Sikur edhe të gjithë të tjerët, te të cilët fuqia e vullnetit është karakteristika kryesore e karakterit, Omeri, së pari, ishte kundërshtar i rreptë i asaj gjëje së cilës më vonë do t’i shërbejë me të gjitha format e veta. Ndoshta legjenda mbi persekutimin e muslimanëve të parë, që e ka kryer Omeri, pak është e tepruar, që më fuqishëm të nënvizohet kthimi i tij i befasueshëm pasi që i dëgjoi disa ajete kur anore te motra e vet Fatimeja, e cila, me burrin Said ibn Zejdin, tashmë më herët e patë pranuar thirrjen e Muhammedit a. s..
Sipas gojëdhënës, Omeri kaloi në islam në vitin 26 të jetës, katër vjet para Hixhretit; sipas të gjitha gjasave, numri prej rrumbullak 30 vjetëve, që i jepet në lidhje me fillimin e llogaritjes së kohës, nuk është autentik; sido qoftë është e sigurtë se ishte në behar të jetës së vet, kur ka filluar rrugën e vet të re jetësore si përkrahës aktiv i Islamit. Legjenda tepron kur pohon se, pos vetes, i ka vënë islamit në disponim edhe fuqinë e familjes së vet (i përkiste fisit Benu Adi ibn Kab (Ka’b), të cilët ishin vetëm Kurejsh ez – Zawahir, dhe, për këtë, nuk kanë pasur ndonjë ndikim në jetën politike të shtetit tregtar). Edhe pse, si njofton gojëdhëna, me hyrjen e tij së shpejti bashkësia islame ndieshëm është rritur, megjithatë ndërmjetësimi i tij nuk ka ndikuar më thelbësisht në ngjarje, sepse ata kanë sjellë deri te shpërngulja në Medine. E këtu ai, në emër të Pejgamberit dhe, qartë, i forcuar me forcën e nismës së tij, ka punuar, në të vërtetë, në organizim të shtetit të ri, e duke mos pasur ndonjë pozitë zyrtare. Roli i tij ka qenë, më tepër rol këshilltari se rol luftëtari; ndonëse ka marrë pjesë në luftrat në Beder, në Uhud etj., thuajse fare nuk flitet për veprat e tij heroike, kurse, përkundër kësaj, janë të shumta njoftimet për veprat e tilla të Aliut dhe shokëve të tjerë. Gojëdhëna, që vetëm tri shpallje kur’anore i lidh me nxitjen e tij (Kur’an II, l25 – mbi respektimin e Mekami Ibrahimit pranë Kabës; XXX III, 53 - mbi perden në lidhje me gratë e Pejgamberit; LXVI, 6 - mbi qortimin e atyre grave) do të mund të ishte jo vetëm e vërtetë, por madje edhe mjaft koprrace, në përmendjen e rasteve të ndikimit të Omerit mbi Pejgamberin dhe inspirimin e tij. Është karakteristike për rolin e Omerit në bashkësi gjatë periudhës medinase pajtimi i tij i plotë me Ebu Bekrin, që kurrë me asgjë nuk është çrregulluar. Me atë që, sikur edhe Ebu Bekri, ka qenë vjehërr e Pejgamberit me anë të martesës së vajzës së tij Hafses, kurrë nuk i ka ra ndërmend që të jetë rival i Ebu Bekrit; larg asaj, ai ka qenë pikërisht ky që e ka shtyrë Ebu Bekrin ta merrë halifatin. Ka qenë, pra, logjike që ai, pas kësaj, ka qenë trashëgimtar natyror.
Pyetja e përcaktimit të Omerit për halif vijues nga ana e Ebu Bekrit në vdekje paraqet pyetje kontestuese të shumfishtë te teoretikët islam të të drejtës kushtetuese. Në realitet, si duket, nuk ka ndodhur ndonjë akt formal i emërimit, i cili madje as nuk do të kishte vlerë, pasi që është i kundërt me traditën arabe. Omeri de facto e ka marrë sundimin, kurse pranimin, që së shpejti ia kanë shprehur shumica e shokëve të Pejgamberit, i ka siguruar kryerja e tij në mënyrën krejtësisht të ngjashme, sikur që kryhet emërimi i emirëve në fise. Veprimi i tillë krijon vështirësi vetëm atëherë, kur kundërshtitë e partive janë veçanërisht të ashpra, sikur, p. sh. gjatë zgjedhjes së Aliut. Me zgjidhjen e Omerit ka qenë e pakënaqur vetëm partia legjitime e Aliut dhe e Ensarëve, që ishte ngadhnjyer tashmë me halifatin e Ebu Bekrit, ashtu që edhe nuk ka mund të paraqesë ndonjë opozitë.
Kur hyri në pozitë të halifit, Omeri i gjeti pushtimet në hovë të plotë; kur u fillua me to, ai kësaj i ka kontribuar ndoshta më shumë se sa të tjerët, si këshilltar i pararendësit të vet. Duke mos hyrë në hollësi të atyre pushtimeve, duhet nënvizuar se fakti i denjë për mahnitje, është se ai, qytetari i rendomtë i Mekes së vogël, ishte i gatshëm, me pushtetin e thjeshtë urdhërues, t’i mbajë për freri, grumbujt beduinas, të padisiplinuar, në hapësirën e gjerë të shkapërderdhura dhe se ka ditur të bëjë që autoritetin e tij të pakushtë ta ndiejnë komandantët e tij, të cilët realisht kanë qenë zotërinjt e vetëm të gjendjes së gjerave. Ndonëse sukseset ushtarake, drejtpërdrejt, nuk janë vepër e Omerit, megjithatë i takon merita se kurrë nuk e ka humbur kontrollin mbi gjeneralët të vet, e veçan ka ditur të shërbehet me familjen e fuqishme e të talentuar emevite, e megjithatë, duke mos i lejuar duart e lira. Konflikti i tij me Halid ibn el-Welidin, i cili, pas fitoreve të veta më të shkëlqyeshme, të cilat i fitoi për Islamin, qe ndërruar dhe atëherë vdiq në harresë, tregon, njëkohësisht, shkallën e lartë të sensit politik të Omerit dhe pikëarritjen e pushtetit të tij. Ndjenja për kufijt e fuqisë së vet e ka përmendur që me kujdes të sillet me Amr ibn el-Asin dinak dhe t’ia lejojë udhëheqjen gjatë pushtimit të Egjiptit; por në krah me kujdes ia ka vënë shokun e vjetër të Pejgamberit ez-Zubejrin, i cili ka mundur t’ia kontestojë autoritetin. Qëllimisht ua ka besuar pergjithësisht (detyra e ez-Zubejrit nuk ka qenë përjashtim) pozitat udhëheqëse shokëve më të dalluar të Pejgamberit, për autoritetin e të cilëve është dashur të kujdeset; ai me dëshirë i mbante nën kudes rigoroz, kurse edhe i qetësonte ata në mesin e tyre, që tregonin disa synime të veçanta, me të ardhura nga të mirat e mëdha në Irak dhe Siri, që ua patë ndarë. Nëse Tradita tek Omeri sidomos e çmon mënyrën e tij strikte, në këtë nuk guxohet të harrohet se ai ka ditur të arrijë suksese edhe me metodat e buta dhe më pak të thjeshta.
Halifati i Omerit, që d.m.th. riformësimi i plotë i shtetit islam, konsiderohet në Traditë si periudhë, në të cilën janë krijuar të gjitha institucionet politike të mavonshme të shtetit islam. Nuk ka dyshim se këtu është tepruar, dhe se tërë puna e shumë brezëve është shpjerë vetëm në një personalitet. Por, edhe më tej kontributi i Omerit mbetet i madh. Normat e mirësjelljes me shtetasit jomusliman, konstituimi i regjistrit të atyre që kanë të drejtë me përkrahjen ushtarake (divan), themelimi i kampeve ushtarake (amsar), nga të cilat kanë buruar metropolat e ardhshme të Islamit, dhe krijimi i shërbimit të kadiut, gjithësesi janë vepër e tij personale. Prej tij rrjedh, më tej, edhe një varg masash të natyrës fetare (teravia në muajin ramazan, pelegrini obligativ), sikur edhe të natyrës civile-juridike dhe ndëshkimore-juridike (llogaritja e kohës sipas Hixhretit, ndëshkimi i dehshmërisë dhe gurëzimi i adulterit). Ndonëse, në realitet, shumë prej atyre institucioneve, sidomos ato fiskale, kanë bartur, më parë, karakteristikat e rregullimit të përkohshëm se sa të ligjësimit përfundimtar dhe ndonëse, në realitet, nëpunësit persianë dhe bizantinë edhe më tej kanë udhëhequr gjendjen finansiare, kurse paraja, më tej, farkohej me simbolet e të dy këtyre mbretërive, megjithatë ky sundues duhet të cilësohet si gjeni politik; ai ka ditur që shumësisë laramane e të ngatërruar, nga e cila përbëhej shteti i ri islam, t’i jep vulën unike e të përhershme.
Përkundër karakterit autoritar të sundimit të tij, halifati i Omerit nuk ka pasur asgjë në vete nga regjimi monarkist. Ai, përndryshe, është dalluar nga ai i Ebu Bekrit me të kuptuarit e thellë për karakter permanent, kështu për fitullin halifa, që me themel ka idenë mbi “mëkëmbësin”, paraqitet emërtimi emir’ul-mu’minin (që Omeri e pranoi në vitin 19 të Hixhretit), me çka më fuqishëm theksohet karakteri i sunduesit, e njëkohësisht edhe ana fetare më qartë theksohet. Do të mund të thuhej, njëmend, se Omeri kishte prirje – natyrisht, në kuptim tjetër – që ta përtërijë sundimin e Pejgamberit nga periudha fillestare e Islamit, ndonëse ai nuk ka mundur, e as të veprojë si Pejgamberi, megjithatë ka ditur ta shfrytëzojë përvojën e lidhjeve miqësore që e lidhnin me Pejgamberin, që në frymën e tij t’i jep ligjet, dhe që disa masave t’u jep gati bazë mbinatyrore. Mbase këtë dëshiron ta shprehë tradita, kur thotë se Muhammedi ka thënë: ”Nëse Zoti do të dëshironte që pas meje të paraqitet edhe pejgamber tjetër, ky do të ishte Omeri”. Lehtë mund të shihet se qëndrimi i tillë ka qenë i mundshëm vetëm për shkak të autoritetit të jashtëzakonshëm të Omerit (dhe me të ndërpritet; mësimet mbi transmetimin e cilësive pejgamberike tek më vonë do t’i kapin shi’itët).
Gojëdhëna tregon se ndaj Omerit më shumë frikësoheshin, se sa që e donin. Kjo ndjenjë do të mund të ishte e vërtetë; por duhet vërejtur që Omeri i ka borxh respektn vetëm ndikimit moral, që e ka nxitur, pasi që fuqia materiale, me të cilën ka disponuar, nuk ka qenë e madhe. Opozita (opozitës pararendëse të Aliut i është bashkangjitur shumica e shokëve të Pejgamberit) nuk guxonte publikisht të paraqitej. Personi besnik i Omerit, mbase edhe trashëgimtar in pectore, ka qenë Ebu Ubejde. Kur ai vdiq, si viktimë e murtajës së madhe, në vitin l8 sipas Hixhretit, Omeri, si duket, më nuk është marrë me çështjen e trashëgimtarit. Ai, përndryshe, ka qenë në kohën më të mirë (53 vjet), kur më 3 nëntor 644 ra si viktimë nga goditje e thikës së Ebu Lu’ luit, një robi kristian të drejtuesit të Basrës el-Mugithe ibn Shube (Shu’be). Sipas Traditës mativi i cekur i atij akti do të duhej të ishte tatimi tej mase, në çka robi së koti i ankohej halifit; orientalisti italian Kaetani konsideron se mbytësi ka qenë vetëm vegël e një komploti të shokëve, të cilëve iu mërzit tirania e halifit. Është e sigurt se një prej bijve të Omerit, Ubejd’ull-llahu i fuqishëm, i cili ra në betejen e Sifinit, e shtroi dyshimin e njëjtë; por asgjë nuk e arsyeton parashtrimin se ky dyshim është i bazuar. Gjithësesi mund të supozohet se Omeri, sikur të jetonte më gjatë, do të kujdesej për trashëgimtarin e vet; fryma e tij e qartë paluhatshëm do t’i tregonte në domosdoshmërinë që të rregullojë këtë çështje. I mungonte koha, dhe se vendimi për trupin zgjedhor (shura), që përbëhej prej gjashtë shokëve të vjetër të Pejgamberit, në bazë të të cilës ka rezultuar zgjedhja e Osmanit, ka mundur – madje edhe nëse Omeri këtë trup e ka emruar në shtratin e vet të vdekjes (disa këtë e kontestojnë) – do të jetë vetëm dalje nga domosdoshmëria.
Omeri do të mund të vështronte i kënaqur në punën e tij. Ai vërtet ishte themeluesi i dytë, si thuhet, i Islamit, i cili ndërtesës, të ngritur me frymëzimin e Pejgamberit, i dha suazat shoqërore dhe politike. Por duhet shtuar se problemeve të mëdha, që shfaqeshin me përhapjen vigane e të shpejtë të Islamit, nuk u dha zgjidhje përfundimtare. Veçan janë raporti ndërmjet atyre që një kohë të gjatë kanë qenë në islam dhe Ensarëve, në një anë,. dhe të rinjve nga aristokracia mekase, nga ana tjetër, dhe nënshtrimi i njësive luftarake arabe, të shpërndara nëpër hapësirën e madhe të mbretërisë, pushtetit qëndror i kanë paraqitur, ndonëse ende të pamanifestuara, vështirësi mjaft serioze. Vetëm trashëgimtari i Omerit, Osmani, do të detyrohet të ballafaqohet me këto provokime, e që, megjithatë, nuk ka poseduar kualitetet e nevojshme që të mbizotërojë me ta.
Derisa Tradita autentike respekton në personalitetin e Omerit jo vetëm sunduesin e madh, por edhe një prej shembujve tipik të virtyteve fetare islame, shi’izmi kurrë nuk ka fshehur indiferentitetin e vet kundrejt tij, i cili i pari ka refuzuar kërkesat e Aliut dhe të familjes së tij.
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Nerkez Smailagić, Leksikon islama, Sarajevo, l990, fq. 467 - 463.