
Agjencia turke e lajmeve "ANA" (Anatolia news agency) bëri të ditur një pjesë të sondazhit, të publikuar një ditë më parë në faqen e internetit të grupit që e kishte kryer këtë anketë, duke deklaruar se një pjesë e grekëve pretendonin për territore të Turqisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit. Rezultatet e sondazhit tregojnë se numri i të pyeturve që mendonin se Qiproja Turke ishte një pjesë e pushtuar e atdheut, ishte më i madhi. Rreth 59 për qind e të pyeturve mendonin se kjo pjesë e ishullit ishte tokë e pushtuar, 37.9 për qind mendonin kështu për Stambollin, 36.2 për qind për Azinë e Vogël dhe 31.2 për qind për rajone në Detin e Zi. Po sipas sondazhit të mësipërm, numri i atyre që thonë se Shqipëria e Jugut, të cilën ata e quajnë Epiri i Veriut (Voiro -Epir) është territor grek i pushtuar, ishte 40 për qind. Vetëm 21 për qind pretendonin të njëjtën gjë për pjesë të Maqedonisë. Ndërkohë 31 për qind e të anketuarve mendojnë që janë shumë nacionalistë dhe 43 për qind thonë se nuk janë fare nacionalistë. Nga ana tjetër, më shumë se 70 për qind e fqinjëve mendojnë se BE ndodhet në stadin aktual, falë kulturës greke dhe vetëm 39 për qind besojnë që Greqia e sotme është vijim i Greqisë së Vjetër.
"Megal Idea"
Kryeministri grek në vitet 1920, Venizellos pretendonte të njëjtat hapësira, që nuk i përkasin Greqisë. E gjithë kjo është ajo që shqiptarët janë mësuar ta quajnë "Megal Idea" (Idea e Madhe), e cila pretendon aneksimin e pjesës së Jugut të Shqipërisë. E ndërsa politika e diplomacia në të dy vendet, vazhdon të këmbëngulë në marrëdhënie të mira, duket se një pjesë e mirë e votuesve në vendin fqinj vazhdojnë ta shohin Shqipërinë si pushtuese të tokave të tyre. Venizellos dështoi të realizonte gjatë paqes së Versajës synimin e tij për të "ringjallur" Bizantin, po ashtu siç dështuan shqiptarët të bashkonin me trungun kryesor pjesë të tëra të banuara nga shqiptarë, serbët të vinin në jetë Naçertanian dhe bullgarët për të kthyer perandorinë e tyre të dikurshme. I gjithë ky lëmsh Ballkanik me dëshira dhe kundër dëshira, duket se mbetet po aq i gjallë edhe pas luftërave me mijra të vrarë në Ish-Jugosllavi.