Kujtime të Dr. Jusuf el- Karadavit[1] (Kapitulli 20- vëll. i 3- të )

Ata vizituan Princin Shejkh Khalife ibn Ahmed... Fjalën e mori vëllai ynë Xhemal Berzenxhi, fjala e të cilit ishte plot mbarësi. Ai i përmblodhi Princit në mënyrë perfekte aktivitetin e tyre, sikurse i paraqiti atij nevojat dhe kërkesat që prisnin të realizoheshin nga Katari, të cilat përmblidheshin në kontributin e këtij shteti për ndërtimin e qendrës së tyre, që dëshironin të ngrinin në vendin e përzgjedhur prej tyre në Indianapolis. Besoj se Princit iu mbush zemra nga gëzimi dhe i premtoi atyre më të mirën. Ndërkohë ata vazhduan takimet e tyre në vendet e tjera të Gadishullit, ndërkohë që më ngarkuan mua që ta vazhdoj çështjen e tyre me Princin.

Më pas, ata i dërguan një ftesë Fakultetit, që të merrja pjesë në kongresin e tyre vjetor, që zhvillohet në muajin maj të çdo viti. Fakulteti e miratoi udhëtimin tim për në kongres. Shkova dhe takova Princin, duke i kujtuar atij premtimin e bërë delegacionit nga Amerika. Ai më firmosi një çëk me një shumë prej gjysëm milioni dollar për ndërtimin e bibliotekës së qendrës së tyre, në emër të Princit të Katarit.





Dhe udhëtova drejt Amerikës



Në kohën e përcaktuar, u përgatita për udhëtimin tim të parë në Amerikë, i vetëm pa shoqërues. Udhëtova nga Doha në Kajro dhe fjeta një natë atje. Atje u zgjova herët në mëngjes për të udhëtuar drejt Londrës me avionin amerikan TWA, me sa më kujtohet. Nga aeroporti i Londrës, në orën 12 të mesditës, fluturuam drejt Nju Jorkut, e pastaj drejt aeroportit të Çikagos, ku gjeta disa vëllezër në pritjen time. Atje fjeta një natë dhe u takova me disa vëllezër të nderuar, ku u zhvillua dhe një takim i këndshëm mendor e shpirtëror. Në ditën e nesërme, udhëtova drejt selisë së Unionit, ku i dorëzova vëllezërve çekun që më kishte dhënë Shejkh Khalife, princi i Katarit. Atë e mori sekretari i përgjithshëm i Unionit të Studentëve Muslimanë, vëllau i nderuar, Dr. Mahmud Rushdan, i cili ishte një pishtar i ndezur me gjallëri dhe zell, me besim të sinqertë dhe seriozitet të prerë, me një kuptueshmëri të aktualitetit, me një largpamësi për të ardhmen dhe me një dlirësi zemre në mendimin e ngjarjeve.



Veprimtaria ime në Amerikë



Unioni e kishte kaluar fazën e foshnjërisë dhe fëmijërisë dhe kishte filluar fazën e rinisë, që është faza e forcës, gjallërisë dhe e aktivitetit të vrullshëm, ndërkohë që shoqata, organizata e organizma të tjerë me vlerën dhe peshën e tyre, filluan të dilnin prej tij.

Për shembull organizmi i arsimit me në krye vëlla Et- Tixhani Ebu Gudejri, ose organizmi i vakfit islam, nën kujdesin e vëlla Xhemal Berzenxhi- t, ose një tjetër organizëm nën drejtimin e vëlla Dr. Hisham et- Talib, ose Lidhja e Dijetarëve të Sociologjisë, nën kujdesin e Dr. Ismail el- Faruk, po ashtu edhe Shoqata Mjekësore Islame, ose Shoqëria e Ulemave dhe Inxhinierëve.

Kështu, vëllezërit më treguan organizmat dhe filialet e veprimtarisë së tyre, gjë që ma shtoi kënaqësinë dhe qetësinë rreth mbarësisë së hapave të tyre dhe pjekurisë së veprimtarisë së tyre.

Në selinë e Unionit qëndruam dy ditë, pastaj udhëtuam drejt qytetit Bolmanto, ku zhvillohej edhe kongresi, qytet ku banonte edhe vëlla Mani' el- Xhuheni, prej studentëve arabo- saudit.

Vëllezërit, zakonisht merrnin me qera për disa ditë, banesat e njërit prej qyteteve të studentëve, gjatë pushimeve, për të përfituar nga dhomat e banesës, nga restorantet, nga sallat dhe korridoret e tyre.

Ato ditë ishin të mbushura me një veprimtari të dendur mendore, shpirtërore, sportive dhe sociale. Çdo kongres sillej rreth një boshti të caktuar rreth së cilit kumtoheshin referate të ndryshme, që pasoheshin nga pyetje dhe debate, sikurse kishte edhe referate të përgjithshme për të gjithë. Po ashtu kishte edhe takime cilësore të veçanta, si takimi me gratë apo me specialistët e fushave të ndryshme. Përqëndrimi tek unë ishte i madh, kështu merrja pjesë në takimet e përgjithshme dhe në ato të veçanta, sidomos me motrat, me të cilat zhvillonim edhe takime të veçanta për t'u përgjigjur rreth pyetjeve juridike (fikhijje) dhe ato të thirrjes islame (daavijje), sikurse kisha edhe vasa të shkurtra pas namazeve, sidomos pas atij të sabahut.

Dhe duke parë ndryshimin e madh të ores nga Amerika në Doha (kryeqytet i Katarit), dita ime u bë natë e nata ime u kthye në ditë, po ashtu ndryshimi i llojshmërisë së ushqimit, me të cilin isha mësuar në Katar, sikurse edhe zënia ime me aktivitet, bënë që të harroj veten deri aty sa të kalonin mbi 48 orë pa hyrë në tualet, gjë që më shkaktoi shqetësim të madh dhe dhimbje të padurueshme që patën për rezultat një lloj majaselli prej të cilit ankova disa vite me radhë dhe prej të cilit nuk u shërova vetëm se me anën e një ndërhyrjeje kirurgjikale, bërë në spitalin "Er- Remile" në Doha, nga Dr. en- Nexhxhar, pedagog i kirurgjisë në Fakultetin e Mjekësisë në Ez'her. Ai ishte një mjek i ftuar nga vetë spitali për të kryer disa operacione të rëndësishme. Ishte specialist i vërtetë në kirurgji, veçanërisht në operacionin tim, Zoti (xh.sh) e shpërbleftë me të mira!

Pa harruar se vëllezërit në kongres, më sollën një nga mjekët e pranishëm aty, që falë Zotit ishin të shumtë, i cili më dha këshillat e tija të dobishme për lehtësimin e gjendjes në të cilën isha… (Ky material është marrë nga Interneti:

http://islamonline.net/Arabic/Karadawy/part3/2004/article08.shtml#1-)





Divergjencë rreth mbledhjes së namazeve



Në kongreset e tyre, vëllezërit ishin mësuar t'i falnin të gjitha namazet në kohën e tyre, ndonëse 99% e tyre ishin udhëtarë, sikurse përgatitja për faljen e namazit u merrte atyre mund dhe kohë jo të vogël; pasi zona në të cilën falej zakonisht namazi, ishte e zënë me sende të ndryshme, kështu që duhej boshatisur për çdo kohë namazi, të shtrohej me sexhade e të rihiqeshin të gjitha pas namazit. U thashë vëllezërve: Përse të mos marrim për bazë lehtësimin e bashkimit të namazeve, sepse më tepër se kurrë ne jemi nevojtarë për të gjatë këtij kongresi; për rrumujën e kohës si pasojë e aktivitetit të ngjeshur dhe për arsye se falja e çdo namazi në kohën e tij na sjell vështirësi në punën tonë!?

Më thanë: Vëllezërit tanë nga India e Pakistani e refuzojnë mbledhjen e namazeve, sepse janë ahnaf (shumësi i fjalës hanefi) dhe në medh'hebin hanefi - sikurse e dini- nuk lejohet kjo vetëm se në Arefat e Muzdelife, në haxh.

U thashë: Le të imitojnë një tjetër medh'heb këtu, aq më tepër që fjala e dijetarëve në këtë çështje është më e shumtë e më e saktë (erxhah), sikurse edhe nevoja jonë për të është e madhe dhe All- llahu e dëshiron zbatimin e lëhtësimeve të Tij dhe nuk ka vend tashti për fanatizëm medh'hebik dhe vështirësim për të gjithë vëllezërit. Kur të falim drekën do u bëj thirrje që të mbledhim namazet dhe kush ta pranojë fjalën tonë le të falet pas nesh, e kush jo, le të falet si të dojë më pas. Kur erdhi koha e namazit, i lajmërova vëllezërit për atë që do bënim dhe të gjithë heshtën...shumica e tyre u lidhën pas meje, e pas tyre vijuan edhe vëllezërit e tjerë. Kështu, të gjithë u falëm sëbashku në këtë mënyrë lehtësuese që na e kishte lejuar Zoti (xh.sh)!! Në këtë mënyrë kursyem mundin dhe kohën, e më pas kjo mënyrë u bë rregull në çdo kongres vijues, falë Zotit!

Kongresi i Unionit, mblidhte vëllezërit dhe motrat dhe të gjithë ishin prezentë në referatet e tij, sikurse të gjithë ishin pjesëmarrës në aktivitetet e përbashkëta, meshkuj e femra. Zakonisht burrat uleshin nga njëri krah e gratë nga krahu tjetër, sikurse kishte edhe prej atyre që prezantonin me gjithë familjen, me gruan e fëmijët, të cilët uleshin sëbashku në një vend, e pas tyre vinin familjarë të tjerë; aty kishte vende të posaçme për familjet, të tjera për beqarët, ose për burrat që vinin të pashoqëruar me familje.

Të pranishmit nuk ishin të gjithë arabë, por kishte edhe indianë, pakistanezë, malejzianë, amerikanë e të tjerë që nuk e dinin arabishten, kështu që kishte nevojë për një përkthyes që t'u kalonte atyre kuptimet e fjalëve të mija në gjuhën angleze. Ndër përkthyesit e shumtë prezentë, më i miri që më përkthente mua ishte vëllai Dr. Xhemal Bedevi; i cili nga mirëzotërimi i dy gjuhëve, asaj arabe e asaj angleze, nga background- i i tijshkencor islam dhe nga shpirti i tij thirrës, i përkthente fjalët e mia me gjithë mendimet që posedonin, me shpirtin dhe tempin e tyre. Njëherë, dijetari Ebul- Hasan en- Nedevi në Lakheno, më pat thënë: Nëse gjejmë dikë që të përkthejë fjalët e tua, nga ta gjejmë atë që përkthen tempin dhe gjallërinë tënde? Por pashë që doktor Bedevi përkthente shpirtin dhe mendimin sëbashku, All- llahu (xh.sh) e begatoftë dhe sjelltë dobi prej tij.





Në Nju Xhersi



Pas përfundimit të ditëve të kongresit, u kthyem në selinë e Unionit, prej ku vëllezërit organizuan disa vizita në qytete të ndryshme të Amerikës, prej tyre edhe në Nju Xhersi. Aty ndodhet një Qendër Islame e fortë, me lëvizje e aktivitet, të cilën e drejtojnë disa vëllezër, pjesa më e madhe e të cilëve janë egjiptian, ndërsa Imami i kësaj Qendre është një dijetar ez'herist i madh, profesori ynë, Dr. Sulejman Dunja, një nga dijetarët e njohur ez'heristë dhe një nga pedagogët e akides dhe filozofisë, të cilët u specializuan edhe më tej në këtë lëndë dhe arritën të marrin gradën "profesor" të shkallit të parë, e pastaj u dërguan në Londër me dy shokët e tij Hamude Guraba dhe Muhammed Bisar, për perfeksionimin e gjuhës angleze dhe për marrjen e doktoraturës në Londër. Doli në pension dhe vendosi të banonte në Amerikë, si Imam dhe Këshilltar fetar i kësaj Qendre të madhe islame. U gëzova shumë kur u njoha me të ballë për ballë, ndonëse e njihja emrin e tij nga leximet e librave të tij.

Kjo Qendër, në origjinë kishte qenë kishë, të cilën muslimanët e kishin blerë dhe e kishin kthyer në një Qendër Islame, ku zhvilloheshin aktivitete të ndryshme, si: namazi, pasi aty kishte një sallë të malle dhe një podium, që në kohë të namazit kthehej në një xhami të madhe, ku njerëzit rreshtoheshin në bazë të disa shenjave që përcaktonin edhe drejtimin e kibles. Pas namazit, njërëzit uleshin në këtë sallë që kthehej në sallë konferencash, ku referuesi qëndronte te podiumi i paracaktuar për këtë, ndërsa njerëzit uleshin në karriga, me shikimet e tyre nga podiumi. Edhe këtu - siç është zakoni-, gjetëm disa vëllezër të cilët fluturojnë drejt fanatizmit dhe vështirësimit të punëve, të cilët refuzonin uljen e njerëzve në karriga dhe drejtimin e tyre nga një drejtim tjetër pos kibles, veshjen e pantallonave, vënien e orës së dorës në të majtë në vend të së djathtës, etj… Vëllezërit, më organizuan një referat në këtë Qendër, nuk e mbaj mend temën e tij, sikurse u caktua edhe një kohë për t'iu përgjigjur pyetjeve pas referatit, brenda mundësive dhe kohës. Prej pyetjeve në tërësi, kishte edhe prej këtyre gjërave, me të cilat refuzojnë vëllezërit, që emërtohen si "selefi", të cilëve u thashë: Islami ngrihet mbi lehtësimin, sikurse thotë All- llahu (xh.sh): " All-llahu dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështërsim për ju " dhe thotë gjithashtu: " Dhe nuk ju obligoi në fé me ndonjë vështirësi ", ndërkohë që Profeti (a.s) thotë: " Lehtësoni dhe mos vështirësoni " dhe muslimanët në këto vende, në mënyrë të veçantë, -dhe si ata të gjithë ata që jetojnë jashtë shoqërive islame-, kanë më prioritet për lehtësime dhe ngritjen e vështirësisë prej tyre, nga largësia e tyre prej vendit islam, ndërkohë që All- llahu dëshiron të zbatohen lehtësitë e Tija. Muslimanët këtu përfitojnë nga dy ditët e pushimit, e shtunë dhe e diel, për t'u takuar në këtë Qendër, për të mësuar fenë e tyre, për të diskutuar rreth punëve të tyre, për t'u kuptuar e për t'u lidhur edhe më shumë me njëri- tjetrin. Ata e kalojnë pjesën më të madhe të ditës në këtë Qendër, ku hanë edhe drekën dhe domosdoshmërisht duhet që t'u ofrojmë atyre një farë rehatie, në mënyrë që të qëndrojnë aty pa u lodhur…Gjetja e karrigeve dhe kolltuqeve, në të cilat janë mësuar të ulen i ndihmon ata për këtë.

Ndërsa drejtimi nga kibla gjatë uljes, është edukatë prej edukatës islame, por jo farz, as vaxhib, as synet i fortë dhe veçanërisht kur përpara ka diçka më të rëndësishme se ai, sikurse është domosdoshmëria e uljes përballë podiumit, prej ku referon kumtuesi. Ndërsa veshja e pantallonave, që është një gjë e kërkuar në këto vende, sepse veshjet ndryshojnë me ndryshimin e zakoneve dhe Islami nuk na ka obliguar me një veshje të caktuar, që ta konsiderojmë atë të vetmen veshje sheriati, por i ka caktuar asaj disa shenja që duhen zbatuar për të mbuluar vendet e turpshme, të mos e jetë e tejdukshme as të jetë ndonjë veshje me të cilën njihen jobesimtarët, kur ai synon t'i imitojë ata. Dhe pantallonat janë bërë të zakonshme në shumë vende të botës, përfshi edhe vendet islame, e kur ky petk vishet në Sham, në Egjipt, në Irak, në Marok, në Gadishull, si të mos e veshë atë muslimani që jeton në zemër të vetë Amerikës? Madje ai ka përparësi që të veshë veshjen e tyre - sado që s'është e ndaluar-, që të jetë afër tyre, pa asnjë dallim me ta, sepse kjo është më e suksesshme që ata të ndikojnë te ata.

Këtu, një nga vëllezërit e rinj amerikanë, një pyetje rreth agjërimit, që thoshte: Përse Islami i ka zgjedhur agjërimit një muaj hënor, që kalon nëpër katër stinët dhe nuk e ka vendosur atë në një muaj diellor që të jetë i pandryshueshëm? Dhe përpara se unë t'i përgjigjesha kësaj pyetje, u ngrit hoxha i jonë, Imami i xhamisë (pastë rahmet) dhe i tha: "Kushdo që ka ndonjë pyetje rreth ibadeteve, ta ruajë atë, sepse çdo ditë të martë kemi mësim për muslimanët e rinj, këtu në Qendër, ku ne studiojmë adhurimet në Islam, nga një libër që zhvillohet në të mesmet e Ez'herit, librin "Sherhus- sager aled- Derdir"…", ndërsa unë heshta dhe nuk thashë asgjë mbi fjalën e hoxhës tonë, pasi nuk ishte e hijshme që unë ta replikoja atë përpara njerëzve, por pas kësaj vura në dukje se ky libër ishte i vështirë për nxënësit e Ez'herit, e si më të ishte i lehtë për disa muslimanë të rinj të pa specializuar, që e mësojnë atë në një gjuhë joarabe? E nëse hoxha momentalisht po u mësonte rreth pastërisë, kur do t'i vinte rralla agjërimit? Edhe po të mbërrinte deri aty, nuk do të gjente në të përgjigjen e pyetjes së bërë!

Ndërsa përgjigjja e pyetjes është e qartë: Që muslimani ta adhurojë Zotin e tij me agjërim, në çdo stinë, qoftë e nxehtë, qoftë e ftohtë a qoftë mesatare…me ditë shkurtëra a me ditë të gjata, gjë që tregon forcën e nështrimit, bindjes dhe përgjigjes ndaj urdhërit të All- llahut në çdo gjëndje.

___________________________

Kur'ani: 2:185.

Kur'ani: 22:78.

Transmetuar nga Bukhariu dhe Muslimi.





Letër nga Shejkh el- Mexhdhub



Shejkh Muhammed el- Mexhdhub, ishte një thirrës islam nga Siria, i cili bashkonte diturinë, moralin dhe poezinë… Ai e kishte lënë Sirinë, siç e kishin lënë shumë nga bijtë e saj të sinqertë prej dijetarëve dhe thirrësve islamë, duke u larguar nga mizoria e ligjit "ba'thist- nasirist- ozurpator". Me Mexhdhubin isha takuar dhe njohur te dijetari Shejkh Dr. Mustafa es- Sibai, kur e takova në Medine në periudhën e haxhit, në vitin 1384 h- 1964 m. Sikurse Shejkh Mexhdhub që kishte dëgjuar për mua nga disa vëllezër sirianë, të cilët punojnë në Katar, sidomos nga dhëndrri i tij, prof. Muhammed Nasan Urvani, mësues i historisë dhe shoku ynë në Katar për disa vite, njeri shembullor, me një moral të lartë, shije të shëndoshë dhe i sjellshëm me vëllezërit e tij. Shejkh Mexhdhubi, dëshironte të shkruante një libër me titull: "Dijetarë dhe mendimtarë që kam njohur" dhe kishte planifikuar që emri im të ishte në të, kështu që më dërgoi një letër të gjatë, ku më lutej që t'i përgjigjesha pyetjeve që i kishte dërguar të gjithë atyre personave për të cilët do të shkruante; për ta ndihmuar në plotësimin e mendimit rreth personit dhe vizatimin e një pamjeje të përafërt me realitetin.

Në fillim të kësaj pune, kisha bezdi ose përtoja t'i jepja përgjigje Shejkhut, por ai "triumfoi" mbi mua me anë të dhëndrrit dhe vëllezërve të tij në Katar, të cilët më shtynë në realizimin e asaj që kishte kërkuar. Iu përgjigja pyetjeve të tij në mënyrë të shkoqitur njëra pas tjetrës, gjë që e gëzoi dhe për të cilën më falënderoi. Dola në vëllimin e parë të librit të tij të përmendur, i cili përfshinte një sërë personalitetesh të fushave të dijes, mendimit dhe thirrjes islame. Kur autori më dërgoi librin e tij, unë sapo kisha kaluar vitin tim të pesëdhjetë.





Letër e rëndësishme nga Shejkh Ibn Baz



Prej kujtimeve të mia të asaj kohe, është letra që mora nga Hirësia e Tij Shejkh Abdul- Aziz ibn Abdull- llah ibn Baz, Kryemyfti i Mbretërisë Arabe Saudite, përmbledhja e së cilës ishte, se: Ministria e Informacionit kishte kërkuar mendimin e tij rreth librit "Hallalli dhe harami", sepse disa botues kishin kërkuar nha ministria që t'i "hapte rrugë" atij dhe ky term është bërë i njohur në Mbretëri dhe ka për qëllim lejen e shpërndarjes dhe hyrjes së tij në Saudi.

Shejkh Salih Feuzan - prej të rinjve dijetarë të Mbretërisë-, kishte nxitur një zhurmë të madhe nëpërmjet shkrimeve të tij në gazeta, të cilën e nxorri më pas në librin e tij: "Lajmërimi për kritikën ndaj librit Hallali dhe harami", që përfaqëson këndvështrimin selefist në çështjet divergjenciale të njohura që herët, si: Mbulesa e fytyrës së femrës a është vaxhib apo jo?, vendimi i daljes së femrës për të mësuar e punuar, vendimi i këndimit me vegla e pa vegla, vendimi i pikturës me bojra vaji e asaj fotografike, etj, prej atyre çështje që fetvatë e myftilerëve ndryshojnë në mes të lehtësuesve dhe vështirësuesve dhe në mes të atyre që shkojnë nga pamja e jashtme e atyre që preferojnë kthimin nga objektivat.

S'ka dyshim se përmendja e Shejkh Ibn Bazit me moralin e dijetarit të madh dhe butësinë e thirrësit të pjekur, është se ai e dëshironte lejimin e librit, duke parë vlerën e tij për muslimanët, pastërinë e tij, bukurinë e stilit dhe marrjen e tij me sistemin e lehtësimit, por dijetarët në Mbretëri e kundërshtuan atë në tetë çështje dhe Shejku më shkruante për këto tetë pika, ku mund të përmend: Në lidhje me veshjen e femrës dhe punën e saj, në lidhje me këngën dhe dëgjimin e saj, në lidhje me fotografinë, në lidhje me pirjen e duhanit dhe se unë s'e kisha prerë vendimin për ndalimin e tij (haram), në lidhje me dashamirësinë ndaj femohuesve, etj…

Ndër të tjera Shejkhu thoshte: "Librat e tu kanë peshën dhe vlerën e tyre në botën islame, sikurse edhe pranimin e tyre në përgjithësi nga njerëzit, prandaj shpresojmë që t'i riktheheni edhe një here këtyre çështjeve, në mënyrë që ata të gjejnë pranimin e tyre konsensual te muslimanët". Realiteti është se këtë letër vazhdova ta ruaj për një kohë të gjatë, por pastaj s'arrita ta gjej më. Më duket se ajo është zhytur në detin e madh të letrave që posedoj dhe që zor se shpëton kush mbytet ndër to!

Letrën e Shejkh Ibn Bazit ia ktheva me përshëndetje të ngrohta, nëpërmjet një mesazhi miqësor, i cili mbante në vetvete çdo dashamirësi dhe respekt për Shejkun. Ndër të tjera i thashë: Sikur të ishte e drejtë e njeriut që ta adhurojë All- llahun me diç tjetër pos asaj që e udhëzon mendimi i tij dhe të heqë dorë prej tij për shkak të mendimit të atij që ka për zemër, do të ishte Hirësia e Juaj i pari njeri që do hiqja dorë prej mendimit tim për mendimin e tij; duke marrë parasysh dashurinë, repektin dhe krenarinë që ndjej ndaj Jush, por sistemi i All- llahut ka qenë që njerëzit të kenë dallime. Ndërsa neve, All- llahu na ka dhënë që të kemi divergjencat tona në filialet e fesë, sado që është divergjencë brenda kornizës së bazave të fesë dhe rregullave parësore, sikurse edhe sahabët, tabiinët dhe imamët e mëdhenj kanë patur divergjencat e tyre; e ç'të keqe i solli kjo atyre? Ndryshuan mendimet, por asnjëherë zemrat e tyre dhe u falën pas njëri- tjetrit.

Çështjet që Hirësia Juaj kishte përmendur në letër, janë disa pika rreth të cilave ka patur divergjenca mendimi që herët dhe do vazhdojë të ketë dhe përpjekja për të shmangur divergjencën në to është e pamundur. Dijetarët i kanë sqaruar shkaqet e divergjencave dhe rreth tyre kanë shkruar libra dhe ndoshta ndër më të famshmit ndër to është libri i Shejkhul- Islamit: "Ref'ul- melam anil- eimmetil- a'lam".

Prej çështjeve të përmendura është edhe ajo e duhanit, ku unë jam shumë strikt në të dhe preferova ndalimin e tij (haram) në librin tim në mënyrë të qartë, por iluzionoi kush iluzionoi në këtë çështje, sepse unë rreth vendimit të mbjelljes së tij thashë: Kush e ka ndaluar (haram) marrjen e duhanit, ndalon edhe mbjelljen e tij, e kush nuk e pëlqen (mekruh) marrjen e duhanit, nuk e pëlqen as mbjelljen e tij. Dhe kjo nuk është zbrapsje nga ndalimi që kam bërë!

Ndërsa përsa i përket dashamirësisë ndaj femohuesit, unë nuk e lejoj dashamirësinë ndaj të gjithë femohuesve; pasi për femohuesin që lufton dhe kërcënon muslimanët, nuk ka dashamirësi dhe për këtë ka zbritur ajeti kur'anor: " Nuk gjen popull që e beson All-llahun dhe ditën e gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij " dhe kundërshtimi i All- llahut dhe i të dërguarit të Tij nuk është vetëm femohimi (el- kufr), por është edhe vështirësimi i punëve dhe luftimi.

Dhe Hirësia Juaj e di fare mirë se Islami i ka lejuar muslimanit të martohet me një besimtare të librave të shenjtë (kitabijje), siç përmendet në suren el- Maide: " Sot u lejuan për ju… dhe (gra) të ndershme nga ata të cilëve u është dhënë libri para jush… ", e a i ndalohet burrit të dojë gruan e tij, ndërkohë që All- llahu thotë: " Dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë " dhe a i ndalohet djalit që të dojë nënën e tij kitabijje? Apo të dojë gjyshin dhe gjyshin, dajën dhe tezen, fëmijet e njërit apo të tjetrit? Dhe për të gjithë ata është obligim lidhja farefisnore (siletur- rahim) dhe të drejtat e të afërmve. Sidoqoftë shpresoj nga Hirësia e Juaj që të mos bëhet divergjenca e mendimit në disa çështje filiale barrë për të ndaluar librin tim, pasi ja ku është Shejkh Albani, mendimi i të cilit rreth hixhabit të femrës muslimane ndryshon nga ai i Juaji… A i ndaloni librat e tij?

Letrën e mbylla me përshendetje dhe lutje të sinqerta…Besoj se Shejkhu iu përgjegj kërkesës sime dhe lejoi "Hallallin dhe haramin" dhe librat e tjerë të mi, falë Zotit.

__________________________________

Ky libër është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, me titull: "Kritikë librit Hallalli dhe harami në Islam", botim privat i vitit 2001, pa emër përkthyesi, redaktori, botuesi e vend botimi, disa kohë pas botimit të librit të Dr. Jusuf Karadavit "Hallalli dhe harami", herën e parë në mënyrë të përmbledhur dhe të përkthyer nga Shejkh Vehbi Gavoçi, e më pas në botimin e tij të njohur (M.S).

Kur'ani: 58:22.

Kur'ani: 5:5.

Kur'ani: 30:21.







Konkursi i Kur'anit Famëlartë për Medresetë





Kam përmendur më lart, se prej traditave të lavdërueshme që kishte gjetur Ministria e Edukimit dhe Arsimit në Katar - me sugjerim të Hirësisë së Tij Shejkh Abdull- llah ibn Turki, kryetar i kontrollit të shkencave islame- ishte edhe zhvillimi i një konkursi të hapur në mësimin e Kur'anit (hivz) dhe leximin e tij (tilave), për të gjithë nxënësit dhe nxënëset e Medreseve të Dohës dhe zonave të tjera në Katar. Tre fituesit e parë nga çdo klasë, merrnin shpërblime materiale ikurajuese, kështu që Medresetë garonin në këtë konkurs, sikurse fëmijët nga ana e tyre garonin me njëri- tjetrin për të mësuar fjalën e All- llahut të Madhëruar…" E për shpërblim të tillë le të garojnë ata që lakmojnë të mirën ". Kjo bëri që fryma e garës të ndizej ten xënësit e nxënëset dhe shtëpitë e tyre, në prag të provimit, të ishin të zëna me Kur'an!

Gjithashtu, Ministria kishte hapur - All- llahu i shpërbleftë me të mira - mundësi garimi për nxënës dhe jo të tillë, në mësimin e krejt Kur'anit, gjysmës së tij ose disa pjesëve të tij, duke i dhënë fituesit një shpërblim të barazvlefshëm me aftësinë e tij për të mësuar a lexuar Kur'an. Vajzat e mija Ilhami, Sihami, Alaja e më pas edhe Esmaja, çdo vit hynin në këtë konkurs dhe fitonin, duke marrë më pas edhe shpërblimin përkatës. Madje Ilhami hyri në konkurim për pesë pjesët (xhuzet) e fundit të Kur'anit, duke u kurorëzuar me sukses dhe me shpërblimin e fituesit, ndërsa Sihami në tre pjesë dhe Esmaja në dy nga pjesët e Kur'anit.



Anëtarësia e Këshillit të Lartë të Universitetit Islam



Në muajin Dhul- Ka'de të vitit 1395 h- 1975 m, më mbërriti një letër nga Hirësia e Tij Dr. Abdul- Muhsin ibn Hamed el- Ibad, zëvendës rektor i Universitetit Islam në Medinen e ndriçuar, me këtë tekst:

Hirësisë së Tij, Doktor Jusuf Karadavit, Pedagog në Fakultetin Pedagogjik- Katar.

Es- selamu alejkum ve rahmetull- llahi ve berekatuhu,

Kam kënaqësinë t'Ju vë në dijeni për daljen e vendimit mbretëror, nr. a/233, me 29. 09. 1395 h, për emërimin Tuaj anëtar të Këshillit të Lartë të Universitetit Islam, në Medinen e ndriçuar, me afat tre vjeçar, sipas nenit 13 të statutit të Universitetit.

Sëbashku me këtë letër, po i dërgojmë Hirësisë Tuaj edhe një kopje të vendimit të lartë, për të cilin u sqarua më lart, bashkë me statutin e Universitetit dhe shpërndarjen e specializimeve dhe autorizimeve të përmendura në të.

Më pas do Ju vëmë në dijeni me datat e sesionit të parë të mbledhjes së Këshillit të Lartë, me ndihmën e All- llahut. Shpresojmë të jetë shpejt.

I lutemi All- llahut të Madhëruar që t' Ju ndihmojë, t' Ju japë mbarësi dhe të na prijë në shërbim të këtij Universiteti dhe misionit të tij të lartë, misionit të përjetshëm islam.

Ves- selamu alejkum ve rahmetull- llahi ve berekatuhu



Zëvendës rektori i Universitetit Islam Abdul- Muhsin ibn Hamed el- Ibad



Sëbashku me letrën ishte edhe vendimi mbretëror i marrë nga mbreti Khalid ibn Abdul- Aziz Al Suud, për caktimin e 13 anëtarëve, disa prej të cilëve nga vetë mbreti, si: Shejkh Nedevi, Shejkh Gazali, Shejkh Albani, Shejkh Ibnul- Khoxha, Shejkh Gosha, Dr. Kamil el- Bakir, Dr. Ahmed el- Kubejsi, Shejkh Salih el- Hasin dhe i varfëri për të Madhëruarin, e disa me këshillim si: Drejtori i Universitetit të Ez'herit, Dr. Abdul- Aziz el- Fida për Rijadin dhe Dr. Muhammed Omer Zubejr për mbretin Abdul- Aziz.

Kryetar i Këshillit të Lartë ishte princi Fehd ibn Abdul- Aziz, trashëgimtar i fronit - asokohe- dhe zv/Kryeministër i parë, me të cilin u takuam më shumë se një herë në atë Këshill.

_________________________________________

Kur'ani: 83:26.

Në shenjë modestie, Shejkh Jusuf Karadavi e rreshton veten e tij në fund të kësaj liste dhe duke i atribuar vetes varfërinë ndaj Krijuesit! (M.S).







Kongresi i parë botëror për ekonominë islame



Kongresi i parë botëror për ekonominë islame u mbajt në Mekke, nën kujdesin e Universitetit të Mbretit Abdul- Aziz. Ky Universitet kishte Fakultetet e veta në Xhedde dhe në Mekke, e cila më pas mori pavarësinë e saj, duke bashkuar rreth vetes disa Fakultete të tjera e duke u shfaqur më pas si Universiteti Ummul- Kura. Universiteti, për këtë kongres, kishte marrë masa të forta organizative, duke u mbështetur edhe në disa specialistë të ekonomisë islame. Të ftuarit ishin nga të gjitha kontinentet e botës, nga lindja e nga perëndimi, arabë e joarabë, dijetarë të ekonomisë e të tjerë të sheriatit, teoricienë e praktikantë. Tematikat e kongresit ishin zgjedhur me një përkujdesje të veçantë dhe për të referuar ishin caktuar specialistë të vërtetë të fushës dhe njerëz që kishin lidhje burimore me njohuritë e saj.

Të ftuarit ishin lajmëruar kohë më parë nga data e fillimit të këtij kongresi, datën e të cilit u detyruan ta shtynin për shkak të një tragjedie të madhe, atentatit ndaj burrit të ymmetit, trimit të fazës, mbretit të sinqertë Fejsal ibn Abdul- Aziz Al Suud, mëshira e All- llahut qoftë mbi të, i cili gëzoi dashurinë dhe respektin e popullit; i cili pa në të sinqeritetin dhe shërbimin ndaj Islamit dhe rezistencën ndaj armiqve të tij, për këtë i gjithë ymmeti nga oqeani në oqean u mërzit për vdekjen e tij.

Shtyrja e datës së fillimit të kongresit, krijoi mundësi për perfeksionimin e përgatitjeve. Drejtor i Universitetit të Mbretit Abdul- Aziz, në atë kohë ishte shoku ynë i dashur, burri pishtar, i cili punonte pa u lodhur, pa u mërzitur e pa pushim në shërbim të Islamit dhe triumfin e çështjeve të tij, Dr. Muhammed Omer Zubejr, të cilit All- llahi i dha mbarësi për mirëpërgatitjen e këtij kongresi, sëbashku me ndihmësit e tij të sinqertë, dekanë fakultetesh, pedagogë dhe punëtorë administrate.

Kongresi u zhvillua në hotel "Intercontinental Mekka", një hotel i mirë e i gjerë, me salla të mjaftueshme për kongresmenët dhe të ftuarit, me salla filiale për seancat e specializuara, me një xhami të madhe, sikurse kishte edhe mundësi për të falur namazin në Haremin Sherif për kë dëshironte të shkonte atje, nëpërmjet mjeteve të posaçme të transportit dhe makina të veçanta në dispozicion të të ftuarve.

Ky kongres kishte mbledhur këdo që kishe dëshirë të shihje prej dijetarëve të jurisprudencës islame, sheriatit e thirrjes islame, dijetarë të ekonomisë, llogarisë e administratave: Shekh Ibn Baz, Shejk Zerka, Shejkh Nedevi, Profesorët: Isa Abde, Muhammed el- Mubarek, Ma'ruf ed- Devalibi, Behij el- Khaveli, Mahmud Ebu Suud, Ahmed en- Nexhxhar… e shumë të tjerë që s'mund t'i kujtoj tani se ishin mbi treqind a më shumë. Aty kishte edhe shumë gazetarë të njohur, që ishin ftuar për të mbuluar këtë aktivitet, pas pjesëmarrjes në të, prej të cilëve kujtoj Prof. Fehmi el- Huvejdin.

Kongresi kishte dy ligjërata të përgjithshme, ku ftoheshin të merrnin pjesë kongresmenët e të tjerë: një ligjëratë në fillim të referuar nga thirrësi islam i njohur Prof. Muhammed Kutub dhe një tjetër në fund të kongresit të referuar nga i varfëri për të Madhëruarin, Jusuf el- Karadavi.

Seancat e kongresit ishin të mbushura me kërkime origjinale në temat e tyre dhe me debate të ngrohta rreth tyre. Kërkimi im, për të cilin isha ngarkuar ishte: "Roli i zekatit në shërimin e problemeve ekonomike".

Prej kërkimeve që nxitën debat ishte edhe studimi me temë: "Siguracioni në mes lejueshmërisë dhe ndalimit", rreth së cilit kishin shkruar shumë vetë, por që debati u përqendrua në mes të dijetarit Shejkh Mustafa ez- Zerka dhe Prof. dr. Husejn Hamid Hassan; ku Zerka anonte nga lejueshmëria me disa kushte, e Hassan anonte nga ndalimi.

Prej asaj që përmendi Prof. Fehmi el- Huvejdi, ishte se ai kishte prezantuar para disa viteve një kongres në Kuala- Lampur të Malejzisë dhe kishte parë se të pranishmit ishin ndarë në dy grupe: njëri grup ndalonte fajdet e bankave dhe grupi tjetër që mundohej të justifikonte këto fajde me gjetjen e një mbështetjeje fetare. Por në këtë kongres, kjo çështje nuk u diskutua fare, por konsensualisht kishte vendosur për ndalimin e tyre absolutisht.

I thashë atij: Po të shtoj edhe një vërejtje tjetër; se ekonomistët ishin më të prirur këtu për ndalimin e fajdeve sesa dijetarët e sheriatit!





Dëshmi nga Prof. el- Behij el- Khaveli



Prej prezantuesve në kongres ishte edhe Prof. el- Behij el- Khaveli, i cili u aktivizua gjatë këtij kongresi në debatet e tij dhe me një fjalim pa letër, të cilin e mbajti në njërën prej seancave, ku ishte prezent sëbashku me të shoqen. Kushtet shëndetësore e detyruan të udhëtonte para mbarimit të kongresit. Para momenteve të nisjes, e vizitova në dhomën e tij për ta përshëndetur dhe për t'i mbajtur valixhet e tija. Këtë të fundit ai e refuzoi, ndërsa unë këmbëngula dhe këtu doli e shoqja, të cilës i tha: O nëna e Mexhidit a e njeh këtë që po të mban valixhet? Ai është fakihu i kohës! I thashë: Jo o zotëria jonë, ne jemi nxënësit Tuaj dhe të mbjellat e duarve Tuaja!

Kongresi u mbyll me seancën përfundimtare, në të cilën u lexuan vendimet dhe angazhimet e rëndësishme mbi të cilat kongresmenët kishin rënë dakort. Ato lidheshin me temat e studiuara, ku mund të përmendet: Angazhimi për ngritjen e një Qendre Botërore për Studimet e Ekonomisë Islame, që t'i sigurojë asaj mundësitë materiale dhe njerëzore; për të kryer detyrën e saj në mes të një konflikti botëror, i cili ka marrë një drejtim ideologjik me bosht ekonominë; për shfaqjen e ekonomisë islame: ekonomisë mesatare që realizon peshoret e drejta në mes të dy ekonomive; asaj individuale "kapitaliste" dhe ekonomisë masive "komuniste".

Falënderimi i takon All- llahut që kjo Qendër u ngrit në Universitetin e Mbretit Abdul- Aziz, të cilën e vizitova disa herë si i ftuar dhe që e drejtojnë disa vëllezër të nderuar me në krye Prof. dr. Zubejrin, i cili iu përkushtua kësaj Qendre për një periudhë kohe…


Përktheu nga arabishtja dhe përshtati në shqip

Muhamed SYTARI

--------------------------------------------------------------------------------

[1] Dr. Jusuf Karadavi, President i Këshillit Evropian për Fetvatë dhe Kërkimet, Drejtor i Qendrës së Kërkimit të Traditës dhe Historisë Islame, në Universitetin e Katarit

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme