Hafiz Bakalli, figurë e shquar patriotike dhe teolog i nderuar musliman i trojeve shqiptare

Të shumta janë figurat historike të vendit tonë, të cilat iu përkushtuan me të gjithë forcën veprimtarisë në dobi të atdheut. Ndër këta figura të rëndësishme bën pjesë dhe një elitë e tërë klerikësh, të cilët ndonëse kishin petkun fetar nuk harruan për asnjë çast të vinin në plan të parë interesat e vendit të tyre. Një ndër këto figura historike ishte dhe Hafiz Ymer Bakalli, i cili kohët e fundit u nderua nga këshilli bashkiak me titullin “Qytetar nderi i Shkodrës”.
Përveç marrjes në konsideratë nga ky këshill, të veprës së këtij personaliteti të dikurshëm të Shkodrës, një meritë të veçantë për nxjerrjen në pah të vlerave të Hafiz Ymerit, siç njihej më përpara, ka drejtori i parë i Medresesë së Shkodrës, pas viteve ‘90, Ahmet O. Osja. Duke shfletuar me pasion materialet për figurat e ndritura historike të klerikëve myslimanë të Shkodrës, Osja arriti të gjente një personalitet të spikatur, që megjithëse askush nuk e kishte përmendur për dekada me radhë, kishte mbetur i skalitur në mendjen e tij, nga prindërit që e kishin njohur nga afër.



Lindja dhe shkollimi

Hafiz Ymer Bakalli lindi më 10. 5. 1870, në një familje të madhe, në lagjen “Rus i Vogël”, të qytetit të Shkodrës. Ai ishte njëri prej gjashtë fëmijëve të familjes së vjetër shkodrane të Et’hem Bakallit. Arsimimin e parë e mori në shkollën Ruzhdije në Fushë Çelë. Për sukseset dhe prirjet e tij për të marrë sa më shumë dije në shkencë dhe kulturë, i rekomandohet të atit që ta dërgojë për studime në Stamboll. Miqtë e dashamirësit, bazuar në prirjet e dijet që zotëronte e këshilluan të ndiqte rrugën e teologjisë dhe ai kështu bëri.

Universitetet dhe diplomat

Hyri në shkollë në Stamboll në vitin 1889. Pasi mbaroi shkollën e mesme fetare, ndoqi fakultetin e teologjisë (Filozofisë Islame), ku cilësohet në faqet e shtypit të kohës “si një student me cilësi të rralla e me prirje për t’u bërë njeri i madh”. Në universitet merr titullin “Hafiz” dhe kryen studimet e larta fetare në vitin 1903. Studimet për Hafiz Ymerin nuk përfundojnë me kaq ai diplomohet dhe në një degë tjetër të universitetit të Stambollit në atë të filozofisë, logjikës e të psikologjisë. Punësohet në Stamboll ku cilësohet nga shtypi si një interpretues i shkëlqyer i legjislacionit islam.



Në ushtrinë turke

Pas mbarimit të shkollës së lartë ushtarake turke emërohet në forcat ushtarake turke. Aty shërben si Allajmyfti të një regjimenti ushtarak me gradën e oficerit të lartë major, pjesëtar i luftërave të ushtrisë turke për mbrojtjen e Perandorisë Osmane. Pasi plagoset në luftime, në tërheqje drejt spitalit, zihet rob nga forcat Angleze. Internohet në Pakistan dhe në Java të Indonezisë. Arrin të mbijetojë në saje të aftësisë së tij të komunikimit në shumë gjuhë të botës, ku përveç gjuhëve të fakultetit, arabisht, turqisht e persisht, shquhej për dije të shkëlqyera në anglisht dhe frëngjisht. Pas shumë mundimesh më 1918 arrin të kthehet në Shkodër, ku iu kushtua tërësisht atdheut.


Veprimtaria politike

Pas kthimit në vitin 1918, Shqipërinë e gjen në gjendje lufte dhe përpjekjesh për çlirim. Si një njeri aktiv dhe atdhedashës Hafiz Ymeri aktivizohet në jetën qytetare dhe politike. Fjala e tij ishte mobilizuese kurdoherë për të rinjtë shkodranë. Merr pjesë aktive në luftën e Koplikut më 1920. Me idetë e tij përparimtare behët pjesë aktive e jetës politike për konsolidimin e shtetit shqiptar, e një shteti me tipare evropiane. Ky aktivitet arrin kulmin në vitin 1924 për mbrojtjen e Shkodrës nga synimet Malazeze, në mobilizimin e qytetarëve në luftën e Koplikut dhe të përpjekjeve për hedhjen e themeleve të një shteti demokratik.

Gjithashtu autori i veprës biografike “Në gjurmët e një Didakti”, Njazi Kazazi në kapitullin e parë të veprës, ku jep komentet e tij për rrugën “Hadrej” në Shkodër dhe figurat e shquara intelektuale të saj, padyshim nuk lë pa përmendur figurën e Hafiz Ymer Bakallit, për të cilin po citojmë: “Ymer Bakalli përmendej për kulturën e gjerë që zotëronte. Njihte mirë gjuhët klasike të orientit. Krenohej për bibliotekën e tij të pasur dhe lavdërohej për vendlindjen e tij, të cilën e mbrojti me armë në luftën me serbo-malazezët”.

Arrestimi dhe feja

Pas dështimit të lëvizjes demokratike të asaj kohe arrestohet dhe dënohet me burgim të përjetshëm, por me ndërhyrjen e autoriteteve fetare dhe qytetare, pranë qeverisë së Ahmet Zogut, lirohet. Si gjithnjë njeri aktiv ai i përkushtohet tërësisht thirrjes islame, propagandimit të fesë si mësues i Medresesë në Shkodër deri në vitin 1929. Pas këtyre viteve atë e gjen Vais në xhamin e Rusit të vogël dhe Imam në xhaminë e Fushë Çelës, sot Ebu–Beker.

Përndjekja nga komunistët
Për arratisjen e djalit, Hafiz Ymeri arrestohet e internohet në Tepelenë
Vitet e Luftës së Dytë Botërore e gjejnë përsëri një njeri tepër aktiv, pasi e njihte më mirë se kushdo shqiptar tjetër, se cila është teoria e komunizmit, ideologjia e kësaj rryme, prandaj porosiste xhematin, fetarët dhe bashkëqytetarët, që të ruheshin nga komunizmi, i cili shpinte në vdekje të fesë, moralit dhe jetës. Rryma e kuqe sipas Hafiz Ymerit nuk kishte nocionin vëlla, motër, nënë, babë, familje, komb e atdhe. Për komunistët ky predikim ishte i paharrueshëm, i pafalshëm dhe ruanin ditën që të hakmerreshin kundër tij.
Pas shumë përpjekjesh e gjetën dhe shkakun. Ikja e djalit të tij jashtë, për një të drejtë themelore të njeriut, për një jetë më të mirë, ndonëse tashme e gjen të plakur e të lodhur nga jeta e mosha, ishte rasti më i mirë i komunistëve për të goditur këtë personalitet të qytetit të Shkodrës. Në vitin 1951 arrestohet dhe internohet në Tepelenë. Tashmë ai ishte një 81 vjeçar i sëmurë, i cili nuk ishte më i rrezikshëm për diktaturën komuniste, prandaj lirohet. Në vitin 1953 ndërron jetë, jo më në shtëpinë e tij, në lagjen “Rus i vogël”, nga e cila e kishin dëbuar kundërshtarët e tij komunistë.
Figura të dalluara intelektuale, si të kalibrit të Hafiz Bakallit, është një nder i veçantë si për institucionet fetare, po ashtu edhe ato shtetërore, që të përjetësojnë kujtimin dhe veprën e tyre me akordimin e titujve honorifikë, pasi askush më shumë se ata përfaqëson atë plejadë të nderuar patriotësh që kontribuan me sakrifica të mëdha në shërbim të atdheut dhe kombit ën tërësi.

Për këtë qëllim AIITC-ja përshëndet e përgëzon këshillin bashkiak të Bashkisë Shkodër për akordimin e titullit dhe njëkohësisht uron që ky shërbim që i bëhet vendit në radhë të parë, të jetë shembull e nxitje edhe për bashkitë e tjera të vendit.



RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme