
Data dhe viti i lindjes së tij nuk janë të njohura. Erdhi në lidhje me politikën dhe i shërbeu asaj në Granadë dhe Saragosë njëzet vjet me Ali Ibn Jusuf El-Murabitin. Nga këtu udhëtoi në Fes, ku vdiq. Siç transmetohet, është helmuar nga shkaku i intrigave të armiqve të tij. Është akuzuar për jobesimtar, siç theksoi Ibn Hakani kur i përshkroi ateizëm: “Ai përsiati mbi veprën e dhënies mësim, studioi vëllimin dhe volumenin e kupës qiellore, kufijt e botës dhe e refuzoi librin e Zotit…” Akuzimi i filozofëve me mosbesim në Perëndim ishte më i shpeshtë se sa në Lindje. Ibn Baxhxhe ishte themelësisht i përudhur në dituritë natyrore, në matematikë, astronomi dhe muzikë, dhe shkroi komente në veprat e Aristotelit. Me këtë para vetes ia hapi dyert Ibn Rushdit, i cili shpesh e citoi në veprat e veta dhe ishte në masë të madhe nën ndikimin e tij. Lëvdata pranoi edhe nga ana e Ibn Tufejlit: “Nga mendimtarët e fundit Ibn Baxhxhe ishte më inteligjenti, më spirituozi dhe më spekulativi. Por me të madhe ishte i preokupuar me këtë botë deri sa nuk ia çrrënjosi dëshirën para shfaqjes thesari i dijes së tij dhe e shpërndau urtësinë e tij misterioze. Shumica e asaj që e shkroi është jo e plotë dhe e mangët, siç janë, për shembull dy veprat e tij Fi’n-Nefs dhe Tedbir ‘ul-mutevehhid…”
Pohimi i Ibn Tufejlit është korrekt: Ibn Baxhxhe nuk kishte mjaft kohë për shkrimin e veprave filozofike për dallim prej Ibn Sinait, i cili, po ashtu, qe ministër. Mirëpo, ishte në gjendje t’i plotësojë shkrimet e veprave të veta Esh-Shifa’ dhe El-Kanun. Për fat, veprat e Ibn Baxhxhës Fi ‘n-Nefs dhe Tedbir ‘ul-mutevehhid[2], sikur edhe trajtesa El-Ittisal janë botuar, kurse disa trajtesa të tij të tjera ende janë në dorëshkrim.
Tedbir ‘ul-mutevehhid (Jeta e të vetmuarit) është vepër mbi moralin dhe politikën, kurse është shkruar sipas modelit të veprës së El-Farabiut El-Medinet ‘ul-fadileh. Pikëpamja e rezimuar mbi Ibn Baxhxhen mund të nxirret nga vetë titulli i veprës. Të fillojmë me të vetmuarin (mutevehhid) me të cilin Ibn Baxhxhe nënkupton një njeri të vetmuar që jeton në një kështjellë të pabanuar, mediton me anë të diturive spekulative dhe arrinë deri te stadioja e lidhjes me inteligjencën aktive. Është fakt, ndërkaq, se izolimi i njeriut është i kundërt me natyrën e tij, duke e marrë parasysh se njeriu sipas natyrës së tij është qenie për shoqëri. Por, Ibn Baxhxha konsideron se izolimi kalimthi është i dobishëm. Do të vlente ta transmetojmë citatin e tij: “Për këtë arsye është detyrë e të vetmuarit që në disa raste të largohet plotësisht nga njerëzit sa është kjo e mundur dhe mos të përzihet me ta pos në rastet kur disa gjera medoemos i nevojiten ose janë në pajtim me nevojat ose duhet të shkojë rrugës së shkencave nëse ato ekzistojnë. Kjo nuk është në kundërshti me atë që ceket në politikë dhe shpjegohet me dituri natyrore. Me fjalë të tjera, njeriu, i soditur nga aspekti i diturisë natyrore, sipas natyrës së tij, është qenie shoqërore, kurse nga aspekti i politikës, izolimi i plotë është i dëmshëm. Kjo ka të bëjë me trupin e njeriut, kurse për shpirtin izolimi është i dobishëm…”[3]
Është fakt se Ibn Baxhxha ndjek filozofinë greke, e sidomos Pitagorën në aspekt të ndarjes së njerëzve në masë dhe urtakë. Në krye gjendet një, ai, i cili sipas Platonit, e arrinë shkallën e filozofit – urtak. Me paraqitjen e Islamit kjo teori është refuzuar, pasi që sipas kritereve të tij njerëzit vlerësohen sipas devotshmërisë. Do të shohim se Ibn Tufejli në Hajj Ibn Jakdhan ndjek këtë rrugë, sepse Hajj Ibn Jakdhani është njeri i ndarë i cili është i aftë që vetë t’i mësojë dituritë dhe ta arrijë njohjen e Zotit. Si do ta shohim në ekspozeun vijues, edhe Ibn Rushdi ndjek këtë metodë dhe i ndanë njerëzit në masa dhe në të bekuar.
Jeta (Tedbir) implikon në politikën e njerëzve dhe vendosjen e gjerave në vendin e vet. Ky nuk është spekulim abstrakt dhe kognitim i pastërt. Do të vlente, së këndejmi, të ndalemi te përkufizimi i jetës nga Ibn Baxhxha kur pohon se ajo përudhë në atë “se veprimet kryhen sipas planit të caktuar kurse me synim të caktuar në perspektivë.” Për këtë arsye jeta është njerëzore pasi që kërkon sendërtimin e disa synimeve dhe kryerjen e veprimeve sipas planit të caktuar që e sendërtojnë këtë synim. Ky plan mund të sendërtohet me përsiatje, kurse kjo është karaksteristike vetëm për njeriun.
Nuk kemi për qëllim që në këto pasuset e shkurtra ta shtrojmë teorinë e Ibn Baxhxhes mbi Jetën e të vetmuarit, por të konfirmojmë se Ibn Baxhxha ishte i njoftuar me Republikën dhe Ligjet e Platonit, me veprën El-Medinet ‘ul-fadileh të El-Farabiut dhe me disa teori tjera politike. Nga të gjitha këto e nxorri teorinë e vet. Por, shkurtimisht, ishte nën ndikimin e filozofisë greke. Teorinë e tij do të mund ta rezimonim me fjalë të thjeshta: se njeriu është qenie e ndërmjetme ndërmjet melekut dhe shejtanit. Do t’i sillte dobi ta ndjek rrugën që e caktoi Zoti sa është kjo e mundur, kurse kjo arrihet vetëm me izolim.
Në trajtesën El-Ittisal Ibn Baxhxha i ndanë njerëzit, duke e marrë parasysh trajtën e perceptimit, në tri grupe: masa, filozofët dhe të bekuarit.
- Masa e arrinë trajtën e inteligjibileve me spekulim mbi ekzistencat ndijore dhe me lidhjen e tij me ta;
- Filozofët para së gjithash lidhen me inteligjibilët, e pastaj me ekzistencat ndijore. Këto trajta Ibn Baxhxha i quan trajta shpirtërore;
- Të bekuarit, ata janë fare pak, drejtpërdrejt lidhen me inteligjibilët dhe ata janë që e shohin esencën e gjerave.
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Te skolastikët latinë e hasim si Avempace. (përkthyesi).
[2] Tedbir ‘ul-mutevehhid e publikoi profesor Paluci Os në një revistë spanjolle me përkthim në spanjollishte në vitin 1046. (H. Corbin këtë titull e përkthen si “Udhëheqja e të vetmuarit”. Shih: H. Corbin, Historia e filozofisë islame, I-II, Shkup, 1997, fq.243, përkthyesi). Dr. Ma’sumi publikoi Kitab ‘un-Nefs në Damask, në vitin 1960, kurse trajtesa El-Ittisal është publikuar me veprën e Ibn Rushdit Telhis kitab en-Nefsi, Kairo, 1960.
[3] Tedbir ‘ul-mutevehhid, fq. 78.