Në veri të kryeqytetit të Krishterizmit ngrihet Xhamia e Madhe e Romës, instituti fetar islam më i madh në Evropë.
Me një sipërfaqe prej rreth 30 000 m2 ajo mund të përmbajë dymijë deri më tremijë besimtarë nëse llogaritet hyrja e mbuluar jashtë sallës ku kryhen namazet.
Të premtet xhamia mbushet. Qindra besimtarë që banojnë në kryeqytetin apo në rrethinën e tij mblidhen në Xhaminë e Madhe të Romës për të kryer namazin e Xhumasë. Numri i tyre shtohet akoma më shumë me rastin e dy festave të mëdha islame: Fitër Bajramit dhe Kurban Bajramit.
Muslimanët që frekuentojnë xhaminë u përkasin shtetësive të ndryshme si arabë, pakistanez, afrikan, etj. Gjithashtu edhe italianët që kanë përqafuar Islamin me kënaqësi shkojnë në shtëpinë e Zotit për ta adhuruar Atë. Xhamia e Romës nuk pret vetëm musliman, por edhe njerëz qu u përkasin besimeve të ndryshme shpesh shkojnë ta vizitojnë pasi që është një ndër monumentet moderne dhe bashkëkohore të Romës.
Gjat ditës së Premte momenti shpirtëror brenda xhamisë shoqërohet me një gjallëri të madhe jashtë saj. Çdo javë, me rastin e Namazit të Xhumasë mbahet edhe një treg i madh në rrethinat e xhamisë që ofron para së gjithash specialitete të Magrebit, Indisë e gjithë botës islame. Pas kryerjes së namazit të Xhumasë besimtarët ndalen në treg për të shijuar specialitetet e tokave të tyre dhe për të blerë gjërat e nevojshme.
Si dhe kur lindi ideja për të ndërtuar një xhami të madhe në kryeqytetin e Krishterizmit?
Kjo ide lindi në vitin 1966 me rastin e vizitës në Romë të mbretit Feisal të Arabisë Saudite. Gjat qëndrimit të tij në kryeqytet, mbreti Feisal kërkoi të shkoj të falet, por në atë kohë nuk kishte ndonjë xhami në Romë, kështu që e shpien në një shtëpi private ku mund të kryente namazin. Ishte pikërisht ky rasti kur mbreti i Arabisë Saudite u propozoi autoriteteve italiane që të ndërtohej një xhami në Romë. Një propozim i tillë u miratua sepse nuk ishte kërkes e muslimanëve që mes tjerash në atë kohë ishin një numër i vogël në Itali, por dëshira e qeverisë italiane për të përmirësuar lidhjet diplomatike e komerciale me vendet arabe, fillimisht me Arabinë Saudite që pranoi të financoj ndërtimin.
Në 1969 qeveria pranon këtë projekt dhe kështu lindi Qendra Kulturore Islame e Italisë. Përveç Arabisë Saudite viset që financuan ndërtimin janë: Bangladeshi, Egjipti, Indonezia, Malejzia, Maroko, Omani, Pakistani, Senegali dhe Turqia.
Në vitin 1975 Paolo VI shprehi pajtimin e tij për këtë projekt. Pas një viti Komuna e Romës dhuroi terrenin për xhaminë, por ndërtimi filloi tek në vitin 1984 dhe inaugurimi u bë më 21 qershor 1995.
U zgjodhën dy projekte: ai i italianit Paolo Portoghesi dhe ai i iranianit Sami Musawi. Dy arkitektët nuk ishin një çift i përshtatshëm meqënse projekti i Portoghesit i afrohej arkitekturës perëndimore ndërsa ai i Musawit kulturës islame. Kështu që nuk kishte një bashkëpunim të vërtet midis dy arkitektëve. Pas rënjes së shahut të Iranit, në vitin 1980, Musawin e larguan nga Italia, kështu që projekti mbeti vetëm në duartë e Portoghesit, i cili qe projektisti i vërtetë i Xhamisë së Madhe të Romës.
Ndërtimi i një xhamie në Romë qe një hap i vështirë sepse së pari duhej t’i përshtatej arkitekturës italiane dhe parasëgjithash nuk mund të ishte më e lartë se objektet fetare të krishtera. Lartësia e minares qe me të vërtet një problem: assesi nuk mund të ishte më e lartë se kupola e San Pietro-s, në fakt, minareja e Xhamisë së Romës sot është pak e shpërpjestuar në krahasim me pjesën tjetër të objektit edhe pse ajo nuk ka të njejtin rol që ka në shumë vende muslimane pasi që nuk ka altoparlantë: ky ishte një ndër kushtet për ndërtimin e saj. Një tjetër problem ishte lokalizimi i xhamisë. Derisa xhamia në vendet muslimane gjindet ne qendër të qytetit apo fshatit, nuk mund të vendosej gjithashtu në një vend të krishterë. Kështu u zgjodh një zonë periferike e pabanuar, sidoqoftë një zonë e gjelbërt që ditëve të sodit është bërë shumë tërheqëse për musliman e jo-musliman.
Në vitin 1991 çmimi i përgjithshëm i xhamisë kishte kaluar 60 miliardët, por akoma kishte punë për të arritur në fund. Pas luftës së Golfit, Arabia Saudite, që deri atëherë kishte paguar gati krejt, mbylli bursën. Në këtë moment ndërhyn mbreti i Marokos, Hassan II. Jep rreth 30 miliardë lira dhe bie punonjësit e tij nga Maroku, rreth 300 punëtorë, të cilët stolisin brendësinë e xhamisë sipas modelit të xhamisë së Kazablankës.
Struktura e xhamisë
Në Xhaminë e Madhe të Romës, e shtruar në të gjelbërt, lënë përshtypje vijat e lakuara që janë të pranishme kahdo, pastaj shtyllat me tre kërcej të përkujtojnë në drunjë te mëdhenjë dhe gjatë faljes së namazit të duket se je i pranishëm në ndonjë pyll. Në sallë mbretëron një klimë medituese e krijuar nga përdorimi i dritës dhe ngjyrave: bluja përhapet në sallë dhe nuk hyn shumë dritë nga jashtë. Ngjyra e mozaikëve marokene në sallën e madhe të mahnit.
Përveç sallës së madhe ka edhe një tjetër sallë më të vogël, gjithashtu shumë e bukur, e stolisur me mozaike nga Turqia. Kjo sallë është e hapur çdo ditë, ndërsa salla e madhe veç me rastin e namazit të Xhumasë dhe festave të mëdha. Në katin përdhes gjindet një bibliotekë e madhe që përmban 40 000 vëllime, një sallë konferencash, zyra dhe lokale për kurse të gjuhës arabe.
Materialet e përdorura janë tipikisht romane. Ngjyra e travertinit dhe guri roman që mbështjell xhaminë janë shumë mbresëlënëse. Materiale tjera italiane të përdorura në ndërtim dhe zbukurim janë: tullat ngjyrë kashte që zbukurojnë ballinën, guri i hirtë i kornizave të dritareve dhe plumbi që mbështjell kupolat.
Organizimi
Aktualisht imam në Xhaminë e Madhe të Romës është egjiptiani Ala Eldin Mohamed Ismail el Ghobasyh, i cili zëvendëson egjiptianin Mahmud Hammd Scheweita (1998-21 maj 2006). Përgjegjës i Qendrës Islame është Abdallah Redouane.
Përgatiti: Rexhije Ameti
Tjera imazhe të Xhamisë së Madhe të Romës:
http://www.sufi.it/images/moschee/Roma/moschea_Roma.htm
http://www.moskeen.dk/indhold/arkitektur/galleri/galleri.php?verdensdel=europa
Faqet e konsultuara:
http://it.wikipedia.org/wiki/Moschea_di_Roma
http://www.didaweb.net/mediatori/articolo.php?id_vol=1267http://www.didaweb.net/liste/leggi.php?a=1403&lista=037