“Profesor i Filozofisë Religjioze”, e quan studiuesi i njohur italian, At Cordignano. Ai u gjend në vijën e parë të mbrojtjes së të drejtave të shqiptarëve, në krah të vëllait, Sheh Ahmet Pazarit dhe patriotëve të tjerë si, Hafiz Ibrahim Dalliu, Vehbi Dibra, av.Ali Begeja, Murat Toptani, etj. Përkrahu themelimin e klubit “Bashkimi” në vitin 1908 nga patriotët tiranas, (klubi nuk pati jetë të gjatë, pasi u luftua në të gjitha mënyrat nga xhonturqit dhe elementët fanatikë të klubit antishqiptar “Ittihad Terekli”). Profesor Frashëri, kur flet për këtë klub, ndër të tjera thotë: “Vendimi i parë i klubit “Bashkimi”, ishte hapja e shkollës shqipe... Ndërkohë, me ndërhyrjen e tyre edhe arsimtarët e shkollës Ruzhdije (Hasan Qosja, Xhemal Efendiu, Sheh Abas Petrela), pranuan që ta përdornin edhe gjuhën shqipe në shkollën qeveritare”.
(Shkollat qeveritare, ishin të detyruara të përdornin vetëm turqishten; shënimi im I.G.). Për veprimtarinë e tij patriotike, Xhemal Pazari, së bashku me shumë atdhetarë të tjerë tiranas, u keqtrajtua shumë herë nga forcat turke.
Në vjeshtën e vitit 1910, kur në Tiranë erdhi armata turke, nën komandën e Shefqet Durgut Pashës, pasi kishte bërë reprezalje në Kosovë dhe viset veriore të Shqipërisë, filloi arrestimin dhe keqtrajtimin e atyre që punonin për shqiptarizëm. Siç shkruan Hafiz Ibrahim Dalliu, ndër ta ishin edhe vetë Hafizi, Fuat Toptani, Xhemal Pazari, Musa Maçi e shumë të tjerë (27 persona).
Për vuajtjet e patriotëve tiranas nga turqit apo përkrahësit e tyre, Dalliu jep edhe një listë prej 152 emrash, ku Xhemal Pazari përmendet në numrin rendor 59, me shënimin se ka qenë dy herë i burgosur. Theksojmë se në këtë listë të burgosurish janë edhe Sheh Ahmet Pazari, Hamdi Pazari dhe Ali Pazari. Xhemal Pazari është edhe nënshkrues i kërkesave që u dërgohen drejtuesve perandorakë apo edhe deputetëve shqiptarë, në Parlamentin turk. Një kërkesë e tillë, është edhe ajo që i drejtohet Esat Pashë Toptanit, deputet i Durrësit, me qëndrim në Këzëll Toprak të Stambollit, me datë 25 korrik 1912. Në telegramin dërguar këtij deputeti, pas elozheve, që ishin të zakonshme kur u drejtoheshin personaliteteve zyrtare, në vazhdim, në formë kërkese thuhet: “...se shqiptarët presin prej një qeverie të tillë (bëhet fjalë për qeverinë e xhonturqve; shënimi im I.G.) që t’i marrë parasysh me kujdes të drejtat dhe kërkesat e arsyeshme të tyne”. Ky telegram bëhet nga paria e Tiranës, nënshkruar në emër të popullit nga 21 veta, ndër të cilët: Zeber Haxhi,- kryetar i Bashkisë; Ismail Ndroqi,- myderriz; Xhemal Pazari,- myderriz; Murat bej Toptani, Masar bej Qoraliu, Xhemal Aga Beshiri, Muharrem Aga Karapici, Fan Koja etj.
Njëri ndër aktivitetet e shquara, ku Xhemal Pazari së bashku me vëllezërit e tij, Sheh Ahmet Pazarin dhe Hamdi Pazarin dhe disa patriotë të tjerë tiranas, dhanë kontributin e tyre madhor, është ngritja e flamurit kombëtar në Tiranë, me 26 Nëntor 1912. Me këtë rast, Xhemal Pazari mbajti fjalimin e rastit në gjuhën shqipe dhe bekoi flamurin, ku ndër të tjera tha: “O Zot i gjithësisë, shyqyr që na shpëtove nga zgjedha e Turqisë dhe i solle çlirimin Shqipërisë!”. Akt kombëtar dhe heroik! (Mendoni, ishte koha kur nga njëra anë, ende ishte pushteti turk me përkrahësit e tij vendas, kurse nga ana tjetër, forcat serbe kishin depërtuar deri në Tiranë). “Gazeta Shqiptare” e Barit të Italisë, e datës 19 shtator 1931. në rubrikën e saj “Nga kryeqyteti dhe Krahinat”, jep njoftimin e hidhur nën titullin “Sheh Ahmet Pazari ndërroi jetë”, në të cilin shpreh ngushëllimet e veta për familjen Pazari, e njëkohësisht përshkruan figurën e këtij patrioti të shquar. Në këtë artikull, flitet edhe për Xhemal Pazarin, vëllanë e Sheh Ahmetit, ku ndër të tjera atje thuhet:“Është për t’u shenuar në historinë tonë kombëtare dhe pikërisht për kryeqytetin e sotmë, që me 26 Nëntor 1912 u ngrit flamuri i Independencës prej Sheh Ahmet Pazarit me shokë dhe u këndua shqip falja dhe lutja për Independencën prej vëllait të të ndyerit, z. Xhemal Pazari... Informohemi se dita 26 Nëntor do të kremtohet prej këtij viti midis shokëve tiranas të Xhemal Pazarit, si kremtim i një ushtari të panjoftur për lirimin e Atdheut”.
***
Krahas kontributit të dhënë në organizimin dhe drejtimin e teqesë halvetiane, si këshilltar dhe bashkëpunëtor i vëllait të tij, Sheh Ahmet Pazarit, ai u zgjodh edhe në forume të Komunitetit Mysliman Shqiptar, (1912-1920, anëtar i Këshillit të këtij Komuniteti). Xhemali qe aktiv edhe në organet qeveritare të shtetit shqiptar. Nga 1922 në 1924, ai kreu detyra qeveritare pranë Bashkisë së Tiranës. Sipas librit “TIRANA 1604-1937”, ku jepen emrat e kryetarëve, zv/kryetarëve dhe anëtarëve të Këshillit të Bashkisë së Tiranës, Xhemal Pazari, në 1922 -1923 ishte anëtar i Këshillit Bashkiak, kurse në vitin 1924 është zëvendës kryetar i Bashkisë. Xhemal Pazari së bashku me av.Ali Begenë, propozohen edhe për deputetë, me anë të një kërkese drejtuar Partisë Popullore me datë 06.01.1922 nga “Djelmënia e Tiranës”, e nënshkruar nga 40 veta, ndër ta personalitete të njohura të asaj kohe (Shih AQSH, Fondi 447, Dosja 441). Në vitet e mëvonshme ai bëhet deputet i Parlamentit. Pazari, qe personalitet i njohur në rrethe të gjera shoqërore, për autoritetin, maturinë e pjekurinë e tij, e sidomos për patriotizëm. Shumë herë qe edhe ndërmjetës për shuarjen e konflikteve politike-ushtarake, që kishin arritur edhe në vëllavrasje. Një rast i tillë është ai i marsit të vitit 1922, kur Elez Isufi me forcat e tij, po sulmonte Tiranën. Ky konflikt krijoi shqetësime të mëdha. Për ndalimin e tij, ndërhyri ministri anglez Ayres dhe për ndërhyrje pajtimi u ftua edhe Kryemyftiu i Përgjithshëm, Vehbi Dibra. As.prof.dr. Qazim Xhelili, në librin e tij mbi Vehbi Dibrën, thotë se ai me datë 9 mars, u caktua si kryesues i një delegacioni për të biseduar me Elez Isufin. “Me vete në delegacion ai kishte Sali Myderrizin dhe Xhemal Pazarin”.
***
Nathali Clayer, një studiuese e huaj për fetë dhe sektet islame, në librin e saj “L’ALBANIE, PAYS DES DERVICHES (1912-1967), kur flet për themelimin dhe ekzistencën e teqeve halvetiane në Shqipëri, përmend edhe personalitete të shquara botërore që lanë shënime lidhur me këto kulte fetare, si dhe për udhëheqësit e tyre shpirtërorë. Clayer pasqyron opinionin e At Cordignanos, të nxjerrë nga një artikull i këtij studiuesi italian botuar në revistën “Il pensiero Missionario”. Aty flitet për këtë teqe dhe për Xhemal Pazarin. Ja ç’shkruan Clayer: “Burimi i dytë (për teqenë e Pazarëve; shenimi im, I.G.) është një artikull i At F. Kordignano-s, i cili takon rreth vitit 1931 në Tiranë Ahmet Pazarin dhe vëllain e tij, Xhemal Pazarin, në teqen e tyre halvetiane”. Siç shkruan Clayer, At Cordignano, në kërkim për të patur shpjegime të hollësishme për Islamin dhe sektet, pas takimit me sheh Ahmetin, “… ai tek vëllai i tij Xhemali, që ishte profesor i Filozofisë Religjioze, gjeti interlokutorin (bashkëbiseduesin) më të mirë për një diskutim metafizik”.
Për të treguar denigrimin e patriotëve shqiptarë, siç ishte Xhemal Pazari nga komunistët, Clayer sjell edhe citimin e autorit P.R. Prifti, i cili në librin e tij “Socialist Albania since 1944”, Cambrige Mass, 1978, evidenton kalvarin komunist që përjetoi Xhemal Pazari. Me ardhjen në pushtet të komunistëve në fundvitin 1944, për Xhemal Pazarin dhe në përgjithësi për familjen Pazari, (si edhe për shumë familje të tjera patriotike) fillojnë vuajtje të tmerrshme të papara. Në vitin 1945 i pushkatojnë djalin e madh, Besim Pazarin, vendvarrimi i të cilit edhe sot nuk dihet. Më vonë i pushkatojnë edhe nipin 18-vjeçar, në atë kohë ushtar, kurse vetë Xhemalin 83-vjeçar, e arrestojnë nën akuzën për agjitacion e propagandë, duke e mbajtur në burg nga viti 1947 deri 1950. I konfiskojnë gjithë pasurinë, si dhe e nxjerrin nga shtëpia, duke e dërguar në një bodrum në Rrugën e Elbasanit, bashkë me djalin e dytë, të renë dhe katër mbesat e tij. Në këtë bodrum, në vitin 1955, vdes në kushte shumë të vështira jetese, kurse djali dhe familja e tij u persekutua, gjatë gjithë kohës së regjimit.
Me ardhjen e demokracisë, Xhemal Pazari u dekorua me medaljen “Për veprimtari patriotike” nga Presidenti Berisha në 1995, me motivacionin: “Ka kontribuar në luftën për çlirim kombëtar e pavarësinë e vendit. Është shquar në përhapjen e arsimit shqip”...
Këto janë vetëm disa thërrime nga jeta, veprimtaria, lavdia dhe vuajtjet e kësaj familjeje të madhe tiranase, e cila gjithmonë i doli në mbrojtje kombit të vet, duke qenë e nderuar dhe e lavdëruar nga të gjithë ata që e quajtën veten shqiptarë.