Një arsye tjetër që na bën të besojmë për ngadalësinë e përhapjes së fesë islame në fillim të pushtimit turk, është edhe ndikimi i madh i fesë e i kishës ortodokse greke e cila me pushtimin turk u ndodh në pozita të favorizuara. Me gjithë përpjekjet, kjo kishë popullsinë e këtyre krahinave asnjëherë nuk e lidhi dot shpirtërisht dhe nuk e bëri skllav të këtij besimi. Vetë ekzistenca në këtë kohë në shumë vende e fshatra të Çamërisë, e objekteve të kultit pagan, e vërteton më së miri këtë gjë.
Ndonëse kishin kaluar 16-17 shekuj nga lindja e Krishtit (Isait), këto objekte ose vende të shenjta, shpesh pritnin njerëz që faleshin, luteshin e falnin dhurata e objekte të ndryshme. Në rrugën këmbësore Konispol-Vërvë (një orë larg me këmbë), ndodheshin dy vende të tilla ku kalimtarët, sa herë shkonin, hidhnin nga një gur.
Në rrugën këmbësore Markat-Dishat, në krye të fshatit Markat, ishte një gur i shenjtë, ku njerëzit shkonin e luteshin. Ky gur u shkatërrua bashkë me xhaminë, më 1967. Faktet që përmendëm më lart përbëjnë një shtrat kontradiktor për përhapjen e fesë islame në këtë krahinë. Megjithatë, vendosja e administratës ushtarako-civile turke në këtë krahinë e sidomos sistemi tartar i timarit, solli gradualisht përhapjen e besimit islam në Çamëri.
Në fillim për shumë arsye ajo u përqafua nga aristokracia vendase nëpër qytetet shqiptare, më vonë në fshat dhe në shtresat e ulëta.
Ritme të larta, islamizimi i popullsisë shqiptare në këto troje, pati gjatë shekullit XVII-XVIII. Shteti i fuqishëm turk për të përhapur kulturën e besimin Islam gjatë kësaj kohe ngriti shumë shkolla (mejtepe e medrese) si dhe shumë xhami e mesxhide për të ushtruar këtë besim. Shkollat në fillim u përhapën nëpër qytete dhe më pas edhe në fshatra, pranë çdo xhamie (mejtepet). Këtu duhet përmendur medreseja e madhe e Konispolit, një nga më të mëdhatë në të gjithë Shqipërinë.
Siç e përmendëm edhe më lart, arsyet që qyteti ishte më përpara nga fshati në këtë drejtim janë të shumta.
Këtu mund të përmendim numrin më të madh të popullsisë nëpër qytete, kultura më e lartë e kësaj popullsie si dhe egzistenca e administratës ushtarako-civile shqiptaro-turke, nëpër këto qytete.
Duhet thënë se fëmijët e feudalëve e spahinjve shqiptarë, shkuan në shkollat turke dhe sollën që andej besimin Islam, të cilin filluan ta ushtronin në fillim në familje e më pas më gjerë.
Gjithashtu, garnizonet ushtarake turke që ishin nëpër qytete, për të ushtruar fenë islame, kërkonin objektet e kultit Islam (Xhamitë). Kështu, në Filat e Konispol ku kishte dhe garnizone turke, filluan të ndërtohen xhamitë e para dhe gradualisht u rrit numri i tyre.
Sipas Pukëvilit (përfaqësuesit francez pranë Ali Pashë Tepelenës) rreth vitit 1820 në Filat kishim tri xhami. Po të kësaj kohe janë edhe xhamitë e para të Konispolit.
Një faktor jo pak i rëndësishëm në përhapjen e fesë Islame në zonën e Konispolit dhe të gjithë Çamërinë, janë nizamet dhe spahinjtë nga këto fshatra. Këta duke shkuar ushtarë dhe shërbyer në zona të thella të perandorisë si në Arabi, Siri, Egjipt, 7-10 vjet, sillnin andej jo vetëm besimin Islam që e ushtronin në familje, por shpesh ata (spahinjtë) sillnin edhe shërbëtorë arabë e sirianë, të cilët u vendosën në Konispol, Shalës e fshatrat përreth dhe krijuan familje e fise, ku jetojnë edhe sot.
Xhamitë e fshatrave dhe disa xhami të Konispolit janë ndërtuar rreth viteve 1820-1870. Arsyet pse janë ndërtuar gjatë kësaj kohe si dhe karakteristikat e tyre janë:
Edhe para këtyre viteve në këtë zonë ka patur objekte kulti, por të tipit mesxhide, pa minare, të ndërtuara me ngut, që nuk i rezistonin kohës. Këtë e vërteton egzistenca e një xhamie të vjetër në Ninat, në lagjen juglindore pa minare, e cila u braktis kur u ndërtua xhamia e re në vitin 1868.
Vitet e ndërtimit të xhamive në krahinën e Konispolit, përkojnë me vitet pas rënies së Ali Pashës. Gjatë qeverimit të Ali Pashë Tepelenës, pushteti turk në trojet shqiptare u trondit dhe një nga mënyrat për të rivendosur rregullin dhe qetësinë dhe për ta lidhur këtë zonë më shumë me sulltanin, ishte investimi në planin shpirtëror, pra ndërtimi i xhamive, ringritja e fesë Islame. Kjo edhe për arsyen se Ali Pasha kishte treguar një tolerancë të theksuar ndaj kishës dhe besimit ortodoks.
Një ndikim mund të kenë patur edhe qarqet patriotike shqiptare për t’iu kundërvënë “megali idhesë greke” të shpallur më 1844 dhe mjetit të saj për t’ia realizuar qëllimin kishës greke. Xhamitë e ndërtuara gjatë kësaj kohe, kanë afërsisht jo vetëm të njëjtën moshë (kohë ndërtimi), por e veçanta është se ato kanë pothuaj të njëjtin projekt dhe po ashtu të gjitha janë me minare, me përjashtim të asaj të Dishatit.
Të gjitha xhamitë kanë hajatin me kolona e harqe guri (qemer), mbuluar me tjegulla ose rrasa guri. Pastaj vjen paradhoma (ose koridori) me pjesën e thelluar, ku kalonin besimtarët për të hyrë brenda (aty lihen këpucët). Në të dy krahët e saj, ka dy vende të ngritura 50-60 cm të shtruara me rrasa guri, ku shpesh uleshin besimtarët për të pushtuar. Pastaj vinte salla e faljeve e shtruar me dysheme druri ose rrrasa guri, me qilima. Mbi derën e hyrjes ndërtohej mafili për gratë, me lëndë druri, me zbukurime. Në krye, tek vendi i imamit, pak djathtas, ndërtohej një vend i ngritur me dërrasë, që ishte vendi ku hoxha mbante hytben. Gjithashtu, tavani dhe muret brenda, ishin të zbukuruara e të lyera me gjithfarë bojrash.
Kohën e ndërtimit të këtyre xhamive e vërteton xhamia e madhe e Ninatit, ku në një gur në murin ballor të xhamisë është gdhendur viti 1868.
Duke u nisur nga teknologjia e ndërtimit, madhësia dhe lartësia e minareve të xhamisë së Ninatit, mendoj se ka ndikuar dhe ndoshta ka investuar edhe dijetari i madh, biri i këtij fshati, Hoxhë Hasan Tahsini.
Muret e kësaj xhamie janë prej guri, të lidhura me fije hekuri. Minareja është më e larta në zonë. Në të është përdorur gurë e beton, si dhe fije e ganxha hekuri, llamarinë e veshje plumbi.
Të gjitha xhamitë e fshatrave dhe qyteteve janë ndërtuar nga shteti e administrata ushtarako-civile turke shpesh në bashkëpunim edhe me ndihmat e popullsisë vendase. Këtu bën përjashtim xhamia e fshatit Vërvë, që është ndërtuar tërësisht me kontributin e vetë fshatarëve.
Objektet e kultit Islam në Çamëri, mbijetuan deri në fund të luftës (1944-1945), pastaj, ato që ishin jashtë kufijve, në territorin e shtetit grek, jo vetëm që nuk funksionuan më, por qeveria greke filloi t’i shkatërrojë, t’i nxjerrë jashtë funksionit, dhe sot ruhen vetëm disa relike të rralla si, minareja e njerës prej xhamive të Koskës, minareja në Arpicë, Grikehor, Margëllëç etj.
Edhe brenda kufijve, regjimi në fuqi filloi denigrimin e fesë derisa arriti viti 1967, viti i gjëmës së madhe që solli jo vetëm shkatërrimin e objekteve të kultit e të fesë Islame, por edhe dëme të pallogaritshme të kulturës kombëtare shqiptare.