
***
Në kohën tonë ka marrë një formë shumë të përhapur këndimi i mevludit me pretekste të ndryshme, veçanërisht me raste vdekjesh. Në të gjitha skajet e vendit tonë, edhe nëse s’janë aq sa në Stamboll, ka persona që këndojnë mevlud dhe të tillë që porosisin këndime mevludi.
Në të vërtetë, kjo është një gjë e mirë. Nuk ka dyshim se për ne është e mirë dhe e bukur çdo gjë që do të na e kujtonte e do të na bënte që ta donim Pejgamberin tonë. I Dërguari i Madh, në një porosi të tij, urdhëron:
“Askush nga ju nuk beson seri sa unë nuk bëhem tek ai më i dashur se babai i tij, fëmija i tij dhe të gjithë njerëzit e tjerë.” 2
Ja, pra, mevludi i nderuar që këndohet bashkërisht dhe me emocione fetare, na e kujton të Dërguarin e All-llahut dhe na e forcon lidhjen me të. Respekti i turqve muslimanë gjatë gjithë historisë ndaj islamit dhe Muhammedit alejhisselam, pejgamberit të tij dhe shpëtimtarit të njerëzisë, zelli i tyre në këtë drejtim, kanë qenë me të vërtetë të lartë. … Mevludi nga pikëpamja fetare, nuk është as farz, as vaxhib, as sunnet. Mirëpo, mosmarrja nëpër këmbë në një shoqëri e respektit që duhet treguar ndaj All-llahut dhe të Dërguarit e Tij, është një gjë e bukur dhe e dobishme.
Njerëzit e kohës sonë tregohen aktivë në çështjet e kësaj bote, por të ngathët e të pavullnetshëm në punët e fesë e në çështjet e botës tjetër, e mbajnë shpresën tek të tjerët. Le të mendojmë një njeri që gjatë gjithë jetës nuk e ka vënë kokën njëherë në sexhde, veprimet i ka rregulluar sipas dëshirave e pasioneve të veta dhe qënia e tij si muslimanë është kufizuar vetëm te emri. Ç’dobi do të sillte për një njeri të tillë këndimi i disa mevludeve gjatë jetës ose pas vdekjes me qëllim për ta nxjerrë të lirë, gjë që është diçka shumë e përhapur në kohën tonë?
Këndimi i mevludit në kohë të caktuara dhe veçanërisht me raste vdekjesh, ndoshta është një zakon i sajuar nga këndonjësit tregtarë të mevludeve dhe i sjellë në një lloj domosdoshmërie. Mirëpo, për fat të keq, ky zakon është bërë i pashmangshëm. Besoj se e vlerësoni se porositja, këndimi dhe dëgjimi i mevludit nuk mund të bëhet pretekst “për t’u pastruar nga një mëkat”. Në fund të fundit, në Islam nuk ekziston diçka e tillë si pastrimi nga mëkatet. Këndimi i mevludit për të vdekurin në të dyzetat, në përvjetorët, e të tjera, nuk është domosdoshmëri fetare.
Po qe se duam të bëhemi të dobishëm për të vdekurit tanë, fillimisht duhet të jemi në rregull vetë e të veprojmë si muslimanë. Sepse, sipas besimit tonë, të vdekurve u tregohen sjelljet dhe veprimet e brezit që kanë lënë pas. Po qe se këto sjellje e veprime janë në përputhje me pëlqimin e All-llahut, të vdekurit gëzohen dhe shpërblehen. Në se jo, ndëshkohen, për shkak se brezin pasardhës nuk e kanë përgatitur si muslimanë.
Nuk ka dyshim, se një fatiha dhe tre ihlase që do të këndojmë në vete për të vdekurit tanë, janë shumë më të dobishëm se sa mevludi i kënduar me para. Po qe se jemi aq të paditur sa të mos i dimë as këto, atëherë duhet të bëjmë për t’i mësuar dhe t’ua mësojmë edhe fëmijëve tanë në mënyrë që të mos i lëmë pas të pagojë, por të kenë mundësi të na këndojnë një fatiha!
Në Islam lufta për të vdekurit, dhënia e sadakasë, këndimi i Kur’anit janë gjera të mira e të dobishme, por nuk munden ta shpëtojnë njeriun. Kur’ani dhe urdhërat fetare më tepër se për të vdekurit, janë për të gjallët. Për pasojë, çdo njeri duhet të përgatisë ç’të ketë për të përgatitur sa është gjallë dhe ta dërgojë që më parë. Të qenët musliman nuk identifikohet vetëm me lutje. Feja e rrethon gjithandej muslimanin ashtu si ajri që thith. Të jetosh larg fesë dhe këtë ta zëvendësosh më vonë me mevlude, këndime Kur’ani dhe lutje është krejt e pamundur.
Le të kalojmë, tani, në një front tjetër të çështjes në fjalë. Një nga parimet e mëdha të Islamit, është edhe ky: “Veprimet janë të kushtëzuara nga nijeti, (llogaritet sipas nijetit)” Le të themi në mënyrë absolute, pa pasur parasysh asnjë person konkret, se në shumicën e atyre që këndojnë sot mevlud, për fat të keq nuk ka ngjyrë dhe qëndrim fetar. Mevludi këndohet për para. Ai është shndërruar në një degë të tregtisë dhe të esnafizmit.. Mevlud tre mijë lirash, pesë mijë lirash, s’e di se sa mijë lirash!..Me rritjen e çmimit, lartësohet edhe zëri i këndonjësit të mevludit, i bëhet edhe më tingëllues. Kam frikë se në Ditën e Kijametit do të kërkohet llogari për paratë e dhëna njërëzve të tillë. Sepse një administrim i tillë nuk është legal. Mëshira e All-llahut, shpërblimi i Tij nuk futet dot në pazarllëk, nuk sigurohet dot me pazarllëqe. Ndërsa edhe në punët tona të kësaj bote duhet të shmangemi nga teprimi dhe të shtënët pas fitimit, është shumë e hidhur që këtë e fusim në fe.
E fundit, le të themi edhe këtë që, nëse mevludi do të na e kujtonte Pejgamberin alejhisselam dhe do të na e shtonte lidhjen pas tij, është i mirë, i bukur. Në të kundërtën, është një shpresë boshe, një shfrytëzim i keq. Nga një gjë e tillë nuk mbetet i kënaqur as Pejgamberi as Sulejman Çelebiu që e ka shkruar. …
Nga turqishtja:
Mithat Hoxha
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Autor i këtij teksti është autori turk prof. dr. Bekir Topaloğlu, Biseda fetare, Istambul, 1999, fq. 231 – 235. Për shkak se shumë diskutime rreth ‘mevludit’ te ne janë të ngjashme me ato turke, tekstin po e japim me disa shkurtime, pa e prekur porosinë e autorit. Ndryshimet janë tënatyrës teknike. (Shënimi i N. I.)
[2] El-Buhari, Xhami’ ‘us-sahih, El-Iman, 8.