
Stacioni i Prishtinës i zbukuruar në prag të vizitës së Sultan Reshatit (Mehmetit të V-të) në Kosovë më 16 Qershor 1911
Po u japim një përmbledhje të thjeshtësuar nga osmanishtja të Ligjëratës së mbajtur nga dijetari i nderuar I Islamit, Haxhi Ismail Hakki Efendiu para namazit të xhumasë, në të cilën ndër mijëra besimtarët e tjerë ishte i pranishëm edhe kalifi Osman, Mehmed Reshati. Ismail Hakki Efendiu e filloi ligjëratën e tij duke lexuar ajetin nga sureja Huxhurat që i urdhëron besimtarët për vëllazëri dhe paqe në rast të prishjes së marrëdhënieve të tyre dhe pastaj duke kaluar në komentimin e ajetit ai tha:
Falja e namazit të Xhumasë në Fushë Kosovë në prani
të 100 mijë vetave me ardhjen e Sultan Reshatit
Nuk ka dyshim se lidhjet e vëllazërisë që gjenden në shoqëritë Islame në pajtim me urdhërat Kur’anore do të qëndrojnë të forta deri në ditën e Kijametit. Të gjithë muslimanët janë të obliguar në mbrojtjen e këtij parimi nga pikëpamja e fesë. Nuk dyshojmë aspak në atë se pa marrë parasysh fjalëve të pabaza të përhapura nga armiqtë, vëllezërit tanë shqiptarë do t’i mbeten besnikw kwtij kuptimi.
Populli autokton shqiptar, që nga e kaluara me ndjenja të larta dhe me një solidaritet të plotë i ka shërbyer fesë Islame, pozitës së Hilafetit dhe famës e autoritetit të shtetit duke shënuar kështu një ndër faqet më të ndritshme të historisë Islame. Ata njihen botërisht për sakrificat e tyre me shpirt e me mall që i bënë në kohërat më të vështira e në sprovat më të mëdha për përparimin e fesë dhe të shtetit.
Shqiptarët e nderuar nuk ishin në një shkallë më të ulët se shoqëritë tjera Islame në aspektin e shkencës dhe të diturisë. Ashtu siç u zhvilluan në mesin e tyre vezirë të devotshëm dhe me veti më të larta se shokët e tyre, komandantë që në fushëbeteja me sukses e shpien përpara ushtrinë Osmane, po ashtu nga mesi I tyre dolën shumë dijetarë dhe njerëz të udhëzuar, të ditur të cilëve u merrej mendimi dhe shumë të tjerë të cilët meritojnë lëvdata. Është e vërtetë e pamohueshme se vëllezërit shqiptarë të ditur me të cilët krenohemi në qarqet shkencore, shkrimtarët dhe komandantët që e zbukurojnë ushtrinë tonë janë duke e gjallëruar dhe lartësuar famën e Perandorisë Osmane.
Vëllezër të nderuar! Nuk ekziston asnjë ndasi apo pabarazi ndërmjet jush dhe popullit turk në udhëheqjen e shtetit, sigurinë e vendit dhe në të gjitha çështjet sociale dhe ekonomike. Të dy shoqëritë, me ndihmën e All-llahut, janë në lidhje dhe në harmoni si mishi me thonjtë. Këto parime nuk përmbajnë dyshim dhe janë e vertëtë e qartë. Jemi anëtarë të një feje që na bën të gatshëm për të dhënë jetën tonë për mbrojtjen e vëllazërisë sonë. Nuk kemi qëllim tjetër pos shërbimit të mirë ndaj fesë sonë të shenjtë dhe atdheut tonë dhe në këtë drejtim nëse ka nevojë edhe do të japim shpirtin.
Sultan Reshati në prani të qindra mijëra shqiptarëve të tubuar
me ardhjen e tij në Kosovë në qershor të vitit 1911
Mirëpo më duhet ta them me keqardhje se në mesin tonë ka të tillë që guxojnë t'i shmangen idealeve tona të larta, që me injorancë na shpiejnë në situata jo të mira, të cilat nuk përputhen me fenë dhe Sheriatin tonë. Këto të këqia dhe teprime janë lëvizje të kota si mos zbatimi i ligjeve të shtetit dhe mos bindja ndaj drejtësisë së tij, të cilat pa dyshim se nuk janë të drejta. I dërguari ynë duke iu përgjigjur pyetjes së shoqëruesve të tij tha "Feja është këshillë" duke e shpjeguar atë si këshillë me ihlas, duke iu larguar tradhëtisë dhe duke i vënë në vend amanetet ndaj Pejgamberit, udhëheqësit të Muslimanëve dhe të gjithë vëllezërve të fesë. Shpëtimi i vërtetë i fesë Islame gjendet në zbatimin e këtyre parimeve të njëpasnjëshme duke iu shmangur kaosit.
Ajeti Kur'anor "O ju që besuat! Mos e tradhëtoni All-llahun dhe të dërguarin e Tij" e udhëzon këtë të vërtetë në drejtimin e duhur. Kundërshtimi dhe rebelimi pa arsye ndaj urdhërave të drejta të udhëheqësve është rebelim ndaj All-llahut dhe të dërguarit të Tij. Bindja ndaj të gjithë këtyre është obligim individual. Ajeti "Bindjuni All-llahut, të dërguarit të Tij dhe udhëheqësve nga ju" është mjaft i qartë.
Një ndër veprat e këqia dhe teprimet është edhe vrasja e njeriut. Sipas një hadithi, njerëzimi është ndërtesa e All-llahut dhe i mallkuar është ai që e rënon këtë ndërtesë. Dënimi për këtë krim shumëfishohet nëse i vrari është nga populli dhe feja e njëjtë e të vrarit. Ky ajet është shpallur për vrasësit që janë në këtë gjendje: " Kush e vran me qëllim dhe pa të drejtë një besimtar, ai do të jetë në Xhehennem përgjithmonë". Ky ajet dëshmon se ata kurrë nuk do të shpëtojnë nga zjarri i Xhehennemit. Me përjashtim të mohimit dhe idhujtarisë, nuk ekziston ndonjë kërcënim më i madh hyjnor se në këtë rast. Për këtë arsye ky ajet e tmerron injorantin dhe i bën të dridhen nga frika ata që e dinë madhështinë e All-llahut.
Në një hadith tjetër thuhet "Nëse dy muslimanë përdorin armë ndaj njëri-tjetrit, edhe vrasësi edhe i vrari janë në zjarr". E pyetën "O i dërguari i All-llahut, po e kuptojmë për vrasësin. Por pse të dënohet edhe i vrari?" Resulullahu u përgjigj: "Sepse edhe ai ishte aktivizuar për vrasjen e shokut dhe të vëllait të tij nga feja".
Një ndër mëkatet tjera të mëdha është edhe dezertimi nga ushtria dhe mos zbatimi i detyrës së xhihadit. Po ashtu në një hadith thuhet se ky krim është një ndër mëkatet më të shëmtuara dhe më të mëdha. Një ndër sjelljet e këqia e të dëmshme që mundësojnë dobësimin bile edhe rënien e Islamit dhe të shtetit është prishja e marrëdhënieve të muslimanëve nëpërmjet fitneve. Kjo gjendje, Zoti na ruajtë, përdoret gjithmonë nga armiqtë tanë për të lëkundur fuqinë e Islamit që buron nga bashkimi ynë. Përderisa muslimanët janë të bashkuar dhe u përmbahen dispozitave të vëllazërisë fetare ndërmjet vete, i tërë guximi i armiqve thehet. U prishen të gjitha llogaritë që i kanë bërë.
Në kohën e shtypjes dhe pengesave, duke u rritur ndasitë dhe mendimet e këqia ndërmjet muslimanëve dita-ditës afrohej rreziku i shpartallimit dhe i ndarjes. Siç e dimë të gjithë në vitet e fundit dhe posaçërisht në muajt e fundit të asaj periudhe ishim në buzë të greminës. Ishim në prag të rënies. Po jepej vendimi për ndarjen e gjithë këtyre vendeve të bukura, për ndarjen e tokave të bekuara të Rumelisë që e sollën dhe e ngritën Perandorinë Osmane në nivelin e një shteti të madh. E falënderojmë Zotin, me ndihmën e Tij, shpëtuam nga ky rrezik dhe nga këto fatkeqësi të mëdha, duke shpallur sistemin parlamentar dhe parimet e reformimit. Ne arritëm lirinë dhe përparimin e përhershëm kur Zoti na dhuroi këtë kalif me nam. Tash duke nxjerrur mësim nga këto situata të këqia që i kemi parë dhe përjetuar dhe duke u kushtuar kujdes vërejtjeve, të mos kthehemi në gjendjen e mëparshme. T'i përmbahemi të vërtetave të fesë sonë, parimeve themelore të sheriatit tonë të ndritur që kanë të bëjnë me njerëzimin e shoqëritë, vendimeve që e formësojnë civilizmin tonë. T'i përmbushim obligimet tona fetare. T'i përmbahemi të vërtetës dhe drejtësisë. Të kalojmë mirë me çdokend. Të mos bijmë pre e fjalëve të tradhëtarëve. T'i lëmë armiqtë që na kanë rrethuar dhe pjesërisht kanë hyrë në mesin tonë dhe të mos merremi me njëri-tjetrin. Të përpiqemi në shtimin e kombit tonë. Të mos e zvogëlojmë popullsinë tonë duke masakruar njëri-tjetrin. Duke u bazuar në rregullat e fesë sonë dhe në vendimet e udhëheqësit tonë, të sillemi mirë me kombet tjera dhe me të gjitha shoqëritë e Perandorisë Osmane. Kjo tokë e bukur e Rumelisë u kurorëzua me ardhjen e mbretit përkrahës të sistemit parlamentar. Le ta dijmë vlerën e tij nderuese që na jep hare, gëzim dhe ndriçim. Namazi i xhumasë që falet sot së bashku me Padishahun e nderuar, i falur nga i tërë ummeti, është një namaz që nuk ka të ngjashëm në historinë Islame.
Gjatë periudhave të shtypjes, edhe mbledhjet e mrekullueshme fetare ishin të ndaluara. Me këtë rast del në pah qartazi se reforma u hapi rrugën mbledhjeve të tilla të mëdha e madhështore dhe se "Dijaneti" e "Hyrijeti" janë dy urdhëra të mëdha e të pavdekshme.
Ta kujtojmë atë ditë kur u pranua lutja e sinqertë "O Zot, bëje fitimtar popullin tim dhe më mundëso mua të bie dëshmor" e Sulltan Muratit; atë ditë që për shkak të rënies së tij dëshmor ishte ditë zie, kurse për shkak të fitores ishte ditë feste. Siç ishte ajo ditë e paharruar në historinë Islame, edhe ky namaz i Xhumasë në të cilin nuk ka dyshim se marrin pjesë të gjithë shpirtërat e dëshmorëve do të mbetet deri në pafundësi në kujtesën e Ummetit.