El-Farabiu (259-339 / 870-950)

U lind në fshatin Vasixh jo larg Farabit. Krahas gjuhës turke dhe persiane e mësoi edhe arabishten. Por, gjuhën arabe e pranoi ashtu siç e pranoi Islamin si fe. I studioi dituritë fetare dhe sheriatike, e pas kësaj kaloi në studimin e diturive tjera, e veçantë matematikës dhe filozofisë. E tërhoqi Bagdadi me dritën e diturisë dhe kulturës, ku vuri kontakt me Ebu Beshir Ibn Junusin, prijësin e logjistëve në Shtëpinë e shpëtimit, duke ndejtur aty rreth njëzet vite dhe këmbëngulësisht duke studijuar logjikën deri sa nuk e kaloi profesorin e vet. Titulli më i madh që e mori është Mësuesi i dytë, për shkak se shkëlqyeshëm është shquar në planin e logjikës dhe për shkak se ishte i pari që e inkuadroi logjikën në kulturën arabe; Aristoteli është quajtur Mësuesi i parë për shkak se i pari e vendosi këtë disiplinë.

Hyri në pallatin e Sejfuddewle El-Hemedanit në Halep ku u takua me shumë poetë, linguistë, juristë dhe shkencëtarë. Filozofi El-Farabiu ishte vravashka e parë; shteti i Sejfuddewles mburrej me të ashtu si mburrej shteti i Mu’tesimit me El-Kindiun. Hyri te Sejfuddewle, siç transmetojnë librat biografike, në petka sufiste. I ndërroi vendqëndrimet në qytetet siriane. Një kohë jetoi në Damask, ku i vizitoi kopshtet e tij duke u shoqëruar me librat, duke u kënaqur në mesin e shadërvanëve dhe kopshteve të gufuara.

El-Farabiu ishte më i varfër në shkrim. Nuk la aq shumë libra siç lanë El-Kindiu dhe Ibn Sinai. Shumica e librave të tij i kushtohet logjikës, kurse ajo na obligon që t’i hulumtojmë në mënyrë që të vijmë deri te njohuria mbi vendin që ai e zë në planin e logjikës për çka është quajtur Mësuesi i dytë. Përkundër kësaj, megjithatë mbetën disa burime të pendës së tij që dëftojnë mjaft se përmendja e tij është e denjë për personifikim jo vetëm në botën islame por edhe në tërë njerëzinë. Veprat më të rëndësishme janë: Ihsa ‘ul-ulum (Klasifikimi i diturive), El-Medinet ‘ul-fadileh (Shteti ideal) dhe El-Musika el-kebir (Muzika e madhe). Do të vëresh se këto tri vepra dëftojnë në atë se El-Farabiu ishte filozof-humanist, e jo filozof-matematikan. Kujdes më të madh i kushtoi njeriut, moralit të tij dhe jetës ideore, shoqërore dhe artistike se sa spekulimit dhe reflektimit mbi gjërat natyrore.

Vepra e tij Ihsa ‘ul-ulum është përkthyer në gjuhën latine dhe me të madhe ndikoi në filozofinë perëndimore në mesjetë. Në këtë kemi dhënë shenjë më parë kur folëm mbi klasifikimin e diturive ndër arabët. El-Farabiu klasifikimit të njohur, në pajtim me atë të Aristotelit, i shtoi shkencat mbi gjuhën, siç është, për shembull, gramatika, pastaj dituritë sheriatiko-juridike dhe kelamiste. Me këtë prezentonte pasqyrën e jetës kulturore dhe intelektuale të muslimanëve, pasqyrë që buron nga Kur’ani.

Kur El-Farabiu shtroi tërë fotografinë e klasifikimit të diturive, me të madhe i është lehtësuar t’i shohë ngjashmëritë ndër dituritë. Për shembull, gramatika numërohet në thelb të hulumtimeve gjuhësore, por është e ngjashme edhe me dituritë gjeometrike dhe mekanike. Rasti i tillë është edhe me logjikën. El-Farabiu, pra, ndjek Aristotelin në të kuptuarit e logjikës si mjet të diturive, e jo si shkencë, siç konsideronin stoikët. Andaj nuk është kurrfarë çudie që El-Farabiu e përcakton dhe e vë logjikën si vegël (organon), mjet dhe shkathtësi e cila “ofron ligjet që, nëse respektohen, mund ta korrektojnë mënyrën e mendimit dhe ta orientojë njeriun në rrugën e drejtë të së vërtetës.” Logjika me të madhe i ngjason gramatikës dhe prozodisë. Ajo merret me qartësi, sikur që gramatika merret me fjalët, kurse prozodia me vargjet. Ligjet e logjikës janë rregulla që hulumtojnë qartësinë e të kuptuarës, njëjtë sikur që dimensioni, volumeni dhe masa maten me madhësi.

Në ekspozeun paraprak mbi El-Kindiun theksuam se El-Kindiu ra në kundërthënshmëri në aspekt të pajtimit të filozofisë së Aristotelit, Platonit dhe Plotinit. Nuk qe i aftë t’i harmonizojë dallimet themelore ndër drejtimet e këtyre filozofëve. El-Farabiu i vërejti këto dallime, i orientoi dhe u përpoq ta vendosë harmoninë ndërmjet tyre, t’i pajtojë peripatetikët dhe neoplatonistët, veçan në librin e vet ‘El-Xhem’u bejne rea’l-hakimejni’. Në hyrje në librit të vet i simplifikon problemet kundërshtuese që e preokupuan frymën e filozofisë islame, gjatë periudhave të saj. Për këtë arsye do të vlente ta përkujtojmë hyrjen e tij të tërësishme:

“Pasi vërejta se numri më i madh i dijetarëve të kohës sonë reciprokisht grinden dhe zihen mbi zanafillën e botës dhe amshueshmërinë e saj, duke u thirrur në atë se ndërmjet Platonit dhe Aristotelit, dy urtakë të famshëm, ekzison dallim i madh në dëshmimin e Krijuesit të Parë, ekzistimit të shkaqeve, shpirtit dhe inteligjencës, mbi veprat e mira dhe të këqia dhe mbi të gjitha gjerat morale, politike dhe logjike - në këtë shqyrtim, pikërisht, do të dëshiroja ta vendosi harmoninë ndërmjet pikëpamjeve të tyre.”

Te ne nuk ka kurrfarë dyshimi në atë se El-Farabiu autentikisht dhe besnikërisht e njohu filozofinë greke. Mbase e njohu edhe gjuhën greke. Iu kthye frymës së Aristotelit dhe Platonit të cilët, sipas mendimit të tij, janë themelues të filozofisë dhe krijues të elementeve dhe principeve të saj. Ka vërejtur se ndërmjet tyre nuk ka dallime esenciale pos në disa gjera sekondare. El-Farabiu dyshoi se vepra Teologjia i përket Aristotelit, duke e marrë parasysh kundërthënshmërinë e veprës me bazat e drejtimit të Aristotelit. Përkundër këtij dyshimi, megjithatë, El-Farabiu mban qëndrimin se kjo vepër posedon ide të thella, që, kur zbulohen, eliminohet dyshimi dhe konfuzioni.

El-Farabiu vendosi harmoninë ndërmjet Platonit dhe Aristotelit dhe prej çdonjërit prej tyre ka marrë atë që ia tërhoqi vëmendjen. Filozofia është dituri mbi ekzistentët, mbi çdo gjë ekzistuese. Në këtë ndoqi Aristotelin, në konceptimin e vet të njohur të filozofisë, siç e ndoqi, po ashtu, edhe në klasifikimin e vet të filozofisë. Ky klasifikim përfshin metafizikën, fizikën, logjikën, matematikën dhe politikën. Filozofia, pra, është dituri që “zbulon fushat e diturive të përmendura, që i përfshin të gjitha. Nuk ekziston asgjë nga ekzistentet e botës e që në këtë filozofia nuk ka pjesëmarrje, nuk vë cak dhe nuk ofron dituri në pajtim me fuqinë e njeriut.”

Ekzistonin disa dallime në shkrim ndërmjet metodës së Platonit dhe metodës së Aristotelit. Platoni në shkrim për atë që kaloi dhe në regjistrimin e diturive nuk kënaqet me ngarkesën e librave me mendime konkrete. Pasi i frikësohej harresës dhe lajthitjes, i zgjodhi simbolet dhe enigmat, duke tentuar ta komunikojë urtësinë dhe dijen e vet. Sa i përket Aristotelit, metoda e tij përbëhej në shpjegim, regjistrim, kompozim të planit, lajmërim, zbulim dhe eksplikim. Pikëpamja e Platonit dhe mënyra e ekspozimit është evident në disa shqyrtime të tij. Metoda e tij aplikohet vazhdimisht deri në ditët e sotme; sepse, disa filozofë konsiderojnë se të vërtetat e para mësohen me anë të fuqisë së vrojtimit, të vërtetat që filozofi i jeton me spekulim dhe meditim e cila e ngadhënjen demonstrimin.[1] Ndoshta ky ishte një prej shkaqeve për ç’arsye El-Farabiu u mbështet në aspektin sufist, në mënyrën në të cilin thirret në shkrimet e tij. Kjo mënyrë më afër ia parashtron simbolikës se sa zbulimit dhe eksplikimit.

El-Farabiu ishte i pari që vendosi harmoninë ndërmjet drejtimeve të mëdha greke, për dallim prej El-Kindiut. Ishte i aftë t’i harmonizojë dy nocione që kanë të bëjnë me Zotin. Një është Ekzistuesi. Kjo është cilësi që filozofia greke ia ka atribuuar Zotit dhe paraqet esencën e filozofisë së Aristotelit, deri sa cilësia Një, që ka të bëjë me Zotin, është esenca e filozofisë së Plotinit. Do të kemi rast ta shpjegojmë këtë më gjerë kur të flasim mbi ekzistencën e Zotit te filozofët muslimanë, teorinë e emanacionit dhe zingjirin e ekzistencave nga Zoti i Madhërishëm. Mendojmë se Mësuesi i dytë ishte pikërisht ai që ia hapi dyert Ibn Sinait, i cili u paraqit pas tij dhe i cili ndoqi këtë metodë.

Vepra e El-Farabiut El-Musika luajti rol të madh në kulturën islame dhe evropiane në mesjetë. Është e natyrshme, ndërkaq, që El-Farabiu në plan të muzikës mori shumëçka nga paraprijësit e tij; por duket se ai ishte i pari që e vuri muzikën si shkencë të bazuar në rregullat teorike. Disa historianë arabë konsideronin se El-Farabiu për këtë arsye e fitoi nofkën Mësuesi i dytë, pra për arsye që u vuri bazat e muzikës, ashtu siç është quajtur Aristoteli Mësues i parë për arsye se i pari i vuri rregullat e logjikës.

Vëmendja e El-Farabiut me të madhe qe orientuar kah politika. Për këtë shkroi veprën El-Medinet ‘ul-fadileh dhe disa trajtesa të tjera siç janë Tahsil ‘us-seadeh, Es-Sijaset ‘ul-medenijjeh dhe Et-Tenbihu ala sebil ‘is-seadeh. Tërësia e pikëpamjeve të tij mbi reformën e shtetit kanë të bëjnë me atë se ajo duhet të zë fill nga një anë në vlerat etike dhe, nga ana tjetër, në shkathtësi. Sipas El-Farabiut ekzistojnë tri lloje vlerash: spekulative, intelektuale dhe morale. Në veprën e vet Tahsil ‘us-seadeh pohon: “Ekzistojnë tri lloje vlerash që, kur të sendërtohen në mesin e popujve dhe banorëve të qyteteve, sendërtohet edhe fati në jetë në këtë botë, e këto janë: vlerat spekulative, vlerat morale dhe shkathtësitë praktike.”

Vlerat spekulative janë dituri të ndryshme që kanë për qëllim kognitimin e ekzistencave. Ato mund të jenë dyllojesh. Lloji i parë janë natyrore dhe inspirative, kurse lloji i dytë arrihen me spekulim, ekzaminim, deduktim, mësim dhe studim. Janë tri shkenca: metafizika, fizika dhe matematika.

Vlerat intelektuale shërbejnë për arritjen e synimeve që njeriu para së gjithash i mendon, e pastaj synon sendërtimin e tyre.

Sa të jenë synimet të dobishme dhe qëllimmira, po aq edhe mjetet do të jenë të dobishme dhe qëllimmira. Rruga e sendërtimit të tyre është pikërisht ajo që është e dobishme dhe e bukur, kurse më e dobishmja dhe më e bukura në mendime dhe në shkathtësitë praktike, ku zë fill kultura e popujve, është fitimi i vlerave morale, përsosuria morale.

--------------------------------------------------------------------------------
[1] Për këtë shih librin tonë mbi Platonin, Dar ‘ul-mearif.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme