pune të gjatë përkushtuese, opinionit të gjerë po ia prezentojmë këtë përkthim. Është interesante të vehet në dukje se pas përfundimit të përkthimit tonë, në doracakun “Libri i së falmes” të hafiz Ibrahim Dalliut lexuam se qysh para luftës së dytë botërore përkthimin e “Dyzetë haditheve” tashmë e ka bërë hafiz Ibrahim Dalliu, por ne deri sot nuk e kemi në dorë këtë vepër. Gjithashtu, kur po e finalizojmë punën tonë, erdhëm deri te përkthimi i kësaj antologjie në gjuhën boshnjake nga Haxhi Mehmed Hanxhiqi, dhe botimi i saj me titull “Es-Sunneh”. Mirëpo, përkthimi nuk është përfunduar.
Tashmë, kur antologjinë “Dyzetë hadithe” po e dorëzojmë në botim, me plotë përkushtim i kemi hyrë komentit të këtyre haditheve. Shpresojmë se me ndihmën e All-llahut këtë punë do ta kryejmë me sukses.
Në fund, ndiejmë se duhet t’i shprehim mirënjohje kolegut Miftar Ajdinit, i cili me kujdes e lexoi përkthimin dhe kontribuoi në formën përfundimtare të antologjisë. Njëherit M. Ajdini përktheu edhe “Parathënien” e Imam En-Neveviut. Mirëpo, çdo lëshim, eventual më përket mua. Mirënjohës u jemi edhe të gjithë atyre që kontribuan që antologjia të marrë formën çfarë po ua ofrojmë besimtarëve dhe të gjithë lexuesve.
Jemi të vetëdijshëm se në punën tonë kemi edhe mangësi, veçori kjo e përhershme e gjinisë njerëzore. Në këtë aspekt nga lexuesit qëllimirë presim mirëkuptim dhe ndihmë në shmangien e mangësive eventuale, kurse nga All-llahu xh.sh., falje. Amin!
Prizren, 25 r.ewel 1409 / 5 tetor 1988
Nexhat IBRAHIMI
VEPRAT E IMAM EN-NEVEVIUT:
1. El-Minhaxhu si shehri sahihi Muslim.
2. Fi mustalehi-l-hadith.
3. Rijadu-s-salihin, min kelami sejjidi-l-murselin.
4. Bustanu-l-arifin.
5. El-Idah.
7. El-Isharatu ila bejani esmai-l-mubhemat.
8. El-Erbe’une hadithen-nevevijjeh.
9. Tehdhibu-l-esmai ve-l-lugat.
10. Minhaxhu-t-talibin.
11. Ed-Dekaik.
12. Tashihu-t-tenbih.
13. Et-Takribu ve-t-tejsiru.
14. Reudatu-t-talibin.
15. Et-Tibjanu fi adabi hameleti-l-Kur’an.
16. Risaletu fi-t-teuhid.
17. Muhtesaru tabekatu-sh-shafi’ijjeti li Ibni Salah.
18. Menakibu-sh-shafi’ijjeh.
19. Muhtesaru esedi-l-gabbeh.
20. Et-Terhisu fi-l-kijami li ehli-lfadl.
21. Tahriru elfadhi-t-tenbih.
22. El-Fetava.
23. El-Ixhaz.
24. El-Irshad.
25. Tabekatu-l-fukaha; e të tjera.