MEVLUDI - historiku dhe rëndësia -

Njëkohësisht, ky moment i volitshëm është rasti që të përgjigjemi në disa pyetje në lidhje me organizimin e manifestimeve të këtilla dhe të ngjashme. Menjëherë të themi se përgjigjja në to nuk do të jetë e pranueshme njëlloj nga të gjithë: disa tashmë e kanë përgjigjen (si dhe, kryesisht, në të gjitha pyetjet), të tjerët me vështirësi do ta pranojnë, ndërsa të tretëve ajo fare nuk do t’u interesojë. Në fakt, këta të tretët, të nxitur nga besimi i sinqertë në Allahun xhel-le she’nuhu dhe në nënshtrim të plotë për Të, dhe nuk mendojnë për shumë çështje që të gjitha të tjerat i kanalizojnë në diskutime të zjarrta, sepse bindja dhe besimi i tyre në udhëheqjen e Allahut është aq i fortë sa që me asgjë nuk mund të luhatet.

Pyetjet e theksuara janë: Kur kanë filluar muslimanët ta shënojnë ditëlindjen e të Dërguarit të Allahut? Si e kanë bërë këtë? Çfarë është qëndrimi dhe dispozitat e sheriatit në lidhje me shënimin e ditëlindjes së Muhammedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem? Si do të duhej sot të shënohet kjo datë e rëndësishme në jetën e muslimanëve? Dhe, më në fund, mbi mevludin si një poezi fetare.

Në përpjekje të përgjigjjes në këto pyetje, do të mbështetemi, në radhë të parë, në burimet autentike tradicionale islame, por do të kemi kujdes edhe për nevojat bashkëkohore të besimtarit tonë që jeton në kushte qenësisht të ndryshme nga ato në të cilat kanë jetuar gjeneratat e mëhershme të muslimanëve.



Fillimet e shënimit të mevludit



Që nga kohërat e lashta te të gjitha bashkësitë ekziston tradita që solemnisht të shënohen datat e rëndësishme nga e kaluara e tyre siç janë lindja e heronjve të cilët me veprën dhe jetën e tyre kanë pasur ndikim të dukshëm për të kaluarën dhe të ardhmën e tyre. Duke e shënuar kujtimin për to, ato bashkësi, në realitet, shprehin falënderim, respekt dhe admirim me ata njerëz dhe njëkohësisht shprehin gatishmëri për ta vazhduar veprën e tyre.

Muslimanët në mbarë botën ardhjen e të Dërguarit të Allahut e konsiderojnë si mëshirën më të madhe të Allahut xh.sh. për njerëzit (“Ne të kemi dërguar, padyshim, vetëm si mëshirë për botat” – Kur’ani), andaj ditëlindjen e tij e shënojnë në mënyrë të përshtatshme me të dhe me mësimet të cilat nga Allahu xh.sh. ua ka komunikuar njerëzve.

Edhepse nuk kemi transmetime plotësisht të besueshme mbi atë se kur saktësisht muslimanët kanë filluar ta shënojnë lindjen e Pejgamberit të tyre, megjithatë me mjaft siguri mund të themi se tradita kthehet larg në të kaluarën e tyre, në shekujt e parë pas vdekjes së Pejgamberit. Historianët që e studiojnë Sirën (jetën dhe veprën) e të Dërguarit të Allahut shënojnë faktin e padyshimtë se muslimanët kanë filluar shumë herët ta shënojnë datën e lindjes së Pejgamberit të Allahut. Banorët e Mekkes, pohojnë ata, më 12 rebiu’l-evvel, ditën e lindjes së të të Dërguarit të Allahut, për çdo vit e vizitonin xhaminë e cila ka qenë e ndërtuar në vendin ku më parë ekzistonte shtëpia ku është lindur Pejgamberi. Ibn Zahire në librin e tij “El-xhamiu el-latifu fi fadli Mekkete ve ehliha ve binai el-Bejti eshs-sherif” thotë: “Sa u përket vendeve në të cilat organizohen manifestimet dhe mbahen gazmendet, vendi i tillë më i ndershëm, pa dyshim, është ai ku është lindur i Dërguari i Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-leme… Në Mekke ishte adet që më 12 rebiu-l-evvel për çdo vit kadiu i medhhebit shafi’ij të bëjë përgatitje për vizitën e atij vendi të ndershëm, dhe atë pas namazit të akshamit, në përcjellje të një mase të madhe e cila bante fenera dhe pishtarë. Me atë rast, pas fjalimit të rastit i janë drejtuar lutjet Allahut xh.sh. për mirëqenien e halifit, prefektit të Mekkes, kadiut shafi’ij dhe mbarë muslimanëve. Pastaj janë kthyer në Haremi-sherif para kohës së jacisë dhe janë ulur pran Mekami Ibrahimit, në afërsi të Kubbetul-ferrashinit. Përseri kanë bërë lutje për mirëqenie të të sipërpërmendurve, në prani të kadiut, të juristëve të sheriatit dhe autoriteteve të tjera. Pas jacisë janë shpërndarë nëpër shtëpi të tyre.”

Para fillimit të shënimit zyrtar të ditëlindjes së të Dërguarit të Allahut, sal-lall-llahu alehi ve sel-leme, disa individë të devotshëm me autoritet në popull, në shenjë të shprehjes së respektit ndaj Pejgamberit, e shënonin ditën e lindjes së tij. Kështu Muhammed ibn Ali el-Kerhî, i njohur për devotshmërinë e tij të madhe, i ka agjëruar të gjitha ditët e vitit përveç dy Bajramëve dhe ditës së lindjes së Pejgamberit. Këtë ditë, ai gjithashtu e konsidernte festë islame, e cila për nga rëndësia aspak nuk ngel prapa Bajramëve.

Këto të dhëna autentike dhe të ngjashmet me to që i hasim në veprat mbi jetën e Pejgamberit vërtetojnë se muslimanët kanë filluar ta shënojnë ditëlindjen e Pejgamberit para fundit të shek. II Hixhrij, e ndoshta edhe më herët.

Sa i përket shënimit zyrtar të mevludit, që nënkupton qasjen më të organizuar të këtij manifestimi nga pikëpamja shpirtërore dhe materiale, ai ka pasuar dukshëm më vonë, më shpesh në formë të tubimit vjetor me përmasa dukshëm më të mëdha. Vetëm atëherë kjo traditë ka hyrë në radhën e traditës pozitive të trashëguar që është kultivuar në të dyja nivelet: zyrtar dhe privat. Kjo do të kontribuojë që kjo traditë në vetëdijen e masave të gjëra popullore të fitojë tipare të ibadetit, përkatësisht të aktit fetar. Duke zënë vend të tillë, ajo edhe më tepër fiton rëndësi dhe shenjtëri në zemrat e besimtarëve islamë të mbarë botës.

Studimet serioze të Sires tregojnë se në fillim të shek. IV Hixhrij shënimi i ditëlindjes së të Dërguarit të Allahut ka qenë praktikë vetëm në disa vende. Vetëm me ardhjen e dinastisë Fatimije në pushtet në Egjipt, Sham dhe Hixhaz, kjo traditë ngritet në manifestim zyrtar sikur edhe traditat tjera të cilat Fatimijt i kanë kultivuar (Viti i Ri hixhrij, Ashureja etj.). për një kohë shumë të shkurtër kjo bëhet e pranueshme edhe në mjediset tjera islame, që do të kontribuojë të mbetët shumë gjatë edhe pas shkuarjes së dinastisë Fatimije nga pushteti. Kështu edhe në kohën e Salahuddin Ejjubit kjo traditë vazhdon të jetojë në masat e gjëra të popullit, ndonëse më nuk është shënuar zyrtarisht deri kur sundimtari i Mosulit Muzaferudin Kevkeberi (vdiq më 529 h) përsëri e zyrtarizon shënimin e ditëlindjes së të Dërguarit të Allahut. Ai, pra, ka qenë sundimtari i parë pas Fatimijve i cili zyrtarisht e ka shënuar ditëlindjen e Pejgamberit me çka e ka tërhequr vëmendjen e bashkëkohasve dhe historianëve të cilët në mënyrë lavdëruese shkruan për këtë iniciativë të tij, duke e konsideruar si fillim të vënies në praktikë të një tradite të bukur (sunnetun hasenetun) të cilën muslimanët e veprojnë edhe sot. Shënimin e tij të ditëlindjes së Pejgamberit Ebu Shebe në librin e tij El-Bais e përshkruan kështu: “Ndër gjërat më të bukura, të cilat në kohën tonë janë bërë traditë, bën pjesë ajo që për çdo vit bëhet në Erbil në ditën e lindjes së Muhammedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e kjo është që njerëzit atë ditë të gazmohen dhe stolisen, u ndihmojnë të varfërve dhe bëjnë vepra tjera të mira. Kjo vepër, përveç asaj që ndihmohen të varfërit, dëshmon se ai që e kryen, e do dhe respekton Pejgamberin alejhisselam, e falënderon Zotin për begatinë më të madhe e kjo është që Allahu në atë ditë e ka dhuruar të Dërguarin e Tij të fundit, i cili është mëshirë për mbarë botën”.

Nga kjo që u ekspozua mund të konkludohet se shënimi i ditëlindjes së të Dërguarit të Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nuk bën pjesë në festat e theksuara me Sunnetin e Pejgamberit dhe nuk hyn në tërësinë e detyrave fetare.

Edhe pse muslimanët shumë herët kanë filluar të interesohen për kohën dhe vendin e lindjes së të Dërguarit të Allahut, duke i shënuar solemnisht në jetën e tyre private, interesimi zyrtar fillon vetëm kah fundi i shek. III hixhrij. Kjo traditë, që në fillim ishte e kufizuar vetëm në disa vende, së shpejti gjallërohet në të gjitha vendet islame. Sot muslimanët në mbarë rruzullin tokësor e shënojnë lindjen e tij, zyrtarisht dhe privatisht, duke organizuar solemnitete të rastit në të cilat, në realitet, e shprehin respektin e tyre dhe përkushtimin ndaj jetës, veprës dhe mësimeve të të Dërguarit të fundit të Allahut.



Qëndrimi i dijetarëve (ulemave)

ndaj shënimit të ditëlindjes së Pejgamberit



Është e nevojshme menjëherë të thuhet se manifestimi solemn i ditëlindjes së të Dërguarit të Allahut, sal-lall-llahu alehi ve sel-lem, nuk bën pjesë në ibadete siç janë p.sh. namazi, agjërimi, zekati, haxhi etj. As vetë dita e lindjes nuk është ditë feste siç është Bajrami i Ramazanit dhe ai i Kurbanit që bien më datat 1 Shevval dhe 10 Dhu’l-hixhxhe.

Pasiqë kjo është risi në Islam, disa dijetarë islamë, në të kaluarën dhe në të tashmën, kanë shprehur mospajtimin e vet me të, duke e konsideruar, në bazë të haditheve, se secila risi është lajthitje dhe çdo lajthitje shpie në Xhehennem. (Këtë hadith e theksojnë Muslimi, Ebu Davudi, Nesaiju, Ibn Maxhe etj.). Në këtë grup të dijetarëve islamë bën pjesë edhe Ibni Tejmije, Taxhudin Fakihani dhe disa të tjerë, veçmas në këtë më të zëshëm janë ithtarët e mësimit vehabij. Mospajtimin e tyre e arsyetojnë me frikën nga kulti i personalitetit në Islam po qoftë edhe nëse ka të bëjë me vetë të Dërguarin e Allahut. Mirëpo, ata harrojnë se asnjëherë askush nga muslimanët nuk ka pohuar se shënimi i ditëlindjes së Pejgamberit është obligim fetar përkatësisht ibadet i urdhëruar. Përkundrazi, është bindje dominuese te muslimanët se kjo është vetëm një traditë e mirë, si një mënyrë më e rëndomtë e shprehjes së dashurisë dhe respektit ndaj Pejgamberit të madh, ndaj jetës dhe veprës së tij.

Ky qëndrim gjithashtu është i bazuar në hadithe të të Dërguarit të Allahut, si p.sh.: “Kush e vë në praktikë një adet të mirë, i takon shpërblimi për të dhe shpërblimi i atij që vepron sipas tij… E kush, prap, e vë në praktikë një adet të keq, i takon për të dënimi si dhe dënimi i atij që vepron sipas tij…” (Hadithet e kuptimit të tillë dhe të ngjashme i shënojnë: Muslimi, Tirmidhiu, Ahmed ibn Hanbeli, Darimiu, Ibn Maxhe dhe Nesaiu.). Megjithatë, mendimin e shumicës dërmuese muslimane (re’j al xhumhur) e mbështet fetvaja e hafiz Ibni Haxherit: “Shënimi i mevludit është risi (bid’at) në Islam. Nuk e kanë bërë këtë muslimanët e parë të mirë në tre shekujt e parë pas Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem. Përveç kësaj, në organizimin e mevludit ka dukuri të mira dhe të këqia, andaj kush u shmanget të këqiave, e i vepron të mirat, atëherë mevludi i tij është risi e mirë (bid’ati haseneh). Unë i kam shikuar burimet fetare dhe për mevludin kam gjetur mbështetje dhe argument të fortë. Në Sahihun e Buhariut qëndron se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kur ka shkuar prej Mekkes në Medine, i ka gjetur Ebrejtë duke e agjëruar « Jevmi-ashuren ». I pyet se përse e agjërojnë, e ata i përgjigjen se e agjërojnë për arsye se Zoti atë ditë e ka përmbytur Faraonin kurse e ka shpëtuar Musain dhe popullin e tij, andaj ata duke e agjëruar atë ditë, i shprehin falënderimin e tyre Zotit. Muhammedi alejhisselam me atë rast thotë: “Ne kemi më përparësi që ta nderojmë Musain dhe i urdhëron që atë ditë ta agjërojnë edhe muslimanët. Nga kjo kuptohet se është vepër e mirë të bëhen vepra që i do Zoti çdo vit në atë ditë kur ka ndodhur ndonjë begati e Zotit. E ku ka begati më të madhe se sa Lindja e Alejhisselamit? » Andaj, shënimi i ditëlindjes së Alejhisselamit duke kryer vepra të dashura për Allahun është çështje e bukur » (M. Hanxhiq).

Ndër dijetarët islamë të cilët, nga pikëpamja fetare, shënimin e mevludit e numërojnë në traditë të bukur përveç Ibn Haxherit të përmendur, bëjnë pjesë : Ebu Sheme, Ibn al-Xhezeri, Ibn Dihje, Es-Sujuti, Ibn al-Haxhxh etj.



Si të shënohet lindja e të Dërguarit sot ?



Është fakt se sot shumë muslimanë janë larguar nga Kur’ani dhe Sunneti, gjë që ka shpënë gjer te ndarja e tyre në grupe dhe drejtime. Pikëpamjet e tyre të ndryshme ndaj traditës së trashëguar islame, ka shpënë, nga ana tjetër, gjer te paraqitja e mënyrave të ndryshme të shënimit të disa traditave. Kështu edhe shënimi i ditëlindjes së të Dërguarit të Allahut në shumë mjedise e ka humbur kuptimin dhe qëllimin e tij të vërtetë, duke u shndërruar kryesisht në formalizëm të thjeshtë, nga theksimi i luksit e gjer te shpenzimet e tepruara në gjithëçka, që gjithsesi, është në kundërshtim me mësimet themelore islame.

Që ta ketë kuptimin e vet esencial shënimi i ditëlindjes së.

të Dërguarit të Allahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nevojitet, para së gjithash, që të organizohet në mënyrë islame, karakteristikë e të cilit është modestia dhe devotshmëria. Pastaj, ky rast do të duhej të jetë shtytje e re për fisnikërimin tonë me virtyte që e kanë stolisur personalitetin e të Dërguarit të Allahut. Duke e përkujtuar atë, jetën dhe veprën e tij, ne në realitet, çdo herë riobligohemi se do ta ndjekim Udhëzimin të cilin na e ka dorëzuar nga Allahu xh.sh. duke na e afruar në jetë ashtu siç na e ka treguar ai.



Mevludi si poezi fetare



Si krijimtari letrare, mevludet në gjuhën tonë (fjala është për gjuhën boshnjake, përkthyesi) shumicën e motiveve dhe standardeve të vargnimit e kanë marrë prej letërsive orientale-islame. Me këtë rast, para së gjithash, mendojmë në vargun me njëmbëdhjetë rrokje me cezurë specifike të fortë pas rrokjes së katërt dhe të tetë (4/ /4//3). Ky është ai vargu i njëjtë trokaik trigjymtyrësh me dy cezura dhe me daktil, me këtë rast shpesh me klauzulë femrërore, që e hasim edhe në poezinë tonë gojore.

Vargu njëmbëdhjetërrokjesh i mevludit, përveç që ka bloka konvencionale metrike, njëkohësisht është edhe tërësi e përfunduar sintaktike. Rima është e puthur (çift, aa), në mevludet më të vjetër kryesisht daktile dhe vokale.

Shkenca jonë mbi letërsinë nuk e precizon kohën e fillimit të njëmbëdhjetërrokshit për të cilin është fjala. Svetozar Petroviqi, duke folur për vargun në librin Hyrje në letërsi (Zagreb, 1983) paraqet qëndrimin i cili na duket mjaft interesant për analizë të mëtejme. Ai thotë: “Dhjetërrokshet epike e kanë shtyrë njëmbëdhjetërrokshin dhe dymbëdhjetërrokshin tek, dy vargjet të cilat në letërsinë tonë kanë një të shkuar mjaft të gjatë, por në çdo periudhë të letërsisë më tepër janë mbështetur në modele të huaja bashkëkohore se sa në ato të vjetrat autoktone, andaj historia e tyre e vërtetë në poezinë tonë fillon vetëm me fillimin e shek. XX.” (fq. 383).

Nisur nga fakti i pamohueshëm se mevludi i parë në gjuhën boshnjake, ai i Gasheviqit (është shkruar para diç më pak se 100 vjet), në realitet imitim i mevludit shumë më të njohur të Sulejman Qelebiut (Mevludi Nebi, 1409) të shkruar po ashtu në njëmbëdhjetë rrokje, atëherë do të jetë e qartë se prej nga ka ardhur njëmbëdhjetërrokshi në këtë formë të krijimtarisë letrare muslimane.

Mevludi i Sulejman Qelebiut – për të cilin orientalistët tanë thonë se paraqet “fillimin e letërsisë origjinale osmane” (F. Bajraktareviq) dhe se është “kryevepër e letërsisë osmane” (V. Boshkov) – në aspektin formal nuk është origjinal. Ai e ka marrë njëmbëdhjetërrokshin arab remel në skemës vijuese:

- ﻥ - - | - ﻥ - - | - - ﻥ -

( Fa- i –la- tun | fa- i – la –tun | fa- i – lun )



Kjo formë metrike në letërsinë turke është e njohur – në modifikim duke marrë parasysh natyrën e ndryshme të gjuhës turke dhe arabe nga aspekti i metrikës – qysh në shek. XIV, e hasim edhe në letërsinë persishte dhe atë në veprën më të njohur të mbarë letërsisë islame, në Mesnevinë e Xhelaludin Rumiut.

Natyrisht, natyra e këtij punimi nuk është që të hulumtojë prejardhjen dhe rrugën e njëmbëdhjetërrokshit, por ta theksojë faktin se një « arketip » letrar formal (Frye) me sukses është « shpërngulur », pasi ka gjetur vend më parë në letërsitë më të njohura orientale-islame : arabe, persiane, turke, në letërsinë muslimane të Bosnjes, e edhe në letërsitë tjera si shqipe, polake (belloruse) që e kanë krijuar muslimanët. Pasi që « ndonjë gjuhe i përgjigjet më tepër ndonjë sistem i caktuar i vargnimit », ndërsa mënyra e ndërtimit të vargut varet nga natyra e gjuhës në të cilën krijohet » (S. Petroviq), remel-i njëmbëdhjetërrokësh në gjuhën tonë, në mevludet tona, ka gjetur modifikimin e vet dhe ka mbijetuar plotë një shekull, e edhe sot jeton.

Duke folur mbi artin islam, R. Garodi me një rast qartazi thekson se ai e ka « kodin » dhe « gramatikën » e vet, elementet që vazhdojnë në mënyrë invariante dhe të cilat mund të ndryshohen. Ekspertët muslimanë të artit – ndoshta nën ndikimin e frymës së fesë së tyre – sikur nuk i duan eksperimentet. Më me dëshirë shkojnë konventave të çelura duke bartë në to një pjesë të vetën. Kjo më së miri shihet në ndërtimin dhe përpunimin artistik të xhamive, qendra të artit islam. Të gjitha xhamitë në botë janë të njëjta: për nga përfaqësimi dhe orientimi i elementeve (kodi), por megjithatë ndryshojnë: për nga modifikimi artistik i atyre elementeve (gramatika). Njëjtë shikohet edhe në letërsinë islame kur është fjala për mevludet. Të gjithë i kanë të njëjta elementet e kompozimit, (edhe tonin e kanë të njëjtë !) … por, secili « lexues » lirisht mund t’ia jepë kajdën (melodinë) dhe gjatë interpretimit ta rregullojë njëmbëdhjetërrokshin e mevludit.

Këtu, po ashtu, na duket me rëndësi të diskutohet edhe një çështje. Kjo është raporti i të vërtetës artistike të mevludëve tanë dhe, si të thuhet, të vërtetës fetare të lindjes dhe personalitetit të Muhammedit a.s.

Disa fragmente, apo madje edhe disa tërësi të poezisë së mevludit, janë të viteve të tetëdhjeta, pas daljes së një mevludi të shkruar në gjashtëmbëdhjetë rrokje, kanë qenë të sulmuar joshkencërisht nga ana e ortodoksëve tanë të cilët nuk kanë qenë të udhëzuar në natyrën e veprës letrare-artistike. Vërejtja e atyre fragmenteve të mevludit ishte në atë se gjoja ata, nuk janë « të vërtetë ». janë shtruar kësi pyetje : Si mund të bëj sexhde Qabja në çastin e lindjes së Muhammedit a.s., si mund të bisedojnë e të gazmohen anët e Qabesë etj. ?

Hyrja e tillë në veprën artistike-letrare (kurse ne insistojmë mu në atë se poezitë e mevludit, panegjirikët janë forma më e popullarizuar e letërsisë te ne - A. Hauser) sot, pas katër revolucioneve në shkencën mbi letërsinë, është e palejueshme.

Rregulli themelor i drejtimeve bashkëkohore të hulumtimit në letërsi është se vepra letrare-artistike është indiferente ndaj të vërtetës filozofike, shkencore (më shpesh historike), madje edhe ndaj asaj fetare. Askush nuk ka të drejtë që në bazë të veprës letrare të marrë qëndrime filozofike, shkencore apo religjioze. Në këtë kontekst do të themi: poezia e mevludit nuk është as nuk mund të jetë bazë apo burim për marrjen e vendimeve fetare, në këtë rast mbi të dërguarin Muhammedin a.s. kush dëshiron që të informohet për këtë, le të lexojë vepra shkencore, historike të cilat në pjesën më të madhe përmbajnë rrëfime autentike nga jeta dhe për jetën e Muhammedit a.s.

Në realitet, të gjithë autorët e paraqitur në këtë përmbledhje janë me arsimim fetar, por kjo neve, derisa i lexojmë apo «i këndojmë » vargjet e tyre, nuk na intereson. Neve na intereson shkathtësia e tyre letrare !

Ata, sigurisht, nuk i kanë thyer normat themelore të Islamit kur i kanë bartur ato në botën e tyre artistike.

Pasiqë Islami është liri për qenien e njeriut në totalitet, andaj edhe liri për kreativitetin e tyre, për imagjinatën e tyre (krijuese), pse të na godas neve ajo që poetët muslimanë, për shkak të ekspresivitetit të shprehjes së tyre, duke u përpjekur ta shprehin entuziazmin e vet, të vërtetën e vet artistike, vizionin dhe raportin e vet ndaj Pejgamberit, njeriut të cilin muslimanët jashtëzakonisht e duan por nuk e adhuronë, të shërbehen me mjete stilistike mjaft të shpeshta letrare si: personifikimi, në të cilin sipas definicionit, gjërave (të vdekura) u jepen veti të njeriut (“Anët e Qabes njëra-tjetrës i dhanë haber”), ose me hiperbollë emërore apo foljore, me smadhim (“ ******** “ ) apo me ndonjë mjet tjetër të shprehjes ?

Këtu janë shprehur ndjenjat e tyre të vërteta, e me mjete shprehëse edhe ndjenjat tona, dhe edhe më të vërteta janë nëse janë më intenzive dhe më të begatshme, ndërkaq është krejtësisht irelevante se a është përkulur vërtetë Qabja kur është lindur Muhammedi a.s. apo jo.

Madje, edhe ky është publiku musliman, tek i cili arti joelit islam gjerë e gjatë është pranuar, jashtëzakonisht është ndier! – mevludet të cilët janë “racionalizuar”, autorët e të cilëve i janë shmangur lirisë më të madhe të imagjinatës, pa marrë parasysh që formalisht mund të shpiejnë gjer në perfeksionim, artistikisht shpesh janë të vdekur. Ka pasur propozime që fragmentet e tilla të mos përfshihen në këtë përmbledhje, por fakti se nisma të këtilla bëhen në disa decenie, se duhet ruajtur tërë krijimtaria jonë me frymëzim islam, ka predominuar në vendimin që të gjitha mevludet tona në mënyrë integrale të gjenden në një libër.[1])


Përktheu:

Miftar AJDINI

--------------------------------------------------------------------------------
[1] ) Ky punim është marrë nga përmbledhja e mevludeve në gjuhën boshnjake me titull : “Sve stvoreno ucini se veselo” , fq. 7-16, të botuar në Sarajevë, 1988

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme