El-Kindiu (185-252 h./ 801-865)

I pari që e ka pranuar fenë islame nga Kindët ka qenë El-Esh’as ibn Kajsi, njëri nga anëtarët e atij delegacionit që i erdhi Pejgamberit a. s.. Numërohet ndër ata shokët e Pejgamberit a.s. që shkuan në Kufë dhe transmetuan traditën. Me Sa’d ibn Vekasin ka qenë i pranishëm në rastin e humbjes së persianëve në Irak, dhe ka qenë në ballë të Kindëve në Sifin me Ali ibn Ebi Talibin. Ka qenë i pranishëm me rastin e humbjes së harixhitëve në Nehrevan. Sa i përket të birit të tij Muhammedit, ai u emërua për vali në Mosul. Abdurrahman ibn El-Esh’asi, në vitin 85 hixhrij, i bezdiset Haxhxhaxhit dhe ky e mbyti, pas së cilit rast pasardhësve të tij nuk u qe caktuar vend i veçant tek familja e Mervanit. Përkundër kësaj, familja e El-Kindiut mbeti në Kufe si një prej familjeve të famshme deri sa Abasitët nuk e morën hilafetin dhe nuk i kthyen në skenë. Kur me Kufën administronte Is’hak ibn Sabahu, gjatë kohës së Mehdiut dhe Reshidit, lindi Ja’kubi, filozofi ynë.

El-Kindiu studioi dituritë sheriatiko-juridike dhe kelamin dhe aktivisht mori pjesë në transmetimin dhe përkthimin e trashëgimisë, mendojmë, natyrisht, në filozofinë. Përktheu disa libra të filozofëve sirianë që i njohu dhe recensoi disa libra të tjera, të përkthyesëve të tjerë, siç është, për shembull, Teologjia e Ibn Naim El-Hamsit.

Për këtë arsye disa historianë arabë e numëruan ndër përkthyes, sikur që këtë e ka bërë Ibn Xhelxhel, autori i veprës Tabekat ‘ul-etibbai : “Janë katër përkthyes të shkathtë në islam: Hunejn Ibn Is’haku, Ja’kub Ibn Is’hak El-Kindiu, Thabit Ibn Kurreh dhe Omer Ibn Ferha Et-Taberiu.” Por, kjo nuk do të thotë se El-Kindiu ishte vetëm përkthyes; për më tepër, ai “përktheu shumë libra filozofike, shpjegoi disa probleme, rezimoi atë që ishte e ngatërruar dhe thjeshtësoi atë që ishte e komplikuar”, si pohon Ibn Xhelxheli në veprën e vet të cekur. Ai, krahas kësaj, ishte, si transmeton Ibn Xhelxheli, “njohës i medicinës, filozofisë, matematikës, logjikës, shkencës mbi llogaritmat, gjeometrisë, astronomisë dhe astrologjisë”, që qartë shpie në atë dhe themelësisht i njohu dituritë para se të merret me filozofi. Kjo, natyrisht, argumenton tezën në të cilën vëmë theksin në librin tonë.

Nuk është kurrfarë çudie që El-Kindiu i dha rëndësi të madhe diturive duke e marrë parasysh atë se është rritur në Kufe e cila ishte qendër e diturisë së kimisë, kurse ne e dimë se ai i dha rëndësi të veçantë kësaj shkence. Nga veprat e tij në aspekt të kimisë është ruajtur traktati i tij ‘Fi kimija ‘il-atar’ e cila në kohën më të re është publikuar në Lajpcig me përkthim në gjuhën gjermane. Pasi që El-Kindiu kaloi prej Kufes në Bagdad, lidhjen më të fortë e lidhi me dituritë dhe kulturën filozofike; me to përfshiu çdo gjë. Në këtë e nxiti lidhja e tij e ngushtë me Me’munin dhe Mu’tesimin dhe me Ahmed ibn Mu’tesimin, edukatori personal i të cilit ishte; atij i kushtoi shumë trajtesa të veta. Për këtë Ibn Nebate në veprën e vet ‘Sherh ‘ul-ujun’ thotë: “Shteti i Mu’tesimit qe dekoruar me El-Kindiun dhe veprat e tij”. Shkëlqeu, po ashtu, edhe gjatë hilafetit të Mutewekilit, deri sa më vonë, ndërmjet atyre dyve, nuk është bërë intrigë që rezultoi që Mutewekili rreptë e goditi El-Kindiun dhe ia mori bibliotekën, që është quajtur El-Kindij. Nuk ka kurrfarë dyshimi në atë se ajo ishte përplot gjëra të çmueshme të njohura deri në atë shkallë. Xhahidhi publikoi në Buhala, në karikaturën e njohur, se El-Kindiu ishte koprrac. Përkundër kësaj, duket se jetoi luksoz apo, si është paraqitur në karikaturën e Xhahidhit, grumbulloi barcoleta kafshësh në kopshtin e shtëpisë së vet.

Ishte i ndarë nga turma, i tërhequr nga njerëzit, i lidhur për librat dhe të shkruarit e tij. Përmendet, në të vërtetë, se fqinji i tij ishte njëri prej tregtarëve të mëdhenj. Një ditë i biri i tij u sëmurë nga sëmundja shpirtërore dhe kërkoi në të gjitha anët mjekë me përvojë. Ndërmjet El-Kindiut dhe tregtarit nuk kishte raporte të mira përkundër fqinjësisë së tyre. Pasi që tregtari në mënyra të ndryshme provoi ta shërojë të birin dhe nuk mundi ta bëjë këtë, i pyeti mjekët se kujt, atëherë, t’i drejtohet. Ata i thanë: “Ti je në fqinjësi të filozofit të kohës sate. Ai më së miri e njeh ilaqin e asaj sëmundjeje. Sikur t’i drejtoheshe atij, do ta gjeje atë çka e dëshiron,” El-Kindiu e mjekoi me muzikë deri sa nuk u shërua.

Nga arsyeja se El-Kindiu i njohu të gjitha dituritë dhe disiplinat dhe se ishte arab musliman, përkundër atyre që janë marrë me ato dituri dhe i përkthyen nga mjekët sirianë, El-Kindiu, me të drejtë, është i njohur me emrin ‘filozofi arab’ dhe ‘filozofi islam’.

Filozofia e tij për ne ishte e panjohur për shkak se librat e tij janë humbur; janë gjetur mezi njëzet e disa trajtesa. Ata që merren me filozofinë islame, orientalistët dhe arabët, i kushtojnë kujdes shumë të madh publikimit të tyre dhe në masë të konsiderueshme duke e ndriçuar filozofinë e tij dhe vendin e saj.[1]

El-Kindiut i takon meritë e madhe në atë që e klasifikoi filozofinë, pasi që e harmonizoi me islamin, në korpus të diturive islame. Në librin e tij që ia përkushtoi Ahmed El-Mu’tesim Bil-lahit Fi ‘l-felsefet ‘il-ula konsideron se feja dhe filozofia e kërkojnë të vërtetën. Feja ndjek rrugën e Sheriatit, kurse filozofia metodën e argumenteve. “Filozofisë i përket vendi më i ndershëm dhe shkalla më e lartë, përkatësisht filozofisë së parë (mendon në metafizikën). Me këtë nënkuptojmë diturinë mbi Të vërtetën e parë që është shkak i çdo të vërtete.”[2]

Dituria e të vërtetës është, pra, kërkesë e filozofisë. Ka pasur shumë filozofë që janë bërë të njohur, pikërisht, duke e ngritur të vërtetën; duke e konsideruar për konstante, të pafillim në botën më të madh dhe më më lartësuar se kjo bota jonë që i nënshtrohet ndryshimit, vrojtimit dhe eksperimentit. Këtë trashëgimi arabët e morën prej filozofëve grekë. Por, me të vërtetën nënkuptuan atë që është e kundërta e të pavërtetës; kërkuan dituri mbi natyrën e sendeve e jo dituri për ato aspektet e tyre eksteriere, aksidentale që na dëftohen. U shfaq El-Kindiu, i cili pjesën më të ndershme të filozofisë e bëri dituri mbi Filozofinë e parë. Një E Vërtetë është, sipas tij, siç e ceki këtë edhe në traktatet e tij të tjera të përkushtuara Ahmed Ibn Mu’tesim Bil-lahit :”Krijuesi i Parë – Mbajtësi i çdo gjëje ekzistuese, çdo gjë të krijuarës”. Sa i përket kaptinës së filozofisë, e cila është më e ndershmja dhe e cila diskuton mbi Zotin, është pikërisht ajo në çka thirret Aristoteli në Metafizikën e tij të cilën Arabët e quajtën Kitab ‘ul-huruf. Theksuam se kaptina që flet mbi Zotin si ‘Lëvizësin e Palëvizshëm’ është një prej kaptinave më të rëndësishme, duke e pasur parasysh, natyrisht, atë deri te e cila arriti Aristoteli në drejtimin e tij. Përveç kësaj, El-Kindiu ka konsideruar se diskutimi mbi Njërin është pjesa më e ndershme e filozofisë; e paraqet Zotin me cilësitë që i sjell Islami, se Ai është Krijues dhe Mbajtës i çdo gjëje që e krijoi.

Zoti sipas Aristotelit është Lëvizës i botës, kurse sipas El-Kindiut është krijues i qiejve dhe i Tokës.

Duket se El-Kindiu ishte i pari që në filozofinë islame e inkuadroi klasifikimin e filozofisë spekulative; klasifikimin që përfshinë matematikën, fizikën dhe teologjinë. El-Kindiu diturive filozofike ia ka parapri dituritë matematikore, sepse ato janë ‘Të parat në arsimim’ për ç’arsye u quajtën dituri arsimore. El-Kindiu në klasifikimin e theksuar ndoqi Ptolomeun, i cili e bëri këtë në Almagest. El-Kindiu ishte i pari që e vendosi metodën e harmonisë ndërmjet islamit dhe filozofisë islame; kjo erdhi në shprehje te pasardhësit e tij.

Përveç kësaj, El-Kindiu ra në kundërthënie me peripatetikët dhe përfaqësuesit e neoplatonistëve me rastin e recensimit të Eneadeve të Plotinit, që janë të njohura me emrin Teologjia, duke mos vërejtur se ajo është në kundërshti me drejtimin e Aristotelit, sikur që, po ashtu, ra në kundërthënie në aspekt të të kuptuarit të arsyes dhe shpirtit, dhe shkroi, herë-herë, disa traktate në të cilat shumë gjera i merrë nga Aristoteli, nga një anë, dhe traktate tjera në të cilat ndjek Plotinin, nga ana tjetër. Këtë çështje më hollësisht do ta shqyrtojmë kur të flasim për temat e filozofisë islame.

Klasikët e akuzuan se nuk depërtoi thellë në logjikë; se prej saj arriti vetëm shkathtësinë e analizës, por, sa i përket argumentimit, nuk arriti ta harmonizojë në perceptimin e tij.

Hapësira e ekspozeut tonë nuk lejon që më hollësisht ta shpjegojmë filozofinë e tij, por dëshirojmë ta mbyllim fjalën mbi filozofin arab me atë se ishte fotografia e kulturës islame e cila e arriti kulmin e lulëzimit në periudhën abasite. Jetoi jetë dinjitoze dhe harmonike. Konsideroi se muzika duhet të përshtatet në pajtim me intervalet e ditës dhe natës. Për këtë thotë:

“Karakteristika kryesore e muzikës është që t’i përgjigjet çdo çasti të ditës, që të pajtohet me ritmin kohor të çastit. Karakteristika e përdorimit të saj në fillim, për shembull, duhet të jetë në funksion të ritmicitetit, disponimit, zgjimit të ndjenjave dhe entuziazmit… Në mes të ekzekutimit muzikor ritmi i muzikës duhet të jetë në shërbim të forcimit të shpirtit, guximit dhe trimërisë, kurse në fund në shërbim të disponimit, gëzimit dhe haresë…”.[3]

Në këtë traktat El-Kindiu përmend llojet muzikore të cilat në trup gjallërojnë forcën e mbrojtjes, butësinë, e shpejtojnë gjakun, e nxisin pikëllimin … Kemi cekur se si e shëroi El-Kindiu të sëmurin shpirtëror me muzikë. Në mënyrën kulturore të jetesës, El-Kindiu, po ashtu, në aspekt të elegancës, dëftoi në përzierje ngjyrash. “Ngjyra e kuqe me të verdhën e nxitë forcën e krenarisë, ngjyra e verdhë kur përzihet me të zezën e nxitë përbuzjen, kurse kur përzihet ngjyra e bardhë që i ngjason të verdhës me të kuqe, e nxitë forcën e ëmbëlsisë për lakmi. E, nëse përzihen të gjitha ngjyrat, si përzierje e shkëlqyeshme, i nxisin të gjitha forcat, fuqitë …”. Përzierja e aromës dhe parfumit ka ndikimet e saj psikike. “Kur përzihet aroma e narcisit dhe jaseminit, nxitet forca e krenarisë dhe ëmbëlsisë, e kur përzihet zambaku me shafran, e nxitë forcën e dashurisë me krenarinë…”

Nga e ekspozuara konstatohet që El-Kindiu ishte, pa e tepruar, një nga filozofët më të mëdhenj të kulturës islame në shekullin e tretë.

--------------------------------------------------------------------------------
[1] Shih: Mustafa Abdurrazik, Fejlesuf ‘ul-arab we ‘l-mual-lim ‘uth-thani; Ahmed Fuad El-Ehwani, Kitab ‘ul-Kindi ila El-Mu’tesim Bil-lahi fi ‘l-felsefet ‘il-ula; Abdulhadi Ebi Rideh, Resa’il ‘ul-Kindi fi xhuz’ejni; Mahmud El-Hafi, Risalet ‘ul-Kindi fi ‘l-musikijj; Kimija ‘l-atar dhe Risaletu fi defi es-sumumi, të publikuara në Lajpcig.
[2] El-Ehwani, Kitab ‘ul-Kindi fi ‘l-felsefet ‘il-ula, fq. 78.
[3] Risalet ‘ul-musikijj.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme