Brikena Shllaku Myslimanët

Drejtues të Shoqatës Bamirëse Islame; i degës së Intelektualëve të Kulturës Islame; klubit Kulturor "Drita" si dhe i degës së Forumit Islam në Shkodër, kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër vendosjes së figurës së Nënë Terezës në kartën e identitetit të shqiptarëve. Ata kanë deklaruar se vendosja e figurës së shenjtores katolike në kartën e identitetit i jep një goditje të fortë karakterit laik të shtetit shqiptar, që është i sanksionuar në Kushtetutë. Gjatë fjalës së tyre, krerët e këtyre shoqatave kanë bërë publike shqetësimin e tyre, duke reaguar kundër projektit të qeverisë për vendosjen e figurës së nobelistes në kartën e identitetit të shqiptarëve. Ndërkohë, shoqatat islame i kujtojnë qeverisë se Kushtetuta kërkon qartë që të respektohen të gjitha fetë, dhe jo të ketë njëanshmëri në trajtimin e tyre, siç është rasti i dhënies së kartës së identitetit një ngjyre të krishterë. REAGIMI I SHOQATAVE Rreth orës 11:00, përfaqësuesit e shoqatave myslimane janë mbledhur në takim në ambientet e hotel "Argentit" në Shkodër. Deklaratat e tyre kanë qenë në një linjë, duke mbështetur qëndrimin e Këshillit të Përgjithshëm të Komitetit Mysliman Shqiptar dhe Forumin Mysliman Shqiptar, të cilët dy muaj më parë protestuan kundër vendosjes së figurës së Nënë Terezës në kartën e identitetit të shqiptarëve. "Ne jemi të bindur se qeveria e po e përdor figurën e Nënë Terezës me pikësynimin për ta kthyer atë në një figure mitike fetare, duke u përpjekur t'i japin Shqipërisë një pamje të krishterë. Në kuadër të kësaj duhen parë dhe festimet që u organizuan për dhjetë ditë kushtuar kësaj zonje të nderuar, të cilat kulmuan me vendosjen e një busti të saj që ka pamjen e qartë të kryqit në aeroportin 'Nënë Tereza'", - thuhet mes tjerash në deklaratë. Sipas shoqatave myslimane, përpjekjet që po bëhen për të çuar shqiptarët në Evropë me kartë të krishterë, janë në kundërshtim me pohimin e Presidentit Bush dhe të eurodeputetes Doris Pack, që kanë theksuar se Shqipëria ka popullsi me shumicë myslimane, e cila nuk i pengon për t'u integruar në Evropë". AKUZAT Gjithashtu, katër shoqatat myslimane theksojnë se këto veprime janë një goditje për tolerancën fetare në Shqipëri. "Janë ata pushtetarë që flasin për këtë tolerancë, por që në të vërtetë në terren veprojnë ndryshe, duke hequr maskën e hipokrizisë", - citohet në deklaratën për shtyp të përfaqësuesve të shoqatave islame në Shkodër. Ndërkaq, në deklaratë përmendet dhe rasti i shtetit italian, ku ka selinë qendra botërore e krishterimit, Vatikani, dhe ku qytetarët kanë një kartë identiteti pa simbole fetare, por vetëm me flamurin italian dhe atë të Evropës së Bashkuar. "Kjo na bën të dyshojmë se ka një prapavijë fetare në hartimin e një karte të tillë për qytetarët shqiptarë". Ndërsa, pohohet se çështja e kësaj karte ka të bëjë me mbrojtjen e identitetit të myslimanëve shqiptarë. Ata e kanë quajtur spekulativ faktin e publikuar, sikur kryesia e KMSH-së është në një linjë me qeverinë për një kartë të tillë identiteti, me figurën e shenjtores katolike. Në fund të konferencës, tri shoqatat myslimane në qytetin verior janë shprehur se kanë nisur mbledhjen e firmave të qytetarëve që kundërshtojnë këtë kartë identiteti.

RSS per kategorine Lajme Shfletuesi i Kur'anit

  • RSS per kategorine Lajme