
Nuk është çudi që bibliotekat islame gjithandej, të posedojnë një thesar shumë të çmueshëm dhe me vlerë të jashtëzakonshme të llojeve të ndryshme të komentimit dhe interpretimit të Kuranit të Madhërishëm, në radhë të parë në gjuhët e kohës, qofshin ato përkthime a komentime autoriale, qofshin të kopjuara. Na është i njohur fakti se jo shumë moti nuk kishte shtëpi të shqiptarëve myslimanë që të mos kishte më shumë se një kësi "qitapi" apo libra e dorëshkrime islame nga fushat e përkthimit dhe komentimit të Kuranit, të vendosura dhe të ruajtura me kujdes në raftet e odave shqiptare, përveç atyre që gjendeshin nëpër xhami, medrese, mektebe e kutubhane. Edhe sot aty - këtu, ndër shtëpitë shqiptare myslimane, falë kujdesit të individëve me kulturë dhe vetëdije historike mbi vlerat fetare islame dhe tradicionale, mund të gjenden dorëshkrime islame nga të gjitha fushat, të shkruar a të kopjuar në Kosovë nga ulematë tanë, ndonëse, kohët e fundit, kjo pasuri kulturore e popullit tonë dukshëm është varfëruar, kurse një numër i madh i këtyre dorëshkrimeve të çmueshme u dogjën, u zhdukën apo humbën gjurmët.
Konstatimin e sipërthënë e vërteton, përveç të tjerash, edhe fakti se kohë më parë kemi siguruar një dorëshkrim deri më sot i panjohur ndër studiuesit tanë, që bënë fjalë pikërisht për përkthimin dhe komentimin e xhuzit të fundit të Kuranit nga një alim i yni. Fjala është për dorëshkrimin origjinal - autograf i shkruar në gjuhën shqipe me grafi arabe nga mulla Mehmet ef. Salihu nga Bresana e Opojës.
1. Pak jetëshkrim për Mulla Mehmet ef. Salihun
Mehmet ef. Salihu[1], u lind më 1898 në fshatin Bresanë të Opojës. Mësimet e para i mori tek i ati, mulla Salihu, për t’i vazhduar më pas, te myderrizi i mirënjohur i asaj kohe, mulla Avdiu i Kuklibegut. Pasi i përfundoi mësimet te mulla Avdiu, mulla Mehmeti i vazhdoi mësimet në medresenë e fshatit të tij në Bresanë tek alimi e myderrizi i njohur i medresesë së Bresanës, h. Rexhep ef. Ismaili[2].
Tek haxhi Rexhepi, mulla Mehmeti mësoi për afro dhjetë vjet por, për shkak të aktiviteteve të shumta të myderrizit (mësuesit), disa herë i kishte ndërprerë ato. Mirëpo, megjithëkëtë, si entuziast dhe dashamir i madh i dijes që ishte, gjatë ndërprerjeve shkonte në Prizren, atë kohë vatër arsimore, për t’i ndjekur mësimet te shumë dijetarë të njohur të asaj kohe, sidomos te myderrizi më në zë i medresesë së Mehmet Pashës, hafiz Aziz efendiu i Prizrenit. Por gradën më të lartë shkencore në atë kohë – ixhazet-namen mulla Mehmeti do ta merrte tek h. Rexhepi.
Pas shkollimit mulla Mehmeti do të përpiqej që diturinë e fituar ta shpërndante në popull, dhe padyshim dëshira më e madhe e tij ishte puna me nxënës, duke dhënë një kontribut të madh në edukimin, shkollimin dhe emancipimin e brezave të rinj. Me nxënës punoi deri në vitin 1948, kur iu ndalua nga ana e shtetit të atëhershëm komunist. Mulla Mehmeti ishte shumë i drejtë, autoritativ, i përmbajtur, tepër pedant e rigoroz. Ishte shumë i nderuar prej kolegëve dhe bashkëkohanikëve të tij.
Mulla Mehmeti ka qenë shumë i dhënë pas librave, sidomos ka qenë i dashuruar thellë në librin shumë të njohur në mbarë Botën Islame, në të kaluarën dhe sot, dhe të çmuar për së tepërmi nga ana e dijetarëve islamë e të tjerë - “Ihjau Ulumid-din” (Ringjallja e shkencave fetare), që llogaritet si kryevepra e filozofit, teologut, mistikut dhe dijetarit me renome botërore Imam Gazaliut (Al-Gazali 1058-1111). Mësohet se mulla Mehmeti kishte bërë edhe komentimin e kësaj vepre dhe kishte dhënë shpjegime të nevojshme, e vende-vende, madje edhe përfundime. Vlen të theksohet se, lidhur me këtë libër, disa nga dijetarët islamë kanë thënë: “Po të zhduken të gjitha librat e shkruar mbi fenë islame, nuk do të ishte një humbje aq e madhe, nëse ruhet libri i Gazaliut, pra “Ihjau Ulumid-din”. Kjo jep të kuptosh se çfarë njohurish ka zotëruar dhe çfarë dijeje kishte mulla Mehmet efendiu. Ndikimi i këtij libri vërehet qartë në shkrimet e mulla Mehmetit. Ai zotëronte mirë gjuhën shqipe, arabe, turke, perse dhe serbe. Mulla Mehmeti kishte një bukurshkrim të rrallë, shkruante bukur, pastër dhe qartë. Për këtë dëshmojnë të gjitha dorëshkrimet e tij, të cilat ke përshtypjen se nuk i ka shkruar dora e njeriut, por ndonjë makinë e përsosur.
Ai ka bërë një jetë prej dijetari të mirëfilltë. Atij nuk i interesonte asgjë tjetër përveç diturisë (ilmit). Ai ishte një kundërshtarë i haptë ndaj padrejtësive nga do që vinin ato, por, si shumë hoxhallarëve të tjerë, edhe mulla Mehmetit një ditë kjo do t’i hakmerrej me burgim. Kurse në planin sekret të UDB-së dhe kriminelit Rankoviç do të cilësohej si “shumë i rrezikshëm” dhe ishte paraparë për t’u likuiduar në valën e dytë të dhunës shtetërore[3]. Ndonëse kjo fatmirësisht nuk ndodhi, mulla Mehmetit do t’i inskenonin një proces, pas të cilit ai do të dënohej me 18 muaj burg.
Mulla Mehmet ef. Salihu vdiq në moshën 87 vjeçe, të hënën më 20 tetor 1985 në fshatin Bresanë, ku e ka varrin.
2. Veprat
Mulla Mehmet ef. Salihu, sikurse u tha, i takon plejadës së fundit të dijetarëve islamë në Kosovë, të cilët, fatkeqësisht a fatmirësisht, kanë shkruar në gjuhën shqipe me shkronja arabe. Ai duke qenë një nga trashëgimtarët e fundit të kësaj “dinastie”, pas veti ka lënë një krijimtari të pasur me tematikë të ndryshme, të tërën dorëshkrim. Vetëm ajo që disponojmë ne kap një fond prej mijëra faqesh. Mulla Mehmeti ka lënë në dorëshkrim: “Mevludin”, “Israja dhe Miraxhi i Pejgamberit a.s.”, “Besime t’plota – nasihat”, “Texhvid” (Mbi rregullat e të kënduarit të Kur’anit), “Texhvid i ri në gjuhën shqipe”, “Hydbe të zgjedhura në gjuhën shqipe”, “Katërdhjetë hadithe - përkthim me komentim”, ilmihalin e vëllimshëm “Dritë e madhe feja islame”, një “Vasijetname”, një “Ahidname” dhe shumë kaside.
Një nga shkrimet e tij më të rëndësishëm është pa dyshim përkthimi dhe komentimi i xhuzit të fundit të Kuranit – xhuzi “Amme”, i shkruar gjatë kohës sa ai ka qenë në burg, d.m.th. midis viteve 1951 - 1952. Megjithëse thuhet se mulla Mehmeti ka përkthyer dhe komentuar shtatë xhuze, ne disponojmë vetëm një pjesë nga xhuzi i fundit.
E gjithë kjo veprimtari e pasur e mulla Mehmetit, sikurse edhe biografia e tij, me pak përjashtime, vazhdon të mbetët e pa njohur për studiuesit tanë.
3. Përse nuk është e njohur vepra e Mulla Mehmetit
Tri janë shkaqet kryesore, mendojmë, që kanë ndikuar që vepra e këtij alimi shqiptar nga më prodhuesit e brezit të tij të mbetët e panjohur:
Së pari, kushtet dhe rrethanat në të cilat jetoi e veproi dhe në të cilat ai u formua si intelektual.
Së dyti, vepra e tij, ndonëse e vëllimshme dhe shumëdimensionale, nuk njihet sepse është shkruar në gjuhën shqipe me grafi arabe, d.m.th. mënyrë kjo e tejkaluar për kohën kur jetoi dhe shkroi ai.
Së treti, të gjitha dorëshkrimet e mulla Mehmetit janë të shpërndarë në Opojë, Prizren dhe në ndonjë vend tjetër, d.m.th. dorëshkrimet e tij kanë mbetur në miq të besuar, ndër të tjera edhe përkthimi e komentimi i pjesshëm i Kuranit, po prej tyre, deri më tani, vetëm disa janë gjetur, kurse vetëm “Mevludi” është botuar[4].
4. Përkthimi dhe komentimi i xhuzit “Amme”
Kur flasim për këtë përkthim (të pjesshëm) të Kuranit në gjuhën shqipe dhe për mulla Mehmet ef. Salihun si përkthyes, para së gjithash duhet të kemi parasysh faktin se ai është shkolluar në medresetë e kohës dhe se ka mësuar e është shërbyer në gjuhën arabe, osmane e perse, d.m.th. ai ka qenë i ndikuar nga mësuesit e tij, nga metodat e arsimimit të asaj kohe dhe nga literatura në këto gjuhë, kjo në njërën anë. Kurse në anën tjetër, kjo tregon qartë se përkthimin e Kuranit ky autor e ka bërë nga gjuha e origjinalit, d.m.th. nga arabishtja.
Dorëshkrimi që disponohet është i shkruar dhe i ruajtur në një fletore. Ai, sikurse u tha, është i shkruar në gjuhën shqipe me shkronja arabe të llojit “nes’h”, mjaftë të lexueshëm dhe tepër korrekt. Ka format 17x12. Ka nga 21 reshta në faqe. Është i vokalizuar. Fillon me kaptinën e 88 - “El-Gashije”, kurse përfundon me kaptinën e 98 - “El-Bejjine”, d.m.th. gjithsej 11 sure të xhuzit të fundit. Ka gjithsej 420 faqe (210 faqe të formatit A4). Ka të shënuar numrin e faqeve, që fillon nga faqja 238 – 451. Kjo na jep të kuptosh se mulla Mehmeti ka përkthyer dhe ka komentuar edhe kaptinat pararendëse të xhuzit të fundit, d.m.th. përveç përkthimit e komentimit të kaptinave që disponojmë ne, mulla Mehmeti ka përkthyer dhe ka komentuar edhe kaptinat e tjera të këtij xhuzi, dhe ato janë të shkruar në fletore të tjera, të cilat, me siguri, gjenden tek ndonjë pasardhës a mik i autorit.
Pikërisht për këtë arsye dhe pikërisht në mungesë të fillimit dhe fundit të dorëshkrimit, nuk na është e njohur se si ky autor e ka quajtur përkthimin dhe komentimin e tij; nuk dimë se kujt ia ka kushtuar, a ka shënuar në të ndonjë parathënie a pasthënie, siç ka bërë në veprën “Katërdhjetë hadithe - përkthim me komentim” ose në ilmihalin “Dritë e madhe feja islame”, ku autori konstaton: “Deri tash pej arnaudve si deti ulema, edhe pse pat me harfe arabi, arnaudçe ni risale kush nuk e maroj”,[5] Nuk dimë, po ashtu, a ka pasur ndonjë shënim tjetër i cili në fillim do të na tregonte arsyet, metodën e punës, vështirësitë e përkthimit etj.
Ç’është e drejta, në veprën e sipërpërmendur “Dritë e madhe feja islame”, në faqet 53 – 186, mulla Mehmeti ka përkthyer dhe ka komentuar edhe 11 kaptina të tjera të xhuzit të fundit të Kuranit, të mbiquajtura “Kaptinat e shkurtra”, duke filluar nga kaptina e 105 – “El-Fil”, deri tek kaptina e 114 – “En-Nas”, e përveç këtyre ka përkthyer dhe ka komentuar edhe kaptinën e parë të Kuranit – “El-Fatiha”. Këtë e ka bërë, siç shkruan ai, që ata që e falin namazin me këto kaptina t’ua dinë edhe kuptimin, në mënyrë që “namaz mrenda sa kije mundësi mananë parasysh me marë, t’u ju lut Allahut Dhyl-Xhelal mej ba dikat, në qetër anë mendja mos me dalë”[6], sepse “Kuran, dhiker edhe kur bajmë na dua, bahet murad edhe kabul me mana”[7].- shkruan ai. Këto kaptina kanë një përkthim e komentim më të shkurtër se sa kaptinat paraprake, e gjithë kjo konform natyrës së ilmihalit, të cilin në radhë të parë, autori ua dedikonte masës së gjerë dhe fillestarëve.
Sido që të jetë, nga numri i gjithmbarshëm i kaptinave të përkthyera dhe të komentuara nga Mulla Mehmet ef., ne disponojmë gjithsej 22 kaptina ose saktësisht 277 faqe të formati A4, që do të thoshim se janë të mjaftueshme që këtij përkthyesi t’i sigurojnë një vend meritor në historinë e përkthimeve të Kuranit në gjuhën shqipe dhe më gjerë.
Në fillim të çdo kaptine, autori, natyrisht ka shënuar “Bismilahin” dhe atë në origjinal - në arabishte. Pastaj ai jep një shënim rreth vendit të zbritjes dhe numrit të ajeteve, si p.sh. “Suretul-Kadri, në Mekkei Mukerreme nazil, pesë ajete xhami’a”, d.m.th. “Kaptina e Kadrit, e zbritur në Mekë, gjithsej pesë ajete”.
Përkthyesi në disa raste merr një ose më shumë se një ajet nga kaptina që përkthen, p.sh. kaptina “Et-Tin”. Ajetet i ka të shkruara në arabishte dhe nuk kanë numra, po ata janë të nënvizuar me një vijë përsipër, traditë kjo e njohur në literaturën klasike islame, kurse përkthimin e ajeteve e ka të futur në kllapa të mesme, e më pastaj ka bërë komentimin.
Në vazhdim po paraqesim përkthimin e katër ajeteve të para të kaptinës “Et-Tin” dhe përkthimin e kaptinës “El-Kadër” të përkthyera nga mulla Mehmeti:
Kaptina “Et-Tin” – نه مكهء مكرمه نازل تتﺁيته جامع- سورة التين
[باى بئه ﭘر فيك اذه ﭘر زيتون اذه ﭘر طور سينان اذه ﭘر مكهء مكرمن بلد امين محقق ورتت انسان جنس منى . صورت ماته يهشم اماروﺁم]
1.2.3.4. Baj be për fiqin edhe për zejtunin[8], edhe për Turi Sinanë, edhe për Mekkei mukerremen – beledin emin. Muhakkak, vërtet, insan xhinsin[9] me ni syret ma të jehshëm i maruem”.
Kaptina “El-Kadr” سورة القدر- نه مكهء مكرمه نازل ﭘيس ﺁيته جامع-
[ محقق ورتت نا مماذ ني تا ﮊدريپام قران عظيم الشان ناتن ا ليلة قدريت . جي تقالزوي تؤ ناتا ليلهء قدريت فار سندي ﺁشت . ليلهءقدري ﭘر مي نمي موي ﺁشت ما خيره ما مير. ملائكت اذه جبريل امين ﭘرجث سا ﭘون مه اذن اربيس وت ﺁتنات باهن نازل . سلامت ﺁشت قيو نات تري ﻷن ديئلي]
1. Muhakkak, vërtet na me madhni ta zhdripëm Kuranin azi mushan natën e lejlei Kadrit
2. Gji të kallëzojë ty nata e lejlei Kadrit farë sendi ashtë?!
3. Lejlei Kadër përmbi ni mij muj ashtë ma hajre e ma e mirë
4. Melaiket edhe Xhibrili emini për gjeth sa punë me iznin e Rabbisë, vet atë natë bahen nazil[10].
5. Selamet[11] është kjo natë deri lenë Dilli.
Mulla Mehmeti gjatë komentimit të ndonjë ajeti ka komentuar me një a më shumë ajete, d.m.th. ka bërë komentim ajet me ajet, pastaj ka përdorur hadithe, rivajete e tregime të ndryshme, e shpeshherë, si poet që ishte, ka përdorur edhe poezi e bejte të tij. Fryma dhe stili i tij poetik diktohet gjithandej në veprat e mulla Mehmetit. Për shembull, gjatë komentimit të ajetit 6 të kaptinës “Ed-Duha”, në të cilin bëhet fjalë për të mirat që Allahu ia ka dhënë të dërguarit të tij Muhammedit a.s., edhe pse ky ishte jetim, mulla Mehmeti, përveç të tjerash, shkruan:
Muhammedi shemsi shumus[12] pa le hala
Abdullahin babë e pati, jetim e la
Kur ka le Fahri xhihan[13] bedri budur[14]
Babagjysh Abdulmutalibi në dorë e murë
Gjashtë vjet t’uj kanë pika djalit, haj medet
Vdes aj gjyshi hem Eminja nana vet
Gjyshi Abdulmutalib t’uj dhanë këtë jetë
Ebu Talibit i la shumë vasijet[15]
Ebu Talibi Abdullahin vlla e ka
Pej ni nane pej ni babe kenë ata
Eba Talib ma i ngatë ni mixhë u kanë
Vllazni qerë pat gji janë kanë me qetër nanë
Eba Talib amanet ta lash këtë djalë
Natë e ditë gjeth me ma ruajt sa je i gjallë
Abdulmutalibi temam shkoj n’Ahiret
Eba Talib natë e ditë gjithë mukajet[16]
Në dorëzim kur e ka marrë shumë i ndimoj
...........................................................
Në tefsirin e tij mulla Mehmeti ka dhënë edhe shpjegime gramatikore, pastaj ka përmendur shkakun e zbritjes (sebebi nuzul) të disa ajeteve, vlerën, rëndësinë, emrat e kaptinave etj.
E veçanta e këtij përkthimi, duke filluar që nga “Bisimil-lahi...”, vërehet në origjinalitetin e tij dhe lehtë mund të përfundohet se ai nuk është bazuar fare në përkthimet e para të Kuranit në gjuhën shqipe të bërë nga Ilo M. Qafëzezi, hafëz Ibrahim Dalliu, hafëz Ali Korça ose nga ndonjë përkthyes tjetër. Vërehet po ashtu edhe përdorimi i fjalëve me të cilat dëshirohet që fjala origjinale të bëhet më e kuptueshme, por fjalë të cilat nuk janë në origjinal, p.sh. atributet e Allahut xh. sh., Muhammedit a.s., Kuranit etj.
Nga e gjithë kjo vërehet një fjalorë relativisht i pasur i përthyesit, një njohje e mirë e gjuhëve arabe e turke, po edhe persiane. Ai shpeshherë krahas termave në gjuhët orientale ka përdorur edhe përkthimin dhe domethënien e tyre në gjuhën shqipe, duke dhënë kështu përkthime të bukura dhe të qëlluara, si p.sh.:
muhakkak – vërtet
hakikaten – përnjëmend
axhaibe – çudina (çudira)
vezife – detyrë
xheme’a – me tubuar
behil – zemër ngushtë
xhisem – trup
mahzun – mërzi
tertib – renditje
sani’a – mjeshtër
ilm – dijeni
kudret – fuqi, mundësi
irtibat – lidhje
ihtijaxh – nevojë
iktidar – mundësi
nusret – ndihmë
mesken – vend, konak
Emrin e bukur Allah, mulla Mehmeti e përkthen diku - Perëndi, diku - Rabi, e diku-Zot, po të shumtën, e le në origjinal. Krahas emrave të bukur të Allahut, ai po thuaj gjithmonë numëron edhe disa cilësi e atribute të Allahut që nuk janë në origjinal, sikurse edhe për Muhammedin a.s., emrin e të cilit, për shkak të respektit, e shoqëron me dy e më shumë atribute.
Nga burimet e përdorura në këtë përkthim takojmë emrat e komentuesve të njohur islamë, si Fahrudin Rrazi[17], Ibn Seud efendi[18], dhe, natyrisht, Imam Kadi Bejdavi[19], por jo edhe titujt e veprave të tyre.
Përfundimi
Me gjithë karakterin e tij, megjithëse i pjesshëm dhe megjithëse i shkruar në gjuhën shqipe me grafi arabe në një kohë relativisht të vonshme, - që vetvetiu e kufizon dukshëm vlerën e tij shkencore, - përkthimi dhe komentimi i Kur’anit nga mulla Mehmeti, kujtojmë, është i rëndësishëm për historinë e përkthimeve të Kur’anit në gjuhën shqipe dhe më gjerë. Për historinë e përkthimeve të Kur’anit në gjuhën shqipe është i rëndësishëm, sepse është një nga përkthimet e para të Kur’anit, pas atyre të rilindësve tanë, d.m.th. afro tri dekada pas përkthimeve të para të pjesshme dhe tri dekada para botimit të përkthimit të tërësishëm të Kur’anit, - kurse, siç dihet, çdo vepër e parë në një fushë ka rëndësi historike edhe kur vlera e saj shkencore është e paktë; është i rëndësishëm edhe sepse është vepër e shkruar prej një shkrimtari, në të vërtetë prej një hoxhe e alimi shqiptar, - e në të gjitha veprat e autorëve kaq produktivë, siç qe mulla Mehmeti, pavarësisht si janë të shkruara dhe në çfarë forme, - do të gjejmë diçka ku pashmangshëm do të shkëlqejë ky autorë, do të gjejmë ide, mendime, thënie, përvoja, situata, përpjekje, përfundime etj.
Dhe, megjithëse ky përkthim, dorën në zemër, është i ngarkuar me orientalizma, pa të cilat sigurisht vlera e tij do të ishte ku e ku më e madhe, prapëseprapë, na thotë mendja, duhet t’i bashkëngjitet korpusit të përkthimeve të Kur’anit tek ne dhe të pasurojë bibliografinë e përkthimeve të Kuranit në përmasa botërore njëkohësisht.
Në fund fare, jo vetëm përkthimi e komentimi i Kuranit nga mulla Mehmet ef. Salihu, po edhe tërë veprimtaria e tij krijuese, meritojnë, pa tjetër, një vështrim dhe studim më të hollësishëm dhe më të gjithanshëm, sepse, shkrimet e tij, para së gjithash, janë me interes për islamologjinë, dialektologjinë, leksikologjinë, filozofinë, etikën etj..
--------------------------------------------------------------------------------
[1] Më gjerësisht për jetën dhe veprën e Mulla Mehmetit, shih punimin tonë: Bejtexhiu opojar – Mulla Mehmet ef. Salihu (1898 - 1985), “Dituria Islame, nr. 108-109, Prishtinë, 1998, f. 73 – 77.
[2] Më gjerësisht për Haxhi Rexhepin dhe medresenë e Bresanës shih: Ismail Rexhepi, H. Rexhep Ismaili (1871 – 1956), “Dituria Islame”, nr. 77, Prishtinë, 1996, fq 50; Sadik Mehmeti, Të dhëna arkivore për medresenë e Bresanës dhe aktivitetin e saj më 1919 – 1921, “Vjetari i Arkivit të Kosovës”, nr. XXIV – XXVI, Prishtinë, 2001, f. 352 – 363.
[3] Dr. Hakif Bajrami, Planet sekrete për likuidimin e shqiptarëve nga Kosova 1950-1956, nën numrin rendor 218, revista “Dituria Islame”, f. 26, nr. 86, Prishtinë, 1996.
[4] “Mevludi” i Mulla Mehmetit me me një vështrim nga S. Mehmeti është botuar në antologjinë e autorëve Faik Luli – Islam Dizdari, Mevludët në gjuhën shqipe, Shkodër, 2002, f. 687 – 704.
[5] Mulla Mehmet ef. Salihu, “Dritë e madhe feja islame”, dorëshkrim, f. 54.
[6] Mulla Mehmet ef. Salihu, “Dritë e madhe feja islame”, dorëshkrim, f. 185.
[7] Mulla Mehmet ef. Salihu, “Dritë e madhe feja islame”, dorëshkrim, f. 53.
[8] zejtinin - ullirin
[9] insan xhinsin – llojin njerëzor
[10] nazil - zbresin
[11] selamet - shpëtim
[12] shemsi shumus – diell i diejve
[13] Fahri xhihan – Muhammedi a.s.
[14] bedri budur- hëna i hënave
[15] vasijet – porosi, testament
[16] mukajet – i vëmendshëm, i kujdesshëm
[17] Fahrudin Rrazi (1148 – 1210), është filozof, shkrimtar dhe teolog i njohur islam. Është autori i shumë veprave nga fusha të ndryshme. Në fushën e tefsirit ka shkruar tefsirin e vëllimshëm “Mefatihul-gajb” – Çelësat e fshehtësisë”, ose “Tefsirul-Kebir – Tefsiri i madh”, mjaftë i njohur ndër ulematë tanë.
[18] "Shejhul-islami" i Perandorisë Osmane Ebu es-Seud Ahmed b. Muhammed el-Imadi, vdiq më 982/1574. Tefsiri i tij quhet “Irshadul-akli selim ila mezajel-Kitabil-Kerim”.
[19] Umer ibn Muhammed ibn 'Ali Ebul-Hajr Nasiruddin el-Bejdavi (vdiq më 1286 miladi). Tefsiri i tij ka qenë shumë i njohur ndër ulematë dhe medresetë tona. Tefsiri mban titullin "Envar et-Tenzil ve Esrar et-Te'vil" - "Drita e shpalljes dhe fshehtësitë e komentimit".