Përveç veprimtarisë fetare, ata angazhohen edhe në zhvillimin e arsimit në gjuhën shqipe, madje shumë herë edhe duke i zhvilluar paralelisht të dy detyrat. Fillimisht kjo e ka burimin në moslejimin e mësimit në gjuhën amtare nga organet pushtuese dhe, në periudhën e mëvonshme, edhe në frenimin e ushtrimit të fesë për arsye indoktrinuese, ateiste.
Sherif B. Ahmeti, arsimin fillor dhe atë të mesmin (medresenë) i bëri në Prishtinë. Duke pasur edhe formim në gjuhën amtare, ai punoi si mësues në fshatrat Banullë, Gadime, Sllovijë, duke vazhduar paralelisht edhe shkollën normale, të cilën e përfundon me sukses. Veprimtaria e tij arsimore la mbresa në nxënësit e atyre fshatrave dhe në prindërit e tyre.
Në vitin 1965 e ngarkojnë si mësimdhënës në medresenë "Alauddin" të Prishtinës, ndërsa në vitin 1970 e deri në vitin 1984 ishte drejtor i saj. Më 1985 u ngarkua me detyrën e Myftiut të Prishtinës, të cilën e kreu deri në vitin 1990, kur kishte mbushur moshën 70 vjeç dhe e nxjerrin në pension. Por, që me hapjen e Fakultetit Teologjik në Prishtinë, Sherif Ahmeti angazhohet edhe si mësimdhënës i "Akaidit"..
Veprimtaria e tij shumë me vlerë është edhe në fushën e studimeve dhe të botimeve që bëri. Që në vitin 1968 ai ishte kryeredaktor i revistës fetare "Buletini", që i para priu "Edukatës Islame", në të cilën qe njëkohësisht si drejtues deri në vitin 1983.
Ai bëri emër të nderuar edhe në fushën e përkthimeve. Në vitin 1987, pasi kishte përkthyer më parë nga arabishtja suren "Jasin", dorëzoi në shtyp përkthimin e Kur’anit me komentim, i cili u ribotua në Tripoli në 50 mijë kopje, në Kairo në 30 mijë dhe në Medinë në një milion kopje.
Sherif Ahmeti është edhe autor i veprës dinjitoze "Komente dhe mendime islame", prej afër 400 faqesh, botuar në Prishtinë, më 1995, e cila është një ndihmesë e çmuar për ngritjen e vetëdijes islame të popullit shqiptar, ku përmblidhen punime, një pjesë e të cilave të shkruara në kohën e censurës ateiste.