KONSERVATORËT SPANJOLLË PROTESTOJNË PASI FESTIVALET QË FESTOJNË MUNDJEN E ISLAMIT PO ZBUTEN

Partia Popullore e opozitës të premten kërkoi që qeveria të mbronte festivalet nëpërmjet krahut kulturor të Kombeve të Bashkuara, Unesco. Eduardo Zaplana, zëdhënësi i grupit parlamentar të Partisë Popullore tha: “Në asnjë rrethanë nuk mund t’i përkulemi kërkesave të njerëzve të cilët na frikësojnë, dhe jemi krenarë për këto festivale”.

Festivalet e organizuara të të krishterëve dhe maurëve, siç njiheshin sunduesit muslimanë, festohen kudo në Spanjë në kohë të ndryshme të vitit dhe përfshijnë mijëra njerëz të veshur me kostume dhe që marshojnë me muzikë dhe vënë në skenë me qesëndi beteja. Sunduesit muslimanë nga Afrika e Veriut u sunduan pjesën më të madhe të Spanjës, që e quanin Al-Andalus, për shtatë shekuj përpara se të dëboheshin në vitin 1492.

“Ne nuk ofendojnë ndonjë. Këtë e bëjmë qysh në shekullin e 18”, tha Havier Morales, organizuesi i festivalit më të madh, në Alcoi, Valencia.

Në dekadat e fundit shumë qytete kanë hequr elementët më provokativë të festimeve 300-vjeçare, përfshi edhe shkatërrimin e shëmbëlltyrave të Muhamedit. Ata të cilët i kanë ruajtur këta elementë kanë filluar t’i heqin këtë vit.

Beneixama, në Valencia, la jashtë festivalit të vet në shtator shkatërrimin e një Muhamedi papier-mache, koka e të cilit tradicionalisht ishte e mbushur me fishekzjarre. Në Bocairent, siç raportoi një gazetë spanjolle, El Pais, festuesit hodhën një shëmbëlltyrë të Muhametit jashtë ledheve të kështjellës por nuk vijuan me shpërthimin e kokës.

Kur anëtarët e festivalit të Alcoi u shfaqën si pjesë e Ditës së Hispanikëve në Nju Jork në 7 tetor ata portretizuan vetëm të krishterët dhe asnjë maur, një vendim që z. Morales këmbënguli se u bë për arsye logjistike dhe jo politike.

Feliks Herrero, kryetar i Federatës Spanjolle të Organizatave Islamike, tha se elementët agresivë të festivaleve “nuk kishin vend në Spanjën demokratike”. Festimi i rikonkuistës ishte, sipas tij, e krahasueshme me fitoren e Gjeneralit Franko mbi ushtritë republikane të majta gjatë luftës civile në Spanjë.

Mansur Eskudero, kryetar i Bashkimit Islamik Spanjoll, tha se konservatorët e kishës dhe politikës janë kapur me tensionin aktual mbi Islamin në Europë për të nxitur sherr.

“Ata po e politizojnë çështjen, duke u përpjekur të provokojnë një reagim muslimanësh me qëllim që ta tregojnë me gisht dhe të thonë se ç’barbarë jemi ne”, tha z. Eskudero, duke shtuar se pjesa më e madhe e muslimanëve kurrë nuk kanë patur ndonjë problem me festivalet. “Është çështje e balancimit të lirisë së të shprehurit me respektin për të tjerët”, tha ai.

Shënim i “Rimëkëmbjes”.

Nga ky shkrim del se në Spanjë ka ndryshuar shumë mendësia e njerëzve lidhur me vlerësimin e betejave fitimtare të kohës së rikonkuistës katolike. Këto beteja pas disa shekujsh më shumë janë kthyer në festivale zbavitëse jo në kremtime revanshizmi. Por edhe në Spanjë ka zëra që nga fryma teatrore të kalohet sërish në frymën “luftarake” të këtyre përkujtimeve. Në Shqipëri njerëzit nuk kanë pasur dijeni për të tilla festivale. Por dikush me sa duket synon që edhe shqiptarëve t’u shtijë në mendje këtë, madje duke ndjekur frymën e konservatorëve spanjollë. Para pak kohësh në Tiranë u përurua hapja e ambasadës së Spanjës, çka përbën një zhvillim shumë të mirëpritur për Shqipërinë e shqiptarët. Në reportazhet televizive pamë se këtë ceremoni e nderuan me praninë e tyre pushtetarët më të lartë të Shqipërisë. Por një komentuese televizive reportazhin e shoqëroi me fjalinë ”hapja e ambasadës u bë në 514-vjetorin e themelimit të shtetit spanjoll”. Ky përvjetor përputhet me fitoren përfundimtare të rikonkuistës katolike në Spanjë, në vitin 1492, kur ra dhe pikëmbështetja e fundit e mbretërisë myslimane, Granada. Nuk ka asnjë çudi që diplomatët spanjollë ceremonitë e tyre t’i lidhin me këtë ngjarje. Por nëse ajo që dëgjuam në ekranin televiziv nuk ka qenë sipas dëshirës së diplomatëve spanjollë, e bazuar në ndonjë thënie të tyre, por shtese e ndonjë komentuesi shqiptar, atëherë puna ndryshon: dikush ka shfrytëzuar rastin për propagandë sipas orekseve të Lëvizjes për Rikonkuistën Shqiptare.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme