Shejh Jusuf El-Karadavi

Jeta dhe aktiviteti organizativ dhe shkencor i Jusuf El-Karadavit

Jusuf El-Karadaviu u lind më 9 shtator 1926/ 1344 h. në fshatin Safet Turab, Mehalet‘ul-Kubra, në Egjipt. Në fëmijëri u shqua me zgjuarësi të pashoqe. Mësoi Kur’anin përmendësh në moshën 10 vjeçare dhe dituritë tjera islame dhe të kohës. Nga ajo kohë e deri më sot namazin e teravisë e falë me hatme.

Shkollën fillore dhe atë të mesme e kreu në shkollat e El-Ez`herit, ku ishte ndër nxënësit dhe studentët më të mirë. Studimet i vazhdoi në Fakultetin e Usuluddinit në Univerzitetin e El-Ez`herit, ku diplomoi në vitin 1952-1953, si studenti më i mirë.

Në vitin 1954 diplomoi në Fakultetin e gjuhës arabe. Në vitin 1958 diplomoi edhe në Institutin për Studimet e Larta, në degën - Gjuha dhe letërsia arabe.

Në vitin 1960 filloi studimet në magjistraturë, të cilën me sukses e kreu në Fakultetin e Usuluddinit - drejtimi Shkenca e Kur’anit dhe Sunnetit.

Karrierën e tij të shkëlqyeshme e përmbylli në vitin 1973 duke mbrojtur tezën e doktoraturës me titull: “Zekati dhe ndikimi i tij në zgjidhjen e problemeve sociale”.

Dr. Jusuf El-Karadavi ishte punëtor aktiv dhe i palodhshëm. Punoi në shumë vende dhe në punë të ndryshme: një kohë si ligjërues dhe mësues nëpër xhami, pastaj si përgjegjës në Institutin El-Eimmeh, i cili punonte nën kompetencat e Ministrisë së Vakufit në Egjipt. Pastaj punoi edhe në Universitetin El-Ez`her, si drejtues i zyrës për Kulturën Islame si dhe mbikqyrës i Drejtorisë së Da’ves.

Në vitin 1961 ishte drejtor i Institutit Islam në Katar, kurse në vitin 1973 në Universitetin e Katarit themeloi Fakultetin Pedagogjik për meshkuj dhe atë për femra, ku edhe e hapi degën për Studime Islame dhe u caktua si përgjegjës i saj.

Në vitin 1977 El-Karadavi e hapi Fakultetin e Studimeve Islame dhe Fakultetin e sheriatit në Universitetin e Katarit, ku edhe u emërua si dekan deri në përfundim të vitit akademik universitar 1989/1990.

El-Karadavi ishte themelues dhe drejtor i Qendrës për studime rreth Sunnetit dhe Sires së Muhammedit a.s. në Universitetin e Katarit. Në vitin akademik 1990-1991 shkoi në Algjeri, që t’i udhëheqë komisionet e instituteve shkencore të universiteteve dhe institutet e studimeve të larta.

Në vitin 1991 El-Karadavi ishte laureat i çmimit të lartë të Bankës Islame, për zhvillimin e ekonomisë Islame, kurse në vitin 1993 laureat i çmimit “Mbreti Fejsal”, për angazhimin dhe pjesëmarrjen e tij në studimet dhe analizat Islame. Po ashtu, u nderua edhe me çmimet shkencore: atë nga rektori i Universitetit Islamik Ndërkombëtar në Malejzi në vitin 1996, atë nga Sultan Hasan El-Belkije, mbreti i Brunejit, për Fikh‘ul-Islamijj.

Në shumicën e vendeve muslimane janë përkthyer veprat e tij. Kështu, edhe te ne janë botuar mbi 20 vepra të tij në gjuhën shqipe dhe është sigurisht autori më i përkthyer në gjuhën shqipe.

Kontibuti në fushën e fjalës së shkruar konsiderohet merita më e madhe me të cilën dallohet Jusuf El-Karadavi. Ai është autor dhe recenzues i njohur, të cilin e kanë çmuar edhe racionalistët dhe tradicionalistët, edhe Ebu El-Hasan En-Nedevijj edhe Abdulaziz Bin Baz. Çdo analitik i botimeve, librave dhe analizave të tij e vërteton mendimin se ai është një mendimtar që nuk përsëritet shpesh.

Jusuf El-Karadavi ka shkruar mbi 80 libra, të cilat u pranuan me respekt nga dijetarët dhe lexuesit në botën islame, u ribotuan disa herë në gjuhën arabe dhe u përkthyen në gjuhët e ndryshme botërore.

Prej këtyre librave veçojmë:


Në shkencat e fik’hut dhe usuli fikhut:

- Hallalli dhe harami në Islam
- Fetvatë bashkëkohore
- Ixhtihadi në Islam (me parashikimet analitike në ixhtihadin aktual)
- Lehtësimi i shkencave të fik’hut: Fik’hu i agjërimit
- Fik’hu i zekatit, I-II
- Faktorët e elasticitetit dhe gjerësisë në sheriatin islam
- Fik’hu Islam mes origjinalitetit dhe reformës
- Fetvaja mes diciplinës dhe pakujdesisë
- Ixhtihadi bashkëkohorë mes diciplinës dhe …..
- Hyrje në studimet e sheriatit islam
- Nga të kuptuarit e shtetit në Islam
- Drejt një fik’hu të lehtë bashkëkohorë

Në ekonominë Islame:

- Hyrje në të kuptuarit e Islamit - bazamentet, veçoritë, qëllimet dhe burimet
- Problemi i varfërisë dhe si e zgjodhi atë Islami

Varg librash rreth domosdoshmërisë së zgjidhjes Islame:

- Zgjidhja Islame - obligim dhe domosdoshmëri
- Zgjidhjet e importuara dhe krimet që ato ia sollën ummetin tonë
- Qartësitë e zgjidhjes Islame dhe dyshimet e sekularistëve dhe pro-perendimorëve

Drejt unitetit ideor për punjonësit në Islam:

- Univerzaliteti i Islamit
- Kur’ani dhe sunneti - instanca më e lartë kompetente në Islam
- Qëndrimi Islam ndaj inspirimit, profetizimit, ëndrrës, magjistarëve, hajmalive dhe fryerjes

Tema të përgjithshme islame:

- Ibadeti në Islam
- Veçoritë e përgjithshme të Islamit
- Islami - civilizimi i së ardhmes
- Hyrje në njohjen e Islamit
- Njerëzit dhe e vërteta
- Gjenerata e fitores së pritur
- Lekcionet e dështimit të dytë
- Ligjeratat e Dr. Jusuf Kardavit - pjesa e parë
- Faidet e bankave janë kamatë e ndaluar
- Roli i vlerave dhe moralit në ekonominë Islame


Në shkencat e Kur’anit dhe Sunnetit:

- Sabri (durimi) në Kur’an
- Mendja dhe shkenca në Kur’an
- Komentimi i sures Er- Raad
- Si të veprojmë me Kur’anin famëlartë?
- Si të veprojmë me Sunnetin?
- Hyrje në studimet e Sunnetit
- Të zgjedhurat nga libri ‘Inkurajimi dhe dekurajimi
- Sunneti - burim i njohurisë dhe civilizimit

Në Akaid - Besim:

- Ekzistenca e Zotit
- E vërteta e Njëshmërisë
- Besimi dhe Jeta


Në të kuptuarit e karakterit në dritën e Kur’anit dhe sunnetit:

- Jeta hyjnore dhe dituria
- Nijeti dhe sinqeriteti
- Mbështetja në All-llahun xh.sh.
- Teubja (pendimi) tek All-llahu xh.sh.

Në Dave dhe edukim:

- Kultura e thirrësit
- Edukata Islame
- Çështje bashkëkohore në rrafshin e hulumtimit
- Takime dhe dialogje rreth çështjeve të Islamit dhe aktualitetit

Mbi personalitete Islame:

- Imam Gazaliu mes përkrahësve dhe kritikëve
- Shejh Gazaliu - si e njoha unë, udhëtim gjysmë shekulli”
- Gratë muslimane

Në letërsi dhe poezi:

- Muslimanët vijnë
- Jusuf El-Sidiku - dramë poetike
- Dijetari dhe zullumqari - dramë historike

Mesazhe për udhëzimin e rizgjimit islam:

- Feja në kohën e shkencës
- Islami dhe arti
- Pozita e gruas në jetën Islame
- Fetva për gruan muslimane
- Rreziku nga renegimi dhe dënimi i renegatit në dritën e Kur’anit dhe sunnetit
- Pakicat fetare dhe zgjidhja Islame
- Lajmet shpresëdhënëse për fitoren e Islamit
- Shkolla Hasan el Bennas
- Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve se-lem dhe shkenca
- Koha në jetën e besimtarit
- Misioni i Az’harit dje, sot dhe nesër


Udhëzimi i rizgjimit dhe lëvizja Islame:
- Rizgjimi Islam mes kundërshtimit dhe ekstremizmit
- Rizgjimi Islam mes kundërshtimit të lejuar dhe përçarjes së mallkuar
- Rizgjimi Islam dhe preokupimet e vendeve arabo-islame
- Për një rizgjim të pjekur që do të bënte reforma në fe dhe zhvillim në tokë
- Ku qëndron problemi?
- Detyrat parësore të Lëvizjes Islame në etapën e ardhshme
- Islami dhe sekularizmi ballë për ballë
- Kultura Islame mes origjinalitetit dhe aktualitetit
- Simptomet e shoqërisë islame të cilën e dëshirojmë
- Jomuslimanët në shoqërinë Islame
- Sheriati Islam - i përshtatshëm për zbatim për çdo vend dhe kohë
- Ummeti Islam - realitet e jo supozim
- Ardhmëria e fundamentalizmit islam


Ligjëratat e Karadaviut:

- Pse Islami?
- Islami në të cilin thërrasim ne
- Detyrat e rinisë islame
- Muslimanja e nesërme
- Rizgjimi islam mes shpresave dhe vërejtjeve
- Vlera e njeriut dhe qëllimi i ekzistimit të tij në Islam
- Për të qenë i suksesshëm institucioni i zekatit në zbatimet aktuale
- Edukata tek Imam Shatibiu
- Sunneti dhe Bidati
- Me Muhammed Mustafanë në shtëpinë e tij.[2]


Ka bashkëpunuar me revistat më të ndryshme muslimane: “El-Ez`her”, “Nur’ul-Islam”, “Minber’ul-Islam”, “Da’ve” në Kajro, pastaj “Hadaret’ul-Islam” në Damask, “Va`j’ul-Islam” dhe “El-Ba`th’ul-Islami” në Indi, “Ed-Da’ve” në Rijad, “El-Dedha” dhe “El-Ummetu” në Katar, “Menar’ul-Islam” në Ebu Dhabij, “El-Muslim‘ul-muasir” në Liban dhe të tjera.

Krahas gjithë kësaj që shtruam, ai është i pranishëm në mesin e muslimanëve në televizion dhe kohëve të fundit në web faqet e shumta.

Pjesëmarrja në konferenca dhe seminare shkencore, vizitat në univesitete etj.

Nga aktivitetet e rëndësishme të Karadaviut janë edhe organizimi apo pjesëmarrja e tij në simpoziume, tribuna, seminare, sesione dhe konferenca të ndryshme shkencore. Dallohen:

Konferenca e parë botërore për ekonominë Islame në Meke; Konferenca e parë botërore për përgatitjen e thirrësve në Islam dhe paisja e tyre me mekanizmat e duhur të da’ves, në Medine.

Konferenca e parë botërore për shkencat e fik’hut islam në Rijad.

Konferenca e dytë botërore për përgatitjen e thirrësve në Islam dhe pajisja e tyre me mekanizmat e duhura të da’ves.

Konferenca e parë botërore për mbrojtje nga alkoholizmi, narkomania dhe duhani në Medinë.

Karvani i seminarit të dijetarëve (ulemasë) në qytetin Kahno në Indi, që u organizua nga dijetarët islamë në bashkëpunim me shtëpinë botuese El-Mesfejn në qytetin Adham Kerah në Indi, me titull “Islami dhe Orientalistët”.

Konferenca e Sunnetit dhe historiografisë së Muhammedit sal-lall-llahu alejhi ve selem, që u organizua në shumë shtete.

Në konferencën që u mbajtë në Katar u zgjodh si zëvendëskryetar.

Seminari “Legjislatura Islame” në Libi.

Konferenca në Institutin për hulumtime islame në Kajro.

Konferencat e Bankave Islame në Dubai, Kuvajt, Stamboll etj.

Konferenca “Ekonomia islame në fushën e praktikës” në Ebu Dhabij.

Seminari “Organizata Islame për shkencat medicinale” në Kuvajt, Seminaret e Zekatit në Kuvajt, Konferenca e “Lidhjes së Universiteteve Islame” në Kajro e të tjera. Konferenca e Institutit mbretëror për hulumtimet e civilizimit islam në Jordan, takimet e mendimtarëve islam në Algjer, seminari për rizgjimin Islam dhe preokupimet e shtetit arab në Aman, konferenca “Islami dhe Medicina” në Kajro, si dhe disa punime të shumta.

Dr. Jusuf El-Karadavi është gjithmonë i kërkuar nga udhëheqësitë dhe studentët e universiteteve të ndryshme: “El-Ez`heri”, “Ajnu Shems”, “El-Iskenderijje”, “El-Mensura” dhe “Asijut”, pastaj nga universiteti “El-Hartum” dhe Universiteti Islamik “Um Derman” në Sudan, nga Universiteti Islamik në Medinë, në të cilin në disa mandate ishte edhe anëtar i senatit, nga universiteti “Mbreti Abdul-aziz” në Xhedde, Universiteti “Mbreti Saud” në Rijad, në Kuvajt, Emirateve të bashkuara Arabe në Ajin, në Bahrejn, në Jordan, në Rabat, në Merakish - Maroko, në Jemen, në Kosantina dhe disa universitete tjera të Algjerit, në Islamabad, në Lahore, në Malejzi, në Nigeri, në Indonezi, në Filipinën Jugore, nga disa universitete në Japoni dhe në Korenë Jugore etj.

El-Karadavi u ftua edhe nga disa qendra dhe institute shkencore, si për shembull: Qendra për Studime Ekonomike Islame në Xhed-de, Instituti Ekonomik Islam në Kajro, Qendra për studime islame “Mbreti Fejsal” në Rijad, Instituti i lartë i mendimit islam në Amerikë, Klubi letrar në Meke, Klubi kulturor në Mbretërinë e Omanit etj.

Krahas kësaj, dr. Karadaviu vizitoi një numër të madh të shteteve arabe dhe islame në Azi dhe Afrikë, si dhe shumë qendra dhe bashkësi islame që përbëhen nga pakicat islame në Evropë, në dy Amerikat dhe Australi, ku mbajti takime, ligjerata, tribuna dhe seminare të shumta të cilat u pritën me zemërgjerësi dhe patën ndikim të madh në veçanti te rinia.

Anëtarësia në asociacione dhe bashkësi të ndryshme:

Duke u mbështetur në autoritetin që e gëzon Karadaviu në rradhët e popullatës islame dhe dijetarëve islamë, ai në disa mandate u zgjodh anëtar në mexhlise, bashkësi, qendra, asociacione të ndryshme shkencore, edukativo-arsimore, ekonomike, shoqërore dhe të da’ves. Ai është anëtar në një asociacion të lartë për edukim në Katar, anëtar i kolegjiumit (komisionit) për fetva në Katar, kryetar i komisionit për kontrollin islam në bankën islame “Katar”, në bankën internacionale islame në Katar, në bankën islame “Fejsal” në Bahrejn dhe Karaçi, në bankën “El-Tekva” në Zvicër, anëtar i bashkësisë së njerëzve eminent të Organizatës së thirjes (da’ves) islame në Afrikë me seli në Hartum, anëtar i qendrës së fikhut islam nën mbikqyrjen e organizatës Rabitat‘ul-Alemi’l-Islamij në Mekë, ekspert i qendrës së fikhut nën kompetencat e organizatës së konferencës islamike në Xhedë, anëtar i senatit të universitetit islamik botëror në Islamabad, anëtar i senatit të qendrës për studime islame në Oksford, anëtar i Lidhjes së letërsisë Islame në Kehnou në Indi, anëtar themelues i organizatës për ekonominë islame në Kajro, anëtar i zyrës në qendrën për analizat e kontributit të muslimanëve në civilizim në Katar, zëvendës i kryetarit të asociacionit botëror islam për zekat në Kuvajt, anëtar i institutit mbretëror për hulumtime rreth kulturës islame në Ehl’ul-bejt në Jordani dhe anëtar themelues i shoqatës humanitare botërore islamike në Kuvajt.


Fusha e ekonomisë Islame

Dr. Karadavi kujdes të vaçantë gjithmonë i ka kushtuar edhe aspektit ekonomik në Islam. Në pikëpamjen teorike El-Karadavi ka mbajtur ligjërata, mësime dhe seminare për aspektin ekonomik në Islam, si dhe ka botuar një numër të madh të librave në këtë lëmi, si për shembull librat: “Fikh’uz-zekat”, “Problemi i varfërisë dhe si e zgjidhi Islami atë”, “Si funksionojnë bankat islame”, “Faideja e bankave është kamatë e ndaluar”. Në pikëpamjen praktike El-Karadavi përkrahu themelimin e bankave islame dhe e ndihmoi sistemin bankiar para se të themelohet, ndihmoi në funksionimin e Unionit Ndërkombëtar të Bankave Islame, ku edhe sot është anëtar dhe ekspert.

Për disa vite ishte këshilltar për çështjet islame në bankën e parë islame “Banka Islame e Dubait”, pastaj ishte edhe anëtar i kryesisë qendrore për kontrollin islam në arkën e pasurisë islame në Gjenevë, në kompaninë për kursime “Raxhimi” në Arabi, kurse poashtu ishte kryetar i grupit të ekspertëve islamë në këto banka: “Banka Islame e Katarit” në Doha, “Banka Ndërkombëtare Islame e Katarit”, Banka Islame “Fejsal” në Bahrejn dhe Pakistan, Banka “Tekva” në Zvicër, e kështu me rradhë.

Fshehtësinë e angazhimit të tij në ekonominë islame, ai e shpjegoi në parathënien e libri “Bejt’ul-Murabahati”, me fjalët: “Angazhimi im në ekonominë islame dhe kontributi i dhënë në këtë lëmi është pjesë përbërëse e angazhimit tim për Islamin dhe parimet globale të tij, dhe thirrje publike që sistemi islam të funksionojë në të gjitha sferat e jetës, që ligjet islame të aktivizohen në shërbim të popullatës muslimane dhe t’i zëvendësojnë ligjet tjera të përcaktuara nga njerëzit.”

Lëmia e aktivitetit humanitar dhe shoqëror

Dr. Karadavi aktivitetin e tij të palodhshëm e shtriu edhe në shoqëri, duke e dhënë kontributin e tij të madh në problemet shoqërore dhe zgjidhjen e tyre, kurse kujdes të veçantë i dha edhe çështjes së humanitetit.

Ai gjithmonë i kritikonte lëvizjet dhe organizatat Islame, të cilat, në disa raste, e harxhonin tërë forcën e tyre në aktivitetet politike, duke e lënë pas dore punën shoqërore. Ai e urrente pesimizmin shoqëror që vërehej tek muslimanët, përderisa armiqtë e thirrjes islame tregonin një angazhim jashtëzakonisht të madh në këtë lëmi duke u munduar t’i largojnë muslimanët nga Islami i vërtetë dhe t’i hudhin në humnerë, duke e mbuluar aktivitetin e tyre me mbulesën e ashtuquajtur “Shërbime shoqërore dhe aktivitete humanitare”, duke ngritur dhe ndërtuar shkolla, spitale, mjete të informimit, fonde të donatorëve dhe organizata të ndryshme shoqërore.

Ai e ngriti zërin kundër kësaj me moton: “Dhuro një dollar, shpëto një musliman”, moto e cila u perhaps, u dëgjua dhe u përkrah nga muslimanët në shumë shtete.

Ai e themeloi Shoqatën Humanitare Islame me karakter ndërkombëtar, me seli në Kuvajt, kurse në Katar e themeloi “Fondin popullor”, për të ndihmuar nevojtarët, të varfërit në Katar dhe jashtë tij, dhe e quajti atë “Arka Islamike e Katarit për tubimin e zekatit dhe të sadakasë”.

Fusha e udhëzimit dhe rizgjimit të rinisë muslimane

Nga fushat më të preferuara dhe me preokupim më të madh për Kardaviun, ku edhe dha kontribut më të madh, është fusha e rizgjimit të rinisë islame. Ai prezenton në konferenca, tribuna, seminare, tubime dhe kampingje që i organizon rinia Islame në shtetet islame dhe jashtë, duke e prezentuar opcionin që duhet ta ketë rinia Islame në të ardhmen. Në organizime të tilla ai prezentoi edhe në Amerikë, Kanada dhe Evropë. Ai gjithmonë e mbante vijën e mesit, duke e kundërshtuar ngurtësinë dhe radikalizmin, predikonte me butësi dhe logjikë të shëndoshë, bindje të fortë dhe të argumentuar, e jo me dhunë e shtypje, kërkonte unitet dhe bashkim në konsolidimin e rradhëve e jo përçarje.

Nga aktiviteti i tij janë edhe shkrimet dhe botimet, ligjëratat dhe mësimet e inçizuara dhe të shpërndara anëmbanë botës islame, të cilat kanë të bëjnë me rizgjimin islam dhe nevojën e radhitjes së potencialit islam në këtë drejtim.

Në këtë lëmi ai i prezentoi popullatës shkrimet e veta në revistën “El-Ummetu”, e cila botohet në Katar, me titull: “Rizgjimi i rinisë Islame - dukuri e shëndoshë shpresëdhënëse që duhet përkrahur dhe motivuar, e jo kundërshtuar”. Këto shkrime u botuan në dhjetëra mijëra ekzemplarë dhe u shpërndanë në shtetet arabe dhe islame. Ndërsa nga librat e tij veçojmë: “Rizgjimi Islam dhe preokupimet e shteteve arabe dhe Islame”, “Për një rizgjim të qëlluar që rindërton universitetit islamik në Medine fenë dhe ripërtinë dunjanë”, “Rizgjimi Islam mes komparacionit të lejuar dhe përçarjes të mallkuar”, si dhe fletushkën “Dukuria e tepruar për mohuesit”,

Në tubimet që i realizonte me të rinjtë motoja e tij ishte: Të angazhohemi me punë, aktivitet dhe progres, më shumë se me fjalë, komunikata dhe biseda; të interesohemi më tepër rreth çështjeve primare, ndaj atyre sekondare; të largohemi nga paragjykimet, fantazmat, e të mos ngjitemi në qiellin e ëndërrave të parealizueshme, por të zbresin në realitetin tokësor e të angazhohemi të jetojmë aty dhe t’i zgjedhim problemet tona; ta mbështesim da’ven tonë në argumente të qarta dhe me fjalë të buta dhe të ndershme, e të largohemi nga dhuna dhe arroganca.

Fusha e aktivitetit organizativ

Jusuf El-Karadaviu kishte lidhje të gjalla me lëvizjet e asaj kohe. U njoftua me udhëheqësit e Lëvizjes Islame “Vëllezërit Muslimanë”, Hasan El-Benna, Hasan El-Hudejbi, Abdulkadir Audeh etj.

Për shkak të aktiviteteve të tij ai disa herë u persekutua dhe u burgos. Qysh si nxënës i shkollës së mesme, në vitin 1949, në kohën e mbretit me prejardhje shqiptare Faruk, e më vonë edhe në kohën e Revolucionit, në janar të vitit 1954, në nëntor të të njëjtit vit, me ç’rast qëndroi në burg afro 20 muaj dhe pastaj në vitin 1963.

Vuajtjet dhe persekutimet që i përjetoi për këtë ide, kontributi i tij dhënë Lëvizjes dhe angazhimet tjera islame ishin arsyet që anëtarët e kësaj lëvizjeje ta konsiderojnë atë si njërin nga ideologët dhe strategët e saj më aktiv në prapavijë, sepse ai ishte auto-kritiku dhe projektuesi i hapave konkret e real të lëvizjes, si dhe reformatori i platformës së saj. Ai thërriste në koordinim dhe bashkëpunim me të gjitha lëvizjet tjera simotra, dhe nuk shihte asnjë problem në shtimin e numrit të lëvizjeve islame, sepse ky shtim do t’i kontribuonte aktivitetit të mirëfilltë islam, e jo kundërshtimit, mosmarrëveshjeve apo përçarjes.

Ky orientim kritikues me qëllim organizativ u qartësua edhe më shumë në disa shkrime, botime, analiza dhe ligjërata që u përgatitën për këtë qëllim. Në këtë kontest pjesën e fundit të librit “Zgjedhja islame - obligim dhe domosdoshmëri” dhe shkrimet në revistën “El-Ummeh”, me titull “Ku qëndron problemi”, ai i mblodhi në një libër të veçantë, të cilin e titulloi: “Hapat e para të lëvizjes Islame.”

Karadaviu me termin lëvizje islame nënkupton aktivitetin e përbashkët islam gjithëpopullor, i koordinuar mirë, që buron nga zemra e popullit, dhe i cili paraqet me të vërtetë personalitetin real, shpresën, besimin, mendimin, vlerat stabile dhe reformat shpresëdhënëse.

Ai e sheh si të domosdoshëm faktin që lëvizja ta korrigjojë e ta përforcojë veten dhe t’u japë vullnet dhe shpresë të gjithë bijve të vet që t’i paraqesin këshillat, sugjerimet dhe kritikat e tyre, edhe nëse ato janë të hidhura.

Në këtë kontest ai thotë: “Disa njerëz të sinqertë frikohen ta hapin derën e kritikës, për shkak të disa prioriteteve dhe formaliteteve. Kjo është arsyeja që disa dijetarë e mbyllën derën e ixhtihadit dhe thirrnin me zë të lartë për këtë. E shoh domosdoshmëri dhe obligim që të hapet dera e ixhtihadit për njerëzit kompetent, sepse në fund nuk ngel asgjë tjetër, përveç se dobia, dhe nuk rregullohet asgjë tjetër, vetëm se përforcohet e vërteta.”

Ai nuk sheh pengesë në numrin e madh të lëvizjeve apo organizatave aktive islame. Le të jetë një grup për pastrimin dhe zhveshjen e imanit (akides) nga fantazmat dhe shirku, një grup për pastrimin e ibadeteve nga bidatet (risitë) e futura në to, një grup le të kujdeset për problemet e familjes, një grup le të angazhohet në procesin edukativo-arsimor, disa le të punojnë dhe le të jenë më aktivë me masën, e të tjerët me intelektualët, por me kusht që këto grupe të mos kenë mendime të këqija ndaj njëri-tjetrit, dhe në rast të kundërshtimeve apo mosmarrëveshjeve t’ia falin njëri-tjetrit dhe të rreshtohen në një rresht për çështje të mëdha.

Ai parasheh se lëvizja islame duhet të transferohet nga faza e fjalës në fazën e punës, të mbështetur në parimet islame dhe nevojat e kohës aktuale.

Ai një pjesë të fajit për dekadencën e lëvizjeve islame ua hedhë disa dijetarëve islam për shkak të mosangazhimit të tyre në aktivitete humanitare dhe akcione të bamirësisë, si dhe për themelimin e shtetit të shumë pritur islam.

Ai e sheh daljen nga kjo situatë kaotike në hartimin e një projekti të ri, të mbështetur në përmbledhjen e të kaluarës (pozitive dhe negative) dhe studimin e situatës aktuale. Poashtu prej dobësive të lëvizjes islame është prioriteti i anës emocionale mbi anën shkencore-logjike, si ngutja në realizimin e idealit.

Ai thotë se konfuzioni politik nuk është shkatërrimtar vetëm i politikës, por edhe i administratës, ekonomisë, moralit dhe fesë dhe i jetës në përgjithësi.

Ai e konsideron si opcion më të vlefshëm dhe më shpresëdhënës të ashtuquajturin opcion mesatar, sepse vetëm ai ka mundësi të jetë aktiv dhe të ketë vazhdueshmëri.

Shenjat e vazhdueshmërisë së këtij opcioni dhe bazën e mbështetjes së tij, Karadaviu i sheh siç vijon:

· Uniteti (baraspesha) mes tradicionalistëve dhe reformatorëve

· Baraspesha mes parimeve stabile dhe atyre që pësojnë ndryshime me kohën (koordinimi i tyre)

· Kujdesi i madh nga ngurtësia, parcipializimi dhe moskuptimi adekuat i Islamit.

· Të kuptarit global (universal) të Islamit.

Ai thotë se nuk është e drejtë që rinisë t’i hudhet barra dhe përgjegjësia e të gjitha këtyre mossukseseve dhe ngecjes, edhepse ndoshta një pjesë e saj është futur në rrjetin e radikalizmit në mendim, ose kokëfortësi në sjellje. Është për t’u habitur, thotë ai, se si ne e refuzojmë mosangazhimin dhe përgjumësinë tonë, kërkojmë prej rinisë ta ndjek rrugën e mesit dhe urtësisë, ndërsa prej të moshuarve dhe pleqve nuk kërkojmë që ta pastrojnë veten nga hipokrizia.

Ai gjithashtu thotë: “Të rinjve tanë iu ngushtua rrethi nga hipokrizia jonë, nga kundërveprimet tona, andaj ata vendosën që ta zgjedhin vetë rrugën drejt Islamit, pa ndihmën e askujt.”

Ai vlerëson se bashkësitë, organizatat dhe faktorët tjerë zyrtarë islam, “të rëndësishme dhe të vjetra historikisht”, nuk janë në gjendje që ta kryejnë misionin e rizgjimit të drejtë të rinisë islame, dhe se shërimi i sëmundjes së radikalizmit nuk do të arrihet përderisa faktori politik nuk i largon duart e veta nga rinia. Ai që jeton si shikues ndaj rizgjimit islam, ose vetëm kritikuesi i saj duke qëndruar indiferent, nuk ka mundësi të luajë rol pozitiv në përkrahjen apo progresivitetin e saj. Ai që mendon ta udhëzon rininë, është i obliguar që të jeton bashkërisht me të, dhe t’i njeh problemet e saja prej së afërmi, nëse dëshiron të ketë sukses në misionin e tij.

Jusuf El-Karadaviu thotë se popullata islame sot është duke aplikuar bidate (risi) të shumta në fe, kurse dihet se risitë e pabazuara në argumente janë humbje dhe dalalet; ndërsa stagnoi dhe ngeci në çështjet botërore, kurse ky stagnim paraqet injorancë. Do të kishte qenë më e dobishme dhe më produktive sikurse të ndryshonin rolet: të shfaqen risitë në çështjet botërore dhe të ndiqen me përpikshmëri rregullat e fesë.

Ai e sheh se disa dijetarë nuk e kryejnë me nder punën e tyre, kurse disa janë të preokupuar me karrierizëm, duke i ndjekur dhe kërkuar postet nga pushtetmbajtësit, ndërsa disa të tjerë e bënë veten e tyre aparat që prodhon fetva sipas dëshirës dhe interesit politik.

Në vend të përfundimit:

Nuk ka dyshim se Dr. Jusuf El-Karadavi konsiderohet nga dijetarët më autoritativ bashkëkohor islam dhe juristi dhe muftiu më autoritativ i sotshëm, i cili dallohet nga të tjerët me njohuritë dhe pikësynimet e qarta, të thella, analitike, argumentuese, krahasimtare dhe parimore, dhe mbi të gjitha të guximshme, me spektër të gjerë të fushave të shkencës. Fjalët e tij me rastin e autorizimit të përkthimit të veprës në gjuhën boshnjake “Hallalli dhe harami në islam” janë tejet frymëzuese:

“1. Përkthyesi duhet të jetë personalitet komplet, ta njoh mirë gjuhën arabe, në të cilën është shkruar vepra, dhe gjuha në të cilën përkthehet vepra dhe të posedojë arsimim solid islam, të shkruajë me gjuhë të lehtë, të kuptueshme, sa më afër me orijginalin.

2. Që libri të shitet me çmim të përshtatshëm, që të arrijë deri te rrethi më i gjerë i lexuesit e kësaj do t’i kontribuoi edhe mosmarrja e kompenzimit nga e drejta e autorit ….”. Ndaj, të shkruash për Jusuf El-Karadaviun në këtë moment dhe në këtë kohë deri sa ai ende është gjallë, deri sa ai ende shkruan dhe fletë pandërprerë, nuk ka mundësi të përfundosh, nuk mund të përmbyllësh asgjë. Për këtë qëllim, as ne nuk morrëm guxim të përfundojmë asgjë. Dyert për studime janë të hapura. Veprat e tij janë para nesh, studimet duhet të vazhdojnë.[3]


--------------------------------------------------------------------------------

[1] Në shumë vepra në gjuhën shqipe dhe gjuhë të tjerë mbiemri i Jusuf El-Karadaviut shkruhet si El-Kardaviu. Mirëpo, trajta e saktë është me “a”, dmth. “El-Karadaviu”.
NI. Shkrimi është përgatitur si parathënie i veprës së shejhut “E drejta islame”.
[2] Sipas: http://www.furkan.com.mk/kardavi/biografi/veprat.asp.
[3] Për t’u informuar më hollësisht për jetën, veprën dhe doktrinën e Jusuf El-Karadavit ndër të tjera shih:

1. Jusuf El-Karadavi, Razumijevanje suneta, Sarajevo, 2001.
2. Jusuf el-Qaradawi, Halal i haram u islamu, Novi Pazar, 1997.
3. Biblioteka familjare me 20 vepra të Jusuf Karadavit në gjuhën shqipe, Prishtinë, 2002.
4. www.alqaradawi.net
5. www.forumishqiptar.com (të dhënat më të plota i gjeni ketu)
6. www.islam.co
7. www.bosanskialim.com
8. www.furkan.com.mk/kardavi/biografi/veprat.asp.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme