Gjatë sundimit të Fatimidëve në Egjipt, 909-1171, zen fillë manifestimi për lindjen e Mu-hammedit a. s. si ceremonial i organizuar pikërisht për këtë qëllim. Organizohej, sikur edhe sot, duke filluar prej datës dymbëdhjetë të muajit Rebiu’l-evvel, ditëlindja e tij, dhe zgjaste deri në fund të muajit të përmendur. Gjatë kësaj periudhe në Egjipt festoheshin ditëlindje edhe të personaliteteve të tjera me rëndësi në jetën islame, por akoma nuk kishte ndonjë tekst të caktuar definitivisht, kështu si janë tekstet e mevludeve sot, sidomos në gjuhën turke, shqipe dhe boshnjake.
Në shekullin XIII, në kohën e Melik Muzafferuddin Kekburit, kur ditëlindja e Pejgamberit a.s. festohej në mënyrë madhështore, Ibn Dihje dhe Ibn Hal-likan nga Erbili kanë lënë tekstin më komplet, në gjuhën arabe, për këtë ngjarje dhe për këtë personalitet. Ai tekst do t’u shërbejë autorëve të mëvonshëm si mbështetje shumë e fortë për të përpiluar tekste poetike lidhur me këtë ngjarje të historisë islame dhe asaj botërore. Pikërisht nga kjo kohë kemi tekstin e shkruar ku përdoret edhe fjala mevlud, Kitab at-tanvir fi mavlid as-siraxh. Kështu që tradita e manifestimit të ditëlindjes së Muhammedit a.s. fillon të përhapet edhe si veprim por edhe me tekst relativisht të unifikuar, në tërë botën islame. Me këtë formë të re kthehet edhe në Mekke, merr Afrikën Veriore, kah Tlemseni e Fesi deri në Spanjë. Ditëlindjen e pejgamberit Muhammed a. s. e festojnë të gjithë muslimanët e botës, secili në mënyrën e vet, në ditë të caktuar të muajit Rebiu’1-evvel. Në vitin 1976 në Pakistan është mbajtur një manifestim akademik me karakter gjithislam ku ishin ftuar të marrin pjesë edhe 120 studjues të shquar nga mbarë bota.
Tek disa popuj, përveç në muajin e lindjes së Muhammedit a.s., ceremoniali i mevludit organizohet edhe në raste të tjera për solemnitete familjare: lindje, fejesa, syneti e të tjera., ose për ngushllime në postmortum, me ç’rast këndohet në tërësi ose pjesë të zgjedhura nga teksti i ndonjërit nga mevludet.
Në fillim të shekullit XV Sylejman Çelebiu nga Bursa, 1351 - 1422, shkroi një mevlud, Vesilet’iin-Necat, që në letërsinë turke konsiderohet si krijim më i bukur i llojit të vet. Ky mevlud ju ka paraprirë, drejtpërsëdrejti, mevludeve në gjuhën shqipe.
Mevludët te shqiptarët
Lindja, jeta dhe personaliteti i Muhammedit a.s. në letërsinë shqiptare është e pranishme që nga shekulli XVIII, kur kemi poemën e Hasan Zuko Kamberit për lindjen dhe miraxhin e Muhammedit a.s. Me sa dimë deri tash, ky është mevludi i parë në gjuhën shqipe i shkruar, kuptohet, me alfabetin osman. Poetët shqiptarë kanë vazhduar deri në ditët tona t’i kushtojnë vargje lindjes dhe jetës së Muhammedit a.s. Ata më të hershmit që janë shkruar i takojnë letërsisë alhamijado, porse më vonë ata vepra janë botuar edhe me alfabetin shqip, ndërsa në kohën më të re kemi mevlude që janë origjinal me alfabetin shqip.
Këtë rast po e shfrytëzojmë që, kalimthi, të njihemi me poetët shqiptarë që i këndojnë kësaj ngjarjeje me rëndësi.
Ndërmjet Hasan Z. Kamberit dhe Hafiz Ali R. Ulqinakut, mevlude kanë shkruar: Ismail Floqi, Abdullah Sulejman Konispoli dhe Haxhi Ciçko, por veprat e tyre kanë mbetur pak të njohura për lexuesin shqiptarë. Vargjet e tyre i gjejmë të botuara në mënyrë fragmentare në periodikun e gjuhës shqipe. Në periudhën e dytë, prej H. Ali Riza Ulqinakut e deri në ditët tona, në gjuhën shqipe kemi disa mevlude që kanë përjetuar nga disa ribotime. Edhe në këtë kohë, ndërmjet H. Ali Ulqinakut dhe Fahrudin Osmanit kemi mevlude që janë ende në dorëshkrim, si ai i Hafiz Islamit nga Prishtina dhe i Mehmet Hasanit nga Bresana e Opojës. Sa kemi dijeni, deri tash, mevludet në gjuhën shqipe janë botuar dhe ribotuar me këtë radhë.
Mevludi i parë është ai i Hafiz Ali Riza Ulqinukut, 1853 - 1913, që u botua për herë të parë në vitin 1295 h. përkatësisht 1878 m. Eshtë botuar me alfabetin osman dhe mban titullin Terxhyme-i mevlud ala lisani amaud. Në vitin 1933, nën kujdesin e të birit, Hafiz Said Ulqinakut, del ribotimi me alfabet shqip me titullin Mevludi Shenf.
Ky mevlud është ribotuar edhe dy herë nga Kryesia e Fesë Islame në Podgoricë. Në vitin 197() doli një botim me shumë gabime ortografike, kurse në vitin 1975 kemi botimin autentik me atë të vitit 1933, duke i shtuar vetëm një listë me shpjegime të fjalëve të panjohura sa duhet. Botimi i vitit 1975 është një botim me vlerë edhe kulturore - historike edhe praktike.
Mevludi - Lindja e Pejgamberit, i Hafiz Ali Korçës, 1874 - 1957, është botuar në vitin 1900 për herë të parë. Sipas burimit që kemi në disponim del se është botuar me alfabet shqip. Nuk kemi shënime saktësisht për ribotimet e këtij mevludi, por pasi që Imam Mehmet Tosuni në një botim të vitit 1950, në Watërbury, Conn., thotë se ky mevlud “po rishtypet për herën e gjashtë”, këtë botim që po ia afrojmë lexuesit tonë e quajtëm botim të shtatë.
Teksti i Mevludit që po ribotohet me këtë rast është mbështetur në një botim të viteve ‘40. Jemi përpjekur që edhe ky ribotim ta ruajë vlerën historike - kulturore. Aq më parë kur është i shkruar me një gjuhë të pastër shqipe me karakteristika të së folmes së Jugut. Meritë të veçantë për këtë ribotim ka mulla Rexhep Krasniqi nga Tërpeza, Allahu i faltë xhennetin, themelues i Shoqnisë “Drita” qysh në vitin 1937 me qëllim të përhapjes së literaturës në gjuhën shqipe. Ai e kishte ruajt me xhelozi një kopje të këtij mevludi, të cilit i mungonin dy fletët e para, dhe ma dhuroi me kënaqësi e dashamirësi në vitin 1964 në Potërkë, në kullën e familjes Hasani në të cilën ai kishte shërbyer dikur si hoxhë Mejtepi. Ky është – më pat thënë – një mevlud i rrallë dhe nuk këndohet ndër ne, por ty me siguri ka me’t hy në punë.
Dhe njëmend më hyri në punë, tek pas katër dekadash.
Mevludi i tretë në gjuhën shqipe është nga Tahir ef. Popova. Kështu e njeh opinioni i gjerë lexues, kurse në opinionin shkencor e quajnë edhe mevlud i dy Tahirave: Tahir Popovës nga Vushtrria dhe Tahir efendi Boshnjakut nga Gjakova. Për herë të parë është botuar në vitin 1905 në Stamboll, me titullin Mandhumet-ul-mevlud fi efdali mevxhud bi lisani arnaud, dhe është me alfabet osman. Sipas ribotimit të vitit 1967 në Ankara nga Zejnullah Ibn Jashari, një shqiptar nga rrethi i Gjilanit, fshati Dorbesh, i mërguar në Turqi, shihet se ky ishte botimi i gjashtë.
Meqë ky mevlud përdoret më së shumti në Kosovë, është ribotuar edhe dy herë në Prishtinë me alfabet shqip me titullin Mevlud. Botimi me alfabet shqip doli në vitin 1965, i përgatitur dhe i përshtatur gjuhës shqipe të kohës “… nga ana e nji komisioni të posaçëm teologësh ...” që ka mbetur anonim. Personalisht më kujtohet se në krye të këtij komisioni ishte Fahri ef. Iljazi nga Gjakova. E botoi Shoqata e Ilmijes për RSS në Prishtinë.
I njejti botues, në vitin 1984 do të bëjë botimin e dytë me alfabet të shqipes. Mirëpo ky ribotim imiton, në vend të botimit të përshtatur të vitit 1965, botimin e vitit 1905. Me fjalë tjera është bërë transkriptimi i mevludit me të gjitha karakteristikat gjuhësore duke i spjeguar fjalët orientale në fund të faqes.
Të përmednim këtu se mevludi i Tahir Popovës në vitin 1985 është përkthyer dhe botuar në gjuhën rome në Shkup, nga Kryesia e Bashkësisë Islame për Maqedoni.
Hafiz Ibrahim Dalliu, në vitin 1934 botoi librin “E lemja dhe jeta e të madhit Muhammed Alejhisselam” në 235 faqe. Kjo vepër është një histori e tërë në vargje që përshkruan edhe Luftën e Bedrit, Kuftën e Uhudit, Paqen në Hudejbi, Luftën e Hunejnit, Haxhxh ‘ul-veda e të tjera, gjithsej tridhjetë kapituj. Në ribotimin e vitit 1992 nga Qendra Islame Shqiptare-Amerikane në New York, kjo vepër është titulluar vetëm si: E lemja dhe jeta e të madhit Muhammed Alejhisselam. Dalliu përveç poezive të Hasan Ibn Thabitit –një bashkëkohanik i Muhammedit a. s. – ka shfrytëzuar edhe shumë burime tjera në prozë të cilat i ka shkri në poezi në gjuhën shqipe:
- Paqin q’u ba n’Hudejbije e …
- Si nji ngadhnim të dukshëm Zot’ i lavdu
- Se …
- E vërtetojnë punët qi pastajë kan ndodh.
(fq. 134, botimi i vitit 1992 në New York).
Në intervalin 1905 - 1945, në gjuhën shqipe janë botuar edhe mevlude të tjerë, siç janë: Mevludi i Sulejman efendi Elbasanit 1910, që është më tepër një përpjekje për të imituar H. Ali Ulqinakun; Mevludi i Hafiz Abdulla Sëmllakut rreth viteve ‘40, për të cilët mevlude, për fat të keq, kemi pak njohuri.
Në vitet ‘80 kemi edhe dy mevlude në gjuhën shqipe që paraqesin përpjekje serioze për t’i kënduar lindjes dhe jetës së Profetit a.s. ne mënyrë sa më origjinale. Këta dy mevlude, për dallim nga mevludet e lartëpërmendur të cilët kanë qenë nën ndikimin e fuqishëm të mevludit të Sylejman Çelebiut, janë të shkëputur nga ndikimi i drejtpërdrejtë i mevludit të Çelebiut.
“Biblioteka Muslimane Shqiptare” në Ame-rikë në vitin 1982 botoi Mevludin e Idriz Lamajt. Ky autor ka rikënduar me sukses mevludin e Reshad Kadiqit që ia kishte preferuar Imam Vehbi Ismaili. Përveç parathënies të shkruar nga Imam Vehbiu, ky botim është i përcjellë edhe me disa shënime informative në temat: Poezia shpirtnore islame, Zanafilla e Mevludit, Poezia shqiptare islame të poetët shqiptarë dhe Mevludi shqiptar.
Ndërkaq, në vitin 1984 Kryesia e lidhjes së Shoqatave Ilmije në Maqedoni boton Mevludin e Fahrudin Osmanit nga Raçani i Gostivarit. Botimi i dytë, i pandryshuar, doli në vitjn 1990 nga i njejti botues. Mevludi i F. Osmanit dallohet nga të tjerët edhe me disa tema të reja të shtruara në poezi, si: Feja islame Iindi me njeriun e parë, Ademin, a.s., Thirrja haptazi , Vuajtjet e Muhammedit a.s., Emigrimi /Hixhreti/ i Muhammedit a.s., Çlirimi i Mekkes, Haxhi i Lamtumtirës, e të tjera, disa prej të cilave i kemi edhe në veprën e I. Dalliut E lemja dhe jeta e të madhit Muhammed Alejhisselam. Mund të krahasohen faqet: 148, 149. 153, 184, 186 e tj. Në botimin e vitit 1992 në New York. Imami Vehbi ismaili në botimin Pesë mevlude në gjuhën shqipe që e botoi në një vëllim në vitin 1991, në SHBA, ka përfshirë tekstet e Hafiz Ali Ulqinakut, Hafiz Ali Korçës, Hafiz Abdulla Zembllakut, Tahir Popovës dhe Fahrudin Osmanit.
* * *
Në këtë pasqyrë kronologjike prezentuam mevludët që janë shkruar në gjuhën shqipe, duke iu dhënë hapësirë më tepër atyre që janë më të popullarizuar te lexuesi shqiptarë të cilit në kohë e rrethana të caktuara kanë rol të rëndësishëm për mjedise spedifike nëse kuptohet dhe zbatohet me korrektësi.. Lexuesit i mbetet, vullneti i lirë, të shijojë vlerat artistike dhe edukative nga këto vepra. Ndërsa, për studjuesit e letërsisë dhe të historisë së kulturës, në mënyrë të veçantë atij të kulturës islame, i mbetet detyrë që këto vepra t’i studiojë, t’i analizojë dhe t’i vlerësojë. Pamëdyshje ekspertët kompetentë do të japin vlersimet meritore në mënyrë që autorët e mevludeve në gjuhën shqipe qofshin si përkthyes, përshtatës, apo autorë origjinal, të zënë vendin që u takon në historinë e letërsisë shqiptare dhe historinë e kulturës kombëtare.
______________________
* P.S.: Punimi është marrë nga: Hafiz Ali Korça, MEVLUDI – Lindja e Pejgamberit-, Prishtinë, 1992, fq. 31-38, ku është botuar si Pasthënie dhe botohet në këtë tërësi me shkurtime të vogla, pa e dëmtuar tërësinë e origjinalit, e duke i pasur parasysh kriteret në hartimin e këtij teksti. Vërejtja e N. I.